SHKRIMI
e martë, 22 tetor 2019

KADRI REXHAJ: U BË AJO QË DUHEJ BËRË, (DEMONSTRATË NË PRISHTINË, MË 27 NËNTOR 1968)

Zyrih, 11 dhjetor 2018: (Një kujtim personal për Demonstratën e Prishtinës të zhvilluar më 27 Nëntor 1968) - Se do të bëhen demonstrata më 27 Nëntor 1968 është biseduar hapur. Gjatë muajit Tetor dhe Nëntor në mesin e studentëve në përgjithësi mbretëronte një frymë revolucionare. Pritja e gjatë, që dukej e pambarim, i kishte afruar studentët shumë sikur vëllezërit në natë feste apo në situatë rreziku. Demonstrata kishte pasur në Pejë, në Prizren, në Suharekë, në Mitrovicë, ndërsa në Prishtinë pritej manifestimi final. Sa nuk fluturonim nga gëzimi. Dhjetë ditë para se të fillonin demonstratat një shok imi, Rushit Rushiti, komuna e Skenderajt, student i vitit të dytë, po ashtu Dega e Albanologjisë, m’i dha rreth 60 afishe për t’i shpërndarë në mesin e studentëve të konvikteve. Në afishe të shumëzuara me shaptilograf ishin të shtypura këngët:

"O trima luftëtarë, o bijtë e Skënderbeut",

"Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi o burra se s’ka me pritë",

"Besa-besë, një besë kemi dhanë",

"Poshtë padronët, padrejtësia",

"Ku e kam vajzën, ku e kam djalin" dhe një poezi kushtuar Kosovës së robëruar nga poeti Pirro Floqi.

Gjatë shpërndarjes pasonte edhe porosia gojore: mësoni përmendsh se gjatë demonstratës këto këngë duhet të këndohen! Një afishe i jepej një grupi të studentëve sepse ato nuk mjaftonin për të gjithë. Dy ditë para se të mbahen demonstratat, ditë e hënë, shkova në shtëpinë e mallrave "Gërmia", aty ku sot është Sheshi Zahir Pajaziti, dhe e bleva Flamurin kombëtar. Menjëherë e sigurova edhe shtizën dhe Flamurin e bëra gati për ditën e mërkurë, 27 Nëntor 1968.

Ndonëse pa sugjerimin e askujt, i frymëzuar nga romanet “Në valët e jetës” të V. Kokonës, “Një vjeshtë me stuhi” të A. Abdihoxhës, etj., e përgatita edhe fjalimin. Referatin e shkurtër e fillova me Skënderbeun, me Lidhjen e Prizrenit, me Luftën Antifashiste duke e theksuar tradhtinë e Beogradit dhe luftën e drejtë të popullit shqiptar të udhëhequr nga Shaban Palluzha, me dhunën e Rankoviqit, shpërnguljet për në Turqi e deri te Lëvizja për Bashkimin e udhëhequr nga Adem Demaçi, anëtarët e të cilës dergjeshin në burgje anembanë Jugosllavisë.

Demonstratat filluan pikërisht në ora 15,45 të ditës së mërkurë, 27 Nëntor 1968. Në oborrin e Fakultetit Filozofik, aty te shkallët, e shpalosa Flamurin dhe bashkë me Rexhën, vëllain tim më të moçëm, student i edukatës fizike, iu bashkuam grupit të vogël, i cili mbante flamuj dhe parulla të përgatitura që më parë nga organizatorët. Sa çel e mbyllë sytë, si rrufe qielli, nga të gjitha anët vërshuan studentët dhe qytetarët që hynë në turmën që rritej me shpejtësi. Në turmë u takuam edhe me studentët istogas, Halit Elshani dhe Isa Bicaj.

Ashtu në rresht, në rrugën e shtruar me kalldrëm, në lëvizje të elektrizuar thuaja në trok, kur kemi dalë te “Tre sheshirat” lumi i demonstruesve u rrit aq shumë sa nuk i shihej koka e as fundi. Aty afër ku sot gjendet "Procredit Bank" ka filluar ndërhyrja e milicëve dhe është përdorë dhuna me shufër gome dhe me të shtëna në ajër nga revolet. Në çast, fotografia e vetme e Titos, që mbahej si hajmali mbrojtëse në krye të kolonës, u vërvit për kalldrëm dhe u bë copa-copa. Kolona me demonstrues me flamuj kombëtarë dhe me parulla të ngritura lartë vazhdoi në drejtim të burgut me qëllim të lirimit të të burgosurve politikë. Aty në kthesë për te burgu, nga plumbat e banuesve serbë që vinin nga ballkonet e ndërtesave, bie dëshmor nxënësi Murat Mehmeti dhe plagosën një mori demonstruesish të tjerë.

Në pamundësi nga forcat e milicisë për të depërtuar më tej masa e demonstruesve merr drejtimin kah qendra. Përballë ndërtesës së Komitetit Krahinor, tash Ministria e Kulturës, një kordon i madh i milicëve të armatosur barrikadon bulevardin cep më cep. Demonstruesit provojnë ta thyejnë kordonin, por milicët, duke gjuajt me armë zjarri, tregojnë vendosmëri për qëndresë. Turma e demonstruesve fillon të hamendet, dikush qëndron ballë për ballë me kordonin e policëve, kush fillon të dalë në trotuar, e kush të kthehet. Në ato çaste sekondash demonstruesja Mejreme Berisha, me kokën e plagosur, të lidhur me fashë të përgjakur, dhe me flamurin e ngritur lartë, tamam si një Zhan Darkë e kohës, lëshon piskamën kushtrim: "Përpara vëllezër se liria nuk vjen pa gjak", piskamë që edhe sot e dëgjoj sa herë kaloj atypari... dhe në ato çaste, si me një mrekulli qielli, demonstruesit marrin zemër, sulmojnë dhe thyejnë pa asnjë vështirësi kordonin e përforcuar të milicëve dhe çajnë përpara bulevardit duke brohoritur për t'u ndalur para ndërtesës së Kuvendit Krahinor, sot Kuvendi i Republikës së Kosovës.



Gjatë marshimit u kënduan këngët që i kishim mësuar më herët dhe këngë të tjera patriotike që vinin nga masa e demonstruesve. Ndër parullat që mbaheshin në dorë dhe që brohoriteshin me zë të lartë nga demonstruesit ishin edhe këto:

“Vetëvendosje deri në shkëputje”,

“Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”,

“Kosova Republikë”,

"Universitet", etj.

Ashtu duke brohoritur masa e demonstruesve për pak kohë qëndroi para Kuvendit Krahinor. Me parullën "Kush nuk bashkohet është tradhtar" turma i ftonte pushtetarët që t’i bashkoheshin demonstratës. Ata, jo që nuk zbritën nga ndërtesa, por as nuk patën guxim ta thonë një fjalë të vetme.

Manifestimi kryesor u bë në qendër të qytetit, para Teatrit Popullor. Me studentët u bashkuan nxënësit e shkollave të mesme të qytetit, punëtorët, zejtarët dhe, thuaja, mbarë banorët e Prishtinës. Dukej se atë natë mbarë Kosova kish zbritur në Prishtinë. Në çaste të ndryshme vinin lajme për ngritjen e popullit në demonstrata edhe në qytetet tjera të Kosovës, si në Besianë, Ferizaj, Gjilan, Tetovë...

Shkallët e Teatrit shërbyen si podium dhe foltore për fjalimet e organizatorëve dhe demonstruesve të tjerë. Si vend i përshtatshëm për fjalime u përdor edhe pllaka sipër dyqanit “Optika”, aty afër, në të majtë, të shkallëve të Teatrit. Në këtë revy fjalimesh edhe unë e shfrytëzova rastin dhe hipa sipër “Optikës”. E nxora letrën nga xhepi dhe fillova të lexoj. E pashë se fjalimi për atë rast ishte tepër i gjatë ndaj u ndala vetën në pikat kryesore. Pasi e mbarova fjalimin fillova të brohorisë parulla, të cilat bënin më shumë efekt se fjalimi.

Tashti i kujtoj këto parulla:

“Duam shkolla e jo burgje”,

“Vetëvendosje deri në shkëputje”,

"Presheva, Bujanovci dhe Medvegja t'i bashkohen Kosovës",

“Kosova me Vise të bashkohet me Nënën Shqipëri”,

“Rroftë Adem Demaçi”, etj.

Pas përleshjeve me forca të milicisë, që gjuanin edhe me topa uji, demonstruesit u kthyen për te Fakulteti Filozofik. Atje filluan përsëri fjalimet. Para studentëve e morën fjalën edhe profesorët, ndër të cilët Fehmi Agani, Mark Krasniqi, etj. U kërkua të vijë në mesin e studentëve edhe Fadil Hoxha, i cili, siç u tha, atë natë ndodhej në një manifestim shtetëror në Jajce të Bosnjës. Në vend të tij erdhi Ismail Bajra. Në situatën e krijuar organizatorët dhe studentët mbetën të pakënaqur sepse nuk gjetën mbështetje nga udhëheqësit e Kosovës. Nga profesorët e Fakultetit u kërkua që studentët ta formojnë një grup përfaqësuesish për t'i paraqitur me shkrim kërkesat të nesërmen në Komitet. Edhe po të formohej ai grup dita e nesërme solli orën policore sa bëri të pamundur çdo lloj komunikimi. Kështu, pas rreth gjashtë orë demonstrimi, u kthyem në konviktet e studentëve. Ndonëse lajmet e Tanjug-ut të orës 22.00 transmetonin stuhinë dhe zemërimin e Zeusit në Beograd, në mesin e ne studentëve mbretëronte mendimi përgjithshëm: u bë ajo që duhej bërë, ndërsa të tjerat do të vijnë më vonë! Gjatë demonstratës u përdor dhuna. Pati shumë të plagosur. Nga plumbat e armikut serb ra dëshmor Murat Mehmeti, nxënës i shkollës së mesme. Të nesërmen Prishtina dhe mbarë Kosova u shkel me zinxhirë tankesh të ardhur nga Serbia dhe Maqedonia.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks