SHKRIMI
e diel, 20 shtator 2020

MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA - DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (72)

Pashtriku, 17 shtator 2020:

8.1.11 Pjesë nga shënimet e Rexhep Malajt në “Qëndresa”

“...Ishte dimër i ftohtë, kur një mëngjes herët, policët, si lukuni ujqish, kishin rrethuar shtëpinë time. Ishin të armatosur me pushkë automatike. Kishin zënë pozicione luftarake, të gatshëm për të shtënë në ne, në lëvizjen më të vogël. Që të gjithë qemë në gjumë, kur pa pritur filluan të kërcasin në derë, u mëshonin atyre sa mundnin me duar dhe ma shqelma. Nuk prisnin as të vishemi. Posa u çelën dyert, u vërsulën si bisha të çartura dhe me armë të gatshme na shpërndanë nëpër dhoma...Më futën në një makinë të policisë, para dhe prapa së cilës kishte makina të tjera përplot policë të armatosur...


Një polic, që të nesërmen do të mësoja se ishte hetuesi im kryesor, kur hyri brenda më pyeti: “Ti je Kushtrim Guri, a?” Po, i thashë. Duke u zgërdhirë si qen më tha: “Nëna në shtëpi e bën miellin bukë, e ne atë bukë e bëjmë miell! Mbaje mend këtë!”...Siç mësova më vonë ky ishte gjakpirësi Asllan Sllamniku. ...më dërguan në birucë, siç i thonë ndryshe qelisë. Aty s’kishte asgjë tjetër veç një teneqeje me ujë dhe një qypi që quhej “kibëll”e që shërbente në vend të një WC-je. Gardiani më çoi në qoshe të korridorit, ku ishin dy dyshekë të vegjël të shqyer e të ndyrë sa s’bëhet. Vetëm emri dyshek u kishte mbetur. Ishin edhe të përgjakur, sigurisht nga ndonjë i burgosur i torturuar. Kishte edhe dy batanije të grisura, të pluhurosura dhe të fëlliqura. Edhe këto ishin të gjakosura...

Qelia ku më futën ishte e vogël, aq sa nuk mund t’i shtrija këmbët sa duhet. Tavani ishte i ulët saqë kur ngrihesha e prekja edhe me dorë. Gjatësia e mureve nuk ishte e rregullt, sepse burgu ishte në formë rrethi. Tri të katërtat e rrethit ishin burg, ndërsa pjesa tjetër e përbënte ndërtesa e UDB-së, një ndërtesë trekatëshe, mbi njëqind metra e gjatë. As lartësia u mureve të burgut nuk ishte e njëjtë, pasi që nuk kishte kulm, por një pllakë të pjerrët plumbi e betoni. Dritarja ishte shumë e vogël. Nga jashtë kishte një xham tjetër të trashë e të errët, të larguar nga muri prej 25-30 cm. Nga fundi i kësaj plase mund të shihje pakëz qiellin, por kurrë diellin. Kuptohet, në mes të dy dritareve ishin grilat e hekurta. Me hekur e beton ishin edhe muret dhe tavani. Bënte ftohtë sa s’ka. Qelia kundërmonte erë qelbësire. Aty kishte insekte të vogla dhe të mëdha aq shumë sa kurrë s’mund t’i zhdukje. U mbështolla me të dyja batanijet, por të ftohtit më kishte hyrë në palcë. ...Pra, gjatë ditës duhej të ulesha në dërrasat e kalbura të qelisë, që ishin të ftohta sa s’bëhet, pasi që nën to kishte beton. Dritarja nuk mbyllej sa duhej dhe binte nga veriu. Mund të merret me mend se çfarë të ftohi bënte. Në mur ishte e varur një letër. Ky ishte “Rendi shtëpiak” i burgut, ku ishin edhe “të drejtat” që i takonin të burgosurit. Çfarë ironie! Më vonë do të provoj me mijëra herë se ky ishte vetëm një formalitet cinik, sepse në praktikë i burgosuri nuk kishte kurrfarë të drejtash, sidomos i burgosuri politik, i cili ishte nën mbikëqyrjen e përhershme të policisë politike, pa lejen e së cilës nuk i jepej as ujë. Pas pak ma sollën “mëngjesin”. Po çfarë mëngjesi se. Vetëm ujë të nxehtë, të turbullt nga kafeja. S’kishte kurrfarë shije, s’kishte as sheqer. E shijova, por u detyrova ta derdh në qyp-kibëll. Bukë në mëngjes nuk jepnin. Vetëm në darkë të sillnin një gjysmë buke dhe ti haje kur të duash gjatë 24 orëve!

Filluan hetimet... Ia filluan, pra, me kërcënime e me të rëna që unë të flisja nga frika, dhe ata të kryenin shpejtë punë me mua... Në përgjigjen time të parë “nuk di”, kërciti grushti në barkun tim, më ranë me shqelm, filloi njëri të më bjerë duarve e pastaj trupit. Pasi u lodh, punën e tij e vazhdoi tjetri. Nga të rënat fytyrës, m’u çanë buzët dhe më shpërtheu gjaku për hundë dhe për goje. Nuk më linin as të merrja frymë. Më çuan shpejt e shpejt në lokalet të më pastronin gjakun nga fytyra e rrobat dhe më kthyen prapë. Më rrëzuan në dysheme, më urdhëruan të zbathja këpucët dhe çorapët...Filluan të më binin në shputat e këmbëve sa mundnin. Njëri më mbante për krahësh e tjetri kishte hipur mbi mua dhe godiste me tërë fuqinë e tij shputave të këmbëve të mia. Kjo ishte edhe për ata një punë e vështirë fizike, edhe pse e bënin me ëndje të posaçme. Lodheshin dhe shkumëzonin si kuajt. Po ata kishin një përparësi, sepse sa lodhej njëri, menjëherë e zëvendësonte tjetri, dhe kështu me radhë. Në dy mënyra më goditnin shputave. Ndonjëri më binte vetëm në njërën këmbë nga 15-20 “kërbaçë” e pastaj po aq në tjetrën, e prapë këmbës tjetër dhe kështu gjersa lodheshin... Kohë pas kohe, e sidomos kur e ndienin vetën të lodhur më urdhëronin të ngrihesha dhe të shëtisja nëpër dhomë. Ishin këto mundime të mëdha të ecësh me shputa të ënjtura e të goditura pa mëshirë sikur të ishin cunga me mish njeriu! Kur nuk ngrihesha, më ngrinin me shqelma e me kërbaç. Dhe prapë në fallak. Prapë shëtitje nëpër dhomë, të rëna duarve me “pendrek”, të rëna të forta me të dy duart në veshë përnjëherë, nga të cilat edhe sot më dhëmbin veshët...Tërë trupin e kisha të dërmuar nga grushtet dhe kërbaçi. Këmbët më dhembnin si drita e syrit. Ishin ënjtur aq shumë as këpucët nuk mbatheshin dot... Më tepër se një muaj më merrnin në pyetje dy here në ditë, para dite dhe në mbrëmje, pos të dielave, që me gëzim i prisja për pushim... Tërë kohën sa më mbanin në kthinat e UDB-së, 8 deri 12 orë në ditë, kurrë s’më linin të ulesha në karrige as të mbështetesha për muri. Më ulnin në një karrige vetëm atëherë kur ma fusnin lapsin me zor në dorë dhe më urdhëronin që të shkruaja për gjërat që s’i kisha parë as në ëndërr. Kur më ulnin në karrige më rrinin një para, një prapa shpine dhe dy anash. “Shkruaj!”, - më bërtisnin, dhe posa përgjigjesha – s’kam çka të shkruaj, - më kërcitnin grushtet, shuplakat, pendrekët dhe shqelmat nga të gjitha anët. “Atëherë shkruaj për këto që po t’i themi ne!’, - gërvalleshin udbashët, dhe posa përgjigjesha se “ato nuk janë të vërteta”, - më binin me tërë fuqinë me kërbaç duarve të cilat më parë m’i shtrinin në tavolinë...

Kur kërkoja të më shihte dhe të më kontrollonte mjeku, refuzonin si të tmerruar. Kur më torturonin e linin derën pakëz çelë. Në fillim nuk e dija pse, por më vonë e kuptova; donin që torturimin ta dëgjonin edhe të burgosurit tjerë në lokalet e UDB-së. Na torturonin me radhë. Kështu, gjersa torturohej njëri, të tjerët merreshin në pyetje nga ndonjë udbash, kuptohet edhe dyert e tyre ishin pakëz të çelura që të dëgjonin të rënat e shuplakave, të grushteve e kërbaçëve dhe britma e atij që torturohej. Të gjithë hetuesit dhe policët e tjerë, gjashtë-shtatë veta, ishin në dhomën ku torturohej i burgosuri, dhe të gjithë me radhë ose bashkërisht merrnin pjesë në torturim. Të burgosurve të tjerë u mbetej që të dëgjonin dhe të prisnin secili radhën e tij. Nuk kishte gjë më prekëse e më trishtuese sesa kur dëgjoheshin gjëmat e shokëve. Dhe kështu shkonin prej një të burgosuri te tjetri duke shfryrë ndjenjat shtazarake dhe gjithë mllefin e tyre mbi ne...

Edhe disa gardianë të burgut famëkeq të Prishtinës ishin të zgjedhur dhe të ushtruar për trajtim brutal të të burgosurve politikë. Në orët e vona të një nate, kur më kthyen nga torturimet, nuk isha në gjendje t’i kapja me duar batanijet dhe i thashë gardianit, një djalë i ri si unë që më çonte në qeli, të m’i hidhte “çebet” në duar, sepse vetë s’kisha mundësi t’i kapje, pasi gishtat m’i kishin shtypur ndër tortura. “Merri vetë!”,- m’u përgjigj ai. Duke mbledhur forcat e fundit mezi i tërhoqa batanijet dhe i futa disi në qeli..

Përveç torturave fizike, UDB-ja përdorte edhe torturimin psikik. Më shanin, më fyenin, më kërcënonin se do të më mbysnin, më pështynin, më përbuznin, më kërcënonin me burgosjen e anëtarëve të shtëpisë, me largimin prej pune të tyre që punonin, me konfiskimin e pasurisë...

Merrni me mend, një muaj e gjysmë pa e parë qiellin me sy, pa thithur kurrë ajër të pastër...

Për ne vlente Ligji i plotfuqishëm i UDB-së fashiste jugosllave, e cila na ndalonte edhe të drejtën më elementare të të burgosurve. Qëllimi kryesor i tyre ishte që në mungesë të shtypit të përditshëm ne të shkëputeshim nga rrjedha e jetës jashtë burgut dhe të ishim jashtë çdo zhvillimi të ngjarjeve. Pastaj, në mungesë të angazhimit të mendjes në qeli, nuk do të na mbetej tjetër veçse të mendonim për ato gjëra që na kërkonte UDB-ja, dhe të mendonim veçanërisht për torturat që na i bënin dhe do të na i bënin akoma. Duke mos gjetur kurrfarë ushqimi shpirtëror as në shtypin, që nuk na e lejoni, as në librat, që nuk na jepnin, ata mendonin se në fund të fundit nga torturat e vazhdueshme në UDB dhe nga vetmia totale në qeli, do të na thyenin...Pa shëtitje dhe pa literaturë e gazeta, pa asnjë njeri në qeli për të këmbyer ndonjë fjalë dhe nën presionin e përhershëm të torturave më shtazarake, ishte bukur vështirë të përballojë njeriu, por, të merremi vesh, nuk ishte punë që s’bëhet, sepse njeriu i fortë me besimin e patundur në idealin e tij, i përballon të gjitha.

Ngaqë isha i sëmurë nga torturat, kërkoja të më kontrollonte mjeku. Po më këqyrte vetëm mjeku i burgut, të cilin të burgosurit me të drejtë e quanin veterinar. Për të, të gjithë të burgosurit, ishin të shëndoshë, sidomos ne, të burgosurit politikë shqiptarë, që torturoheshim me muaj të tërë nga disa herë në ditë. Me mundime të mëdha ecja, sepse shputat i kisha të shtypura e të dërmuara nga torturat e përditshme. Kur kërkoja të më sillnin mjekun nga jashtë, me shpenzimet e mia, tërboheshin fare. Më thoshin se nuk kisha kurrfarë nevoje për tjetër mjek, për derisa ata e kishin mjekun e burgut për ne, e mbi të gjitha se unë isha i shëndoshë, e nëse doja mjek tjetër duhej të prisja gjersa të dilja nga burgu...

Kur isha në qeli, s’kisha ditë të mos këndoja. Kjo ishte rreptësisht e ndaluar. Por a mund të ndalte kush zemrën që të këndonte?... I këndoja popullit tim, heronjve të tij legjendarë…U këndoja dëshmorëve të rënë për liri. I këndoja qëndresës dhe mospërkuljes shekullore të popullit tim” (1).

8.1.12 Pjesë nga ”Disa udhëzime për konspiracionin”, botuar te GMLK “Materiale”, 1978

“...Pa një ilegalitet dhe konspiracion të thellë ne nuk mund të zhvillojmë me sukses veprimtari revolucionare dhe të ecim përpara...

Shokët, materialet dhe sekretet e Grupit nuk duhet t’i dijë askush jashtë Grupit. Shokët e celulës dhe lidhjet me ta nuk u tregohen as shokëve të radhëve. Anëtarët e Grupit me asnjë pretekst nuk duhet të banojnë, të shoqërohen dhe shëtisin së bashku (me përjashtim kur janë anëtarë familjeje). Ata nuk duhet as të përshëndesin njëri-tjetrin në rrugë e vende të tjera publike. Shokët e radhëve tona nuk duhet të dallohen në rrethin e tyre me veshje, simbole, fotografi etj. Në banesë nuk duhet të mbahen materiale, rrobe e dokumente të shokëve. Librat dhe materialet tjera konspirative nuk mbahen në shtëpi... Bartja e materialeve, teknikës dhe librave duhet të bëhet me kujdes të madh. Materialet tona në asnjë mënyrë nuk duhet të bien në dorë të armikut.

Çdo militant duhet të jetë propagandist dhe agjitator i zellshëm, por duhet kujdesur që gjatë kësaj pune të mos thyhet konspiracioni.

Shpërndarja e librave të ndaluar shokëve, kandidatëve për Grup të bëhet me kujdes dhe vetëm në katër sy, duke i udhëzuar ata që më parë për kujdesin dhe fshehjen e tyre. Kujdes shumë të madh duhet të tregohet gjatë zgjerimit. Të mos lejomë kurrsesi që në radhët tona të futen gjithfarë shokësh. Me vigjilencën tonë revolucionare t’ia bëjmë të pamundur armikut depërtimin agjenturial në Grupin tonë.

Lidhjet mes shokëve mbahen në fshehtësinë më të madhe. Përdorimi i pseudonimeve, shenjave dhe epiteteve është nevojë e domosdoshme. Letrat e dërguara në postë mund të lexohen, ndërsa bisedat telefonike mund të përgjohen. Që të mos vijë gjer te shkëputja, lidhjet duhet të caktohen qartë dhe me kohë. Lidhjet me shokët e rrezikuar, të burgosur, ose familjet e tyre të mbahen në siguri të plotë, ndryshe të mos mbahen fare.

Çdo shok duhet të sigurojë vend për strehimin e tij apo të shokëve në rast nevoje për kalim në ilegalitet.

Takimet mes shokëve bëhen në fshehtësinë më të madhe. Takimet caktohen me kohë, në vend të përshtatshëm dhe në kohë të saktë. Vendin dhe kohën e takimit duhet ta dinë vetëm shokët që takohen. Kur është e nevojshme, të caktohen edhe shenja e parulla. Kur shkohet në takim është e nevojshme të manovrohet me qëllim të konstatimit të përcjelljes dhe nëse kjo hetohet t’i iket me çdo kusht syrit të armikut. Pritja e gjatë në vendtakim sjell rreziqe të shumta.

Mbledhjet duhet të mbahen në vend konspirativ dhe në fshehtësinë më të madhe. Nuk është mirë që disa celula të bëjnë mbledhje në të njëjtin vend dhe mbledhjet e një celule të bëhen në të njëjtin vend. Në mbledhje duhet diskutuar me zë të ulët, në mënyrë që të mos dëgjohet jashtë. Për këtë qëllim është mirë të lëshohet muzikë. Mbledhjet duhet të jenë sa më efektive. Çdo zgjatje e panevojshme e tyre sjell rreziqe të shumta. Gjatë mbajtjes së mbledhjes duhet mbajtur të gatshme mjetet për asgjësimin e materialeve sekrete dhe shënimeve. Ato duhet të digjen dhe hiri të mos mund të lexohet. Që të mos kemi befasi, pranë duhet mbajtur armët, ndërsa dyert e dhomës ku mbahet mbledhja duhet të jenë të mbyllura.

Mbledhjet duhet të maskohen si ndeja gazmore, lojë shahu, letrash etj. Qysh më parë duhet të caktohet arsyeja e ardhjes së secilit, të njohjes, lidhjeve etj.

Në rast rrethimi, të jemi të gatshëm për arratisje, madje duke çarë edhe rrethimin. Vigjilentë dhe të kujdesshëm duhet të jemi edhe gjatë kryerjes së aksioneve. Aksioni duhet të bëhet vetëm pasi të jenë bërë plani detal dhe studimet e nevojshme dhe pasi të jetë marrë vendim për të në celulë. Aksione të mëdha dhe të rëndësishme duhet bërë me pëlqimin e udhëheqjes së Grupit. Pas kryerjes së aksionit nuk duhen dekonspiruar para askujt shokët që e kanë kryer atë.

Në aksion duhet të shkohet të armatosur të maskuar dhe të gatshëm për çdo situatë. Me vete duhet të merren të gjitha mjetet e nevojshme. Gjithë puna duhet të behët me kujdesin më të madh, duke përdorë doreza, mbathje dhe veshje të posaçme për aksion, mjete maskuese etj., dhe duke mos lënë asnjë gjurmë identifikuese. Ruajtja e gjakftohtësisë në aksion ka një rëndësi të madhe. Me qëndrim të qetë dhe të natyrshëm mund të mashtrosh edhe agjentët policorë, ndërsa me sjellje të panatyrshme u tërheq vëmendjen edhe kalimtarëve të rastit. Gjakftohtësia duhet ruajtur sidomos në rast ndeshjeje me armikun. Atëherë, kujdesin më të madh duhet t’i kushtojmë mbrojtjes së shokëve dhe sekreteve. Tërheqja duhet të bëhet e organizuar dhe sipas planit të hartuar.

Për çdo aksion është mirë të zgjidhet një shok që ta udhëheqë atë.

Respektimi rigoroz i rregullave të konspiracionit zvogëlon shumë rrezikun e arrestimit, por megjithatë arrestimi mund të bëhet si pasojë e lëshimeve të ndryshme në të kaluarën, kontrollimeve, burgosjeve masive etj. Në rast të tillë detyra jonë është të ruajmë qetësinë dhe gjakftohtësinë. Aty për aty të asgjësojmë materialet konspirative që mund t’i kemi pasur në dorë dhe të asgjësojmë edhe hirin.

Nëse është e mundshme të bëhen përpjekje për arratisje, ndërsa nëse kjo është e pamundur dhe në dhomë gjenden materiale sekrete, duhet bërë gjithçka, të përdoren edhe armët, por kurrsesi të mos lejohet që materialet tona të bien në dorë të armikut.

Nëse në shtëpi nuk kemi asgjë komprometuese duhet ta presim të qetë kontrollimin, duke i bindur agjentët policorë se jemi të ‘pafajshëm’. Edhe po qe se kemi diçka të fshehur në dhomë, duhet ta ruajmë qetësinë, ndryshe mund të tregojmë vendin vetëm me shprehje të fytyrës.

Gjatë arrestimit duhet të qëndrojmë si revolucionarë, krenarë, ballëlartë dhe pa shqetësimin e frikën më të vogël. Por duhet të kemi kujdes që të mos humbasim kontrollin pa nevojë dhe të bëjmë veprime të pamatura dhe të nxituara.

Arrestimin dhe hetimet armiku i bën me qëllim që të zbulojë dhe të asgjësojë veprimtarinë e Grupit tonë. Për të dobësuar qëndresën dhe moralin tonë ai nuk lë gur pa lëvizur, nuk lë mjet dhe metodë pa përdorur, që nga mundimet dhe torturat më çnjerëzore e deri te kurthet, lajkat dhe intrigat më të poshtra. Por të gjitha këto janë të kota para qëndresës dhe vendosmërisë sonë. Ne jemi betuar se do të mbrojmë me gjakun tonë shokët e sekretet dhe këtë betim nuk do ta shkelim kurrë…

Gjyqet revizioniste s’janë gjë tjetër, pos mjete të klikës në fuqi për shtypjen e masave, andaj asnjë iluzion në to!...Gjyqet t’i shndërrojmë në arena lufte dhe tribuna për demaskimin e armikut, por kjo me maturi dhe pa dekonspirime. Në gjyq duhet të mbrojmë me vendosmëri çështjen tonë dhe shokët. Kështu tregojmë para popullit dhe armikut dashurinë e pakufishme që kemi për lirinë dhe për shokët, forcën e unitetit dhe të solidaritetit tonë….

Konspiracioni nuk duhet dobësuar as gjatë qëndrimit në burg…Puna në burg duhet të bëhet në ilegalitetin më të thellë. Kjo duhet t’i përshtatet kushteve konkrete të burgut… Pas lirimit nga burgu, njerëz të shumtë vijnë të të takojnë. Ky është rast i mirë për njohje dhe propagandë, por nuk duhet harruar se në mesin e tyre ka shumë armiq e provokatorë…” (2)

VIJON ...

________

Referenca:

1 Rexhep Malaj: Qëndresa, Gjilan, janar 2002

2 Disa udhëzime për konspiracionin, te GMLK “Materiale”,1978


_____________


MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA - DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (71)

http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10515


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks