SHKRIMI
e diel, 19 nëntor 2017

EDI SHUKRIU: ARKEOLOGJIA DHE TRASHËGIMIA KULTURORE/AT SHTJEFËN GJEÇOVI

Prishtinë, 14 tetor 2017: At Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu, si emër dhe studiues poliedrik, është mjaft i njohur për shqiptarët, por vepra e tij është bërë objekt studimi edhe nga hulumtues të huaj. Duke qenë shërbyes i kishës katolike dhe në shërbim nëpër troje të ndryshme, Shtjefën Gjeçovi u shqua si lërues i parë shqiptar në disa fusha shkencore. Pikë së pari u shqua për studimin e folklorit dhe sidomos të së drejtës zakonore shqiptare, të kurorëzuar me botimin: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.

Duke lënë mënjanë kontributet e tjera të Gjeçovit, me këtë rast analizohet kontributi i tij për nismën e arkeologjisë ndër shqiptarë dhe për përpjekjet që ta zgjojë interesimin në mesin e shqiptarëve dhe udhëheqësve të tyre për vlerat e trashëgimisë kulturore mijavjeçare. Këto, si dhe kontributet e tjera të Gjeçovit, lidhen ngusht me ecuritë e përgjithshme në Europën e fundshekullit XIX dhe nismës së shek. XX, kur nisi të zhvillohet edhe arkeologjia europiane.

Gjeçovi u lind më 3 tetor 1873 në Janjevë të Kosovës (Vilajeti i Kosovës). Prindërit Mat Gjeç-Kryeziu dhe Ana e pagëzuan me emrin Mëhill dhe shkurtimish u quajt Hil. Duke qenë nxënës i shkëqyer në shkollën e Janjevës, në vitin 1884 u dërgua nga autoritetet e Kishës Katolike në Shkup në Seminarin Françeskan në Troshan, në veri të Lezhës (Vilajetin e Shkodrës)... Studimet i kreu në korrik të vitit 1896 dhe u kthye në atdhe… Në Has të Prizrenit shërbeu me po aq përkushtim të gjithanshëm deri në ditën e vrasjes te “Kodër Rrezina” nga regjimi i Mbretërisë së Jugosllavisë, më 14.10.1929.



Gjeçovi, për nga natyra i qetë, si e përshkruan F. Konica, veproi jo vetëm si famullitar, por edhe si intelektual i kohës. Ai u përkujdes edhe për arsimimin e shqiptarëve, pa dallim feje, duke shërbyer dhe si mësues dhe duke rihapur e hapur shkolla…

…Veprimet e shumanshme të Gjeçovit kanë gurrë atdhedashurinë, andaj dhe angazhimi politik nuk i mungoi…

Vendlindja si inspirim arkeologjik

Janjeva dhe rrethina e saj, e përplotë me pasuri arkeologjike, duket të jetë frymëzimi i parë për trashëgiminë arkeologjike të At Shtjefën Gjeçovit apo Mëhillin e vogël, siç e quanin në fëmijëri. Kalanë e Veletinit mbi Janjevë duhet parë si inspiruese fillestare dhe të veçantë, gjithnjë duke pasur parasysh se Gjeçovi e kaloi pjesën e fëmijërisë dhjetëvjeçare pranë saj dhe në të… Shtresat kulturore në rrëzat jugore dëshmojnë zgjerimin e vendbanimit edhe në drejtim të rrafshit (shek. VI-V p.K.: faza paraurbane dardane)… Në Veletin janë gjetur monedha të periudhave të ndryshme, nga ato të Damastionit (shek. IV p.K.) dhe të Durrahut e deri te monedhat e perandorëve bizantin Teodosit (shek. IV), Vasilit II (shek. X-XI) e më pas…

…Konstatimi se Janjeva luajti një rol inspirues për interesimin e mëtejmë të Gjeçovit për arkeologjinë dhe për veprimtarinë e tij në këtë drejtim e mbështet pasuria arkeologjike e Janjevës dhe e rrethinës së saj, ndeshja në çdo hap në fëmijëri me gjurmët e lashtësisë dhe vetë kërshëria e dëshmuar hulumtuese e Gjeçovit.

Koha: Nxitje për veprimtari arkeologjike

Koha në të cilën jetoi Gjeçovi, gjysma e dytë e shek. XIX dhe më pas, paraqet një komponentë të rëndësishme për interesimin dhe veprimtarinë arkeologjike të tij. Në këtë kohë kur mori hov zhvillimi i arkeologjive nacionale në Europë… Zhvillimi i arkeologjive nacionale dhe zhvillimi i arkeologjisë parahistorike, e lidhur me zhvillimin e shkencave natyrore, sollën deri te zbulimi i kulturave europiane… Lërimi arkeologjik në Europën perëndimore kishte si rezultat edhe rinjohjen dhe studimin e kulturave të popujve të vjetër të Ballkanit, si ishin ilirët dhe trakët.

Gjeçovi ishte ndër shqiptarët e parë që nisi hulumtimin arkeologjik të trojeve shqiptare... Me nismën e veprimtarisë së Gjeçovin nis dhe faza e përkujdesjes së shqiptarëve ndaj arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore në përgjithësi. Hulumtimet arkeologjike në trojet shqiptare, të intensifikuara nga mesi i shekullit XIX në Europë, u zhvilluan fillimisht nga studiues të huaj.

Tëhuajëzimi i thesarit arkeologjik, të zbuluar në Apolloni, Durrës, Krujë, Lezhë, Shkodër, Koplik, Koman e në lokalitetet e tjera, u bënë edhe një motiv nxitës për intelektualin me erudicion të rrallë që vet të ndërmerrte hapa konkret, së pari për ruatjen e trashëgimisë së lashtë dhe, më pas, për zbulimin e thesarit, i cili, si thotë: “...gjendej në gji të dheut.” Kështu, ndonëse nuk ishte arkeolog për nga profesioni, Gjeçovi u bë arkeologu i parë shqiptar autodidakt, nismëtar i një shkence të re, e cila te shqiptarët mori hov pas Luftës II Botërore.

Kontributi për zhvillimin e arkeologjisë

Kontributi i Gjeçovit për zhvillimin e arkeologjisë shqiptare zë dy aspekte të rëndësishme dhe këto mund të përmbledhen në dy përcaktimet vijuese: 1. Qëndrimi ndaj trashëgimisë kulurore dhe 2. Veprimtaria arkeologjike.

Qëndrimi ndaj trashëgimisë përfshinë qëndrimet e Gjeçovit ndaj trashëgimisë së lashtë dhe ruajtjes së saj, që nënkupton popullarizimin e arkeologjisë dhe kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes së popullit për vlerat e trashëgimisë së lashtë. Veprimtaria arkeologjike përfshinë hulumtimet arkeologjike, evidentimin e lokaliteteve dhe gërmimin e tyre. Të dy këto aspekte ndeshen në artikujt e botuar me një titull të përbashkët “Nji argetim Arheologjik”, të botuar në “Zani i Shna Ndout” VIII / 1920 (numrat 4, 6, 7, 8, 9).

Gjeçovi i dha titull të përbashkët të gjithë artikujve me temë arkeologjike: “Nji argetim Arheologjik” dhe kjo imponon te lexuesi bindjen se ai e konsideron veprimtarinë arkeologjike si një argëtim, i cili ka për qëllim sjelljen e kënaqësive shpirtërore që arrihen duke gërmuar, si thotë ai:”sendet e vjetra.” Mirëpo, përmbajtja e vet artikujve, shtrimi i nevojës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, propozimet konkrete që i ofron dhe veprimet e ndërmarra për hulumtimin e saj, dëshmojnë se për të arkeologjia nuk ishte “nji argëtim” dhe se kënaqësia e zbulimit ishte kënaqësia shpirtërore dhe mendore e një intelektuali, i cili, edhepse jo arkeolog, i pari dha kontributin vetanak për zhvillimin e një shkence të re ndër shqiptarë.

1. Qëndrimet ndaj arkeologjisë

Qëndrimet e Gjeçovit ndaj arkeologjisë gjenden gati në të gjithë artikujt e tij…

…Si detyrë prioritare të arkeologjisë Gjeçovi e sheh nxjerrjen në pah të thesarit arkeologjik kombëtar, përkatësisht shtimin e pasurisë së “hambarit kombëtar apo Muzeumit.” …

…Nxjerrjen e objekteve arkeologjike jashtë vendit, të cilat me të drejt i sheh si vlera të historisë së lashtë, i konsideron si shumë të rrezikshme, andaj konstaton se mjafton:

“nji kulete e mbushun me sende të vjetra te gjetura në tokë tonë prej nji te huejit, per me na lane në terr ndo'i pikë historijet.”

Tek nismëtari i arkeologjisë shqiptare e ndeshim të rrënjosur parimin themelor të arkeologjisë bashkëkohore se çdo objekt i punuar nga dorë e njeriut ka vlerë, pa marrë parasysh funksionin e tij, trajtën që ka, materialin prej të cilit është punuar dhe posedimin apo jo të elementeve estetike. Në këtë drejtim ai shkruan:

“Per ne kan çëmim të madh sende të vjetra qi mund të gjinden në gji të tokës s'onë, në dac të jenë te hekurta a të rembta, të arta a të rrgjanta.”

…Gjeçovi, duke e kuptuar arkeologjinë në thelb të saj dhe duke u bërë edhe më preciz në vlerësimin e objekteve, konkludon se për historinë e popullit shqiptar mund të jenë më të vlefshme “sende të hekurta e të rrembta se ata të arta e të rrgjanta.”

…Një veçori dalluese e Gjeçovit është qasja e drejtë dhe serioze ndaj lashtësisë, të papërfshirë nga euforia nacionale, romantizmi i verbër dhe zmadhimi i fakteve. Si shkencëtar i përmbajtur, ka tingëllime emocionale vetëm kur mëton ngritjen e vetëdijes tek populli për vlerat e trashëgimisë së lashtë. Kështu, bëhej shumë kategorik, madje edhe emocional, kur vërente se trashëgimia humbte para sysh apo pa u zbuluar dhe pa u mbrojtur në muze. Për të, si dhe për të gjithë arkeologë, ajo nuk fliste dhe ishte e vdekur përgjithmonë. Andaj apelon edhe me tingëllime emocionale:

“Duhet të na mbushet koka nji herë, e të kuptojm se, nji komb qi së ka histori të veen, xehet si i deket.”

Gjeçovi është ndër të parët që ngriti zërin për ngeljen e objekteve në vendet ku ishin zbuluar, mëtim ky bashkëkohor i arkeologjisë dhe i muzeologjisë në përgjithësi…

…Gjeçovi këmbënguli dhe për themelimin e Muzeut dhe të Bibliotekës. Lidhur me këtë thekson:

“Museum e Bibliotheka janë dy ndërtesa permbas së cillash mund te nepet gjygji i vjeftësisë së nji kombit / e na për fat të keqe se kena asnjenën.” …

…Koleksion, i cili më vonë u njoh me emrin “Koleksioni i Shtjefën

Gjeçovit”, u ekspozua për një kohë në Muzeun françeskan të Shkodrës dhe në vitin 1948 u bë pjesë e Muzeut Arkeologjik dhe Etnologjik në Tiranë.

Përkujdesjen institucionale për trashëgiminë kulturore Gjeçovi e shihte me shumë interes, andaj e zhvilloi më tej, gjithnjë duke qenë i vetëdijshëm se veprimtaria arkeologjike është mjaft e kushtueshme…

Kërkesat e Gjeçovit bëhen më komplete dhe në përputhshmëri me kërkesat bashkëkohore kur kërkon që ruajtja e trashëgimisë kulturore të sanksionohet me ligje, ndërsa veprimet e kundërta, si dhe shitja e tyre, të ndëshkohen…

… Qëndrimi i Gjeçovit ndaj arkeologjisë dhe ndaj trashëgimisë së lashtë kulturore përmbledh në përgjithësi parimet themelore të kujdesit bashkëkohor ndaj trashëgimisë kulturore. Me këtë nënkuptohet:

1. Evidentimi i lokaliteteve arkeologjike.

2. Procesi i gërmimit, si rrugë për të arritur deri te objektet e

pazbuluara.

3. Koleksionimi i objekteve, përcaktimi i vendgjetjes dhe

përshkrimi i tyre.

4. Vendosja dhe prezantimi i artefakteve në muze

5. Botimi i rezultateve

…Përkundër trazirave të vazhdueshme politike, Gjeçovi kërkoi me ngulm përkrahjen institucionale për hulumtime arkeologjike dhe përcaktimin e normativave ligjore për trashëgiminë kulturore. Kërkesat e ngjashme theksohen në Konventën Europiane për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike (Konventa e Valletës, 1992), në të cilën potencohet se mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike sigurohet nga shteti dhe se shtetet obligohen të vendosin sistem legal për mbrojtjen e saj. Këto janë kontribute të veçanta dhe shumë të rëndësishme të eruditit të guximshëm, përfshirë dhe kërkesën për themelimin e një muzeu kombëtar, ku do të prezantoheshin vlerat dhe kontributi i popullit shqiptar për zhvillimin e kulturës europiane dhe botërore.

2. Hulumtimet arkeologjike

Gjeçovi veproi si arkeolog amator në terren dhe ky është një kontribut i drejtpëdrejt i tij për vënien në pah të thesarit të lashtë, në kohën kur ende nuk ishin krijuar kuadrot arkeologjike shqiptare. Në bashkëkohësi, veprimtaria amatore dhe arkeologjia klandestine janë të ndaluara me ligj dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare. …mund të konstatohet se hulumtimet arkeologjike të Gjeçovit janë më gjithëpërfshirëse dhe se zënë tri aspekte kryesore të hulumtimeve arkeologjike e që janë: 1. Rinjohja e terrenit, 2. Gërmimi arkeologjik dhe 3. Përpunimi i të dhënave nga gërmimet.

a) Rinjohja e terrenit

Gërmimeve arkeologjike i paraprinë rinjohja e terrenit (përnjohja, rekognoscimi), që nënkupton evidentimin e lokaliteteve arkeologjike, komponentë kjo që është prezente edhe tek veprimtaria arkeologjike e Gjeçovit. Ky, pikë së pari, mori informata nga fshatarët për objektet e gjetura të lashtësisë, rrinjohu terrenin, bëri evidentimin e lokaliteteve dhe i përshkroi në detaje. Këtë e bëri duke vizituar territoret e famullive ku shërbeu, perceptoi rrethin dhe kur i ra ndër duar ndonjë objekt i gjetur rastësisht e pa atë si një udhërëfyes që do ta shpiente deri tek një lokalitet i lashtësisë…

…Rinjohja arkeologjike e terrenit nuk përfundoi vetëm me evidentimin e lokaliteteve arkeologjike nga Gjeçovi, por ai u morr edhe me identifikimin e rrugëve antike që lidhnin territore më të gjera. Kështu, për pjesët e rrugës së njohur Lissus - Naissus shkruan:

“...si edhe sot ka pasë kalue dikur rruga e ushtris Rromane, e cila vijote per Lezha, Hajmel, e në grykë të Gjadrit dahej dy krahësh, i djathti vijote për në Kaster (Vig), Pukë (Epikarja) e delte Iballe (Imiacium), nëpër Gralisht, Kul, Kisha e Ançit e kalote në Gjakovë.”

Vrojtimet arkeologjike që i bëri i ndihmuan për përcaktimet për gërmime në lokalitetet e caktuara dhe, njëkohësisht, u bënë bazë të përnjohjes dhe të gëmimeve arkeologjike të gjeneratave në vijim…

b) Gërmimet arkeologjike

Gërmimi i lokalitetit, si fazë vijuese, u zhvillua nga Gjeçovi në lokalitete të shumta arkeologjike, si janë tumat, vendbanimet dhe tempujt…

…Shërbesa në Koman të Pukës i krijoi mundësi që të bënte përnjohje arkeologjike të rrethinës dhe, mbi të gjitha, të gërmonte varret e hershme mesjetare shqiptare. Hulumtimet e më vona treguan se ishte fjala për kulturën e hershme mesjetare shqiptare të shek. VI-VIII, me elemente të vazhdimësisë ilire dhe elementeve të reja që lidhen me periudhën e hershme bizantine. Kjo kulturë, e njohur me emrin Kultura e Komanit, ishte e përhapur në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Greqi. Kështu, duke i prirë gërmimeve në varret e Komanit, u bë nismëtar edhe i studimeve të arkeologjisë mesjetare shqiptare.

Një prej zbulimeve të rëndësishme të tija në Koman është unaza me mbishkrim, e njohur më pas si “Unaza e Shtjefën Gjeçovit”. Unaza zgjoi interesim dhe diskutime në mesin e studiuesve të ndryshëm. Së pari Ippen e pastaj edhe dijetarë të tjerë shprehën mendimin se mbishkrimi ishte shkruar në gjuhën ilire. Më vonë, dijetarët shqiptarë konstatuan se mbishkrimi ishte një formulë e krishterë bizantine, prezente edhe në unazat e tjera të kulturës së Komanit.

Megjithëse ende mungojnë të dhënat e plota për lërimet arkeologjike të Gjeçovit, është e ditur se ai ndërmori gërmime në të gjitha territoret shqiptare ku shërbeu si meshtar. Rinjohjen arkeologjike dhe gërmimet i vazhdoi edhe duke shërbyer në famullinë e Zymit, ku i kaloi vitet e fundit të jetës, para se të vritej në vitin 1929.

Fati i shënimeve të Gjeçovit nga koha e shërbimit në Zym dhe të objekteve të zbuluara në Has ende nuk dihet. Megjithëkëtë, disponohet me disa të dhëna për veprimtarinë arkeologjike të Gjeçovit edhe në Hasin e Thatë të Zymit, falë dëshmive të bashkëkohësve të tij dhe shoqëruesëve në gërmime. Nga këto dëshmi kuptohet se gërmoi themelet e kishës në fshatin Milaj të Hasit. Sipas dëshmisë së Ibrahim Gashit (1919) nga Krajku, gërmimet i bëri gjatë orëve të vona të natës, i shoqëruar nga Zejnel Cahani dhe Ymer Syla. Shoqërues në gërmime në lokalitetet e tjera ishin Zef Lazër Kajtazi nga Karashëngjergji dhe Leonard Kajzogaj nga Zymi.

Gjeçovi gërmoi në Has të Zymit lokalitetet “Kishëza” të Planejës, “Kolëm” mes Gjonajt dhe Karashëngjergjit, Kishën e Shën Kollit në fshatin Lukinjë dhe Kishën e Shën Gjergjit mbi Lukinjë. Sipas dëshmive, në kishën e Shën Kollit zbuloi një gur me mbishkrim [Banorët thonë se guri me mbishkrim është dërguar në muzeun e Shkodrës. Ka gjasë që dhe koleksioni arkeologjik nga Hasi të jetë dërguar në Muzeun françeskan të Shkodrës, pas vrasjes së Gjeçovit.]. Hulumtoi edhe te Lukuni (Likeni i Hasit) dhe në “Kalanë e Fregnit”, fortifikatë që gjendet mbi Karashëngjergj dhe që dominon mbi Rrafshin e Dukagjinit.

Kur flitet për gërmimet arkeologjike të Gjeçovit, gjithnjë duhet pasur parasysh se këto u bënë me entuziazmin e një arkeologu autodidakt dhe me intuitën e një dijetari që veproi edhe në fusha të tjera. Andaj, mungesa e njohurive për metodologjinë e gërmimeve arkeologjike është e meta kryesore, si është rasti edhe me shumë nismëtarë të tjerë në këtë fushë, duke përfshirë edhe zbuluesin e njohur të Trojës e Mikenës, H. Schlieman… Përderisa gërmimin arkeologjik Gjeçovi e bënte në mënyrë të gabuar, përkatësisht duke gropuar dhe pa metodologji adekuate, ishte konsekuent në përshkrimin e lokaliteteve, të objekteve, të situatave dhe të detajeve në të cilat ndeshte gjatë gërmimeve…

c) Përpunimi i të dhënave nga gërmimet

Qëllimi i Gjeçovi nuk ishte vetëm evidentimi i lokaliteteve arkeologjike dhe gërmimi i tyre, por edhe analiza e tyre, si mund të nxjerret prëfundimi nga artikujt që i la pas. Ndonëse kjo analizë e Gjeçovit del mjaft e mangët, e përciptë dhe me konkluzione të përgjithësuara, meritë e tij është se parashtroi nevojën për të dhe vetë iu ças analizave, sipas mundësive me të cilat dispononte. Në këtë fazë të studimit, si edhe arkeologët e tjerë amatorë, aplikoi vetëm njerën prej metodave të arkeologjisë, atë krahasuese apo të analogjive…

…Metodën krahasuese nuk e përkufizoi vetëm në krahasimin kontinuitiv kohor të gjetjeve në trevat shqiptare, por ngjashmëri kërkoi edhe në një hapësirë më të gjerë dhe gjeti analogji edhe tek popujt e tjerë të lashtë të mesdheut. Një krahasim i tillë del dhe nga kërkimi i ngjashmërive të varrimit ilir në tuma me ato etrure…

…Gjeçovi e shtriu veprimtarinë edhe në fushën e terminologjisë arkeologjike. Ai e kishte të qartë se ngritja e vetëdijes së popullit për këtë lloj trashëgimie mund të arrihet vetëm me përdorimin e terminologjisë së qartë dhe të kuptueshme, andaj në artikujt e shumtë, krahas termeve të huaja, vë në përdorim fjalët e gjuhës shqipe. Kështu, termat me përdorim të gjerë, siç është ai i gjuhës latine “tumulus”, i zëvëndëson me termat: “sumbullore” dhe “sukë”. Fillimisht, për termin “urna” përdori nocione të shumta, si vegsh, vorbë, kupëz dhe enë, ndërsa në artikujt e mëvonshëm e zëvëndësoi me fjalën “kuç”.

… Pos interesimit ndaj vlerave të kulturës materiale, Gjeçovi ruajti edhe skeletet që i zbuloi. Kështu, ai dëshmoi vetëdije për nevojën e studimeve antropologjike fizike, rrjedhimisht për një çasje interdisciplinare shkencore ndaj trashëgimisë kulturore.

Veprim final të studimit, edhe të atij arkeologjik, Gjeçovi me të drejtë e konsideron botimin e rezultateve të hulumtimeve. Në këtë drejtim shkruan:

“...ai (arkeologu, v.a.) s'duhet të ndjë në pritesë; aj, a do të perlaje shatin e me shkue me rmrue ndo'i vend a vorr të veter, a se do të ulet në karrigë per me shkrue mbi sende të gjetuna,e me botue ndo'i send te posaçem per to.”

Duke iu përmbajtur kësaj, Gjeçovi botoi artikuj me materiale përcjellëse dokumentuese, të cilat, ndonëse jo të plota, përfshinë përshkrimin e lokalitetit, të terrenit përreth, procesin e gërmimeve dhe objektet e zbuluara. Artikujt e tij përmbajnë

dhe aparaturën shkencore dhe referencat, sa herë që e sheh të nevojshme...

*

Arkeologjia e preokupoi Gjeçovin me gjithë qenien e tij, ndonëse për nga natyra e saj është përplotë mund fizik e mendor dhe kërkon shpenzime të konsiderueshme. Përkundër të gjitha vështirësive dhe obligimeve fetare dhe kombëtare, ai u bë lëruesi i parë shqiptar i lashtësisë, duke vënë kështu gur themelin e arkeologjisë shqiptare. Jetoi dhe veproi në rrethana të rënda dhe të mëvetësishme dhe ishte i sulmuar dhe i kufizuar në veprim nga shumë anë. Andaj, kur kihen parasysh të gjitha rrethanat, del më shumë në shesh entuziazmi i një vigani të palodhur dhe fuqia e pashtershme e një dijetari si ai…

…Përmbledhja e meritave të Gjeçovit në fushën e arkeologjisë përfshinë aspektin e mëtimeve për ndriçimin e së kaluarës shqiptare aq sa synon dhe ngritjen e vetëdijes për nevojën e njohjes së trashëgimisë kulturore dhe për ruajtjen e visareve të saja. Ndaj kësaj trashëgimie ai mbajti qëndrim shkencor, pa nyanca glorifikimi. Hulumtimet e ndërmarra arkeologjike, ndonëse me shumë të meta dhe përcjellëse të zakonshme të autodidaktëve në arkeologji, u bënë mbi disa ravijëzime themelore shkencore, duke u nisur nga rinjohja e terrenit, gërmimi, përpunimi i të dhënave nga gërmimet, prezantimi dhe botimi i rezultateve.

Në suazat e synimeve për përkujdesjen ndaj trashëgimisë kulturore, Gjeçovi parashtroi nevojën për përkrahjen institucionale të hulumtimeve arkeologjike, si dhe për kujdesin dhe prezentimin e objekteve të zbuluara arkeologjike në muze, për themelimin e të cilave u angazhua. Kështu, ai vetë themeloi një koleksion, të njohur si “Koleksioni i Shtjefën Gjeçovit”, të cilin duket e kishte parë si bazë për një muze të ardhshëm kombëtar.



Gjeçovi veproi si humanist dhe dijetar për njohjen e kombit shqiptar edhe përmes kulturës së çmueshme materiale të lashtësisë iliro-shqiptare. Veproi për njohjen dhe për vendin e merituar të kontributit të shqiptarëve të trojeve etnike në tumirë të zhvillimit të kulturës europiane dhe të asaj të gjithëmbarshme të njerëzimit. Vrasja e tij nga ana e regjimit të Mbretërisë së Jugosllavisë në Has të Zymit, më 14.10.1929, është një dëshmi më shumë për vlerat e çmueshme të tija, si dijetar dhe si njeri i guximit.

_________

[E. Shukriu (2016) STUDIME PËR DARDANINË, Akademia Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtin, f. 215-235]


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks