SHKRIMI
e shtunë, 06 qershor 2020

SHERADIN BERISHA: KARIERA POLITIKE E KRYETARIT TË LDK'së, ISA MUSTAFA - GJATË REGJIMIT KOMUNIST (1980 - 1990) /Pjesa e pestë/

Pashtriku.org, 18. 12. 2014 - Gjatë muajve nëntor - dhjetor 1989 dhe Janar - mars 1990, në Kosovë mbretëronte gjendje e jashtëzakonshme, dhe përpjekja e regjimit pushtues serbë për të shkatërruar çdo gjë shqiptare tashmë kishte arritur kulmin e saj. Kjo situatë ishte e padurueshme për popullin shqiptar, prandaj edhe doli në rrugë për të demonstruar. Në këtë periudhë kohore u organizuan shumë demonstrata e tubime protestuese në ambiente të ndryshme, në qytete e fshatra të Kosovës, të cilat edhe pse ishin krejtësisht paqësore, ato u përgjakën nga njësitë speciale të policisë serbe dhe nga armata jugosllave. Vetëm gjatë muajit janar 1990 u vranë 28 shqiptarë, ndërsa u plagosën rreth 120 të tjerë. (Zëri i Kosovës, mars 1990)

Pas demonstratave të janarit - shkurtit 1990, në mars ngjarjet në Kosovë morën përmasa shqetësuse. Nxënësit serbë bashkë me prindërit dhe mësimdhënësit e tyre, të nxitur nga regjimi dhe shërbimi i sigurimit serb kërkuan që mësimin ta zhvillojnë vetëm në ndërrimin e paradites, me arsyetimin se janë të rrezikuar nga "separatistët dhe nacionalistët shqiptarë", si dhe kërkuan ndarjen e shkollave dhe të klasëve sipas përkatësisë kombëtare! Gjatë këtyre zhvillimeve u paraqitë edhe një dukuri tjetër e shëmtuar, heqja dhe thyerja e busteve të herojve tanë kombëtar nëpër oborret e shkollave, siç ndodhi heqja e bustit të Hivzi Sylejmanit nga oborri i gjimnazit në Fushë Kosovë, shkatërrimi dhe zhdukja e bustit të Shtjefën Gjeqovit nga oborri i gjimnazit në Klinë etj. Ndërkaq, provokimi tjetër më i rëndë që ndodhi nga 20 marsi - 20 prill 1990, ishte: helmimi i 7 200 nxënësve shqiptarë, të shkollave të mesme dhe fillore në Podujevë, Ferizaj, Prishtinë, Lipjan, Serbicë, Suharekë, Prizren, Vushtrri, Mitrovicë, Kamenicë, Viti, Klinë, Deçan, Kaçanik, Obiliq etj.



Pamje nga demonstrata e vitit 1990 në Prishtinë.


Në këtë situatë të rëndë, organet e dhunshmë të regjimit serbë të instaluar në Kosovë (në nëntor-dhjetor 1989), siç ishin: Komiteti Krahinor i Kosovës, Kryesia e KSA të Kosovës, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, organizata sindikale etj., në vend se t’i përkrahnin kërkesat e popullit shqiptarë: për liri, demokraci dhe barazi, dhe t’i zbulonin grupet kriminale serbe që helmuan nxënësit shqiptarë, nëpër takime partiake e tubime me qytetarët, kërkonin qetësi e tolerancë dhe për habi protestat e qeta i vlerësonin si "nacionaliste" e me prapavijë armiqësore, madje zotoheshin se nuk do gjunjëzohen para nacionalistëve dhe seperatistëve shqiptarë dhe as nuk do t’i tradhtojnë përcaktimet ideore të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ’së), frytet e revolucionit dhe të vëllazërim - bashkimit! etj.etj. Kjo specie komuniste në Kosovë, përbetohet në programin dhe idetë e LKJ’së, në atë LKJ e cila ishte shpërbërë më 22 janar 1990 në Kongresin e saj të XIV'të, pasi që delegatët e Sllovenisë dhe të Kroacisë e kishin braktisur kongresin!

RRAHMAN MORINA - KUNDËR SEPERATISTËVE SHQIPTARË DHE MBROJTËS I "VËLLAZËRIM BASHKIMIT"!!

Në mbledhjen e kryesisë së KK të LK të Kosovës lidhur me ngjarjet e zhvilluara në Prishtinë, më 23 - 24 janar 1990, kryetari i KK'së Rrahman Morina, bëri thirrje që: "Të mos gjunjëzohemi para manipulimeve e spekulimeve të ndryshme nacionaliste, por vendosmërisht të mbrojmë vëllazërim - bashkimin, përbashkësinë dhe barazinë e të gjitha kombeve e të kombësive në Kosovë." Ndërkaq "Programi dhe idetë tona janë përcaktimet aktuale të LKJ’së dhe të organeve të saja. Ne nuk do t’i tradhtojmë këto ide, sepse mendojmë se kjo do të ishte tradhti ndaj fryteve themelore të revolucionit, tradhti ndaj bashkim-vëllazërimit"- ka thënë Rrahman Morina. (Rilindja, e premte, datë 26 janar 1990)




Lexoni faksimilin e gazetës "Rilindja", e premte - 26. 01. 1990


Komiteti Krahinor i LK të Kosovës dhe Konferenca Krahinore e LSPP të Kosovës në mbledhjet e tyre, të mbajtur më 11 - 12 shkurt 1990, kanë vlerësuar se "Demonstrata ishin nacionaliste, shkatërruese e armiqësore": Për më tepër komunistët shqiptarë të LKJ'së nuk hezitojnë të thonë se, Demonstratat e janarit dhe të shkurtit 1990 janë shkaktuar nga seperatistët shqiptarë dhe kanë rrezikuar seriozisht rregullimin shoqëror, sovranitetin dhe integritetin e RSFJ'së"!!!. Këto demonstrata poashtu u vlerësuan si "kontinuitet i demonstratave të shkaktuara në nëntor 1989, përmes të cilave synohej shkëputja e Kosovës nga Serbia e Jugosllavia dhe realizimi i idesë për Shqipëri të Madhe". Komiteti Krahinor LK të Kosovës gjithashtu konstaton se në demonstratat e nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë kërkohej me forcë rrëzimi i udhëheqjes legale të krahinës, e cila është pengesë nga shkaku i përcaktimit të saj jugosllav dhe kundërshtimit energjik të saj ndaj krijimit të Republikës së Kosovës"!!!!. ( Rilindja, 13 shkurt 1990 dhe N.Gjeloshi, Kosova në udhëkryq '89, Itali 1997)




Lexoni faksimilin e "Rilindjes" 13 shkurt 1990, f.1


KUFIZIMI I LËVIZJES ME VENDIM TË "KEK", ANËTAR I SË CILËS ISHTE EDHE ISA MUSTAFA!!!

Më 21 shkurt 1990, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës (qeveria kukull e Sllobodan Millosheviqit), anëtar i të cilit ishte Isa Mustafa (aktualisht kryetari LDK'së dhe Kryeministër i Qeverisë së Kosovës) lëshoj një kumtesë për opinion, në të cilën thuhej: "Duke u nisur nga situata e përgjithshme e sigurisë në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, të masave të Kryesisë së RSFJ dhe të Kryesisë të KSA të Kosovës e në bazë të vendimit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës, nr.80-12/90, të datës 20.02.1990, sekretari Krahinor i punëve të Brendshme, Jusuf Karakushi lëshoi urdhëresën 01, nr.132/90, datë 21.02.1990 - e cila hyn në fuqi menjëherë. Me këtë urdhëresë u ndalohet lëvizja personave në kohën prej orës 21 deri në ora 4 të ditës së nesërme në territorin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në fuqi mbetet edhe urdhëresa e Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme e datës 01. 03. 1989 (të lëshuar nga Jusuf Karakushi), e cila ndalon lëvizjen e personave në numër më të madh". (Rilindja, 21. 02. 1990)

Madje ky "Këshill Ekzekutiv", më 16 mars 1990 dha urdhër të mbyllej edhe Qendra e Studentëve në Prishtinë për studentët shqiptarë, ndërkohë që dyert e kësaj qendre për studentët serbo'malazezë nuk ishin mbyllur kurrë!

Që ta dini: Jusuf Karakuashi ishte njëri nga UDB'ashët më famëkeq (që nga vitet 70'ta), ndërsa pas protestave gjithëpopullore që nisën me minatorët (17 nëntor 1988) e të cilat kulmuan me grevën e minatorëve (08 - 22. 02. 1989), me vendim të Jusuf Karakushit u arrestuan, u burgosën e u izoluan qindra intelektualë shqiptarë, të cilët me muaj u torturuan nëpër kazamat serbe!! Njëri nga intelektualët që u arrestua atëkohë është edhe veprimtari Shaban Klaiqi. Ai arrestohet me vendim të Sekretariatit Krahinor për Punë të Brendshme nr.330/1, datë 28. 03. 1989, të nënshkruar nga kryeudbashi i Kosovës - Jusuf Karakushi, dhe për dy muaj rresht (deri më 25. 05. 1989) përjeton masën e izolimit nëpër kazamatet serbe.

Lexoni faksimilin:Aktvendimi nr.330/1, datë 28. 03. 1989, për arrestimin e Shaban Klaiqit, i nënshkruar nga Sekretari Krahinor për Punë të Brendshme - Jusuf Karakushi.



ISA MUSTAFA (NË MARS 1990) BËRI THIRRJE PËR  "RUAJTJEN E FRYTEVE TË REVOLUCIONIT TONË (JUGOSLLAVË) DHE TË VËLLAZËRIM - BASHKIMIT"!!


Në një artikull të gazetës "Rilindja", (e hënë, datë 12 Mars 1990) me titull: "Me stabilizimin e gjendjes do të hiqen masat e jashtëzakonshme”, thuhet: “Kryetari i Kryesisë së KSA të Kosovës Isen Kajdomçaj dhe ISA MUSTAFA, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, dje qëndruan në fshatin Stanovc të Epërm, ku morën pjesë në tubimin e qytetarëve të këtij lokaliteti, për t’u njohur më për së afërmi me gjendjen politike dhe të sigurisë."



E diele, 11 mars 1990: Isa Mustafa (në rreth), anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës dhe Isen Kajdomçaj, Kryetari i Kryesisë së KSA të Kosovës në tubim me banorët e Stanovcit.

Çka ndodhi në Stanovc më 30 janar?


Më 30 janar, në Stanovc u vranë dy shqiptarë të këtij lokaliteti, e shumë të tjerë u plagosën. Gjatë kësaj dite derisa ishin tubuar në Satnovc disa të rinj, të cilët kanë brohoritur për demokraci, liri dhe unitet, përmes helikopterit u intervenua me gaz lotsjellës, ndërkohë ka ardhur policia speciale serbe (milicët e aradhës së bashkuar), e cila ka shtënë me armë të zjarrit dhe i kanë vrarë dy shqiptarë. Gjatë intervenimit u rrahën u maltretuan dhe u plaçkitën disa qytetarë të tjerë, të cilët si kalimtar të rastit kanë tentuar t’i ndihmojnë të plagosurit. Gjat tërheqjes policia me armë të zjarrit ka shti në të gjitha drejtimet, duke i goditur edhe muret e shtëpive!

Pavërsisisht nga kjo gjendje e tmerrshme dhe dhimbshme për banorët e Stanovcit, Kryetari i Kryesisë së KSA të Kosovës, Isen Kajdomçaj, gjatë fjalimit pa hezitim thotë se: "Populli shqiptar është për bashkëjetesë për këtë Jugosllavi të KAÇKJ’së e të Titos, në kuadër të RS të Serbisë, sikurse edhe çdo popull i vendit tonë."…"Besimi reciprok e toleranca, mirëkuptimi, është ajo që tani na duhet më së shumti sikurse edhe dialogu i përbashkët. Ngjarjet dhe trazirat si dhe situata e krijuar kanë krijuar klimë pasigurie për të gjithë, e sidomos për nacionalitetet e tjera, të cilat në Kosovë janë si pakicë. Këtë ne duhet ta pengojmë, sepse nxitë motivin për shpërngulje. Ne duhet të angazhohemi për stabilizimin e situatës, sepse Kosova është e të gjithë atyre që jetojnë në të." - ka përfunduar Isen Kajdomçaj.


Lexoni faksimilin e gazetës "Rilindja", datë 12 Mars 1990, faqe 1.


Ndërkaq në një pyetje të Lulzim Cakajt që i bëri: kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës Isen Kajdomçajt, se si ndodhi që të ndërrohet vendimi i KE (Këshillit Ekzekutiv) të Kosovës për ndarjen e nxënësve e të studentëve në shkolla dhe në konvikte në baza nacionale, kur dihet se ai mori qëndrim që të mos bëhet një gjë e tillë, mirëpo pastaj me urdhrin e organeve të RS të Serbisë po thuhet se ky qëndrim u ndryshua dhe kërkoi që kryetari i KE të Kosovës (Jusuf Zejnullahu) për këtë të jap dorëheqje, u përgjigj ISA MUSTAFA.

Në këtë pyetje ISA MUSTAFA, anëtar i KEK, tha: "se është e vërtet se KEK ka marrë qëndrim të mos bëhet ndarja në baza nacionale në shkolla dhe fakultete. KEK nuk e ka ndërruar këtë qëndrim, sepse ato janë konkluzione të bazuara në ruajtjen e fryteve të revolucionit tonë dhe të vëllazërim-bashkimit. Pra, ne nuk i përkrahim ndarjet në bazë nacionale. Pra KE i Kosovës nuk i ka ndryshuar qëndrimet e veta, e nëse është bërë diç në këtë drejtim, kjo është bërë me sjelljen e organit e jo të Këshillit Ekzekutiv."




Lexoni faksimilin e gazetës "Rilindja", datë 12 Mars 1990, faqe 2.

Për më tepër lexoni të plotë gazetën "Rilindja", e hënë - 12 Mars 1990 faqe 1 dhe 2.


"DORËHEQJA" E ISA MUSTAFËS - IKJA E TIJ ME SHOKË NGA KOSOVA DHE EMRIMI SI MINISTËR I EKONOMISË DHE I FINANCAVE NË QEVERINË E 3%!

Më 29 mars 1998 Kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, Jusuf Zejnullahu njofton qevrtinë për dorëheqjen e dhënë, ndërsa më 9 prill dorëheqjen e parevokueshme me shkrim ia dorëzon edhe Kuvendit të Kosovës. Pas "dorëheqjes" së J.Zejnullahut, dorëheqje ofruan edhe disa anëtarë të KEK si: Mazllum Beqa, Jusuf Karakushi, Muhamet Bicaj, Lek Vuksani, Lek (Gjon) Berisha, dhe Seladin Skeja, por jo edhe Isa Mustafa!!! Isa Mustafa "dorëhiqet" më 22 maj 1998, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, së bashku me Rexhep Haxhimusën, Shefqet Canën dhe Rifat Zylfiun. Mirëpo këto dorëheqje nuk zgjatën shumë! Në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, më 23 Maj, të 11 anëtarët e KEK në "dorëheqje" i tërheqin dorëheqjet e tyre!!

"Delegatët e Kuvendit të KSA'së së Kosovës, pas dy ditë pune, mbi 20 orë efektive, me duartrokitje e përshëndetën aktin final, kur Jusuf Zejnullahu, Kryetar i KEK'së, doli në tribunë dhe kumtoi se Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Kosovës, përkatësisht njëmbëdhjetë anëtarë në doreheqje, i tërheqin dorëheqjet,…" - shkruan "Rilindja" e datës 24 maj 1990. Ndonëse mbledhjet e Kuvendit mbaheshin në një gjendje të tensionuar nga presioni i delegatëve serbë, seanca që ishte paraparë të mbahej më 28 qershor, ishte shtyrë për datën 2 korrik.

Më 2 korrik 1990, delegatët shqiptarë para dyerve të mbyllur të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall se njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave.

Më 5 korrik 1990 Kuvendi i Serbisë, suprimoj të gjitha institucionet e Kosovës: Këshillin Ekzekutiv, Kuvendin e Kosovës etj., (të cilat vetë i kishte krijuar Serbia në krye me Sllobodan Millosheviqi), sepse ato nuk i duheshin më. Ndërkaq më 7 gusht të atij viti Kuvendi i Serbisë vendosi masa të dhunshme edhe në 27 ndërmarrje ekonomike, në kuvendet komunale dhe në të gjitha institucionet tjera publike të Kosovës!!!

Pas kësaj situate të rëndë për Kosovën dhe popullin shqiptarë, Isa Mustafa me shokë të KEK dhe delegatët e Kuvendit të Kosovës, në vend se të bënin rezistencë dhe të viheshin në ballë të organizimit gjithëpopullor, ata u larguan nga Kosova. Në anën tjetër edhe Kryetari i LDK'së, Ibrahim Rugova, në vend se t'i bënte thirrje popullit për të protestuar qetësisht dhe me dinjitet nëpër rrugë, kundër okupimit klasik të Kosovës, ai e bëri të kundërtën, apeloj te populli të qëndronte i qetë nëpër shtëpitë e tyre, duke i premtuar popullit se shumë shpejt do ta krijonte Qeverinë e re në Prishtinë, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar!!Por Ibrahmi Rugova nuk e mbajti këtë premtim, ashtu si shumë premtime tjera!

***

Isa Mustafa pas largimit nga Kosova, fillimisht qëndron në Kroaci e Slloveni dhe pastaj kalon në Gjermani.

Më 19 tetor 1991, një numër i delegatëve të Kuvendit të Kosovës që kishin ikur nga Kosova, u mblodhën në Kranj të Sllovenisë dhe zgjodhën qeverinë e re, pa e ditur se kush e përbënte atë qeveri!! Më 19 tetor 1991 me vendim të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajli: KK numër 25-01-10/91, Bujar Bukoshi zgjidhet "Kryetar i Qeverisë së Përkohshme të koalicionit të Republikës së Kosovës", ndërsa Isa Mustafa me vendim: KK Numër 26-01-11/91, datë 19 tetor 1991, zgjidhet "anëtarë Qeverisë së Përkohshme të koalicionit të Republikës së Kosovës". Ndërkaq më vonë Isa Mustafa, në një mbledhje të mbajtur në zyrën e LDK'së në Shtutgart të Gjermanisë emrohet Ministër i Ekonomisë dhe i Financave në këtë qeveri, e cila u quajt Qeveria e 3%! Isa Mustafa njëkohësisht ishte edhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës në Bankën "Dardania" në Tiranë, që e kishte themeluar Qeveria e 3%!



- Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa -


Qeveria e binomit Bukoshi&Mustafa me seli në Ulm të Gjermanisë veproj deri në qershor të vitit 1999 dhe mori shumë vendime obligative për mërgimtarët tanë!

Sa për ilustrim lexoni një vendim obligativ, Nr.7/91-1 të datës 26.04.1992, të nënshkruar nga Kryetari i Qeverisë, Bujar Bukoshi dhe Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Mr.Isa Mustafa.



NGJASHMËRITË E PROGRAMIT DHE STRUKTURAVE TË LDK'së SË IBRAHIM RUGOVËS ME PROGRAMIN DHE STRUKTURAT E LKK'së SË ISA MUSTAFËS!!

Edhe pse Isa Mustafa me Ibrahim Rugovën në këtë periudhë kohore (1989-1990) i përkisnin "dy grupimeve të kundërta" politike, i pari Lidhjes Komuniste të Kosovës (LKK'së), i dyti Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK'së), angazhimet e tyre politike ishin të njejta, sepse sikurse LKK'ja ashtu edhe LDK’ja nuk i përkrahnin protestat popullore, për më tepër ishin kundër organizimit të protestave për realizimin kërkesës jetike "Kosova Republikë". Madje LKK'ja e Isa Mustafës dhe LDK'ja e Ibrahim Rugovës angazhoheshin për stabilizimin e situatës, edhe pse Kosova dhe populli Shqiptarë jetonte në gjendje të jashtëzakonshme!

Edhe Programi i LDK’s, si dokument themeltar për politikëbërjen e saj (i miratuar njëzërit në Kuvendin themelues, më 23 dhjetor 1989), nuk dallonte shumë në përmbajtje nga programi politik i Lidhjes Komuniste të Kosovës (LKK’së)!

Për çka angazhohej LDK’ja?!

Në Programin e LDK’së, ndër të tjera thuhet:

“ - Jugosllavia, duhet kuptuar si interes i secilit, ngase ajo është themeluar me vullnetin e lirë të të gjithëve, edhe me vullnetin e popullatës së Kosovës dhe se për çdo rregullim të ri të federatës është e drejtë imanente që të vendosin lirisht edhe qytetarët e Kosovës.

- Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për një Jugosllavi demokratike, federative, socialiste dhe për reformën e sistemit politik në këtë drejtim.

- Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për zhvillimin e raporteve demokratike në federatë, duke e kuptuar atë si bashkësi të subjekteve të barabarta të republikave dhe të krahinave, si bashkësi të qytetarëve dhe të nacionaliteteve të barabarta. Pra, angazhohet për federatë moderne, e cila do të mundësojë barazinë e nacionaliteteve, të republikave dhe të krahinave, për sistemin parlamentar në bazë të së drejtës së votimit të lirë, të drejtpërdrejtë e të përgjithshëm, për Kuvend Federativ të përbërë nga Dhoma e Republikave dhe e Krahinave, si dhe nga Dhoma e Qytetarëve.

- Lidhja Demokratike e Kosovës është: kundër manipulimeve nacionaliste e burokratike me çështjen kombëtare. Lidhja Demokratike e Kosovës përpiqet për barazinë e plotë të nacionaliteteve në Jugosllavi.“ etj.


Lexoni të plotë Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës:

http://pashtriku.beepworld.de/files/Rugova_2008/programiildk_23.xii.1989.htm


Siç vihet në dukje në Program, LDK’ja - Jugosllavinë e konsideron si interes të shqiptarëve ngase ajo sipas tyre ishte „themeluar me vullnetin e lirë“ edhe “të popullatës së Kosovës”, këtë gjë e kishte në program edhe LKK'ja e Isa Mustafës! LDK'ja e Ibrahim Rugovës me program - Kosovën e cilëson si „krahinë“ dhe „angazhohet për një Jugosllavi demokratike, federative, socialiste…“ sepse këtë Jugosllavi e koncepton „si bashkësi të subjekteve të barabarta të republikave dhe të krahinave...“, si dhe përcaktohet kundër “manipulimeve nacionaliste me çështjen kombëtare”, ashtu sic ishte përcaktuar me program edhe LKK'ja e Isa Mustafës !

Se a ishte themeluar kjo „Jugosllavi demokratike…“ me vullnetin e lirë edhe të popullatës së Kosovës, këtë gjë e dinë më së miri shqiptarët, se çfarë kanë përjetuar mbi kurrizin e tyre për 45 vjet rresht! Sipas Milazim Krasniqit (njëri nga themeluesit e LDK’së) LDK’ja me këtë program të pandryshuar, ka vepruar deri në vitet e pasluftës në Kosovë!

Për më tepër, duke u nisur nga programi i LDK’së dhe strukturat e saj të shtrira në teren, në vitet 90’të, mund të nxjerrim përfundime të ngjashme me programin dhe strukturën e LKK’së.

Cilat janë ngjashmëritë e LDK'së së Ibrahim Ruogvës - me LKK'në e Isa Mustafës !

LDK’ja e Ibrahim Rugovës si parti politike ndërtoj një strukturë organizuese të ngjashme, me strukturën organizuese të LKK’së së Isa Mustafës.

LKK’ja e Isa Mustafës kishte Kryesinë dhe Komitetin Krahinor të LKK’së, Kuvendin dhe Këshillin Ekzekutiv, edhe LDK’ja kishte Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK’së!

- LKK’ja e Isa Mustafës kishte Lidhjen Socialiste të Popullit Punues të Kosovës (LSPPK) si kryese të punëve të infrastrukturës, ku në gjirin e saj përfshinte: Lidhjen e Rinisë, Lidhjen e Grave, Lidhjen e Sindikatave, Lidhjen e Pensionistëve etj.

Edhe LDK’ja e Ibrahim Rugovës në kuadër të saj kishte formatin e „Lidhjes Socialiste“, në të cilën bënin pjesë: Forumi i Grave, Forumi i Rinisë, pastaj Partia Fshatare, Partia Socialdemokrate, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Liberale e Kosovës, ani se vepronin si parti të veçanta!

LKK’ja e Isa Mustafës bënte politikë që mbështetej në një numër togfjalëshash terminologjikë, sikundër janë: bashkim-vëllazërimi, barazia e kombeve dhe e kombësive, vetëqeverisja socialiste, autonomia e Kosovës si element konstituiv i Federatës Jugosllave, politika e mosinkuadrimit etj!

Edhe LDK’ja e Ibrahim Rugovës bënte politikë e cila mbështetet në togfjalëshat terminologjikë siç janë: të drejtat njerëzore njësoj për të gjithë, demokracia, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, politika e faktorëve ndërkombëtarë etj.

LKK’ja e Isa Mustafës thoshte se fati i Kosovës është në duart e Federatës jugosllave; ndërkaq LDK’ja e Ibrahim Rugovës thotë se fati i Kosovës është në duart e faktorëve ndërkombëtarë.

LKK’ja e Isa Mustafës betohej në politikën e mosinkuadrimit; ndërsa LDK’ja I Ibrahim Rugovës betohet në politikën e faktorëve ndërkombëtarë!



- Isa Mustafa i LKK'se dhe Ibrahim Rugova i LDK'se -


Derisa LKK’ja e Isa Mustafës nuk i lejonte vetes të përzihej në punët e shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë; Edhe LDK’ja e Ibrahim Rugovës nuk përzihet në punët e shqiptarëve në Maqedoni e në Mal të Zi, madje as të shqiptarëve në Kosovën Lindore - sepse atje për ta kujdeseshin partitë e tyre dhe pushteti maqedon, malazias dhe serb! LKK’ja e Isa Mustafës kishte gazetën e saj „Rilindja“; edhe LDK’ja e Ibrahim Rugovës vazhdoj të kishte gazetën „Bujku - Rilindja“.

LDK’ja është parti politike që ka një moral politik që nuk ndryshon aspak prej moralit politik të LKK’së! Udhëheqja e LKK’së së thoshte se është udhëheqëse e ligjshme e popullit shqiptar të Kosovës, madje e Kosovës si element konstituiv i Federatës jugosllave, por nën sovranitetin e Serbisë dhe të Jugosllavisë; edhe udhëheqja e LDK’së thoshte se është udhëheqje e ligjshme e popullit të Kosovës, që sipas programit të saj përpiqet për barazinë e plotë në Jugosllavi!

LKK’ja i dënonte të gjitha konceptet dhe të gjitha veprimet e tjera që nuk përputheshin me të sajat! Kjo LKK i kishte quajtur si armiqësore demonstratat e vitit 1968, 1981, 1988 - 1990! Edhe LDK’ja në konceptin e saj politik ishte kundër demonstratëve paqësore dhe formave tjera të veprimit aktiv!

Ta konkretizojmë këtë fakt.

Derisa, në dimrin e acartë të vitit 1990, populli protestonte qetë nëpër rrugët e Kosovës (ndonëse ato u përgjakën nga regjimi serbë), kryetari i LDK’së Ibrahim Rugova, doli kundër këtyre protestave. Në këtë drejtim njejt u angazhua edhe Isa Mustafa si anëtar i Këshillit Ekzekutiv!!!

Më 31 janar 1990, nëpërmjet një deklarate të bërë në RTP, Ibrahim Rugova i bënte thirrje popullatës “që të hiqte dorë nga grumbullimet”, duke theksuar se: “Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e përkrah këtë formë të veprimit”!!!

Madje Rugova shpesh, shumë shpesh i bënte thirrje popullit, që të mos dalë në rrugë dhe t´i ndërpresin demonstratat, ndërkohë që e shfajsonte LDK’në, se, nuk është organizatore e demonstratave. Ta zëmë, më 3 shkurt 1990 në gazetën “Vjesnik“ të Zagrebit, Kryetari i LDK’së lidhur me demonstratat e organizuara në janar të atij viti deklaron (po citoi): „Pas grumbullimeve dhe demonstratave të shqiptarëve përpara ndërtesës së Komitetit Krahinor, më 23 janar, pasoi një ortek i vërtet dënimesh dhe diskreditimesh politike dhe të gjitha këto në fillim - që alternativat, në radhë të parë LDK’ja, e cila ka më shumë anëtarë se sa Lidhja e Komunistëve të Kosovës, të eliminohet nga skena politike. Prandaj u bënë përpjekje që ta shpallin atë (LDK) si organizatore të këtyre demonstratave. Ne u përpoqëm, me anën e njoftimeve dhe thirrjeve, drejtuar opinionit publik, që qytetarët t´i ndërpresin demonstratat” (!!!)

Kjo nuk ishte hera e parë as e fundit, që z.Rugova ishte kundër protestave të qeta dhe luante rolin e shuarjes së ndjenjës tek shqiptarët për t´u çliruar një herë e mirë nga sundimi shekullor serbë. Sa për ilustrim, LDK’ja në krye me kryetarin Rugova, dhe mbi të gjitha e kundërshtoi dhe u përpoç ta ndalonte mbajtjen e Protestës së Studentëve dhe të profesorëve të UP’së më 1 tetor 1997!!!

Si rrjedhim, LDK’ja në çdo kohë ka dëshmuar se është kundër organizimit të demonstratave paqësore, ndërsa ndiqte dhe propagandonte me fanatizëm një politikë krejtsisht pasive, madje shpesh herë në konferenca me gazetarë kryetari i LDK’së Ibrahim Rugova bënte thirrje, “për durim, që të mos tensionohet situata dhe të dalë nga kontrolli, sepse thoshte deri në neveri, kemi ndërtuar tashmë një rend demokratik”, atë rend demokratik të ndërtuar nën sundimin klasik të Kosovës nga regjimi policor-ushtarak i Millosheviqit (!!!)

Pra, kjo ishte realpolitika e LDK’së së kryetarit Ibrahim Rugovës dhe LKK'së së Isa Mustafës, të ndërtuar mbi bazën e programit të LDK’së&LKK'së. Nga kret sa u tha më lartë del qartazi, se ngjashmëritë midis LKK’së dhe LDK’së janë rrënjësore. Këto argumente nuk mund të fshehen dot, sepse nuk thuhet kot plagët që fshehen shumë vështirë shërohen! Prandaj, edhe të këqijat që fshihen shumë vështirë mënjanohen!


- FUND-


==========================================


- PJESA E PARË -

SHERADIN BERISHA: KARIERA POLITIKE E KRYETARIT TË LDK'së, ISA MUSTAFA - GJATË REGJIMIT KOMUNIST (1980 - 1990) /Pjesa e parë/

HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=3402

***

PJESA E DYTË -

SHERADIN BERISHA: KARIERA POLITIKE E KRYETARIT TË LDK'së, ISA MUSTAFA - GJATË REGJIMIT KOMUNIST (1980 - 1990) /Pjesa e dytë/

HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=3403

***

- PJESA E TRETË -

SHERADIN BERISHA: KARIERA POLITIKE E KRYETARIT TË LDK'së, ISA MUSTAFA - GJATË REGJIMIT KOMUNIST (1980 - 1990) /Pjesa e tretë/

HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=3404


***


- PJESA E KATËRT -

SHERADIN BERISHA: KARIERA POLITIKE E KRYETARIT TË LDK'së, ISA MUSTAFA - GJATË REGJIMIT KOMUNIST (1980 - 1990) /Pjesa e tretë/

HAPE: http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=3408


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks