SHKRIMI
e martë, 25 prill 2017

IBISH NEZIRI: ADEM DEMAÇI NË BURGUN E STARA GRADISHKËS (DHJETOR 1982 - NËNTOR 1986)

Zvicër, 26. 02. 2017: (Me rastin e 81 vjetorit të lindjes së Nderit të Kombit Adem Demaçi) -

Kujtime nga burgu për Adem Demaçin

Stara Gradishka është vendbanim i vogël në Kroaci. Austrohungarezët, në shek. XVIII, aty, ndërtuan një kështjellë, e cila, gjatë periudhës 1942 45 do të shërbejë si kamp përqendrimi, ndërkaq nga viti 1945 deri në vitin 1990 pushteti i Jugosllavisë federative do ta shfrytëzojë për burg për ata që kishin kryer vepra të rënda penale dhe për recidivistë të shumëfishtë.

Pas burgosjes dhe dënimit të tretë në kohëzgjatje prej 15 vjetësh, në vitin 1975, edhe Adem Demaçi u dërgua në këtë burg, ku do të qëndrojë për rreth 14 vjet. Dërgimi i tij këtu nuk ishte i rastësishëm ngase ky burg ishte i njohur për kushte jashtëzakonisht të këqija dhe për të burgosurit mbajtja e dënimit këtu ishte dënim shtesë.

Ndërtesa ishte e vjetër. Kishte pamje të përhimët dhe ishte e rrethuar me mur të lartë e me tela gjemborë të pajisur me rrymë elektrike. Burgu kishte katër pavijone të mbyllura dhe një pavijon të hapur dhe disa reparte pune, në të cilat punohej detyrimisht.

Këtu, pas vitin 1982, sollën edhe shumë të burgosur tjerë politikë shqiptarë, fillimisht nga burgu i Gospiqit, si burg transitor, i cili ishte njëri ndër burgjet më famëkëqija të ish-Jugosllavisë, ngase në të me shërbime mujore shërbenin gardianë vullnetarë nga e gjithë Kroacia me moton: «Kush dëshiron të rrah shqiptarë, në Gospiq!»

Kur arritën të burgosurit e vitit 1981, Adem Demaçin e gjetën në dhomën nr. 28 të pavijonit të katërt. Edhe kjo dhomë ishte, sikurse të gjitha dhomat tjera, e stërmbushur më 37-38 të burgosur, pa ujë, me një të ndarë, në të cilën ishte një qyp që shërbente për t’i kryer nevojat fiziologjike gjatë natës. Shtretërit, si në të gjitha dhomat, ishin dykatësh, me dyshekë dhe batanija të stërvjetëruara. Shtrati i Demaçit ishte i pari në të majtë.



Shtratin në mëngjes e rregullonte shpejt dhe ndër të parët, pas numërimit të parë, shkonte në dhomën e pastrimit dhe e kryente pastrimin e mëngjesit. Derisa shokët përgatiteshin, ai i priste dhe pastaj bashkë me ta shkonte në sallën e ngrënies. Njësoj vepronte edhe në kohën e drekës e të darkës.

Nga kjo dhomë, për çdo ditë, pas ngrënies së mëngjesit, edhe Adem Demaçi dilte në oborr dhe rreshtohej me grupin e të burgosurve që punonin detyrimisht. Ai punonte në repartin e tjerrjes së shavarit që shërbente për punimin e karrigeve. Reparti quhej «Kosharaçi.»

Më 17 dhjetor të vitit 1982, ditën kur unë për herë të parë do të shkoja detyrimisht në punë, si edhe të gjithë të burgosurit tjerë, dola në oborr dhe u rreshtova në rreshtin e të burgosurve që punonin në zdrukthëtari. Pasi u bë numërimi i dytë na urdhëruan të niseshim. Pak hapa më tutje, një rresht qëndronte në vend, dhe deri sa ne kalonim para tij, nga rreshti doli një burrë shtatshkurtër, por shumë energjik, me syze me xhama të trasha, me një kapelë të burgosurish të rrasur deri te veshët, dhe ma zgjati dorën duke më thënë «Si je bac?» Nuk kisha dyshim. Ai mund të ishte vetëm Adem Demaçi. Ia zgjata dorën shumë i emocionuar. Duke ma shtrënguar dorën më tha: «Shiko! Është kohë dimri dhe nuk ka shëtitje deri në pranverë. Prandaj, edhe nuk do të shihemi. Në pavijonin e parë janë disa shqiptarë. Janë djem të mirë. Aty është edhe Halili. Është edhe Nikolla. Për ato që më pyet mua, pyete edhe Nikollën», në punë mos kalo shumë mbi 25% të normës, por as mos bjerë nën 25% se të dënojnë me çeli!

Kaq, më tha, dhe u shkëput e hyri në rreshtin e tij. Halili ishte punëtor i Elektroekonomisë i dënuar me 5 vjet burg, kurse Nikolla ishte i burgosur politik kroat, i cili i ishte afruar përfundimit të vitit të 22-të në burg. Ai kishte biografi të pasur dhe kishte shumë respekt për Adem Demaçin. «Gjatë 22 vjetëve të kaluara në burg, të burgosur më dinjitoz se Demaçin nuk kam parë kurrë» – thoshte ai shpesh.

Sapo kaloi dimri, në burgun e Stara Gradishkës filluan edhe shëtitjet e të burgosurve. Ato bënë të mundur që takimet e mia me Demaçin, të jenë më të shpeshta. Gjatë shëtitjeve të pasdrekeve, ai asnjëherë nuk mbetej vetëm. Zakonisht shoqërohej me nga një apo dy të burgosur. Shëtitja zgjaste një orë e gjysmë, deri në dy. Këto shëtitje Demaçi nuk i la shëtitje të zakonshme, sa për të thithur pak ajër të pastër, por i shndërroi në orë mësimi, ligjëratash e diskutimesh. Thënë shkurt, burgun e Stara Gradishkës e shndërroi në universitet. Historia, filozofia, gjeografia e atdheut, marrëdhëniet ndërkombëtare, teori të ndryshme filozofike dhe sociologjike, të drejtat e njeriut dhe të drejtat kombëtare ishin temat e bisedave që zhvilloheshin gjatë shëtitjeve. Leksione nga më të llojllojshmet, pyetje nga më të ndryshmet. Asnjëherë i lodhur nga ligjëratat e tij. Asnjëherë i lodhur nga pyetjet e shokëve. Analizë e shtypit jugosllav, i cili, i tëri, ishte i parapaguar nga të burgosurit politikë shqiptarë. Dhe, këto nuk kishin mbetur të pavërejtura nga autoritetet e burgut, por t’i pengonin nuk mundnin. Kujdesin ndaj shokëve e kishte më shumë se atëror. Solidarë me shokët deri në pafundësi.

Udhëzimet për sjellje dhe qëndrim ishin tema të pashmangshme. Nganjëherë u thoshte shokëve: «Bac, ju jeni veshur me rroba të bardha dhe pika e baltës në rroba të bardha shihet larg, prandaj, kujdes se këtu gjithçka është baltë, lloç! Ne duhet të dalim të shëndoshë nga këtu, nëse mendojmë ta çojmë më tutje luftën tonë». Të gjithëve ua shpjegonte lidhjen e gjërave me njëra tjetrën, mbi bazën e dialektikës dhe ndryshueshmërisë së tyre me kohën. «Lufta jonë çlirimtare dhe çlirimi ynë i shërbejnë edhe vetë Serbisë ngase, duke na mbajtur neve të robëruar, as ajo vetë nuk është e lirë.» Në rast të ndonjë zënke a hidhërimi mes shokësh, posa e merrte vesh, reagonte dhe reagimi i tij ishte aq i ashpër sa që shokëve të hidhëruar rastësisht, nuk u mbetej të shkonin te Demaçi, sepse gjithsesi njëri a tjetri do të thoshte: «Aman, mjaft më, nuk dua të shkoj e të skuqem para Bacit!»

«Nëse neve, deri sa jemi duke ecur, na bie një gurë dhe na zë rrugën, si do të ecim tutje po s’u morëm vesh që bashkë ta largojmë atë nga rruga? Ne gjithë rrugën plotë me gurë e kemi!» – thoshte shpesh. «Bac, nuk ka punë të vogla e punë të mëdha! Ka punë të mira dhe punë të këqija, prandaj, ruhuni nga punët e këqija!», - i porosiste shokët.

«Njeriu kur zgjohet nga gjumi duhet të mendojë se është njeriu më i rëndësishëm i popullit të tij dhe jo vetëm kaq! Ai, gjatë gjithë ditës, duhet të sillet dhe të veprojë sikur krejt fati i popullit dhe i atdheut të varet prej tij dhe, në fund, para se të flejë, t’i ndajë pesë minuta kohë për t’u përgjigjur në pyetjen: Çka bëra sot të vlefshme për popullin tim, për atdheun tim!»- thoshte herën tjetër. Besimin në fitore e kishte të patundur. Këtë ndjenjë gjithnjë e forconte edhe te të burgosurit tjerë politikë shqiptarë, ndonëse këtë besim as ata nuk e kishin vënë ndonjëherë në dyshim.

Në fillim të pranverës së vitit 1983 në Stara Gradishkë arrin një grup i të burgosurve politikë shqiptarë nga burgu i Lepogllavës për shkak të një greve urie disaditëshe. Sapo u mor vesh se cilët ishin dhe nga cili burg vinin, porosia e Demaçit ishte e qartë: «Përpiquni t’u ndihmoni me krejt çfarë të jetë e mundur. Ata sigurisht janë të rraskapitur nga greva!» E njëjta gjë ndodhte edhe kur i sillnin të rinjtë shqiptarë të dënuar nga gjykatat ushtarake jugosllave.

Orët e pas shëtitjes dhe ato të mbrëmjes i kishte orë të rregullta leximi. Lexonte libra dhe shtypin. Shtypi lëvizte nga pavijoni në pavijon duke u këmbyer mes të burgosurve. Për t’i ndihmuar njëri- tjetrit në lexim, lexuesi paraprak i shënjonte artikujt apo kapitujt, të cilët nuk duhej lëshuar pa i lexuar. Në këtë punë Adem Demaçi ishte kampion i padiskutueshëm.

Mësimit të anglishtes i kushtonte kujdes.

Gjatë pranverës së vitit 1983 përmes një të burgosuri ordiner, të burgosurit e pavijonit të parë arritën ta siguronin një transistor, i cili pjesë-pjesë ishte futur në burg dhe aty ishte montuar. Pasi gjatë natës, fshehurazi, me kufje në vesh e dëgjonin Radio Tiranën dhe ndonjë radiostacion të huaj, të nesërmen lajmet i përcilleshin Demaçit dhe shokëve të tjerë. Lajmet i interesonin, por i interesonte të dinte edhe ku po i merrnin ato lajme. Pasi mësoi se ku, edhe pse i pasigurt se nuk do të shpëtonin pa ua zënë, u pajtua që transistori të mbahej, por porositi që të gjithë ta dëgjonin me radhë, dhe pasi ta kishin provuar të gjithë, ta mbajë ai që do të mbante mend më së shumti. Për ta informuar për lajmet, gjithnjë, edhe kur nuk kishte shëtitje, gjendej mënyra deri sa edhe nga shokët e pavijonit të katërt u gjend një e tillë. Sikur një fëmijë i vogël që gëzohet për dhuratat, Adem Demaçi u gëzohej lajmeve të mira për shqiptarët dhe Shqipërinë. Gjithmonë, kur merrte lajme të mira, i ftonte shokët te «dardha plakë» si i thoshte ai një dritareje në mes të korridorit të pavijonit të katërt dhe i qeraste me ndonjë copë çokollatë, por nuk i harronte as shokët e pavijoneve tjera.

Një herë, deri sa diskutohej për një demonstratë të shqiptarëve në Frankfurt dhe për sharjet e Azem Vllasit kundër demonstruesve, ndërhyri duke thënë: «Bac, a po e sheh qatë Azemin e keq që gjë pa folë kundër nesh nuk është duke lënë? Nuk ka për të shkuar gjatë pa e kapur për veshi e pa e gjuajtur mes nesh».

Një herë tjetër, pasi i dëgjoi lajmet për arrestimin e Millovan Gjillasit dhe të 27 intelektualëve serbë në Francuska 7, të Beogradit, tha: «Serbia sot është duke u përpjekur të ndez zjarr në Kosovë, por, ai zjarr ka për t’i shpërthyer midis Beogradit.» Se si rrodhën ngjarjet më tutje, tani më të gjithë e dimë.

Të burgosur politikë shqiptarë vazhdimisht sillnin në Stara Gradishkë. Demaçi të gjithëve ua kushtonte kujdesin e njëjtë. Me të gjithë shëtiste. Shëtitjet me të ishin shkollë, prandaj të rinjtë shqiptarë që mbajtën dënimin në burgun e Stara Gradishkës ishin me fat, sepse ishin pranë njeriut, të cilin gjithnjë e kishin pasur shembull, idhull, simbol të luftës për liri dhe bashkim. Ata u rritën më shumë, u arsimuan më shumë, ndonëse aty diploma nuk kishte. U pjekën më shumë dhe në pjekjen e tyre padyshim se roli i Adem Demaçit ishte shumë i madh. Pjesa dërmuese e tyre përjetësisht mbetën nxënës të tij. Ai aty ishte shembull jo vetëm për të burgosurit politik shqiptarë. Ishte shembull edhe për të burgosurit tjerë, pavarësisht delikteve dhe përkatësive etnike. Ishte shembulli më i mirë i luftëtarit për liri që mund të paramendohej.

Mësues i mrekullueshëm, optimist i papërmirësueshëm dhe vizionar largpamës, në kuptimin e plotë të fjalës, njeri që kurrë (edhe pse sikurse në llumin e burgjeve tjera, u detyrua gjatë të jetonte edhe në llumin e Stara Gradishkës) nuk e njollosi me asgjë dinjitetin e tij dhe të popullit që i priu, por atë me gjithçka e ngriti në piedestalin më të lartë!

Ky shkrim është lexuar në simpoziumin „Adem Demaçi ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës, mbajtur me 21 shkurt të vitit 2016 në Cyrih, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, organizuar nga Fondi „Nderi i Kombit Adem Demaçi“ si dhe në simpoziumin e mbajtur në Prishtinë më datën 29 shkurt dhe 1 mars të vitit 2016.

Fotot poshtë: Burgu i Stara Gradishkës ku simboli ynë i rezistencës, Nderi i Kombit Adem Demaçi i kaloj rreth 14 vjet.






kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

EPOPEJA E UҪK'së!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks