SHKRIMI
e shtunë, 24 gusht 2019

BEDRI TAHIRI: HOTEL 'DRENICA' E UҪK-së TË SHPALLET 'SHTËPI MUZE'!

Durrës, 27 mars 2019: Puna e politikanit është ta bëjë të dukshmen të padukshme, ndërsa e shkrimtarit, të padukshmen të dukshme. (Pal Voleri)

Buzëmbrëmje e bukur gushti. Plazhi i Durrësit ka nisur të zhytet në një qetësi ëndërrtare. Zhurma e ditës përvëluese po tretet pahetueshëm nën melodinë dehëse të valëve të detit kaltërosh. Tej larg, mbi kurrizin blu, ca anije të mëdha peshkimi kanë lëshuar spirancat dhe rrjetat për gjahun e dëshiruar. Hëna, si nuse e praruar, kalëron qiellit të paanë. Ndonjë nevojtar apo çift dashnorësh shëtisin ngeshëm buzë bregdetit magjeps.

Edhe në verandën e hotelit „DRENICA“, andej nga deti, mbizotëron qetësi e botës përrallore. Të gjithë tok: kosovari e labi, preshevari e shkodrani, tetovari e tropojani, drenicari e çami, hanë, pinë e kuvendojnë çlirshëm. Në një cep kemi zënë vend unë, Bekim Selmani dhe pronari i lokalit, z. Gani Kapiti.

Fara e luftës për liri kaherë kishte lëshuar rrënjë në zemrën e këtij sypatremburi dhe në gjithë familjen Kapiti. Më 1996 ndërtuan këtë lokal modest buzë detit. Me propozimin e vëllait të madh, Sylejmanit, e pagëzuan „DRENICA“. Drenica, si flakadan i pashuar lirie, na jepte kurajo, zemër dhe besim se një ditë në këtë truall të shqipeve do të lindë mrekullia, dhe nuk gabuam!-shprehet me plot entuziazëm Ganiu.

Dalëngadalë lokali i vockël u shndërrua në „odë kosovarësh“siç shkruan Beni Andoni. Vërtet u bë odë dhe kullë kuvendesh e vendimesh historike. Dera e saj, natë e ditë, ishte hapur e sofërshtruar, në stilin e vjetër: Urdhëroni si në shtëpinë tuaj, bukë, kripë e zemër! Që në fillim dëshiroja të veja në Kosovë, aty ku kacafytej me shkaun, drejpërdrejt në front, por të gjithë me sugjeruan dhe me bindën të qëndroja këtu, që sipas tyre kontribuoja më shumë.

Mobilizimi

Vullkani i mbledhur me vite tashmë shpërtheu fuqishëm. Adem Jashari dhe jasharajtë tjerë u shndërruan në krater të pashuar dhe u bënë kushtrim lirie. Lufta mori krah e zemër. Soldateska e shfrenuar serbe ngeli e nemitur. Plani për zhbërjen e UÇK-së i dështoi fare. Hajde kokë, hjade! Po ku vritej dielli? A e ndalte Drini i Bardhë valën? Jo, xhanëm, jo. E tillë ishte forca jonë mbrojtëse, që na e ktheu dinjitetin e nëpërkëmbur. Ajo jetonte thellë në gjirin e ngrohtë të popullit liridashës dhe që të mos mplakej kurrë ushqehej me qumësht ambrozi.

- O sot, o kurrë!- thërriste atdheu i sakatosur.

- O sot, o kurrë!- thërriste edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

-O sot, o kurrë!- u gjegjen edhe djemtë tanë anë e kënd globit.

Dhe lumenjtë vërshuan drejt hotelit „DRENICA“. Për çdo ditë nga 500-700 veta. Ganiu me vëllezër sa s’fluturonin. Çdo gjë, edhe trupin e vet, kishin vënë në shërbim të tyre. Ata, bashkë me stafin e caktuar nga Shtabi i UÇK-së, përveshën mëngët dhe nuk pushuan natë as ditë. Vullnetarët këtu hanin, pinin, flinin, pushonon, regjistroheshin, uniformoheshin, armatoseshin (kishte që vinin edhe me uniforma edhe me armatim) dhe të organizuar, me furgona e autobusë, niseshin për në Tropojë e Kukës, ku pasi ushtronin disa ditë, futeshin në front.

Ata arrinin nga të gjitha anët e botës e nga të gjitha viset shqiptare, nga Çameria, Labëria, Përmeti, Berati, Kavaja, Durrësi etj. Grupet e para erdhën nga Gjermania. Ka pasur edhe të huaj: francezë, suedezë, gjermanë, skocezë, anglezë, italianë, finlandezë. Nuk e harroj kurrë luftëtarin italian me pseudonimin “KOBRA“, i cili, pas shumë betejash e luftimesh në Kosovë, ra dëshmor. UÇK-ja u bë krenaria dhe nderi ynë, të cilën edhe të hujit e admironin. Një emblemë e saj blihej njëmijë lireta.

Por, gjatë mobilizimit dolën edhe pengesa të ndryshme. Unë, personalisht, kam pasur kërcënime dhe shatazhe. Disa herë më kanë hedhur dinamit në lokal. Herave tjera më afronin lekë, por kot. Nuk arritën dot të më zmbrapsin nga rruga e filluar- konkludon ai, duke m’i treguar ca fotografi...

Biseda jonë rrjdh qetë-qetë, mu si deti babaxhan, që ka zënë të dremisë symbyllur. Shfletojmë dokumente, formularë, regjistra, fotografi. Në këtë lokal kanë fjetur, janë ushqyer dhe janë regjistruar qindra e mijëra luftëtarë. Ganiu me gjithë familje e ka të lidhur ngusht jetën me ta. Edhe vete veshi uniformën laroshe dhe paralel me gjermanët hyri në Kosovë dhe për ca ditë u vendos në Kleçkë. Për deri në kufi, nuk ka të numëruar sa e sa herë ka përcjellë ushtarë e luftëtarë.

Pas luftës shumëherë ishte në Kosovë, por nuk u ndje ashtu siç kishte menduar. Është mjaft i befasiuar me qëndrimin e popullit disi të përgjumur. Kosovarët duhet të kthjellohen e të ndërgjegjësohen. Përderisa në krye të grigjës të jenë mohuesit e luftës dhe të Ushtrisë Çlirimtare kurrë nuk do të këtë dite të bardhë- përfundon ai me një mllef të papërmbajtur.

Harresa dhe (mos)mirënjohja


Sot Ganiu merret me hallet e përditëshmërisë. Është i lumtur që sërish ka përplot mysafirë, shumica nga ata që kanë kaluar më heret këndejpari. E vizitojnë komandantët, ushtarët, eprorët, luftëtarët dhe dashamirësit e luftës çlirimtare. Ndonjë edhe mbase ka harruar, por ky është zemërgjerë dhe i falë. Zemra i qanë për dëshmorët, të cilët i ka njohur mirë dhe kanë kaluar nëpër këto dyer.

Shteti shqiptar ka bërë fare pak për këtë çerdhe të UÇK-së. Me përjashtim të ndonjërit, as që ka shkelur kush brenda këtij pragu. Aq më keq edhe e kanë arrestuar si ushtar të UÇK-së. Por, nejse. Mjafton që Kosova është liruar nga serbi- përfundon ai...

Së fundi, ndoshta, do të agojë dita e bardhë edhe për këtë ndërtesë, në ballë të së cilës qëndrojnë tok flamuri shqiptar dhe ai amerikan. Ka kërkesa e propozime që hotel „DRENICA“ të marrë statusin e SHTËPISË MUZE. Këtë e kanë shprehur: Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, Moikom Zeqo, drejtor i Muzeumeve Kombëtare, Shoqata “Ismail Qemali“ e Vlorës, Shoqata “Labëria“, Veteranët dhe Invalidet e UÇK-së, Shoqata e Veteranëve të LNÇ të Shqipërisë etj.

Edhe unë po e përmbyll shkrimin me një si kërkesë: Hotel „DRENICA“ i Durrësit të shpallet SHTËPI MUZE!

Durrës, 10 shtator 2002




Ilustrimet: © Pashtriku.org


_____________________________


BEDRI TAHIRI: VËLLEZËRIT KAPITI NË SHËRBIM TË LUFTËS PËR ҪLRIMIN E KOSOVËS!

http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=8613


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks