SHKRIMI
e hënë, 10 gusht 2020

MEHMET HAJRIZI: QËNDRIMI I INTELIGJENCIES PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (21)

Pashtriku, 2 Nëntor 2019:


4.7 Qëndrimi i inteligjencies

Inteligjencia e Kosovës në përgjithësi dhe pedagogët e Universitetit në veçanti, kishin kontribuuar në edukimin e rinisë dhe të shtresave të tjera shoqërore në frymën e patriotizmit dhe të rezistencës kundër pushtuesit. Ajo, duke qenë e re dhe në formim e sipër, nuk mund të kapte problemin në gjithë kompleksitetin e tij teorik, por për më tepër duke qenë e shantazhuar dhe e frikësuar se po i humbte privilegjet e pozitës shoqërore, nuk ishte në gjendje që në kuptimin praktik t’ia lëvizte gurët themeleve të robërisë. Atje ku liria zhduket, atje nuk guxon njeriu të flasë, thoshin latinët. “Nga të parët e vet ajo, shkruan Ukshin Hoti për inteligjencien e atëhershme, nuk kishte trashëguar as ndonjë kapital intelektual dhe as material. Andaj, nuk kishte qenë kurrfarë çudie që ishte marrë me vënien e bazave gjithëmateriale (ishte marrë me ndërtimin e shtëpive), gjithëpolitike (ishte marrë me vënien e lidhjeve politike, ndër të tjera) dhe gjithëteorike (ishte marrë me prezantime jo kritike të sistemeve të mëdha të mendimit) ”. Inteligjencia, sikur edhe kasta politike, paradoksalisht nuk i kishte kuptuar në thelb proceset e reja dhe të pakthyeshme historike në të cilat po hynte Kosova më 1981. Ata besonin që kjo stuhi e keqe, do të linte prapa dëme por një ditë do të qetësohej, për t’iu kthyer jetës “normale” në njëfarë mirëqenie sociale, siç tha një intelektual, të krijuar me kredi afatgjata për ndërtimin e shtëpive shumëkatëshe.

Kjo shtresë shoqërore, përveç mesit, kishte krahun ekstrem negativ, por dhe krahun e intelektualëve të shquar që iu përkushtuan deri në sakrificën supreme çështjes së Kosovës.

Duke qenë i ndërgjegjshëm për rrezikun që paraqiste inteligjencia, regjimi pushtues ushtronte presion dhe shantazh mbi të dhe nuk reshte procesin radiografik policesk të ashtuquajtur diferencim politik në radhët e saj.

Në Mbledhjen e 87-të e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, e mbajtur më 13 prill 1981, Xhavit Nimani thoshte: “...duhet ta bëjmë inteligjencien që të deklarohet hollësisht”

Historiani Zekeria Cana lidhur me trysninë që ushtronte pushteti atë kohë ndaj intelektualëve për t’i vënë në shërbim të politikës ditore ka shkruar:

“Marr letrën e Redaksisë ‘Rilindja’ të nënshkruar nga kryeredaktori, Maksut Shehu. Nga unë kërkohet që deri në fund të janarit 1983 të shkruaj artikullin: ‘Qasjet nacionaliste ndaj ngjarjeve dhe periudhave historike në Shqipëri’. Thuhet se kjo temë është paraparë me planin e Redaksisë të kundërvënies propagandës armiqësore të udhëheqjes së Shqipërisë kundër Jugosllavisë, i cili u miratua nga Pleqësia e kundërpropagandës e KK të LK të Kosovës.



Selami u ka shkuar edhe Ali Aliut, Fehmi Aganit, Rexhep Ismailit, Ekrem Murtezait, Azem Shkrelit, Demush Shalës, Rexhep Qosjes dhe të tjerëve...

...Ali Hadri është ndër të diferencuarit e parë. Është përjashtuar nga LK, larguar nga Instituti i Historisë, Universiteti, të gjitha redaksitë dhe komisionet e ndryshme. Asnjë rresht i tij nuk mund të shohë dritë”.

Fillimi i demonstratave gjente më shumë përkrahjen e inteligjencies, por masat e forta shtrënguese e bënë atë të tërhiqet dukshëm në muajt vijues. Duke folur për demonstratat e para të vitit 1981, Ali Lajçi ka nënvizuar: “Ka pasur edhe profesorë dhe njerëz në institucione tjera që na kanë përkrahur, por jo direkt. Edhe ashtu ne jemi kujdesur që të mos i involvojmë”

Akademiku Rexhep Qosja ka shkruar: “Me përjashtim të Ukshin Hotit, nuk ka kuadër tjetër universitar që ka mbrojtur demonstratat. Ata që ju paraqiten tani si farë mbrojtësish po ju gënjejnë. Ngjante e kundërta. Ishte i madh numri i atyre veprimtarëve politikë dhe intelektual që ishin vënë në shërbim të diferencimit, d.m.th. në shërbim të atij procesi në të cilin njerëzit duhej të dënonin demonstratat. Mes këtyre profesorë fakulteti, akademikë, shkrimtarë, krijues të arteve të tjera. Disa prej këtyre intelektualëve që merreshin me ndjekjen e ‘shtrigjve’ janë autoritete në kulturën tonë: të rehabilituar dhe të favorizuar! ... Një numër i intelektualëve ishte kundër demonstratave, kurse një numër tjetër i shikonte me simpati... Në bisedat me njëri-tjetrin disa intelektualë i përkrahnin demonstratat, por në mbledhjet e partisë apo në mbledhjet e bashkësive punuese kjo nuk ngjante. Kam marrë pjesë në mbledhje në Institut, në Fakultetin e Filozofisë ( e atëherë në këtë fakultet bënin pjesë edhe Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe), në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Janë mbajtur jo një a dy, por më shumë mbledhje në të cilat flitej: në fillim për demonstratat pastaj për kinse për pasojat e demonstratave, pastaj për detyrat në lidhje me këto pasoja etj. Kam parë shumë intelektualë që çoheshin në këmbë dhe lëshonin breshëri dënimesh për demonstratat duke i quajtur armiqësore, nacionaliste dhe irredentiste, të drejtuara kundër bashkim-vëllazërimit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë! Disa prej këtyre, më vonë, janë bërë patriotë të mëdhenj dhe kanë përparuar në punën profesionale dhe në punën politike! Disa e bënin këtë me gojë e ndonjëri, besoni apo mos besoni, me shkrim- ishin përgatitur përpara! Në dënimin e demonstratave në mënyrë të veçantë janë shquar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve. Në këtë institucion janë dënuar demonstratat shumë herë, por njëra prej mbledhjeve të Akademisë, në të cilën janë dënuar demonstratat është dhënë në tërësi në televizion- si mësim për popullin se si duhet të sillet ndaj armikut të bashkim-vëllazërimit, të socializmit vetëqeverisës dhe të integritetit territorial të Jugosllavisë Socialiste Federative! Ishte kjo mbledhje e turpit në nivel më të ‘lartë’ të shkencës sonë. Është botuar edhe një libër shqip dhe serbo-kroatisht me fjalimet dënuese të akademikëve... Për shkak se nuk jam diferencuar, më kanë qitur para komisionit të Universitetit bashkë me Ali Hadrin dhe Fehmi Aganin dhe na kanë shqiptuar dënimin...”.

Shemsi Reçica, ligjërues në Universitetin e Prishtinës më 1981, i dënuar politik më 1982 në procesin kundër disa intelektualëve shqiptarë, si Ukshin Hoti, Halil Alidema, Ekrem Kryeziu, Mentor Kaqi, Ali Kryeziu etj., ka shkruar: “Mund të them se fillimisht kërkesat e studentëve janë përkrahur, me ndonjë përjashtim, nga të gjithë profesorët, gjatë bisedave të lira në grupe. Në ndërkohë UP, përfshirë edhe Fakultetin Filozofik, u vërshua me punëtorë të sigurimit dhe aktivistë të LKJ-së dhe, në mbledhje të njëpasnjëshme, kërkohej nga ne, profesorët, që t’i pranonim vlerësimet e Komitetit Qendror të Jugosllavisë për demonstratat dhe t’i gjykonim demonstratat dhe kërkesat e tyre…Aty ka qenë një ekip i caktuar, që e kryesonte Azem Vllasi, i cili e ka mbikëqyrur në vazhdimësi diferencimin ideopolitik dhe që kërkonte që ne të distancoheshim nga kërkesat e studentëve… Kështu që, më në fund, mbetëm vetëm 4-5 profesorë që nuk e pranuam vlerësimin e demonstratave si armiqësore, por i mbrojtëm kërkesat e studentëve, duke kërkuar që në mbledhje të bisedohet haptas për këto kërkesa dhe që secili profesor, nga aspekti profesional politik, juridik, ekonomik, etj. të argumentojë se me të vërtetë Kosova duhet të jetë Republikë. Në fund mbetëm vetëm Ukshin Hoti, Halil Alidemaj, Muhamet Ternava, Shaqir Shaqiri dhe unë, që mund të them se kemi qenë shtylla kryesore e përkrahjes së hapur të demonstratave. Duhet theksuar se ne i kemi përkrahur hapur studentët, e kemi dënuar intervenimin dhe dhunën e policisë, nuk e kemi pranuar vlerësimin e Komitetit Qendror për karakterin armiqësor, kundërrevolucionar, etj. të demonstratave dhe ne kemi argumentuar se Kosova duhet të jetë Republikë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të barazoheshim me popujt e tjerë. Dhe ne u arrestuam dhe u dënuam me burg.

Në një nga mbledhjet e shumta që mbaheshin atë kohë në fakultete, Ukshin Hoti doli hapur në mbrojtje të kërkesave të demonstratave për Republikë. “Kur kemi mbajtur mbledhje në Fakultetin Filozofik, kanë qenë të pranishëm Azem Vllasi, Agim Zatriqi, Hajredin Hoxha, etj. Aty ka pasur edhe kërcënime, sharje, edhe me nënë kanë sharë ata ish funksionarë duke thënë se ‘këtu e kanë çerdhen demonstratat’. Pasi i gjykuan demonstratat, ata kërkuan fjalën e profesorëve, por rreth 20 minuta askush nga profesorët nuk e merrte fjalën. Ishin para një dileme të madhe. Kishin frikë, sepse diheshin pasojat. Pas atyre që i dënuan demonstratat fjalën e mori Ukshini, i cili tha ‘Ne duhet të diskutojmë hapur për kërkesat e studentëve tanë’ dhe vazhdoi diskutimin e tij. Midis të tjerave tha tekstualisht, fjalë për fjalë: ‘Sa e di unë, në Jugosllavi, jo vetëm që nuk është zgjidhur në praktikë çështja shqiptare, por as teorikisht nuk është zgjidhur kjo çështje si duhet’, dhe filloi që këtë konstatim ta argumentojë nga pikëpamja e tij, nga shkencat politike. ‘Të gjitha shkrimet që janë botuar për çështjen kombëtare, tha ai, edhe ato nga pikëpamja juridike, edhe kushtetuta nuk e kanë zgjidhur as teorikisht çështja shqiptare në Jugosllavi’ dhe vazhdoi : ‘Unë mendoj që kjo është kërkesë e arsyeshme, e drejtë...’, dhe me një ton të lartë përfundoi : ‘Kosova duhet të jetë Republikë dhe ne duhet ta përkrahim Republikën’.


(VIJON ...)

(Fusnotat janë hequr)


__________________________


MEHMET HAJRIZI: QËNDRIMI I SHQIPËRISË PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 (20)

http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9155


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks