SHKRIMI
e shtunë, 19 gusht 2017

IBISH NEZIRI: RUGËTIMI IM PËR LIRINË E KOSOVËS (Pjesa e dytë)

Pashtriku.org, 08. 10. 2016:

Erëmirë Krasniqi:A e raportojshit a qysh?

Ibish Neziri: Urdhnoni!


Erëmirë Krasniqi: A raportojshit, a shkojshit nëpër vendet e ngjarjes apo… ku punojshit?


Ibish Neziri: Po, njëherë u mbajt në Qendrën Inoformative të Kosvës që udhhiqet prej LDK-es, u mbajt një farë tribune, u mbajt edhe u diskutu edhe nuk e di a e patën për qëllim t’ma terheqin vrejtjen se i kam kritiku shumë edhe ata. Do të thotë, i kam kritiku shumë n’atë kohë edhe, a e kishin për t’ma tërhequr vërejtjen apo për t’më luftuar edhe sot e ksaj dite nuk e di… Por e di, Ibrahim Berisha dhe Milaz…Milazim Krasniqi, njeri prej atyne dyve e mori si shembull ai kolegu se unë n’atë kohë kam punu për disa, se nuk i përfundova për t’gjitha për t’cilat kam punu, po thotë, “Ne kemi informata nga tereni, së vetëm ai kolegu nga Belgjika, nga osht’ ai? Nga Belgjika? Nga osht’ ai shihet n’vendin e ngjarjes, ndërkaq ju t’gjithë tjerët po vini dhe po e pritni raportin që po e lshojmë ne paraqitur në ora tre”. Une kam punu, pos për kto dy gazeta, kam punu për radio Kopenhagen, Radio Zëri i Kosovës nga Kopenhaga, emisoni në gjuhën Shqipe. Kam punuar për Zërin e Kosovës, gazetën e Lëvizjes Popullore t’Kosovës këtu në Zvicër. Pastaj kam punuar për radiotelevizionin Australian EBC, ata e kanë pasur qendrën në Zagreb, qendrën për Evropën Juglindore, dhe për ta kam raportuar kështu që do të thotë…

Pastaj n’vitin 1990 e tutje ndryshoi situata ime e punës se… u angazhova me gazetari mjaft mirë edhe do të thotë isha mirë i situum. Gjatë kësaj kohe unë kam qenë i ngarkuar nga organizata për kontakte me qeverinë Kroate, për t’biseduar për çashtje, sepse organizata në t’cilën kam kontribu ka qenë organizatë e cila të gjitha format i ka pasë në programin e vet, t’gjitha format për çlirim, edhe luftën e armatosur nëse nuk japin rezultate format demokratike. Dhe unë kam qenë i ngarkuar për kontakte me qeverinë Kroate për t’biseduar për çashtjet e armatosjes së Shqiptarëve. Nga organizata kam qenë i ngarkuar dhe unë kam pasur kontakte, kam filluar me Djuro Pericen, ka qenë kryetari i komisioni republikan, komisionit parlamentar të Kroacisë, për mbikqyrjen e ligjshmërisë së punës së sigurimit të shtetit. Unë me te kisha qenë në të njejtin burg për kohë të gjatë, me te kanë filluar kontaktet, kanë kaluar Janko Bobetko dhe Zlatko Bobetko e kështu me radhë. Do të thotë kam qenë… gjithmonë e kam shfrytzue, n’udhtimet për Zagreb kam shkue, do të thotë nën maskën e gazetarit, sepse s’kisha nevojë por [kinse] kam për tu paraqitur në redaksi duhet t’shkuar një herë në mujt në redaksi, dhe gjithmonë prapa asaj unë kam udhëtuar për Zagreb. Edhe kështu ka ndodh.

Në vitin 1990 pastaj filloi edhe… në shkurt filloi dhe aksioni i pajtimit të gjaqeve. Këtu du ta jap, ose ta saktësoj diçka që m’ka rastisur pothujse gjithmonë ta shoh si… një lajm ta dëgjoj, ta lexoj një lajm si jo të saktë. Thuhet se pajtimi filloi në Lumbardh. Pajtimi nuk ka filluar në Lumbardh sepse në Lumbardh nuk është pajtue askush. N’Lumbardh, nëse nuk gabohem, atë ditë unë nuk kam qenë n’Lumbardh, por në Lumbardh janë nxjerrë shtatë ditë besë por jo edhe pajtimi. Do të thotë, prandej në vitin… në shkurt të vitit 1990 filloi pajtimi. Si shkas ishin demonstratat që ndodhën gjatë gjithë asaj kohe që ndodhën demonstratat ’88-tën, protestat demonstratat ’89-tën e ’90 e…unë kam qenë pjesëmarrës në të gjitha demonstratat dhe roli i Lëvizjes Popullore të Kosovës, jo vetëm n’Pejë, por gjithkund n’Kosovë ka qenë i jashtzakonshëm në ato, n’organizimet e atyre protestave në mënyrë të drejtë apo të tërthortë. Pastaj ne e dimë të gjithë qe edhe me 2 nëntor të vitit 1989, në kodër të diellit, këtu n’Prishtinë u vranë dy nga militantët ma të mëdhej nga udhëheqësit e Lëvizjes Popullore të Kosovës, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu dhe roli i ktyre njerzve ka qenë i jashtzakonshëm n’organizimin e ktyre demonstratave, por njëkohsisht edhe në aksionin për pajtimin e gjaqeve. Do të thotë… për t’mos thanë të gjithë, pjesa më e madhe kanë qenë anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës e atyre që kanë marrë pjesë në pajtimin e gjaqeve.

Erëmirë Krasniqi: Qysh fillon pajtimi për juve, po mendoj Lëvizja e Pajtimit? Qysh ka qenë kontakti i parë?

Ibish Neziri:
Une nuk mund të flas, unë nuk mund të flas për kontaktin e parë, sepse nuk jam pjesë e kontaktit të parë dhe asaj pesshës të parë, nuk jam. Prandaj edhe nuk mund të flas… nuk e di…

Erëmirë Krasniqi: Ju qysh keni ra n’kontakt me lëvizjen?

Ibish Neziri: Po ne jemi ra n’kontakt sepse kanë qenë njerëzit që ne jemi njoft mes veti, e kemi njoft njëri tjetrin dhe kshtu do të thotë pa ndonjë procedurë të veçantë jemi bashkangjitë pa procedurë, aty nuk ka pas ndonjë procedurë. Ka qenë një organizatë e vullnetit të mirë, ka qenë një grup që u shnëdrru faktikisht në një lëvizje që përsëri për hirë t’saktsisë, për hirë t’vërtetës duhet ta them nuk e banë ate intelektualët e Kosovës. Intelektualët e Kosovës u nxorrën nga kabinetet. Respekt për Anton Çettën, është njeriu i parë, njeri, njeri që gjithçka meriton, çdo epitet nga më t’mirët i meriton Anton Çetta dhe Anton Çetta është njeriu që ka thanë gjithmonë, do të thotë ndoshta osht’ edhe i vetmi që e ka thanë mënyrën ma t’mirë, mënyrën ma t’drejtën, mënyrën ma t’ndershm, “Këte po e bën rinia, jo une”. Do të thotë njerzit janë nxerrë nga kabinetet, intelektualt, edhe Anton Çetta qe si ka prit dy fjalë po menihere ka dalë dhe është vu n’kry të këtij aksioni, rinia e ka vu n’kry t’këti aksioni dhe n’mënyrë brilante i ka shërby dhe e ka udhëheqë këtë aksion Anton Çetta.

Do të thotë janë nxerrë, intelektualët janë nxerrë nga zyret, edhe Zekeria Cana, edhe Mark Krasniqi, edhe Ramiz Kelmendi edhe… Mehmet Halimi iu kanë bashkue rinisë, dhe rinia duke qenë e tillë çfare është, një rini e sinqertë, ajo ka bërë vrapin, ajo ka kryer punën dhe i ka vënë profesorët, i ka vënë përpara. Ka pasë raste kur janë ngritur ata për ta shtrirë dorën e pajtimit dhe ne ju kemi thanë, “Ju falemnderit shumë, por ju e meritoni një nder tjetër sepse ju jeni ka e bani një akt t’madh, një vepër t’madhe jeni duke bërë, dhe ju si familje, kjo familje, kjo shtëpi meriton që të nderohet nga Anton Çetta. Prandaj ne do t’vimë me Anton Çettën këtu, ose do t’vimë me profesor tjerë”. Kështu ishte me raport me…sepse shpesherë përsëri do ta keni dëgjuar edhe ju, intelektualët, e bëri rinia edhe intelektualët i nxori, i vuri n’ballë. Ndërkaq, nëse flasim për atë strukturën e çetës së pajtimit, e veprimtarëve të pajtimit, pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë t’burgosur politik, kanë qenë të dalë nga burgu, njerz që kanë vuajtur, njerz që kanë dhanë prova në situata dhe rrethana t’ndryshme. Prandaj, kjo ishte njëra ndër arsyet pse aksioni i pajtimit të gjaqeve ishte i suksesshëm. Arsyeja tjetër është, shqiptarët tradicionalisht janë pajtuar përpara luftrave. Është e njohur n’kohën e para Lidhjes së Prizrenit kur ka filluar pajtimi i gjaqeve me Binak Alinë me, me malsorët tjerë që njihet me emrin Islihat dhe janë pajtuar gjaqet, do të thotë përpara asaj periudhe kohore dhe ato që nuk kanë arritur t’i pajtojnë, Sylejman Vokshi e ka marrë n’besë, do të thotë nga sot, thotë, “Të gjitha gjaqet janë n’besën time dhe kush vret kon për hakmarrje ka punë me Sylejman Vokshin”. Dhe Sylejman Vokshi ka qenë Ministër i Luftës. Ne nuk e kishim një forcë të tillë, nuk e kishim një kapacitet të tillë.

***

Ibish Neziri: Është çashtja e strukturës së pjesëmarrsve, do të thotë të gjithë ishin t’burgosur… t’gjithë jo, por pjesa dërmuese ishin të burgosur politik. Njerëzit e kishin dhënë provën në rrethana nga më t’vështirat, njerëz pjesëmarrës në protesta dhe demonstrate ishin student, ishin anëtarë të familjeve të goditura nga pushteti qe që nuk përtonin, por ditë e natë vraponin në teren. Ka pas raste kur ishin, do të thotë demonstratat që ndodhën në ato periudha kohore në Kosovë dhe kishte të tillë që thonin, “Unë do të merrja pjesë në demonstratë me shumë knaqësi, me shumë dëshirë, por po frigohem me dalë se kemi gjakbërës dhe mund t’vritem prej hasmit.” Ai nuk e kishte, nuk e kishte frigën se do t’vritej prej serbit, se atë se bënte mend, por kishte frigën se do t’vritej prej hasmit, por jo edhe prej serbit. Dhe ishin këto ata faktorët që na shtynë të vepronim.


Pastaj, shtypi i Beogradit në mënyrët ma t’ult, në mënyrën ma joprofesionale, në mënyrën ma ç’njerzore dilte me me komente, dilte me raporte se u vranë nga hakmarrja, që po vriten nga hakmarrja, që po vrasin njëri-tjetrin se nuk po i vrasim ne. Dhe këtu filloi, këtu ishin ato ato arsyet që filloi aksioni i pajtimit të gjaqeve, dhe ky aksion në Beograd shkaktoi shqetësim t’madh. Beogradi u shqetësu prej këtij aksioni. Ky akson zgjoi interesim t’madh tek mediat botërore dhe këtu kanë ardhur, unë këtu u njofta me gazetarët e radiostacionit…e radiotelevizionit Australian të cilët m’angazhuan për për t’punuar për ta.

Erëmirë Krasniqi: A shkruanit ju për Pajtimin në kohën që ishit lidhur më shumë agjensione televizive…

Ibish Neziri: Po ne raportonim, dhe nuk ka pas agjencion botëror që nuk ka dhanë raportin nga këtu për atë që ka ndodh, për pajtimet që po ndodhin, përfshirë Verrat e Llukës, atë pajtimin e Verrat e Llukës apo atë tubimin që u mblodhën rreth ni milion njerëz, tubimin në Rugovë, tubimin në…gjithandej Kosovës, tubimin n’Karaqev edhe tubimet nga ma t’ndryshmet. Do me thënë, gjithandej është raportuar për këto tubime, gjithandej ka pas reportazhe, ka pas komente, ka pas për këtë veprimtari. Dhe kjo zgjati për ni vjet. Kjo pajtoi… mbi një mijë gjaqe i pajtoj, ngatrresa e ku ta di unë. Unë këtu kur flasim për pajtimin e gjaqeve, une nuk mund të mos i përmendi dy raste, ka shumë raste për ta veçuar, mirëpo janë dy paksa më karakteristike.



Njërën, çohet burri plak 70 vjeç n’kamë meniherç sa i kemi thanë se jemi nga Kosova. Unë kam vepruar me një ekip servis, në të cilin kanë qenë, po filloj, kanë qenë Ramë Buja, ka qenë Bejadin Hasani nga Bujanovci, Avni Dauti dhe Atdhetar, apo Guximtar, jo Atdhetar por Guximtar Burnishti nga Struga, Murat Lumani nga Struga, Sadete Zhitia motra e Afrim Zhitisë. Ka qenë Rrahmon Dini i cili mo nuk osht’ në jetë dhe i cili vdiq nga pasojat e plagëve të luftës, pas lufte vdiq. Një djalë vërtet i mrekullushëm, një djalë që sa herë që jam takuar me të kam gjetë tek ai diçka të re, virtyte të reja kam gjetë, ish i burgosur politik. Dhe ka qenë pastaj Isuf Halimi në Preshevë, ka qenë Adnan Abdullahu bashkë me vëllezërit, me Tahirin edhe me Xhemajlin në Tetovë, ka qenë Xhevat Ademi dhe grupi tjetër grupi tjetër i t’rive nga Tetova, emrat e t’cilëve… ma nuk mund t’i mbaj n’mend të gjithë.

Erëmirë Krasniqi: Në cilen zonë keni operuar?

Ibish Neziri:
Ne kemi operuar, ne kemi qenë ekip servis. Kemi operuar gati si aty ku kanë qenë rastet ma t’vështira. Në zonën e Llapit, Gollakut, t’Gallapit. Pastaj n’disa raste relativisht të vështira, këtu në afërsi të Prishtinës, në disa fshatra të Prishtinës, në Grashticë e të ngjashme. Pastaj kemi vepruar në Preshevë dhe Bujanovc, gjithë ato fshatra të Preshevës dhe të Bujanovcit i kemi kaluar kambë, me ditë t’tëra kemi vepruar në Tetovë, në rrethinë të Tetovës deri deri në Gostivar dhe unë nuk maj mend t’na ketë metë ndonjë rast i pa pajtuar ku kemi ndërhyrë. Do të thotë, ne kemi qenë ekip lëvizës, kemi lëvizur nuk kemi qenë të përqendruar me një, me një vend. Pastaj unë e përmenda edhe një rast tjetër sepse unë thashë se shqipëtarët gjithmonë tradicionalisht para luftrave janë pajtuar mes vete. Kishim një rast në të cilin kishin bërë përpjekje t’vazhdushme për t’i pajtuar dy familje edhe ishte e pamundur t’pajtoheshin ato dy familje, kanë ndërhy njerëz që kanë pasë emër, pleq si ju kanë thanë…


Erëmirë Krasniqi: Për çka ishin n’gjak?

Ibish Neziri:
Një ngatrresë, e kishin ata njëfarë ngatërrese, nuk ish gjak po varet se si interpretohej, mund te ishte gjak mund t’mos t’ishte gjak, por ngatërresa kishte shkuar aq thellë sa s’kishte mundur kush t’i pajtoj. Nji fëmijë i kishte vdekë, fëmija kishte vdekë dhe dyshohej se fëmija nuk ka vdekë prej vdekjës së natyrshme po është i mbytur, ku di unë, do me thanë kshtu nga ky rast ne nuk i kemi lypur fajtorët asnjëherë, se po t’i lypnim fajtorët nuk do të pajtonim kënd. Dhe plaku na ikte nga shtëpia, vetëm një herë na ka pritur plaku dhe na ikte nga shtëpia, gjatë kësaj kohe plaku kishte nxitur të birin t’dilte dhe ta krynte hakmarrjen, ta vriste kundërshtarin dhe… ne ramë në hall si ta zinim plakun n’shtëpi, se po ta zinim plakun mo ai s’mund të na ikte.

Pastaj dhe… pregaditja e terenit ndodhi n’këtë mënyrë, ne dërguam miqtë e plakut ma herët te plaku si mysafir, ata shkunë po ne u morrëm vesh me ta se kur t’shkojnë mas ni copë herë ta marrin plakun dhe t’dalin t’i shohin fushat, qysh i kanë fushat, token si e kanë punu e këto, edhe kur t’vijnë plaku ua çelë derën edhe kur tu’a çelë derën na n’odë për t’qenë n’odë mos… do të thotë plaku m’u ballafaqu me neve mos me pasë ka me ikë. Edhe ashtu edhe ndodhi. Ata kanë dalë, ne kemi shkue kemi hy n’odë, aty jemi ulë n’odë tu pritë edhe kur kanë ardhë ata me plakun, plaku është stepë, e ka hapë derën dhe kur na ka pa mrenda është stepë tash nga t’ia majë, ska pasë nga t’ja majë. Edhe u fut mrenda edhe plaku, me miqë, ai djali i plakut ishte me neve në odë aty dhe ne po bisedojmë, plaku u sikletos shumë edhe u ngrit ni herë në kambë e mori këmishën këtu [tregom me dorë kah gjyksi} edhe e hapi këmishën, t’gjitha pullat i kputi t’këmishës edhe tha, “O vramni mu bre, besa u koftë dhanë, falë ju koftë!”

Kam ndërhyrë në këtë rast, e kam marrë fjalën edhe kam folë me plakun. N’këtë pajtim kemi qenë… po nisëm prej vetëvetës se është bërë… është bërë traditë t’thuhet une filani fisteku kështu, prandaj edhe unë po them kemi qenë bashkë me Havë Shalën, Rexhep Kelmendin, Rexhepi është i ndjerë tani nuk është ma, Et’hem Ҫekun edhe mendoj ka qenë… edhe Myrvete Dreshaj, nuk jam i sigurtë për Myrveten, por do të thotë kemi qenë… ne kemi qenë pesë: unë, Et’hem Ҫeku, Rexhep Kelmendi, Havë Shala. mendoj edhe Myrvete Dreshaj edhe jemi tu bisedu me plakun i thotë plaku t’birit, “Ҫohu bre babë epjau dorën”. Edhe plaku, kur i tha plaku kështu, i biri iu kthy edhe i tha, “Jo, babë kurrë para teje nuk dal!” Edhe plaku ka provu t’ngritet n’kambë me na dhanë dorën, nuk ka qenë n’gjendje mu ngritë nuk ka pasë forcë se i humbi forca plakut edhe une jam ngritë n’kambë i kam ndihmu plakut t’ngritet n’kambë, plaku ma ka dhanë dorën, m’ka përqafue, ma ka thanë atë fjalën e faljës edhe ia ka plasë vajit… Ne jemi ulë, plaku ka qajtë me za, ne jemi ulë pastaj t’gjithë jemi ulë edhe kur është ulë edhe plaku, djali i plakut i cili ishte detyru për t’dalë edhe për ta kryer vrasjen ulet dhe ja puthë te dy komtë babës vet, plakut ia puthë te dy komtë edhe qanë edhe djali edhe ka ikë djali ka dalë nga dhoma është kthy pas pesë minutash dhe une sot e kam parasyshë at skenë kur po e flas ketë,.

Është kthy pas pesë minutash edhe ka ra n’dy gjujtë para meje me ni përkulje pothuajse deri n’dysheme edhe me ni dorë grusht kshtu ma ka vu dorën përpara edhe e ka hapë grushtin {shpjegon me duar se si ka vepruar personi në fjalë}, kur e ka hapë grushtin i ka lshu pesë pluma të armës kallashnikov përpara edhe m’ka thanë, “Merrni këta pluma për Kosovën, për kry të hasmit jonë kanë t’bom gati”, këtë fjalë ma ka thanë ai djalë. Edhe pastaj emocionet e kanë bërë punën e vet dhe asnjëri nga ne s’ka mund të.. t’i përmbajë lotët, të gjithë bashkarisht kemi qajtë. Dhe për herë t’parë neve na ka ndodhë që t’shtrohet sofra n’odë edhe t’vije komplet familja, me gra, e me vajza, e me fëmi e me të gjithë të ulen në sofër me neve edhe t’hamë darkë. Do të thot kjo ishte ajo që unë e kam ndoshta ma t’madhërishmën që e kam përjetuar gjatë këtij Aksioni të Pajtimit të Gjaqeve. Kemi darkuar në atë shtëpi, dhe jemi nisur nga aty kemi shku tek në rethin e Pejës.

Në rrethin e Pejës kemi shkuar në familjën ku i falej… ku i bëhej… ku… të cilit i bëhej falja dhe ai familjar është çu për t’na pre qingj me e festue faljen dhe ne nuk kemi pranue. Do të thotë e kemi blloku, “Jo, ne darkën e kemi kry”, dhe nuk… zakonisht nuk hanim aty ku falej, vetëm… ne hanim vetëm te falësit. Mjaftonte një copë bukë me një copë djathë përpara n’sofër edhe një gotë me ujë për neve ishte gjithçka. Edhe ai pytë për kushtet, “Cilat jonë kushtet?” “Po s’ke kushte, kushtet jonë që ti t’rrish burrë i mirë, të mos e provokosh, të mos e gjuash me fjalë, të mos e ngacmosh, këto jonë kushtet, nuk ka kushte tjera.” “Jo, nuk ma paska falë.” “More, ta ka falë, po ne prej tij erdhëm tash.” Tri herë u përsërit e njejta gja, “Jo, s’ma paska falë.” Edhe kur e tha herën e tretë, une e kam fut dorën n’xhep edhe i kam nxjerrë pesë fishekët edhe ia kam vu përpara n’qehre, i thash, “A po i sheh?” Tha, “Po.” Thashë, “Këta ishin kanë t’përgaditun për ty zotni,” thashë, “ne i murrëm me veti,” thashë, “ne këta i murrëm me veti,” thashë, “prandaj ti rri burrë i mirë edhe mos e nguc njerin, mos… n’e pafsh n’rrugë shmangu pak, mos i dil përpara, mos e provoko!” Kur i pau fishekët përpara tha, “Vërtetë,” tha, “ma paska falë,” tha, “se herë… kohët e fundit… herë…ditë e fundit m’ka dalë sa herë n’pritë” tha, “une e kom hetu pritën edhe iu kom shmangë, i kom ikë.” Tha, “Vërtetë ma paska falë”, kur i pau fishekët përpara vetës. Do të thotë janë këto gjana, është kjo ajo kjo kjo është ajo, ajo ma madhështorja, kur thotë ai, “Merrni këta pluma për Kosovën, këta për kry të hasmit kanë qenë t’bom gati.” Kjo do të thotë është një diçka vërtetë e madhe.

Kshtu do të thotë osht’, ka shumë raste. Unë ju meta borxh që nuk i përmena n’atë ekipën lëvizëse, n’atë ekipën servis edhe Abdullah Zhegrovën, nuk e përmena Akile Dedincën, që të dy t’burgosun politik, poashtu nuk e përmena Fatmir Sopin nga Mramori diku, nga Zllasha këtu. Do të thotë, ka qenë kjo ekipë që ka lëvizur poshtë e lartë, që ka lëvizur gjithandej trojeve shqiptare për për ta çu mesazhin e pajtimit. Kam qenë në Gajre të Tetovës, kam qenë në Ҫegran të Gostivarit, kam qenë në Novosellë, diku në një fshat të Malishevës kam qenë, kam qenë edhe n’do fshatra tjera, fotografitë i kom ama nuk e di tani ku… pastaj kam qenë në n’rreth të Gjilanit diku n’malsi të Gollagut atje që për momentin nuk m’kujtohen emrat e fshatrave. Por unë do t’i bëjë fotografitë se i kam fotografitë dhe do t’ua dërgoj fotografitë bashkë me vendin se ku është bërë pajtimi. Kam qenë në Kodrën e Trimave këtu ni pajtim tjetër. Po tubimet e mëdha nuk i kam njekë shumë, nuk… ne ekipa jonë nuk i ka njekë shumë tubimet e mdhaja, ne kemi qenë nëpër teren.

Erëmirë Krasniqi: Po, deshta me ju vetë për Maqedoni, për Gajre dhe Ҫegranë, se p’e kuptoj që në Kosovë njerëzit e kanë falë gjakun për hirë t’shqiptarisë, po edhe ma shumë për ni Kosovë pak ma t’fortë, meqenëse ka pasë përçamje t’mrendshme. Ku e gjejshin njerzit në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës motivin për me falë, a ish i njejti?

Ibish Neziri:
I njejti motiv ishte, shembull ishte Kosova dhe motivi ishte i njejtë. Madje me këtë rast po e përmendi edhe këtë Gajrën e Tetovës, universiteti i… hapja e universitetit të Tetovës për herë t’parë është përmend në Gajre të Tetovës nga profesori Fadil Sylejmani, aty është përmend për herë t’parë nëndhjetshi dhe ai pesë vjet me vonë u hap.

Erëmirë Krasniqi: E aktivistat qysh, ku i gjejshit, qysh ju… qysh krijojshit rrjet me njerz prej atyne anëve?

Ibish Neziri:
Motivi i afronte njerëzit mes vete, motivi afronte njerëzit mes vete, vinin njerëzit vetvetiu afroheshin, lajmronin ktu është një rast a keni… unë muj me ndihmu n’këtë rast edhe n’këtë mënyrë afroheshin njerzit.

Erëmirë Krasniqi: E çfare ishin rastet atje, natyra e rasteve?

Ibish Neziri:
E keni fjalën për në…

Erëmirë Krasniqi: Hasmitë..

Ibish Neziri
: Po, e keni fjalën për n’Kosovë apo për n’viset?

Erëmirë Krasniqi: Për viset tjera…

Ibish Neziri:
Për viset tjera, po t’ngjashme sikurse n’Kosovë, atje ishte grupi, ta zamë grupi i Adnan Abdullahut, ai gjaku i parë u fal n’fshatin Qellopek edhe aty Adnan Abdullahu me dy vllazërit e tij, pos qe u vu vet n’dispozicion ai e vuni n’dispozicion edhe shtëpinë e vuni n’dispozicion dhe ne flenim n’shtëpi të Adnan Avdullahut. Ata ishte formu grupi atje dhe ata i kishin identifikuar rastet se ku janë, edhe ni tjetër do ta përmend qe se fjala po nxjerrë fjalën edhe po shpalosen kujtimet po n’Maqedoni na ndodhi. Ne shkuam për t’kërku ni pajtim, damtusi kishte qenë polic dhe kur ne shkuam tek familja për t’kërku falje ai tha, “More,” tha, “mu po ma kërkon populli e po ma kërkon Kosova, për popullin dhe për Kosovën jo veç gjakun e vllait t’vramë po une e fali edhe gjakun e 13 anëtarve t’familjes qe e kam, po ju nuk keni kujt t’ja falni ketë, nuk keni kuj se si t’ma kerkon mu populli edhe Kosova po qysh jo more, po qysh se jap une për Kosovën, po shkoni ju shihni dhe n’paqi kujt ja falni shkoni e faljani, t’falun je, i falun është prej meje”.

Dhe kur shkojmë ai e kishe shtëpinë e rrethuar me një mur, dhe muri i shtëpisë së tij ishte i mbushur përplot parulla në maqedonisht, Rrnoftë lidhja komuniste e Maqedonisë! Rrnoftë ai kryetari i Maqedonisë kush kanë qenë ata Mojsov e Gligorov e kush dreqin kanë qenë ata, Rrnoftë lidhja komuniste e Jugosllavisë! E filan krytari, shtëpia e tij ishte e mbushur me të gjitha, me të gjitha kto parulla. Ishte e mbushur, ishte i mbushur muri i oborrit dhe ne nuk hymë hiç te ai, nuk hymë, thjeshtë nuk hymë sepse po t’hynim tek ai e dinim se do t’përfundonim n’polici t’Maqedonisë dhe ne u kthym përsëri te ky i thamë, “Ti mos ndërrmerr gja, jo për ate se ai nuk e meriton faljen, por për ty, ti nuk meriton për me për me për me pasë barrë nji gjak t’pa marrun në shpinë, ti falja popullit t’Kosovës”. Dhe neve na ka rastisë tjetri, janë dy raste tjera që janë përmend, por njëri në Tetovë në të cilin kam qenë vet prezent kur është thanë n’Ҫegran del nana së cilës i ishte vra i vetmi djalë dhe thotë, “Vrasësi i djalit tim u pjektë n’xhehnet me djalin tim”. Këto janë gjëra madhështore që nuk mund t’i gjeshë te asnjë popull tjetër n’botë.

Erëmirë Krasniqi: E a kishit mujtë me spjegu pse shqiptarët nuk ju kanë qasë ligjit po menoj, a a a se p’e vrej që edhe n’zonat tjera që kanë ndodhë [gjakmarrjet], a gjithmonë ka qenë sistemi armiqsorë ndaj tyne, ligjor?

Ibish Neziri:
Sistemi ligjor nuk ka qenë efikas ndaj tyne, gjaqet, gjakmarrjet kanë qenë të ngjitura, ka ndodhë janë gjetë që me nji pushkë janë vra shtatë persona, jo një njeri qe i ka vra shtatë, po merrju pushka njënit kryje njëni vrasjen, merrju pushka ipju tjetrit prej pushtetit.

Erëmirë Krasniqi: Domethonë pushteti ka qenë i përfshim?

Ibish Neziri:
Do të thotë pushteti ka qenë i përfshier në në këto rastë, sepse nuk i ka zgjidhur kontestet dhe njerëzit nuk kanë pasë besim në pushtetin që i zgjidh kontestet. Do të thotë mos funksionimi i ligjit ajo ka qenë, mos funksionimi i ligjit në shkallën e duhur ka qenë ajo që i ka shkaktu t’gjitha këto telashe, nxitja për gjëra t’ndyshme, për vepra t’ndryshme. Do të thotë, ka ndodhë edhe një rast tjetër, për nji ngatrresë t’vjetër për nji ngatrresë t’vjetër, pjestari i familjes t’ngatrruar, kjo ka ndodhë ndoshta njëzet vjet…ka ndodh njëzet vjet ma herët rasti apo tridhetë vjet ma herët ka ndodhë rasti, i është marrë njeriut pasaporti, i është marrë pasaporti dhe i është thanë, “Dil vrite filanin, edhe dil jasht.” Ai ka qenë me punë n’Zvicër, dy vllezër kanë qenë me punë n’Zvicër, iu është marrë pasaporti dhe mund të them se kur i është marrë pasaporti me emër, kush ka qenë marrësi i pasaportit dhe nxitësi për ta nxitësi për ta quar njeriun n’vrasje, është person i cili del n’televizion dhe flet sot e shet patriotizëm, nje UDB-ash i quajtur Mehmet Loci i Pejës. Mehmet Loci ia ka marrë pasaportin dy vllezërve, njanit ia ka mbajtë ma gjatë dhe tjetrit më shkurt, dhe tjetrit ia [ka] mbajtë më gjatë, ma shumë se nji vjet ia ka mbajtë pasaportin duke i bërë presion për t’dalë për t’u hakmarrë, për t’u hakmarrë dhe ai që duhet vritej ishte një i burgosur politik.

Erëmirë Krasniqi: Ҫka ka ndodhë me të?

Ibish Neziri:
Ҫka ka ndodhë? Ka ndodhë ajo që është dashtë të ndodhte, njeriu nuk i është nënshtrue presionit. Nji vjet ka nejt pa punë, nji vjet ka nejt n’shtëpi, nji vjet nuk është dorëzu dhe pas nji vjeti s’kanë pasë nga t’ia mbajnë… nga t’ia mbajnë dhe ia kanë kthyer pasaportin. Dhe këtë rast njeriu e ka shpalosë në.. dhe kjo ka ndodhur në rrethin e Pejës. Ka ndodhë, dhe këtë rast kur është shkue t’kërkohet falja n’atë familje, nana e atyre djemve, një gru malsore taman si thuhet n’atë kuptimin n’Dukagjin, thuhet një gru malsore për një gru që vërtetë është gru fisnike, ajo thotë, “Ata janë djemt e mi, une fali, ata janë djemt e mi sepse une ata i kam rritë dhe ata fjalën time nuk e kthejnë dysh”, dhe pastaj ai djalë thotë, “Unë sikur t’kisha dashtë t’hakmerrem unë kam mund t’hakmerrem dhe t’kem privilegje prej pushtetit se kshtu kshtu kshu ka ndodhë.” Do të thotë edhe këto i kanë ba, i kanë ba për fat t’keq edhe UDB-asht shqiptarë i kanë ba. E përmenda me emër, dhe atij njeriu që e përmenda tani Mehmet Locin, unë jam i gatshëm në të gjitha mediumet t’i dalë përballë dhe t’ia dëshmoj këtë, t’i them se, “Ti e ke nxitë filan fistekun ta vras filan fistekun me emër e me mbiemër”, dhe t’i tregoj edhe sa gjatë ia ka mbajtë pasaportin, do të thotë të gjitha strukturat e pushtetit Jugosllav kanë lujt rol n’futjën e ngatrresave mes shqiptarësh, sepse është e njohur ajo prej kohës së romakëve divide et impera, përçaj dhe sundo, do të thotë këta kshtu kanë veprue.

Erëmirë Krasniqi: Kur u kry nisma e pajtimit, kur u përmbledh aktiviteti.

Ibish Neziri:
Po, pas një viti, pas një viti ka përfunduar. Do të thotë pas një viti ka përfunduar n’shkurt të ‘91-tës, është mbajtur në fshatin Osek në shtëpinë e njërit që poashtu ka falë gjak. Është mbajtur tubimi i fundit, ose i themi tubim ose i themi mbledhje ose i themi kongres, si të doni, po i themi kështu nuk e ka pasë nji emërtim të veçantë po është majtur takimi i fundit i veprimtarëve të Pajtimit të Gjaqeve në të cilin është raportuar për t’arriturat gjatë atij viti dhe po n’atë takim është shpallur një aksion tjetër i cili poashtu ka qenë jashtzakonisht i sukseshëm, ka qenë aksioni Familja Ndihmon Familjen. Po ne ata të Pajtimit, domethanë nga njerëzit që kanë marrë pjesë në Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve dhe ketë aksionin Famijla Ndihmon Familjen, në atë takim e ka shpallë profesori i fakultetit të mjekësisë Xhevat Hasani nga Prizreni.

Erëmirë Krasniqi: A mundesh me na spjegu pak çfarë iniciative ka qenë kjo?

Ibish Neziri:
Ka qenë iniciativa familjet e kamura, familjeta e kamura t’i ndihmojnë familjet që ballafaqoheshin me varfëri, për shakak të largimeve nga puna gjatë vitit 1990 dhe sidomos familjet e pjesës veriore të Kosovës, të Mitrovicës dhe të asaj zone, sepse ajo ishte nji zonë industriale ku u u pushunë nga puna mijëra punëtorë. Edhe do të thotë këtë qëllim e kishte, që t’i mbajë t’fortë që t’mos i nënshtrohen pushtetit t’mos i nënshtrohen pushtuesit. Unë nuk kam qenë shumë aktiv n’ketë aksion, ka pasë hidhërime n’mu pse nuk jom aktiv por unë n’atë kohë fillimisht domethanë nuk isha n’atë gjendjën, sepse unë isha ballafaqu vet kohë t’gjatë me vështërsi financiare, pas daljes nga burgu nga ato nuk e përmenda më herët, unë n’atë periudhë kohore gjatë verave kam shkuar dhe kam punuar n’fusha t’Tuzit, n’kopshtari kam punuar dhe unë nuk mund t’merrja ndonjë familje për ta… për t’i mbajtur. Sepse të gjithë pastaj… unë familjarët e mij unë i kisha t’papunë sepse edhe ne pësuam si të tjerët edhe duhej t’i.. ta mbaja familjën qe e kisha e për nji familje të dytë nuk mjaftonin të ardhurat e mija edhe unë nuk mund t’ia lejoja vetës t’i them dikujt merre filan familjën mbaje, por pa pasë unë vet një familje tjetër për ta mbajtur. Dhe pastaj kishte nga shokët e mi nga bashkveprimtarët e mij që u hidhëruan n’mua pse unë nuk jam këtu aktiv, por unë i kisha arsyet e mia që ishin krejtsisht objektive dhe nuk kam shumë informacione për ketë.

Erëmirë Krasniqi: Ҫka ka qenë…?

Ibish Neziri:
Shembulli pajti… do të thotë nësë kthehemi edhe një herë tak pajtimet këtu shembulli më i mirë i asaj vllazërisë fetare i njerëzve kanë qenë dy emra që meritojnë, përgjithnjë, meritojnë të nderohen Don Lush Gjergji dhe Bilall Krye… m’falni jo Bilall Kryeziu po Xhevat… Xhevat Kryeziu, Mulla Xhevat Kryeziu, janë dy emra që vërtetë meritojnë… meritojnë respekt t’jashtzakonshëm. Meritojnë nderim përjetë për veprimin e përbashkët, për luftën e përbashkët për përpjekjet e përbashkëta që i kanë, i kanë bërë në këtë drejtim por edhe në të tjerat.


Erëmirë Krasniqi: Cili ka qenë aktiviteti juj politik ose jeta juj mas Pajtimeve?


Ibish Neziri: Unë paralelisht kam ecë, paralelisht kam ecë me pajtimet edhe me organizatën, paralelisht kam ecë me pajtimet dhe me organizatën. Në vitin 1991 kam qenë antarë i grupit, sepse me ndryshimet politike qe u banë në Jugosllavi, me ndryshimet politike që u banë n’Kosovë, me rëniën e sistemit socialist atëherë ishte vetëm një parti opozitare, ishte deri në vitin 1990 ishte vetëm një organizim opozitar, ishte i gjithë kësaj, ishte Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Me daljen e… në skenë të LDK-së unë duhet ta them atë që e ndjej dhe atë që mendoj, që ashtu është pak a shumë, u shkaktuan çoroditje, sepse u kriju iluzioni se Kosova do t’shlirohet me paqe dhe me dy gishta dhe pastaj filloi nji… nji konflikt i heshtur, konflikti ishte i heshtur mes këtyne dy subjekteve.

Lëvizja Popullore e Kosovës cilësohej si organizatë e kuqe ose organizatë ideologjike, si organizatë e majtë, e ku ta di unë faktikisht, po ne në asnjë rast dhe asnjëherë nuk e kishim ndërmend t’futemi n’konflikt me Shqipërinë, pavarsisht sistemit n’Shqipëri, sepse ashtu edhe siç na doli n’fund ne aty e kishim mbështetjen, aty e kishim kokën, ajo ishte jastek për neve, ajo ishte prehër për neve dhe ne nuk donim t’futeshim n’konflikt me Enver Hoxhën apo me sistemin se është i kuq apo është i majtë apo çfardo [që] është. Dhe këtu njerëzit filluan të etiketohen dhe të gjithë të burgosurit politik pa përjashtim u etiketuan si t’kuq, një grup i t’burgosurve politik si me zor u murrën në Lidhjen Demokratike t’Kosoves por sinqerisht po e them, i bindur se asnjëherë t’vetme besimin nuk u’a falën dhe besim n’ta nuk patën sepse ishin… po e them n’thojza ato nuk po shihen por n’thojza po e them sepse ishin të kuq.

Edhe unë kam vazhdue aktivitetin tim n’këtë kohë. Pak radhët e organizuara ilegale u… dobsuan, duhej më shumë përpjekje, duhej më shumë punë për t’i mbajtur n’kambë. U kriju grupi i organizimit dhe i ri-organizimit në vitin 1991, i cili çoi tek mbledhja e tretë e përgjithshme. Paraprakisht u majt një mbledhje e përgjithshme, deri n’atë kohë ishte OMLK-ja ishte si organ.. si organizatë pararojë e LPRK-së ishte si… një organizatë ideologjike, organizata marksiste leniniste edhe u majtë n’Dabishevc. U majt një mbledhje në të cilën u vendos që OMLK-ja të mos jetë pjesë, të mos jetë pararojë e LPRK-së… e LPK-së, domethanë t’mos jetë pjesë… organ pararojë, ata që dojnë, domethanë mu shkëputë përfundimisht, domethanë u shkëputën nga çdo lloj ideologjie. Lëvizja Popullore e Kosovës dhe vendimet [që] u morrën në Dabishevc, mbledhje konsultative që u mbajt n’Dabishevc dhe momentalisht datën nuk mund ta them se sëm kujtohet data, por ishte muaji shkurt dhe unë e kam këtë datë e kam të shënuar, i kam shënimet e mia në arkivin tim dhe pastaj u organizu gjatë vitit 1991.


VIJON…


 _______________________________


IBISH NEZIRI: RUGËTIMI IM PËR LIRINË E KOSOVËS (Pjesa e parë)

http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5734

***

IBISH NEZIRI: RUGËTIMI IM PËR LIRINË E KOSOVËS (Pjesa e dytë)

http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5735

***

IBISH NEZIRI: RUGËTIMI IM PËR LIRINË E KOSOVËS (Pjesa e tretë)

http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5736


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks