SHKRIMI
e premte, 19 korrik 2019

ZEQIRJA IBRAHIMI: NJË DITË NË LUGINËN E BLLACËS - PRILL 1999!

Shkup, 05. 04. 2014 - Sa herë që kaloj në Bllacë dhe e shoh se nën anën e majtë nuk ka asnjë pllakë, asnjë qendër memoriale, as një muze të eksodit kosovar, ama bash asgjë që gjeneratave të reja, që nuk e kanë përjetuar atë vuajtje, t'ua kujtojë atë kalvar, nuk mundem të mos pyetem se a thua ne shqiptarët jemi më të mençur se hebrenjtë?! Derisa hebrenjtë e kanë ngritur në pelegrinazh holokaustin e tyre në Aushvic dhe i detyrojnë të gjithë politikanët e botës të shkojnë të përkulen aty, ndërsa të gjithë hebrenjtë e kanë detyrim të marrim frymëzim atje, pra jo nga heronjtë e luftës për themelimin e shtetit izraelit, por pikërisht nga sakrifica e holokaustit, s'e kuptoj pse shqiptarët e Kosovës janë kaq të shkujdesur ndaj të kaluarës së tyre.

***


Ishte marsi i vitit 1999. Sulmet e NATO-s sapo kishin filluar. Kosova kishte filluar të zbrazej. Duke qenë studentë, ishim organizuar vullnetarisht pranë Organizatës Humanitare "El Hilal" në Shkup, për t'i pritur refugjatët që vinin nga Kosova. Sa të digjej shpirti kur i shihje njerëzit që vinin vetëm me teshat e trupit, po aq të lumturohej kur shihje se si shqiptarët e Maqedonisë garonin që asnjë shqiptar i Kosovës të mos mbetej në rrugë. Një solidaritet që kurrë nuk e kam parë as më herët e as më vonë. Megjithatë, aty diku në fund të marsit Maqedonia e mbylli kufirin, më saktë i ndaloi kosovarët në luginën e Lepencit në Bllacë, sepse - siç thuhej zyrtarisht - nuk mund të përballej me valë aq të madhe refugjatësh. Dhe, pastaj së paku një javë - me sa mbaj mend ishte nga data 31 mars e deri më 6 prill të vitit 1999 - shqiptarët e Kosovës mbetën në qiell të hapur. Ky ishte eksodi i Kosovës. Kur erdhëm në këtë pikë dhe kur thuhej se aktivistët humanitarë të organizatave të tjera, përveç atyre të Kryqit të Kuq, kishin problem të hyjnë poshtë në mesin e kosovarëve, e gjetëm një rrugë, përmes një shokut tim maqedonas, dhe u anëtarësuam si vullnetarë në Forumin Rinor të Kryqit të Kuq. Aty u ndamë në dy ekipe: njëri do të punonte prej orës 19.00 të mbrëmjes e deri në mëngjesin e nesërm, ndërsa ekipi tjetër nga ora 07.00 e mëngjesit deri në orën 19.00. Unë mbeta me ekipin e dytë. Të nesërmen në orën 06.00 ishim para selisë së Kryqit të Kuq në "Dare Xhambaz". Me një xhip të madh udhëtuam në Bllacë. Para orës 07.00 ishim aty. Natën kishte rënë një shi dhe, përveç baltës që ishte krijuar, edhe moti ishte ftohur mjaft. Anës së djathtë, tash para pikës kufitare të Maqedonisë, ishin vendosur tendat e organizatave humanitare dhe tendat ku evakuoheshin të sëmurit e të vdekurit, ndërsa poshtë në anën e majtë ishin të gjithë kosovarët që prisnin jetë. Sapo mbërrimë, u takuam me shokët e tjerë. Ata dukej se ishin lodhur shumë. Le që pa gjumë, por ishin rraskapitur krejt. Tamam kur bëheshin gati të nisen për Shkup, njërit nga shokët tanë i ra të fikët dhe u përplas për toke. Menduam se vdiq. Erdhën mjekët dhe thanë se nuk është serioze dhe se e ka nga lodhja. I dhanë një injeksion dhe, pasi pushoi pak, e kthyen në Shkup. Ky ishte edhe një mesazh se na priste një ditë e vështirë. Dhe, kah t'ia filloje?! Të marrësh një thes me bukë, ta dërgosh poshtë, të marrësh një kuti me shishe uji, të marrësh qumësht me vete apo të shkosh me lese në dorë që të mund të nxjerrësh sipër të sëmurit e të vdekurit?! Të gjitha këto ishin urgjente. Kur shkoje poshtë, të gjithë të viheshin në shpinë, të të marrin çfarë ke dhe shpesh rezultonte që as 50 metra të mos i bëje në turmë dhe duhej të ktheheshe përsëri të marrësh diçka tjetër, sepse të gjitha t'i merrnin - me ose pa dëshirë. Një luftë e paparë për mbijetesë. Ne e dinim mirë se ata që ishin më thellë ishin më keq, por e kishim vështirë të arrijmë atje poshtë. Askund si atë ditë në Bllacë nuk e kam parë më afër jetën e vdekjen. E morëm një burrë që kishte vdekur, e bartëm në lese, e sollëm lart dhe, pasi e mbuluam me një batanije, vazhduam poshtë në punë të tjera. Nuk kishe kohë as një pikë loti ta derdhësh e as një dua t'ia këndosh. Atje poshtë kishte gra që sapo kishin lindur ose që foshnjat e tyre i kishin vetëm disa ditë. Vaji i tyre të digjte. Por, çfarë të bëhej?! Njerëzit na tregonin se disa foshnja gjatë atyre ditëve kishin vdekur. Prandaj përpiqeshim që së paku ato gra t'i nxjerrim jashtë. Por, atëherë bëhej problem pjesa tjetër e familjes. Kur njëherë insistuam që ta shpëtojmë një grua të tillë, një aktiviste humanitare m'u drejtua maqedonisht (me mendimin se ata nuk na kuptonin) se: "Mos, se nuk dihet ku i dërgojnë dhe pastaj humben mes vete". Tmerr! Një aktivist, mbase mjek, sepse ishte me mantelin e organizatës "Mjekë pa kufij", më ftoi të shkojmë ta marrim poshtë një njeri shumë të sëmurë. Muzgu sapo kishte rënë. Një shi i imët na lagte, por askush nuk e kishte mendjen te shiu. E morëm lesën në dorë dhe hymë në turmë që ta kërkojmë. Dikur e gjetëm. Ia futa krahun nën sqetull dhe e tërhoqa nga tenda e improvizuar. Ishte shumë i rëndë. Mendova se kishte vdekur. Nuk lëvizte fare. E kapëm disi dhe e vendosëm në lese. Mezi e bartëm në atë përpjetën deri lart. Pas neve vinin familja e tij: gruaja me nja dy fëmijë, që qanin pa ndërprerë. Por, policia nuk i lejoi të dalin edhe ata sipër. E dërguam të sëmurin te ambulanca, po ashtu e improvizuar dhe, pa pasur fare kohë ta vuajmë ndarjen e familjes, që ku ta dish kur do të bashkohej më, përsëri duhej të shkonim poshtë. Kështu na shkoi gjithë dita: dërgo poshtë ushqime, bart lart të sëmurë e të vdekur... Kur po ktheheshim për Shkup, na njoftuan se prej ditës së ardhshme do të lejohej që refugjatët kosovarë të hynë në Maqedoni. Më në fund mbërrita në shtëpi. I dërrmuar fizikisht dhe i shkatërruar e i thyer shpirtërisht. Para se të bie të fle, ra zilja. Para derës sime ishte ai shoku që në mëngjes u alivanos në Bllacë. Të lutem më regjistro përsëri të shkoj nesër me grupin e ardhshëm të vullnetarëve, më tha. Nesër mbase do të përfundojë Bllaca, i thashë. Dhe, megjithëse nesër nuk do të ishim në mesin e tyre, përsëri na erdhi mirë. Por, s'mund të shikoheshim më gjatë në sy, se nuk u besonim lotëve. Dhe, vërtet, të nesërmen filloi bartja e të gjithëve që ishin në Bllacë, ashtu që edhe puna jonë u zhvendos.


***************************

NJË FOTO FLET MË SHUMË SE 10 000 FJALË!

BLLACA - AUSHVICI I SHQIPTARËVE!



***

P.S. U kujtova këto ditë në këtë ngjarje, megjithëse nuk mbaj mend shumë detaje - se nuk kam mbajtur ndonjë ditar a ndonjë evidencë të saktë - jo për të dëshmuar diçka tjetër, pos për të tërhequr vëmendjen se çfarë nuk kanë bërë politikanët kosovarë gjatë këtyre viteve. Sa herë që kaloj në Bllacë dhe e shoh se nën anën e majtë nuk ka asnjë pllakë, asnjë qendër memoriale, as një muze të eksodit kosovar, ama bash asgjë që gjeneratave të reja, që nuk e kanë përjetuar atë vuajtje, t'ua kujtojë atë kalvar, nuk mundem të mos pyetem se a thua ne shqiptarët jemi më të mençur se hebrenjtë?! Derisa hebrenjtë e kanë ngritur në pelegrinazh holokaustin e tyre në Aushvic dhe i detyrojnë të gjithë politikanët e botës të shkojnë të përkulen aty, ndërsa të gjithë hebrenjtë e kanë detyrim të marrim frymëzim atje, pra jo nga heronjtë e luftës për themelimin e shtetit izraelit, por pikërisht nga sakrifica e holokaustit, s'e kuptoj pse shqiptarët e Kosovës janë kaq të shkujdesur ndaj të kaluarës së tyre. Në vend që t'ia nxjerrim sytë botës se në çfarë na ka detyruar Serbia në vitin 1999, ne vazhdojmë t'i himnizojmë heronjtë e luftës, që me gjithë meritat e pakontestueshme, nuk ishin shkaktarë më të rëndësishëm për ndërhyrjen e NATO-s se katastrofa humanitare që e shkaktoi regjimi serb. Por, si duket politikanëve më shumë u ka ëndja të përfitojnë politikisht nga ato organizime sesa që të bëjnë diçka realisht për fuqizimin e memories kolektive të shqiptarëve të Kosovës dhe të botës. Mbase për shkak të mungesës së një qendre të tillë memoriale sot Putini deklaron se Krimeja është si Kosova. Ndërkaq, urtësia thotë se ai që e harron të kaluarën e tij, le që edhe vetë harrohet, por ai nuk ka as të ardhme.


==========================


SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Një pamje filmike flet më shumë se 10 000 fjalë!

DOKUMENTARI "LUGINA E DHEMBJES DHE SHPRESËS"


Në vijim ju ftojë të shikoni filmin e parë Dokumentar "Lugina e Dhembjes dhe Shpresës" të përgatitur nga gazetarja Dijana Toska. Premiera e këtij dokumentari është shfaqur, më 24 Mars 2000 në RTK, në 1 vjetorin e bombardimeve të NATO's. Në vitet vijuese filmi u shfaq edhe në disa Festivale Ndërkombëtare të Filmit.



................................................................


(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org sh.b)


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks