SHKRIMI
e mërkurë, 23 tetor 2019

MEHMET HAJRIZI: GRUPI MARKSIST-LENINIST I KOSOVËS, GMLK (12)

Pashtriku, 11 Korrik 2019:

3.1 Ristrukturim i Organizatës


Organizata e mori shpejt veten sepse nuk u identifikua tërë zinxhiri, po vetëm një hallkë e tij. Por kjo hallkë ishte koka e saj dhe do të duhej kohë që të rikuperohej dëmi. Kishte kaluar tashmë një kohë pa arrestime të radhëve të GRK, e cila u shfrytëzua për konsolidimin e radhëve dhe të udhëheqjes. Pas arrestimeve dhe dënimeve të viteve 1974 dhe 1975, do dalluar fenomeni i ri që po ndodhte në Lëvizjen Kombëtare: arrestohet pothuaj e tërë udhëheqja e organizatës, por kjo i shpëton kapjes së policisë. Ky fakt fliste para së gjithash për kualitetin e ri organizativ të radhëve. Bashkëveprimtarët e burgosur kishin qëndruar burrërisht në hetime, pa i zbuluar bashkëveprimtarët tjerë.

Goditja në kokë dhe dëmtimi i shumë celulave të Organizatës e bënin të domosdoshme nevojën e një riorganizimi dhe ristrukturimi të saj.

3.1.1 Formimi i Komitetit Drejtues

Komiteti Drejtues, organi udhëheqës i Organizatës, që aktualisht përbëhej vetëm prej Mehmet Hajrizit dhe Gani Sylajt, duhej plotësuar. Rexhep Malaj, ishte veprimtari i duhur për Komitetin Drejtues, jo vetëm pse ishte në krye të Komitetit të Studentëve, por mbi të gjitha për përvojën e tij të gjatë organizative, përgatitjen profesionale revolucionare dhe vendosmërinë e guximin që e karakterizonin si militant. Arsyeja pse nuk u angazhua Rexhepi në Komitetin Drejtues, ishte përcjellja e rreptë që i bënte policia në atë kohë. Vetë Rexhepi kishte shkruar një raport, ku përshkruante rrëmbimin në mënyrë të pazakontë që i kishte bërë policia, si e kishte trajtuar, duke e dërguar madje te piramidat e kufirit me Shqipërinë dhe duke e urdhëruar të ikte përtej, ndoshta që ta vritnin. Ai vlerësonte që edhe pse e kishin liruar më vonë, policia e përcillte dhe do ta merrte përsëri, siç e mori vërtet më 1975 kur u dënua me shumë vite burg. Për arsye të tilla kishin mbetur pa u angazhuar efektivisht në përgjegjësi të larta edhe shumë veprimtarë të tjerë, të rënë në sy të policisë ose të liruar nga burgu, si Jashar Alia, një nga veprimtarët e hershëm të Lëvizjes, Hidajete Osmani, Binak Ulaj e veprimtarë të tjerë të spikatur, ish të burgosur politikë.



Mehmet Hajrizi, Kadri Zeka dhe Hydajet Hyseni


Komiteti Drejtues u zgjerua fillimisht në verën e vitit 1974 me Hydajet Hysenin, pastaj në vitet vijuese me Kadri Zekën e Sherafedin Berishën (1976) me Jakup Krasniqin e Berat Luzhën, (verë 1980) me Bejtullah Tahirin e Nezir Myrtën (1981), kurse Basri Musmurati, menjëherë pas pranimit në Komitetin Drejtues më 1981, ishte arrestuar. Sherafedini ka qëndruar fare pak në Komitet, sepse i lëshoi radhët, për arsye personale e familjare.

Që nga maji i vitit 1974, Organizatën e drejtoi Mehmet Hajrizi, i cili edhe më vonë u rizgjodh kryetar deri më 1982, kur pushoi veprimtaria e saj me këtë emër.

***

Më 1976 në radhët e Komitetit Drejtues hyn Kadri Zeka, një veprimtar i hershëm, i vendosur, trim dhe profesionalisht i përgatitur në veprimtarinë revolucionare. Kadriu, studionte juridikun dhe pas një përvoje në arsim punonte si gazetar në Radio Prishtinë. Ai kishte vepruar në një celulë bashkë me Rexhep Malajn dhe Hydajet Hysenin.

Sa herë është plotësuar dhe zgjeruar Komiteti Drejtues, është bërë zgjedhja me votim e udhëheqjes dhe caktimi në sektorët përkatës të anëtarëve të rinj. Sikurse me rastin e anëtarësimit në celulë, udhëheqja e re e Organizatës betohej bashkë para flamurit, duke përsëritur formulën e betimit, të cilën e thoshte udhëheqësi. Betimi kishte përafërsisht këtë përmbajtje: “Betohem para flamurit kombëtar dhe shokëve se do të jem anëtar besnik i radhëve të organizuara dhe luftëtar i devotshëm e i papërkulur deri në vdekje i çlirimit dhe bashkimit të atdheut, do të zbatoj rregullat, disiplinën e konspiracionin, si dhe do të kryej me nder të gjitha detyrat që më besohen. Në qoftë se e tradhtoj Organizatën dhe idealet e lirisë, mos i shpëtofsha dorës së pamëshirshme të shokëve të mi”. Betimin solemn me këtë formulë e bënte çdo anëtar i ri me rastin e pranimit në Organizatë. Zgjedhjet bëheshin duke propozuar dhe votuar kandidatët për rolin hierarkik në Organizatë. Kandidati zgjidhej me shumicën e votave të anëtarëve të instancës organizative. Në organet udhëheqëse delegoheshin nga celulat veprimtarët më të mirë, por, për shkak të konspiracionit, është aplikuar edhe forma e kooptimit.

3.1.2 Ndërrimi i emrit të Organizatës

Duke analizuar në kuptimin konspirativ situatat e krijuara më 1974, u pa e nevojshme të bëhej një “shkëputje” nga grupi i të dënuarve, i cili kishte arritur ta bindte hetuesinë policore se nuk kishte veprimtarë të tjerë në organizimin e tyre. Në qoftë se, bie fjala, policia pas dy a më shumë viteve, do të gjente “Zërin e Kosovës”, tashti jo nr. 2 a 3, por 20 a 30, apo ndonjë material që fliste për “Grupin Revolucionar” të një stadi tjetër të zhvillimit, ajo mund t’u kthehej të dënuarve, që i kishte në dorë dhe të rifillonte hetimet për zbulimin e lidhjeve të mbetura. Por edhe cilido që të arrestohej me çfarëdo materiali të GRK, do të ndodhej në darën policore për të treguar lidhjet me grupin tashmë të dënuar. Prandaj u vendos të ndërrohej emri i Organizatës, nga “Grup Revolucionar”, në “Grup Marksist-Leninist i Kosovës” (GMLK).

Ishte vendosur gjithashtu të ndërrohej emri i organit të shtypit, nga “Zëri i Kosovës” në “Pararoja”. Me dhembje duhet konfirmuar se përveç dy numrave të parë të “Zëri i Kosovës”, që janë ruajtur në gjyqe, të gjithë numrat e tjerë të tij duhet të jenë zhdukur dhe pak mund të besohet se mund të gjenden ndonjëherë, kurse nga “Pararoja” u gjet tash së voni, në Arkivin e Kosovës, vetëm një numër i saj i vitit 1979. Megjithatë, disa nga materialet e këtyre dy organeve janë botuar më 1978, nën titullin GMLK: “Materiale” (shih citimet në këtë libër, por të ribotuara edhe në librin e Mehmet Hajrizit e Gani Sylajt “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës si dhe në Arkivin e Kosovës.)

Sot, pas kaq vitesh, duhen sqaruar shkurtimisht këto emërtime të Organizatës, që për brezin aktual nuk janë të afërta as të pranueshme. Epitetet “revolucionare” dhe “marksiste” nuk ishin të rinj për lëvizjet çlirimtare shqiptare, rajonale dhe botërore. Organizatat që kishin formuar më 1960 dhe më 1964, Kadri Halimi dhe Adem Demaçi kishin cilësimin “revolucionare”. Dekolonizimi i botës së tretë ishte bërë e po bëhej kryesisht nëpërmjet revolucioneve, prandaj as Kosova nuk mund të priste zgjidhjen e çështjes së saj me reforma të pjesshme dhe ndryshime evolutive, por me forma luftarake e revolucionare të luftës. Vetëm me forma të tilla lufte mund të bëheshin ndryshime rrënjësore, kthesë e madhe historike, që ndryshe quhet revolucion, kurse në rastin e Kosovës, revolucion nacionalçlirimtar.

Përse atëherë një organizatë tipike nacionalçlirimtare, mori emrin marksiste-leniniste? Kjo pyetje dëgjohet shpesh dhe çdo përgjigje meritore të kthen 35 vjet pas në histori, për ta vendosur çështjen në kontekstin historik.

Fillimisht duhet thënë se organizimi në Shqipëri i Luftës Nacionalçlirimtare, që për veprimtarët e kohës, në saje të literaturës që vinte nga Shqipëria, ishte në detaje i njohur, u bë modeli më i afërt, për ta zbatuar në kushtet e çlirimit të Kosovës. Atje ka pasur një Front Nacionalçlirimtar, që bashkonte forcat antifashiste të bindjeve të ndryshme politike, por Partia Komuniste në të ruante rolin hegjemon. Veprimtarët kosovarë kishin filluar këtë rrugë, me ngritjen fillimisht të pararojës së luftës së ardhshme çlirimtare. Por, në mënyrë të veçantë duhen theksuar disa momente, që lidhen me kohën dhe fëmijët e saj. GMLK ishte pjesë e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës dhe tërë përmbajtja e karakteri i programit të tij politik ishin nacionalçlirimtare, kurse objektivi historik ka qenë bashkimi i kombit shqiptar, të ndarë padrejtësisht. Siç mund të shihet edhe nga dokumentacioni i mjaftueshëm i kësaj kohe, programi i GMLK i qëndronte besnik, në frymë e në germë, deri në presje programit kombëtar të Lëvizjes çlirimtare të Kosovës. Atdheu mëmë, të cilit duhej t’i bashkohej krahina e Kosovës, ishte Shqipëria socialiste. Duke qenë edhe Kosova “socialiste” ata nuk pretendonin të bëheshin bartës të dy revolucioneve, d.m.th. atij çlirimtar dhe pastaj një tjetri demokratik, jo vetëm pse kishin bindje të majta politike, por edhe pse kjo do të thoshte luftë qytetare brenda kombit shqiptar. Pjesa e bashkuar, sikurse edhe tërësia do të ishin socialiste për kohën.

Së dyti, e vetmja literaturë për teorinë e revolucioneve, që kishin në duar veprimtarët e atëhershëm, ishte ajo e marksizëm-leninizmit. Aty gjenin mësimet për rolin e organizimit të masave në procesin e çlirimit kombëtar, për vetëvendosjen e popujve dhe deri në rregullat e rrepta të organizimit ilegal etj. Kjo literaturë ishte me bollëk në Jugosllavi, por në gjuhën shqipe sillej sidomos nga Shqipëria.

Së treti, e vërteta është që pikëpamjet e Marksit dhe gjithë drejtimi i mendimit të tij edhe në shekullin XX, (sidomos pas Luftës së Dytë Botërore) ka pasur rëndësi shumë të madhe për çlirimin e popujve dhe vendeve të kolonizuara. Ata konsideronin se Kosova mund të ndiqte këta shembuj për çlirimin e saj nga kolonializmi serb. Lëvizja Kombëtare e Kosovës, ideologjinë marksiste që ishte në modë atëherë, e ka përdorur si kulturë dhe mjet për çlirim, prandaj pjesëtarët e saj nuk duhet konfonduar me pushtetarët që e përdornin, apo e keqpërdornin për diktat dhe sundim. Marksizmi i Lëvizjes kishte karakter njerëzor dhe çlirimtar, kurse Marksizmi i Pushtetit kishte karakter sundues dhe totalitarist, që shkonte deri në fashizëm.

Së katërti, Shqipëria propagandonte fuqishëm, jo vetëm brenda vendit, por edhe në tërë botën ideologjinë dhe teorinë e marksizëm-leninizmit. Ndikimi i Shqipërisë, ndërkaq, ka qenë shumë i fuqishëm te të rinjtë e Kosovës në vitet shtatëdhjetë, kur marrëdhëniet midis saj dhe Kosovës ishin liberalizuar dukshëm, ndonëse me qëllime të caktuara, (por të kundërta) nga të dyja palët. Sidoqoftë, busulla e Kosovës kishte dy drejtime: Beogradin e “mirë” e “liberal”, ose Tiranën e “keqe” e “tiranike”, siç mundohej t’i paraqiste propaganda zyrtare në Kosovë. Të qenët enverist në atë kohë në Kosovë, përbënte pa dyshim një ledh përballë tendencave të forta jugosllave për t’ia humbur identitetin dhe për ta shkombëtarizuar shqiptarin e robëruar. Megjithatë, ishte e arritur e madhe që të rinjtë po ia kthenin shpinën Beogradit sundues, për t’u orientuar kah Tirana, me shpresën e mirë se ishte a do të ishte Piemonti i çështjes shqiptare. Kjo shpresë mbështetej jo vetëm në besimin e mirë, por edhe në përvojën praktike të kohës, sepse Shqipëria e mbronte Kosovën dhe çështjen e saj. Qëllimi i Organizatës ishte që në ndërmarrjen e saj historike të kishte jo vetëm pëlqimin, siç e kishte, por edhe mbështetjen e Shqipërisë, cilido qoftë rendi i saj shoqëror.

Së pesti, kritika kundër sistemit socialist shtypës e shfrytëzues të vetadministrimit jugosllav, që pretendonte të paraqitej me fytyrë njeriu, bëhej më përshtatshëm dhe më bindshëm pikërisht nga pozitat e së majtës, por gjithashtu e majta politike, e cila presupozonte një shtet social për shqiptarët e asaj kohe, dukej gjerësisht më e përshtatshme, duke pasur parasysh varfërinë e theksuar të shqiptarëve. Duhet doemos mbajtur parasysh edhe ndikimi i së majtës së vjetër e të re gjithandej kontinentit evropian të asaj kohe.

Së fundi, në opinionin publik, por edhe intelektual, shkencor, politik e letrar, ekzistonte bindja se forcat me orientim jo revolucionar brenda kombit, qofshin të kaluara ose aktuale, ishin reaksionare, balliste, kolaboracioniste dhe kundërshqiptare. Regjimi mezi priste që Lëvizja të orientohej nga e djathta politike për ta identifikuar me forca të tilla që të siguronin kështu argumente shtesë dhe mbështetje të gjerë për ndjekjen dhe dënimin drakonik të saj. Propaganda e pushtuesit përpiqej t’i ngjiste epitete të djathta e reaksionare Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, me qëllim diskreditimin dhe komprometimin e saj para vetë popullit shqiptar. Dëshmi e këtyre përpjekjeve janë mediat zyrtare të kohës, aktgjykimet e gjyqeve dhe shumë shkrime publicistike, shkencore e artistike. Orientimi nga demokracia perëndimore ndërkaq i organizatave ilegale të kohës, veç ndjekjes nga regjimi pushtues, do të kthente kundër tyre edhe urrejtjen e përbuzjen e vetë atdheut.

Letërsia shqiptare dhe arti në përgjithësi të asaj kohe, andej e këndej kufirit, virtytet më të larta njerëzore ua atribuonin figurës së komunistit dhe luftës heroike që ata kishin bërë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Mund të imagjinohet cili mund të ketë qenë ndikimi i tyre te rinia e atëhershme.

Është e qartë si drita e diellit që veprimtarët e Lëvizjes së Kosovës, pavarësisht emërtimeve dhe literaturës që lexonin, luftonin për të drejtat dhe çlirimin e popullit shqiptar dhe jo për triumfin e një ideologjie në atdheun e tyre apo në botë.

3.2 Intensifikimi i veprimtarisë dhe Komiteti Ekzekutiv

Pas arrestimeve të viteve 1974-1975, vitet vijuese qenë më të qeta për radhët e Organizatës, sepse pati vetëm disa burgosje dhe dënime individuale të veprimtarëve të saj, që nuk e prishën ritmin e rregullt të veprimtarisë së gjithmbarshme. Disa nga veprimtarët e burgosur herët, pasi liroheshin nga burgu, i ktheheshin veprimtarisë, të entuziazmuar me frytet dhe të arriturat e Organizatës së tyre.

Duke qenë i rrezikuar dhe i ndjekur, Komiteti Drejtues duhej të formonte një organ të ngjashëm me Komitetin e Studentëve dikur, i cili do të mblidhte veprimtarë të dëshmuar dhe besnikë, për të ndihmuar, plotësuar apo zëvendësuar në çfarëdo rrethane Komitetin Drejtues. Ky organ u formua në pranverë të vitit 1978 dhe u quajt Komitet Ekzekutiv, duke llogaritur që ndoshta jo pikërisht atëherë, por më vonë të kishte atribute ekzekutive. Këtë Komitet e përbënin veprimtarët: Ismail Syla, (sekretar), Jakup Krasniqi (përgjegjës për lidhje dhe punë me masat), Saime Isufi (përgjegjëse për çështje të gruas), Bejtullah Tahiri dhe Jahir Hajrizi (përgjegjës për teknikë dhe sigurimin e materialeve).

Brenda Komitetit gërshetohej bukur përfaqësimi i radhëve dhe i moshave e gjinive, pjekuria intelektuale dhe entuziazmi rinor, përvoja dhe ambiciet e shëndosha të ngritjes e të përparimit organizativ e teorik. Komiteti Ekzekutiv mbante lidhje me Komitetin Drejtues nëpërmjet Hydajet Hysenit dhe Mehmet Hajrizit.

Celulat kishin kudo formën e rregullt dhe të plotë, kurse Komiteti Drejtues dhe ai Ekzekutiv ishin në përbërje të plotë dhe me kuadro efektivë.

Organizata kishte shtrirë veprimtarinë e saj tashmë në tërë territorin dhe shtresat shoqërore. Brenda radhëve të saj kishte shumë intelektualë, kryesisht të rinj, të cilët përbënin jo vetëm shpresën e saj por edhe të vetë ardhmërisë së Kosovës. Në qoftë se deri atëherë në zgjerimin e radhëve veprimtarët duheshin nxitur që të “shpejtonin ngadalë”, tani, kishte me bollëk njerëz të gatshëm për organizim, të cilët duheshin seleksionuar me kujdes. Ndryshe nga vitet e para të organizimit, kur një libër i ndaluar përcillej në dhjetëra duar për lexim, nga fundi i dekadës Organizata kishte literaturë dhe materiale të shumta, që studioheshin me rregull dhe sistem akademik. Aksionet praktike po shtoheshin, duke u bërë veprimtari e përditshme, kurse agjitacioni dhe propaganda, qoftë të shkruara apo gojore shënuan ngritje sasiore dhe cilësore.

Të kësaj kohe janë edhe përpjekjet intensive të vënies së kontakteve dhe fillimit të marrëdhënieve me Shqipërinë zyrtare. Në fillimin e organizimit të tij, GRK një kohë të gjatë ishte pothuajse e vetmja organizatë ilegale e Lëvizjes Kombëtare të kohës në Kosovë. Pesë-gjashtë vjet më vonë ajo kishte edhe disa simotra të saj, me të cilat përpiqej të krijonte lidhje e bashkëpunim dhe pse jo, shkrirje dhe bashkim të plotë. Ato ishin pjesë e një Lëvizje të vetme ilegale kombëtare dhe jo fraksione rivale.

Konsolidimi i radhëve, kombinimi i punës ilegale me atë legale, zhvillimi i propagandës e agjitacionit profesionist dhe i shtypit, ishin disa nga veçoritë tjera dalluese të këtij stadi të rritjes së Organizatës.

3.3 Propaganda dhe agjitacioni

Duke synuar që çlirimi i Kosovës të jetë vepër e vetë popullit të saj, Organizata vepronte në masat e gjera për t’i sqaruar ato për gjendjen në të cilën ndodheshin, për t’i edukuar, bindur e mobilizuar në Lëvizjen Kombëtare dhe për t’i përgatitur për luftën finale e fitimtare. Në terminologjinë e kohës kjo veprimtari identifikohej me të ashtuquajturën propagandë dhe agjitacion. Që më 1973, GRK përcaktonte hollësisht dhe qartë detyrën e vështirë të futjes së militantëve midis masave dhe punën që duhej të bënin atje. Për të sjellë pikëpamjet e Lëvizjes së atëhershme për propagandën dhe agjitacionin revolucionar, në shtojcë sjellim pjesë nga artikulli “Çështje agjitacioni dhe propagande” të botuar te “Zëri i Kosovës”.

Me kujdes që të mos ekspozoheshin para armikut, veprimtarët hynin në masat e gjera për të krijuar opinione publike të qarta për gjendjen në Kosovë, duke aluduar në nevojën e veprimit për ta ndryshuar atë. Në këtë veprimtari ata identifikonin, elementët patriotë më të përparuar, por edhe përkrahësit e rrezikshëm të regjimit.

Duke pasur parasysh që kënga te shqiptarët historikisht ka qenë mjet edukimi dhe frymëzimi patriotik, veprimtarët e Organizatës shfrytëzonin lidhjet që kishin me rapsodë të njohur popullorë për t’u dhënë tekste këngësh patriotike, të përshtatura ose origjinale, të cilat i këndonin në oda dhe në koncerte publike, duke u bërë hite të kohës. Disa nga këta këngëtarë e kishin paguar me burg guximin për të kënduar hapur këngë të tilla.



3.4 Jeta e brendshme e Organizatës

Radhët ilegale tashmë kishin marrë fizionominë dhe përmbajtjen e një organizate të mirëfilltë dhe serioze, të ndërtuar mbi parime të shëndosha organizative, me rregulla të rrepta veprimi dhe me një jetë demokratike të brendshme. Ky sistem vlerash, ishte arritur në saje të punës këmbëngulëse të anëtarëve të Organizatës, të vullnetit të hekurt të tyre në përkushtimin e përditshëm, që rezultonin nga besimi dhe bindja në drejtësinë dhe fitoren e pashmangshme të luftës që bënin. Në hapat fillestarë të veprimtarisë revolucionare, zakonisht vërehet një shpërthim vrulli i çastit te veprimtarët, një ndjenjë trazimi dhe mungesë durimi për shtigje maratonike e dëshirë për të mbaruar sa më parë punë. Këto shfaqje rrezikojnë të kalojnë në praktika anarkiste dhe sektare të veprimit, por në qoftë se menaxhohen me kujdes, sa vijnë e qetësohen, si vullkanet pas erupsionit.

Në komunikimin e brendshëm të Organizatës nuk mund të flitet për forma moderne të tij, por në kushtet ekzistuese ai zhvillohej, nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta, mbledhjeve të rregullta, shtypit klandestin, materialeve interne dhe letrave e qarkoreve midis instancave organizative.

Udhëheqja e Organizatës ishte në komunikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me bazën, nëpërmjet drejtuesve të celulave, të materialeve që qarkullonin ose të organit të shtypit, por në raste të veçanta, kryetari i Organizatës u drejtohej gjithë anëtarëve me letër, në të cilat evidentoheshin arritjet, jepej kurajë për të shtuar intensitetin e veprimtarisë, shënoheshin edhe vështirësitë, dobësitë dhe vërejtjet e sugjerimet për t’i tejkaluar ato. Në një nga këto letra, që duket të jetë e vitit 1976 ose 1977, (shih në shtojcë), pasqyrohet edhe vetë jeta e brendshme e radhëve.

3.4.1 Mbledhjet

Mbledhjet ishin një nga format e punës së udhëheqjes dhe të gjitha strukturave të Organizatës. Mbledhjet mbaheshin në interval kohor një ose dyjavor, por varësisht nga ngarkesa e punëve mund të bëheshin më shpesh, në situata të rënda edhe çdo ditë. Mbledhjet mbaheshin në konspiracion të plotë, në vend të sigurt, duke evituar çdo mundësi të përcjelljes së pjesëmarrësve nga spiunët ose të përgjimit të mbledhjes nga jashtë. Mbledhjet mbaheshin zakonisht natën dhe zgjasnin deri në orët e mëngjesit. Jo rrallë mbledhjet mbaheshin në ambient të hapur, kryesisht në male, atje ku përgatitej edhe kryengritja e armatosur.

Në mbledhje debatoheshin të gjitha çështjet dhe merreshin vendime. Organizata në mbledhjet e veta, debatonte dhe vendoste për: Çështjet programore dhe statutore, punët e përditshme, pranimin e anëtarëve të rinj, raportet e punës së anëtarëve të Organizatës, masat e evitimit dhe ndreqjes së lëshimeve e gabimeve, krijimin e politikave dhe të strategjive të veprimit, marrëdhëniet me organizata të tjera simotra, udhëzimet e punës e raportin vjetor të punës, situatat politike brenda e jashtë dhe qëndrimin ndaj tyre, punimet teorike, politike, historike, ekonomike e shoqërore të anëtarëve të Organizatës, shtypin klandestin, aksionet praktike, udhëzimet, direktivat, detyrat e ardhshme etj.

Mbledhjet caktoheshin bashkërisht nga pjesëmarrësit, kurse rendin e ditës e propozonte kryesuesi i saj, udhëheqësi i celulës, i Komitetit Ekzekutiv, përkatësisht i Komitetit Drejtues, i cili pas ndryshimit eventual aprovohej.

Dita, ora dhe vendi i mbledhjes përcaktoheshin paraprakisht, kurse në rast dështimi të terminit të parë, caktoheshin edhe të tjera rezervë, një ose dy orë, pas tij apo një ditë më vonë, duke ndërruar edhe vendin e takimit. Në raste urgjente, mund të mbahej mbledhje e jashtëzakonshme, e cila caktohej me një procedurë të veçantë, duke shfrytëzuar takimet dhe kontaktet vizuale, që bëheshin kalimthi vetëm për të verifikuar gjendjen normale.

Mbledhjet e Komitetit Drejtues i udhëhiqte kryetari i Organizatës, kurse në mungesë të tij, njëri nga anëtarët e Komitetit.

Mbledhja e rregullt mund të mbahej vetëm nëse kishte kuorumin, d.m.th. shumicën e anëtarëve të organit përkatës. Ndryshe, ajo mund të mbahej, por nuk mund të merrte vendime.

Zakonisht në fillim të mbledhjes rikujtoheshin konkluzionet dhe vendimet e porositë e mbledhjes paraprake, duke analizuar zbatimin e tyre dhe shkaqet e ngecjeve eventuale. Në mbledhje raportohej dhe jepej llogari për çdo dëm që i shkaktohej Organizatës.

Për shkak të rrezikut të konfiskimit të materialeve në ndërhyrje të vrullshme të policisë, gjatë mbledhjeve nuk mbahej procesverbal.

3.4.2 Uniteti dhe debati

Në organizimin ilegal të rezistencës uniteti i radhëve merr rëndësi të veçantë, jo vetëm për ruajtjen e kohezionit të Organizatës, por edhe të vetë ekzistencës së saj. Kjo ishte arsyeja e angazhimit maksimal për ruajtjen e tërësisë organizative dhe unitetit të mendimit e të veprimit. Për të harmonizuar qëndrimet gjithmonë duhet kohë dhe debat i gjerë e i lirë, kurse në kushtet e ilegalitetit, kur nuk ekziston komoditeti i sheshimit të kundërthënieve, mund të shfaqen fare lehtë prirjet e arbitraritetit dhe urdhrit nga lart, duke mbytur frymën e debatit dhe demokracinë e brendshme. Falë zbatimit të parimeve e rregullave të organizimit të rreptë e të disiplinuar, Organizata nuk ka vuajtur nga ky ekstrem i frymës totalitare, por as nga ai i anarkizmit e shthurjes. Zbatimi i vendimeve bëhej i obligueshëm për të gjithë, vetëm pas diskutimit e debatit të lirë dhe pas aprovimit të tij nga shumica e anëtarëve pjesëmarrës.

3.4.3 Kritika dhe vetëkritika

Debati i ngritur deri në kritikë të hapur, pa rrezikuar njësinë e Organizatës, vendimmarrjen dhe unitetin e veprimit, ishte një e arritur e lartë në shqyrtimin e çështjeve, por edhe një tregues i pjekurisë.

Kritika nuk ishte thjesht një parullë demagogjike, por metodë veprimi dhe edukimi të përditshëm të radhëve. Është e vërtetë që vetëkritika në sistemet totalitare, shpeshherë është keqpërdorur, duke u kthyer në mjet poshtërimi e degradimi të personaliteteve rivale, por në esencën e vet të shëndoshë, siç thoshte Kartalj, “Asgjë nuk të mëson kaq shumë sa pranimi i gabimeve të veta. Ky është një nga mjetet kryesore për vetedukimin”.

Në materialet e përdorimit intern të Organizatës, për kritikën dhe autokritikën ka pasur disa trajtime teorike dhe udhëzime praktike. Në njërin prej tyre thuhej: “Kritika dhe autokritika, në punën tonë rrjedhin nga demokracia e brendshme e GMLK. Është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë e çdonjërit prej nesh të kritikojë dobësitë, të metat dhe gabimet që vëren në veprimtarinë e Grupit në përgjithësi dhe të çdo shoku në veçanti. Kudo në radhët tona duhet të krijohen kushtet që secili të kritikojë lirisht dhe pa ndrojtje. Duhet luftuar në shkallë të barabartë si tendenca për të mbytur kritikën e sinqertë, ashtu edhe indiferentizmi e qëndrimi liberal ndaj të metave dhe gabimeve, sepse të dyja këto shfaqje janë njësoj të rrezikshme për vetë jetën e Grupit. Ai që zbulon, pranon hapur të metat dhe gabimet e veta dhe bën autokritikë për t’i ndrequr pastaj ato, tregon njëkohësisht për sinqeritetin e tij në shkallë të lartë, ndershmërinë, fisnikërinë morale, qëndrimin parimor e të drejtë ndaj të metave e gabimeve dhe vendosmërinë për ta çuar përpara punën e Grupit.

Lufta jonë kundër të metave dhe gabimeve, qofshin ato të mëdha a të vogla, duhet të jetë një detyrë jona e përhershme. Ngurrimi në të kritikuarit e të metave dhe gabimeve gjoja për të ruajtur unitetin, shokët apo autoritetin e Grupit, është pasqyrim i moskuptimit të drejtë të rolit të vërtetë të kritikës dhe autokritikës…

Duhen luftuar pandërprerë të gjitha format e kritikës së sëmurë. Nuk duhet lejuar kurrë që kritika jonë parimore të shndërrohet në armë për sulme personale”.1

3.4.4 Konspiracioni

Përvoja organizative e OMLK ka vërtetuar plotësisht drejtësinë e parimit të organizimit dhe veprimtarisë në ilegalitet të thellë, si formë efikase e veprimit dhe e ruajtjes së Organizatës. Në jetën organizative ilegale, rregullat konspirative përbëjnë ingranazhin lëvizës të tërë mekanizmit të organizatës. Ato lidhin me një mijë fije të dukshme e të padukshme bashkëveprimtarët dhe kanë vlerë vetëm në qoftë se zbatohen nga të gjithë dhe rigorozisht, sepse mjafton njëri t’i thyejë për ta shkatërruar gjithë subjektin, sikur një dhëmbëzore e thyer që mund të prishë një ingranazh të tërë.

Që me themelimin e GRK më 1973, një ndër dokumentet e para që u shpërnda midis radhëve të organizuara ishte një material udhëzues për rregullat e konspiracionit, i përgatitur nga Xhafer Shatri dhe Mehmet Hajrizi. Udhëzimi për konspiracion (shih në shtojcë) në përmbajtjen e tij kishte tetë njësi: a).Udhëzime për sjelljen e anëtarëve të celulës në përgjithësi; b) Për mbajtjen e takimeve; c) Shpërndarja e materialit dhe literaturës ilegale; ç) Gjatë demonstratave dhe tubimeve legale; d) Me agjentët provokatorë; dh) Gjatë burgosjes dhe marrjes në pyetje; e) Sjellja në burg dhe pas daljes prej tij; f) Qëndrimi në gjyq.

Në vitet vijuese, nëpërmjet shtypit klandestin (shih shtojcën), të letrave qarkore dhe në diskutimet në mbledhje, vazhdonte kujdesi për thellimin e konspiracionit në radhët e organizuara.

3.4.5 Disiplina

Vetëm me një disiplinë gati të nivelit ushtarak, organizata ilegale mund të ushtronte misionin e saj dhe të mbijetonte përndjekjet policore. Por disiplina e veprimtarëve ishte me vullnetin e tyre, sepse vetë veprimtaria dhe kushtet konkrete e rrethanat historike të Kosovës e bënin atë imanente. Disiplina nuk konsiderohej si një barrë a imponim instancash, por si pjesë e kulturës së vetë veprimtarëve të edukuar me këtë nevojë të pashmangshme kolektive e vetjake. Në materialet e përdorimit të brendshëm shkruante:

“Për nga karakteri i saj, disiplina mund të jetë: e imponuar dhe e ndërgjegjshme... Qëllimi i disiplinës sonë është që secili nga ne të bëjë punë serioze dhe vetëmohuese në edukim, kalitje politike e ideologjike; të kritikojë hapur të metat e veta dhe të shokëve, posa t’i hetojë ato; të diskutohen gjatë e mirë (pa përjashtuar luftën e mendimeve) të gjitha çështjet para se të merret vendim... Disiplina jonë nuk duron qetësinë, rehatinë mikroborgjeze e rutinën, ngecjen në vend, pasivitetin, indiferentizmin, dembellëkun e zvarritjen dhe përcjelljen e detyrave të pakryera nga mbledhja në mbledhje. Secili duhet të ndiejë përgjegjësinë personale. Nga ana tjetër, kjo disiplinë jo vetëm e duron diskutimin e lirë dhe kritikën e hapët, por e presupozon atë... Ne mbrojmë lirinë e diskutimit dhe të kritikës, vetë demokracia jonë e brendshme e presupozon këtë... Liri diskutimi do të thotë, liri e shfaqjes së mendimit të çdonjërit prej nesh për çështjet që dalin në veprimtarinë tonë. Është i domosdoshëm mendimi i çdonjërit që të nxirret mendimi i shumicës. Vetëm si i tillë ai është i drejtë... Kjo është një nga bazat e disiplinës sonë... Disiplina e rreptë është detyrë e çdo pjesëtari të radhëve tona, është e njëllojtë për të gjithë. Nga ana tjetër dobësimi i disiplinës, qoftë edhe për një kohë të shkurtër sjell pasoja të mëdha. Mospërfillja e disiplinës çon në shkeljen e vendimeve, në shthurje e çorganizim, prishje të unitetit... Prandaj, duhet forcuar pareshtur disiplina, duhet forcuar kontrolli në zbatimin e vendimeve në përgjithësi dhe duhet siguruar një kontroll i vazhdueshëm shoqëror i veprimtarisë së çdo pjesëtari të radhëve, në veçanti.2 Dhe në një tjetër artikull lexojmë: “Disiplina jonë është parimore e ndërgjegjshme dhe njëkohësisht e rreptë dhe e çeliktë... Pa disiplinë të rreptë, s’ka zbatim të drejtë të vendimeve...Ka raste në veprimtarinë tone revolucionare, kur ndonjë shok nuk vlerëson drejt rëndësinë e disiplinës dhe thyen ndonjë nga rregullat e saj. Kjo është shumë e dëmshme. Disiplina nuk duhet të dobësohet, por të çelikoset, të pasurohet dhe të perfeksionohet çdo ditë. Kjo është detyrë e çdonjërit prej nesh. Përvoja na ka mësuar se respektimi me vendosmëri i rregullave të disiplinës e konspiracionit, forcon e ngre në cilësi gjithë veprimtarinë tonë dhe anasjelltas, çdo nënvleftësim dhe thyerje e këtyre rregullave shkakton pasoja të rënda.

Në kohën kur titistët po mundohen pareshtur të na bien në gjurmë, na del si detyrë e madhe forcimi akoma më shumë i disiplinës komuniste, konspiracionit dhe unitetit tonë luftarak”.3


VIJON...

_________________

Referenca:

1. Kritika dhe autokrtika, armë të fuqishme në duart tona, te GMLK Materiale, 1978

2. Disiplina, te GMLK “Materiale”, 1978

3. Për një disiplinë të hekurt në radhët tona, te GMLK “Materiale”, 1978


___________________

MEHMET HAJRIZI: GRUPI REVOLUCIONAR I KOSOVËS DHE ZËRI KOSOVËS (11)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8943


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks