SHKRIMI
e shtunë, 06 qershor 2020

MEHMET HAJRIZI: MEMORISTIKA E GANI SYLAJT

Prishtinë, 14 janar 2020:

1

Veprimtari i shquar Gani Sylaj më 2018 e botoi librin „Ilegal viteve shtatëdhjetë“, i pari nga trilogjia e tij, duke lënë në dorëshkrim edhe dy të tjerë pas ndarjes nga jeta vitin e kaluar. Kohët e fundit u botuan nga „Buzuku“ librat e tij, „Shenja e përkatësisë“ dhe „Burg pas burgu“. Libri i parë dhe ky i fundit, pasqyrojnë veprimtarinë atdhetare të Gani Sylajt, përkatësisht burgimin e tij të gjatë, kurse „Shenja e përkatësisë“ është përmbledhje rrëfimesh. Tri veprat e Gani Sylajt janë fryt i një pune disavjeçare të hedhjes në letër dhe sistemimit të kujtimeve të tij.


Duke qenë veteran i dyfishtë, i arsimit dhe sidomos i Lëvizjes Kombëtare, kujtimet e Gani Sylajt, si dëshmi e informacion primar të një veprimtari historibërës paraqesin interes, jo vetëm për lexuesit e zakonshëm, por edhe për studiuesit e historisë së re të Kosovës e të kombit shqiptar në përgjithësi. Lënda e veprave të autorit trajton kohën e një jete njeriu, jo siç ndodh zakonisht në formë kronologjike, por të fragmentarizuar në tregime, si maja të ajsbergut, duke lënë me qëllim hapësira bosh, të cilat mund t’i plotësojë vetë lexuesi, si gurët e një mozaiku.

Shkrimet e përmbledhura në këto vëllime të autorit, janë të karaktereve dhe llojeve të ndryshme, duke filluar nga skicat e tregimet letrare, kujtimet e veprimtarit çlirimtar, nga jeta organizative e në burgje dhe deri te artikujt analitikë nga fusha politike, ekonomike, shoqërore e historike.

Memoristika e Gani Sylajt, mund të klasifikohet, të konceptohet dhe të strukturohet në forma të ndryshme, por sidoqoftë, vëllimi i kujtimeve nga jeta në Lëvizjen Kombëtare, mbetet më i rëndësishmi, më interesanti dhe më i vlefshmi. Interesimi për këso kujtime do të jetë i gjallë, jo vetëm nga breza të tërë të lexuesve të zakonshëm, por edhe nga studiuesit tanë dhe të huaj.

Gani Sylaj ka arritur t'i japë origjinalitetin veprës së tij, me përmbajtjen dhe formën, me strukturën dhe mënyrën e shtjellimit të lëndës, me teknikat dhe stilin e të shkruarit.



Gani Sylaj (1952 - 2019)


2

I dalë nga bankat e Normales së Prishtinës, mësuesi i ri, Gani Sylaj, kthehet në Drenicën e tij të dashur, ku kishte lindur dhe ishte rritur. I edukuar dhe frymëzuar nga jeta dhe veprimtaria e figurave të shquara të arsimit shqip, që nga Mësonjëtorja e parë e Korçës, me rilindësit Pandeli Sotiri e Petro Nini Luarasi, plejada e mësuesve të Normales së Elbasanit, shembulli vetëmohues i pishtarit të arsimit, Ndrecë Ndue Gjoka, veprimtaria e dëshmorëve të lirisë dhe arsimit shqip, Fazli Greiçevci e Shaban Shala dhe e shumë veteranëve të shkollës shqipe, Gani Sylaj do të bëhet shpejt, jo vetëm mësues i nxënësve, por edhe iluminues e emancipues i komunitetit drenicas të mbytur në obskurantizmin e robërisë së gjatë dhe të rëndë.

Në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar dhe në dekadën vijuese, në Kosovë lexoheshin shumë romanet e shkrimtarit të madh shqiptar, Sterjo Spasse, „Afërdita“ dhe „Afërdita përsëri në fshat“, protagonisten e të cilëve, shumë mësues dhe mësuese, e kishin si model të veprimtarisë arsimore, por mësues Ganiu aspironte më shumë se kaq.

Paralelisht me fillimin e karrierës prej mësuesi të popullit, i riu Gani Sylaj, i përkushtohet idealit suprem të çlirimit të Kosovës së robëruar dhe bashkimit kombëtar. Si veprimtar i organizuar i Lëvizjes Kombëtare, e kishte shumë më të qartë misionin e tij në shërbim të gjithanshëm të popullit e të atdheut, prandaj vepronte, jo vetëm me nxënësit e tij të dashur, por edhe me bashkëvendësit e tij të mirë dhe kolegët mësues.

Vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar karakterizohen me përpjekjet për avancimin e statusit politik të Kosovës në Federatën jugosllave, me hapjen relative të kufirit me Shqipërinë, me thellimin, në formë të re, të shfrytëzimit kolonial të Kosovës, me diskriminimin e shtypjen e shqiptarëve nën Jugosllavi, por edhe me ripërtëritjen e organizimin e studiuar të Lëvizjes së re Kombëtare, pjesëtar i së cilës ishte edhe Gani Sylaj.

Autori, përveç angazhimit në organizatën e tij çlirimtare dhe punës në arsim, gjente kohë t'u kushtohej edhe luftës kundër zakoneve prapanike në shoqërinë shqiptare, emancipimit të gruas dhe shkollimit të vajzave, jetës kulturore e artistike në shkollë e në fshat, organizimit të aksioneve vullnetare për infrastrukturën dhe ambientin etj.

Veprimtaria klandestine e organizimit çlirimtar, presupozonte edhe një aktivitet të gjerë e të hapur, në funksion të përhapjes së ideve të lirisë dhe të ndërgjegjësimit të qytetarëve për veprim, nëpërmjet të shprehjes së revoltës në protesta e demonstrata si dhe të përgatitjes graduale të kryengritjes së armatosur. Kombinimi i këtyre dy formave të veprimtarisë, kërkonte profesionalizëm të lartë dhe kujdes të veçantë, për shkak të natyrës tepër delikate të tij.

Lexuesi mund të vërejë lehtë se në kujtimet e periudhës së organizimit në Lëvizjen Kombëtare, gjithë veprimtaria e autorit, çdo punë që bën, çdo angazhim, sjellje, qoftë në jetën e përditshme private e familjare, në shkollë e në shoqëri, në leximin e literaturës, zhvillimin e karrierës profesionale, në jetën kulturore-artistike e zbavitëse, sikur edhe në veprimtarinë klandestine, me një fjalë gjithë aspektet e jetës së tij, i dedikohen një qëllimi të vetëm e sublim: luftës së ndërgjegjshme kundër pushtuesit. Atëherë kishte një parullë që thoshte „Gjithçka për çështjen, asgjë mbi çështjen“. Ky nuk ishte thjesht një slogan motivues, por vetë përmbajtja dhe kuptimi i jetës së veprimtarëve. Jeta e të rinjve (mosha mesatare e organizatës së Ganiut, ishte 25 vjeç), merrte kuptim të ri, përmbajtje të re, angazhim të ri, për një ideal të ri, shpresa e bindje të reja dhe botëkuptim të ri. Kjo luftë e vazhdueshme dhe për kohë të gjatë, plot privacione, e shtrënguar nga rrathët e normave të rrepta organizative, e heshtur dhe me llogaritë milimetrike të kujdesit për veten dhe për shokët, e bënte jetën e veprimtarit shumë të kufizuar dhe të privuar nga privatësia dhe hareja familjare.

Jeta e vështirë e militantit, rreziqet nëpër të cilat kalonte ai, fryma e sakrificës dhe vetëmohimit, botëkuptimi dhe ideali që mishëronte, e bënte atë jo të zakonshëm në rrethin shoqëror. Por kjo jetë nuk ishte skëterrë, sepse i kishte edhe bukuritë e saj. E madhërishmja në estetikë, ka gjithmonë edhe diçka të frikshme brenda. Ganiu nuk mund ta pikturonte tablonë e Kosovës së robëruar me ngjyra të ndezura e të hareshme, nuk mund ta paraqiste kaltërsinë e qiellit të mbuluar nga retë e zeza të robërisë, por bukurinë mahnitëse do ta gjejmë në shpirtin e njerëzve të skalitur në art, atyre që liria u duket brenda botës së tyre dhe jo jashtë saj.

Ai flet me kompetencë për jetën e organizatës, së cilës i përkiste, gjithnjë në cilësinë, jo të një anëtari të zakonshëm, por të një kuadri drejtues, i orëve të para të Lëvizjes Kombëtare të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.

Jeta e organizuar në Lëvizjen Kombëtare i transformonte krejtësisht pjesëtarët e saj, sidomos të rinjtë, duke i dhënë kuptim të ri jetës së tyre. Ata formonin personalitetin, si revolucionarë, me guxim e trimëri të mençur, me karakter të fortë, të vendosur, të përkushtuar, të ditur, besnikë e të sinqertë, të dashur e të thjeshtë, por të thellë e seriozë në çështje të lirisë së atdheut dhe të pamëshirshëm ndaj armiqve të popullit të vet. Në Lëvizjen Kombëtare kultivoheshin virtyte të larta njerëzore dhe tradita e pasur e sistemit të vlerave tradicionale shqiptare.


3

Autori portretizon me dashuri figura të shquara të kombit shqiptar, flet për bashkëveprimtarë, për figurën morale, politike e patriotike të tyre, por flet, mbase edhe më shumë, me të drejtë, për njerëz të thjeshtë të popullit të vet, me shpirt të pastër, me zemër të hapur e me ndjenja atdhedashurie e besnikërie, sikur edhe ai vetë. Ai gjen në popull shumë njerëz të gatshëm për veprim e sakrificë, të cilët e bindin për potencialin e madh patriotik e luftarak që fshihte në gjirin e vet populli shqiptar i robëruar. Kur veprimtari ua rrëmbente zemrën njerëzve dhe i bënte për vete, kur ata fitonin besimin e plotë te ai, hapeshin zemrat dhe ndjenjat, zbuloheshin thellësitë e shpirtit të ndrydhur e të strukur nga ndjekjet e tmerri udbesk. Vlerat shpërthenin lirshëm, duke zbuluar botën e fshehur të njerëzve të thjeshtë. Vetëm veprimtarët mund ta bënin këtë mrekulli me shpirtin e tyre prej luftëtari të lirisë. Vetëm ata i mbanin çelësat e zemrave të njerëzve të trembur, hynin në botën e tyre dhe i ndihmonin ta vrisnin frikën. Këta shpirtra të mbyllur i takoje kudo, në odë, në arë, në katedra, në autobus, në konvikte nxënësish e studentësh, në kantiere, në rrugë e gjetkë, ashtu siç e paraqet galerinë e tyre Gani Sylaj. Ishin kudo, por duhej kërkuar e gjetur dhe duhej inkurajuar për veprim, që ta çlironin shpirtin, për t’u çliruar një ditë edhe nga vargonjtë e trupit. Ganiu, sikur edhe shumë veprimtarë të tjerë, e kishte këtë përgatitje dhe aftësi, të cilat i përdorte kudo ku i jepej rasti. Veprimtaria klandestine e kombinuar me atë të hapët, ishte metoda e veprimit për një zgjim shqiptar masiv dhe shpërthyes.

Rininë e Kosovës në fund të viteve shtatëdhjetë, si epidemi e kishte rrëmbyer dëshira për organizim klandestin kundër regjimit pushtues. Veprimtarët e OMLK-së ndërhynin në grupe të vogla të të rinjve, jo mirë të organizuar, për të zgjedhur elementët më të përparuar dhe për t'i organizuar mirëfilli në organizatën e tyre.

Ganiu flet natyrshëm edhe për veten, duke paraqitur, përveç angazhimeve, shpeshherë përtej kapaciteteve normale të një njeriu, edhe ndjenjat e tij, gjendjen shpirtërore, dhembjet dhe ngazëllimet, nëpërmjet të cilave e njohim nga afër figurën e tij dhe bashkëjetojmë me përpjekjet e krajatat që e përcillnin ndër vite, në veprimtari dhe në burg.

4

Njërin nga vëllimet, autori ia kushton jetës në burg të veprimtarëve të lirisë. Ky aspekt i veprimtarisë çlirimtare, pak është trajtuar në literaturën tonë shkencore dhe letrare. Është e vështirë që imagjinata krijuese ta pasqyrojë realisht tërë dimensionin tragjik të vuajtjeve dhe qëndresës shqiptare në kazamatet jugosllave. Vetëm ata që e kanë përjetuar atë golgotë, i ruajnë të gjalla kujtimet dhe imazhet e asaj jete, gjithnjë buzë vdekjes. Një tablo besnike dhe më të plotë të qelive të burgjeve jugosllave, e ka paraqitur Heroi i Kosovës dhe bashkëveprimtari i Ganiut, Rexhep Malaj, në veprën “Qëndresa”. Sikur vërehet një ngurrim i veprimtarëve për të dëshmuar tmerrin e burgut, mbase nga modestia, por më shumë për kujdes ndaj familjarëve të tyre.

5

Rrëfimet te „Shenja e përkatësisë“ janë të karakterit letrar mbi bazën e një realizmi besnik dhe të veshur me petkun artistik, me figura letrare, ndër të cilat shquhet veçanërisht krahasimi. Tregimet e kanë subjektin, strukturën, përmbajtjen, mesazhin dhe emocionin brenda tyre. Gjuha e shkrimeve është e rrjedhshme dhe me një sintaksë të ndërtuar mirë. Dialogë letrarë, megjithatë, gjejmë edhe në shkrimet e llojit publicistik të këtij autori.

Tregimet e rrëfimet e shkurtra letrare nuk janë pjellë e imagjinatës krijuese, por ngjarje dhe dukuri të jetës reale, me personazhe realë dhe emra ekzistues. Personazhet e rrëfimeve të Ganiut janë kryesisht njerëz të thjeshtë, të cilët mund t'i gjeje në çdo fshat e në çdo ambient të Kosovës. Njerëz që pa zhurmë e pa bujë bëjnë çdo ditë diçka për të mirën e vendlindjes e të atdheut, përballen me varfërinë e skamjen, por edhe me represionin e barrën e rëndë të robërisë...


6

Evokimi i kujtimeve të Ganiut përshkohet nga një thjeshtësi e të rrëfyerit, nga sinqeriteti i paraqitjes së ngjarjeve e zhvillimeve dhe nga modestia personale, një virtyt i dalluar në personalitetin e tij në jetë, në veprimtari dhe në relata shoqërore.

Ky lloj i shkrimit memoristik, ku flet në veten e parë, duke qenë vetë protagonisti i qindra faqeve, e bën të vështirë evitimin e subjektivizmit dhe vetëlavdërimit, por autori, u është shmangur me sukses, këtyre rreziqeve që zakonisht e lëndojnë vlerën e veprës dhe besueshmërinë e fakteve të saj.

Për evokimin e kujtimeve të tij, Ganiu ka zgjedhur formën letrare të paraqitjes, që e bën më tërheqës lexuesin dhe më të lehtë leximin. Por aty gjejmë edhe analiza, komente e studime, të cilat shkojnë përtej kujtimeve, duke pasur një bazë shkencore të trajtimit.

Në këto vëllime, me një mbamendje të mahnitshme, Ganiu me mjeshtëri i rendit kujtimet, si perlat në gjerdan.

Pas leximit të këtyre shkrimeve, lexuesi ndjen nevojë të pashmangshme të mendojë për to më gjatë dhe t’u bëjë një zbërthim, sepse ato nuk janë vetëm kujtim, por edhe përkujtim e paralajmërim.

7

Në shkrimet e Ganiut, kryesisht mungon polemika, sidomos në plan aktual, por vetë faktet dhe e vërteta e paraqitur, përbën një polemikë të llojit të vet kundër gënjeshtrës dhe shpifjeve të ulëta.

Hasan Prishtina, në parathënien e kujtimeve të tij, „Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vjetit 1912“ shkruante: „...Tash për tash, po e shoh të nevojshme vetëm me qitë kët broshurë me qëllim për me ndritsue pjesërisht mendimin e përgjithshëm e me e forcue pa vjeftsin e disa çpifjeve palogjikë që përfliten për punë të kësaj kryengritje“.

Pas një shekulli, vjen si një reminishencë, tendenca e „çpifjeve pa logjikë“ që i bëhet nga disa zëra të vetmuar në shkretëtirë, Kryengritjes shqiptare të vitit 1981 dhe Lëvizjes Kombëtare, si pararendëse e saj. Kujtimet e Gani Sylajt, veprimtarit të kësaj lëvizjeje dhe dëshmitarit të gjallë e të drejtpërdrejtë, janë një kontribut që i bëhet të vërtetës historike për këtë periudhë të përpjekjeve shqiptare nën ish-Jugosllavi, për liri, pavarësi dhe vetëvendosje. Ato përbëjnë një përgjigje kokëfortë të gjithë atyre të mjerëve që duan ta përbaltin diellin.

Përmbajtja e këtyre shkrimeve dhe rëndësia historike që përfaqësojnë, autorin Gani Sylaj e bëjnë, jo vetëm një shkrimtar memoristik, por një zëdhënës të fuqishëm të një kohe veçanërisht të vështirë, por të një lavdie lapidare.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks