SHKRIMI
e shtunë, 24 gusht 2019

PROF.MURAT GECAJ: SYNIMI I SERBISË ISHTE ZHDUKJA E IDENTITETIT TONË KOMBËTAR!?

Tiranë, 1 prill 2019: (Fakte e meditime, nga Gjakova )

...Mjaft episode e ngjarje, më vijnë ndërmend ndërsa udhëtojmë nga Deçani në drejtim të qytetit historik të Gjakovës. Ky qytet, vërtet, meriton një përmendore lavdie, pasi është larë ndër mote "me kova gjaku" të bijve e bijave të tij, ndër më të mirët, për t'i mbrojtur të paprekura: tokën dhe traditat më të qenësishme të tij, të simboleve të shenjta kombëtare, të cilat kanë qenë kurdoherë objekt i synimeve e shkatërrimeve të armiqëve pushtues. Kjo gjë u vërejt dukshëm edhe në luftën e fundit, kundër pushtuesve serbë, në vitet 1998-1999, të mbarë kosovarëve për pavarësi e liri.


Rrugës për në Gjakovë, drejtuesi i mjetit, Qerim Pepshi, në shtëpinë e të cilit kishim shkuar të ftuar me bashkëshorten, më tregon fshatin Carabreg i Epërm, i cili është djegur e shkatërruar pa masë nga serbët. Pastaj vjen ura mbi lumin Bistricë. Në të dyja anët, shtrihen fusha të minuara nga serbët. Specialistët anti-minë e paralajmërojnë popullatën për t'u mbrojtur prej tyre: me anën e shigjetave, shiritave të kuq apo tabelave me mbishkrimet: "Mina!", "Ruajuni nga minat!" etj. Zona e minuar këtu është si një shirit i madh, që zbret që lart, nga fshati Voksh dhe zbret në Drenoc e Lloqan e vazhdon fushës, në të majtë, për në fshtarat e tjerë të krahinës: Prelep, Irzniq, Gllogjan e Jabllanicë dhe shtrihet deri në zonën martire të Drenicës. Në Prelep bie në sy dëmtimi masiv i shtëpive të fshatarëve nga granatimet serbe dhe, më pas, nga djegia e tyre e pamëshirshme. Për të kuptuar se sa të mëdha janë dëmtimet, shihet mirë nga grumbujt e mëdhenj të mbteturinave, që hiqen nga buldozerët e makinat disatonëshe. Ndërsa tani, pas luftës, pothuajse të gjitha shtëpitë po rindërtohen nga themeli.



Në të djathtë, rruga të çon për në Junik, kurse majtas shtrihet fshati Rostovicë. Gjelbërimi i pafund lejon vetëm të shikosh çatite e kuqe të shtëpive të padëmtuara ose të atyre, që janë ngritur të reja tani, pasi edhe këtu dëmtimet e tyre ishin masive. Më tej, afër 500 m larg, po majtas për në Baballoq, shtrihen dhjetëra shtëpi të njëllojta në një lagje, ku kanë banuar refugjatët e ardhur nga Vraka. Tani aty janë vendosur kryesisht familje të dëshmorëve, pjesëtarëve të UÇK-së ose me mundësi të pakta ekonomike. Si në shumë pika të akseve rrugore në Kosovë, para na del një postbllok i ushtarëve italianë të KFOR-it. Përshëndetemi me ta dhe japin sinjalin për vazhdimin, pa probleme, të udhëtimit tonë. "Këta janë më të mirë e më të sjellshëm"-pohon Qerimi. Kur kalojmë afër fshatit Hereq, shohim tej në horizont Sukën e Hereqit, aq e njohur në luftërat e shqiptarave kundër pushtuesve të huaj, pra dhe në këtë të viteve të fundit...

Majtas, lëmë pas fshatin Dujakë, ku duket mirë ndërtesa e shkollës 8-vjeçare dhe djathtas, fshatin Plangçor. Duke kaluar përmes fshatit Skivjan, shohim rrënojat e një shtëpie të madhe, që e dogjën pas luftës. Para se të hyjmë në Gjakovë, shohim fabrikën e frutave, që u bombardua gjatë luftës nga NATO-ja, pasi aty ishin fshehur forcat ushtarake serbe. Sa keq të vjen, për këtë dëm ekonomik! Por lufta i ka këto. Gjithashtu, shohin ndërtesat e mëdha të Kombinatit të Tekstileve "Emin Duraku", ku ende nuk ka nisur puna...

Për të shkuar në Çarshinë e Vjetër, na u desh të kalojmë rrugicë më rrugicë me makinën tonë. Ndodhi kështu, pasi po bëhej gati një manifestim proteste në qendër të qytetit, për të sensibilizuar opinionin e brendshëm e të jashtëm ndërkombëtar, që të gjinden të zhdukurit dhe të lirohen të burgosurit politikë. Demonstrata të tilla, pamë që u zhvilluan shpesh, me të drejtë edhe në qytete tjera e në fshatra të ndryshme të Kosovës.

Sa herë e kam parë, në fotografi a filma dokumentarë, këtë pjesë karakteristike të Gjakovës, e cila i ngjan Shkodrës, Elbasanit a Beratit të vjetër. Janë ruajtur e janë restauruar me kujdes ndër mote: shtëpitë e banimit, dyqanet, pikat e punimeve zejtare, objeket e kultit, ndërtesat historike etj. Ndërsa gjatë luftës, agresorët serbë u futën tinzisht, si gjarpërinj helmues a bolla, nëpër këto rrugica dhe nga goja vollën zjarr. Flakët morën dyshemetë, dyert e dritaret, çatitë...Se ata mendonin, me djallëzi, që kështu nuk do të lenin gjurmë pa zhdukur, të identitetit kombëtar të shqiptarëve! Sigurisht, kjo ishte vetëm një utupi. Tani, ne bëhemi dëshmitarë të faktit se ndërtesat karakteristike, të të gjitha llojeve në Çarshinë e Vjetër, po riparohen ose rindërtohen, duke u bërë ashtu siç kanë qenë ose më të bukura. Ndërsa unë, me apratin fotografik, mundohem të fikësoj gjurmët e shkatërrimit të atyre barbarëve.

Këtu shohim dhe ndërtesën e Shkollës së Lartë Pedagogjike "Bajram Curri", e cila ka dhnë e po jep një ndihmesë të çmuar si vatër e përgatitjes së brezave të rinj të mësimdhënësve për shkollat shqipe në Kosovë. Janë të shumtë pedagogët e përkushtuar të saj, studiues dhe botues të disa librave me vlerë. Në afërsi, ndalemi para një Përmendoreje të rrëzuar. U kushtohej luftërave shumëshekullore të popullit tonë, për liri e pavarësi. Serbët e kishin granatuar si sadistë dhe e kishin hedhur poshtë. Por ata qëlluan pa mëshirë e me urrejtje të papërmbajtur dhe mbi minaren e Xhamisë së vjetër, që e këputën mëdyshë!

Me egërsi, serbët u përpoqën të digjnin e të shkatërronin çdo gjë të traditës shqiptare edhe nëpër fshatra. Këto ditë kam parë, psh, në zonën e Junikut, kulla të bukura karakteristike, të punuara me gurë e me dru të zgjedhur etj. Këto monumente historike të arkitekturës popullore shqiptare, i kanë djegur dhe shkatërruar me egërsi vandalët serbë. Po sa puna artistike, mendja e djersa, duhen që të kthehen në origjinalitetin e tyre! Fotografova ndonjërën prej këtyre kullave, ashtu të dëmtuar. Por, mendoj se me këtë veprimtari kërkohet të merren studiues e specialistë të fushave të: historisë, arkitekturës, etnografisë etj., fotografë e operatorë, piktorë e skulptorë të afirmuar. Se kemi patur humbje të pallogaritshme nga traditat tona materiale. Por, me gjithë vështirësitë e ndryshme, ekonomike etj., mund e duhet të vihën në vendin e vet, sa më shpejt, të jetë e mundur.

Në këtë pjesë të Gjakovës shohim dhe shtëpitë e Abdulla pashë Drenit e të Sulejman Vokshit. Janë figura të shquara të historisë sonë kombëtare. Prandaj përulemi me respekt të thellë para jetës dhe veprës së tyre. Rastësisht, këtu takoj studiuesin Nesim Vala, gjeograf veteran, me të cilin bëjmë një fotografi pranë mureve të shtëpisë së S. Vokshit. Ai më pyet për disa kolegë e të njohur të tij: prof. Bedri Dedja e prof. Nuri Abdiu, si dhe kujton me nderim prof. Shaban Baxhakun e prof. Vehbi Balën, që tani nuk jetojnë. Sapo kalojmë urën, fiksoj dhe një varr të vjetër: atë të Mehmet Ali pashës ose Maxharr pashës, siç e njohu populli. E vranë, pikërisht në këtë vend, më 6 shtator 1878. Secili shqiptar, instiktivisht edhe këtu mendon: "Kështu do t'i lenë kockat, të gjithë pushtuesit!..."....

Takojmë dhe mësuesin veteran Bajram Alaj, i cili shprehet: "Vezët a gështenjat, në prushin e tangarit, të parët ia kanë futë serbit, arsimtarët shqiptarë. Pra, "pushkën" e parë kundër pushtuesve serbë e kanë "zbrazë" mësuesit tanë. Nuk thonë kot: fjala vret më shumë se plumbi! Në fletoret tona, ne e shkruanim ditarin, sipas plan-programeve serbe; ndërsa ndryshe ua shpjegonim nxënësve në klasë, pra me frymë atdhetare e vetëm me ndjenja kombëtare shqiptare. Populli ynë ka një fjalë të urtë:- Dy duar, për një krye janë! Qëndresa e parë, pasive dhe aktive, në çdo anë të Kosovës, e ka burimin e bardhë në mendjen dhe veprën e ndritur të arsimtarëve shqiptarë". Ndërsa baca Qerim, ia pret aty për aty: "Unë nuk shërbej në fushën e arsimit. Megjithatë, për mësuesit jam i gatshëm që të jap ndihmesën time dhe të sakrifikoj për ta, sipas mundësive të mia familjare....

Domethënëse është dhe fakti që, në përgjithësi, janë evidentuar të gjithë mësuesit e nxënësit, që u vranë, u burgosën ose që janë zhdukur gjatë luftës. Punonjësi i Drejtorisë së Arsimit dhe Shkëncës në komunën e Gjakovës, Zef Osmani, më dha emrat e punonjësve të fushës së arsimit, që janë vrarë gjatë luftës. Duke u përulur me nderim para kujtimit të tyre, po i rendis si më poshtë:

Mustaf Bobi, Jusuf Dafota, Neki Pula, Ali Beqa, Shahindre Hoxha, Dritan Zeneli, Daniell Berisha, Isuf Ahmeti(drejtor shkolle,Ponoshec), Rexhep Syla, Hysen Avdyli, Rexhep Sadiku, Hasan Osmani, Shyt Hasanaj, Pjetër Abazi, Hysen Arifi, Gaspër Karaqi, Ali Feraj (drejtor shkolle, Goden), Bashkim Osmani, Mehmet Osmanaj, Skënder Fatahu, Valbone Vejsa, Xhavit Fetahu, Gjokë Ndrecaj, Ali Hasi, Arsim Rama, Hajdin Haziri, Sadri Zeneli, Mustafë Abazi e Mark Malota. - I paharruar qoftë kujtimi i tyre!

Nga kjo komunë, janë të njohur edhe emrat e 21 nxënësve të vrarë gjatë luftës dhe 9 të zhdukurve. Gjithashtu, të zhdukur janë 24 arsimtarë; ndërsa të burgosur: 9 arsimtarë e 2 nxënës. Ja, ky është "bilanci" tragjik i genocidit të pamëshirshëm dhe të pashëmbullt serb, vetëm në zonën e Gjakovës, por i shumëfishuar në mbarë Kosovën! Shkolla shqipe ndjen dhimbje, por dhe krenari të ligjshme për martirët e saj...

... Në kthim, nga Gjakova për në Deçan, ne morëm djathtas, për në fshatin Baballoq. Në fundin e Sukës së Hereqit janë Varrezat e Dëshmorëve, mbuluar plot me lule shumëngjyrëshe. Aty valëvitet krenar Flamuri ynë Kombëtar, i cili ua shton lavdinë të rënëve. Përulemi me nderim të thellë, para kujtimit të tyre të paharruar. Përmes gjelbërimit të pafund të këtyre fshatrave, në horizont shohim Bjeshkët e Nemuna: Rrasën e Zogit, Bjeshkën e Gjerovicës, Majën e Strellcit. Shihet dhe fshati Koshare, legjendë e gjallë e luftës për liri e pavarësi. NË PRILL TË VITIT 1999, atje u zhvillua beteja madhështore e forcave shqiptare, e cila bëri të mundur që të zbrapseshin në vijë fronti, prej disa km, agresorët serbë, të përqëndruar në kufirin me Shqipërinë. Ndodhi ajo, që do të përkujtohet kurdoherë në historinë tonë të bashkimit: U morën postat kufitare serbe, nga forcat tona dhe u hoqën përgjithnjë gurët e ndarjes: të rëndë, shekullorë...Kështu: RA MURI I "BERLINIT" SHQIPTAR! Deri në Junik e më tej, nuk u pa më këmbë armiku. Prandaj, sivjet, pas një viti aty u bë festë e bukur popullore përkujtimore. Me siguri, kjo ngjarje do të marrë përherë e më tëpër përmasa më të mëdha. Se gjithë ajo ish-zonë kufitare u la me gjakun e sa e sa djemëve trima, nga Kosova e Shqipëria. Aty ranë mbi 120 trima luftëtarë, në kujtim të të cilëve lartësohen lapidarë të bardhë, me grumbuj lulesh-simbole të mirënjohjes mbarëshqiptare.

Sapo lemë prapa fshatin Baballoq, ndalemi pak në fshatin Dubravë. Këtu shohim pikën për trajnimin e njerëzve, në luftën anti-mina, si dhe mjetet speciale për këtë aksion sa human, aq të rrezikshëm. Ndërkaq, më kujtohen ato që më tregonte këto ditë kolegu e miku im, nga Zogajt e Malësisë së Gjakovës, Ibrahim Hajdarmataj. Ai është arsimtar, por dhe veprimtar i dalluar i shoqatës anti-minë "Kerri", me qendër në Kukës. Ja, faktet që ai më dëshmoi: "Në fshtrat e brezit kufitar të rrethit tonë, kanë mbetur në mina 25 veta dhe janë plagosur mbi 90 të tjerë, 23 prej të cilëve fëmijë e nxënës. Ndër të plagosurit, ka nga ata që kanë humbur dorë, këmbë ose sy, duke mbetur të gjëmtuar për gjithë jetën. Pushtuesit serbë arritën ta minonin gjithë brezin kufitar të rretheve Kukës, Has e Tropojë, deri 1 km në brendësi të tokës sonë. Dëmtime të mëdha janë shkaktuar edhe në ekonomi. Kështu, u prishën afër 20 % e shtëpive të brezit kufitar. Nga shkaku i minimit të tokës, kanë mbetur pa u shfrytëzuar livadhet për barë, pyjet për dushk e dru. Vështirësi janë krijuar për sigurimin e ujit të pishëm dhe për ujitjen e tokave të punushme, në kalimin normal nga një fshat në tjetrin. Për të përballuar këtë situatë, ka dhënë ndihma Kryqi i Kuq: në ushqime, ilaçe etj."

Duke menduar për këto pasoja nga minat, si në Kosovë e në Shqipëri, në të hyrë të fshatit Gllogjan, aq i dëgjuar për luftën dhe qëndresën antiserbe, pak djathtas shohim një shtëpi, ku valëvitet Flamuri Kombëtar. "Aty jeton babai i komandantit legjendar të Zonës së 3-të Operative të Rrafshit të Dukagjinit, Ramush Hajredinaj",-më shpjegon Qerimi. Ndërkaq, përpiqem të kaloj në kujtesë episode nga libri, në formë interviste, shkruar nga Bardh Hamzaj. Ai mban titullin "Rrëfim për luftën dhe lirinë" (Dialog me komandantin Ramush Hajradinaj), të cilin e kisha lexuar që në Shqipëri. Por është e shpjegueshme se përse tani ato, që përshkruhen në atë botim, më duken më të afërta dhe më "të kapshme". Kjo sepse po njihem me fshatrat e vendet, ku janë zhvilluar luftime të përgjakshme kundër armikut, aty ku janë provuar shija e ëmbël e fitores, nga kosovarët dhe shija aq e hidhur e humbjes, nga pushtuesit serbë. Pavarësisht nga subjektivizmi, që mbartin botime të tilla, libri në fjalë mendoj se është mjaft interesant. Vlera e tij lidhet me dokumentimin e ngjarjeve tragjike e heroike dhe të luftës titanike, që përjetoi gjoksi-çelik i shqiptarëve të Kosovës, i përballur me agresionin barbar të Serbisë së militarizuar, deri në dhëmbë. Me pak fjalë, është një libër që lexohet me kureshtje, sepse u kushtohet: luftës, fitores së merituar dhe paqes, që e dëshirojnë aq shumë popujt, pra dhe shqiptarët liridashës e krenarë.



Ilustrimet: © Pashtriku.org


Siç është tashmë e njohur, sulmi i parë serb mbi fshatin Gllogjan u bë më 24 mars 1998. Atë ditë u vra një polic serb dhe pastaj u ndërmor një ofensivë e madhe policore e ushtarake ndaj këtij fshati të pambrojtur. Atë ditë ranë tre dëshmorët e parë të UÇK-së, e cila po konsolidohej si shpresë për popullin dhe tmerr për armikun pushtues. Në një kodër të vogël të Gllogjanit, janë varret e 22 dëshmorëve të lirisë, pjesëtarë të UÇK-së. Aty, përballë më tërheq vëmendjen një shtëpi, ku ka të stolisur në ballë Flamurin Kombëtar, me një shqiponjë të madhe. "Në kohën e sundimit serb,- sqaron Qerimi,- i zoti i shtëpisë u detyrua ta mbulonte me llaç!" Ndërsa tani, ja edhe aty, Shqiponja fluturon e lirë e krenare...”.

Kalojmë nëpër fshatin Irzniq, ku bien në sy djegie e shkatërrime të mëdha nga lufta. Por kudo njerëzit punojnë dhe ndjehen të lumtur e krenarë, se janë të lirë nga "shkjau". Dalim përsëri në rrugën për në Prelep dhe arrijmë në Deçan. Ky, tashmë, më ngjan si një vend-lindje e dytë”.

(Pjesë nga kapitulli IV, i librit me autor M.Gecaj, “Si e pashë unë Kosovën”, Tiranë, 2000)


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks