SHKRIMI
e shtunë, 24 gusht 2019

YLLI POLOVINA: BEOGRAD, 1 PRILL 1999, IBRAHIM RUGOVA ME SYTË PËRDHE! (16)

Tiranë, 29 maj 2019: Ylli Polovina - Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002. Shkrimi i gjashtëmbëdhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe portalin “Pashtriku.org”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Në atë mesditë të 1 prillit 1999 në zyrën e Sllobodan Millosheviçit në “Bjelli Dvor” (Pallatin e Bardhë), ndërsa Ibrahim Rugova kishte firmosur një komunikatë për shtyp të hartuar prej palës serbe, e cila do të shkaktonte trazim nëpër tërë shqiptarët, ballkanasit, eurokontinentalët e deri në buzë të perimetrit të globit, Adnan Merovci, gjithnjë sipas librit të tij “Në hap me Rugovën”, dëshmon një gjest të tij në të kundërt të sjelljes së shefit të vet.

Diversionit të presidentit serb se shpërngulja e kosovarëve ishte pasojë e bombardimeve të NATO-s, ndihmësi i Ibrahim Rugovës u përgjigj me ironi: “Nëse NATO-ja po e shkaktuaka shpërnguljen, pse nga Vojvodina dhe Mali i Zi nuk ka shpërngulje edhe pse edhe atje po bombardohet”.

Këtë çast presidenti i Kosovës i tërhoqi vëmendjen Adnan Merovcit të vetëfrenohej.

Millosheviçi ndërkohë e largoi vëmendjen nga Merovci dhe sipas këtij të fundit, presidenti serb “ishte shumë i nervozuar me liderët botërorë. Përdori shumë fjalë brutale dhe poshtërruese për KLINTONIN, SHRËDERIN, SHIRAKUN etj. Kryetari tha se bashkësia ndërkombëtare është vënë në lëvizje dhe se vetëm plotësimi i kushteve ndërkombëtare mund të ndalë bombardimet.



Pastaj më pyeti për njerëzit e tjerë, bashkëpunëtorët e Kryetarit, i cili i kishte thënë më herët MILOSHEVIQIT se nuk ka informacion se ku ndodhen. Unë i thashë se thuhet se janë të rrëmbyer, të vrarë etj.

“Kush ashtu?”, më pyeti MILOSHEVIQI.

“Prof. AGANI, Mehmet HAJRIZI, Hydajet HYSENI, Veton SURROI, etj”, i thashë.

Për ironi mori pakon e tij të cigares dhe shënoi këta emra. Me sytë e mi e pashë kur mbi pako shkroi emrin e AGANIT, të cilin pastaj pas disa muajsh e vrau.

Rastin e AGANIT dhe shkrimin e emrit të tij në pako të cigareve ia përmenda gjatë gjykimit të tij në Hagë pas disa vjetësh. Kjo dëshmi ishte shumë e vlerësuar nga prokurori”.

Vijon më tej Merovci: “Kur pa se ky takim nuk nxori asgjë, MILOSHEVIQI u ngrit në këmbë dhe i tha Kryetarit: “Ty nuk guxon të të mungojë asnjë qime floku dhe për këtë kam caktuar një njeri i cili do të kujdeset për sigurinë tënde, i cili më përgjigjet me jetën e vet”.

E plotëson tashmë këtë tablo me interpretimin e vet Adnan Merovci: “Këtë unë e kuptova si kërcënim direkt dhe ia përmenda prapë disa vite më vonë, por atëherë ishim në role të tjera. Ai i akuzuar nga Tribunali i Hagës, unë dëshmitar kundër tij”.

Ja çfarë shkruhet më pas nga Merovci: “Në fund të takimit kërkuam që të na lirojnë, sepse donim që të largoheshim edhe ne nga Kosova. Po ashtu këmbëngula që të na rilidhet telefoni në shtëpi në “Velani”, të cilin e kishin ndërprerë. Na premtoi se telefoni do të rilidhet, kurse për lirimin tonë dhe shkuarjen në Shkup tha se do ta shqyrtojë, duke shprehur brengën se gjoja RUGOVA është i rrezikuar nga UÇK-ja. Çfarë ironie, o Zot!”

Rrëfimi i ditës së takimit të 1 prillit 1999 me Sllobodan Millosheviçin në Beograd mbyllet me këtë fjalë të Adnan Merovcit: “Në të njëjtën mënyrë na kthyen në Prishtinë. Kurrë në jetën time nuk jam frikuar më tepër. Një mendje më thoshte se MILOSHEVIQI provoi ta përdorte RUGOVËN dhe nuk arriti, tani pse duhet t’ja falte jetën. Në fakt, ne 100 % pos Zotit ishim në duar dhe në mëshirë të MILOSHEVIQIT. Ndodhi mrekullia, erdhëm pa therrë në këmbë në Prishtinë. Rrugës Kryetari ishte më i relaksuar, kishte ndodhur çka kishte ndodhur dhe tani spontaniteti ishte moto e tij.

Me të arritur në shtëpi në “Velani”, pashë se telefoni me të vërtetë ishte lidhur. Fola me Kryetarin dhe mora pëlqimin që ta thërrasë ambasadorin amerikan në Shkup z.Kristofer HILL.

Ambasadori HILL u gëzua shumë kur ma dëgjoi zërin dhe më pyeti për gjendjen e Kryetarit dhe të gjithë familjes. E njoftova për rrethanat e ndodhura, se jemi të rrethuar dhe të pushtuar nga policë dhe ushtarë serbë dhe se pa vullnetin tonë sot RUGOVA është takuar me MILOSHEVIQIN. HILL për një çast heshti dhe shprehu habi, më tha se kishte dëgjuar në lajm, por nuk kishte besuar. Ia tregova rrethanat që sollën deri te takimi. Mendoja se çdo çast do ta ndërprisnin telefonin, sepse dukej që ishte duke u përgjuar online. Lajmin për takim tashmë e kishte dhënë Serbia gjithandej botës. Më vonë e kuptuam se në lajmet serbe ishte lënë të kuptohet se gjoja RUGOVA kishte kërkuar ndaljen e bombardimeve”.

Siç ju informuam me shkrimin e herës së shkuar Ibrahim Rugova jo nuk e pati kërkuar ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s, por kishte këmbëngulur për të pothuaj njëzetë e katër orë para se kryente në Beograd takimin me Sllobodan Millosheviçin. Garancinë si do të qëndronte në kryeqytetin jugosllav e pati dhënë në kryeqytetin e vet.

Mirëpo Adnan Merovci në librin e vet, gjithsesi mjaft të dobishëm, për ta shpëtuar shefin e vet nga “mëkati”, e mbylli kanalin e komunikimit të kësaj të vërtete, duke heshtur për konferencën për shtyp të tij në banesë, në afër mesditën e 31 marsit.

Kronikën e kësaj konference, në TG3, në emisionin e Giovanna Berlinguer, ia përcollëm lexuesit me foto, ndërsa ruajmë në arkiv në video të gjithë këtë bisedë me ata pak gazetarë që i erdhën Rugovës apo ja sollën në atë ditë të vështirë me rrugët e Prishtinës të mbushur me paraushtarakë serbë dhe policë nervozë. Gazetarja përcjellëse e telekronikës Emanuela Arabito, ndërsa e shqipton në italisht informacionin për vendin e vet, krijon mundësi që në sfond të dëgjohet çfarë në shqip thotë presidenti i Kosovës.

Arabito është tepër korrekte me ato që shqiptoi presidenti i Kosovës.

Sigurisht në këtë gjest, rreth të cilit simpatizantët dhe ndjekësit e Ibrahim Rugovës nuk kanë munguar ta mohojnë, ta zbutin sa më shumë apo ta tolerojnë sepse e kreu në rrethana shtrëngimi, nuk ka posaçërisht diversion ndaj Aleancës Atllantike.

Kjo duhet të theksohet, sepse për disa është gjetur e lehtë të akuzohet si tradhëtar.

E theksojmë këtë tani sepse prej punës në Ambasadën e Shqipërisë në Romë gjatë periudhës së luftës jam dëshmitar i një detaji mirëshpjegues për çfarë këmbëngulëm më sipër.

Ndërsa në mbrëmjen e vonë të 1 prillit komentet për duarshtrëngimin Rugova-Millosheviç dhe komunikatën për shtyp që ngulte këmbë për ndërprerje të bombardimeve dhe rrugëzgjidhjen politike të krizës së Kosovës, ishin të shkurtëra dhe si të hutuara, jo pak edhe të përfshirë nga hamendja mos ai lajm ishte i manipuluar nga Serbia, të nesërmen në reagim shtypi italian ishte më i qetë dhe më i thellë.

Pikërisht në të gjeta edhe provën bindëse se gazetarët italianë nuk e gjykonin aspak si tradhëtim të NATO-s atë çfarë pati deklaruar Rugova, por si një manovër të tij. "La Repubblica" vendoste pranë njëra tjetrës dy deklarata të Ibrahim Rugovës. Njëra qe e 29 marsit: "Tani NATO..., në rast se është e nevojshme, duhet të kërcënojë shkatërrimin total të Serbisë". Tjetra ishte deklaratë e 1 prillit: "Bombardimet e NATO-s duhen të pezullohen për të kërkuar ndërprerjen e agresionit kundër shqiptarëve të Kosovës".

Ja edhe një hollësi e dytë: i gjithë shtypi kryesor italian nga kronika e takimit Sllobodan Millosheviç-Ibrahim Rugova, transmentuar prej televizionit shtetëror të Beogradit, ndërsa botonte një foto ilustruese, nuk kishte zgjedhur atë ku të dy palët i buzëqeshnin njëri-tjetrit, por një tjetër, shumë kuptimplotë për të shpjeguar rrethanat shtrënguese të takimit: qe pamja ku presidenti jugosllav Millosheviç është buzagaz, kurse Rugova sheh përdhe.

Jo si fajtor, por si i padëshirë të ishte aty.

Këtë veçansi të qëndrimit të të përditshmeve më të mëdha italiane ne ja raportuam menjëherë Ministrisë tonë të Punëve të Jashtme në Tiranë. Këtë e bëmë, sepse detyra jonë e parë ishte të informonim për çdo gjë, por edhe sepse në Shqipëri, veçanërisht në zyrat kryesore të Shtetit dhe të Qeverisë, kishte shumë tronditje nga kjo lëvizje kursi e presidentit të Kosovës. Kryeministri Pandeli Majko pati bërë deklaratën më të fortë të mosaprovimit: “Fjalët e Ibrahim Rugovës ishin të papërgjegjshme".

Madje gazetari dhe analisti shumë i njohur italian Enco Betica në orën 00.30 të pasmesnatës së 31 marsit, pra duke nisur njëzetë e katër orëshi i 1 prillit 1999, në kanalin e tretë të RAI-t, në TG3, pikërisht në emisionin e Berlinguer ku qe trasmentuar konferenca e shkurtër për shtyp e Rugovës, e pati mbështetur pikëpamjen e tij në atë çfarë pati bërë të ditur nga Tirana kryeministri i Shqipërisë.

Enco Betica e fajësonte presidentin e Kosovës dhe e konsideronte të gabuar deklaratën e tij për ndërprerje pezulluese të veprimeve luftarake të Aleancës Atllantike.

Gjashtë ditë më parë, në 25 mars, në gazetën "La Stampa" Betica pati botuar një shkrim sa dy të tretat e një faqeje. Titulli kishte fjalët "Millosheviçi, Çaushesku i Beogradit".

Midis të tjerash autori, pasi paraqiste të dhëna për jetën e presidentit jugosllav, e quante atë "Hitler Ballkanik", "Tiranosaur paskomunist”, "fantazëm e Çausheskut".

Betica vëzhgonte edhe gruan e Millosheviçit, Mirjana Markoviçin, duke thënë se ajo ishte "një veteromarkiste". Pikërisht prania e këtij çifti e bënte autorin që t'i krahasonte me rastin Çaushesku.

Ndërkohë tërheqim vëmendjen për diçka: në mëngjesin e 31 marsit 1999 gazeta italiane me tirazh dhe autoritet të lartë, “Corriere della Sera” botonte një intervistë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana,

Disa nga përgjigjet e tij qenë: "Prej muajsh e dinim që serbët po përgatitnin një operacion të pastrimit etnik"; "Nuk e besoj se duhet menjëherë që të kalohet në "fazën 3" të operacionit"; “Asnjë nga aleatët tani për tani nuk është gati për të dërguar trupat tokësore më parë se të ketë një ndërprerje të zjarrit".

Pyetjes se "Çfarë do të bëni në rast se Millosheviçi nuk jepet?" reagimi i Solanës ishte ky: "Përgjigja është e thjeshtë: do të vazhdojmë". Pastaj shtonte: "Mund të them se tani për tani bashkësia ndërkombëtare mendon se zgjidhja më e mirë për Kosovën është ajo e autonomisë".

Kur gazetari i “Corriere della Sera” i tha "Por ka vende si Italia dhe Greqia që janë më të etur për të parë përfundimin e bombardimeve", Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i ktheu përgjigjen kështu: "Dëgjoj zëra gjithandej, nga Italia, Spanja, Gjermania, SHBA. Për mua ka rëndësi ajo që thonë në tavolinën e Këshillit të NATO-s përfaqësuesit legalë të qeverive. Ata janë të bashkuar. Ju siguroj se ata kanë një unitet të hekurt".

Mos kjo intervistë është një nga shkaqet që e ka shtyrë Sllobodan Millosheviçin për të kërkuar në mbrëmjen e vonë të asaj dite, 31 mars, një takim urgjent me Ibrahim Rugovën në Beograd? Gjithnjë për ta përdorur si kundërveprim fikës për këtë strategji të paepur të Aleancës Atllantike dhe sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Adnan Merovci dëshmon një inat të shprehur në mënyrë të papërmbajtur në mesditën e 1 prillit 1999 nga Millosheviçi kundër Bill Klintonit, Gerhard Shrëderit, Zhak Shirakut.

Por presidenti jugosllav nuk kishte dijeni dhe nuk qe nervozuar për vetëm çfarë deklaronte në “Corriere della Sera” Havier Solana. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kishte njëzetë e katër orë që nga Brukseli përsëriste një deklaratë të tij shumë të fortë, jo vetëm të vijimit të bombardimeve, por edhe të shtimit dhe ashpërsimit të tyre.

Këtë hollësi do ta rrëfejmë dhe interpretojmë në shkrimin pasardhës të këtij cikli, sepse kjo rrethanë na ndihmon të deshifrojmë sadopak përse afër mesditës së 31 marsit u krye nga Ibrahim Rugova konferenca e tij e shkurtër për shtyp.

“Corriere della Sera” në mëngjesin e kësaj dite ndodhet disa orë larg nga kjo ngjarje e pritshme, por duket e vendosur të mirë informojë maksimalisht lexuesin e saj dhe theksojë vendosmërinë e NATO-s për bombardim të strukturës ushtarake të Jugosllavisë së mbetur.

Për këtë qëllim ajo në të njëjtin edicion botonte jo vetëm intervistën me Havier Solanën, por edhe një të dytë, mjaft interesante.

Bëhet fjala për çfarë deklaronte në 31 mars 1999 një kryetar shteti ballkanik, një homolog i Rugovës.

Ky qe presidenti i Maqedonisë, Kiro Gligorov.

Po përcjellim për lexuesin fragmentin kryesor të saj:

Gazetari: “...Mendoni se parlamenti maqedon po të mblidhej sot do të votonte për hyrjen në NATO?

Kiro Gligorov-Në shumicën e tyre maqedonasit janë në favor të hyrjes në NATO"...

-Dhe në rast se NATO ju kërkon të përdorë territorin maqedon për operacione ushtarake tokësore?

Gligorov: Ne ja kemi thënë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Havier Solana, gjeneralit Klark dhe masmedias: Maqedonia nuk do të lejojë operacione ushtarake të nisura nga Maqedonia.

-Edhe në rast se gjendja bëhet katastrofale?

Gligorov: NATO nuk ka ushtarë vetëm në Maqedoni.

-Atëhere çfarë ka për të ndodhur?

Gligorov: Shiko, disa mendojnë se vendosmëria e NATO-s për të vazhduar bombardimet mund ta shtyjë Millosheviçin të marrë këshilla. Disa të tjerë që i njohin më mirë serbët dhe strukturën e tyre psikologjike, janë dyshuesë. Serbët ushqehen me mitin që nuk munden kurrë, një mit i çimentuar me fitoret që ata kanë arritur më parë me austro-hungarezët, por që u vulos edhe me një dështim të rëndë tamam në Kosovë kundër ushtrisë otomane.

-Nuk mendoni se Millosheviç, në sajë të luftës, mund të bindej të pranonte, për shëmbull, ndarjen e Kosovës?

Gligorov: Ishte ideja e ish-presidentit Dobrica Qosiç. Por nuk më duket se Millosheviç dhe të tijtë do ta pranonin. Për ta Kosova është atdheu serb.

-Kështu që mendoni se Millosheviç nuk do të dorëzohet?

Gligorov: Nuk e besoj. Megjithatë të mos e harrojmë atë që ndodhi në Bosnjë. Pasi kishte thënë jo Millosheviçi pranoi paqen e Dejtonit. Tani ai është i bindur se është i fortë. Është një njeri kokëfortë, i ashpër, plot mëri".

(Më pas në intervistë presidenti maqedonas kërkonte ndihma për të përballuar ardhjen e refugjatëve nga Kosova. Ai shprehej shumë i shqetësuar nga numëri i madh i tyre).

Ndërkaq në 1 prill, kur sapo qe përhapur lajmi i takimit në Beograd të Ibrahim Rugovës me Sllobodan Millosheviçin, në stacionin “RadioRadio”, emitent radifonik që mbulon të gjithë Romën dhe krahinën e Lacios, nga ora 14.00 deri 14.25, mori pjesë në një bisedë për Kosovën edhe kolegia jonë e sektorit politik të Ambasadës, Sekretarja e Parë Venera Domi.

Ajo u shpjegoi dy gazetarëve të kësaj radioje historinë e konfliktit, përgjegjësinë e plotë e Millosheviçit, dramën e refugjatëve, masat që po merrte qeveria shqiptare si edhe bashkësia ndërkombëtare për të dhënë ndihma humanitare.

Në orën 18.30 në Radio Vatikani dha një intervistë shtatëminutëshe edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare.

Në emisionet televizive të mbrëmjes në programin “Mobydik" kontribuoi me polemikën e saj Ilenia Mëhilli, korespodente e jashtme e ATSH-së në Romë.

Ndërkohë me studion e televizionit u lidh dy herë edhe kryeministri kosovar në mërgim Bujar Bukoshi.

Një shqiptar tjetër u shfaq mjaft inteligjent dhe i vendosur në mbrojtje të luftës për çlirimin e Kosovës. Ky ishte poeti kosovar Diamant Abrashi.

Emisioni qe ndër më të njohurit: “Pinokio".


(VIJON)


Ylli Polovina - Tiranë, më 23 prill 2019

--------------------------------

YLLI POLOVINA: 'KADAL ADNAN!', PARA MILLOSHEVIÇIT IBRAHIM RUGOVA FRENON NDIHMËSIN E TIJ ADNAN MEROVCI! (15)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8791


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks