SHKRIMI
e mërkurë, 18 shtator 2019

MEHMET HAJRIZI: TRAKTET E OMLK-së (15)

Pashtriku, 28 Korrik 2019:

3.8 Traktet

Në gushtovjeshtë të vitit 1973, GRK vendosi për hartimin e një trakti, i cili mendohej të shpërndahej ndër studentët e Universitetit të Kosovës. Traktin e hartuan dhe e shtypën Xhafer Shatri e Mehmet Hajrizi, kurse u shpërnda natën e 1-2 nëntorit 1973.


Meqenëse përmbajtja e tij kishte karakter të theksuar social dhe mund të tërhiqte edhe vëmendjen e kolegëve serbë, boshnjakë, malazezë etj., trakti ishte shtypur në dy gjuhë: shqip dhe serbo-kroatisht. Qëllimi ishte të lëvizte makina e ndryshkur, pastaj do të avancohej përmbajtja dhe karakteri i trakteve. Në trakt, pasi pasqyroheshin kushtet e rënda të studentëve të Universitetit të Kosovës, bëhej apel “...që në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta të Universitetit tonë të ndërpritet frekuentimi i mësimit derisa të plotësohen këto kërkesa” dhe numëroheshin duke filluar nga vendstrehimi i 14.000 studentëve pa strehë, sigurimi i ushqimit për studentët që po vuanin urie, sigurimi i bursave dhe kredive, sikur për studentët e republikave jugosllave, ndërprerja e ndërhyrjeve policore ndër studentët, pushimi i masave degjeneruese të rinisë, zgjedhja e lirë e përfaqësuesve studentorë nga vetë studentët, formimi i lirë i klubeve studentore për studentët shqiptarë të ardhur nga viset jashtë Kosovës, liria e shtypit studentor dhe mbështetja e tij, sigurimi i vendeve për kohë të lirë të studentëve etj. Trakti përfundonte: “Shokë studentë! T’u qëndrojmë konsekuentë kërkesave tona të drejta! Nëse ato nuk plotësohen, të dalim rrugëve dhe po e deshi nevoja të derdhim edhe gjakun tonë! Ky trakt u ngarkohej në aktakuzë veprimtarëve të arrestuar gjatë vitit 1975.

Në dhjetor të vitit 1973, planifikohej shpërndarja e një trakti për xehetarët e “Trepçës” gjithandej ku banonin dhe punonin. Për të bërë përgatitjet e hartimit të tij, Mehmet Hajrizi shkroi një material të gjerë, nga i cili bëri tekstin e traktit. Ky material, në formë artikulli, me titull “Xehetarët e Trepçës” është botuar në një nga numrat e “Zëri i Kosovës” dhe më vonë në përmbledhjen e GMLK , të titulluar “Materiale”. Trakti u shtyp në mijëra ekzemplarë dhe u shpërnda natën e 13 dhjetorit 1973 në Mitrovicë (Jashar Alia), Stan Tërg dhe Tunelet, ku u shkruan edhe shumë parulla (Mehmet Hajrizi dhe Xhafer Shatri), në Hajvali, Kishnicë e Novobërdë (Gani Sylaj dhe Mustafa Ademi). Në trakt sqarohej gjendja e rëndë e minatorëve, argumentoheshin shkaqet e saj dhe u bëhej thirrje punëtorëve që të kërkonin, nëpërmjet peticioneve, grevave e protestave të drejtat e tyre të ligjshme.

Atë natë të acartë dhjetori, të gjithë aktivistët u tërhoqën, pasi kishin kryer me sukses të plotë aksionin. Në pamundësi të gjenin aktorët e veprës inkriminuese, organet gjyqësore të Kosovës, do t’ua ngarkojnë traktin në barrë, përveç Kadri Osmanit, Xhafer Shatrit, Binak Ulajt e Jashar Alisë, edhe një grupi veprimtarësh në krye me Adem Demaçin, i cili u dënua në mars të vitit 1976.



Mehmet Hajrizi dhe Gani Sylaj e përgatitën një trakt tjetër të ngjashëm me atë për “Trepçën” dhe më 21 prill 1974 e shpërndanë midis minatorëve të Magurës. Ky trakt më vonë i vihej në barrë grupit të të dënuarve të GRK, në krye me Kadri Osmanin dhe të dënuarve më 1976.

Më 1974, natën e 6-7 korrikut u shpërnda një trakt në Gjilan, Hogosht dhe Topanicë të Kamenicës nga Rexhep Malaj dhe Hilmi Ramadani. Sipas dëshmisë së Hilmi Ramadanit, në librin e Selatin Novosellës, “Kosova ‘75”, traktin e kishte sjellë Xhafer Shatri. Në trakt, pos tjerash shkruan: “Në këtë vit po mbushen 62 vjet qysh se na u nda atdheu ynë i dashur, Shqipëria, në dy pjesë. Kështu që Kosova, gjysma e Shqipërisë, ra nën sundimin e krajlëve të Jugosllavisë... Mjaft i duruam këta xhelatë në vatrat tona. Të ngrihemi të gjithë në luftë kundër kësaj politike dhe këtyre xhelatëve dhe të bashkuar... ta heqim nga vatrat tona armikun. Gjaku i shqiptarit është i shtrenjtë, prandaj duhet të dimë ku ta japim. Të gjithë ata që i kanë të lyera duart me gjak shqiptari do t’i dënojë vetë populli. Vetëm atëherë kur të çlirohet Kosova, kur populli do ta marrë në dorë pushtetin dhe kur të bashkohemi me Shqipërinë nënë, atëherë do të kemi liri të plotë.

Më 4 maj 1974 Komiteti i Studentëve kishte përpiluar një trakt demaskues që parashihej të shpërndahej më 25 maj, ditën e stafetës së Titos. Në trakt për herë të parë përmendet emri Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës. Trakti ishte shumëzuar, mjetet teknike për parulla ishin siguruar, por për shkak të arrestimeve të 6 majit u shpërnda jo më 25 maj, por më 24 dhjetor 1974 në konvikte të Universitetit të Prishtinës. Traktin e shpërndanë: Rexhep Malaj, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Gani Sylaj dhe Ilmi Ramadani.

Në trakt, pasi përshkruhej gjendja e rëndë e popullit të Kosovës, thuhej: “Lufta kundër pushtuesve jugosllavë nuk do të jetë luftë e rastit, e diktuar nga interesat e një grupi të ngushtë njerëzish. Luftën kundër regjimit jugosllav populli ynë e ka konsideruar dhe e konsideron si detyrë revolucionare dhe të domosdoshme, si të vetmen rrugë për realizimin e aspiratave të tij; dhe si të tillë ai e ka përmbushur dhe do ta përmbushë pa marrë parasysh asnjë vështirësi dhe sakrificë...

Vëllezër dhe motra!

Të bashkohemi të gjithë në luftë kundër pushtuesve jugosllavë!

Të propagandojmë kundër regjimit gjakatar titist dhe shërbëtorëve të tij!

T’i shpallim botërisht ata, ashtu siç edhe janë, tradhtarë shtypës dhe armiq të përbetuar të popullit!

Të mos pranojmë pushtetin e dhunës e degjenerimit që na imponohet nga pushtuesit!...

U shkruan edhe parulla, si “Rroftë Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës”, “Zaptues jashtë vatrave tona”, “Rroftë bashkimi i atdheut”, “Liria fitohet me gjak”, “Robëria nuk durohet”, “Rroftë Kosova e lirë” etj. Më vonë, regjimi kishte marrë si shkas këtë trakt për arrestimet masive që ndodhën në krejt Kosovën në vitin 1975.

Një trakt i nënshkruar me “Lufta Nacionalçlirimtare”, u përgatit dhe u shpërnda nga Rexhep Malaj, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni e Ilmi Ramadani më 22 shkurt 1975 në Preshevë, Rahovicë dhe fshatrat përreth. Trakti ruhet në Arkivin e Kosovës (gati i palexueshëm), kurse përmbajtja e tekstit të tij përfundon: “Populli ynë që kurrë nuk i është përulur asnjë armiku, nuk do t’u përulet as pushtuesve jugosllavë, por do t’i luftojë ata gjer në fitoren e plotë... çlirimin e të gjitha viseve shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin amë, Shqipërinë...

Një trakt tjetër, që u dedikohet punëtorëve dhe si duket duhet të jetë i vitit 1975, në fund shkruan: “Shokë! Ne nuk do të presim të na i falë kush të drejtat tona. Jo, jo. Ato do t’i fitojmë me gjak, ashtu sikur po i fitojnë popujt dhe punëtorët e shtypur në botë.

Armikut i themi hapur se fitorja jonë është e sigurt dhe nuk do të jetë e largët”.

Më 11 qershor 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në një trakt të shkruar nga Mehmet Hajrizi, të shtypur nga Hydajet Hyseni e Bejtullah Tahiri dhe të shpërndarë nga Hydajet Hyseni e Saime Isufi, Jakup Krasniqi e Jahir Hajrizi, Bejtullah Tahiri e Ismail Syla, pos tjerash thuhej: “Gjithë populli ynë përkujton me krenari Lidhjen e lavdishme Shqiptare të themeluar në Prizren. Populli shqiptar, i udhëhequr nga Lidhja e Prizrenit një shekull më parë, u ngrit si një trup me armë në dorë për të fituar lirinë dhe për të mbrojtur çdo pëllëmbë të Shqipërisë nga fqinjët grabitqarë shovinistë dhe nga Fuqitë e Mëdha reaksionare në botë.

Ndërsa vëllezërit tanë në RPS të Shqipërisë e kremtojnë të lirë këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, ne shqiptarët e Kosovës, të ndarë nga trungu i Atdheut tonë të dashur dhe të robëruar nga revizionistët jugosllavë, përkujtojmë Lidhjen Shqiptare duke shtuar luftën kundër robëruesve, shtypësve e shfrytëzuesve gjakatarë revizionistë, për t’u treguar armiqve dhe gjithë botës se ky vend ka zot një popull që kurrë në historinë e tij nuk është nënshtruar dhe nuk nënshtrohet... Është detyrë e çdo shqiptari të ndershëm të luftojë me guxim kundër sunduesve revizionistë. Punëtorë, fshatarë, rini revolucionare e Kosovës, popull punonjës mos duro shtypjen e egër revizioniste, organizohuni në greva, ashtu si punëtorët trima të Kombinatit “Ramiz Sadiku” në prag të 1 Majit dhe si shumë punëtorë të tjerë, organizohuni në bojkotime, demonstrata; luftë çdo ditë kundër armikut atje ku të ndodhemi”. Trakti mbyllet me optimizmin se do të vinte shpejt dita kur populli i robëruar “do të ngrihet me armë në dorë në luftën e madhe për të fituar lirinë dhe për të jetuar bashkë me vëllezërit tanë ashtu si deshën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mijëra dëshmorë të tjerë të popullit tonë trim”.

Në natën e 27-28 tetorit 1979 u shpërnda një trakt që dallonte nga të tjerët sepse u hodh në të njëjtën natë dhe në të njëjtën orë në gjithë qendrat e Kosovës, si Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë etj. Trakti bëhej pas një vizite të Josip Broz Titos në Kosovë dhe sqaronte politikën kolonialiste të Serbisë e Jugosllavisë ndaj Kosovës. Mënyra e shpërndarjes së traktit dhe përmbajtja e tij bënte të kuptohej gjerësia dhe serioziteti i Organizatës. Trakti kishte tri faqe tekst, në të cilin veç tjerash shkruante: “Këto ditë armiku i madh i popullit tonë, kryerevizionisti jugosllav J.B.Tito, bëri një vizitë në Kosovën tonë të robëruar nga regjimi i tij fashist... Propaganda tradhtare dhe vetë Tito e reklamuan këtë vizitë sikur qenka bërë për të mirën e Kosovës, por në të vërtetë, Tito erdhi këtu për hesapet e veta dhe jo për hallet tona... Por, ne i themi Titos dhe lakenjve të tij, se shqiptari nuk frikësohet e nuk përulet kurrë para asnjë armiku, sado i egër qoftë ai. Edhe përpara Titos e Rankoviqit, armiq të shumtë e të egër janë përpjekur ta zhdukin popullin tonë dhe aspiratat e tij, por nuk mundën, sepse populli ynë është i pamposhtur, idealet e tij janë të pavdekshme...

Vëllezër e motra

Propaganda revizioniste bëri këto ditë zhurmë të madhe rreth pritjes së Titos në Kosovë. Ajo u mundua të linte përshtypjen sikur populli i Kosovës e priti Titon ‘me dashuri, si mikun e birin e tij’ etj. Por vallë, a mund ta prisnin Titon si ‘birin e tyre’ nënat e shumta kosovare, bijtë e të cilave i vrau, preu e zhduku klika e tij gjakatare? Si mund ta prisnin ‘me dashuri’ Titon, ato nëna kosovare, bijtë e të cilave kanë mbushur burgjet famëkeqe të Titos, kudo nëpër Jugosllavi, të cilët torturohen në mënyrë çnjerëzore dhe dënohen me dhjetëra vite në procese të kurdisura gjyqësore? Vallë, si ‘birin e tyre’ mund ta prisnin Titon nënat e qindra mijë kurbetçinjve, të cilat me lot e hanë bukën e siguruar me gjakun e bijve të tyre? A mund ta prisnin si ‘mikun e tyre ‘ Titon, ata qindra mijë të papunë, fëmijët e të cilëve vdesin për bukë, ai popull fukara i shtypur e i shfrytëzuar? Jo, populli ynë kurrë armiqtë e tij nuk i ka pritur dhe nuk i pret si miq. Tradhtarët e pritën me dashuri padronin e tyre, e përqafuan dhe e puthën me mall, sepse hanë në koritën e tij... Politika antishqiptare e revizionistëve titistë nuk mund të mbulohet me vizitat e Titos poshtë e lart nëpër Kosovë dhe as të maskohet me zhurmën propagandistike të tradhtarëve. Pasojat e kësaj politike duken në gjendjen e popullit shqiptar të Kosovës dhe në pozitën koloniale të saj. Këto pasoja duken në gjendjen e mjeruar të popullsisë shqiptare në Maqedoni, së cilës i janë mohuar edhe të drejtat elementare nacionale, mbi të cilën po ushtrohen masa shkombëtarizimi dhe dëbimi nga trojet e veta. Pasojat e kësaj politike duken në gjendjen e popullsisë shqiptare në Mal të Zi, ku ka pllakosur zia, uria, skamja, mjerimi e vdekja, sidomos tani kur u godit edhe nga tërmeti i 15 prillit. Duke mos qenë në gjendje të sigurojnë jetën, banorët e viseve shqiptare në Mal të Zi, po detyrohen të lënë trojet e tyre dhe të marrin rrugën e trishtueshme të kurbetit. Kjo politikë kolonialiste, shtypëse e shfrytëzuese ndaj popullit tonë, ka ngjallur urrejtjen e tij kundër robëruesve. Kjo urrejtje po shtohet çdo ditë e më shumë. Populli ynë i robëruar e di mirë se liria nuk mund t’i vijë me rrugë tjetër pos me luftën e tij të vendosur kundër gjithë armiqve robërues”

Trakti u shpërnda nga veprimtarët, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Azem Syla, Saime Isufi, Ismail Syla, Bejtullah Tahiri, Jahir Hajrizi, Naim Salihu, Nazmi Hoxha, Shemsedin Hoxha etj.

Regjimi organizoi një fushatë ndjekjesh e hetimesh me qindra agjentë e spiunë që shkonin e vinin gjithandej Kosovës për të gjetur dhe kapur “armiqtë e popullit”.

Filluan arrestimet në masë, që arritën shpejt shifrën disa qindëshe. Në mesin e të arrestuarve ishin edhe autori i traktit, Mehmet Hajrizi, si dhe anëtari i Komitetit Drejtues, Gani Sylaj. Pas dy muaj hetimesh, në mungesë faktesh Mehmeti u lirua, por Ganiu u dërgua në Shkup, ku për veprimtari propagandistike u dënua bashkë me dy veprimtarë të tjerë të Organizatës, Muharrem Shaljani dhe Haxhi Maliqi, i pari me gjashtë vjet, i dyti me pesë dhe i fundit me tre vjet burg.

Në këtë fushatë u arrestuan dhe më 4 qershor 1980 u dënuan veprimtarë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës, si Shefqet Jashari, Ramadan Pllana, Avdi Kelmendi, Avdyl Lahu, Skënder Jashari, Isa Demaj, Sylejman Qyqalla, Hysen Gërvalla, etj. Ndërkaq Jusuf Gërvalla kishte arritur të arratisej jashtë atdheut.

Ishin arrestuar gjithashtu veprimtarë të Organizatës Lëvizja për Çlirimin Nacional dhe Social të Kosovës, në udhëheqje të së cilës ishin Imer Grainca, Emrush Xhemajli, Ramadan Veliu, Ibrahim Shala dhe Bajrush Xhemajli. Kjo Organizatë kishte zënë fill më 1975 me nxënësit veprimtarë, si Xhabir Morina, Rexhep Delolli, Emrush Xhemajli, Skënder Haliti, Enver Topalli dhe Imer Grainca, në Ferizaj, për t’u zgjeruar shpejt edhe në Shtime, në Suharekë, në Mitrovicë dhe në Prishtinë.

Sinan Hasani, duke trajtuar këtë fushatë ka shkruar: “Shërbimi i Sigurimit Shtetëror vetëm në vitin 1979 identifikoi rreth 400 persona që vepronin në mënyrë armiqësore dhe që ishin të përzier në punën armiqësore. Shërbimi arriti ta vërtetonte me fakte aktivitetin e organizuar armiqësor për më se 300 persona. Mirëpo, në bazë të qëndrimeve që kishte marrë udhëheqja politike e Krahinës dhe organet më të larta të vendit për ‘qasje selektive’, procedura penale u hap dhe u dënuan vetëm 65 persona”.

Në këtë kohë përndjekjesh dhe arrestimesh të veprimtarëve të Organizatës, Mehmet Hajrizi, me të dalë nga burgu u drejtoi një letër të gjithë anëtarëve, në të cilën thuhej:

“Të dashur shokë

Ju jeni në dijeni për masat fashiste që po ndërmarrin organet policore të revizionistëve jugosllavë kundër popullit tonë të robëruar, me qëllim që të shtypin çdo përpjekje të tij për të drejta e liri. Rritja gjithnjë e më shumë e urrejtjes e revoltës së masave popullore kundër sunduesve, përkundër demagogjisë së shfrenuar që po bënin revizionistët në Kosovë, si dhe organizimi i elementëve revolucionarë, i shtyu revizionistët të urdhërojnë sulmin e tërbuar të këlyshëve të tyre kundër popullit tonë. Këtë sulm e urdhëroi vetë xhelati i popullit tonë, J. B.Tito, me rastin e vizitës së tij, mjaft të shqetësuar në Kosovë. Tradhtarët, policët e agjentët titistë u mburrën, më të rrokur armët, se do të qërojnë përfundimisht hesapet me armiqtë e tyre!

Arrestimet në masë po vazhdojnë për disa muaj me radhë. Burgjet janë mbushur plot e përplot me bij e bija të popullit liridashës. Kontrollimeve dhe bastisjeve policore të vazhdueshme, s’u dihet fundi. Rrjeti i hedhur me kohë i agjentëve policorë, zgjerohet dhe dendësohet çdo ditë. Inspektorët e organeve të sigurimit bëjnë presione dhe kërcënime të poshtra mbi të burgosurit, i persekutojnë e torturojnë ata dhe përgatisin gjykime false kundër tyre.



Nëpërmjet kësaj fushate të bastisjeve e arrestimeve në masë, zotërinjtë tanë duan të arrijnë një fitore të madhe në dy drejtime; të zbulojnë e të shkatërrojnë çdo organizim revolucionar dhe të kërcënojnë e të frikësojnë popullin tonë trim, që ata pastaj të jetojnë të qetë, pa frikë dhe të sigurt. Duhet të konstatojmë me kënaqësi se armiqtë tanë gjer tani me gjithë bujën e madhe, nuk kanë arritur pothuajse asgjë as në njërin as në drejtimin tjetër. Gjithashtu, mund t’u themi atyre me sigurinë e plotë, se kurrë në jetën e tyre nuk do ta gëzojnë atë fitore.

...Përkundër zotësisë së tyre të shkëlqyer, Grupi ynë është i gjallë e i fortë si asnjëherë tjetër... Nuk janë këto përpjekje të para të tradhtarëve për ta zhdukur Grupin tonë; ne kemi përballuar shumë sulme të egra dhe të vazhdueshme të armikut, jemi mësuar me to dhe jemi kalitur përmes tyre. Edhe në të ardhmen ne do të jemi në gjendje, bile akoma më mirë, t’u bëjmë ballë sulmeve të shqetësuara të armikut dhe të shënojmë fitore të reja.

Këto masa kërcënimi e represioni mbi popullin tonë të robëruar, nuk do ta frikësojnë as përkulin atë. Një popull si ky yni, që ka luftuar me shekuj për lirinë e tij, kundër aq shumë armiqve të egër e të mëdhenj, nuk mposhtet dot para asnjë dhune e terrori, para asnjë armiku, sado gjakësor të jetë ai. Masat fashiste të kohëve të fundit mbi popullin tonë, jo vetëm nuk e kanë frikësuar atë, por përkundrazi, kanë ndezur akoma më shumë flakët e urrejtjes së tij, kundër shtypësve e shfrytëzuesve barbarë revizionistë. Masat revizioniste kundër popullit tonë po kthehen kështu në një armë të rrezikshme kundër vetë revizionistëve.

Shokë

Kjo gjendje i ka vështirësuar akoma më shumë kushtet në të cilat ne zhvillojmë veprimtarinë revolucionare. Situata e re kërkon prej nesh, para së gjithash të forcojmë e zhvillojmë disiplinën dhe konspiracionin revolucionar në shkallë shumë të lartë...Vetë jeta jonë revolucionare kërkon që t’u nënshtrohemi rregullave të rrepta të organizimit revolucionar, të cilat kërkojnë përpjekje dhe mund dhe që paraqesin vështirësi, por që duhet t’i përballojmë me ndërgjegje të lartë. Duhet patjetër të mësohemi të jetojmë me këto rregulla, sado të vështira të jenë për zbatim, sepse vetëm kështu sigurojmë jetën e Grupit tonë, fitoret tona në të ardhmen.

Çdo luftë ka sakrifica. Grupi ynë në rrugën e tij të rritjes e zhvillimit të luftës kundër armikut të egër të popullit tonë, ka sakrifikuar shumë shokë... Këtë rrugë duhet ta ndjekë çdo anëtar i grupit tonë trim; vetëmohim kudo dhe në çdo situatë e rrethanë!

Këto ndjekje policore mundet edhe në të ardhmen të ndajnë ndonjë nga shokët e grupit tonë prej nesh, por ne nuk demoralizohemi nga këto humbje dhe dobësime të përkohshme. Parulla jonë është: një bie, dhjetëra të tjerë ngrihen. Në popullin tonë ka energji të reja të pashtershme që presin të hidhen kundër armikut, të cilat duhet t’i zbulojmë e t’i organizojmë në një grusht të vetëm. Shokët që bien duhet të zëvendësohen shpejt, që as për një çast të mos ndihet mungesa e tyre...

Përballë kësaj gjendjeje të krijuar nga armiku Grupi ynë do të vazhdojë t’i kryejë të gjitha detyrat e tij revolucionare në shërbim të popullit e atdheut...

Goditja e re që iu bë Organizatës e vështirësoi shumë veprimtarinë, por nuk arriti ta ulte intensitetin e saj.

Më 1981 bëheshin përgatitje për regjistrimin e popullsisë në tërë Jugosllavinë, që do të fillonte më 1 prill. Sikur në të kaluarën, edhe kësaj radhe po bëheshin përpjekje të minimizohej numri i banorëve shqiptarë në republikat jugosllave dhe në Kosovë. Veç emërtimeve tjera, tendenca e integralizmit jugosllav kërkonte që qytetarët të dëshmonin patriotizmin socialist vetëqeverisës, duke hequr dorë nga përkatësia kombëtare dhe duke pranuar përkatësinë asimiluese “jugosllav”. Mahmut Bakalli ka shkruar: “Por Federata e AVNOJ-it pas çlirimit u shndërrua në një federatë centraliste unitariste më vonë, pikërisht me floskulën e vëllazërim-bashkimit u tentua të krijohej një jugosllavizëm integral...”. Mbase për popujt e tjerë të federatës mund të kishte farë kuptimi ky emërtim, por për shqiptarët ishte krejt absurde të quheshin sllavë të jugut, sepse përbënin një popull të veçantë.

Thuhej që në Jugosllavi tashmë kishte miliona qytetarë me këtë përcaktim. Nuk dihet sa shqiptarë e përvetësuan këtë emër të ri kombëtar, por dihet që shumë shqiptarë kishin pranuar të regjistroheshin si turq, myslimanë etj., sidomos në Maqedoni. “Liria” pas regjistrimit të popullsisë do të shkruajë: “Për falsifikimet që borgjezia jugosllave ka bërë prej motesh lidhur me numrin e shqiptarëve, populli ynë gjithmonë e ka pasur të gatshme përgjigjen: Jemi shqiptarë, shqiptarë lindëm dhe shqiptarë vdesim! Këtë përgjigje e ka pasur kurdoherë në gojë populli ynë, edhe kur u është vënë zjarri shtëpive, fshatrave e lagjeve tona, edhe kur xhandari serb na ka dërrmuar pse i kemi thënë ose nuk i kemi thënë ‘mirëmëngjesi’ edhe kur na kanë shkelur flamur, na kanë plaçkitur kokrrën e fundit të misrit nga drithnikët... Edhe kur na e kanë zbritur deri në baltë dinjitetin kombëtar duke na kërkuar armën që s’e kemi pasur; edhe kur na e kanë ndaluar gjuhën tonë të ëmbël”.

Në Republikën e Maqedonisë, ushtrohej ndikim më i madh te shqiptarët që të regjistroheshin të tillë, prandaj Organizata, me qëllim të dështimit të këtij projekti djallëzor, përgatiti një trakt dhe e shpërndau në vendbanime shqiptare në Maqedoni në natën e 27-28 mars 1981. Traktin e shkruar nga Mehmet Hajrizi e shtypën Bejtullah Tahiri dhe Nazmi Hoxha, kurse e shpërndanë Ferid Çollaku me Kadri Luzhën në Shkup e rrethinë dhe Bejtullah Tahiri me Selim Ahmetin, Nazmi Hoxhën e Sabit Rexhepin në Tetovë e Gostivar. Në trakt mes tjerash thuhej: “Kush bëri që popullsia shqiptare në Maqedoni edhe pse përbën gati gjysmën e Republikës, si për nga popullsia, ashtu edhe nga tokat e banuara prej saj, të jetojë sot në këtë skamje e shtypje, pa të drejta elementare, siç është e drejta e gjuhës, e simboleve, e festave kombëtare etj... Por klika shoviniste në Maqedoni nuk është e kënaqur as me kaq. Qëllimi i saj është që të na zhdukë fare si shqiptarë dhe tokat tona të shenjta t’i bëjë përjetësisht të vetat. Këtij qëllimi i kanë shërbyer gjithë këto veprime të poshtra kundër nesh.

Sa herë janë bërë regjistrime të popullsisë, pushtuesit tanë kanë bërë çmos që shqiptarët të deklarohen si turq, myslimanë, maqedonas, jugosllavë etj., kanë falsifikuar të dhënat me qëllim që të zvogëlojnë numrin e popullsisë shqiptare, sepse do ta kalonte për nga numri vetë popullsinë maqedonase. Për t’i arritur qëllimet e tyre, ata kanë përdorur e po përdorin presionin e dhunën, demagogjinë e mashtrimin. Kështu një pjesë e madhe e shqiptarëve në Maqedoni, kush i kërcënuar e kush i mashtruar, janë regjistruar si turq, myslimanë etj., duke humbur kështu emrin e vërtetë të tyre, nderin kombëtar.

Vëllezër dhe motra

Edhe në këtë regjistrim armiqtë tanë po mundohen të na mohojnë emrin tonë. Ata me qëllim po e ngatërrojnë fenë me kombësinë, shtetësinë me kombësinë etj. Ata kanë shpifur emra të tjerë për ne, si myslimanë, maqedonas, turq, jugosllavë etj., por a ka vallë emër më të dashur e më krenar për ne se shqiptar ? Prandaj ne bijtë e këtij populli trim i bëjmë THIRRJE çdo shqiptari të ndershëm (edhe atyre që në regjistrimet e mëparshme janë detyruar të deklarohen si ‘turq’, ‘myslimanë’ etj.) të mos regjistrohen ndryshe, por shqiptar dhe vetëm shqiptar. Kjo nuk do të thotë se ne e kemi humbur fenë. Përkatësinë fetare nuk kërkon të na rrëmbejë armiku, por atë kombëtare. Është detyrë e madhe patriotike për ne ta ruajmë emrin, gjuhën, kulturën e dinjitetin kombëtar që në shekuj me gjak i kemi mbrojtur”.

Duke sqaruar shqiptarët për përpjekjet e autoriteteve maqedonase për sllavizimin e trojeve shqiptare, “Liria” shkruante: “Nga ana tjetër tokat shqiptare popullohen vazhdimisht me popullsi sllave. Në mënyrë të veçantë shovinistët maqedonas po përpiqen me çdo kusht të grumbullojnë gjithë diasporën maqedonase dhe ta vendosin atë në viset shqiptare. Në këtë mënyrë shovinistët jugosllavë synojnë të ndryshojnë strukturën nacionale të popullsisë së tokave shqiptare dhe t’i shpallin pastaj tokat tona si toka serbe, malazeze apo maqedonase”. Ndërkaq lidhur me shpikjen e përcaktimit “jugosllav” të qytetarëve shkruante: “ Propaganduesit dhe përkrahësit e një deklarimi të tillë mundohen ta arsyetojnë atë me ‘përzierjen e popullsisë në Jugosllavi’, me ‘ndjenjën’ e ‘patriotizmit jugosllav’, me ‘rëndësinë që do të kishte një deklarim i tillë për forcimin e ‘vëllazërim-bashkimit ’etj., por, në të vërtetë, pas idesë për t’u deklaruar ‘jugosllav’ fshihen qëllime të rrezikshme shoviniste e reaksionare...

...Jugosllav do të thotë sllav i jugut, e dihet botërisht se ne jo vetëm nuk jemi sllavë të jugut, por nuk jemi fare sllavë. Ne nuk jemi sllavë të jugut por jemi shqiptarë të veriut. Fakti se ne jemi të pushtuar nga Jugosllavia, këtu nuk ndryshon asgjë. Në trojet tona kanë ardhur e kanë shkuar shumë pushtues, por ne kemi qenë dhe kemi mbetur shqiptarë. Prandaj, të deklarohet në çfarëdo mënyre një shqiptar ‘jugosllav’, kjo do të thotë që ai të mohojë gjakun e tij shqiptar, të mohojë prejardhjen e tij, të mohojë gjuhën shqipe… do të thotë të mos jetë më shqiptar. E të mohosh atë që të parët tanë e kanë ruajtur në shekuj me aq shumë gjak e sakrifica, është një ligësi e poshtërsi e madhe. ‘Shqiptarë’ të tillë sot ka shumë pak, dhe, nëse ka ndonjë ai meriton urrejtjen dhe përbuzjen më të madhe të të gjithëve. Mjerë nënat që kanë lindur ‘shqiptarë’ të tillë...

...Ashtu si në të kaluarën armiqtë e popullit tonë do të përpiqen që ne shqiptarët të deklarohemi si ‘turq’ ose ‘myslimanë’, duke e ngatërruar me qëllim përkatësinë kombëtare me atë fetare.

Por, kombi dhe feja nuk janë e njëjta gjë. Kur, në regjistrim kërkohet përkatësia kombëtare, kjo nuk ka të bëjë fare me besimin fetar që kanë banorët, por me kombin e tyre, me gjakun që kanë, me gjuhën, zakonet etj. Nëse një shqiptar deklarohet se është ‘turk’ apo ‘mysliman’ kjo nuk do të thotë se ai u ‘shkrua’ si besimtar i fesë islame, por llogaritet se nuk është shqiptar, por pjesëtar i një kombi tjetër, i kombit turk, ‘boshnjak’ (‘mysliman’) etj...

...Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të ndershëm në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi që të mos mashtrohen nga propaganda e rrezikshme e armiqve tanë, që në shekuj janë munduar të na zhdukin e shkombëtarizojnë. Ne shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi nuk jemi as jugosllavë, as turq dhe as ‘myslimanë’ (‘boshnjakë’), prandaj asnjë shqiptar nuk duhet të deklarohet i tillë. Ne jemi vetëm shqiptarë dhe në rubrikën ku shënohet përkatësia kombëtare, të gjithë duhet të shkruajmë vetëm fjalën e dashur shqiptar dhe asgjë tjetër”.

Me shpërthimin e demonstratave të vitit 1981, shpërndahet një trakt tjetër, kësaj radhe nën titullin e organit të shtypit “Liria”, në të cilin thuhet: “Demonstratat e përgjakshme të Prishtinës, ashtu si edhe demonstratat, grevat e revoltat e shumta anekënd Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, tregojnë edhe njëherë se populli ynë i robëruar nuk nënshtrohet e nuk përkulet as me propagandë e demagogji dhe as me dhunë e terror fashist. Ai po e kupton çdo ditë e më mirë se kush është armiku i tij i vërtetë, kush po e shtyp e shfrytëzon kaq egërsisht, kush e solli atë në këtë gjendje kaq të rëndë e të padurueshme. Ai po e kupton se edhe të drejtat dhe liritë e tij mund t’i fitojë vetëm me luftë e sakrifica, vetëm me gjakun e tij”

Në korrik 1981, u shpërnda në disa qytete të Kosovës në formë trakti, kryeartikulli i “Liria”-s nr. 3 me titull “Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të triumfojë”, i shkruar nga Hydajet Hyseni.

Janë shpërndarë edhe shumë trakte të tjera në Kosovë dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi, kurse prishja e parullave armike dhe vendosja e parullave të Organizatës ka qenë veprim i shpeshtë nga të gjithë anëtarët ilegalë.

VIJON...

_____________

Referenca:

1 GRK: Trakt, 1 nëntor 1973, Arkivi i Kosovës

2 Trakt i GRK, 1974, Arkivi i Kosovës

3 Trakt i GMLK, 24.12.1974, Arkivi i Kosovës

4 GRK: Trakt, 1973-4, Arkivi i Kosovës

5 Trakt i GMLK, 1975, Arkivi i Kosovës, Fondi: Gjykata e Qarkut Prishtinë, viti 1974/75

6 Trakt i GMLK, 13.06.1978, Arkivi i Kosovës

7 GMLK: Trakt, 27.10.1979, Arkivi i Kosovës

8 Xhabir Morina: Lëvizja Ilegale Atdhetare e nxënësve dhe e studentëve të Ferizajt gjatë viteve 1975-1979, Ferizaj 2006, dorëshkrim.

9 Sinan Hasani: “Kosova të vërtetat e mashtrimet” Rilindja, Prishtinë, 1986, f. 186

10 Mehmet Hajrizi: Letër gjithë anëtarëve të GMLK, shkurt 1980, Arkivi i Kosovës

11 Mahmut Bakalli, Intervistë, “Zëri”, 4 maj 2006, f. 6

12 Regjistrimi i popullsisë në Kosovë u bë nën hijen e tankeve, Liria nr.3, maj 1981

13 OMLK, Trakt, 27.3. 1981, Arkivi i Kosovës

14 Asnjë masë e revizionistëve nuk mund ta mposhtë popullin tonë heroik, Liria nr 1, tetor 1980

15 Jemi shqiptarë e asgjë tjetër, Liria nr. 2, dhjetor 1980

16 OMLK, Liria-Trakt, mars 1981, Arkivi i Kosovës

_
____________

MEHMET HAJRIZI: 'LIRIA' ORGAN I OMLK-së (14)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8977


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks