(Pashtriku.org, 26. 10. 2012) – Studiuesi i njohur Hilë Lushaku ka sjellë sërish një libër të rrallë në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë pës botimit të librit “Ministrat e Brendshëm të Shqipërisë: 1945-2007: jetëshkrime”. Ai ka botuar së fundmi veprën “Rrugëtimi i Policisë Shqiptare 1912-1945” që është produkt i një pune kërkimore shkencore mbi 4-vjeçare, mbështetur kryesisht në burime arkivore dhe në shtypin e viteve 1912-1945. “Rrugëtimi i Policisë Shqiptare 1912-1945” mbështetet kryesisht në burime arkivore të vjela me durim, e dashuri, për t’i ndriçuar shkencërisht problemet e shtruara. Vërtetë, studiuesi Lushaku me durim dhe saktësi të admiruar ka arritur të paraqesë dhe të analizojë thelbin e informatave. Thënë simbolikisht: kjo vepër është si një rrugëtim, që zë fill nga mbledhjet e para të Qeverisë së Vlorës deri pas fitores së plotë të LANÇ të Shqipërisë kur Policia e mori për mision të përmbushte përgjegjësitë si pjesë e Forcavetë Armatosura të Shqipërisë. Portali pashtriku.org, në vijim boton pjesë të këtij libri.
……………………………………..
* * *
Veprimtari i çështjes kombëtare, Halim bej Jakova-Gostivari, arriti në Vlorë, në fundin e nëntorit 1912, me grupin e atdhetarëve të prirë prej Isa Boletinit. Ai i përket lagjes së burrave që vunë gurin e parë të themelit të Rendit Publik të shtetit Shqipëri. Halim Jakova (Gjakova)-Gostivari qëndroi e rezistoi i paepur në rrugën e rilindësve shqiptarë dhe luftëtarëve sypatrembur të zgjidhjes së fatit të Shqipërisë së robëruar. Ai, në shumë momente, është pjesë e pandarë e veprimtarisë atdhetare të Isa Boletinit, të Bajram Currit e Hasan Prishtinës, të Bedri Pejanit e Sali Gjukë Dukagjinit, të Nexhip Dragës e Mehmet pashë Dërallës, të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të Muço Qullit e Salih Nivicës, të Ahmet Zogut e Aqif Pashë Elbasanit, të Dervish Himës e Jashar Erebarës me shumë shokë, që në kohë e situata të ndryshme daltuan emrin e tyre në rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Burrit të shquar, Halim Jakova-Gostivarit, i janë mohuar disa të vërteta jetësore, ose emri i tij është përdorur gabimisht sikurse ai të ishte Halim Tetova-Dëralla, Janë shumë studiues që kanë shkruar gjëra të pasakta, por pa keqdashje, për këtë kalorës të çështjes shqiptare. Halim Jakova-Gostivari, i lindur më 1878, në Gjakovë, ishte djali i prindërve Jusuf e Minushe Jakova (Gostivari). Kreu arsimin fillor në vendlindje, ndërsa më 1905 ka qenë student në shkollën amerikane “Robert Kolezh”, në Stamboll, ku u diplomua për drejtësi. Në gusht të vitit 1908, mbështeti Hasan bej Prishtinën dhe grupin që formuan klubin “Bashkimi”, të vilajetit të Kosovës, me seli në Shkup, ku aderonin miqtë e tij Hoxhë Kadria, Bajram Curri, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Nail Hyseni-Dana, Rrok Berisha, etj. Fillimisht ishte përkrahës i xhonturqve, sikurse edhe miqtë e tij, duke qenë kundërshtar me përkrahësit e besnikët e padishahut, ku bënte pjesë grupi i prirë prej gjeneralit tetovar Mehmet Pashë Dërralla. Më 1909, evidentohet i bashkuar me ajkën e patriotëve shqiptarë në Shkup ku ishin Nexhip Draga, Bajram Curri, Rrok e Luigj Berisha, Avni Gilani, Ymer Strazimiri, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica. Në këtë periudhë mori pjesë në botimin e gazetës “Shkupi”, në Shkup, që e drejtonte z. Jashar Erëbara. Halim Gjakova ka qenë përkrah atdhetarëve të tjerë kosovarë, pjesëmarrës në kryengritjen e madhe të Kosovës të vitit 1912. Gazeta “Shkupi”, duke shkruar për këtë kryengritje, vuri në spikamë radhën e komandantëve që morën Shkupin në gushtin e vitit 1912: “Bajram Doklani ishte i pari, Bajram Curri e Halim Gostivari me pes mi pushkë…”. Më parë ka qenë drejtor i Policisë në Manastir. Gazeta “Shkupi”, për këtë problem, atëbotë, shkroi: “Z. Halim beu (kupto Jakova-Gostivari-H.L.), emnue pei birinxhi komiserit Polis Mydyri në Manastir; tepër duhet me u gzue t’on O. Shqiptar, se vërtè ka me i ba shërbim me bes derës A. Osmanit dhe t’on komëve qi rrojnë këtu. Halim beu o i n gum si memur i nderit e i adetit, dhe i cili flet ton guhët e vendet, dhe ku ka shku ka lon emen t’mirë”. Kur qe në Shkup, së bashku me Jashar Erëbaren dhe Rrok Berishën, kanë nënshkruar në emër të kryesisë së klubit “Bashkimi”, të Shkupit, një letër proteste për trajtimin e çështjes shqiptare nga xhonturqit. Në maj 1912, Malësia e Hasit dhe fusha e Rekës e kanë votuar deputet, në zgjedhjet e zhvilluara për parlamentin turk, parlament që nuk pati jetë për shkak të zhvillimeve në Ballkan. Halim Gostivari ka punuar me zell në organizimin e kryengritjes shqiptare, duke evidentuar pjesëmarrjen e tij në kuvendin e forcave kombëtare në Junik, më 21-25 maj 1912, në mes të Pejës dhe Gjakovës, ku u formulua programi për aktivitetin e mëtejshëm të Kryengritjes për Autonominë e Shqipërisë.
Halim Gjakova-Gostivari, drejtori i parë dhe artikekt i Policisë shqiptare.
…………………………………………………….
I vlerësuar për kontributin e tij në shërbimet policore dhe në fushën juridike, qeveria e Ismail Qemalit e emëroi drejtor i Përgjithshëm i Policisë të Shtetit të ri shqiptar, cilësuar “Qeveria e Vlorës”. Halim Jakova është i pari Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të sapo formuar. Nga muaji maj 1913 e në vijim, Halim be Jakova-Gostivari, do të ngarkohet edhe me detyra të karakterit juridik e profesional për përgatitjen e akteve normative për Ministrinë e Brendshme, duke i qëndruar besnik kryeministrit Ismail Qemali, deri në fund kur ky dha dorëheqjen (në janar të vitit 1914). Së bashku me të vëllanë, Sadikun, në janar 1914, u vunë vullnetarisht nën komandën e përfaqësuesve të “Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit”, i cili mori drejtimin e shtetit të ri shqiptar, në pritje të ardhjes së princ Vidit. Pas largimit të princit Vid nga Shqipëria, më 3 shtator 1914, pozita e Halim bej Gostivarit paraqitej e rrezikuar në Durrës, ndaj si edhe shumë kosovarë, miq e shokë ideali, themelues të celulës së “Komitetit të Fshehtë”, për “Mbrojtjen e Kosovës”, më 1914, ku bënin pjesë Hasan Prishtina, Hoxhë Kadri Prishtina, Isa Boletini, Hysni Curri, Salih Vuçiterni, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, vëllai i tij Sadiku, etj, e lanë Durrësin dhe shkuan në Shkodër, prej nga u larguan në qershor 1915. Pushtimi i Shkodrës nga ushtritë serbo-malazeze, të kryesuara nga gjenerali famëkeq, Veshoviq, vrasja makabre e luftëtarëve atdhetarë, Çerçiz Topullit e Muço Qullit, më pas “vrasja në bukë” e Isa Boletinit”, edhe për Halim Jakovën, ashtu sikurse për shumë patriotë të tjerë ndikoi për mos qëndrimin e mëtejshëm në këtë qytet. Fillimisht doli në Malësi të Gjakovës e më pas shkoi në Vjenë, së bashku me mikun e tij të afërt, Bajram beg Currin. Nga Austria shkoi në Turqi, ku do të martohet me turkeshën Gjylie Gyl. Rikthehet në Shkodër, më 1918, për ngritjen e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Halim bej Jakova-Gostivari është pa më të voglin dyshim një nga themeluesit e Komitetit për “Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës”, cilësuar në shtyp edhe si “Komiteti Kosova”. Ai ka pasur kontribut të çmuar “në botimin e gazetës “Populli”, duke bashkëpunuar ngushtë, me patriotët nga Labëria, Muço Qulli, Çerçiz Topulli, Omer Nishani, Salih Nivica. Më 1918, nga Shkodra, vijoi në Durrës, ku përgatitej të zhvillohej mbledhja e një grupi intelektualësh, për krijimin e qeverisë shqiptare me italofilë, nën mbështetjen e drejtpërdrejtë të Italisë. Më tej Halimi qëndroi aty dhe u caktua shef i sigurimit (qetësisë publike), në qeverinë provizore proitaliane të Durrësit.
Nga viti 1919, pak kohë pas krijimit të qeverisë së Durrësit, Halim Jakova solli në Shqipëri edhe një pjesë të familjes së gjerë, duke u larguar fizikisht, përgjithnjë, nga vendlindja, Gjakova e Kosova. Nga kjo periudhë e në vijim, ai do të përfshihet në veprimtari administrative në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë. Halim Gostivari, në vijim, ishte ndër personat më aktiv për zgjerimin e “Komitetit të Fshehtë për Mbrojtjen e Kosovës”, ku bënin pjesë patriotët: Hoxhë Kadriu, Aqif pashë Elbasani, Bajram Curri, Sotir Peci, Bajram Fevziu, Shefqet Korça, Salih Gjuka, Lukë Luka, Kostaq (Koço) Kotta, doktor Fahri Gjinali, Muço Qulli, Sali Nivica, Hysni Curri, Qerim Begolli, Sejfi Vllamasi, e të tjerë, të cilët qenë edhe miq e bashkëveprimtarë me Gostivarin. Për sa kohë Halim Gostivari qëndroi në Shkodër, pati lidhje të ngushta me Muço Qullin, botuesi i gazetës “Populli”, më 1915; me Sali Nivicën, kryeredaktor i gazetës “Populli”, më 1919; me mikun e tij të kahershëm, Bedri Pejanin, tashti sekretar i KMKK dhe me mikun tjetër, Bajram Fevziun, me të cilin qe lidhur qysh nga periudha e kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, në Durrës, më 1914.
Më 22 dhjetor 1918, ishte zgjedhur edhe anëtar i Kryesisë së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” e përbërë nga: Hoxhë Kadri Prishtina (kryetar), Qerim beg Begolli, Hysni beg Curri, Bedri beg Pejani (sekretar), Halim beg Gostivari, Salih Nivica (drejtor i gazetës “Populli”), Sejfi Vllamasi, Bajram Fevziu, Hamit Gjylbegu, Riza Dani (anëtarë). Në saje të pjesëmarrjes së Halimit në “Degën” e Durrësit, të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, si dhe të rolit që luajti kjo “Degë” në krijimin e qeverisë së dytë të Turhan pashë Përmetit, Halim Gostivari me propozim të prefektit të Durrësit, ushtarakut nga Kosova, Rexhep Shala, më 28 gusht 1919, u caktua “Drejtor i Përgjithshëm i Qetësisë”, por duke i caktuar edhe detyra konkrete për të mbledhur informacione për interesa të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, përfshirë edhe territoret në Kosovë, ku ishte rritur agresiviteti politik i Mbretërisë së sapokrijuar Serbo-Kroate-Sllovene (MSKS), për aneksimin edhe të pjesëve të tjera të Shqipërisë etnike.
Halim be Gostivari ishte pjesë e Kryesisë së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, që përgatiti, në fillim të vitit 1919, një “notë proteste” dërguar ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha si dhe gjeneralit d’Esparey, komandant i forcave aleate në Ballkan, lidhur me masakrat serbe në Kosovë. Ky dokument u botua në frëngjisht, në gazetën “Populli”, e firmosur nga Bedri Peja (sekretar) dhe Hoxhë Kadria (president). Në saje të lidhjeve me Hoxhë Kadri Prishtinën, kryetar i Komitetit “MKK” dhe ministër i Drejtësisë, në kabinetin qeveritar të drejtuar prej Sulejman Delvinës, Halim Gostivari u ricaktua në detyrën e “Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”, e pak më vonë edhe nënprefekt i Nënprefekturës së Tiranës, sapo ajo u shpall kryeqendra administrative e Shqipërisë.
Më 6 mars 1920, kur krerët e Shkodrës vendosen për bashkimin e qytetit me qeverinë e Tiranës, në saje të punës këmbëngulëse të Komitetit të Kosovës, Halim Gostivari, “Drejtor i Përgjithshëm i Policisë”, mbërriti në Bushat, së bashku me ministrin e Drejtësisë, Hoxhë Kadri Prishtinën dhe me ministrin e Brendshëm, 25 vjeçarin Ahmet bej Zogun, për të marrë në dorëzim dhe për të organizuar mbrojtjen e Shkodrës, si dhe për të riorganizuar policinë e qeverisë së re, kërkesë e kahershme e Komitetit “MKK”. Ky mision qeveritar fillimisht ndaloi në Bushat, ku i bashkërendoi veprimet me “Degën” e Komitetit “MKK” për Shkodrën. Këso kohe ata gjetën aty 70 xhandarë, dhe i mobilizuan si dhe 130 veta nga radhët e shqiptarëve të shpërngulur me reprezalje çnjerëzore serbo-malazeze nga Plava e Gucia. Halim Jakova-Gostivari kreu detyra edhe gjatë “Luftës së Koplikut”, në verën e vitit 1920. Edhe në këtë rast Halimi qe në Shkodër së bashku me bashkëveprimtarët: Hoxhë Kadri Prishtinën dhe me Ahmet bej Zogun dhe shumë kosovarë nën komandën e Hasanit të Jakup Ferrit dhe Qerim Begollit.
Pak ditë mbasi kishte marrë postin e “Drejtorit të Përgjithshëm të Qetësisë”, Halim be Gostivari, hartoi “Rregullore e pranimit në Polici”, ku normoi rregullat për ndarjen e roleve e gradave, duke klasifikuar hierarkinë e tyre, përkatësisht: “komiserët”, “ndihmëskomiserët”, “nënkomiserët” dhe roli i ulët, “policët”. Po kështu, ai normoi “kushtet për pranimin në Polici”, duke qenë korrekt e këmbëngulës deri në fund për zbatimin e tyre. Halim bej Jakova, vuri kusht të padiskutueshëm heqjen nga lista të kandidaturave, për pranim në Polici, që nuk dinë saktë shkrim e këndim shqip, ndonëse kanë kryer shkollat përkatëse për Polici në vende të tjera të Evropës (kryesisht në Turqi). Pas miratimit të aktit bazë për organizimin e Policisë dhe programimit të disa masave për sigurimin e kushteve për punë e jetesë të policëve e drejtuesve të tyre, ai hartoi strukturën organizative të Policisë dhe organikën e saj, në prefektura e nënprefektura. Në një shkresë zyrtare, dërguar prefekturave e nënprefekturave, ai u bëri të ditur atyre, se, “do të kenë komiseri Policie”: Durrësi, Berati, Tirana, Elbasani, Kavaja, Shijaku, Kruja, Lezha, Shëngjini, Peqini, Lushnja, Fieri, Mallakastra dhe Skrapari. Sikurse shihet nga kjo listë, qeveria e Durrësit zotëronte vetëm pak territore, kryesisht disa nënprefektura të pjesës perëndimore, duke mos përmendur Vlorën e cila këso kohe ishte plotësisht nën zotërimin italian, dhe as Shkodrën e qytetet e tjera të mëdha sikurse ishin Korça, Gjirokastra, Dibra, Shkupi, Prishtina, etj. Organika e Policisë u miratua nga Këshilla e Delegatëve më 24 shtator 1919. Sipas kësaj pasqyre, “Organika e Drejtorisë së Përgjithshme të Qetësisë” do të shtrihej në 5 prefekturat kryesore të vendit dhe në nënprefekturat në varësi të këtyre prefekturave, gjithsej 14 komiseri Policie. Në përfundim u miratua sasia numerike prej 5 komiserëve, 9 nënkomiserëve, 43 policëve, gjithsej 57 vetë. Halim beu futi në strukturë edhe “Sekretarinë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë” si dhe “shërbëtorin” e tij.
Më 7 tetor 1919, Këshilla e Delegatëve shprehu miratimin e listës së funksioneve dhe emërimet e para të policëve. Rigoroz, si gjithnjë, në zbatimin e ligjeve, Halimi nuk pranoi asnjë lëshim në organizimin e Policisë. Me qëllim që kjo përzgjedhje të ishte sa më e mirë ai krijoi një komision të posaçëm, me njerëz të sprovuar nga fusha e Drejtësisë, Policisë dhe e Shëndetësisë, e mbasi me anë të komisionit të përzgjedhjes i shqyrtoi hollësisht dokumentacionin për aftësitë e kandidatëve, hartoi listën dhe e dërgoi në Këshillën e Delegatëve për miratim. Paralelisht me këto masa, në organizimin e Policisë së re shqiptare, Halim be Gostivari nuk la pas dore përllogaritjet për buxhetin e Policisë, duke parashikuar zërat për paga, për mirëmbajtjen e zyrave, për shpenzimet e domosdoshme, për kushtet e punës, etj. Ai tregoi aftësi edhe në planifikimin e masave për shpenzimet e ndryshme. Këshilla e Delegatëve miratoi buxhetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, më datë 22.11.1919. Pas masave të sipërpërmendura, i bindur se Policia në Shqipëri duhet të ndërtohet sipas standardeve të vendeve të zhvilluara dhe me qytetërim modern, pa ndërprerë punën në drejtimet e tjera, paralelisht, ai punoi dhe hartoi shpejt “misionin dhe detyrat e Policisë shqiptare”. Kthjelltësia e thellësia e mendimeve të Halimit, në hartimin e dokumenteve ligjore e nënligjore, për Policinë, ishte evidente dhe kjo i shërbeu më së miri përmbushjes së përgjegjësive në sipërmarrjen serioze që kishte pranuar, gjë e cila e bën edhe më të kompletuar figurën e arkitektit të parë të Policisë shqiptare. Ai qe bashkëkohor në përcaktimin e misionit të Policisë dhe fushës së saj të përgjegjësisë, pra veprimi i Policisë kryesisht në qytete. Ndër detyrat kryesore që Halim bej Gostivari i caktoi Policisë, në këtë periudhë, kanë qenë kryesisht ato të fushës së qetësisë dhe si detyra specifike evidentohen identifikimi dhe procedimi penal i njerëzve që bëjnë propagandë kundër qeverisë, verifikimi i sjelljes dhe moralit të personave që kërkojnë pajisjen me leje për armë gjahu si dhe angazhimi me detyra për mbledhjen e taksave. Rezultatet që arriti profesionisti i fushës së qetësisë, juristi i shquar i fushës së hetimit, ideatori e organizatori i strukturave të para të bërthamave të Policisë Shqiptare, u vlerësuan edhe prej qeverive të mëvonshme. Kongresi i Lushnjës, pa mbaruar mirë punimet e tij, më 26 janar 1920, e caktoi Halim Gostivarin “zëvendësisht prefekt” të Durrësit, por ndërkohë edhe “Drejtor i Përgjithshëm i Qetësisë”. Më datë 1 shkurt 1920, prezantoi organikën e re të Policisë, e cila u miratua prej qeverisë së kryesuar prej Sulejman Delvinës. Halimi ka propozuar e synuar për të organizuar Policinë edhe në territore të mbajtura nën kontrollin e fuqive të quajtura aleate, siç ishin deri ahere: Gjirokastra, Libohova, Vlora, Përmeti, Leskoviku, Delvina, Tepelena, Këlcyra, Himara, Kolonja, Kurveleshi, Korça, Shkodra, Mati, Luma, Malësia e Gjakovës, Malësia e Shkodrës dhe Has. Energjitë e pashtershme, pasioni dhe përgjegjësia e lartë në plotësimin e detyrës, spikaten tek Halim Gostivari edhe në organizimin e Policisë së kryeqytetit të ri, Tiranës. Fillimisht, më 19 shkurt 1920, ai u interesua të grumbullonte të dhëna për gjendjen e kësaj strukture në Tiranë, prandaj, zyrtarisht, i kërkoi administratës së nënprefekturës, aty, të raportojë mundësitë dhe nevojat që ka për policë, nisur nga fakti se në këtë kohë ajo mori jetë si kryeqendra e Shqipërisë, ndonëse qe nënprefekturë në varësi të prefekturës së Durrësit, sipas organizimit dhe ndarjes administrative të territorit të vendit. Për vetë rëndësinë që mori kryeqyteti i ri i Shqipërisë, Tirana, dhe aftësitë drejtuese që kishte treguar Halim bej Jakova-Gostivari në përmbushjen e detyrave funksionale, krahas detyrës së drejtorit të Përgjithshëm, më 21 shkurt 1920, ai u emërua nga qeveria e Tiranës, fillimisht “zëvendësisht nënprefekt” i kryeqytetit Tiranë, duke mbajtur këtë post deri më 16 mars 1920, dhe më 26 maj 1920 gradohet prefekt i Tiranës, post të cilin e ka mbajtur deri më 2 qershor 1920. Sikurse duket edhe nga emërimet në Polici, qeveria e dalë nga kongresi i Lushnjës shtriu veprimtarinë e saj nga Shkodra në Gjirokastër, pa mundur fillimisht të zotërojë Durrësin (ku kishte ende aktivitet qeveria e Durrësit), Vlorën (zaptuar tërësisht administrativisht nga italianët), Elbasanin, etj, gjë e cila ishte problem shqetësues edhe për qetësinë publike në vend. Halim be Gostivari qe shumë i zellshëm në zbatimin e programit të qeverisë së Sulejman Delvinës për sigurinë në vend, gjë për të cilën, është lavdëruar e vlerësuar “i zoti dhe besnik”. Veprimtari i çështjes kombëtare e shtetërore shqiptare, Halim Jakova-Gostivari nuk pati asnjë rast që nuk shkëlqeu në përmbushjen e detyrës së funksionit që mbante si dhe nuk shprehu asnjëherë lodhje apo dyshim për çfarë po bënte. Ai gëzonte simpatinë e respektin e të gjithë kabinetit qeveritar, shumicën e të cilëve i kishte miq e bashkëpunëtorë të idealit të tij për çështjen kombëtare. Halimi pati marrëdhënie korrekte me administratën e Ministrisë së Brendshme dhe prefektët, një pjesë e të cilëve i njihte falë veprimtarisë atdhetare në vitet e mëparshme. Falë këtyre cilësive e këtij qëndrimi, Halim Gostivari, ka patur emërime të shumta: më 21 janar 1920, zëvendësprefekt i Durrësit; në shkurt 1920, “Drejtor i Përgjithshëm i Qetësisë”; më 26 maj 1920 edhe zëvendës nënprefekt i Tiranës; më 8 korrik 1920, disa muaj pas emërimit, u dekretua “Drejtor i Përgjithshëm i Qetësisë”; më 8 gusht 1920 edhe “Drejtor i Qetësisë në Shkodër”; ndërkaq më 10 gusht 1920 edhe drejtor i P.T.T-së në Shkodër; më 22 shtator 1920 u riemërua “Drejtor i Përgjithshëm i Policisë”. Të gjitha këto detyra i kreu cilësisht. Në këtë periudhë, me propozim të Halim Gostivarit, organizimi i Policisë u bë në bazë prefekture, konkretisht: në prefekturat e Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës u krijuan drejtori Policie, të cilat u thirren “komiseri të klasës së parë”, ndërsa në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Berat u krijuan “komiseri të klasës së dytë”. Më 23 korrik 1920, Halim Jakova-Gostivari njoftoi Ministrinë e Brendshme se në organikë janë shtuar 13 komiserë, 71 policë dhe është pakësuar një nënkomiser. Komiserët qenë kategorizuar në tre klasa, komiser të klasës së parë, komiser të klasës së dytë dhe komiser të klasës së tretë. Në vijim ai kërkoi rishikimin e problemit të trajtimit me pagë të komiserëve të Policisë. Halimi ka meritën e madhe për përpjekjet e shumta për konsolidimin e gradave dhe rritjen e nivelit të trajtimit financiar e përmirësimit të gjendjes ekonomike të punonjësve të Policisë. Këshilla ministrore, më 12 tetor 1920, vendosi që komiseri i klasës së parë të marrë rrogë kapiteni, komiseri i klasës së dytë rrogë togeri, komiseri i klasës së tretë rrogë nëntogeri, nënkomiseri rrogë aspiranti dhe polici rrogë kapteri. Me interes në organizimin e Policisë, të drejtuar prej Halim Gostivarit, në këtë periudhë, është konsiderimi i problemit për krijimin e policisë kriminale. Duke vlerësuar të drejtë propozimin e Gostivarit, më 23 korrik 1920, “Delegatia e Punëve të Brendshme” i është drejtuar Kryeministrisë: “Pas kohravet që janë mjaft të kritikshme, shofim fort të nevojshme të përdorunit e një njeriut kapable si policë i mfshefët, me rrogë mujore lir.ital. 250. Pra, lutena të epet një vendim e t’i komunikohet Delegaties së Financavet për pagimin e tyre, Delegaties së Punëve të Mbrendshme”. Pas Tiranës, Halim Gostivari vlerësoi parësore punën për organizimin e Policisë së Shkodrës. Deri në këtë periudhë, aty, kishin shërbyer kuadro të aftë e patriotë të shquar si Omer Ruzhdi, Rasim Gjyrezi, Ymer Luftiu, Musa Çelepia, Hilë Mosi, Zef Mirdita, etj., të gjithë të përzgjedhur me kujdes nga austriakët (gjenerali Trollman), nga anglezët (koloneli Filips), nga francezët (gjenerali Baortou). Në vijim, bazuar në programin e qeverisë Halim Gostivari planifikoi, drejtoi e konkretizoi masat efikase duke organizuar Policinë edhe në Durrës, Kavajë, Shijak, Krujë (qarku i Durrësit), pastaj në Berat, Lushnjë, Fier, Mallakastër e Skrapar (qarku Berat), kurse në vjeshtë të vitit 1920 mundi të organizojë Policinë edhe në Korçë, Vlorë e Gjirokastër. Krahas detyrave të shumta, “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë”, Halim Gostivari, ka arritur të hartojë rregulloren e parë të Policisë, duke përmirësuar dukshëm atë të vitit 1919, e konsideruar “e përkohshme”, me pak nene, por me përmbajtje koncize, pjesë të së cilës janë të mishëruara edhe në rregulloret e mëvonshme të Policisë. Po kështu, në muajin shtator të vitit 1920, Gostivari hartoi dhe mundi të miratojë në strukturat eprore “Rregullore për pranimin e komiserëve dhe nënkomiserëve”, e cila përcaktonte kushtet e reja për pranimin e komiserëve dhe nënkomiserëve të Policisë, Në fillimin e 3-mujorit të fundit, të vitit 1920, Halim Gostivari mundi të ndjejë kënaqësinë e punës vetëmohuese në organizimin e Policisë, mbasi më 12 tetor 1920, Këshilli i Ministrave miratoi organikën e Policisë me përbërje: 5 komiserë të klasës së parë, 5 komiserë të klasës së dytë, 13 komiserë të klasës së tretë, 23 nënkomiserë dhe 160 policë, duke shënuar kështu një rritje të dukshme të sasisë e cilësisë së saj. Halim Gostivari shpalosi qartësi të madhe, si “Drejtor i Përgjithshëm i Qetësisë”, edhe për uniformën e Policisë, me qëllim që t’i jepte asaj pamjen serioze e prezantimin e merituar të një strukture në mbrojtje të qetësisë e të zbatimit të ligjit, në emër të shtetit.
Më 17 dhjetor 1920, me propozim të ministrit të Brendshëm, Xhaferr bej Ypi, Halim bej Jakova-Gostivari, do të shkarkohet nga detyra, duke i lëshuar vendin juristit Ahmet Sinani nga Elbasani. Më 20 dhjetor 1920, ka filluar të nënshkruajë në funksionin “Drejtor i Shtetit Civil”, duke pasur zëvendës të tij Izedin Beshirin. Në fundin e muajit prill 1922, Halim Gostivari kaloi në funksionin “Inspektor i Ministrisë së Punëve të Brendshme”. Pas largimit nga detyra e “Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”, të Veli Vasjari, Ahmet Zogu i trembur pa masë nga situata e krijuar në mars 1922, gjykoi të thërrasë përsëri në krye të Policisë ish-besnikun e tij, Halim Jakova-Gostivari, duke e caktuar “zëvendësisht në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë”, ku do të qëndrojë gjatë muajve maj, qershor, korrik e gusht të vitit 1922.
Të saktësojmë edhe faktin se Halim Gostivari pati dhënë prova të “hetuesit të pakompromis” në hetimin kundër Osman Balit, më 1920, duke vepruar me zell e përkushtim në hetimin e këtij grupi antiqeveritar, i cili vepronte hapur me porosi e mbështetje nga jashtë të Esad pashë Toptanit. Po kështu ai vu në krye të grupit hetimor për “Lëvizjen e marsit”, ku u morën të pandehur miqtë e tij të Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës: patriotët Hasan Prishtina, Bajram Curri, Hysni Curri, Hoxha Kadri Prishtina dhe të tjerë si Mustafa Kruja, Elez Isufi, Halit Lleshi, Irfan Ohri, e plot kundërshtarë të Ahmet begut, përfshirë edhe Azem Galica e Xhaferr Preza gjithsej 94 persona të hetuar e të dënuar.
Halim Gostivari, në periudhën 1922-1923, ka qenë i zgjedhur deputet i Prefekturës së Kosovës, në Këshillin Kombëtar të Shqipërisë. Halim Gostivari. Pas disa muajve, më 25 shtator 1923, do të largohet nga “Partia Popullore”, së bashku me 8 deputetë të tjetër me në krye kryetarin e shumicës parlamentare, Bedri Pejani dhe Qamil Gjilani, Ali Koprencka, Qemal Mulla, Mustafa Maksuti, Leonidha Frashëri, Qemal Vrioni, S. Papo, duke mos qenë dakord me projektligjin e koncesionit të vajgurit dhe “tue mos pasë bindje (besim-H.L) në qeverie”, gjë e cila nuk e ka kënaqur mikun e vjetër Ahmet Zogu dhe partizanët e tij, Salih Vuçitërna e Fiqiri Rusi, që dolën hapur kundër vullnetit të shumicës, duke sabotuar dinakërisht procedurën e dhënies së koncesionit kompanisë britanike, për ta shfrytëzuar më vonë çështjen e vajgurit në favor të qëllimeve të tij gllabëruese. Halim Gostivari nuk ka llogaritur kurrë, asgjë, para ndërgjegjes së vet, ndaj nuk u bë palë e kësaj situate, krijuar në parlamentin shqiptar e në Partinë Popullore, ku Zogu kishte nisur rrugën kundër shumicës. Ky moment ka qenë një ogur jo i mirë për të ardhmen politike të Halim Gostivarit, mbasi Zogu përkrahte ata që i plotësonin qëllimet atij. Pas largimit nga “Partia Popullore”, Halimi iu kthye më fuqimisht miqve të hershëm të periudhës së rinisë: Rexhep Mitrovicës, Hoxha Kadri Prishtinës, Sejfi Vllamasit, Bajram Fevziut, Bajram Currit, Hysni Currit, etj. Në janar 1924 u emërua prefekt i Beratit, ndërsa më 18 janar 1924, ka kaluar në detyrën e prefektit në Vlorë. Halim Jakova-Gostivari qe përkrahës i “Lëvizjes së qershorit 1924”. Halim Jakova-Gostivari, ka qenë i zgjedhur delegat i Kolonjës në kongresin mysliman, të zhvilluar në periudhën 23 shkurt-14 mars 1923, në Tiranë, i propozuar nga miku i tij, kolonjari Bajram Fevziu, dhe i mbështetur prej Sejfi Vllamasit.
U shua në mëngjesin e së hënës, më 1 gusht 1927, në moshën 49 vjeçare, U varros me nderime familjare e të miqve bashkëmendimtarë, po atë ditë që u nda nga jeta e mundimshme për Shqipërinë, kurse “kortezhit” iu bashkua një numër i madh njerëzish, banorë të Tiranës dhe kosovarë që u ndodhen atë ditë në Tiranë. Në varrimin e Halim Gostivarit, foli veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Bajram Fevziu, dhe studenti kosovar Xheladin Tufa, të cilët spikatën kontributin e Gostivarit për kombin shqiptar dhe shtetin Shqipëri. Nipi i Halimit, Shyqyri Gjakova, do ta botojë një mesazh falënderimi për pjesëmarrësit dhe oratorët pranë varrit të sapo mbuluar të Halim Gostivarit.
……………………………………….
LIBRI I RI NGA HILË LUSHAKU
__________________________________