SHKRIMI
e mërkurë, 24 prill 2019

BEDRI TAHIRI: MONUMENTI QË RREZATON ATDHEDASHURI NË AMBIENTET E

Durrës, 5 prill 2019:

Heroizmi është fitorja e shpirtit mbi trupin. - Anjeli.

Hotel ”DRENICA“ në Dyrrahun plak tashmë ka bërë emër dhe ka zënë vend të përjetshëm në mendjen e popullit shqiptar. Mbase edhe më larg, në gjithë globin. Në këtë vend të shenjtë kthejnë të gjithë ata që në shpirt ndjejnë sadopak atdhedashuri. E ku të vëmë tjetër xhanëm nëse jo këtu, në këtë kullë të vockël, por me themele graniti, ku u mobilizuan, u rekrutuan dhe u përgatitën për beteja të përgjakshme mijëra luftëtarë vullnetarë nga diaspora dhe nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Aq më mirë, nga këtu u nisen për çlirimin e Kosovës edhe mbi shtatëdhjetë vullnetarë të huaj, gjë që dëshmon karakterin e drejtë të luftës sonë…

Në rrugën e babait


Në krye të gjithë kësaj madhështie kombëtare qëndrojnë vëllezërit atdhetarë Kapiti: Sylejmani, Fatmiri, Skënderi, Naimi dhe Ganiu. U lumtë dhe përherë qofshin të nderuar! Ama edhe nuk mund të vepronin ndryshe, sepse rridhnin nga kroi i mirë, ishin djemtë e Sadri Kapitit, bashkëluftëtarit të Shaban Palluzhës e atdhetarit sypatrembur të shqiptarizmës...

...Sadri Kapiti u lind më 1915 në Zallq të Istogut. Rridhte nga një familje patriotike të ardhur andej nga Presheva. Babai i tij, Ibrahimi dhe axha Bajrami kishin rënë në luftën kundër serbo- malazezve në Shkodër. As Sadriu me të vëllanë Baftijarin kurrë nuk u pajtuan me serbin e pabesë. Hasmëria me cerberët karpatianë i detyroi të kalojnë në Shqipëri. Për çudi edhe atje i përcollën zezonat. Regjimi i egër enverist ua bëri më zi, i degdisi ku hanë pula gurë, i maltretoi, i dënoi, por kurrë nuk arriti t’i gjunjëzojë.

Në çdo kuvend burrash Sadriu shprehej: Kryet më ka lindur në Kosovë, trupi m’u burrërua në Shqipërinë nanë. Në Kosovë fisi jonë ka derdhur gjak me okë, po nuk munda jta me e pa Kosovën e lirë, të gëzueme, pa barrë në shpinë, pa serbë me lloj-lloj shirita e spaleta mbi supe e me kamzhik ndër duar. Kosova është kreshnike me burra të mençur e trima, ka edhe ferra me gjemba, porse më shumë ka lisa që i përballin stuhive dhe një ditë ka për ta parë veten të lulëzuar dhe krenare, me burra më të mirë në krye të Arbërit. Lum kush ta shikojë e ta gëzojë, more lum miku! (Marrë nga libri “Plagët që flasin “, Tiranë, 1998).

Ai mbylli sytë pa e parë Kosovën e lirë, por profecitë e tij dolën, ëndërrat iu realizuan. Lisat e Kosovës suksesshëm përballuan stuhitë dhe rrëbeshet e barbarisë serbe. Ata ishin luftëtarët e lirisë, ishin trimat e UÇK- së.

-Sadri Kapiti ka qenë burrë mbi burra. Kënaq fakti që edhe të bijtë ndoqen besnikërisht rrugën e tij- thotë z. Qemal Mançe, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të LANÇ-it për rrethin e Durrësit.

UÇK-ja është krenaria e kombit

Sot hotel “DRENICA” ka arsye të ndjehet edhe më krenar. Në oborrin e tij ka lëshuar shtat MONUMENTI I UÇK-së . Ushtari i panjohur, i armatosur mirë e me shikim nga Kosova, simbolizon gjithë vullnetarët e lirisë që u nisën nga kjo bazë drejt flakës së luftës, andej ku i thërriste zëri i atdheut dhe kushtrimi i komandantit legjendar, Adem Jashari. Sërish në krye të kësaj vepre madhore monumentale vëllezërit e palodhur Kapiti.

Në tavolinën pranë palmës hijerëndë freskohemi dhe bisedojmë me Skënder Kapitin, sekretarin e kësaj qendre mobilizuese. Njeriu me dy fakultete; atë të agronomisë dhe juridikun, është tepër modest dhe për vete nuk flet fare. Por puna flet vetë. Jeta e tij është përplot mynxyra skëterrore. Si bir nacionalisti, edhe pse me notën mesarae 9.7, dymbëdhjetë vjet nuk iu dha e drejta e studimit. Edhe më vonë nuk iu ndanë të ligat, por ia doli me vullnetin e tij të çeliktë...



Sadri Kapiti dhe Monumenti i Lirisë!


-Populli shqiptar duhet të krenohet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse për herë të parë i detyroi kancelaritë e botës të mbajnë Konferencë për shqiptarët e me shqiptarët. Përpara, çdoherë, është vendosur pa pjesëmarrjen tonë- thotë ai në fillim të bisedës. Dhe ne kuvendojmë e vizitorët rrjedhin lumë. Ndalen, nderojnë, fotografojnë, çmallen, shënojnë në fletoren e përshtypjeve. Kalamajtë posa kalojnë atypari ia krisin këngës:

Mos ma prek ti shkja Drenicën

Se e kam gjallë Azem Galicën...


Skënderi me vëllezër gjatë mobilizimit ka bërë punë të madhe, sa nuk e përshkruan dot as lapsi. Atij, pos tjerash, i ka rastisur të rrijë edhe me gazetarë të huaj. Një delegacion grekë, gjatë kohës së mobilizimit, kishte ngelur gojëhapur, kur kishin parë gjithë ata vullnetarë që nisëshin si për dasmë. Për çlirimin e Greqisë kanë dhënë jetën edhe shumë shqiptarë, por grekë nga diaspora jo. Ata na kanë ndihmuar me para, por për të luftuar nuk janë kthyer asnjë,- kishin thënë ata. Ndërkaq një shkrimtar rus kishte zënë të krenohej me një familje të tyre , e cila kishte dhënë njëmbëdhjetë anëtarë për një ditë dhe e gjithë Rusia përkulej para saj. Kur ky i kishte treguar për Jasharët ai i habitur ishte shprehur: Kjo qenka hyjnore dhe unikate në botë, andaj edhe merituaka të zërë vend në librin e Ginisit.

-Populli i Kosovës pas luftës na zhgënjeu thellë, votoi kundër vlerave të luftës. Është rasti i parë në botë që nuk fitojnë çlirimtarët. Ne shqiptarët, në përgjithësi, duhet të kurohemi dhe ta heqim sëmundjen e keqe- harresën kombëtare, -porosit Skënder Kapiti.

I përhershëm me ne është edhe Naim Kapiti, i cili që kur zbrita këtu më tha se veturën e ke në dispozicion të shëtisish kah të duash. Dhe, një ditë, bashkë me Skënderin na shpie në Kavajë, në familjen e dëshmorit Indrit Cara. Takimi i dytë (në maj ishim bashkë me nxënës) që më i përzemërt dhe u kënaqëm me nënë Xhemailien e babë Lulzimin. Naimi është pika e djalit. Këtij sivjet ia kanë rrënuar lokalin me emrin e bukur “KOSOVA “. Dhe, pikërisht pse mbante këtë emër dhe pse ishte pronë e Kapitëve. Këtë e dëshmon edhe fakti se kur prona kaloi mbi një tjetër u dha leja për të punuar. Ç’marrëzi! Mbase kjo s’do koment.

-Të gjithë pushtetarët na patën halë në sy, ndërhyn sërish Skënderi. Edhe pas luftës lavdiplote të UÇK-së nuk na kanë lënë rehat. Disa herë na kanë bastisur, sidomos Ganiun që ishte i uniformuar. Më 5 mars 2001 deshëm ta përkujtojmë Adem Jasharin, por nuk na lejuan. Bile Drin Tusha, drejtor i Policisë ndërtimore në Durrës, një antikosovar i përbetuar, i dehur provokonte vazdimisht me fjalë fyese.

Pronari i hotelit “DRENICA “, z. Gani Kapiti sikur ka zënë ta humbë durimin. Veç kur takohet me shokët e luftës dhe ushtarët e lirisë kthjellohet paksa. Me vështirësi përmbahet pa shpërthyer si krater vullkani. Dhe nuk ka faj fare. Sakrificat për ta bërë Monumentin gati ua kalojnë atyre të mobilizimit. Obobo! Kjo vetëm të ne mund të ndodh. Pastaj ore burrë nuk më ngel hatri shumë të ata që nuk marrin erë nga lufta e që ndoshta edhe i kanë sharë luftëtarët, por të disa të tjerë që kanë qenë dikushi atëbotë dhe sot paraqiten sikur kanë harruar çdo gjë, madje- madje ndonjë syrësh as që më ka vizituar sot e atë ditë. Jo mua personalisht, por vendin ku kanë pushuar, ku kanë ngrënë e ku janë mobilizuar mbi njëmbëdhjetë mijë luftëtarë të lirisë, vendin ku kanë qëndruar dhe strehuar edhe vetë. E pabesueshme, por e vërtetë. Ata që s’më kanë harruar i numroj me gishtat e një dore

-Për mua të mirë janë vetëm ata që çmojnë UÇK-në, ata që nderojnë gjakun e derdhur për liri, ata që respektojnë dhe kujdesen për familjet e dëshmorëve. Atyre edhe ua kisha besuar pushtetin,- përfundon ai me një disponim të ngrysur.

Sakaq ia bëhu edhe z. Qemal Mançe. Ky është shok i babait dhe na ka ndihmuar shumë në nxjerrjen e dokumentit për lejimin e ndërtimit të Monumentit, -thotë Skënderi. Edhe gjatë kohës së mobilizimit na ka vizituar disa herë dhe vullnetarëve u dëshironte rrugë të mbarë. Vërtet shumë shoqata dhe individë na kanë ndihmuar, duke shtruar kërkesa për këtë Monument, andaj të gjitha i falënderojmë nga zemra. Por barrën kryesore e kanë bartur Shoqata A. P. “ KOSOVA “ dhe Shoqata e Invalidëve të LANÇ-it në krye me z. Qemal Mançe.

Ganiu na e sjell edhe dokumentin. Është vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 371 i datës 21. 05. 2003 e i nënshkruar nga Edmond Agolli, me të cilin lejohet ngritja e këtij Monumenti.

-Mos të harrojmë, Bashkia e qytetit nuk ka dhënë asnjë qindarkë. Financimin e ka bërë Naim Hyseni nga Llapi, pronari i Firmës Ndërtimore me veprim në Shqipëri, - shpjegon Ganiu, duke e falënderuar këtë donator zemërmadh.

Historia e shkruar me penel artisti

Ganiu është shumë zemërgjerë. Paraja nuk ia ka blerë shpirtin. Gjysmën e oborrit e ka lëshuar për Monumentin. Jo vetëm kaq. Për nder të UÇK-së dhe luftërave tona shekullore edhe pjesët e tjera të lokalit i ka liruar për ekspozitën “Heroizmi i kombit tonë ndër shekuj ” të piktorit durrsak Skënder Sulku.

Dhe gjithë kjo ngjau sa ishin ne aty, sa për të na e plotësuar një boshëllëk në zemrat tona.

Kur u ktheva nga Tirana, ishim me një delegacion nga Skënderaj, të udhëhequr nga kryetari, z. Ramadan Gashi, për ta parë Shtatoren e Adem Jasharit, të cilën është duke e punuar skulptori i njohur shqiptar Mumtas Dhromi, e gjeta të vetmuar në një cep një plak elegant me një kapelë republikë në kokë. Pa më thënë kush e mora me mend se ishte piktori. Shpejt u njoftuam dhe e shtruam muhabetin vençe.

-Unë jetoj në Durrës, por origjinën e kam nga Dibra trime, nga një familje e varfër me orientime patriotike. Që në lule të rinisë jetën ia lashë peng atdheut. Krahas pushkës në dorë mbaja librin dhe penelin. Pas çlirimit u regjistrova në shkollën SKENDERBEJ në Tiranë. Aty, krahas artit ushtarak, mësova edhe pikturën nga Vladimir Jani, i cili më ka ndihmuar shumë. Kam studiuar edhe jashtë shtetit dhe kam shërbyer në Flotën Ushtarake e më vonë për 12 vjet në atë të Nëndetëseve. Që nga viti 1973 jam në pension.Piktura është jeta e tretë për mua. Dhe, besoj se do t’ia dalë me sukses. Deri tash i kam mbaruar mbi 200 vepra...

Vërtet për t’i lakmuar. Aq i moshuar e aq i vullnetshëm. Lajtmotiv i gjithë krijimtarisë së tij është heroizmi dhe luftërat çlirimtare të popullit shqiptar nëpër shekuj. E gjithë kjo veprimtari e larmishme ka një kronologji të rrjedhshme, pra është historia jonë e shkruar me penel. Ajo nis me mbretëreshën Teutë e me Skënderbeun, për të vazhduar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me kryengritjet e veriut, në krye me Dedë Gjon Lulin e Elez Isufin, pastaj me Lëvizjen Kaçake të Azem e Shotë Galicës, me Bajram Currin e Hasan Prishtinën, për të dalë të kurorëzuesit e aspiratave tona shekullore për liri, të UÇK-ja, në krye me komandantin legjendar, Adem Jasharin.

Ky shpirt i shqetësuar artisti ende nuk kuptohet sa duhet nga disa pseudointelektualë shqiptarë. As në Kosovë nuk është pritur si duhet nga disa mediokër. Gjithmonë kështu, me shpatë kam çarë përpara dhe nuk do të ndalem deri në fitore, -shprehet ai i entuziazmuar se ka arritur t’i kap ato që i pëlqejnë, figurat madhore të kombit.

-Të gjitha veprat do t’ ia falja Arkivit të UÇK-së, sepse po mos të ishte UÇK-ja Kosova nuk do të çlirohej, veçse me një kusht; të më shëtiste njëherë gjithë ekspozitën nëpër diasporë në mënyrë që t’ i shihnin edhe të tjerët- përfundon ai në të ndarë.

Mbase një ditë çdo gjë do ta marrë të mbaren. Edhe të përgjumurit do të kthjellohen e nuk do të shohin më ëndrra ditën për diell. Populli thotë: Më mirë vonë se kurrë.

Durrës, 2003


______________

BEDRI TAHIRI: HOTEL 'DRENICA' E UҪK-së TË SHPALLET 'SHTËPI MUZE'!

http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=8623


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks