SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

DR.Sc.PAJAZIT HAJZERI: GJENDJA AGRARE NË ARBËRI SIPAS BURIMEVE BIZANTINE (I)

Mitrovicë, 10 mars 2021:

Gjendja agrare në Arbëri sipas burimeve bizantine

Nga Dr. Sc. Pajazit Hajzeri1


 


 


Abstrakt

Punimi “Gjendja agrare në Arbëri sipas burimeve bizantine" është një temë e cila sjell ndër vete disa probleme të përgjithshme si të ekonomisë, shoqërisë, pronës etj, në trevat Iliro – Arbërore.

Të dimë për gjendjen ekonomike në Arbëri gjatë mesjetës, duhet t'i referohemi kryesisht burimeve bizantine dhe tek autorët bizantinë që flasin për Shqipërinë, duke mos lënë anash as autorët e sotëm që me një punë shumëvjeçare kanë zbardhur shumë dokumente që japin të vërtetën mbi autoktoninë shqiptare në trevat ilire.

Edhe në Arbëri gjendja politike, ekonomike, shoqërore dhe agrare ishte pothuajse e njëjtë me pjesët e tjera të Perandorisë Bizantine, mirëpo përparësi e zhvillimit ekonomik të trevave shqiptare ishte se, ato ishin urë lidhëse në mes Lindjes dhe Përendimit, kishin dalje në anën Perëndimore në Detin Adriatik dhe në anën Jugperëndimore në ujërat e nxehta të Jonit e Mesdheut, gjithashtu ishin të lidhura me rrugë të ndryshme si dhe konfiguracioni i terenit e bënë më të lehtë dhe më të favorshëm zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe agrar gjithashtu.

Kategorizimi pronësor fillon të trajtohet që nga antikiteti i vonë – mesjeta e hershme dhe atë simbas kategorive dhe periudhave (shekujve) të ndryshëm.

Me këtë dua të them se ka edhe shumë vend për t'u kyçur me burime dhe literaturë tjera, por mendoj se një pasqyrë e mirë është dhënë në këtë punim.

Fjalët Kyqe: Arbëri, Bizant, Bujqësi, Zhvillim ekonomik.



***

Gjendja agrare në Arbëri sipas burimeve bizantine

Rrethanat e përgjithshme të zhvillimit ekonomik në trevat iliro – arbërore

Perandoria Bizantine lindi si rezultat i ndarjes së Perandorisë Romake.


Mbreti Romak Teodosi i Madh në vitin 395, që ishte në shtratin e vdekjes, ua ndau mbretërinë e tij dy djemve të vet: Arkadit dhe Honorit. Arkadi do të qeveriste në Lindje,[1] kurse Honori në Perëndim. Trevat iliro – arbërore hyjnë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të saj, që pas rindërtimit nga Konstandini i Madh u quajt Bizant Konstandinopojë.[2]

Ndarja e Perandorisë Romake

Trevat iliro – arbërore i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë:

- Anastasi I nga Durrësi (491 - 518),

- Justiniani I nga Taurisiumi i Shkupit (527 - 565).[3]

Pozicioni skajor në kufi me Italin, me të cilën interesat e Bizantit mbetën deri në fund të lidhura ngusht, përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm të trevave iliro – arbërore në kuadrin e Perandorisë Bizantine. Ato u kthyen në nyje komunikimi të Lindjes me Perëndimin dhe anasjelltas.

Zhvillimin ekonomik në trevat iliro – arbërore e mundësonte dhe e favorizonte ekzistenca e shumë porteve të rëndësishme gjatë bregdetit të Adriatikut dhe Jonit, si dhe rrjeti rrugor që futej në thellësi të Gadishullit Ballkanik, duke lidhur bregdetin me qendra të tjera të rëndësishme, si: Nishin, Shkupin, Ohrin, Sofjen, Kosturin, Selanikun, Adrianopojën dhe Konstandinopojën.

Perandoria Bizantine i kushton vëmendje të veçantë mbrojtjes strategjike të trevave iliro – arbërore. Perandori Justinian, sipas Prokopit të Cezaresë historian i oborrit të Justinianit, vetëm në atdheun e tij, në Dardani, perandori bizantin meremetoi 61 kështjella dhe ndërtoi 8 kështjella të tjera. Numri i kështjellave në katër provincat Ilire; të Dardanisë, Prevalit dhe të dy Epirëve arrin në 168. Nga ana e tij Anastasi I e rrethoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin me mure madhështore.[4]

Të gjitha ndërtimet dhe rindërtimet e sipërpërmendura të realizuara në trevat arbërore janë ndërtuar me tatimet e mbledhura popullatës vendore, ku kjo jep një pasqyrë të gjithë trevës se ka qenë në gjendje të mirë të një zhvillimi ekonomik.

Veç Durrësit pikëmbështetje të pushtetit bizantin në Arbëri përbënin Tivari, Shkodra, Lezha, Kruja, Dibra, Prizreni, Shkupi, Berati, Devolli, Kolonja, Adrianopoja etj. [5]

Organizimi shoqëror – ekonomik në trevat iliro – arbërore gjatë sundimit Bizantin

Perandoria Bizantine ishte një monarki e centralizuar ushtarako administrative. Aty kishte tipare shtetërore të Perandorisë Romake të perëndimit, por kryesisht ishin gërshetuar tiparet e despotizmit të lindjes.

Në perandorinë bizantine pushteti ishte në duart e Perandorit plotësisht. Perandori ishte pushtet, ligj, mbajtës i pushtetit ushtarak dhe personi numër një i kishës bizantine. Të gjithë të tjerët ishin nën te. Në kuadër të pushtetit ekzistonte organi konsultativ Senati. Senati merrej me të gjitha problemet që i paraqiteshin perandorit, përgatit ligjet të cilat me miratimin e tij hynin në fuqi. Pra Perandori e udhëhiqte senatin që kishte ndikim të madh në ushtri e popull. Dalngadalë pushteti i perandorit bëhet i kufizuar, atëherë kur kishte pakënaqësi në popull edhe kjo mundësoi krijimin e partive politike. Që në fillim ishin katër parti si: të bardhët, të kuqët, të gjelbërit dhe blutë.

Pushtetin civil e udhëhiqnin prefektët (pretories) dhe emëroheshin nga Perandori, ndërsa pushtetin ushtarak e udhëhiqte vetë Perandori. Pushteti u nda në Dioqeza (krahina), që udhëhiqeshin nga (vikerët) më vonë këto dy njësi të mëdha administrativo - territoriale do të quheshin Prefektura. Kështu lindi prefektura e Ilirikut dhe prefektura e Lindjes. Iliriku ngërthente ndër vete të gjitha tokat e Ballkanit dhe qendrën e kishte në Selanik.

Çdo prefekturë ndahej në dioqeza, dioqeza ndahej në Provinca. Prefektura e Ilirikut kishte dioqezën e Maqedonisë dhe gjashtë Provinca. Iliriku kishte edhe dioqezën e Dakisë e cila kishte pesë Provinca.

Tokat shqiptare kishin provincën e Dardanisë me qendër Shkupin, Epirin e Ri me qendër Dyrrahun, Epirin e Vjetër me qendër Nikopojën dhe Provincën e Prevalit me qendër Shkodrën, të gjitha këto provinca do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në organizimin e pushtetit perandorak dhe se këto provinca gëzonin të drejta të organizimit të brendshëm autokton autonom. Në politikën e jashtme vareshin nga perandori.

Më vonë territori i perandorisë do të pësojë ndryshime sepse do të formohen rrethe ushtarake në krye të të cilave do të vendosej Duka, gjithsejt perandoria kishte 13 rrethe.

Në kohën e valës së dyndjes së sllavëve në shek. VII ishte krijuar flota ushtarake ku ushtarët tanimë ishin me pages dhe se pagat paguheshin nga taksat e shtetit.

Perandoria Bizantine e shekujve, V, VI, VII karakterizohet me një organizim të brendshëm që synonte të stabilizonte marrëdhëniet shoqërore, por gjithmonë me diktaturë të rreptë.[6]

Organizimi më i lartë i bashkësisë qytetare ishte Këshilli i Qytetit. Vend të rëndësishëm në administratë zinte noteri. Ai formulonte të gjitha aktet e komunës si dhe dokumentet private të popullsisë si: aktet pronësore, testamentet, akte dhurimi, shitblerje, kontrata tregtare etj.[7]

2.a. Organizimi ekonomik dhe gjendja agrare në shek. IV – VIII

Rrethanat ekonomiko – shoqërore që u krijuan në etapën e dekompozimit të rendit skllavopronar e të lindjes së sistemit të ri feudal, sollën si pasojë ndryshime në marrëdhëniet në prodhim. Shtimi i numrit të komuniteteve të lira fshatare, forcimi i pronës së vogël, krijimi i dinastive vendase të pavarura, formuan një bazë për lindjen dhe zhvillimin e ekonomisë së mbyllur. Nga ana tjetër, pasiguria që ekzistonte në territorin e gjerë të perandorisë lindore (konfliktet e brendshme e më tepër luftërat dhe plaçkitjet e vazhdueshme, dyndjet avarosllave e bullgare), e detyrojnë popullsinë e inkuadruar në bashkësitë e lira fshatare të merrte masa vetëmbrojtëse. Pikërisht në një situatë të tillë jetonte provinca e largët e Shqipërisë në kuadrin e perandorisë së gjerë bizantine [8].

Në shek. III provincat lindore ishin përfshirë nga një krizë e gjithanshme politike e shoqërore, por në një shkallë më të ulët se në Perëndim. Në shek. IV – V pasojat e krizës u kapërcyen pjesërisht.

Në mjaft krahina u rivendos sistemi i ujitjes. Një pjesë e rëndësishme e tokës filloi të punohej. Në shumë rajone, përpunimi i bukës, i rrushit dhe i frutave mori karakterin e ekonomisë së mallrave.

Zhvillimi i bujqësisë, që ishte bazë e ekonomisë ishte shumë i ngadalshëm. Atë e pengonin marrëdhëniet në prodhim. Në marrëdhëniet agrare pasqyroheshin kontradiktat karakteristike për epokën kalimtare nga skllavopronaria në feudalizëm. [9]

Për trevat Ilire – Në letrat e veta Ciceroni flet për praninë në shek. I p.e.s të latifundistëve, tregtarëve, veteranëve apo kolonëve romakë në disa qytete të lulëzuara të brezit bregdetar si: Buthroton, Dyrrachium, Apollonia, por kjo nuk do të thotë akoma se kemi të bëjmë me një kolonizim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.[10]

Prania e tyre ndeshet edhe më vonë. Gjatë dy shekujve të parë të sundimit bizantin shek. V – VI provincat jugore ilire e përballuan deri diku krizën e përgjithshme që kishte mbërthyer mbarë rendi skllavopronar. Krahas qendrave të vjetra urbane tani me popullsi të pakësuar, fillojnë të dalin në fushën e burimeve historike një varg qytezash të vogla të mbyllura brenda mureve të fortifikuara. [11] Rreth shek. VI, Prokopi i Cezares na jep 168 emra qendrash të fortifikuara, të shpërndara në të katër provincat jugore ilire, në shumicën e tyre dërmuese të panjohura më parë. [12]

Ky është një dokument i mirë për të gjykuar rreth përbërjes etnike joromake, ilire të popullsisë së këtyre provincave në fund të antikitetit dhe në fillim të mesjetës.

Kategorizimi pronësor

3.a. Kolonët shek. IV – VIII

Kudo ekzistonte prodhimi i vogël, baza e të cilit ishte pronësia e pjesëshme e punonjësve mbi mjetet e prodhimit, në fshat dominonte bujqësia e fshatarëve të vegjël, të lirë ose bujkrobër, në qytet zejtaria.[13]

Bazën e popullsisë fshatare e përbënin kolonët. Numri i tyre ishte rritur shumë; nga çlirimi i skllevërve dhe nga kthimi i mjaft barbarëve në kolonë.

Ata vazhdonin të ndaheshin në dy kategori kryesore kolonë të lirë (elefterë) dhe kolonë të regjistruar (enapografë). [14] Kolonët e lirë, duke humbur tokën private dhe lirinë, ktheheshin në mbajtës të tokës së zotërisë. Si persona të lirë, kolonët i paguanin tatime edhe shtetit dhe plotësonin disa angari shtetërore.

Nga njëra anë, ai juridikisht quhej njeri i lirë dhe shteti merrte prej tij taksa civile, nga ana tjetër, nuk ishte i lirë të largohej sipas dëshirës së tij nga territori i qifligut dhe ishte i detyruar t'i paguante pronarit të tokës taksa të vazhdueshme në forma të ndryshme. Kolonët ishin parardhësit e bujkrobërve të mesjetës.

Lidhja e kolonit me tokën ishte një nga shkaktarët e shkatërrimit të ekonomisë skllavopronare.[15] Sipas Kodit të Justinjanit, "Urdhërojmë që kolonët dhe inkuilinët)[16] në Ilirik (Arbëri) dhe në krahinat fqinje thuhet: (kolonët) të mos kenë të drejtë të lënë fshatin në të cilin janë caktuar të jetojnë, sipas prejardhjes dhe farefisnisë së tyre. Le të jenë robër të tokës jo me detyrime taksash, por me emrin dhe titullin >>kolonë<<, kështu në qoftë se ikin dhe kalojnë tek një tjetër, mbasi të kthehen, të futen në burg dhe të dënohen. Të dënohen edhe ata që kanë menduar se mund të pranojnë një kolon të huaj dhe të panjohur, duke rivendosur, punën dhe dëmet që kanë pësuar vendet e braktisura prej tyre, dhe duke paguar gjobën, caktimin e së cilës e lëmë në dorën e gjyqtarit".[17]

Përveç, pronave të mëdha e të mesme u krijuan edhe ekonomitë e vogla private. Fshatarët e lirë banonin në bashkësi. Bashkësitë ishin tri lloje; Tipi më i lartë, kur fshatarët kishin të drejtë të shfrytëzonin token, të shisnin prodhimin deri dhe ngastrën e tokës. Tipi i dytë, kur ekziston një barazi e plotë në shfrytëzimin e tokës, kur ndaheshin periodikisht kufijtë e ngastrave dhe kur ndalohej shitja ose coptimi i ngastrës. (Tipi i tretë P.H.), në disa rajone malore ruheshin bashkësitë ose lidhjet e gjakut.[18]

3. b. Bashkësia fshatare në shek. IV – VIII

Në këtë periudhë bashkësia fshatare, përsa i përket organizimit të brendshëm, ruante mjaft elemente të vetorganizimit. Ajo zgjidhte kryeplakun e persona të tjerë të nevojshëm, si; mbikqyrësin e digave, kontrolluesin e shpërndarësit të ujit etj.

Mbledhësi dhe kryeplaku përgjigjeshin para shtetit për vjeljen e tatimeve dhe për plotësimin e detyrimeve. Tatimi kryesor ishte detyrimi për tokën.

Në mjaft bashkësi fshatare, veçanërishtë në bashkësit e krahinave Jugore, qysh në shek. VIII, pranë pjestarëve që vazhdonin akoma të punonin me forcat dhe me mjetet e veta ngastrat e tyre, kishin dalë nga njëra anë familje të pasura dhe nga ana tjetër fshatar të varfër të varur si: Aporë, Mortitë, e Mistotë[19].

Me që tokat ishin pronë e bashkësisë, pjestarët e bashkësive kishin mundësi të rritnin sipërfaqet e tokave të punueshme, për ta rritur prodhimin bujqësor e blegtoral, pa i bler ato. Zhvillimi i forcave prodhuese përgatiti kushtet për lindjen e marrëdhënjeve feudale në tokat shqiptare.

Kështu, bashkësit fisnore dhe fshatare bënë njëkohësisht edhe bashkësi fiskale. Shteti caktonte një shumë taksash dhe ajo përgjigjej kolektivisht për pagesën e rregullt të krejt shumës.[20]

Edhe me vendosjen e popullsive ,,barbare", në Gadishullin Ballkanik forma kryesore e organizimit shoqëror ishte bashkësia fshatare.[21] Në gjirin e bashkësive fisnore, lidhjet e gjakut që i mbanin njërin pranë tjetrit në ekonominë e përbashkët vazhduan të dobësohen. Me dobësimin e këtyre lidhjeve, me largimin e këtyre

pjestarëve nga bashkësia dhe me rëndësinë që merrte në marrëdhënjet midis tyre fqinjësia territoriale, Bashkësia Fisnore këthehetj kështu në Bashkësi Fshatare, si rrjedhim edhe Katuni në Fshat.[22] Ata paraqiteshin si një fshat i madh me territor të vetin, bashkë me tokën e tyre.

Në shek. V – VI varfërimi progresiv dhe rrënimi ekonomik përfshiu edhe provincat e Perandorisë Bizantine që deri tani nuk e kishin ndjerë aq thellë këtë proces, midis tyre edhe provincat e Prevalit, Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër që edhe nën sundimin bizantin vazhdonin të ishin si ndarje administrative më vehte.

Në shek. VIII në Shqipëri vazhdonin të njiheshin akoma efektet e rënies ekonomike që kishte filluar gjatë shekujve të mëparshëm.

Qytetet që kishin mundur t'i shpëtonin rrebeshit të dyndjeve barbare ishin zvogëluar dhe e kishin humbur karakterin e tyre si qendra prodhimi e shkëmbimi. Ato kishin marrë tani një karakter agrar me një farë rëndësie vetëm si qendra ushtarake edhe administrative [23].

Organizimi në bashkësi e kapërcente në ndonjë rast kuadrin e një vendbanimi fshatar, duke përfshirë disa të tilla. Kështu linden bashkësitë krahinore, që u njohën si të tilla edhe në kuadrin e organizimit administrativ e kishtar bizantin. Duke filluar nga shek. VIII, të tilla në trevat shqiptare përmenden: Kunavia, Stefaniaka, Pulti, Devolli, Kolonja, Himara, Vagenetia[24].

Gjendjen e bashkësive fshatare në këtë pjesë të mesjetës na e pasqyron deri diku "Ligji bujqësor" (neomos georgikos). Ky ligj përmban të drejtë zakonore bizantine, që mendohet se është kodifikuar rreth mesit të shek. VIII. Ligji në fjalë kishte vlerë për të gjitha territoret ballkanike të Perandorisë Bizantine, dhe në këtë kuadër, edhe për trevat shqiptare.[25]

Fshatarët të cilët që jo rastësisht quheshin aty "zot" (kyrios), kishin tokën e tyre arë, vreshtat, kopshtet, që, së bashku me shtëpinë dhe me bagëtitë, përbënin pasurinë kryesore vetjake të familjes fshatare.[26]

Në këtë ligj janë pasqyruar ndryshimet që po ndodhnin në shek. VIII në gjirin e bashkësive fshatare. Aty thuhet se tokat e braktisura prej zotëruesit duhet t'i ktheheshin përsëri bashkësisë. Nga regjimi i vjetër i pronësisë së përbashkët ishte ende në fuqi sistemi i arave të hapura, sipas të cilit pjesëtarët e bashkësisë kishin të drejtë t'i kullotnin bagtitë e tyre në të gjitha arat e veçanta të familjeve, sapo këto të kishin përfunduar korrjen.

Në ligjin agrar del qartë se prona e përbashkët Kujria – që ishte bazë e regjimit të bashkësisë qysh në shek. VIII kishte filluar të pakësohet. Aty shihet se jo vetëm shtëpitë, bagëtit, kopshtet, vreshtat por edhe një pjesë e arave ishte kthyer në zotërim privat të familjeve. Këto familje tani kishin të drejtë që arat e tyre t'i trashëgonin, shkëmbenin ose edhe t'i jepnin tjetër kujt me qira, por ende nuk kishin të drejtë t'i shitnin.[27]

Në këtë ligj del se disa pjesëtarë të bashkësive ishin kthyer në Aporë (fshatarë të varfër). Këta ishin të detyruar për mungesë mjetesh pune, t'i linin bashtinat e tyre dhe të shkonin në vende të tjera.

Në bashkësitë fshatare barazia e dikurshme e pjesëtarëve në shek. VIII filluar të lëkundej në një shkallë të thekësuar. Brenda bashkësisë tani praktikohej edhe marrja e tokave me qira.

Në ligjin agrar përmenden fshatar qiramarrës ose Mortitë, të cilët punonin në ngastrën e manastirit, duke i paguar atij si qira të dhjetën (1/10) e prodhimit ose Mortën.

Në ligj përmenden edhe argatët me meditje ose Mistotët, të cilët juridikisht ishin të lirë, por ekonomikisht ishin të varur nga fshatari i pasur, te i cili punonin kryesisht si barinj – rrogtarë. Në ligj përmenden në fund edhe skllevër.[28]

Dhunimi çfarëdo i pronës individuale ndëshkohej me masa që shkonin nga zhdëmtimi e deri në dëmtime të ashpra trupore, si me rrahje, damkosje me hekur të nxehtë, me verbim apo me prerjen e dorës.[29] S'ka dyshim që ndëshkime të tilla të vrazhda pasqyrojnë ndikimin që ushtroi mbi të drejtën bizantine e drejta dokesore e popujve barbarë, që erdhën e u vendosën në territorin bizantin në shek. V – VII.

Ligji agrar (bujqësor), na tregon edhe për pronat private për ngastrat, arat, livadhet, kopshtet etj, por edhe ndëshkimet e tyre që dëmtojnë ose dhunojnë pasurinë, e tjetrit. (Neni 42) thotë: Në qoftë se ndonjëri, duke dashur të vjedhë një ka, nga një kope, bën që kopeja, duke u shpërndarë, të bëhet pre e bishave, (ai) të verbohet. (Neni 44) Në qoftë se ndonjëri gjen në pyll një ka e therrë atë dhe e merr mishin e tij, t'i priten duart. (Neni 46) Në qoftë se një shërbëtor, duke dashur të vjedhë natën, largon prej kopesë bagëtitë, duke i dëbuar nga vathi dhe (ato) humbasin ose i hanë bishat, të ngulet në hu si vrasës. (Neni 64) Ata që vënë zjarr në lëmë ose në qipitë (e grurit) për hakmarrje kundrejt armiqve, le të digjen në zjarr.[30] Me këtë nuk do të thotë vetëm ndëshkimi, por mbrojtja e pronës dhe pasurisë së tjetrit që gjithashtu dimë nga Ligji i bujqësisë.

Çdo fshatar kishte ngastren e vetë (neni 1) me kufij të përcaktuar mirë, shkelja e të cilave shkaktonte faj dhe ndëshkohej me dënime të ndryshme sipas rastit.

Pronari i tokës kishte të drejtë ta detyronte fqinin e vet t'i priste degët e pemës, kur ato shtriheshin mbi token e tij (neni 33), të mos lejonte kalimin përmes tokës së tij as ujin e mullirit të një fshatari tjetër (nenet 83-84). Pronësia private shtrihej gjithashtu mbi kopshtin (neni 31), vreshtën (nenet 21,59,80), bagëtinë (nenet 23 – 29), mbi pyllin (nenet 20 – 57) etj.[31]

Mjaft norma dhe institucione, që gjejnë pasqyrim në "Ligjin bujqësor", u futën në të drejtën dokesore (zakonore), dhe si të tilla mbijetuan deri në kohët e reja në fshatin shqiptar.[32]

Këto diferencime shoqërore në Perandorinë Bizantine, e edhe në trojet shqiptare janë ndikuar edhe nga faktorë të jashtëm, siç ishin humbja për Perandorinë Bizantine e Egjiptit, Mesapotamisë etj. që ishin hambar të perandorisë. Këto humbje sollën pakësimin e të ardhurave të shtetit bizantin në kohën kur ajo duhej të mbante në këmbë një ushtri të forte për t'i bërë ballë pushtimeve arabe. Për këtë arsye u ngritën taksat. Këto kërkesa të mëdha fiskale të shtetit shpejtuan diferencimin e fshatarëve. Mbi bashkësitë është ushtruar një presion i madh edhe nga institucionet kishtare e manastirore, të cilat ishin bërë në këtë kohë pronare të mëdha tokash.

Prandaj, në bashkësit fshatare të viseve fushore, qyshë në shek. VIII kishin dalë në njerën anë familje të pasura, e në anën tjetër fshatarë të varfër e të varur, si: mortitë dhe mistotë, të cilët shfrytëzoheshin pa mëshirë nga familje të pasura. Kështu është çthurur rendi i bashkësive.[33]

3. c. Stratiotika

Megjithëse tek bizantinët ekzistonte ligji që ushtarëve t'u jepej ushqim dhe rrogë, ky perandor, (Manuel I Komneni), mbasi ua shkurtoi këto ushtarëve, rregulloi që ata të kenë [sendet] e nevojshme në sasi të mjaftueshme nga proniet ushtarake.[34]

Në kohën kohë kur në Bizant sunduan perandorët e "dinastisë maqedone", shek. IX – XI, njohën një përhapje të gjërë të të ashtuquajturave "ngastra ushtarake" (stratiotika ktemata). Këto shteti bizantin ua shpërndante bujqve me kusht që këta të kryenin shërbimin ushtarak.

Ushtari (stratiot), është një luftëtar me kali dhe shoqërohet nga një trupë e armatosur, madhësia e së cilës varet nga madhësia e feudit që ai ka marrë në pronie, ky shërbimi ushtarak kryhej me shpenzimet e tyre.[35]

Sistemi i pronave ushtarake njohu përhapje të gjerë në kohën e riorganizimit politiko – administrativ të Perandorisë Bizantine dhe të ndarjes së territorit të saj në provinca ushtarake (tema). Sistemi i temave, themeli ekonomik e shoqëror i të cilit ishte prona e vogël e bujkut – ushtar (stratiotit), u bë shtylla kurrizore e shtetit dhe e ushtrisë bizantine.[36]

Po edhe fshatarët stratiotë, nuk mund t'i shpëtonin varfërimit, prandaj me kohë filluan edhe ata t'i shisnin ngastrat e tyre e të kalonin në një gjendje varësie e shfrytëzimi nga dinatët ushtarakë ose civilë të cilëve u kishin dorëzuar tokat e tyre.[37]

Shërbimi ushtarak, që kryente me shpenzimet e veta, përbënte, një lloj rente që i lahej shtetit duke sjellur çlirim nga disa detyrime të tjera. Pra ishte i liruar nga një pjesë e tatimeve që edhe ashtu ishin të shumëta ndaj shtetit.

Organizimi i ri i temave synonte të konsolidonte forcën ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të drejtën e shfrytëzimit të një parcele toke kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak.[38]

3. d. Pronia

Një nga format kryesore të zotërimit të tokës ishte pronia.

Proniet ishin zotërime toke që pushteti qëndror bizantin ua shpërndante feudalëve të veçantë me kusht që të kryenin shërbimin ushtarak me një numër kalorësish të armatosur rëndë me shpenzimet e veta, sa herë t'i thërriste perandori.[39]

Të dhënat e para për ekzistencën e pronieve dhe të proniarëve në Shqipëri i takojnë mesit të shek. XIII.

Pronarët shqiptarë, në burimet perëndimore, përmenden me termin ushtarak "miles", për shkak të funksioneve të tyre ushtarake.[40]

Në dallim nga tokat ushtarake, proniet ishin shumë më të mëdha dhe zotëruesi ishte pjesëtar i klasës feudale. Që nga shek. XII pronia u përhap gjerësisht dhe u bë një nga format kryesore të zotërimit mbi token në Ballkanin Perëndimor[41], duke përfshirë edhe tokat e Arbërisë.

Pronia (fjalë për fjalë do të thotë: parashikim në favor të dikujt), quheshin toka të madhësive të ndryshme që u shpërndaheshin nga pushteti qendror feudalëve të veçantë si zotërim i kushtëzuar.

Duke marrë pronën, zotëruesi i saj feudal, proniari fitonte të drejtën të vilte nga ekonomitë fshatare që ndodheshin brenda saj një numër të caktuar detyrimesh nga të cilat hiqte dorë tani arka qëndrore.[42]

Proniet lidheshin ngusht me personin të cilit i jepeshin; ky e mbante pronien sa kohë që kryente detyrimet e tij, përndryshe ajo mund t'i merrej.

Proniari nuk mund ta shiste ose ta dhuronte pronien, bile nuk mund ta linte trashëgim pa aprovimin e pushtetit qendror.[43]

Në fund të shek. XIV e gjatë gjysmës së parë të shek. XV, pati një shpërndarje masive proniesh. Kjo dokumentohet më mirë për rrethin e Shkodrsë. Kështu, më 1416 nga 116 fshatra të Shkodrës, 32 ose 38% ishin pronie. Në shumicën e rasteve, ato përbëheshin nga një fshat. Nuk mungojnë rastet kur një pronie ishte e shpërndarë në tri fshatra. Proniet nuk përbënin gjithmonë një territor kompakt. Tetë hotianë kishin një pronie, fshatin Podgorë.[44]

Me kohë proniarët filluan të merrnin të drejta më të gjera eksklusive siç i patën gëzuar më parë vetëm institucionet kishtare në zotërimet e tyre. Proniarët filluan bile të krijonin një aparat të vet nëpunësish, rojesh personale, ushtarësh etj[45]. Përhapja e pronies, jo vetëm pasqyronte shfaqjen dhe zhvillimin e tipit të ri të pronësisë, por edhe ndryshime në tërësi të sistemit të pronësisë bizantine.[46]

- VIJON -


_______________________-


DR.Sc.PAJAZIT HAJZERI: GJENDJA AGRARE NË ARBËRI SIPAS BURIMEVE BIZANTINE (I)

http://www.pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10992

***

DR.Sc.PAJAZIT HAJZERI: GJENDJA AGRARE NË ARBËRI SIPAS BURIMEVE BIZANTINE (II)

http://www.pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10993


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks