SHKRIMI
e shtunë, 15 maj 2021

HYSEN GEGA: SI I NJOHA JUSUF GËRVALLËN, IBRAHIM KELMENDIN DHE RIZA SALIHUN?

Pashtriku, 22 mars 2021: Më 28 e 29 mars 2012 gazeta ditore „Kosova Sot“ ka botuar një bashkbisedim të publicistit e veprimtarit, Reshat Sahitaj me bashkveprimtarin e Jusuf Gërvallës, ish të burgosurin politik dhe veteranin e UÇK-së, Hysen Gega. Portali pashtriku, në 39 vjetorin e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, e boton këtë bashkbisedim për lexuesit i tij.

***

Vrasjet politike që Serbia i ka bërë mbi shqiptarët shumica mbetën enigmatike. Në diasporë, ndër të parët që pikën e fundit të gjakut ia dhuroi çlirimit të Kosovës në Bruksel ishte Vehbi Ibrahimi, i cili vritet më 10 tetor 1981, vrasja e të cilit ende sot mbetet enigmatike. Tre muaj më vonë, më 17 janar 1982, u vranë: Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi. Po ashtu edhe ky krim politik ende mbetet enigmatik. Vrasja e tretë dhe e fundit u krye përsëri në Bruksel më 25 shkurt 1990, ku vritet Enver Hadri, por kësaj radhe policia antiterroriste belge i zbuloi tre vrasësit serbë.

Javët e fundit, vrasja e Jusuf Gërvallës u riaktualizua si në debate televizive po ashtu edhe në medie elektronike dhe të shkruara. Deri më tani kemi lexuar disa versione të dëshmitarëve të gjallë:

a) të Ibrahim Kelmendit sipas të cilit dyshohet së gisht në këtë vrasje mizore ka Riza Salihu;

b) të Riza Salihut, i cili deklaroi këto ditë në “Kosova Sot” se Jusuf Gërvalla ishte spiun i UDB-së dhe së tre dëshmorët janë ekzekutuar nga policia sekrete gjermane;

c) të Hysen Gërvallës (vëllai i dy dëshmorëve Jusufit dhe Bardhoshit), i cili dyshon se gisht në këtë vrasje makabër të tre dëshmorëve tanë që ranë më 17 janar 1982 janë dy nga Prizreni, dy nga Gjilani, dy nga secili qytet i Kosovës.



Vrasja e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit është temë që lexuesit kanë dëshirë të mësojnë realitetin objektiv e jo spekulime në adresë të njërit apo tjetrit. Një pjesë e personaliteteve kosovare mendojnë se riaktualizimi i kësaj vrasje po bëhet me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes nga veriu i Mitrovicës dhe zhvillimit të negociatave më Serbinë. Mendimet e tilla janë të gabuara, sepse zbardhja e vrasjes së Jusufit nuk e dëmton procesin e negociatave me Serbinë dhe nuk e zbeh vëmendjen për veriun e Mitrovicës. Mendoj se personazhet e kohës të cilët sot janë gjallë duhet të shprehin mendimet e tyre tani se dikur u zbehet memoria. Më i përfoluri në këto debate është Hysen Gega, për të cilin thuhet se Riza Salihu ia kishte dhënë revolen dhe e kishte urdhëruar të vriste Jusuf Gërvallën. Që lexuesit të informohen më saktësisht rreth ngjarjeve se si ato janë zhvilluar asokohe, Hysen Gega pranoi të japë intervistë ekskluzive për gazetën “Kosova Sot” për t’i shpalosur kujtimet e tij.

Kush është Hysen Gega?

Hysen Gega që në moshën e re aktivizohet për aktivitete kombëtare. Për veprimtari kombëtare dënohet më 12 vjet burg të rëndë, të cilin e mban në burgun famëkeq CZ në Beograd. Pas vuajtjes së dënimit, në vitin 1993 përsëri do të arrestohet dhe burgoset me tre vjet e gjysmë burg të rëndë. Pas lirimit nga burgu më 1997, do të angazhohet në radhët e UÇK-së deri në çlirimin e Kosovës. Në Kosovën e çliruar Hysen Gega do të tërhiqet për t’u marrë me bletari. Edhe pse personazh kyç i shumë aktiviteteve kombëtare që nga viti 1972, i burgosur politik, organizator i aktiviteteve të ndryshme kombëtare, zhgënjimin e zbut, i izoluar me bletët e tij në bjeshkët e Sharrit.


Njohja me Ibrahim Kelmendin dhe Riza Salihun

“Kosova SOT”: Zotëri Gega, kur keni emigruar në Gjermani dhe si e keni filluar atje veprimtarinë tuaj patriotike? Kur dhe si jeni njohur me Riza Salihun?


Hysen GEGA: Në Gjermani për herë të parë kam emigruar në verën e vitit 1972, në Shtutgart, ku pasi punova disa muaj në ndërtimtari u punësova në fabrikën “Standard Elektrik Lorenz” (Fabrikë e televizorëve).

Atëbotë, si shumë mërgimtarë të tjerë, më tërhoqën librat, gazetat e revistat që vinin nga Shqipëria, të cilat në Kosovë i kishim të ndaluara. Prej tyre na u hap një horizont i ri. Kuptova se Shqipëria po bënte hapa drejt zhvillimit dhe se nuk e kishte lënë anash as çështjen e trojeve të robëruara në Jugosllavi. Në këto rrethana rashë në kontakt me aktivistë të tjerë të çështjes kombëtare.

Zotërinjtë Riza Salihu dhe Maksut Saramati ishin të parët që më bënë ofertën e bashkëpunimit pasi kishin njohur pikëpamjet e mia. Ata në këtë kohë vepronin në organizatën e tyre GKZK (Grupi Komunist “Zëri i Kosovës”). Propozimi i tyre ishte që të bëhesha anëtar i grupit dhe të bashkëpunoja me ta. Kjo ka ndodhur, nëse nuk gaboj, nga mesi i vitit 1977.


“Kosova SOT”: Po me Ibrahim Kelmendin kur dhe si jeni njohur?

Hysen GEGA:
Afër një vit më vonë, te Ramush Kastrati, dhëndri i tij, në Plochingen, afër Shtutgardit, ku vetë Ibrahimi kohë pas kohe, në pushimet verore, bënte punë fizike në një punishte të gurit të mermerit, për të siguruar jetesën. Njohja ishte rezultat i faktit se unë me dhëndrin e tij, Ramushin, njiheshim qysh herët, ndërsa kontakti me Ibrahimin ishte i rastit. Fillimisht me të, ndonëse pajtoheshim në shumë gjëra për zhvillimet politike rreth Kosovës, nuk kishim ndonjë marrëveshje bashkëpunimi. Më vonë bëra përpjekje ndërmjetësuese që të bashkojmë GKZK dhe Frontin e Kuq Popullor, por pa sukses sepse Ibrahimi ishte informuar nga disa studentë kroatë për disa veprimtari skandaloze të Riza Salihut, për ç’gjë konsullata e Jugosllavisë në Shtutgart po e afirmonte për patriot jugosllav. Gjatë vitit 1979 kemi bërë shumë udhëtime me Ibrahimin dhe Maksut Saramatin, për të shpërndarë materialet propagandistike të organizatave tona. Pas ardhjes në Gjermani të Jusuf Gërvallës (dhjetor 1979), të cilin ne e thërrisnim atëherë ‘Baca Jusuf’, është rritur veprimtaria dhe bashkëpunimi ynë më i ngushtë.


“Kosova SOT”: Kush, ku dhe kur e ka themeluar Grupin Komunist "Zëri i Kosovës"? Sa anëtarë numëronte ai grup dhe kush ishte udhëheqës?

Hysen GEGA:
Me sa di unë këtë grup e ka themeluar Riza Salihu. Kush tjetër ka marrë pjesë në themelim dhe kur e ku është mbajtur tubimi themelues nuk e di. Fillimisht, me sa di unë, ky grup kishte rreth 30-40 anëtarë.


“Kosova SOT”: Ju kujtohet veprimtaria e grupit në Kosovë dhe në emigracion?

Hysen GEGA:
Unë mund të flas vetëm për angazhimin tim. Ç’është e vërteta, disa nga aktivitetet e mia në Kosovë janë bërë në emër të këtij grupi (shpërndarje traktesh, shkrim parullash, si dhe ai episodi që ma ka nënvizuar Marko Lopushina në librin e tij “OVK protiv Jugoslavije” (UÇK kundër Jugosllavisë), d.m.th. djegien e emrit të Titos të bërë prej lulesh në parkun e Spitalit të Prizrenit, si dhe thyerjen e dritave të neonit në Kala të Prizrenit, të cilat kur ndizeshin natën formonin emrin e Titos.


“Kosova SOT”: Zotëri Gega, a mund të na përshkruani takimin e parë të Ibrahim Kelmendit me Riza Salihun?

Hysen GEGA:
Nuk më kujtohet me saktësi se kur ka ndodhur kjo gjë, diku nga muaji shtator i vitit 1978. Nuk më kujtohet gjithashtu se ç’është folur e ç’nuk është folur, por di se biseduan për të mos u marrë vesh, sepse gjatë bisedës se tyre pati ca si grindje. Ato nuk kanë qenë me rëndësi të veçantë, sa për t’i mbajtur mend edhe unë. Po ju interesuan detajet e atij takimi, mund t’i gjeni në romanin e Ibrahimit, të titulluar “Atentatet”. Takimi i parë mes tyre ka ndodhur në një restorant në Shtutgard, kurse i dyti në banesën e Riza Salihut, gjithashtu në Shtutgard. Në takimin e dytë ka qenë i pranishëm edhe bashkëveprimtari ynë i atëhershëm, Maksut Saramati, nga Dobrushta e Prizrenit.


Propaganda në emigracion

“Kosova SOT”: Kur dhe kush ju informoi për arratisjen e Jusuf Gërvallës dhe kur e keni takuar për herë të parë?

Hysen GEGA:
Ju doni të thoni për hyrjen e tij në Gjermani. Kjo gjë më kujtohet fare mirë. Kjo ka ndodhur nga fundi i vitit 1979. Informacionin e parë e kam marr nga Riza Salihu, dhe po atë ditë kur më njoftoi, i bëmë një vizitë Jusufit. Takimi ndodhi në një kafene në Eslingen, afër banesës sime. Më la përshtypje kultura dhe niveli i tij intelektual, ndërkaq, për vëllanë e tij, Bardhoshin, e kisha njohur më herët, disa herë e kisha takuar, i kisha dhënë literaturë të botuar në Tiranë. Atëkohë Bardhoshi shërbente si përkthyes, me sa duket i vetmi përkthyes në Baden Vürtenberg, dhe njëkohësisht si punëtor social, i punësuar në Arbeiter Vohlfahrt. Do t’ju tregoj një përvojë me të, jo vetëm timen. Atëkohë, ne si punonjës, për të përfituar një farë lirimi tatimor, duhej të plotësonim një formular dyfaqësh, për plotësimin e të cilin përkthyesit na kërkonin nga 20 deri 30 marka. Kërkesat ishin aq të shumta sa besoj se shumë veta që merreshin me atë punë kanë mbledhur para të majme. Ndërkaq, Bardhoshi për një punë të tillë nuk i ka marrë kujt ndonjëherë asnjë markë. Në anën tjetër, pikërisht në këtë kohë kushtet e tij jetësore ishin mjaft modeste, në një banesë nga më të lirat.


“Kosova SOT”: Me daljen e Jusuf Gërvallës në Gjermani, Riza Salihu në paraqitjet e tij të tanishme publike e pranon se ka propaganduar ndër shqiptarët e atjeshëm se Jusuf Gërvalla ishte spiun i UDB-së, madje të njëjtin mendim e ka edhe tani. Ju si e arsyetoni këtë mendim të Riza Salihut?

Hysen GEGA:
Kjo është e vërtetë, Riza Salihu thoshte dhe propagandonte se Jusufi është agjent i UDB-së. Pohimet e tij më shtynë që unë të bëja pyetje në ambasadën shqiptare në Vjenë se mos kishin ndonjë fakt për Jusufin. Aty atëherë ishte njëri që më duket se quhej Simon Qirici, sekretar i parë, ndërsa vetë ambasadori ishte farefis me Avni Rrustemin. Prej tyre mora garancinë se Jusufi është i pastër dhe se mund të bashkëpunonim lirisht e pa asnjë rezervë me të. Ata madje edhe na rekomandonin bashkëpunimin. Është me rëndësi ta theksoj edhe një fakt, sepse sot po thuhet gjithçka. Asnjëherë nga kjo ambasadë nuk na është folur për dogma ideologjike, por vetëm për histori e literaturë kombëtare, për heronj e ngjarje të lavdishme nga rezistenca e popullit tonë. Ata vetë na thoshin që të mos merreshim as me Marksin, as me Leninin dhe as me Stalinin, po me historinë e kombit tonë, me Azem Bejtën, Mic Sokolin, Isë Boletinin e Hasan Prishtinën, me arsyetimin se çështja kombëtare është para çështjes klasore. Me t’u kthyer nga Vjena takova Riza Salihun dhe i thashë që të mos merrej me thashetheme, me akuza të rreme e me shpifje ndaj bacës Jusuf. I propozova që të shkonim së bashku në ambasadën shqiptare e të dëgjonte vetë se ç’thuhej aty për Jusuf Gërvallën. Ai parimisht pranoi, ndërsa kur i shkova të nesërmen në banesë për ta realizuar këtë gjë, mbeta i tronditur kur në korridorin e tij dëgjova se si flitej serbo-kroatisht. Vetëm shumë kohë më vonë mora vesh se ai kishte qenë i martuar me një femër nga Kroacia dhe kishin një fëmijë me të. Nuk kam ndonjë paragjykim rreth kësaj lidhjeje të tij përveç faktit se na e kishte mbajtur plotësisht të fshehur. Në këtë rast ai nuk pranoi që të shkonim bashkë në Vjenë, me arsyetimin se po i dhembte syri, me gjithë ngulmimin tim se unë do të vozisja dhe ai vetëm do të rrinte i qetë. Megjithatë, edhe pas këtij episodi ai vazhdonte shpifjet e tij kundër Jusuf Gërvallës, duke shkuar aq larg sa në një rast më tha: “I vjen keq se s’ka kush e bën sepse ai madje e meriton edhe plumbin”, duke nxjerrë me këtë rast edhe revolen e duke më thënë: “Ja merre këtë dhe vrite, sepse ai e meriton plumbin”, propozim të cilin ia refuzova me fjalët: “Më mirë mbaje për vete, sepse mund të të duhet ndonjë ditë për të vrarë veten”. Për këtë përcaktim të Rizait pastaj informova Ibrahimin, Jusufin dhe Bardhin.


“Kosova SOT”: A mendoni se me ardhjen e Jusuf Gërvallës në Gjermani Riza Salihut po i rrezikohej karriera politike, apo Riza Salihu kishte ndonjë qëllim tjetër që propagandonte kundër Jusuf Gërvallës?

Hysen GEGA:
Këtu nuk mund t’ju ndihmoj shumë. As sot nuk e kam të qartë se cilat ishin motivet e tij. Për ndonjë karrierë politike në veprimtarinë ilegale natyrisht që s’mund të flitet. Motivet e tij mund të kenë qenë të natyrës psikike, të xhelozisë, të bajraktarizmit, ndoshta edhe detyrime nga shërbimet jugosllave.

***

Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun i vrau UDB-ja

Kosova SOT”: Riza Salihu për gazetën "Kosova Sot" deklaron se Jusuf Gërvalla është paraqitur rrejshëm, thotë se Jusuf Gërvalla ka gënjyer, duke thënë se i takon herë një organizate e herë një tjetre. A është e vërtetë, apo mendoni ju se Riza Salihu qëllimisht shpif kundër Jusuf Gërvallës?

Hysen GEGA:
Një mundësi është se Riza Salihu po shpif, sepse unë nuk kam dëgjuar kurrë gjëra të tilla nga Jusuf Gërvalla, ndonëse për një kohë të gjatë kemi qenë të pandashëm. Ndërkaq, edhe po të ketë pasur ndonjë ngatërresë gjatë prezantimit, gjë që mund të shpjegohet, me faktin se J. Gërvalla më parë ishte njeri i artit dhe kulturës sesa i organizimeve konspirative me disiplinë të hekurt, kjo nuk mund të shërbejë si argument që ta akuzosh për agjent të shërbimeve të huaja. Pastaj dihet se agjentët e vërtetë nuk ngatërrohen. Ndërkaq, po të ishte e vërtetë kjo gjë, kjo do të zbulohej nga korrespondenca e Jusufit, të cilën ia kontrollonte z. Salihu, ndërsa akuzën e tij z. Salihu nuk e ilustron me asnjërën nga letrat e spiunuara të Jusufit. Më duhet të shtoj se Riza Salihu lexonte harbutërisht e patologjikisht edhe korrespondencën time bashkë me atë të shumë shokëve të tjerë, si të M. Saramatit, I. Kelmendit etj. Dhe, e keqja është se ai nuk i lexonte ato fshehtas për t’ua kthyer sërish në fshehtësi pronarëve, që së paku të mos ua pengonte korrespondencën me familjarët, por letrat e vjedhura i mbante për vete. P.sh., gjersa unë fajësoja familjarët e mi, përse nuk po më shkruanin, ata më thoshin se kjo s’ishte e vërtetë, se po më shkruanin mjaft shpesh. Ndërkaq unë nuk e dija se letrat që më dërgonin njerëzit e familjes nga Kosova përfundonin në duart e një të sëmuri paranojak apo vëzhguesi të UDB-së.

Ballafaqimi në shtëpinë e Hysen Gegës

“Kosova SOT”: Në muajin prill 1980, sipas Ibrahimit dhe Rizait, ka ndodhur një ballafaqim në mes të Jusuf Gërvallës dhe Riza Salihut, në banesën tuaj. Kush ishte i pranishëm dhe si rrodhi ballafaqimi?

Hysen GEGA:
Po, kjo është e vërtetë. Kjo ka ndodhur me iniciativën time dhe është realizuar në banesën time. Kam dashur të ballafaqoj Jusufin me Rizain për të sqaruar akuzat që po i lëshonte Riza Salihu kundër tij. Aty ishin të pranishëm, përveç ne të treve, edhe M. Saramati, R. Jupolli, I. Kelmendi, B. Gërvalla, baca Qemal Bajrami nga Dibra, si dhe një mik nga Presheva. Aty iu drejtova Rizait se tani duhej t’i shpaloste faktet rreth akuzave të tij për Jusuf Gërvallën dhe le t’ia thoshte ato akuza Jusufit troç e ndër sy dhe jo prapa shpine. Rizai u trondit pa masë dhe na akuzoi për komplot e shantazhim. Më shkoi mendja ta ndëshkonim për sjelljet e tij, mirëpo ishte Jusuf Gërvalla që nuk na lejoi ta bënim një gjë të tillë. Prej këtij rasti më nuk e kam takuar Riza Salihun, dhe ishin edhe shumë të tjerë që i shkëputën kontaktet me të.


“Kosova SOT”: Në deklaratën për gazetën "Kosova Sot", Riza Salihu shpreh besim të plotë në Ramadan Selimin, i cili aso kohe punonte në konsullatën jugosllave, kurse dyshonte se Jusuf Gërvalla ishte spiun? Çka mendoni ju, a mos vallë Ramadan Selimi e këshillonte Riza Salihun se kush ishte spiun e kush patriot?

Hysen GEGA:
Për z. Selimi nuk kam dëgjuar ndonjëherë. Mirëpo, unë dyshoj se është dikush tjetër që i jepte këshilla, informacione të rrejshme, ndoshta edhe urdhra R. Salihut, po meqë nuk e kam të vërtetuar, nuk po ia përmend emrin.


“Kosova SOT”: Riza Salihu deklaron se i ka kontrolluar kutitë postale te Jusufit dhe Ibrahim Kelmendit, sepse ka dyshuar se këta dy janë spiunë të UDB-së. Sipas jush, pse i ka kontrolluar ai letrat e Jusufit dhe Ibrahimit?

Hysen GEGA:
Siç e theksova më lart, kontrollimi i letrave të të tjerëve kishte të bënte me sëmundjen e Riza Salihut, në mos qoftë ndonjë arsye më e thellë, për të cilën tanimë mungojnë argumentet. Sepse nuk e kuptoj se ç’i duhej Riza Salihut të futej në jetën private të të tjerëve, si një voajazher.


"Kosova SOT”: Riza Salihu deklaron: "Qëllimi i Jusuf Gërvallës dhe Ibrahim Kelmendit për ta manipuluar Hysen Gegen...", a është e vërtetë se ju ishit i manipuluar nga Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi?

Hysen GEGA:
Nuk është plotësisht e qartë se ç’nënkuptohet me fjalën manipulim. Njeriu manipulohet kur vihet në shërbim të interesave egoiste të dikujt, pa qenë i vetëdijshëm, ndërsa kur zgjedh me vetëdije njërin opsion kundrejt tjetrit quhet përcaktim i vullnetshëm dhe jo manipulim.

“As sot dhe as atëherë nuk e konsideroj veten si një person të manipulueshëm prej kujtdoqoftë. Po të isha i tillë, shansin më të mirë për manipulimin tim e ka pasur vetë Rizai. Tek e fundit, a nuk e akuzuan edhe Fan Nolin se ishte manipuluar prej Luigj Gurakuqit? Dhe a nuk qe përgjigjur ai se e kishte pasur për nder të manipulohej prej tij?”


Vrasja ndodhi pas vizitës së ministrit jugosllav

“Kosova SOT”: Riza Salihu me këmbëngulje thotë se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën e ka vrarë policia sekrete gjermane, a mendoni se kjo është e vërtetë?


Hysen GEGA: Është një pyetje spekulative që kërkon përgjigje spekulative, për të cilën nuk dua të zgjerohem shumë, ndonëse kam dyshimet e mia. Unë nuk besoj se policia gjermane do të kryente punë të ndyta për të tjerët, aq më pak për jugosllavët, d.m.th. punë që i takonin ekskluzivisht UDB-së jugosllave. Në kohën kur isha në burg, në CZ të Beogradit, një ditë pas atentatit në Shtutgart, një gardian më hapi sportelin e qelisë dhe më tha duke më treguar një gazetë me foton nga atentati: “Ja ç’u kemi bërë shokëve tu!” Pastaj më kujtohet, siç lexoja gazetat, se pak kohë më herët, rreth 1 deri 2 javë, në një vizitë në Gjermani, kishte qenë Stane Dolanci, ministri jugosllav për punë të brendshme. Nënkuptohet se ai duhet t’u jetë lutur gjermanëve që t’i jepnin shërbimit të fshehtë jugosllav hapësirë të lirë veprimi në territorin gjerman. Mendoj se është në përgjegjësinë e qeverisë sonë të sotme që të kërkojë sqarime zyrtare nga Shteti gjerman për rastin e vrasjeve të heronjve tanë në Gjermani, më 17 janar 1982, por edhe të bëhen hetime nga institucionet tona për të zbuluar dorasit.


“Kosova SOT”: Sipas mendimit tuaj, a mund të na thoni pse Riza Salihu e shfajëson Serbinë, duke deklaruar se Jusuf Gërvallën e ka vrarë policia gjermane?

Hysen GEGA:
Do të parafrazoja me pakëz ndryshim Profetin Isa, gjegjësisht Jezusin: O Zot, fale se nuk e di se ç’bën e ç’thotë!


“Kosova SOT”: Gjatë tërë aktiviteteve kombëtare, me dekada të tëra, e deri në çlirimin e Kosovës a keni njohuri se policia gjermane kishte vrarë ndonjë aktivist të Lëvizjes?

Hysen GEGA:
Po e përsëris, mendoj se gjermanët vetëm sa u kanë dhënë hapësirë të lirë veprimi agjentëve të shërbimit jugosllav. Nuk mendoj se kanë qenë të përfshirë direkt.


Dënimi me burg dhe aktiviteti më pas


“Kosova SOT”: Sipas Riza Salihut, na rezulton se policia gjermane e ka vrarë Jusuf Gërvallën për shkak se ai i përkiste grupit majtist, atëherë a mund të na thoni pse Riza Salihun nuk e vrau policia sekrete gjermane, pasi edhe ai ishte majtist ekstremist, gjegjësisht komunist enverist, siç rezulton nga emërtimi dhe nga materialet propagandistike të Grupit Komunist?

Hysen GEGA:
Pyetja që shtroni ju e ka edhe përgjigjen brenda, pra edhe unë pyes përse?


“Kosova SOT”: Riza Salihu thotë se Ibrahim Kelmendi ju ka dërguar në Kosovë, bashkë me Sadik Blakajn, për t’ju burgosur juve. Ju u arrestuat natën e Vitit të Ri 1981 në shtëpinë Tuaj në Sallagrazhdë dhe u dënuat me 12 vjet burg. Cila është e vërteta e shkuarjes suaj në Kosovë?

Hysen GEGA:
E kundërta është e vërtetë, d.m.th. se I. Kelmendi ka qenë këmbëngulës që unë të mos e bëja këtë rrugë. Ai kishte dyshime serioze në bashkudhëtarin tim, z. S. Blakaj. Dyshimet e tij më vonë i vërtetoi koha. Ndërkaq, Jusufit as që kam guxuar t’ia përmend këtë fakt, sepse nuk do të mund ta kundërshtoja kundërshtimin e tij për shkuarjen time në Kosovë.


“Kosova SOT”: Pas vuajtjes së burgut, me çfarë jeni marrë?

Hysen GEGA:
Pas vuajtjes së dënimit të parë me burg, kam bërë punë të zakonshme fizike sa për të mbajtur familjen. Merresha me hapjen e puseve për ujë në rajonin e Therandës. Njëkohësisht nuk e kam ndërprerë aktivitetin ilegal në radhët e LPK-së. Kjo ka zgjatur deri në vitin 1993. Pastaj sërish u burgosa dhe mora një dënim prej 3,5 vjetësh burg. Nga burgu dola më 1997. Atëherë kam intensifikuar aktivitetin tim në përgatitje të popullit për luftën e armatosur. Një vit më vonë iu bashkova radhëve të UÇK-së.

Abuzimi me fondet e luftës

Meqë kohët e fundit po flitet shumë për abuzimin me fondet e luftës, shfrytëzoj rastin t’i rrëfej nja dy ngjarje:

Kirurgu Agim Hazrolli ishte njëri nga doktorët që u ka shpëtuar jetën shumë prej ushtarëve të UÇK-së. Ai pikëllohej pa masë kur nuk ia delte dot në kushtet e mjerueshme që kishim për t’u ndihmuar të plagosurve. Një ditë e takova afër Shtabit rajonal, në fshatin Breshanc, të tronditur dhe gati sa s’po qante. E pyeta se ç’kishte. Më tregoi se po i vdisnin ushtarët në dorë vetëm për mungesën e një aparati fushor për incizim radiologjik, d.m.th. për zbulimin e predhave dhe ciflave të granatave brenda trupit të ushtarëve, gjë që do të shpejtonte ndërhyrjen e saktë kirurgjikale. E pyeta se sa kushtonte ai aparat. Më tha diku rreth 20 mijë marka. Nuk dita çka t’i them. Tani po flitet për miliona euro të abuzuara nga ata që kishin për obligim të na ndihmonin, sepse nuk kërkonim gjë tjetër prej tyre.

Rasti i dytë më ka ndodhur në Nishor të Therandës. Dy vëzhgues të huaj ishin ngjitur te ne për të na tërhequr vërejtjen se nuk po respektonim armëpushim e shpallur. Gjersa po qëndronin tek ne, u ofrova një pije që e kisha përgatitur vetë në shtëpi, një raki rrushi të përzier me mjaltë, e cila edhe i befasoi (sepse kishin menduar se ishim myslimanë fanatikë e muxhahedinë) edhe u pëlqeu shumë. Njëri prej tyre, një amerikan, kur na pa se çfarë kishim mbathur unë dhe bashkëluftëtari tjetër, U. Bytyçi, ca çizme të mjera prej plastmasi, që të ngrinin këmbët, i erdhi keq e na i ofroi një palë çizme të tij ushtarake që i kishte në makinë. Po i thosha Ukës me shaka “Ishalla janë numër 44-45, se përndryshe nuk e fut dot këmbën në to”, ndërsa Uka tha “Ishalla janë numër 42-43”, se aq e kishte këmbën. Pas 10 minutash erdhi vëzhguesi me çizmet në dorë, ishin çizme të forta e të ruajtura, tamam për terrenet e luftës, por, për fat të keq, nuk i bënë asnjërit prej nesh, ishin numër shumë i madh. Në fakt, vetë vëzhguesi ishte një gjatosh rreth 2 metra, ndërsa ne harruam se edhe këmbët duhej t’i kishte të mëdha.

Këto i tregova për t’ua kujtuar abuzuesve të mundshëm e profiterëve të luftës se sa pak gjëra na janë dashur për të bërë luftë të suksesshme.

Bletar

Tani vazhdoj të merrem me bletari. Nuk kërkoj asnjë shpërblim apo zhdëmtim nga autoritetet tona. Nuk ia kam nisur luftës sime jetësore me idenë se një ditë do të marr ndonjë shpërblim. Shpërblimi im më i mirë është Kosova e lirë, pa çizmen e ushtarit dhe policit serb. Nga autoritetet kërkoj vetëm që të ruajnë pavarësinë e vendit e t’u mundësojnë jetë dinjitoze qytetarëve të Kosovës.

Kosova Sot, 28 - 29 Mars 2012

Intervistoi: Reshat Sahitaj



IBRAHIM KELMENDI


RIZA SALIHU 



________________________________


Ibrahim Kelmendi për Riza Salihun në Klan Kosova.flv

https://www.youtube.com/watch?v=wxXfYz1IEWk

***

Riza Salihu për Jusuf Gërvallën në "Klan Kosova".flv

https://www.youtube.com/watch?v=Eiw8raTaLhE

***

Sabri Novosella për akuzat Kelmendi-Salihu në "Klan Kosova"

https://www.youtube.com/watch?v=MCG7mcwOZJI


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks