SHKRIMI
e mërkurë, 18 shtator 2019

FERDINAND DERVISHI: 'RADIOLOJA' E SIGURIMIT SHQIPTAR - FJALËT E KODUARA QË FUTËN NË KURTH HAMIT MATJANIN, MAJ 1953! (3)

Pashtriku, 31 korrik 2019: Fjalët e koduara që futën në kurth Hamit Matjanin

Në dy pjesët e mësipërme, lexuesi u njoh me fakte autentike që zbardhin deri në imtësi Radiolojën “Liqeni i Vajkalit”, që Sigurimi i Shtetit ndërtoi me sukses në vitet 1952-’53, duke futur në grackë një qendër të CIA-s amerikane. Faktet janë rrëfyer me mjeshtëri në librin “Bora filloi” të autorit Pilo Shanto, një ishoficer i Kundërzbulimit shqiptar që ka marrë pjesë drejtpërdrejtë në këtë Radiolojë që nga dita e parë deri në të fundit, madje duke mbuluar pozicionin më kyç, atë të personazhit që do të merrej me mashtrimin që do i bëhej qendrës së zbulimit të huaj.


Sipas Shantos, ideja e Radiolojës së vitit 1952 kishte ardhur pas përfundimit me sukses të një tjetre, të koduar “Buza e Bredhit”, e cila kishte vënë në lojë me sukses kundërzbulimin italian. Ishte koha kur kundërshtarët politikë të komunistëve të ardhur në pushtet, me ndihmën e shteteve të fuqishme të huaja, siç ishin SHBA, Britania e Madhe, Italia e të tjerë, tentuan me të gjitha mënyrat të fusnin në Shqipëri grupe të armatosura me qëllim dobësimin dhe më tej rrëzimin e sistemit me anë të kryengritjeve të armatosura.

Pikërisht, për këtë qëllim ishte dërguar edhe grupi i Zenel Shehut, një ish-oficeri të Mbretit Zog, që u fut në kurth nga Sigurimi i Shtetit dhe u shfrytëzua për të ndërtuar Radiolojën. Veprimet e Sigurimit në terren kryhen të sakta me qëllim që në asnjë rast të mos mësohej se Zenel Shehu dhe radisti kishin rënë në duar të policisë.

Më tej ngrihet celula që do merrej me Radiolojën, në krye të së cilës vendoset Zv/Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu. Për fat të mirë, Zenel Shehu dhe radisti pranojnë të bashkëpunojnë dhe kështu nis Radioloja. Shumë punë e dyshime deri në dërgimin e mesazhit të parë, derisa dërgohet. Për fat qendra e CIA-s në Athinë nuk dyshon dhe kështu Radioloja nis me sukses me dërgimin e tetë parashutave me materiale.

Ndërkohë që lidhja me qendrën e CIA-s po shkonte krejt normalisht, celulës së Kundërzbulimit shqiptar i lind një tjetër problem. Lidhjet e Zenel Shehut në zonën e Bulqizës kishin nisur të dyshonin. Ata kishin ngritur pikëpyetje pasi kishin dëgjuar zhurmat e avionëve, se përse Zeneli nuk i kishte thirrur për ndihmë që të prisnin e transportonin materialet? Mos i kishte ndodhur gjë? Për këtë arsye, Sigurimi vë në lojë bashkëpunëtorin “Shqiponja” i cili këshillohet të marrë kontakt me dy nga ata që ishin shqetësuar më tepër. Ai u jep të dyve një letër të shkruar nga Zeneli, ku u komunikohej se nuk kishte pasur mundësi të vinte për të pritur zbarkimin. Bashkë me letrën Zeneli u dërgonte nga 25 dollarë amerikanë dhe njërit prej tyre, si dhuratë edhe një thikë. Një thikë të tillë të ngjashme, sipas deklarimeve të Zenel Shehut, i njëjti personazh ja kishte parë në duar dhe i kishte kërkuar që të porosiste një edhe për atë.

Arrestimi i Halil Branicës

Në radiogramet e vjetra që i ishin kapur grupit, celula e Sigurimit kishte zbuluar se ata kishin tentuar të desantonin edhe Halil Branicën, të njëjtin që në momentin e kalimit të kufirit ishte shtirur apo ishte vërtet i sëmurë. Por Zeneli e kishte shtyrë mundësinë e shpejtë të desantimit të Branicës, pasi kishte vënë re se fushat e zbarkimit ruheshin.

Ja radiogrami i fundit që kishte dërguar qendra e CIA-s. 66-10 “Nuk dërgojmë Halilin gjer të dëgjojmë kur keni DZ-DZ të mirë dhe datën kur pritni”. NNN Kështu që pasi e qetësojnë qendrën me disa radiograme informuese pas zbarkimit të 7 korrikut, celula e Sigurimit kërkon Branicën. 66-23 “Jena në gjendje me prit Halilin. DZ.DZ e mirë. Situata e qetë. Halili na nevojitet shumë sepse ka me na dhanë mundësi pune e me pas një zonë të madhe veprimi, baza ma të shumta sidomos në Mat dhe duke qenë tre lëvizja është ma e sigurt”.

Ja përgjigjja e qendrës së CIA-s: 66-18 “Po koha ashtë e mirë vijmë në 1-12-11, 1-12-11 në gusht 4-4, ora 10:30 jueja. Po koha nuk ashtë e mirë në këtë datë vimë para dite koha është e mirë muaji gusht 5-5 para dite dhe gusht 7-7, 22:30 ora. DO vijë Halili”.

Halili pritet në datën 4 kusht 1952, në orën 22:30. Celula e Sigurimit merr masa që në afërsi të vendit të zbarkimit të mos ketë njerëz, të cilët të dërguar me qëllim, mund të vërtetonin se Halili nuk u bashkua me Zenel Shehun, por ra në duar të Sigurimit. Në orën e duhur ndizen zjarret në formë “T-je”, dhe agjentët e Sigurimit, të veshur si fshatarë, pasi i japin parullën “Berati” dhe marrin kundërparullën “Burreli”, i përdredhin dorën Halil Branicës në kohën kur ky e zgjat për ta tokur. Me vete Branica kishte dokumente identiteti false, armatim personal, 100 napolona flori dhe një pilulë helmi në jakën e xhaketës.

Aeroplani zbarkon edhe pesë parashuta me materiale, mes të cilave dhe një radiotransmetuese e fuqishme me mbishkrimin “Përdoret në kohë lufte”. Branica ishte bashkëfshatar i Mbretit Zog, i larguar nga vendi më 1939 bashkë me familjen mbretërore. Qendra e CIA-s e kishte ekzaminuar fizikisht pas tërheqjes që kishte bërë në kufi duke thënë se ishte sëmurë dhe kishte zbuluar se ai ishte shtirur, por kjo nuk e kishte ndalur që ta niste sërish në Shqipëri.

Amerikanët dyshojnë

Me arrestimin e Branicës, celulës i lind detyrë të mësojë se çfarë udhëzimesh ai kishte, dhe me çfarë mënyrë do të lajmëronte qendrën se mbërriti mirë. Problemi u trash edhe më tepër pasi Branica në këtë pikë përgjigjej thatë: Nuk e di, nuk mbaj mend gjë. I njëjti nuk thyhet edhe kur i rrëfehet edhe kur i thonë se Zeneli dhe radisti janë duke bashkëpunuar me Sigurimin, por edhe kur në Tiranë, në një nga zyrat e rajoneve të policisë i sajuan një kombinacion për të njëjtin qëllim. Sigurimi kishte veshur Zenel Shehun me rroba zyrtare dhe në momentin që Branica futet, ai ishte duke biseduar përzemërsisht me një oficer me uniformë.

Gjithsesi pas zbarkimit të Branicës nuk mund të pritej shumë pa lajmëruar qendrën e CIA-s. Ja radiogrami: 66-32 “Zbarkimi në rregull. Halili mbrriti mirë. Morëm tre parashuta. Dy nuk i gjetëm. Forca policie e populli janë vu në ndjekje”.

Por pikërisht pas këtij radiogrami ndodh ajo që Sigurimi kishte dyshuar. Për herë të parë amerikanët dërgojnë një fjalë në mesazh që patjetër ishte e koduar dhe zgjidhjen, apo kundërfjalën për të cilën duhet ta dinte Halil Branica. 66-18 “Punë e mirë Halili dhe molle. Përdor radio i madh po e more sepse kursesh bateritë. Po nuk more radio i madh, na jep vendin D.Z, të dërgojmë tjetër”.

Pra, parulla provë që i dërgohej Halil Branicës ishte “Mollë”. Por ai sërish kundërshton të bashkëpunojë. Mjaftohet me: Nuk mbaj mend gjë. Në këto kushte vendoset që qendrës së CIA-s t’i kërkohet të përsëritet radiogrami. Por gjendja përkeqësohet kur CIA në të njëjtin mesazh dërgon një tjetër togfjalësh të pakuptimtë: “Doni pushka?”.

Në këtë pikë Radioloja është në prag të dështimit. Pra edhe Zenel Shehu, edhe radisti dhe Halil Branica, megjithë bashkëpunimin, kishin mbajtur për vete nga një fjalë sekret në mendje, të cilën nuk e kishin shitur. Këtu Sigurimi kupton edhe faktin se përse Zeneli dhe radisti silleshin gjatë gjithë kohës tepër të qetë. Por duke mos iu përgjigjur edhe parullës së dytë, Radioloja rrezikohej edhe më.

Celula vendos të rrezikojë, pra të luajë me injorimin e këtyre parullave të pakuptueshme. Ja edhe radiogrami më rrezikues i dërguar: 66-47 “Kena armët personale 1 pushkë, dy automatik, tre revolvera dhe tre revolvera e tre automatikë rezervë. Të tjerat shpërnda miqve”. WWW Duke mos marrë përgjigjen që priste qendra e CIA-s nis një tjetër radiogram të vështirë: 66-22 “Dërgoni informata si janë konditat. Tash presim miqtë të vijnë prej juve. Punë e mirë dhe molle”.

Bëhej fjalë për bashkimin me këtë grup edhe të disa të tjerëve me qëllim nisjen e kryengritjes, ndërkohë që sërish dërgohej fjala kyç “Mollë”. Në këto kushte celula e Sigurimit dërgon informacione për gjendjen, për njerëzit që kanë bërë për vete, por sërish gjendja nuk përmirësohet. Më në fund shkohet te shantazhi dhe u kujtohet amerikanëve se dy personat që vepronin në terren ishin njerëz të afërt të Mbretit Zog dhe si të tillë duheshin respektuar. - 66-69 Marie: “Lutemi vini në dijeni Mbretin Zog për gjendjen në rrethet Mat, Krujë Tiranë, Martanesh e Peshkopi sepse janë zona të influencës së tij”. WWW Nuk dihet nëse e mori apo jo mbreti Zog këtë mesazh, por qendra e CIA-s për çudi nuk i përsëriti, nuk i kërkoi më kundërparullat provë. 66-31 “Sa oficerë në Ushtrinë Shqiptare keni që punojnë me juve ose mund të dalin me ju po të hapet luftë?” 66-38 “Sa miq keni në të gjithë rrethet që janë në pozitë me marrë armët tona? Cilët janë të dëgjuar kundër regjimit?”

Duke u marrë seriozisht me përgjigjen, celula e Sigurimit komunikon duke i sqaruar qendrës së CIA-s se “po të hapet luftë ishin gati disa dhjetëra vetë, kryesisht në zonën e Bulqizës. Njëkohësisht CIA-s i jepen emrat e gjashtë personave që ishin të dëgjuar kundër regjimit. Përzgjedhja bëhet me kujdes për të mos pasur dyshime nëse njerëzit e CIA-s me anë të burimeve të tjera të verifikonin këta emra.

Në këtë pikë duket se qendra e CIA-s davarit dyshimet, pasi lidhja rivendoset si më parë. Arratisja e radistit

Më 29 tetor 1952 radisti Tahir Preçi arrin të arratiset nga dhomat e izolimit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë. Bashkë me të arratiset edhe polici roje.

Në këtë situatë vihet në dijeni Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, i cili urdhëron: “Të merren të gjitha masat për kapjen gjallë të radistit dhe të gjenden mundësi që radioloja të vazhdonte edhe pa atë”.

Por edhe pse ranë në pritë në Qafë Priskë, radisti dhe polici hapën zjarr me armën e shërbimit dhe arrijnë të largohen. Ndërsa policia kishte urdhër të mos qëllonte që t’i kapte të gjallë. Në këto kushte mendohet që të përdoret një tjetër radist dhe të justifikohej para amerikanëve si i njëjti, por që po transmetonte me dorën e majtë, pasi e kishte thyer.



Gjyqi në Tiranë i Hamit Matjanit, Prill 1954


Gjithsesi Sigurimi mendon të lërë të hapur mundësinë e “shërimit të radistit”, pasi i arratisuri mund të kapej. 66-86 Maria “Tahiri ka thy dorën se asht rrëzu. Punon me dorën e majtë. Asht shumë sëmurë. Presim zbarkimin në datat 6-8, 6-8 jo ma vonë Se ora 23:00. 23:00. Presim edhe arna dhe këshilla si me i përdorë ato.. Lutemi pilotëve me zbarku me kujdes parashutat”.

Por situata ndryshon, pasi pas pak ditësh radisti Tahir Preçi vritet nga forcat e ndjekjes në pyjet e Martaneshit. Prandaj gjendja e radistit dërgohet alarmante: 66-81 Maria “Tahiri ka thy dorën se ashtë rrëzu. Punon me dorën e majtë. Ashtë shumë sëmurë”. WWW “Bora filloi”

Transmetimi i radiogrameve me dorën e majtë kishte nisur edhe krizën e dytë të besimit me qendrën e CIA-s në Athinë. Menjëherë njerëzit e CIA-s iu kthyen parullave “Doni pushka”, ose “sa pushka keni” e të tjera të ngjashme. Njëkohësisht Sigurimi zbulon se shërbimi sekret jugosllav përpiqet të marrë të dhëna për Zenel Shehun dhe të sqarojë pikëpyetjet që ishin ngritur. Gjithsesi Sigurimi provon sërish: 66-87 Maria “Tahiri për punë të mëtejshme nuk asht. Dora zanë keq. Kërkojmë kthimin aty ose na dërgoni një radist tjetër”.

Por sërish amerikanët këmbëngulin në marrjen e përgjigjeve për fjalët kyç të dërguara. Në këtë pikë u mendua që qendrës t’i bëhej presion: 66-92 “Dora ka zënë keq. Plaga infektu. Tahiri dobësu shumë. Nuk mundet me punu mbas planit. Për gjendjen kërkojmë me njoftu Mbretin Zog. Shpejtoni vendimin ose do detyrohena me vendos vetë”. WWW Por sërish amerikanët nuk binden. Ata dërgojnë një tjetër mesazh të koduar: 66-59 “A jeni në kondita të mira. A 49-0-99. Mbani mend kujt ja keni dorëzuar kur u largut kopsat e mangëve prej argjendi”. Duket agjentët e CIA-s në panik e sipër, për të pasur dorë të vazhdonin ndihmën e grupit të Zenel Shehut, kishin kërkuar një tjetër fjalë kyç, këtë radhë më të thjeshtë. Ata kishin rrëmuar valixhet e të dërguarve në Shqipëri dhe kishin parë atje kopsat prej argjendi të mëngëve të këmishave.

Për këtë qëllim Sigurimi i merr në pyetje sërish Zenel Shehun dhe Halil Branicën dhe mëson se kopsat ata i kishin lënë në valixhet e tyre në Qendrën e CIA-s në Athinë. Ja radiogrami i shpresës: 66-93 Maria “Kopsat prej argjendi janë në valixhet tona. (Zenelit dhe Halilit). Mos na mundoni kot”.

Sërish koha hapet për të vazhduar Radiolojën. Pasi nga qendra e CIA-s vjen mesazhi: 66-54 “Çështja biseduar me mbretin. Dërgojmë radist dhe 2-2 parashuta në DZ-DZ, G-15 - 3-1 janar 3-7 janar. Vërtetoni DZ dhe data” NNN. Dhe menjëherë më pas edhe një tjetër mesazh” 66-55 “Nuk jeni të harruar. Bëjmë çdo përpjekje të dërgojmë ndihmë. Punoni radio përditë. Po nuk rroni dot, Mbreti tha kapërceni te kunati i Zenelit”.

Kunati i Zenelit gjendej me banim në Dibrën e Madhe, asokohe ish-shtetin Jugosllav. Pra Sigurimi nis të dyshojë se CIA-a dhe shërbimi sekret jugosllav kanë plane të përbashkëta për Shqipërinë. Agjenti që u desantua si radist ishte një kosovar me emrin Ahmet Kabashi, një njohës i mirë i punës operative pasi kishte qenë tre herë në Shqipëri së bashku me Hamit Matjanin dhe sërish kishte mundur të largohej jashtë kufijve.

Për çudi edhe kosovari Kabashi pranon të bashkëpunojë, pra jo vetëm të rrëfejë çfarë dinte, por edhe të përdorë radiomarrëset në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Madje ai ndryshe nga të tjerët, për herë të parë rrëfen edhe fjalën kyç, me anë të dërgimit të së cilës CIA do të kuptonte se me grupin e Zenel Shehut nuk kishte ndodhur asgjë dhe se gjithçka ishte në vijë. Parulla provë ishte “Bora filloi”, që autori Pilo Shanto e ka zgjedhur si titull të librit të tij historik. Ja mesazhi i radhës: 66-1 Gur-Gur “Bora filloi. Radisti mbërriti mirë. Muarëm dy parashuta. Falënderojmë pilotët për zbarkimin e mirë”. 888 Dhe mesazhi i radhës i CIA-s i qetëson të gjithë: 66-66 “Dërgoni informata që kërkojmë. Çfarë kontakte keni bërë dhe ku punojnë. Sa burra janë gati. Çfarë nevojitet për Tahirin 888

Peshkimi i Hamit Matjanit dhe fundi i Radiolojës

Kapja e Hamit Matjanit, në atë kohë legjendare në popull si një njeri që nuk e kapte plumbi, por edhe me shumë akuza mbi kurriz për vrasjen e disa personave, ishte objektivi final i Radiolojës.

Ai desantohet nga ajri më 1 maj 1953 në orën 21:00 në fushën e gurit të vashës. Matjani ishte në shoqërinë e dy të tjerëve, Naun Sulës, një aktivisti të Ballit Kombëtar dhe Gani Malushit, një i arratisur në Greqi. Për çudi edhe Hamit Matjani thyhet dhe tregon gjithçka. Madje ai kishte me vete edhe çelësin e një prej parullave të hershme, të cilën celula e Sigurimit nuk e kishte kuptuar. Përgjigjja për “Doni pushka” duhet të ishte “Duam harta”.

Kështu radioloja vazhdon me desantimin nga ajri të katër agjentëve të tjerë, të cilët bien në pritën e Sigurimit, por nuk dorëzohen duke hapur zjarr. Dy vriten dhe dy të tjerë vet helmohen. Kështu edhe Radiolojës i vjen fundi dalëngadalë. Më 20 tetor 1953 vendoset që asaj t’i jepet fund, duke qëlluar me synim për ta rrëzuar avionin që do të desantonte materiale. Por edhe pse goditet, avioni ja del të largohet dhe të bëjë ulje emergjence në Brindizi të Italisë. Por megjithë këtë disfatë, qendra e CIA-s vazhdon të kërkojë të lidhet me grupin e Zenelit. Nga ana tjetër Sigurimi i ndërpret mesazhet.

Përfundimisht CIA e mëson se sa keq ishte vënë në lojë, vetëm në janar të vitit 1954, përmes një komunikate publike të Ministrisë së Brendshme.

Celula e Radiolojës

1- Kadri Hazbiu, ish-zv/ministër i Brendshëm, kryetar i grupit;

2- Pilo Shanto, autori i librit i cili është marrë me mashtrimin që iu bë qendrës së CIA-s; 3- Fejzo Kasimati, oficeri që mbajti nën kontroll punën e radistit, me qëllim që ky të mos komunikonte me CIA-n se ishte duke transmetuar i komanduar nga Kundërzbulimi shqiptar;

4- Banush Goxho, ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Peshkopi, që ndoqi reagimin e lidhjeve në popull, me qëllim që shkëputja e kontakteve pas arrestimit të tyre mos të binte në sy;

5-Asim Aliko, që u mor me sigurimin e agjentëve, sidomos me atë të radistit.

Ranë në grackën e Radiolojës Zenel Shehu Ish-kapiten në Gardën Mbretërore të Mbretit Zog, me detyrë oficer shërbimi pranë familjes mbretërore.

Tahir Preçi, (ndërlidhësi) i arratisur në Greqi, ku ishte vënë në shërbim të CIA-s. I specializuar si radist në një qendër të CIA-s në Mynih të Gjermanisë. Vrarë, pasi u arratis.

Halil Branica, Bashkëfshatar i Mbretit Zog, i larguar nga Shqipëria më prill 1939 së bashku me familjen mbretërore.

Ahmet Kabashi, Radisti i dytë i dërguar. Ishte vënë në dispozicion të shërbimit sekret italian. Dërguar tri herë në misione bashkë me Hamit Matjanin.

Hamit Matjani, Ish-xhandar i Mbretërisë. Në korrik 1943 emëruar Komandanti i Ballit në Peqin. Qëndron në ilegalitet deri në vitin 1947, më tej kalon në Greqi ku vihet në shërbim të CIA-s. Matjani kishte arritur të futej dhe të dilte nga Shqipëria gjashtë herë me radhë pa u kapur. Në adresë të tij kishte akuza për krime të shumta.

Naun Sula ish-aktivist i Ballit. Pas çlirimit qëndron në ilegalitet dhe më tej kalon në Greqi ku vihet në shërbim të CIA-s.

Gani Malushi vënë në shërbim të kundërzbulimit grek, ndikuar nga i vëllai që e kishte bërë këtë më parë.

P.N. Ish-xhandar, mik i Hamit Matjanit i arratisur në Greqi. I vrarë gjatë Radiolojës.

Gj.Z. Ish-pjesëtar i çetave të Ballit edhe ky i arratisur në Greqi dhe i vënë në shërbim të zbulimit të këtij vendi. Vdekur gjatë Radiolojës.

N.N. Ish-pjesëtar i forcave mercenare të shërbim të nazistëve, i larguar jashtë vendit bashkë me ushtrinë gjermane dhe i afruar pranë familjes mbretërore në Egjipt. Vdekur gjatë Radiolojës. Gj.H. Agjent i dërguar nga CIA në zonën e influencës së Mbretit Zog, i dëbuar nga familjarët e tij, që kishin frikë. Vrarë gjatë Radiolojës.


- F U N D -


________________________

FERDINAND DERVISHI: 'RADIOLOJA' E SHËRBIMIT TË SIGURIMIT SHTETËROR TË SHQIPËRISË QË FUTI NË KURTH CIA-n AMERIKANE…! (1)

http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9019

***

FERDINAND DERVISHI: 'RADIOLOJA' E SIGURIMIT SHQIPTAR 'BUZA E BREDHIT' (2)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9030

***

FERDINAND DERVISHI: 'RADIOLOJA' E SIGURIMIT SHQIPTAR - FJALËT E KODUARA QË FUTËN NË KURTH HAMIT MATJANIN, MAJ 1953! (3)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9034


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks