SHKRIMI
e mërkurë, 18 shtator 2019

FERDINAND DERVISHI: 'RADIOLOJA' E SIGURIMIT SHQIPTAR 'BUZA E BREDHIT' (2)

Pashtriku, 30 Korrik 2019: Radioloja, tekstet e radiogrameve që bindën CIA-n të niste njerëz e pako nga ajri

Në pjesën e parë, lexuesi u njoh me ideimin e nisjen së Radiolojës të emërtuar “Liqeni i Vajkalit”, një operacion i Sigurimit të Shtetit, i organizuar në vitet 1952-’53 që futi në lojë shërbimin sekret amerikan CIA, saktësisht qendrën e tij në Athinë, gjatë përpjekjeve për të futur në Shqipëri elementë që do të mundësonin rrëzimin e pushtetit komunist.

Ideja për këtë Radiolojë mbërrin menjëherë pas përfundimit me sukses të një tjetre, e koduar “Buza e Bredhit” që sapo kishte vënë në lojë shërbimin sekret italian. Në shënjestër vihet një grup agjentësh të dërguar në zonën e Matit me ndërmjetësimin e Mbretit Zog, të kryesuar nga ish-oficeri i tij i Gardës, Zenel Shehu.

Pas futjes në territorin shqiptar nga toka, agjentët mbanin lidhje me qendrën e CIA-s në Athinë, ku edhe ishin trajnuar. Me të rënë në duar të Sigurimit të Shtetit, një celulë oficerësh të Kundërzbulimit shqiptar, mes të cilëve edhe Pilo Shanto, autori i librit nga ku janë shkëputur këto pjesë, organizon Radilojën me qendrën e CIA-s në Athinë, duke e bërë të mos dyshojë në arrestimin e Zenel Shehut dhe duke e detyruar të dërgojë me anë të desantimit ajror, për dy vjet me radhë, njerëz të tjerë mes të cilëve edhe të shumëkërkuarin Hamit Matjani, shumë materiale e të holla.

Para se të nisnin Radiolojën, grupi special e konsideron të domosdoshme të kishte informacion të mjaftueshëm për Zenel Shehun, qëllimet e tij, mbështetësit, celulën që e nisi, mënyrën e komunikimit etj. Kështu duke u marrë hollësisht në pyetje, dy të plagosurit, krejt habitshëm, kishin qenë të sinqertë. Sipas shpjegimeve të tyre, zanafilla e kësaj ndërmarrjeje lidhej me një vizitë që mbreti Zog kishte bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1951. Aty atij i ishte kërkuar nga drejtues të CIA-s që t’u rekomandonte kandidatura të afta, të sigurta dhe me influencë për t’i dërguar me mision në Shqipëri, në zonat ku mendohej se ndikimi i tij ishte i madh.



Mbreti, mes të tjerëve, u kishte rekomanduar dy ish-oficerë të gardës së tij, Zenel Shehun dhe Halil Branicën. “Pak ditë pasi u kthye Zogu nga Shtetet e Bashkuara, më thirri dhe më njoftoi se kishte vendosur të më dërgonte në Shqipëri në mënyrë të fshehtë, si kaçak, së bashku me Halil Branicën, se do të viheshim në dispozicion të amerikanëve e do të vepronim sipas udhëzimeve të tyre”, shkruan Pilo Shanto në librin e vet për dëshminë autentike të marrë nga Zenel Shehu.

Po sipas Zenelit, Zogu u kishte thënë se amerikanët do i pajisnin me një radiotransmetuese me anë të së cilës do të lidhej me amerikanët dhe me atë vetë.

Të përzgjedhurit nga Zogu, të shoqëruar nga Hysen Selmani, një tjetër njeri i mbretit, u grumbulluan pa humbur kohë në Athinë. Në qendrën e CIA-s atyre iu bashkëngjit edhe Tahir Preçi, që do të ishte ndërlidhësi.

Pjesëtarët e celulës ishin bindur se në rastin e Zenel Shehut e Halin Branicës, kishin përpara një tjetër lloj ndërmarrjeje. Kjo sepse për herë të parë mbreti Zog po merrej me krijimin e një grupi, se të dy të zgjedhurit e tij për t’u dërguar në Shqipëri ishin ish-oficerë të gardës personale, të padamkosur si bashkëpunëtorë të fashizmit, pra që do të mund të vlerësoheshin për besnikërinë ndaj tij dhe që ishin përllogaritur si të aftë për të bërë njerëz për vete në zonën ku Zogu kishte më shumë influencë, në vendlindjen e tij.

Misioni i grupit, sipas dëshmive të të arrestuarve, ishte destabilizimi i vendit dhe organizimi i kryengritjes së armatosur në zonën verilindore, në kufi me Jugosllavinë, ku do të krijoheshin mundësitë për furnizime me njerëz dhe armë që do të nevojiteshin për përhapjen e kryengritjes në zona të tjera.

Në një bllok shënimesh të Zenel Shehut, u gjet edhe kodi që do të transmetonte ai në lidhje me përgatitjen e kryengritjes. Kështu nëse me radio do të dërgohej fraza “Konditë e mirë”, kjo do të thoshte se “populli është me ne, na ndihmon, vihet në dispozicion të mbretit”. Nëse do të transmetohej fraza “Në kondita shumë të mira”, do të deshifrohej si “jemi në kontakt me nëpunës dhe oficerë në favorin tonë” dhe nëse do të transmetohej fraza “Situata në favorin tonë”, kjo do të kuptohej si “populli është gati të marrë armët, ka raste të veprimit ushtarak dhe nëpunës që marrin pjesë”.

Përgatitja e njerëzve u bë në Qendrën e CIA-s në Athinë për një muaj me radhë. Ajo kishte nisur me “njohjen e gjendjes në Shqipëri”, “leksione” të cilat i kishte dhënë koloneli Xhon. Ai u kishte folur agjentëve që po përgatiteshin për pakënaqësitë e mëdha që kishte populli ndaj qeverisë, për varfërinë e madhe, për terrorin e madh që ushtrohej nga të kuqtë mbi popullin dhe për ekzistencën e shumë grupeve të armatosura që vepronin kundër komunistëve.

Ai injektonte në trurin e të rekrutuarve ide sipas të cilave “në Shqipëri ishin pjekur kushtet që populli të ngrihej me armë kundër shtetit të tij, mjaftonte që në krye të viheshin njerëz të aftë... Radhitja e Jugosllavisë ndër vendet e ‘botës së lirë’ e ka izoluar Shqipërinë nga bota komuniste. Kështu që SHBA, Anglia, Greqia, Jugosllavia dhe Italia kanë marrë vendim të prerë për t’i ardhur në ndihmë popullit shqiptar të fitojë lirinë e humbur”.

Futja e grupit në Shqipëri

Përfundimisht CIA vendos që grupi të merrte me vete në Shqipëri gjërat më të domosdoshme, dokumente identifikimi false, armatim personal të prodhimit gjerman të Luftës së Dytë, me qëllim që të mos dyshohej në rast arrestimi se kush i kishte dërguar, monedha floriri, dollarë USA, lekë shqiptarë, dhrahmi greke, si dhe një dozë helmi për t’u vetëhelmuar nëse rrezikonin të binin në duar të policisë.

Për mënyrën e futjes në Shqipëri ishin diskutuar tre variante:

1. të desantoheshin me parashutë,

2. të futeshin me anije në rajonin bregdetar, ose

3. t’u viheshin në dispozicion shoqërues për të kaluar kufirin me këmbë.

Me insistimin e Halil Branicës pranohet varianti më i vështirë, ai i kalimit të kufirit me këmbë. U ra dakord që bashkë me ta të niseshin katër shoqërues, një prej të cilëve do të ishte Hamit Matjani. Dy nga shoqëruesit, përfshirë Matjanin, do të ktheheshin mbrapsht pasi grupi të kalonte shëndoshë e mirë kufirin. Por teksa ishin gati të kalonin kufirin, Halil Branica sëmuret. Qendra urdhëron që ai të kthehet, ndërsa të tjerët të vazhdojnë rrugën.

Kështu kufiri kalohet pikërisht në zonën e Nikolicës, në Korçë, më 1 maj 1952. I njëjti grup furnizohet nga ajri pesë ditë më pas në Malin e Lenies në Gramsh. Grupi arrin në zonën e Martaneshit, ku nuk mundet të vendosë asnjë lidhje dhe më tej në Bulqizë, ku vendos lidhje, por dy prej tyre ishin bashkëpunëtorët e Sigurimit që i futën në grackë.

Zenel Shehu bashkëpunon

Por që Radioloja të funksiononte, duhej që dy të arrestuarit të bashkëpunonin. Për çudi edhe në këtë rast Sigurimi arrin të triumfojë. Pasi të dy, si Zenel Shehu ashtu edhe radisti, bien dakord. Natyrisht që vëmendje më tepër i kushtohet radistit. Pasi Radioloja nuk mund të fillohej pa të. Asnjë radist tjetër, sado i saktë dhe i kualifikuar, nuk mund të tentonte të dërgonte mesazhe, pasi në anën tjetër, në qendrën e CIA-s në Athinë do të kuptohej menjëherë dora e komunikimit të tjetrit. Kjo sepse specialistët e ndërlidhjes e njohin dorën që transmeton, ashtu siç ne njohim zërin e njëri-tjetrit. Por bashkëpunimi pa asnjë reklamim vë në alarm Sigurimin. Pikëpyetja që ngrihej ishte: përse janë kaq të qetë, përse duket sikur i kanë dorëzuar armët përfundimisht? Por edhe kjo pikëpyetje merr një shpjegim. Në raste të ngjashme, kur agjentë të kësaj natyre kishin rënë në duar të kundërshtarëve, pothuaj në të gjitha rastet kishin pranuar bashkëpunimin. Por një bashkëpunim që ta mbanin mirë me të dy palët. Pra mbahej mirë me Sigurimin duke bashkëpunuar, por mbahej mirë edhe me dërguesit e CIA-s, duke u sjellë në një mënyrë të tillë që ata të kuptonin se kishin rënë në duar të policisë shqiptare.

Këtu loja kapet nga Sigurimi, që i pyet dy të arrestuarit se me ç’mënyrë do të njoftonin qendrën nëse do të binin në duar të kundërzbulimit shqiptar? Përgjigjja mohuese, se nuk kishin parashikuar ndonjë mënyrë, ishte dukur si e vetmja e dyshimtë. Më pas mësohet se në këtë pikë Sigurimi kishte pasur dyshime të drejta. Gjithsesi vendimi për nisjen e Radiolojës merret pa humbur kohë.

Radisti i kapur pranon të bëjë edhe disa prova, duke komunikuar me një radist të Sigurimit. E gjithë përmbajtja regjistrohet dhe i tregohet atij në formë presioni, duke i thënë se një gabim i vogël i transmetuar do të regjistrohej dhe përfundimisht do i kushtonte shtrenjtë.

Më tej celula mblidhet të diskutojë se cili do të ishte mesazhi i parë i dërguar në adresë të qendrës së CIA-s në Athinë. “U arrit në përfundimin se mashtrimi detyrimisht duhej të lidhej me detyrat që u ishin ngarkuar agjentëve, pra kryesisht me ecurinë e veprimeve të tyre, për të zgjeruar rrethin e njerëzve që do të ishin të gatshëm për t’u ngritur me armë kundër qeverisë”, shkruan në librin e vet Pilo Shanto.

Për çfarë u vendos të transmetohej, sipas autorit, u njoftuan krerët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga ana e tyre nuk patën asnjë reklamim. Kështu nisën emocionet e dërgimit të mesazhit të parë. Radiogrami i parë “U vendos që mesazhi i parë të mos transmetojë ndonjë informacion, por vetëm të mjaftohej me vendosjen e lidhjes”, shkruan Shanto. Sipas tij, ishte vendosur në këtë mënyrë pasi ishte argumentuar se meqenëse nga komunikimi i fundit kishte kaluar një kohë goxha e madhe.

Por edhe këtu kishte një problem, pasi qendra duke marrë vetëm një mesazh të shkurtër sërish mund të dyshonte. Kështu duke marrë kontakt me drejtuesin e misionit, zv/ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu, vendoset të dërgohet më shumë se një radiogram. Me anë të këtij veprimi, ideatorët e Radiolojës donin të tregonin se gjithçka ishte duke shkuar krejt normalisht dhe se vonesat kishin arsyet e tyre, që nuk lidheshin me moralin e grupit. Ja dhe radiogrami i parë i dërguar: - 66-13 Maria “Datën 25 qarkulloi aeroplan. Janë vu në lëvizje forca policie dhe populli. Hala nuk dihet kur kanë me u largu. Anulloni D.Z.D.Z. deri në njoftim të dytë”.


Me këtë mesazh tentohej të justifikohej moskomunikimi disa ditor dhe u anulua zbarkimi i materialeve, për të cilat ishte rënë dakord më parë. Kjo me qëllim që të përftohej kohë që të kaloheshin vështirësitë e fillimit të Radiolojës. Në mesazhin e dytë të dërguar u është shfrytëzuar një pyetje që qendra e CIA-s u kishte bërë agjentëve më parë, ku kërkonte të dinte se çfarë po bëhej në Mat.

Celula e Radiolojës kishte menduar edhe këtë radhë me sukses edhe për një tjetër hollësi duke dërguar radiogramet të shkruara me dialekt verior, të njëjtin që fliste Zenel Shehu, njeriu që komandonte grupin dhe fjalët e të cilit transmetoheshin në formë mesazhesh. Po kështu u mbajt parasysh që stili i formulimit të radiogrameve të mos ndryshonte nga i atyre që ishin dërguar më parë, kur Zenel Shehu ishte i lirë. Po kështu edhe shifrimit të mesazheve ju kushtua rëndësi, pasi ato dërgoheshin të kriptuara, sipas një rendi që radisti e kishte mësuar në Athinë.

Ja mesazhi i dytë: 64-14 Maria “Në Mat punohet me ndërtu një hidrocentral. Punojnë ma se 300 persona vullnetarë dhe me rrogë, shumica janë nga Burreli”.

Seanca e parë e ndërlidhjes u bë në datën 3 korrik 1952. Ndërsa ndërlidhje nga rajoni ku qendra e CIA-s e dinte se gjendej grupi që kishin dërguar. Kjo sepse në atë kohë agjencitë e fuqishme të shërbimeve sekrete përdornin një aparaturë që kishte mundësi të përcaktonte vendin nga ku po transmetohej. Duke shkuar për në vendin nga do të transmetohej, sërish bie në sy sjellja krejt e shpengueshme e radistit. Sërish gjakftohtësia e tij vë në mendime njerëzit e Sigurimit.

Ndërsa tensioni më i madh kishte ardhur pas dërgimit të mesazheve.

Si do të reagonte qendra e CIA-s?

A do të kafshohej karremi?

CIA në grackë

Katër ditë më pas celula e Sigurimit merr mesazhin e parë nga ajo e CIA-s. Një mesazh që ishte pritur me kënaqësi, por që më pas kishte ngritur shumë pikëpyetje. Ja mesazhi: 66-11 “Vëmë në D..Z.-D.Z. 1-14-81, 1-14-81. Pritni tetë-tetë paracuta në orën 01:00 -01:00 më 7 korrik ose të parën ditë. Me kohë të mirë në orën 01:00, 01:00, 7 korrik deri dhjetë korrik”.

Pyetjet në mendjet e anëtarëve të celulës pas këtij mesazhi ishin të shumta. Si do të mundnin dy vetë të tërhiqnin materialet e tetë parashutave dhe t’i fshihnin në vende të sigurta? Dhe e dyta, si do të prisnin ata katër ditë në vendin e zbarkimit të përcaktuar në koordinatat 1-14-81 nëse koha do mundësonte një zbarkim në datën 10 korrik? Si do veprohej në një kohë që teksa ishin ende të lirë Zenel Shehu dhe radisti ishin këshilluar që të kishin kujdes, pasi fushat e zbarkimit ruheshin dhe si do bëhej, kur vetë Sigurimi në mesazhin e dytë të dërguar shkruante: “Janë vu në lëvizje forca policie dhe populli. Hala nuk dihet kur kanë me u largu..?”

Nga ana tjetër logjika thoshte se kjo lëvizje e qendrës së CIA-s kishte lidhje me një vlerësim të gabuar që i bëhej situatës në Shqipëri. Një vlerësim që shkonte drejt përkufizimit se në Shqipëri qeveria kishte krahina të tëra jashtë kontrollit, veçanërisht në veri. Një shpjegim tjetër i ndërmjetëm kishte qenë se CIA, me anë të kësaj dërgese, donte të testonte se sa me përgjegjësi do të veprohej nga njerëzit që ata kishin dërguar në terren.

Por teksa celula pothuaj kishte ardhur në përfundimin për të pranuar furnizimin, gjithçka ishte anuluar pas një tjetër hipoteze. Vendi i caktuar për zbarkim korrespondonte pranë zonave të banuara, ku Zenel Shehu kishte mundur të vendoste disa lidhje. Këta njerëz, me të parë avionin të sillej pranë vendbanimeve të tyre do të dyshonin se përse Zeneli nuk u kishte kërkuar ndihmë për ta pritur zbarkimin së bashku, siç u kishte premtuar?

Sigurisht që kjo mund të lidhej me dyshimin se Zeneli mund të kishte rënë në duar të Sigurimit. Përfundimisht vendoset që zbarkimi të mos pritet. Por edhe pse grupi nuk vendos shenjat për zbarkim, avioni më 7 korrik fluturon gjatë mbi Martanesh, Bulqizë e Mat.

Për çudi, edhe pse nuk sheh shenjat, ai i lëshon parashutat sipër minierës së Bulqizës, duket i gënjyer nga dritat e saj. Materialet u mblodhën nga forcat vullnetare, por ngjarja u mësua nga shumë njerëz. Për zbarkimin flitet madje edhe në Kongresin e Bashkimeve Profesionale në Tiranë nga delegatët e minierës.

Kështu u përllogarit se CIA do e kishte marrë mesazhin e dështimit. Për këtë arsye mesazhi i radhës u mendua mirë. “U vendos që t’i tregonim qendrës se me veprimet e saj të nxituara, me hedhjen e parashutave pa sinjale, vetë grupi ishte vënë nën kërcënimin e zbulimit” shkruan Shanto. Pra u mendua që qëndrimi të shkonte në formën e një dushi të ftohtë, pasi ishte kuptuar se te ky grup CIA kishte varur shpresa të mëdha.

Pas tri ditësh të mjaftueshme që qendra të mos mendonte se grupi ishte kapur, nisen këto mesazhe: 66-61 Maria “Datën 7-7 ora 01:00 aeroplani qarkulloi mbi Bulqizë, Burrel e Martanesh. Miqtë na informojnë se ka lshu materiale në afërsi të minierës së Bulqizë. Materialet janë gjet nga policia e fshatarët që u vunë në kërkim e ndjekje. Jena detyru me ndrru zonë”.

Protesta bëhej më e dukshme në mesazhin e dytë: 66-17 Maria “Datën 6-6 qu njoftuam për zbarkim qem larg D.Z. caktume dhe nuk arritëm dot. Pilotët kanë zbarku pa i pa shenjat tona. Ky veprim i pa matun ve në rrezik ne dhe miqtë tonë. Ne njohim gjendjen këtu, prandaj çdo veprim duhet ba me pëlqimin tonë dhe kur shihen shenjat tona”.

Shërbimi sekret sovjetik, KGB, i bëri libër për përdorim të brendshëm dy radiolojat e Sigurimit

Sipas librit të Irakli Koçollarit, “Spiunazhi nëpër shekuj – Sigurimi”, për dy radiolojat e organizuara me sukses nga Sigurimi i Shtetit specialistë të KGB-së kishin shkruar një libër për përdorim të brendshëm. Libri në formën e një historie përshkruante gjithë planet, mashtrimet, kurthet, informacionet, kalimet ilegale të grupeve të armatosura të dërguara ilegalisht prej anglezëve dhe amerikanëve në territorin shqiptar.

Në konkluzionet e tyre specialistët e KGB-së theksonin: “...i gjithë projekti, zbatimi dhe realizimi i këtij operacioniu përpunua dhe aplikua në terrenet e ashpra të këtij vendi, megjithëse i varfër, vetëm prej Shërbimit të Sigurimit shqiptar dhe njerëzve të tij”. “Kjo, tregon, konkludonin ata, në mbyllje të librit, se çmund të bëjë edhe një shërbim sekret i vogël dhe pa ndonjë përvojë të madhe, nëse ai është i vendosur të mbrojë atdheun, sovranitetin e tij...”.

Sipas Dr. Perlat Çaushit, rreth këtyre operacioneve jepeshin leksione të veçanta. Si nga pedagogët, ashtu dhe nga studentët, qofshin rusë apo të huaj, konsideroheshin si veprime të shkallës së lartë dhe rrallë të përsëritshme në historinë e shërbimeve sekrete.

VIJON...


________________________

FERDINAND DERVISHI: 'RADIOLOJA' E SHËRBIMIT TË SIGURIMIT SHTETËROR TË SHQIPËRISË QË FUTI NË KURTH CIA-n AMERIKANE…! (1)

http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9019

***

FERDINAND DERVISHI: 'RADIOLOJA' E SIGURIMIT SHQIPTAR 'BUZA E BREDHIT' (2)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9030

***

FERDINAND DERVISHI: 'RADIOLOJA' E SIGURIMIT SHQIPTAR - FJALËT E KODUARA QË FUTËN NË KURTH HAMIT MATJANIN, MAJ 1953! (3)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9034


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks