SADRI RAMABAJA: OFENZIVA E THAÇIT DHE LUGINA E UJQVE

(Prishtinë, 16. 03. 2012) – Dy kryeministrat e dy republikave shqiptare deri dje e shihnin bashkimin e shqiptarëve si të mundshëm vetëm përmes procesit integrues në BE. Ndërkaq që nga 15 marsi “skifteri nga Prishtina” si më i shkathtë që pretendon se është, paralajmëron Brukselin se nëse ia lyp nevoja dinë të luaj edhe në terrenin e Vetëvendosjes.
     Opinionit publik të enjtën që lam pas, nga salla e “tempullit të demokracisë”, siç cilësohet Kuvendi në botën demokratike, iu servua në mënyrë krejt pompoze skenari përmes të cilit Thaçi pretendon ta stopoj rrokullisjen e tatëpjetës së tij politike. Kësaj i parapriu një takim me një lagje politikanësh tashmë të njohur për opinionin si pjesë e kuartirit të “luginës së ujqëve”. Darkat paraprake, që kadareja do t`i quante “të gabuara” po pregadisnin terrenin për një ofensivë të re politike të kryeministrit tonë, si pjesë e një skenari më të gjerë politik.
     Bashkëautor të këtij skenari, e qartë, janë edhe qarqe të veçanta ndërkombëtare, pjesë apo përfaqësues të korporatave multinacionale, se sa përfaqësues të farë strategjie politike. Emrues i përbashkët i interesit reciprok duket se është mbetja në pushtet, qoftë edhe për një periudhë afatshkurtër (3-4 vjetët e ardhshme), e kësaj nomenklature politikanësh që tashmë janë dëshmuar si inferior e të dëgjueshëm deri në servilosje.
     Skenari parakupton rishfaqjen e Thaçit si përfaqësues më tipik i radikalizmit të karikuar shqiptar, që do të bëhej i besueshëm tek një pjesë e rinisë shqiptare, vetëm nëse Brukseli ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Beogradit për çështjen e zgjedhjeve serbe edhe brenda territorit të Republikës sonë. Por ky skenar nuk mjaftohet vetëm me kaq, meqë Brukseli tashmë ka “koketuar” me “antievropianët”, duke i rehabilituar në masën sa t`i shqetësoj ujqit se mund të mbesin pa luginën e tyre të preferuar.

Trinomi: Thaçi – Dell – Mustafa.

     Pse mos t`i lejohet një gjuhë prej radikali të karikuar Thaçit në këtë pranverë fushatash, kur i lejohet ta zëmë Sarkozysë të huazoj fjalorin e Lë Penit, vetëm e vetëm që të zhvas vota nga terreni i nacionalizmit institucional dhe radikal frëng, duke paralajmëruar edhe daljen e Francës nga zona e Shengenit. E çfarë i mbetet Thaçit të huazoj nga e djathta e munguar shqiptare përveç bombolave të nacionalpatriotizmit pa mbulesë të pleqve të Ballit a atyre të vetëquajturve NDSH-ista që koketonin me shërbimet serbe deri dje, ndërkaq sot janë eksportuesit më të mëdhenjë të produkteve serbe, duke ngulfatur dhe bërë inegzistent tregun nacional shqiptar?! Ai duke bërë një salltomortale prej 180 shkallësh, kapërcen ylberin dhe për një qast ia kalon, pse jo, edhe Lë Penit!
  Politikanët e paparashikueshëm të Ballkanit jo rrallë kanë kapërcyer kur ua ka lypur interesi i ngushtë edhe ylberin dhe na janë shndërruar nga politikan modern, në promotor luftrash, duke u prezantuar para dreke si luftënxitës e pas dreke si farktor për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
     Dy kryeministrat e dy republikave shqiptare deri dje e shihnin bashkimin e shqiptarëve si të mundshëm vetëm nëse ai do të vinte përmes procesit integrues në BE, por gjithsesi duke mbetur tutje si dy republika. Ndërkaq që nga 15 marsi, Thaçi, si më i shkathtë që pretendon se është, paralajmëron Brukselin se, nëse ia lyp nevoja, dinë të luaj edhe në terrenin e Vetëvendosjes.
     Kriza financiare e shoqëruar me krizën ekonomike, ka shërbyer për një lagje ujqërish, si acari i këtij dimri të stërzgjatur, duke i bërë ata “më trima”, pasi janë paisur me sasinë e duhur të adrenalinës që u mundëson “aderimin” deri në paralarjet e qyteteve. Ndërkaq lugina e mjegulluar, alias Fusha e Mëllenjave, siç quhet ajo nga një lagje ujqërish të emancipuar, mbetet pre e përbashkët me ujqit vendor të tipit të Thaçit me kompani në njërën anë dhe Isa Mustafës e Blerim Shalës me minikompanitë e tyre, duke e trajtuar tutje si terrenin më të përshtatshëm dhe më të sigurt për veprim.
     Nuk përjashtohet as mundësia e përsëritjes së një varianti të 25 korrikut, duke i mundësuar kësaj radhe qeverisë sonë stacionimin e një togu forcash të njësisë speciale në veri, si hap i parë për të imponuar një realitet të ri politik. Pas këtij realiteti të ri, duket se i hapet rruga variantit të “butë” të këtij skenari, që nënkupton fillimin e bisedimeve me serbët e veriut për një status special, që në fakt parashihet edhe në vet planin e Ahtisarit.
     Siç paralajmërohet edhe nga ana e ndërmjetësuesit Kuper, bisedimet mbesin si pjesë e skenarit, por duke ngritur nivelin e tyre, meqë fjala do të jetë për “vendime historike” mes dy popujve. Dhe meqë këto bisedime duhet të jenë në përputhje të plotë me këtë skenar, që tashti janë pregatitur fjalimet për zonjën Eshton dhe përfaqësues tjerë të lartë të Brukselit, Berlinit, Parisit etj. Përmes të cilëve sërish Tadiqi dhe Thaçi do të vlerësohen si lidership i fortë, që janë në gjendje të marrin vendime historike.
     Ky skenar në një masë do ta rehabilitonte Thaçin në sy të opinionit shqiptar, ndërkaq do ta bënte edhe më të përdorshëm nga ana e përfaqësuesve të neoliberalizmit në terrenin e ekonomisë ende të pazhvatur, të përfaqësuar këtu nga “ambasadorët” e Shkollës së Çikagos dhe asaj të Vjenës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura