SHKRIMI
e enjte, 30 mars 2017

UKSHIN HOTI: FILOZOFIA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE (XI)

Pashtriku.or, 14. 05. 2013 - Revolucioni autentik - Në pjesën e dytë të artikullit "Viti 81 dhe proceset e demokracisë" të botuar në "DeA"-2/91 autori i këtyre rreshtave kishte qenë i mendimit se në Kosovë nuk mund të bëhej fjalë për një demokraci e cila do ta nënkuptonte revanshizmin; rrotullimin e rolit politik të forcave politike dhe të klasave; zevëndësimin e një monizmi me një monizëm tjetër, jo vetëm se me një të tërhequr pende nuk mund të fshiheshin 50 vjet histori të një populli, por sepse në këto troje ishte zhvilluar një revolucion autentik, i pandihmuar nga tanket e Armatës së Kuqe, si dhe për shkak se aty jetonin shumë popuj. Ndërkaq, në artikullin "Gishti i trashë i Vëllait të Madh" të botuar në «Alternativa»-5/1990 e kishte përqafuar me gjithë zemër demokracinë, por atë nuk e kishte kuptuar si mohim të vetes, e as të historisë. Besoja se demokracia do të duhej të ngrihej në mbështetje të trashëgimisë pozitive të kontinuitetit politik të historisë së pandërprerë të popullit. Ky ishte një koncept që mund të vendosej brenda kontekstit të maturisë politike, por e besoja sinqerisht se Kosova nuk ndodhej as në Oregon dhe as në Alaskë, që do të thoshte se ajo nuk ishte ndonjë superfuqi e zhvilluar, por që nuk do të thoshte se nuk duhej synuar shpejtimi i zhvillimit të saj. Mirëpo ca zotërinj duket se me gjithë mend besonin se demokracia mund të ndërtohej vetëm me ndërprerjen e historisë, me mohimin total të një epoke dhe me identifikimin e saj të plotë me të keqen nacionale, duke harruar se vetë ata intelektualisht u ngritën dhe u afirmuan pikërisht në atë epokë dhe duke i shfrytëzuar privilegjet e po atij sistemi, në të cilin tani dëshirojnë të na bindin se as që paskëshin qenë prezentë. Zotërinjtë në fjalë, por sidomos ata që qëndronin pas tyre, duket se akoma nuk e kishin të qartë se shoqëria demokratike që synohej të ndërtohej nuk e kishte ndërmend t'i përsëriste gabimet e vjetra: ajo nuk mund të mbështetej mbi një moral të dyshimtë intelektual dhe njerëzor i cili pastaj doemos do të rezultonte në trauma të njëjta shoqërore. Ky popull kishte përjetuar mjaft trauma që ia shkaktonin të tjerët. Ishte koha që të mos i duronte as të vetat. Në Kosovë nuk mund të kishte kthim prapa në komunizëm, por as që mund të lejohej marshimi i saj drejt fashizmit apo neofashizmit. Të gjitha këto fjalë nuk u thanë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Degës së LDK të Rahovecit në Krushë të Madhe, por u diskutua në frymën e tyre, dhe u thanë edhe gjëra të tjera edhe më të rrepta. Autori i këtyre rreshtave kishte qenë vërtetë i indinjuar me sjelljet, trajtimin dhe me shpifjet që ishin bërë në adresë të tij, por pavarësisht nga kjo, kishte qenë më në fund e nevojshme që gjërat të emërtoheshin me emrin e tyre të vërtetë.

Rrënjët shoqërore të oportunizmit

Gjatë qëndrimit tim shumëvjeçar në Krushë, të cilin shokët nga Prishtina (të Kryesisë së LDK) e quanin vetizolim, kisha pasur kohë të mjaftueshme të vëreja dukuri të çuditshme, prezentimi i të cilave besoj se do të ishte më rëndësi të madhe shoqërore. Qysh para vitit 1981 e kisha vënë re fenomenin e bijëve të "tatave" nëpër Prishtinë, por nuk e dija se ata mbështeteshin nga bijtë e "haxhi-babave" në fshat. Gjatë dekadës së shkuar kisha kujtuar se e kishim çrrënjosor oportunizmin në politikë, por nuk e kisha ditur se kjo dukuri i kishte pasur rrënjët kaq të thella.

Në realitetin politik dhe intelektual të Kosovës dukej se vazhdimisht diçka më pengonte, por nuk kisha ditur ta shpjegoja dhe as ta kuptoja në tërësi. Kishte qenë kjo e lidhur me kuadrot në politikë. Para vitit 1981, kur isha marrë aktivisht me politikë, disa herë isha konfrontuar me zyrtarë të lartë të politikës në Kosovë rreth kuadrove. Kisha bërë vërejtje se nuk hapeshin mundësi të mjaftueshme për inkuadrimin në politikë të brezit të ri, por kisha marrë pergjigje se nuk kishim kuadro të mjaftueshme, bile jo ashtu si kërkohej. Kisha konkluduar se ata kërkonin kuadro lojalë për vete dhe jo për zhvillimin e Kosovës. Dhe nuk ishim pajtuar. Gjithkush kishte qëndruar pas botëkuptimeve të veta. Ndërkaq, dukej se LDK-ja kishte bërë hapa të duhur përpara. Shumica absolute e kuadrove të zgjedhur në bazë kishin përgaditje të lartë profesionale, kurse në organet më të larta -edhe tituj të ndryshëm shkencorë. Megjithatë, kisha vënë re se disa të rinj që i njihja personalisht si njerëz me aftësi të veçanta organizative dhe talente të tjera, përkundrejt insistimit në nivele ku kisha mundësi të insistoja -nuk ishin zgjedhur. Ndërkaq ata që u zgjodhën, në një apo në mënyrën tjetër, më vonë u larguan nga vendet ku ishin zgjedhur ose u larguan tërësisht nga LDK-ja. Kjo më kishte habitur, sidomos për shkak se ishte fjala pikërisht për ata që kishin qenë më aktivët gati në çdo aksion të ndërmarrë të secilit nivel. Kishte qenë e qartë që në fillim se një pjesë e mirë e fajit e kishte mekanizmi elektoral i cili mbështetej kryesisht në mëhalla (nëpër fshatra) ose në koteri shoqërore nëpër qytete. Natyrisht se mëhalla kërkonte zgjidhjen e kandidatit të vet, pavarësisht nga ajo se a ishte më i mirë se tjetri i mëhallës tjetër. Mirëpo këtu kishte dhe diç tjetër. Rëndom vërehej se djelmoshat që kishin aftësi të veçanta ndodheshin në raporte të tendosura me mëhallën e tyre dhe kjo pastaj për një arsye të veçantë nuk i kandidonte, e as që i zgjidhte. Kjo gjë e kishte nxitur kurreshtjen time.

Kisha vënë re se pjesa dërrmuese e atyre që zgjidheshin në nivel të bashkësisë lokale apo të komunës, kryesisht për shkaqe objektive (papunësia dikur jo e plotë, ndërsa tani gati totale), por edhe për shkak të njohurive të mangëta të fituara gjatë shkollimit; mungesës së kulturës së punës intelektuale, etj., jetonin nëpër familje të mëdha së bashku me vëllezërit e me prindërit, dhe në shumë raste, edhe me axhallarët e kushërinjtë më të largët. Të martuar dhe me fëmijë, nuk e kishin provuar ndonjëherë shkëputjen dhe jetën individuale të familjeve të veta-nukleus. Ndonëse qytetarë akademikë, gati të gjithë me radhë i nënshtroheshin jo vetëm autoritetit, por edhe gjykimeve të më të vjetërve dhe të zotit të shtëpisë. Me kohë, midis tij si qytetar akademik, familjes së madhe dhe pushtetit ishte krijuar një simbiozë e çuditshme, që shkonte në dobinë e tyre reciproke, por që jashtëzakonisht shumë e ngecte dhe e ngadalësonte progresin shoqëror; 1) Qytetari i tillë akademik nuk kishte llogari të shkëputej nga familja e madhe, sepse rëndom vetëm ai ishte në punë, por jo edhe bashkëshortja e tij. Me të ardhurat e fituara shumë vështirë do të mund ta mbante familjen e tij, zakonisht shumë-anëtarëshe, dhe kishte fare pak shanse ta ngiste ndonjë veturë. Ndërkaq brenda familjes së madhe ishte pothuajse i liruar nga përgjegjësia e kujdesit dhe e edukimit të fëmijëve të vet, ose këtë përgjegjësi e ndante me të tjerët. Duke mos pasur kokëçarje të kësaj natyre, ai mund të merrej me aktivitete të lira, të cilat në kushtet e fshatit zakonisht përfundonin në sport; 2) Ndërkaq edhe familja e madhe në raport me të kishte fitim të dyfishtë: a) Rrënjët e këtij fitimi zakonisht ndodheshin te kontestimi i hises (pasuria e trashëguar nga prindërit, ose edhe ajo e përbashkët). Meqë familjet e tilla kishin arritur të shkollonin vetëm një ose dy anëtarë (në raste të rralla shkolloheshin shumica), ndarja e pasurisë në pjesë të barabarta, pavarësisht nga shkalla e shkollimit të vëllezërve, bile edhe atëherë kur punonin të gjithë, doemos do të rezultonte në standarde të pabarabarta të jetesës. Qytetari akademik, i punësuar si profesor ose si inxhenier, me pjesën e pasurisë së ndarë, doemos që do të jetonte ndryshe nga vëllezërit e tij të pashkolluar (motrat në këtë mes asnjëherë nuk merreshin parasysh). Nga kjo pastaj mund të lindnin mosmarrëveshje të ndryshme, raporte të sëmura familjare që mund të shtriheshin edhe në shoqëri. Të ndodhur para këtij fenomeni të çuditshëm, shumica e etërve vendosnin të "mos bënin mëkate" dhe t'i pavarësonin bijtë e tyre të shkolluar. Ndërkaq këta, duke mos pasur mundësi të kacafyteshin me problemet e jetës, me heqjen dorë nga pasuria e përbashkët, detyroheshin t'i nënënshtroheshin traditës dhe mënyrës tradicionale të jetesës. Këtë pastaj gradualisht, e "paguanin" me një shkrirje të unit të tyre individual në identitetin kolektiv të familjes; d) Familjet e tilla të mëdha e hetuan me kohë se autoriteti shoqëror i birit të tyre të shkolluar mund të ishte i dobishëm jo vetëm për rritjen e drejtëpërdrejtë të pasurisë materiale (kjo ngjante rëndom në qoftë se bijtë e tyre punonin në ekonominë e dikurshme shoqërore), por para së gjithash për forcimin e lidhjeve shoqërore ose vendosjen e tyre (në qoftë se tashmë nuk i kishin formuar) dhe ngritjen e autoritetit të familjes. Për këtë shkak, ato filluan t'ia kushtonin kujdesin e duhur standardit individual të birit të tyre të shkolluar, por jo edhe nukleus-familjes së tij, e cila me xhelozi të veçantë u nënshtrohej rregullave të jetës së përbashkët në familjen e madhe. Atij mbase nga depot e vjetërsirave në Evropë ia blinin edhe ndonjë veturë me shkëlqim të jashtëm me të cilën mund të kënaqej duke shetitur, ndërkaq fëmijët e tij i lidhnin për vete, përmes miqësive të reja që i ngjanin vetes së tyre; 3) Ndërkaq vetë shoqëria kishte fitim nga këto familje të mëdha. Sipas vlerësimeve statistikore, gati rreth 60% të strukturës së popullsisë shqiptare i takonte rinisë, ose banorëve të moshës rinore. Pushteti i dikurshëm komunist e kishte të pamundshëm kontrollimin në mënyrë efikase të kësaj armate të të rinjve, të cilët ishin rritur ndërkohë dhe të cilët ishte e vështirë vetëm t'i njihje, e jo më edhe t'i kontrolloje. Për këtë shkak, struktura politike e pushtetit zakonisht mbështetej te të zotët e shtëpive dhe te pleqtë autoritativë të këtyre familjeve. Në mënyra të ndryshme u ndihmonte atyre që ta mbanin autoritetin në familjet e tyre, qoftë duke ua falur ndonjë dënim gjyqësor (për t'ua ruajtur "fytyrën") qoftë duke i shikuar "nëpër gishta" veprimet që shkonin ndesh me normat shoqërore dhe juridike.

Meqë simbioza e tillë familjare realisht ishte rezultat i kushteve objektive ekonomike, ajo nuk mund të ndryshonte pa trauma të mëdha familjare. Për këtë shkak, mekanizmat mbrojtës psikikë dhe shpirtërorë u shndërruan shumë shpejt në një oportunizëm të përgjithshëm brenda familjeve. Por ajo pastaj, si një merimangë gjigante, e shtrinte rrjetën e vet në tërë shoqërinë. Familjet e tilla krijonin me sukses të plotë edhe lidhje me një pjesë të intelegjencës në Prishtinë, e cila gjithashtu në thelb udhëhiqej me leverdinë materiale. Shumë profesorë, mjekë, drejtorë të ndryshëm, etj., "kthenin" në këto familje me pretekste të ndryshme, rëndom kinse për t'i takuar ish-studentët e tyre, të cilëve edhe ashtu shpesh ua kishin falur notat, po në të vërtetë për t'i mbushur gepekët e veturave të tyre të mëdha me zarzavate e gjëra të rastit. Sidoqoftë, shtrirja e lidhjeve të tilla e kishte krijuar me kohë një shoqëri çuditërisht njëtrajtëshe në themelin e së cilës ndodhej një oportunizëm i tmerrshëm, jo vetëm ndaj kërkesave të kohës, por edhe ndaj kërkesave të jetës në përgjithësi.

Sikur një kompleks i tillë raportesh të pasqyronte ndonjë shoqëri të zhvilluar, atëherë themeli oportunist i saj do të ishte mbështetje e fortë e stabilitetit shoqëror. Mirëpo fjala ishte për raportet që i diktonin kushtet ekonomike dhe në rend të parë mungesa e vendeve të punës. Ato ngriteshin mbi mohimin gati total të femrës si subjekt shoqëror; nuk llogaritnin në rritjen e brezave të rinj dhe përfundonin në odat e fshatarëve si simbole të "rendit e të konakut". "Stabiliteti" i arritur në këtë mënyrë nuk u shërbente ndryshimeve pozitive shoqërore, po përkundrazi, e konservonte gjendjen ekzistuese të gjërave; nuk drejtohej drejt së ardhmes, por vetëm në të sotmen; matej me të djeshmen, por e injoronte të nesërmen. Dukej qartë se simbioza e tillë oportuniste nuk e lejonte zgjedhjen e më të mirëve në strukturat udhëheqëse, jo vetëm të LDK-së.

I prekur thellë nga kjo gjendje, e cila në raste hidhërimi më detyronte ta parafytyroja Kosovën si një depo të madhe të veturave të vjetra të Evropës, të cilat me shkëlqimin e tyre të rrejshëm kishin arritur t'i rrotullonin vlerat, në Kuvendin e jashtëzakonshëm në Krushë, më nxitën të konstatoja se fjala ishte për bijtë dhe bijat e "haxhi-babave" në fshat dhe të "tatave" në qytet, të cilët nuk e kuptonin dot se në Evropë nuk mund të shkohet me raporte feudo-klanore e feudo-kapitaliste. Me fjalë të tjera, kërkoja që t'i hapet rruga konkurrencës së vlerave të njëmendëta. Më vonë mora vesh se më akuzonin për botëkuptime elitiste. Disa shkrime nëpër gazeta në gjuhën shqipe në mënyrë indirekte më mbanin leksione mbi filozofinë e Platonit, ndonëse nuk e kishin kuptuar faktin elementar se Platoni, duke e kërkuar sundimin e filozofëve, në të vërtetë e kërkonte sundimin e kompetencës, ose kompetencën në rregullimin e punëve shoqërore (filozofët si njohës kompetentë të shoqërisë). Mirëpo duket se e kisha pasur gabim. Shumica gjatë historisë rëndom e kishte imponuar jokompetencën për të udhëhequr me shoqërinë. Ndonëse nuk kishte ngjarë që jokompetenca të tërhiqte pas vetes shumicën, në Kosovë kishte ngjarë që gati e tërë rinia shqiptare të shpërngulej për në Evropë. Dukej sikur caku i evropeizimit të Kosovës do të arrihej me "evropeizimin" e rinisë, duke u martuar me evropiane dhe duke i braktisur raportet e përshkruara feudo-klanore njëherë e përgjithmonë.

Covert action dhe konsekuencat

Ato që ngjanë pas këtij Kuvendi-të jashtëzakonshëm në Krushë nuk është e mundur të përshkruhen, se mbase do të skuqej edhe letra. Megjithatë do të dhunoja vetën dhe fëmijët e mi po t'i heshtja në tërësi.

Kishte plot 10 vjet që insistohej në "përshtatjen" time, por kjo nuk bëhej në biseda të drejtëpërdrejta njerëzore, veçse përmes "bedelëve" e "telallëve", të cilët më vonë, duke e parafrazuar Nolin, i quaja honxho-bonxho të demokracisë. Kur edhe kjo nuk pati sukses, atëherë sërish u ringjallën presionet: -në xhaminë e fshatit, nëpër oda të fshatarëve në Krushë, nëpër xhamitë dhe nëpër odat e fshatrave përreth; nëpër qytetet e afërta dhe më pas nëpër tërë Kosovën, bile edhe në diasporën shqiptare. Akuzohesha për gjithçka. Shtypi në gjuhën shqipe i përmblodhi akuzat e tilla në "sllavo-komunist", "dogmat", "marksist-leninist", "stalinist", "millosheviqist" e sihariqe të tjera. E kisha kërkuar shpjegimin e kësaj fushate të tmerrshme e cila i prekte sidomos anëtarët e familjes sime, dhe e kisha gjetur. Një oficer i lartë i C.I.A.-s që tani punonte si hulumtues në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington D.C., në një numër të një reviste të njohur amerikane e kishte dhënë shpjegimin e asaj që e quante «covert action» (veprim i mbuluar). Sipas tij, «veprimi i mbuluar» përfshinte çdo gjë, që prej "inkurajimit të ndonjë gazetari të huaj që të shkruante ndonjë artikull ose ndonjë koment redaksie, gjer te përkrahja, bile edhe udhëzimi i aktiviteteve ushtarake të shkallës së lartë, në vendet e huaja". "Qëllimi i «veprimit të mbuluar», -vazhdonte oficeri i lartë i C.I.A.-s, "është të influencojë sjelljen ose politikën e individëve më të rëndësishëm të huaj, të grupeve dhe të kombeve, si edhe rrjedhën e ngjarjeve në rajonet e huaja, me qëllim që të avancohen interesat e vendit që e ka ndërmarrë një veprim të tillë të mbuluar, por në të njëjtën kohë, t'a bëjë këtë në mënyrën që ia mundëson maskimin e duarve të veta, si edhe mohimin së paku zyrtar të përzierjes së vet... Kur përdoret në mënyrë të mençur veprimi i mbuluar mund të jetë ndihmesë efektive për politikën. Kurrnjëherë nuk mund të jetë substicion i politikës ose i mendimit" (shih George A. Carver, Jr. «Intelligence in the Age of Glasnost», «Foreign Affairs», Summer,1990).

Mirëpo amerikanët për raste të këtilla e kishin edhe një fjalë të shkëlqyer: -No comment!

Bisedë me mjekun dhe me veten

Andini është djali im i vetëm, i cili i ka mbushur plot 5 vjet në praninë time. E doja për së tepërmi. Ditën që isha i detyruar të ndahesha me të, e pësova keq: gati sa nuk u verbova tërësisht. Më kërceu sheqeri në gjak në mënyrë të panatyrshme. Kishte ngjarë kjo gjatë natës dhe nuk kisha qenë i vetëdijshëm. Duke e ngarë veturën për në Lubjanë, e shihja se nuk dalloja shumë gjëra, por mendoja se ishte mjegull. Në mëngjes megjithatë, duke dashur të përgatisja një shkrim që e kisha premtuar për pjesëmarrje në simpoziumin shkencor «Shqiptarët dhe Evropa, dje, sot dhe nesër», nuk, e dalloja dot asnjë shkronjë. Duke m'i caktuar një palë syza të trasha, mjeku në Lubjanë u habit që kurrsesi nuk po më shkonte në kokë diagnoza e tij mbi pleqërinë time: "Ka të tillë, -tha ai, -të cilët nuk duan të pajtohen as me veten, e jo më me pleqërinë". Mirëpo pas nja tre muajsh m'u kthye tërësisht të parit. Shkova sërish te mjeku. "Stres të rëndë paskëshit pasur, zotëri!"-tha ai. "Nuk ishim kuptuar me presidentin Bush, -thashë unë, -se ma kishte marrë djalin dhe e mbante peng.

"Aaah!" -bëri me sy të zgurdulluar nga habia. Por e mbylla derën. Nuk desha ta përfundoja bisedën. Në rrugë e sipër vazhdimisht më shqetësonte pyetja: "Mos ishte vallë Gorbaçovi ai që ma mbante peng Andinin? Por nuk e dija përgjigjen…

***

Në Kuvendin e Krushës kisha deklaruar se isha për ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë, ndonëse e kisha parë se ishte duke u shkatërruar; se isha për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse e shihja se e kërkonin rrëzimin nga posti të Ramiz Alisë; se isha për Republikën e Kosovës në Jugosllavi, e në funksion të bashkimit me Shqipërinë, dhe nuk e kuptoja dot se cila do të ngjante më së pari. Kisha arritur të deklaroja fuqimisht: në Kosovë nuk kishte kthim prapa në komunizëm, por as marshim drejt fashizmit. Kosovën nuk do ta udhëhiqnin bijtë dhe bijat e baba-haxhinjve nëpër fshatra dhe as bijtë dhe bijat e tatave nëpër qytete, nëse këtë nuk e meritojnë; në Evropë nuk arrihet dot me raporte feudo-klanore dhe bile as feudo-kapitaliste; përparimin nuk e bart mediokriteti por talenti. Populli duhet të ecte përpara drejt progresit dhe jo ta konservonin në status quo dhe në errësirë. Pastaj delegatëve ua kisha ofruar dorëheqjen, por salla ishte ngritur në këmbë dhe masa kërcënonte të shpërthejë... Më vonë, një telall-honxho-bonxho i demokracisë më kishte sqaruar: votëbesimi absolut që e kisha fituar në Kuvend, në të vërtetë kishte qenë i aranzhuar; më ishte dhënë një satisfakcion moral nga keqardhja, nga se kisha vuajtur për së tepërmi!

Pastaj bisedova me veten: "d.m.th. të gjithë ata që i kisha parë duke vdekur; të gjithë ata me të cilët e ndanim së bashku gazin dhe lotin; të gjithë ata të tjerët prej të cilëve ishte tundur Ballkani dhe Evropa që nga themeli; të gjitha ato fytyra të mërdhezura të Kuvendit dhe ata që shkrepnin flakë nga sytë; të gjitha ato ngjarje që ma kishin bërë jetën tmerrësisht iracionale, sepse edhe koha kishte qenë tmerësisht iracionale, pra, të gjithë me radhë nuk më kishin dashur vallë! Ky njeri tani më shpjegonte se e kisha gënjyer veten, se ata nuk më kishin dashur, por ja që, nga keqardhja për mua, e kishin organizuar një cirk nga Kuvendi, pikërisht atje ku e kisha patur djepin e lindjes, në fshatin e vendlindjes sime. Pastaj kisha kujtuar se ky njeri bënte një blasfemi, një ndotje. Një sakrilegj ndaj tyre ose ndaj mendimeve të mija, nuk e dija me saktësi. Pastaj m'u kujtua Evropa së cilës nuk ia kisha borxh asnjë eky, por që kujtoja se e mbante peng Andinin. Ishte e fortë Evropa. Mund ta mbante peng edhe Republikën. Dhe pastaj më ishte kujtuar Migjeni, në të vërtetë ajo vjersha e tij që fliste mbi një grusht të fortë për ta goditur malin. Mirëpo, nuk mund ta largoja dot përfytyrimin mbi bisedën me honxho-bonxhon e demokracisë. Kisha jetuar vallë unë në iluzion apo ai kishte bërë një sakrilegj, cila ishte e vërteta? Një funksionar i LDK, një profesor që tani ishte bërë politikan, në një rast kishte deklaruar se nuk kishim probleme, se problemet nuk kishin qenë të njëmendta, reale. Me këtë mendim kisha rënë në gjumë, por isha përpëlitur tërë kohën; isha zgjuar në befasi, duke kërcyer nga shtrati dhe i kisha mbyllur veshët me shuplakat e dorës. Megjithatë, e kisha dëgjuar zërin e thekshëm të Andinit: "O, baaaabiiiiiiiiiii !". Kisha provuar të heshtja, por e kisha dëgjuar përsëri. "Po, biri im, -kisha provuar t'i përgjigjem me vete, - nuk do të ketë probleme, por do të duhej që Kosova të qëndronte mbi këmbët e veta". Pastaj, me shpirtin e copëtuar nga dënesjet e thekshme të Andinit, natën që i shëtisnim fushat e Celinës, më ishte kujtuar ajo poetja që kishte deklaruar se "nuk kishte perëndi, kishte vetëm njerëz, njerëz, njerëz." Mirëpo po të mos kishte perëndi, me çka vallë do ta matnin veten e tyre njerëzit ? -e kisha pyetur unë, por kisha mbetur pa përgjigje… (Krushë e Madhe, Dhjetor 1991)


( FUND )


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks