30 VJETORI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË 

30 VJETORI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË 

Për herë të parë bëhet përurimi i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë në Panairin III Mbarëkombëtar të Botimeve Akademike dhe Shkencore në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave Tiranë

Nga MSc. Albert HABAZAJ

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe koordinator institucional i Panairit

1. Shkurtesë

Viti 2024 është viti i festimeve të 30 vjetorit të çeljes së Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, që do të kulmojnë me festën jubilare më 3-4 Tetor 2024. Përgatitjet kanë filluar me kohë me ngritjen e Komisionit të Festës në rektorat, ku marrin pjesë pedagogë të njohur nga të katër fakultetet, si dhe staf nga administrate: prof.dr. Bardhosh Gaçe, prof.as.dr. Frosina Londo, prof.as. dr. Kristofor Lapa, Msc. Albert Habazaj, Rezarta Sinanaliaj Harikla Beduli, Roksana Novak, Gentjana Belulaj, Marieta Mërkuri dhe Eloina Tozaj, e cila është edhe kryetare e këtij komisioni, që ka hartuar programin e punës, ka ndarë detyrat për secilin anëtar dhe të gjithë si grup dhe ka nisur punën me takime me titullarët dhe pedagogët e vjetër për t’u marrë kujtimet e tyre, si dhe për grumbullimin e materialeve, fotove, videove e dokumenteve origjinale, (dorëshkrime, vendime, urdhëra etj.) që kanë të bëjnë me fillimin e Udhëtimit Universitar të Vlorës ismailqemaliste, krijimin e një minimuzeu, arkivit historik, botimit të një almanaku, broshure të vogël, librit të Universitetit, filmit dokumentar, Akademi nderimi etj. Ka filluar e ndihet atmosfera e festës, e cila shfaqet në entusiazmin dhe përgjegjësinë e pedagogëve dhe stafit  në departamente, laboratore, biblioteka e deri në auditoret e studentëve.

2. Fjalëza si historik

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë u hap në 10 Tetor 1994 me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 105, datë 28.02.1994. Fillimisht mësimi filloi si Universiteti Teknologjik i Vlorës “Ismail Qemali”, me tri fakultete: Fakulteti i Tregëtisë, Fakulteti i Inxhinierisë Detare dhe Fakulteti i Infermierisë.

Përzgjedhja e këtyre fakulteteve u bë mbi bazën e traditës që tashmë ekzistonte në Vlorë për disa nga këto disiplina. Në 8 Nëntor 1924 në Vlorë u hap Shkolla e Mesme Tregtare, një ndër shkollat më të mira të vendit në atë kohë. Gjatë viteve 1970-1980, u hap filiali i Universitetit të Tiranës për degën e Ekonomikut, Shkolla e Lartë e Marinës, si dhe Shkolla e Mesme Mjekësore, të cilat në shumë vështrime shërbyen si bazë për ngritjen e fakulteteve të Universitetit të Vlorës.

Për organizimin e gjithë punës përgatitore të ngritjes së Universitetit u ngrit një grup pune i krijuar nga Dr. Sezai Bazaj, i cili me hapjen e Universitetit u emërua Rektor i këtij institucioni të ri. Në vitin 1998, Rektor u emërua Dr. Bilal Shkurtaj (sot Prof. Dr.), i cili u zgjodh nga Senati për dy mandate. Në zgjedhjet e vitit 2008, Prof. Dr. Tanush Shaska u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, i cili kontribuoi deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Prof. Dr. Albert Qarri u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës. Në vitin 2016 u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Roland Zisi, i cili vazhdon të jetë në detyrë edhe sot, deri në përfundimin e mandatit të dytë.

Në ditët e sotme studentët vijojnë studimet në 15 departamente, të cilët janë në strukturën e organigramës së 4 fakulteteve: Fakultetit të Shëndetit, atij të Ekonomisë, të  Shkencave Humane dhe Drejtësisë, si dhe Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore.

Gjatë periudhës 30-vjeçare të ekzistencës së vet, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës ka bërë përpjekje serioze e të vazhdueshme për rritjen e nivelit të mësimdhënies dhe të veprimtarisë kërkimore shkencore. Universiteti filloi punë në dy godina që u rikonstruktuan (sot Godina e Rektoratit dhe Godina B) me 162 studentë në të katër degët e tij dhe vetëm 10 pedagogë me kohë të plotë. Aktualisht në Universitetin e Vlorës janë 4154 studentë. Deri tani janë diplomuar rreth 12 mijë studentë në të tre nivelet e studimit. Gjithashtu në Fakultetin e Shkencave Hmane funksionon Doktorata “Studime Gjuhësore, Letrare dhe Kulturore”/ Doktoratë “Language, Literaty and Cultural Studies”.

Në këtë 30 vjetor, studentët tanë janë të pajisur me Kartën e Studentit, e cila do të sjellë përfitime të shumëfishta për studentët e Universitetit të Vlorës, ndërkohë që ata marrin një shërbim arsimor universitar cilësor dhe bashkëkohor.

Sikurse të gjithë IAL publike shqiptare, edhe ne synojmë modernizimin e universitetit tonë, përmes politikave me impakt të drejtpërdrejtë në institucion, me mbështetje financiare, nëpërmjet agjencive të ndryshme jo vetëm të MAS. Festa dhe e nesërmja e studentëve tanë kërkon nga drejtuesit dhe personeli akademik i UV, një angazhim më cilësor dhe më bashkëkohor të njësive dhe stafeve të tyre, në fushën e projekteve kërkimore-shkencore të cilat duhet të finalizohen me produkte shkencore të prekshme dhe me impakt të drejtëperdrejtë në zhvillimet ekonomiko-shoqërore të rajonit, në lidhjen e procesit mësimor, kërkimit dhe publikimit me ekonominë turistike të qytetit të Vlorës, sepse vetëm përmes kësaj metodologjie bashkëkohore universitare, UV do të jetë në sinkron me zhvillimet universitare, kulturore dhe sociale, jo vetëm të rajonit por edhe me ato të rrafshit kombëtar e ndërkombëtar.

Studentët tanë në UV studiojnë në fusha e programe të ndryshme si: Ekonomik, Inxhinieri, Juridik, Infermieri, Pedagogji të Specializuar, Shkenca Kompjuterike, Informatikë, Gjuhë të Huaja, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Mësuesi, Matematikë – Fizikë etj. Në total UV ofron 2 diploma tekniko-profesionale, 30 programe studimi Bachelor, 37 Programe studimi Master (Shkencor dhe profesional) si dhe një program doktorature. Në UV ofrohen edhe programe studimi: “Master Profesional” në “Udhërrëfim dhe Komunikim Turistik”, program studimi: Formim i vazhduar në fushën Psiko-Pedagogjike, programin e riorganizuar të Ciklit të Dytë në “Mësuesi për Arsimin fillor” dhe programi double degree në fushën e Turizmit në bashkëpunim me Universitetin “Aldo Moro”, Bari Itali. Gjithashtu aplikohen edhe dy programe të reja double degree: Bachelor në “Gjuhësi të Aplikuar në Fushën e Turizmit”, në partneritet me Universitetin e Salentos, Lecce, Itali dhe programi “Inxhinieri mekanike”, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, Bari, Itali.

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë është zgjedhja e duhur për studentët, sepse ai është i akrediturar dy herë nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisësë Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe Bordi i Akreditimit, Gjithashtu, të gjithë programet e ciklit të parë Bachelor janë të akredituara dhe në proces akreditimi (drejt finalizimit) ndodhen programet e ciklit të dytë Master Profesional e Shkencor. Kjo ju jep mundësinë fëmijëve tanë që të vijojnë serizishtë studimet në një Institucion si UV, ku diploma ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.

Përmes marrëveshjeve të shumta që UV ka nënshkruar me Universitete partnere në gjithë Europën, studentët mund të zhvillojnë pjesë të studimeve (semestrale) në një prej këtyre institucioneve dhe kostoja e studimeve nuk do rëndojë mbi buxhetet familjare, por do të mbulohet nga programi Erasmus+. UV ka disa vlerësime ndërkombëtare në fushën “Mobility of students and openess”. UV është vlerësuar si “Praktikë e mirë” për implementimin e ICM, prej Zyrës Kombëtare Erasmus+ në Shqipëri si dhe prej universiteteve të vendeve të programit si Universiteti i Padovës, Universiteti i Pireut etj.

UV ka një staf akademik e administrativ të kualifikuar dhe me përvoja pune ndërkombëtare

3. Përurimi i Universitetit

Përurimi i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë u realizua me sukses, duke respektuar ekonominë e fjalës dhe kohës sipas programit. Kjo ngjarje e rëndësishme akademike – shkencore u zhvillua në mjediset kryesore që ka Akademia e Shkencave në sallën “Aleks Buda” më 24 prill 2024, nga ora 15:00 – 16:00. Prania e Kryetarit të Akademisë Akad. Prof. Skënder Gjinushi, e Nënkryetarit të Akademisë, njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Panairit III Mbarëkombëtar të Botimeve Akademike dhe Shkencore Akad. Prof. Vasil Sofokli Tole, e Rektorit të Universitetit Ismail Qemali Vlorë prof. dr. Roland Zisi, prof. dr. Bardhosh Gaçe, e prof. Teuta Toska, prof. Rovena Vata Mikeli, i kolegëve Petro Luarasi , Pandeli Kosta Elton Brakaj etj. qe lartësi për ravijëzimin nga Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë në Akademinë e Shkencave. Mirënjohje Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë – UV! Faleminderit prof.as.dr. Monika Hasani (shefe e Departamentit), pedagogëve të nderuar dr. Ermir Xhindi, dr. Artan Xhaferaj, prof.as.dr. Gladiola Elezi, prof. as. dr. Edlira Duro Cerkezi, dr. Edlira Dhima, dr. Deniz Cupi Xhoga, si dhe dr. Asllan Vrapi, Msc. Ana Çano etj.! Patjetër prania e pedagoges së Departamentit, dr. Bello Vilma, sot Zëvendës Ministre e Turizmit e hijeshon Panairin e Vlorës në Tiranë. Ndërkohë, kujtojmë, se është hera e parë që në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëhet Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Njihet dhe dihet roli i individit në shoqëri. Në rastin konkret, roli i pedagogut, studiuesit dhe Rektorit të Universitetit tonë prof. Landit nuk ka nevojë për koment, por për falënderim institucional dhe motivim. Gjithmonë qofsh me faqe të bardhë UNIVLORA!

Festimet e 30 vjetorit të lindjes, i dashur universiteti im i nise me një veprimtari të rëndësishme të nivelit akademik dhe shkencor, duke u përfaqësuar denjësisht në botën akademike mbarëkombëtare.

Është nder dhe përgjegjësi për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë që merr pjesë në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, që zhvillohet në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 23-25 prill 2024, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Është vlerësim dhe fatmbarësi që Universiteti ynë përurohet ditën e dytë sipas programit të Panairit të 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor këtu në sallën “Aleks Buda” në këtë ngjarje të rëndësishme për botën akademike dhe universitare për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e kudo nëpër botë, ku ata ndezin dritë kombëtare.

Është krenari dhe motivim që në përurimin e Vlorës në Tiranë tregojnë interesim dhe  marrin pjesë akademikë, profesorë, pegagogë, autorë, studiues, bibliografë, katalogues, specialistë dhe kolegë përgjegjës të bibliotekave!

Si koordinator institucional i Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë shpreh mirënjohjen për Akademinë e Shkencave e Shqipërisë, për kryetarin e saj akad. Skënder Gjinushi, nënkryetarin Vaso Tole, i cili është drejtues i kësaj ngjarje të madhe akademike dhe shkencore, për sekretaren teknike Albana Bogdani, dhe veçanërisht për dr. Bruna Prifti, me të cilën kemi pasur një komunikim shumë korrekt dhe dashamirës gjatë gjithë ditëve parapërgatitore për mbarëvajtjen e panairit.

Ne, si universitet, kemi marrë pjesë dhe në Panairin I, Tiranë, 22-24 prill 2022, me një paraqitje modeste; ndërsa sivjet, krahas 36 institucioneve kërkimore dhe IAL, ku përfshihen institucione të arsimit të lartë publikë, jo publikë dhe privato-publikë, institute dhe qendra shkencore publike, Shqipëri,  në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ente botuese jopublike etj., vijmë me botime të ndryshme, si monografi shkencore të pedagogëve dhe stafit, në funksion të edukimit universitar të studentëve dhe në dobi të punës akademike, kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional. Gjithashtu në këtë panair vijmë me buletine shkencore, përmbledhje konferencash, seminare apo edhe botime monografike të studentëve tanë në përfundim të programit të studimit të masterit, që, për ata të cilët kanë synime për të nesërmen e tyre, janë sprova serioze e inkurajuese në fushën e kërkimit shkencor, aq më tepër që është hera e parë që Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës përurohet në Tiranë, në Akademinë e Shkencave. Njihet nga dialektika roli i individit në shoqëri në hapësirë dhe në kohë, kështu ndodh sot me universitetin tonë dhe rektorin e tij

Ne, si universitet, me Akademinë jemi fatlumë për dy arsye: së pari, sekretarin e Akademisë ne e kemi pedagog në Departamentin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe gëzon statusin “Personel Akademik i ftuar” dhe, siç do ta vëreni, Akad. prof. Shaban Sinani ka të regjistruar 23 njësi bibliografike në “Bibliografinë e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, pjesa II; së dyti vërtet monografia shkencore “Studime ndërdisiplinare në albanologji” është juaja, se është botim i ASHSH, por autori është yni, sepse e kemi pedagogun tonë dhe Rektor të Universitetit.

Sipas kalendarit, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorës ka dy përurime:

• Studime ndërdisiplinore në albanologji – Prof. dr. Roland Zisi;

• Bibliografia e Universitetit Ismail Qemali, Vlorë. Pjesa II, (2006-2023), përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj.

Në panel: Prof.dr.Roland Zisi, Akad. Vaso Tole, Msc. Albert Habazaj;

Drejton: Albert Habazaj

Paraqesin botimet: Prof. Teuta Toska, akad. Vasil S. Tole, Dr. Ermir Xhindi, prof. dr. Bardhosh Gaçe (akad. Shaban Sinani i planifikuar, për arsye detyre nuk mundi të mirrte pjesë me kumtesën e tij),  Msc. Albert Habazaj, Petro S. Luarasi;

– Falënderon autori i librit “Studime ndërdisiplinore në albanologji” prof. dr. Roland Zisi

4. “Studime ndërdisiplinare në albanologji” i autorit Roland Zisi, një botim i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë  

– Autori i librit “Studime ndërdisiplinare në albanologji”, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 2024 është prof. Roland Zisi, pedagog dhe studiues i njohur i letërsisë shqipe, Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, i cili edhe pse është në epilog të detyrës, ka po atë përgjegjësi, vizion e ndershmëri profesionale, sikurse në epilogun e datës 27 maj 2016, 8 vjet më parë, kur fitoi postin e lartë të drejtuesit të universitetit të Vlorës.  

– Libri përmban 17 studime, kryesisht në fushën e studimeve letrare, me karakter historiografik – interpretues, disa prej tyre me karakter krahasues. Përparësi kanë studimet për autorë shqiptarë, por zënë vend edhe shkrimtarë të njohur joshqiptarë, përveç Albert Camu-s, një grupim i shkrimtarëve frëngjishtshkrues, autorë magrebin, si Tahar Ben Jelloun, Yasmina Khadra, Kamel Daoud, Boaulem Sansal, Salim Bachi,  etj, të shqipëruar nga Prof. Nonda Varfi

– Paraqesin interes disa çështje specifike të hermeneutikës, që lidhen me letërsinë shqipe, sidomos me tre shekujt e parë të saj, si bilinguizmi (prania e një gjuhe të dytë “sigurie kanonike”, autopërkthimet etj.). Në këtë kontekst profili i kolegut të tij Nonda Varfi në pjesën e veprimtarisë si përkthyes është “i privilegjuar” me dy artikuj.

– Autori synon ta lexojë letërsinë shqipe “nga majat”, dhe këtu çmohen studimet për Naim Frashërin dhe “utopinë e tij atdhetare – romantike”; Dritëro Agolli me “utopinë tjetër”, ideologjike; Ismail Kadare me simbolikën e shenjave perandorake në veprën letrare të “ciklit oriental”.

– Lidhjet mbiadriatike të letërsisë shqipe, kontaktet pararilindëse të arbëreshëve me tokën e të parëve, misionarët basilianë si zhvillim ekumenik kulturor dhe fetar, janë disa prej interesimeve parësore të autorit.

Bashkëpërkimet ndërballkanike në letërsi e kulturë trajtohen jo si afërì rastësore, por si rregullsi të krijuara nga fqinjësia e gjatë dhe empatia.

– Duket në këtë libër përvoja e gjatë e autorit si studiues i letërsisë romantike të shekullit XIX dhe i dy periudhave të mëvonshme. Risi në këto studime është qasja antropologjike ndaj letërsisë, leximi i saj me kodet e metodës së antropologjisë kulturore, sidomos në trajtesat e letrësisë frankofone magrebine dhe shqipëruesit të saj Nonda Varfi. Autori Zisi, përveç punës shkencore të mirëfilltë dhe të vëmendshme, ka një virtyt të lartë human: Mirënjohjen, saqë ai guxon e bën edhe një sprovë bibliografike me listimin e v epërës së shqipëruesit, pedagogut dhe studiuesit të njohur Nonda Varfi.

– Libri u shërben programeve të mësimdhënies universitare dhe bashkësisë së studiuesve të letërsisë.

5. Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa II në Panairin III Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, 23-25 prill 2024)

Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa II

Paraqitje/ Shkurtore

BIBLIOGRAFIA e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë Pjesa II (për periudhën 2006-2023) ka këtë staf realizues: përgatiti: MSc. Albert Habazaj; redaktorë: prof.dr. Bardhosh Gaçe, prof.dr. Roland Zisi; autor i parathënies (tekstit shtesë) prof. asoc. Enkelejd Mëhilli; konsulentë: prof. dr. Albert Qarri, prof. as. dr. Armela Panajoti, prof. as. dr. Aurela Dai Saliaj, prof. as. dr. Hajdar Kiçaj, prof. as. dr. Frosina Londo; koordinator shkencor: MA. Mirlona Buzo; përpunimi kompjuterik/ d-COBISS: MSc. Altin Mahilaj; © Universiteti “Ismail Qemali”: Vlorë, Triptik, Botim i parë, 2023, ISBN 978-9928-379-8-25

Ky dokument është një përmbledhje e klasifikimit dhe përshkrimit shkencor e sistematik të informacionit nga botimet e ndryshme (libra të pedagogëve dhe studiuesve tanë) ku përfshihen të gjitha fushat e dijes (përveç fesë, teologjisë), është fryt i një pune të gjatë, sistematike, të vëmendshme dhe serioze, një punim shkencor unikal për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë; ndërkohë dhe ndihmesa ime e thjeshtë në fushën e Bibliotekonomisë, falë vullnetit, përgjegjësisë dhe dashurisë profesionale, që vjen si vijim i pjesës I “Bibliografia. Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (1994-2006).

Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas Standardeve Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri.

Në këtë dokument përfshihen 179 tituj (njësi bibliografike), nga të cilët 62 monografi shkencore dhe 117 tekste mësimore.

Ndihem mirë për këtë realizim të mundimshëm, por, ndërkohë, me synime, dëshirë e mundësi për të bërë edhe Bibliografinë e artikujve shkencorë, botuar në Buletinet shkencore: Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë nga nr. 1 (2002- ) e në vijim ( – 2024), si dhe disertacionet për gradën shkencore “Doktor i Shkencave” të pedagogëve të Universitetit tonë.

***

Bibliografia “Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006- 2023) botohet në bazë Vendimit Nr. 31, datë 13.12.2022 të Rektoratit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, nr. 31, datë 13.12.2022, me Nr. 1974/4 prot. dhe në mbështetje të Vendimit Nr. 3, datë 24.01.2023 me Nr. 140/3 prot. “Bibliotekat sigurojnë akces në informacion dhe në ide pavarësisht nga mjedisi dhe pa njohur kufij. Ato shërbejnë si porta drejt dijes, mendimit dhe kulturës, duke ofruar mbështetje për vendimarrje të pavarur, zhvillim kulturor, studim dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës për individë dhe grupe” (shih: Rezoluta e IFLA-s për bibliotekat, shërbimet informuese dhe lirinë intelektuale, Glasgoë, 2002). Bibliografia e teksteve mësimore universitare, monografive shkencore, monografive të tjera dhe vepra të tjera të përfunduara të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, pjesa II (2006- 2023) është vijim i pjesës I “Bibliografia. Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (1994-2006). Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas Standardeve Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri (E-cris.AL). Në këtë Bibliografi, përveç njësive bibliografike – libra të pedagogëve të UV, janë përfshirë dhe punimet shkencore të figurave të njohura të shkencës shqiptare, si prof. Dritan Spahiu, Llukan Puka, Shaban Sinani, Sulo Hadëri, Sherif Bundo, Beshir Ciceri, Ilir Mandro, Agron Xhagolli etj. që, në në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë kanë pasur apo gëzojnë statusin “Personel Akademik i ftuar”. Në fund të çdo njësie bibliografike, ndodhet ID përkatëse që e identifikon secilën njësi në këtë sistem. Formati i përzgjedhur i njësisë bibliografike: ISO 690. Klasifikimi i njësive bibliografike: tipologjia, viti, titulli Burimi i regjistrimeve bibliografike: Baza lokale e të dhënave me akronimin UVL dhe baza e përbashkët e të dhënave COBISS.AL/ COBIB.AL Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë – Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë: tekste mësimore universitare, monografi shkencore, monografi të tjera dhe vepra të tjera të përfunduara të pedagogëve: pjesa II (2006-2023)

6. Bibliografia – një punim shkencor unikal për Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë

(parathënia e bibliografisë)

Prof. Asoc. Enkelejd MËHILLI

Zv. Rektor për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Bibliografia “Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006- 2023), përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë është një tekst i veçantë, unikal për intitucionin tonë të lartë arsimor. Ky tekst është një shërbestari modeste në fushën e dijes së bibliotekonomisë, ku hartuesi, duke respektuar parimet, kriteret dhe metodat e përshkrimit dhe klasifikimit bibliografik ka bërë me korrektesë profesionale klasifikimin dhe përshkrimin shkencor e sistematik të botimeve libra për t’ua bërë të njohura të tjerëve. Kjo Bibliografi është një punë e vlefshme, së pari për ndërkombëtarizimin e punimeve shkencore të koleksionit libra të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Ky dokument përmban të gjitha tekstet mësimore dhe monografitë e publikuar nga pedagogët e UV për periudhën 2006-2021 [2023]. Në këtë dokument përfshihen 179 tituj (njësi bibliografike) nga të cilët 62 monografi dhe 117 tekste mësimore. Paralelisht ato prezantohen sipas metodës sistematike në rendin alfabetik (autor, titull), duke hartuar një bibliografi të plotë të formatuar sipas të gjitha rregullave dhe teknikave profesionale të kërkuara, përshkruar me saktësi dhe plotësisht, bazuar në Standardet Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkta Bibliografike Online (COBISS). Bibliografia Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006- 2021[2023]) është një punë e gjatë, sistematike dhe serioze e MSc. Albert Habazaj, specialist i fushës, realizuar me metodologjinë e zgjedhur prej tij: shfrytëzimi i informacionit bibliografik ekzistues të skedarëve të Bibliotekës shkencore të universitetit dhe të fakulteteve, shqyrtimi një për një i të gjithë titujve të grumbulluar për të regjistruar njësitë bibliografike dhe lidhjen e tyre profesionale, logjike e shkencore për realizimin e Bibliografisë ose librit të librave, duke iu përgjigjur kërkesave bashkëkohore të përshkrimit bibliografik me standardin e lartë të informacionit ndërkombëtarisht të përputhshëm. Kjo bibliografi me tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit është vijim i tekstit “Bibliografia: Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë (1994-2006)” dhe vjen si një ndihmesë e domosdoshme e kohës për Strategjinë e Kërkimit Shkencor të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

ASHSH;Tiranë, e mërkurë, 24.04.2024; 15:00

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura