SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

MEHMET HAJRIZI: MARSI DHE PRILLI I VITIT 1981 PËRBËNIN RUBIKONIN E KOSOVËS DHE PRELUDIN E LËVIZJES SË RE KOMBËTARE, DERI NË EPOKËN E LAVDISHME TË UÇK-së

Pashtriku, 2 prill 2021: Në mbarim të çerekut të tretë të shekullit të kaluar, në Kosovë po ngjizej një opinion publik iluzor i dyfishtë për statusin e ardhshëm të saj. Një palë e iluzionistëve, duke fetishizuar rolin e demonstratave të vitit 1968, besonin që Kosova do të avancohej në republikë, mbasi kjo ishte kërkesa dhe parulla qendrore e tyre, kurse pala tjetër u besonte premtimeve zyrtare dhe jozyrtare të udhëheqësve shqiptarë, se ata do ta realizonin atë në tavolina të institucioneve. Kompromisi tashmë i njohur ishte një zgjidhje gjysmake dhe dualiste, e cila Kosovës i dha një status të krahinës autonome, si element konstituiv i federatës, por në kuadër të Serbisë. Në plan kombëtar, popullit shqiptar, ndonëse i treti nga madhësia në federatë, nuk i njihej statusi i kombit a popullit, por i pakicës kombëtare që me eufemizëm quhej kombësi, në plan politik e juridik, Kosova nuk ishte as mish as peshk, kurse në plan ekonomik, vazhdoi shfrytëzimi shumëdimensional kolonial. Propaganda e pompuar e plotë folklor e filistinëve politikë dhe “shkencorë” shqiptarë, për ta bindur, apo më mirë, mashtruar popullin shqiptar, se Kosova paskësh fituar tashmë të gjitha të drejtat kombëtare, politike, shtetërore dhe historike, se ajo ishte bërë de fakto republikë, etj, nuk pati jetë të gjatë, sepse siç thoshte John Locke, “...ju nuk mund të mashtroni gjithë popullin për gjithë kohën”.



Prishtinë, 1 prill 1981: Hydajet Hyseni duke folur para demonstruesve


Lëvizja kombëtare shqiptare nuk u nanuris, sepse organizimi i saj edhe pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, kishte rëndësi, jo vetëm pse populli shqiptar nuk barazohej me popujt tjerë, por për më keq, Serbia përgatiste procese retrograde ( të përvijuara në të ashtuquajturin “Libër i kaltër”), për t’ia suprimuar Kosovës edhe atë autonomi, siç bëri pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Në vigjilje të demonstratave të vitit 1981, lëvizja kishte një bilanc të shkëlqyer të punës edukuese dhe mobilizuese të potencialit çlirimtar të Kosovës. Ndonëse objektiv i saj programor ishte bashkimi i kombit, propagandohej edhe ideja e republikës, si një zgjidhje e ndërmjetme drejt vetëvendosjes deri në shkëputje.

Shkaqet historike që çuan në ngjarjet tashmë të njohura të vitit 1981, ishin, statusi prej robi i popullit shqiptar, pozita diskriminuese e tij në bashkësinë e popujve të ish Jugosllavisë, gjendja e rëndë dhe e pa perspektivë e ekonomisë së Kosovës dhe puna e madhe që kishte bërë lëvizja ilegale për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Lëvizja kombëtare e Kosovës po kalonte nga veprimi në konspiracion të thellë, në sheshet e hapura të qyteteve e të fshatrave, nga strukturat e kufizuara të veprimtarëve tashmë profesionistë, në masa qindra mijëshe, që përfshinte shtresat e shoqërisë së Kosovës dhe përtej saj. Baza shoqërore e lëvizjes kombëtare po zgjerohej me të shpejtë.

Klasa politike zyrtare kishte rastin historik të riparonte dëmin e vitit 1974, sepse përveç forcës së argumentit tani kishte edhe argumentin e forcës së popullit të kryengritur, por ajo nuk u vu në ballë të tij, mbasi ishte në bisht të regjimit pushtues, prandaj në vend të shpalljes së republikës më 1981, Kuvendi i Kosovës e aprovoi suprimimin e autonomisë më 1989. Fatin e vendit e mori në dorë vetë populli, duke siguruar iniciativën vepruese dhe duke u bërë dalzotës suprem i tij.

Më 1981 ndodhi demonstrimi plebishitar i vullnetit politik të shqiptarëve, kryengritja paqësore në njërën anë dhe lufta e pashpallur që organizuan forcat serbe e jugosllave kundër popullit duarthatë dhe të pambrojtur të Kosovës, në anën tjetër. Demonstratat paqësore u kthyen në ngjarje të përgjakshme nga makina shtypëse jugosllave që po i shërbente politikës hegjemoniste e ekspansioniste serbe, ndoshta pa kuptuar se oreksi i saj nuk do të shuhej vetëm me Kosovën.

Rëndësia historike e Pranverës shqiptare të vitit 1981 qëndron në zgjimin shqiptar dhe në sensibilizimin e solidaritetin e gjerë ndërkombëtar. Duke qenë gati e harruar në pluhurin e historisë dhe problem i brendshëm jugosllav, çështja e Kosovës me gjak e sakrifica u shfaq para botës me gjithë mprehtësinë e saj.

Kosova e demaskoi fytyrën e vërtetë të politikës pushtuese të Jugosllavisë, duke lëkundur themelet e saj dhe sistemin e kalbur të vetadministrimit. Pavarësisht dëmeve të rënda që pësoi lëvizja e organizuar kombëtare, efektet e demonstratave në ngritjen e ndërgjegjes së qytetarëve për çlirim nga robëria, qenë të barabarta me dhjetë vjet të punës së saj. Marsi dhe prilli i vitit 1981 përbënin rubikonin e Kosovës në luftën çlirimtare, përparimin e ndërgjegjes së Lirisë, siç do të thoshte Hegel dhe preludin e ngritjeve, sasiore e cilësore të lëvizjes së re kombëtare, deri në epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në njëzetë e tetë vjetorin e demonstratave historike, Kosova do të duhej edhe institucionalisht të kujtonte dëshmorët e tyre, si Naser Hajrizi e Asllan Pireva, organizatorë të demonstratave dhe militantë të lëvizjes kombëtare, Xhelal Maliqi e Salih Abazi, Salih Mulaku e Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi e Sherif Frangu etj, që ranë për të mos vdekur kurrë.



Dëshmorët: Afrim Abazi, Naser Hajrizi dhe Ruzhdi Hyseni

Janë shumë mesazhet që vijnë nga viti 1981, por porosia më domethënëse për brezin e sotëm është të mos lejohet përsëritja e zgjidhjeve gjysmake dhe të padrejta të çështjes së Kosovës, të cilat e çuan në tragjedi të njëpasnjëshme këtë popull të shumëvuajtur. Populli i Kosovës ka sakrifikuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e merituar, prandaj nuk duhet detyruar që sërish të gjakoset për të drejtat e tij të ligjshme.

Mehmet Hajrizi - Prishtinë, 18. 03. 2009

____________________

Shtojcë e pashtrikut

KUSH E DENOI GRUPIN E HYDAJET HYSENIT- JAKUP KRASNIQIT - MEHMET HAJRIZIT…, MË 10 KORRIK 1982?!



Pamje nga gjykimi i Mehmet Hajrizit…10.VII.82

Në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurori NJAZI BURGIDEVA, më 10 korrik 1982 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Trupi Gjykues i kryesuar nga gjykatësi ISAK NISHEVCI…, sipas „nenit 136 par.1 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ-së“…, „në emër të popullit“ i dënoi këta veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare:

1. HYDAJET HYSENI, me 15 vjet burgim të rëndë,

2. JAKUP KRASNIQI, me 15 vjet burgim të rëndë;

3. MEHMET HAJRIZI, me 12 vjet burgim të rëndë;

4. GANI SYLA, me 15 vjet burgim të rëndë;

5. NEZIR MYRTAJ, me 12 vjet burgim të rëndë;

6. BERTA LUZHA , me 12 vjet burgim të rëndë;

7. SHERAFEDIN BERISHA, me 5 vjet burgim të rëndë;

8. ISMAIL SYLA, me 12 vjert burgim të rëndë;

9. JAHIR HAJRIZI, me 11 vjet burgim të rëndë;

10. SHEQIR ZENELI, me 4 vjet burgim të rëndë;

11. FEHMI PLAKIQI, me 5 vjet burgim të rëndë;

12. AZEM SYLA, me 5 vjet burgim të rëndë;

13. XHEVDET SYLA, me 4 vjet burgim të rëndë;

14. FATMIR KRASNIQI, me 4 vjet burgim të rëndë ;

15. FERID ÇOLLAKU, me 8 vjet burgim të rëndë ;

16. HYSNI HOTI, me 6 vjet burgim të rëndë ;

17. KADRI LUZHA, me 5 vjet burgim të rëndë ;

18. MUSTAFË ADEMI, me 6 vjet burgim të rëndë ;

19. JASHAR ALIJAJ, me 6 vjet burgim të rëndë;

(...)

Ndërkaq më 25 nëntor 1983 aktgjykimi i shkallës së parë u shqyrtua, në Gjykatën Supreme të Kosovës nga kolegji i përbërë nga:

1. AQIF TUHINA - kryetar i trupit gjykues,

2.TADEJ RODIQI - anëtër i trupit gjykues,

3. SHEFQET BYTYQI - anëtar i trupit gjykues,

4. MIODRAG BËRKLAQ - anëtar i trupit gjykues,

5. HALIL HALILAJ - anëtarë i trupit gjykues.

- Ky trup gjykues dhe shumë gjyqtarë të tjerë, që kanë punuar në gjykatën supreme të Kosovës, por edhe në gjykatat e qarkut nëpër komuna, gjatë viteve të 80-ta kanë denuar mijëra intelektualë shqiptarë, vetëm pse janë angazhuar për realizimin e kërkesës “Kosova Republikë”, dhe për çudi të tillët edhe sot punojnë në të gjitha nivelet e gjykatave të Republikës së Kosovës!!! / Sheradin Berisha © Pashtriku.org


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks