SHKRIMI
e premte, 22 mars 2019

JENI MYFTARI: SHËNIME PËR SHQIPËRINË - RAPORTE USHTARAKE NGA ARKIVI SHTETËROR ITALIAN (PRILL - KORRIK 1943)

Londër, 4 shkurt 2019: “Shënime për Shqipërinë- dokumente italiane nga Arkivi Shtetëror Italian (prill-korrik 1943)” është një botim i ri që historiani dhe studiuesi Bejtullah Destani në bashkëpunim të ngushtë me historianin Ethem Çeku, sjellin në duart e lexuesve dhe të historiografisë shqiptare.

Libri përmban 170 raporte ushtarake, të nxjerra nga Arkivi Shtetëror Italian dhe pikërisht nga dosja e Luogotenencës, prej Bejtullah Destanit, të cilat përveç anës militare pasqyrojnë njëkohësisht edhe organizimin politik dhe jetën e përditëshme për pjesën më të madhe të trevave shqiptare, në atë kohë të bashkuara nën qeverisjen e Italisë. Kjo është pikërisht ajo çfarë e bën interesant dhe të veçantë këtë libër i cili na kthen pas në kohë dhe hedh dritë mbi fakte të reja, disa prej të cilave të pastudiuara ose pak të studiuara më parë.

Libri, i promovuar në Prishtinë më 20 janar 2016, vjen në duart e lexuesit në gjuhën shqipe. “Shënime për Shqipërinë” ka 650 faqe dhe është botuar nga “Qendra për Studime Shqiptare-Londër”, tashmë e njohur për publikimet e saj me nivel akademik, në gjuhët angleze dhe shqipe, me interes të veçantë në Ballkan dhe më gjerë.

Çfarë e bën unik këtë libër është fakti se më shumë se një studim individual, “Shënime për Shqipërinë” është një libër që përmban raporte sekrete ushtarake, të nxjerra të gjitha nga një dosje e vetme, për situatën ushtarake dhe rezistencën shqiptare kundër Italisë.

Jo pa qëllim editorët e librit i sjellin lexuesve raporte të periudhës prill-korrik 1943, pasi këto janë pikërisht muajt e fundit të sundimit italian në trevat shqiptare, duke u bërë kështu librin një burim të padiskutueshëm të dhënash për historianët dhe studiuesit shqiptarë dhe të huaj. Ai ndihmon në plotësimin e mangësive burimore dhe në studimin e ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, duke dhënë kështu një kontribut të veçantë për rishikimin e historisë së asaj periudhe.



“Shënime për Shqipërinë” paraqet fotografi të individëve të ndryshëm, protagonistë të raporteve dhe dërgesave, të cilat shpesh janë të mbushura me statistika për humbjet në njerëz dhe vlera materiale dhe përshkruajnë mënyrën e organizimit të aksioneve, duke dhënë emrat e të përfshirëve në atentate apo përleshje si dhe emrat e viktimave.

Në fund të librit paraqiten edhe disa faksimile të raporteve në origjinal. Libri shoqërohet nga një listë e personaliteteve italiane që kanë ushtruar detyrën në Shqipëri, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, listë kjo e përgatitur nga Shërbimi Britanik i Inteligjencës, si dhe nga indeksi i emrave të njerëzve dhe të vendeve, të cituar në raporte.

Pushtimi italian i Shqipërisë, më 7 prill 1939, ishte një fushatë e shpejtë ushtarake e Mbreterisë së Italisë kundër Mbretërisë së Shqipërisë. Konflikti erdhi si rezultat i politikës së Benito Mussolinit. Sundimtari i Shqipërisë, mbreti Zog, u largua në emigrim dhe vendi u bë pjesë e Perandorisë Italiane si një mbretëri e veçantë, në bashkim me Kurorën Italiane. Mbreti i Italisë, në vitet 1900-1946, Viktor Emanueli III, u bë njëkohësisht mbret i Shqipërisë së bashkuar, më 16 prill 1939. Në të njëjtën ditë u formua edhe qeveria shqiptare me në krye Shefqet Vërlacin. Edhe pse në këtë mënyrë Shqipëria e humbi pavarësinë e saj kombëtare, ajo megjithatë u trajtua si monarki autonome kushtetuese në kuadër të Italisë fashiste. Vlen të theksohet se ajo që pati një rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e re të popullit shqiptar ishte bashkimi i pjesës më të madhe të viseve shqiptare brenda shtetit të njësuar kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Italianët dhe më pas gjermanët e konsideruan një të vetëm territorin e Shqipërisë dhe Kosovës së sotme, duke e përfshirë Kosovën në Shqipërinë e Veriut.

Menjëhërë pas pushtimit, italianët ndërtuan në Shqipëri aparatin e tyre shtetëror dhe administratën publike. Në kuadër të aparatit shtetëror përfshihen edhe SIM (Shërbimi Informativ Ushtarak), Federati (institucion drejtonte pushtetin në nivel qarku), ONVRA ose e thënë ndryshe “Institucion informativ politik i Partisë Fashiste Italiane dhe degës së saj në Shqipëri, Partisë Fashiste Shqiptare”, Camicie Nere” (Këmishët e Zeza), Kuestura (policia italiane e përbërë prej tre sektorëve: politik, gjyqësor dhe adminstrativ), Karbinieria (xhandarmëria italiane), Prefektura (pushteti drejtues i qarkut), Policia, Xhandarmëria etj.

Në bazë të raporteve ushtarake të paraqitura në këtë libër, bëhet e qartë se strukturat e kësaj administrate kanë raportuar, në mënyrë të detajuar, mbi aktivitetet e armatosura dhe lëvizjet politike shqiptare.

Raportet e dërguara nga të gjitha qytetet shqiptare në jug e veri, në bazë ditore, janë përpiluar nga burime të ndryshme, kryesisht nga Kombanda e Karabinierisë, Komanda e Lartë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FF.AA), Komanda e Armatës IX, Legjonet Territoriale (CC.RR), Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë, Ministria e Brendëshme, Milicia Fashiste Shqiptare, Lëvizja e Forcave të Armatosura (MFA) etj.

Hapësira gjeografike nga e cila janë nisur raportet dhe angazhimi i organizmave të ndryshme në përpilimin e tyre, tregon për shkallën e lartë të interesit që autoritetet italiane kanë patur, për të kontrolluar vendin. Njëkohësisht, informacionet e detajuara dhe saktësia e tyre, janë një faktor i qartë se autoritetet italiane kanë patur informatorët e tyre, në çdo qytet dhe fshat shqiptar dhe kanë qenë të mirëinformuar për çdo lëvizje, që fronti i rezistencës shqiptare ka bërë kundër pushtimit italian.

Duke shfletuar “Shënime për Shqipërinë”, të bën përshtypje fakti se në të njëjtën ditë janë përpiluar raporte të shumta nga Shqipëria e Veriut ajo e Mesme dhe e Jugut, raporte të nisura nga qytete të ndryshme shqiptare, të përgatitura nga institucione të ndryshme italiane.

Libri sjell informacione mbi gjendje politiko-ushtarake dhe frontet e ndryshme shqiptare, pro dhe kundër italisë, mbi lëvizjet dhe planet e rezistencës popullore shqiptare kundër italianëve, përmend emra dhe fakte të njohura dhe të panjohura nga historiografia shqiptare etj.

Raportet përqëndrohen në ngjarjet reale, të perceptuara personalisht nga autoritetet e huaja dhe vendase, nga ajo që ata vetë kanë parë apo kanë dëgjuar prej informatorëve të ndryshëm, në shërbim të tyre.

Studiuesi, duke lexuar këto dokumente arkivore, mundet lehtësisht të ndërtojë skemën politike të kohës dhe të grupojë forcat antagoniste në veprim. Skema përfshin dy fronte; frontin e rezistencës kundër italianëve, ku fillimisht rradhiten lëvizja komuniste, të cilën autoritetet italiane e citojnë si “bandat shqiptare” dhe ajo legaliste dhe frontin pro-italian në të cilin rradhiten forcat e Ballit Kombëtar.

Nga raportet kuptohet se fillimisht ka patur tentativa nga ana e formacioneve shqiptare për të krijuar një bllok të përbashkët kundër italianëve ku forcat komuniste u përkrahën nga forcat e Abaz Kupit (Legaliteti), i cili ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe që u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ), por që u largua nga ky front pas fraksioneve dhe konflikteve të brendëshme që ndodhën më vonë. E njëjta ndodhi edhe me “Ballin Kombëtar”.

Raporti i datës 30 prill 1943 citon:

Dibër

Nga një burim konfidencial mësojmë se pas pak ditësh mund të ketë një kuvend një shtëpinë e Cen Elezit ku thuhet se do të marrin pjesë edhe Haxhi Lleshi, Muharem Bajraktari dhe Abaz Kupi, persona në kërkim, tashmë që dihet se kush janë. Thuhet se qëllimi i mbledhjes është që të fillojnë bisedimet për të gjetur marrëveshje për një besë midis tyre. (M.F.A.)


Në kuadër të këtyre përpjekjeve u organizua Marrëveshja e Mukjes e mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar, për të bashkërenduar rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për t’u përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike. Marrëveshja themeloi një Komitet të Shpëtimit Kombëtar i cili duhet të merrte drejtimin e lëvizjes së rezistencës shqiptare. Këtu lindi një mosmarrëveshje në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Në këtë pikë studiuesi Destani me të drejtë, në Hyrjen e librit, vë theksin tek një emër i rëndësishëm që qartësisht mungon në raporte. Destani citon se:-

“Gjatë gjithë periudhës që mbulojnë raportet prill-korrik 1943, të bën përshtypje se mungon totalisht një emër mjaft i njohur në historiografinë shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore dhe pikërisht emri i Enver Hoxhës”.

Mospërmendja e Enver Hoxhës në raportet ushtarake italiane le të hapur shtegun për ngritjen e hipotezave të shumta nga të cilat më kryesoret mund të jenë se; Enver Hoxha ka qenë një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të italianëve dhe raportet për të janë përcjellë nga struktura të caktuara, si “TOP SEKRET”, ose se Enver Hoxha nuk ka qenë, në atë kohë, një figurë aq e rëndësishme e lëvizjes kundër italianëve, sa të përfshihej në raportet e autoriteteve italiane, gjë që mund të vihet lehtësisht në pikëpyetje për vetë faktin se raportet përmendin edhe emra të një rëndësie tepër të vogël në lëvizjen kundër tyre.

Duke shfletuar këto raporte ushtarake është e qartë se në muajt e fundit të pushtimit italian në Shqipëri, rrezitenca kundër pushtuesve ishte rritur dhe tashmë secili front ishte pozicionuar në qëndrimin e tij ndaj italianëve. Në një plan më të gjerë forcat anifashiste shqiptare u rreshtuan krah Aleances Antifashiste. Ndërkohë, siç del qartë nga raportet, Partia Komuniste Jugosllave kontrollonte veprimtarinë dhe vendimet e Partisë Komuniste Shqiptare.

Këto detaje tregohen në raportet e italianëve, ndërsa informojnë për prezencën e anglezëve dhe kontaktet e tyre me forcat antifashiste shqiptare. Në një raport nga Vlora, të datës 22 maj 1943 citohet:-

“Koloneli anglez Kripps thuhet se është në zonën e Fierit. Po kryhen verifikime”. (Komanda e Lartë e FF. AA.)

Ndërsa në raportet e datës 28 maj 1943 citohet:-

“Më datë 8 të këtij muaji thuhet se ka kaluar në Velçan Mokër (Korçë) një oficer anglez që vinte nga Strvaj (Ohër TR-AB). Personi i mësipërm, me kafshë transporti, kishte me vete një stacion radioje dhe kishte harta topografike; Pasi pyeti banorët e Velçan Mokrës nëse aty afër kishte një pllajë, ai u largua në drejtim të Llengës (Korçë ZT-GO).

Nga kontrolle të mëvonshme na rezulton se në Mokër ndoshta gjenden edhe tani dy oficerë të huaj; ka mundësi që të jenë anglezë, të cilët thuhet se po marrin informata rreth nevojës për armatime dhe pajisje që kanë kryengritësit”.(Komanda e Armatës IX)

Në lajmet e datës 2 korrik 1943 thuhet:-

“Shkodër

Kohët e fundit në Shkodër, brenda ndërtesës së shkollës “Dante Aligeri”, nëpër mure janë shkruar parulla që ngrenë lart ish-mbretërinë jugosllave dhe që urojnë disfatën e fashizmit dhe triumfin e komunizmit. Këto parulla mendojmë se i kanë shkruar studentët komunistë, që mund të jenë futur brenda në ndërtesë duke thyer derën e shkollës, e cila tani është e mbyllur”. (Komanda a Armatës IX).

Po kështu në lajmet e datës 4 maj gjejmë:-

“Prishtinë

Sipas lajmeve konfidenciale që i kanë ardhur kuesturës së Prishtinës partia komuniste jugosllave ka arritur një marrëveshje me partinë revolucionare të Drazha Mihajlovicit për të sulmuar në çastin e leverdishëm qendrat ushtarake në Serbi dhe në Kosovë. Autoritetet ushtarake gjermane thuhet se për këtë arsye kanë marrë masa parandaluese, duke përqendruar trupat në qytete të ndryshme të Serbisë”. (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë).


Në periudhën që mbulojnë raportet duket qartë se lëvizja antiitaliane ishte në kulmin e saj. Veçanërisht forcat komuniste kishin rritur aksionet dhe qëndresën e armatosur dhe ishin organizuar në fomacione ushtarake të tilla si çeta dhe batalione, të cilat në gjuhën e raporteve zyrtare italiane cilësohen si “çeta banditësh”. Kjo lëvizje ishte shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe në Kosovë.

Kjo pasqyrohet në shumë prej raporteve italiane. Kështu p.sh në një informacion të datës 30 korrik 1943 raportohet:-

“Tiranë

Dje pasdite në kohën kur një makinë e legjionarëve të M. F. A. po zbriste nga Kruja, rreth 500 metra nga qyteti, u godit nga disa breshëri pushkësh të qëlluar nga banditë që ishin vendosur aty afër. U plagosën: shoferi dhe 5 legjionarë, katër prej të cilëve pastaj u dërguan në spitalin ushtarak të Tiranës. Njëri nga të plagosurit vdiq sonte natën. Komandanti i batalionit të parë MFA të Krujës urdhëroi një kontroll dhe një bastisje në zonat pranë rrugës”. (Komanda e Armatës IX)

“Dibër

Në datën 24 të muajit në vazhdim [maj], në orën 20.30 një bandë rebelësh me një numër të konsiderueshëm anëtarësh të armatosur më pushkë, bomba dore dhe armë automatike sulmuan repartin e karabinierëve në Slivovë (Ohër). Karabinierët nga brenda kazermës bënë një qëndresë të fortë duke ia dalë mbanë që pas katër orë luftimi t’i detyrojnë banditët që të largohen. Gjatë betejës mbetën të plagosur nënbrigadierët Moroni Giuseppe dhe Franceschelli Attilio. Nuk dihen humbjet e armikut”. (Komanda e Karabinierëve)

Protagonistët kryesorë në raporte janë emra të tillë si Haxhi Lleshi, Myzlim Peza, Xhelal Staravecka, Fadil Hoxha, Muharrem Bajraktari etj. të cilëve raportet u referohen si “kapobanda” apo “banditët”.

Kështu, në raportet e datës 19 prill gjejmë:-

“Prishtinë

Në zonën e Gjakovës informohet se po vepron një bandë, që ka shumë mundësi që të jetë e komanduar nga komunisti i njohur Fadil Hoxha. Banda është e përbërë nga 50 elementë shumë të rinj dhe që janë të pajisur me pushkë jugosllave dhe me dy mitralozë të lehtë. Kjo bandë mendohet se ka kryer sulmin kundër patrullës sonë të karabinierëve në Gjakovë në natën midis datës 1 dhe datës 2 të këtij muaji”.

Ndërsa në raportet e datës 12 maj 1943 gjejmë:-

“Vlorë

Kemi lajme se bandat e Mehmet Shehut dhe të Xhelal Staraveskës, që kanë në radhët e tyre më shumë se sa 200 persona të armatosur gjendeshin deri në mbrëmjen e datës 9 maj në kodrat në veri të Çorrushit (Vlorë). Pohohet se komunistët kanë shkatërruar të gjitha urat midis Ballshit (Lushnjë) dhe Fratarit (Berat). (Komanda e Lartë e FF. AA.)

Gjithashtu protagonistë janë edhe autoritetet shqiptare, të cilët iu bashkëngjitën qeverisë italiane dhe u pozicionuan politikisht pro pushtimit italian. Autoritetet italiane nuk i kursyen ata pushtetarë vendas, që shfaqën frymë nacionaliste apo nuk e miratuan pushtetin e tyre. I tillë është rasti i Tafil Boletinit që shkarkohet nga detyra si Prefekt.


Në fund të shfletimit të “Shënime për Shqipërinë”, vetvetu të lindin pyetjet:- Sa të sakta kanë qenë raportet e paraqitura nga autoritetet italiane për eprorët e tyre në Romë? A është pasqyruar realiteti me vërtetësi apo ka patur shtrembërim të realitetit për të mbuluar gabimet dhe fajet e administratës qeveritare në Shqipëri?

Në informacionet e paraqitura në këtë libër vihen re se disa fakte të raportuara nga autoritetet italiane, ndryshojnë nga mënyra si janë trajtuar në historiografinë shqiptare. Këtu mund të veçohet rasti i vrasjes së Kristaq dhe Margarita Tutulanit. Në lajmet e datës 11 korrik 1943, në raportet për Shqipërinë e Jugut informohet se:-

“Berat

Në datën 6 të këtij muaji rreth orës 16 po dërgoheshin nga Berati në Durrës Tutulani Krestaq [Kristaq] dhe Margherita [Margarita], bij të të ndjerit Milto, të akuzuar për veprimtari subversive; kur kishin arritur 12 km afër Kavajës ata u orvatën që të iknin. Të goditur nga të shtënat me armë zjarri nga ushtarakët shoqërues mbetën të vdekur”. (Komanda e Karabinierëve)


Bazuar në historinë shqiptare, vrasja e Kristaq dhe Margarita Tutulanit, paraqitet ndryshe. Pas arrestimit së tyre të papritur në lagjen Mangalem në Berat, më 4 korrik (në intervistën e motrës së Margaritës thuhet se janë kapur më 2 korrik), të dy, motër e vëlla, iu nënshtruan torturave nga më makabret në qelitë e SIM-it fashist italian në Berat dhe më pas u transferuan në Kavajë, ku gjithashtu u torturuan. Qëllimi ishte që të dy të transferoheshin në Tiranë. Ata u ekzekutuan në Gosë, pranë Kavajës, më 6 Korrik 1943.

Cili nga këto dy variante është i saktë, këtë i mbetet studiuesve ta përcaktojnë.

Sidoqoftë, në raporte vihet re se italianët kanë tendencën ti paraqesin disa prej ngjarjeve si aksidente të rastësishme. Kështu në lajmet e datës 22 prill 1943, në raportet mbi Shqipërinë e Veriut citohet:-

“Prishtinë

Në datën 16 në orën 19 katër persona iu afruan trenit ushtarak që ishte i ndalur në periferi, në veri të Ferizajt, duke kërkuar municione që donin t’i ndërronin me bukë. Karabinierët që po udhëtonin arrestuan dy prej tyre. Të tjerët u larguan nën goditjet e pushkëve. U goditën aksidentalisht dy fshatarë shqiptarë prej të cilëve njëri mbeti i vdekur”.

Megjithë pikëpyetjet dhe dilemat që ngrihen aty këtu, raportet e paraqitura në libër e bëjnë atë unik për faktin se për herë të parë vjen në duart e lexuesve një ditar i plotë i ngjarjeve të përditëshme, që mbulon një pjesë të madhe të jetës dhe veprimtarisë ushtarako-politike të tokave shqiptare në rajon. Kjo i shton vlerat historike të librit “Shënime për Shqipërinë”, krahas vlerave ushtarake dhe politike, për vlerësimin e realitetit të kohës.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks