SHKRIMI
e premte, 22 mars 2019

NURI PLAKU: MYZEQEJA, MARTESA HISTORIKE E SKËNDERBEUT ME DONIKA ARIANITIN

Fier, 7 shkurt 2019: Epoka e Skënderbeut ka qenë një burim i madh frymëzimi dhe krenarie kombëtare për popullin tonë në shekuj dhe e tillë vazhdon të mbetet për brezat e sotëm e të ardhshëm. Ashtu si shumë krahina të tjera të vendit, edhe treva e Myzeqesë ka lidhjet e veta me Skënderbeun dhe periudhën e tij të lavdishme që përbërhet nga një sistem i larmishëm shenjash të cilat rrezatojnë në popull energjinë e pashtershme patriotike të kësaj epoke. Të tilla janë datat e ngjarjeve historike, gojdhanat, toponimet, legjendat, emërtimet e objekteve të kultit e të njerëzve, etj., të cilat krijojnë konturet e një marrëdhënieje të prekshme dhe solide me këtë periudhë. Kur flasim për kontakte të tilla, kemi parasysh një frymëmarrje më të gjerë gjeografike, në përputhje me dominimet dhe zotërimet e asaj kohe e cila na lejon në mënyrë të natyrshme të fokusohemi në krejt rajonin e Beratit, Mallakastrës, Myzeqesë e Kaninës.

Ndeshja e turqve me Balshajt

Sipas përshkrimit të Eqrem bej Vlorës, krahina e Myzeqesë e njohu inkursionin osman që nga beteja e Savrës më 18 shtator 1385. Ushtria turke e përbërë nga 5000 forca, e udhëhequr nga një figurë e njohur ushtarake e kohës, Timurli Pasha, Bejlerbeu i Rumelisë, e theu ushtrinë shqiptare e cila përbëhej nga 1000 forca të drejtuara nga Balsha i II, kundërshtar i Karl Topisë. Ndërsa mbas 500 vjetësh, në vitin 1913, si për ironi të fatit, ishte po Myzeqeja ajo, që përcolli nëpërmjet portit të Semanit edhe ushtarin e fundit të Perandorisë së gjysëmhënës. Në këto 500 vjet, kjo trevë, ka pasur rrugëtimin e saj me gjurmët, dihatjen dhe djersitjen e vetë historike. Në këtë rrugëtim periudha e Skënderbeut është, natyrisht më e lavdishmja dhe më gjurmëlënësja.



Donika Kastrioti (1428 - 1505)


Në fillim të shek. XV krahina e Myzeqesë e cila kishte në këtë kohë një marrëdhënie të zhvilluar tregëtare me perëndimin nëpërmjet portit të Pirgut, filloi të ndjente mbi vete kthetrat e pushtimit osman. Sipas një dokumenti venedikas që mban datën 24 prill 1412, zona e Vlorës, nga frika e turqve apo për shkaqe të tjera, ju ofronte për shitje venedikasve fortesën e Pirgut të Myzeqesë. Po sipas këtyre burimeve më 1416 Myzeqeja u pushtua nga turqit. Në vitin 1417 turqit zotëronin Beratin, Vlorën, Kaninën, Pirgun e Spiranicën.

Fitorja e Muzakajve

Por rezistenca gjithashtu do të vazhdonte. Tashmë pas Balshajve do të ishin Muzakët ata që do përballeshin me turqit. Në vitin 1421 në Myzeqe shpërtheu kryengritja e parë antiosmane e cila ngriti lart pishtarin e rezistencës dhe tregoi shpirtin e paepur, vetmohues të kësaj treve. Pas Muzakajve këtë pishtar e ngriti lart Gjergj Araniti. Në vitin 1432 ai nisi një kryengritje që përfshiu pjesën më të madhe të Shqipërisë së mesme. Ndërsa pak kohë më vonë, midis viteve 1433 - 1435 Teodor Muzaka (i riu) u hodh në një kryengritje tjetër, mori Beratin dhe ringriti sërish principatën e tij. Kjo qe një kundërvënie serioze dhe poshtëruese për turqit. Në vitin 1438 ata erdhën me një ushtri tjetër më të kompletuar me armatime me komandant Turhan Pashën dhe e mbajtën Kështjellën e Beratit 7 muaj të rrethuar. Por Teodor Muzaka rezistoi me heroizëm dhe nuk e lëshoi kështjellën. Në shenjë hakmarrje për disfatën e tij, Turhan Pasha zbriti në Myzeqe dhe masakroi popullsinë civile. Pikërisht në fushën midis Ardenicës dhe Mbrostarit turqit ngritën si shembull tmerrues, piramidën e kokave të prera, metafora e së cilës është konfigurimi i imazhit më makabër të pushtimit osman. Kjo ishte vula e hordhisë së tërbuar aziatike që po shtrinte kthetrat e saj të përgjakura në dherat e butë të anëdetit. Më të rëndë akoma e përshkruan këtë tragjedi Gjon Muzaka në “Memorien” e tij. “Përpara se tu prisnin kokat këtyre fatkeqëve, – thotë ai, – jua thyenin kockat me çekan.”

Suksesi i arritur nga Teodor Muzaka u pasua nga ai i Gjergj Arianitit i cili, pasi theu turqit, mori në zotërim teritoret që shtriheshin midis lumenjve Shkumbin dhe Vjosë. Të dy këta feudalë të fuqishëm do ta vazhdonin edhe më tej luftën e tyre kundër pushtuesve turq.

***

Pikërisht në këtë realitet historik për trevën e Myzeqesë, në Krujë më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin e lirisë dhe filloi përpjekjet për bashkimin e princërve shqiptarë dhe krijimin e një ushtrie të rregullt, të aftë t'ju përgjigjej me vendosmëri sulmeve të armikut. Në këtë periudhë, krahina e Myzeqesë shfaqet mjaft aktive në mbështetje të Gjergj Kastriotit. Të dhënat e para historike na vijnë për pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin e Lezhës mbajtur në mars të vitit1444. “Shumë erdhën edhe nga Muzakajt siç quhet ky fis, - shkruan Barleti në veprën e tij të njohur Historia e Skëndebeut, - Këta kishin dëshira dhe ndjenja të njëjta me Skënderbeun, prandaj dhe sundimin e tyre nuk e kishin të shkëputur apo të ndarë nga ai. ”Sipas kujtimeve të Gjon Muzakës, Gjin Muzaka i ati, mbante titullin despot dhe mori pjesë në Kuvendin e Lezhës si përfaqësues i derës fisnike të Muzakëve dhe përkrahu bashkimin e princëve shqiptarë nën flamurin e Skënderbeut. Të dy këta zotër të mëdhenjë, Gjini dhe Gjergj Araniti luftuan krah për krah me Skënderbeun dhe u bënë mbështetja e tij kryesore. Gjini ishte kunati i Gjergj Aranitit. Motra e tij Maria Muzaka ishte gruaja e parë e Gjergjit, nëna e Andronikës. Me Marien, Gjergj Araniti pati 6 vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Helenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë Pietra Franko pati 8 fëmijë 4 vajza dhe 4 djem. Gjini ka vdekur mbas vitit 1451 dhe pas tij principatën e udhëhoqi i biri, Gjoni, autori i “Memories” së njohur. Edhe Gjoni i qendroi besnik Skënderbeut dhe është ndër princat shqiptar që u largua i fundit nga Shqipëria, më 1479 kur ra Shkodra në duartë e turqve.

Në luftën që organizoi lidhja e Lezhës kundër Venedikut në vitet 1447 - 1448 Teodor Muzaka vuri nën urdhërat e Skënderbeut 600 trupa ushtarakë. Kur Teodori u sëmur i kërkoi Skënderbeut që të merrte nën mbrojtje qytetin e Beratit dhe ai dërgoi Pal Maneshin me 800 forca. Por turqit e shfrytëzuan këtë rast dhe e morën qytetin me tradhti sapo ai u ishte dorëzuar ushtarëve të ardhur. Pal Maneshi u kap rob ndërsa Teodorin e sëmurë e ngritën nga shtrati dhe e ekzekutuan. Me pushtimin e Beratit turqit morën nën kontroll edhe Myzeqenë, ndërsa Mallakastra mbeti e lirë në duart e Gjergj Aranitit. Ky zotëronte territore të gjera fuqi dhe pushtet të lartë. Ai ishte njëri prej njerëzve më të shquar të fisnikërisë feudale shqiptare të kohës. Për nevojat e luftës dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Donika Arianitin, vajzën e Gjergjit. Për nga pozita dhe statusi social kjo lidhje ju përshtatej të dyja familjeve. Për të kërkuar dorën e vajzës ai dërgoi Gjin Muzakën, kunatin e Gjergjit. Donika ishte vajza e madhe e Gjergjit, u lind e u rrit në Kaninë të Vlorës. Siç e thoshte edhe Barleti, Donika ishte një ndër vajzat më të bukura të dyerve bujare të Shqipërisë së shek. XV. Në një nga gravurat e përkushtuara ajo portretizohet si një grua fisnike me tipare të spikatura të një zonje të kohës. Kjo martesë simbolizonte edhe lidhjen jug – veri të vendit duke krijuar një raport të ri në bashkimin e prijsave shqiptarë. Martesa e Skënderbeut me Donika Aranitin krijon një lidhje të ngushtë edhe me krahinën e Myzeqesë. Krahas raportit fisnor që kishte Donika me Muzakët këtë lidhje e përforcon akoma më shumë edhe ceremonia e kurorëzimit të martesës që thuhet se heroi ynë e bëri në manastirin e Ardenicës. Sipas gojdhanës së trasmetuar nga murgjit e këtij manastiri, dasmorët erdhën aty në mesditën e 26 prillit dhe ceremonia u krye në kishën e shën Triadhës. Në respekt të kësaj ceremonie Skënderbeu i dhuroi manastirit një shpatë të çmuar simbol i luftrave çlirimtare për lirinë dhe bashkimin e vendit.

Toponimet

Edhe pas vdekjes së Skënderbeut më 17 janar 1468, krahina e Myzeqesë e ruajti me krenari raportin e lidhjeve të saj me emrin dhe periudhën e tij historike, duke krijuar në kujtesën e vetë një sistem shenjash të caktuara. Të tilla janë 4 toponimet me emrin e Skënderbeut të cilat i gjejmë në fshatrat Qishbardhë dhe Penkovë si: Qisha e Skënderbeut, Rrapi i Skënderbeut, Vau i Skënderbeut dhe Ara e Skënderbeut. Sipas Prof. Dr. Skënder Muçaj, në fshatin Aranitas ndodhen gjithashtu dy toponime të cilat përjetësojnë gjurmët e këtij heroi me trevën e Mallakastrës. Njëri quhet “Sheshi i Skënderbeut”kurse tjetri “Shpatarak.” Të gjitha gojdhënat që lidhen me këto toponime dëshmojnë për praninë e Skënderbeut në këto vende dhe intinerarin e lëvizjeve të tij. Edhe krishtërimi i krahinës së Myzeqesë, si kala e pamarrë nga osmanët, është një tjetër hapësirë ku shfaqen lidhjet adhuruese me Heroin tonë kombëtar. Nga 40 kisha e manastire që ka pasur Myzeqeja para prishjes së tyre, pas shën Mërisë që kishte numrin më të madh të objekteve, vinte shën Gjergji i përzgjedhur në nderim të heroit. Është i njohur fakti se kulti i Virgjëreshës së Bekuar u ngrit në Europën Perëndimore gjatë Mesjetës së Lartë dhe u përhap gjerësisht edhe në Shqipëri. Sipas albanologut Robert Elsie, përhapja në krahinën e Myzeqesë e këtij kulti, është një shenjë e orientimit perëndimor të kësaj treve. Sipas rregjistrit kadastral të sanxhakut të Vlorës, përkthyer nga orientalisti i njohur berates, Vexhip Buharaja, në vitin 1570, jo vetëm kishat, por edhe fshati i sotëm Levan, quhej Shën Mëri. Por, në shek. XVIII periudhë kur në Myzeqe daton një fluks i gjerë ndërtimesh kishtare, në Fier, pikërisht në vitin 1781 kisha e re ndryshon emrin. Pran themeleve të kishës së mëparshme të Shën Mërisë, u ngrit kisha e Shën Gjergjit, një nga më të mëdhatë e kësaj zone. Kjo interpretohet në popull si dëshmi kultike për Skënderbeun i cili gjallon ndieshëm në këtë periudhë.

Emrat

Ndërsa shumë nga familjet patriotike u kan vendosur djemve të tyre emrat Gjergj dhe Skënder, sipas përkatësisë fetare, gjithnjë në respekt të emrit të Heroit ton Kombëtar. Kjo traditë është e njohur dhe është ndjekur më vonë edhe për udhëheqësin e lavdishëm të Kryengritjes antiosmane të vitit 1847 Rrapo Hekalin, edhe për themeluesin e shtetit shqiptar Ismail Qemali. Një dëshmi e tillë na vjen nga patrioti i njohur i kësaj zone, ish deputeti i periudhës zogiste, Hysni Toska i cili, djalit të tij të vetëm ja vuri emrin Skënder pikërisht në respekt të Heroit. Sipas një dokumenti që gjendet në AQSH Tiranë, një tjetër orientalist i njohur Abdulla Ferhati, thotë se, në shek. XVII qyteti i Beratit është thirrur me dy emra; Beligrad dhe Esqenderie (Skënderbe).

Martesa në Ardenicë

Të gjitha këto shenja dëshmojnë se Skënderbeu në trevën tonë ka pasur kult të zhvilluar gjerësisht në popull. Madje është pikërisht ky kult i cili tenton të perifrazojë si fakt historik edhe kurorëzimin e martesës së tij në kishën e Shën Triadhës në Ardenicë. Pavarësisht nga diskutimet apo pikëpyetjet e ngritura nga studjues të ndryshëm për mungesën e dokumenteve të plota autentike në mbështetje të kësaj date historike, pavarësisht se ndoshta Skënderbeu mund të ket ardhur aty me Donikën në një tjetër rast dhe ka dhuruar shpatën e përfolur, ajo është gjithsesi një shenjë energjike që rrezaton në mënyrë honorifike një nderim të lartë popullor.

Në vitet ’30 shekullit kaluar në periudhën e urbanizimit të qytetit të Fierit një rruge kryesore të tij, ju vu emri “Skënderbeu”, ndërsa një tjetre ju vu emri “Donika Kastrioti”. Sot rruga e unazës së madhe të Fierit mban emrin e Heroit, ndërsa rruga kryesore e hyrjes veriore të qytetit mban emrin e njërit prej figurave kryesore të kësaj epoke,Teodor Muzaka II. I gjithë ky sistem shenjash që trasmetohet nga shekulli në shekull dhe nga brezi në brez, përbën energjinë shpirtërore të banorëve të kësaj treve për adhurimin e figurës së Skënderbeut dhe periudhën e tij të lavdishme e që ne, kemi detyrimin moral ti evokojmë e pasqyrojmë ato, veçanërisht në një përvjetor të tillë si ky i sivjetshmi.

- Autori është Drejtor i Muzeut Historik në Fier.



kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks