SHKRIMI
e diel, 18 nëntor 2018

DR.JAKUP KRASNIQI: SKËNDERBEU PËR NJË COPË ARBËRI (SHQIPËRI) I LUFTOI TË GJITHË!

Prishtinë, 30 qershor 2018: Jo vetëm njohuritë që vijnë nga hapësira kohore e 500-vjetorit deri te 550-vjetori i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut (vitet 1968-2018), për elitën intelektuale, por edhe për njeriun mesatar të kombit tonë, disa gjera që kanë të bëjnë me origjinën, jetën, veprën e vdekjen e Skënderbeut, nuk do të duhej të bëheshin tema debati e ridebati, pasi shkenca e historisë jo vetëm shqiptare i ka konfirmuar e argumentuar disa gjëra shumë mirë.

Natyrisht, këtu e kam fjalën për njerëzit që kanë lexuar së paku veprat e katër-pesë autorëve (studiuesve) seriozë të jetës e të veprës së Skënderbeut, qofshin ata autorë shqiptarë apo të huaj. Madje mund të them se cilido që e ka lexuar me vëmendje veprën e Marin Barletit, studimet e Aleks Budës dhe veprën e Kristo Frashërit, pa përfshirë veprat poetike të De Rades e të Naim Frashërit, do të duhej të bindeshin se Skënderbeu është shqiptar e bir shqiptari si nga baba, po ashtu edhe nga nëna, se emrat e prindërve jo vetëm të Skënderbeut në shekullin XV, por edhe emrat e shumicës së shqiptarëve sot, po të shikohen, nuk përcaktojnë kombin shqiptar dhe për pasojë, secilit shqiptar mund t’ia kontestojmë qenien kombëtare. Kështu, mendoj se sorollatja e disa të “diturve” për çdo gjë apo të specifikuar si historianë a politikanë, rreth emrit të nënës së Skënderbeut, Vojsavës s’janë gjë tjetër veçse megalomani për dukje intelektuale. Jo vetëm emrat e banorëve të Pollogut të shekullit XV, por edhe emrat e shqiptarëve të Kosovës dhe të gjithë hapësirës së shqiptarëve të kohës, e cila njihej si Epir, Maqedoni, Arbëri e Dardani (Kosovë), po të shikohen emrat, ata nuk përcaktojnë etninë e as kombin e mëvonshëm. Gjendja në këtë fushë, në fushën e emrave nuk është më e mirë as sot e kësaj dite. Edhe më herët nga autorë antikë, madje edhe Marlin Barleti, shqiptarët i quan me tre emra: epirotas, maqedonas e arbërorë. Shkurt, hapësirat e përmendura denbabaden kanë qenë të banuara me shqiptarë.



Gjithashtu edhe një çështje tjetër, që është bërë e diskutueshme viteve të fundit, është edhe më anakronike, teksa Skënderbeut i mohohet lufta për Atdheun e tij, popullin e tij dhe etninë e tij, duke ia dhënë e lënë luftës çlirimtare të epirotasve (shqiptarëve) vetëm rolin e një kryqëzate, edhe pse lufta zhvillohej në një ambient tjetër kulturor edhe në Evropën e kohës. E gjithë kjo me arsyetimin se në shekullin XV nuk ishin formuar kombet në kuptimin e shekullit XIX! Trajtimi i luftës së Skënderbeut vetëm si kryqëzatë apo përpjekja për një trajtim të tillë jo vetëm që nuk është trajtim shkencor, por është përpjekje për trajtim foshnjor i një lufte të lavdishme të popullit shqiptar. Duhet të thuhet se një përpjekje e tillë nuk ka ndodhur as në shekujt XV-XVI e tëmos flasim për shekujt XVIII, XIX e në nëntë dekadat e shekullit XX.

Për këtë pa dyshim ka shumë dëshmi, përveç tjerash, meqenëse vetë shekulli XV nuk njihet në asnjë historiografi si shekull kryqëzate, por si shekull i lulëzimit të Humanizmit dhe të Renesancës, shekull i reformave të mëdha shoqërore. Shikuar vetëm në këtë kënd, përpjekja për t’i dhënë luftës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu karakter tjetër, tingëllon tepër anakronike, kur qendra që do të duhej së paku ta ndihmonte “kryqëzatën”, ajo ishte treguar e kursyer, për të mos thënë shpërfillëse për ta ndihmuar Skënderbeun! Për më tepër, Skënderbeu me ushtarët e tij ka luftuar edhe kundër Republikës së Venedikut, ka ndërhyrë në luftimet e mbretërve në Italinë e Jugut dhe vasalëve serbë të sulltanëve osmanë në Gadishullin Ilirik. Që të gjithë ishin të krishterë. Vetë Evropa e kohës i kishte tejkaluar luftërat e kryqëzatave, pasi një gjë të tillë nuk e bëri as për ta mbrojtur qendrën e dytë të krishterimit - Konstantinopojën (1453).

Dhe jo vetëm kaq, por në fund të vitit 1466 (nëntor) e në fillim të vitit 1467 (shkurt), Skënderbeu ishte në Napoli dhe Vatikan (Romë), për të kërkuar ndihmë, por edhe pse Papati kishte grumbulluar para për kryqëzatën, Skënderbeun nuk e ndihmuan pasi Papa “shpenzimet e para do t’i bënte për të siguruar shtëpinë e vet” (K. Frashëri: Skënderbeu - jeta dhe vepra, faqe 448). Sipas L. de Pesaros: “Skënderbeu u nis sot i dëshpëruar, se kardinalit që i dhuroi 200 dukatë", ai (Skënderbeu nën. J. K) i tha me ironi se "tani e tutje duhej t’i bënte luftë Kishës më tepër se sulltanit” (po aty, faqe 450). Kjo politikë e mos interesimit nuk ishte vetëm e Papatit, por ishte edhe e Napolit dhe e Venedikut, edhe pse Skënderbeu nuk ishte shkuar atje për të kërkuar para për salltanet a për të “blerë mercenarë”, por për t’i siguruar gjërat më të nevojshme për jetë e luftë, gjëra që shqiptarët i kishin humbur duke e mbrojtur atdheun dhe Evropën nga invazioni osman me jetët dhe gjakun e derdhur të epirotasve (shqiptarëve) të kohës.

Pas atij udhëtimi dëshpërues për bashkatdhetarët dhe Skënderbeun nuk mbeti tjetër rrugë veçse t’i bashkonin forcat arbërore në mbrojtje të atdheut. Kjo bëri siç thotë Kristo Frashëri, që Lekë Dukagjini të bashkohej me Skënderbeun e t’i bëhej dora e djathtë e tij.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks