EMIN HALIMI: HERONJ E TRADHTARË

(Skenderaj, 08. 11. 2012) – Kufiri në mes të atdhetarisë dhe tradhtisë është bërë aq relativ sa nuk është çudi që një ditë të ngrysesh atdhetar e të nesërmën të gdhihesh tradhtar. Jo, ti je i njëjti që ishe një ditë më parë, por ata që i japin vetës të drejtë ta vendosin këtë kufi ku të duan, e kanë lëvizur atë natën dhe ti, papritmas, ke mbetur në anën tjetër të ‘kufirit’. … Përulemi para shumë gjeneralësh betejash virtuale, ndërkohë që heronjtë e vërtetë të betejave reale, ose nuk jetojnë më dhe përkujtohen nëpër përvjetorë, ose jetojnë të pavërejtur e të panderuar, në mesin tonë. Gjithë ata luftëtarë anonimë, të cilët si trofe lufte bartin paterica e vrragë në trup e në shpirt, sot jetojnë në skamje e pa respekt. Dhe ka rrezik të shkilen nga xhipat e ish komandantëve të tyre, të cilët edhe për një gëvishje gëzojnë, me gjithë familjet e tyre, të gjitha beneficionet që ‘ua lejon’ ligji, si invalidë të rëndë apo veteranë lufte.
Përsiatje mbi shkaqet e mallkimit që na ndjek
Në vitin jubilar, në 100 vjetorin e krijimit të një shteti shqiptar, të përmendësh fjalën mallkim, mund të duket si herezi, blasfemi. Në mos për asgjë tjetër, atëherë për faktin se prish idilin e shqiptarëve me të kaluarën e lavdishme heroike, kreshnike, legjendare, revolucionare…
Po të mohosh se ka pasur episode të tilla gjatë jetës së gjatë të këtij populli, bën faj të pafalshëm, por të pohosh se e gjithë jeta e tij ka qenë e tillë, heroike, dhe sidomos të fajësosh këtë popull pse nuk ka qenë i tillë, bën gabim. Në mos për asgje tjetër,atëherë për faktin se jeta e asnjë populli nuk ka qenë gjithmonë heroike, prandaj s’ka pse të kërkohet, padrejtësisht, nga populli ynë diçka që s’e ka kurrkush.
Periudha më e lavdishme, me të cilën krenohet ky popull, është padyshim periudha e Skenderbeut. Është e largët kjo kohë, prandaj s’kemi nevojë as dobi ta kontestojmë lavdinë e saj. S’mund të na e kontestojnë as të tjerët dhe kjo është gjë e mirë. Kryeheroin kemi nisur ta kontestojmë vetë… Shekuj të tërë, të mugët, të errët kanë hyrë në mes të kësaj periudhe dhe periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur edhe populli ynë u zgjua, u ringjall… Edhe nga koha kur po jetojmë, mund të hidhet dritë e mjaftueshme për ta vlerësuar objektivisht gjithë këtë periudhë dramatike, vendimtare për fatin e popullit tonë deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, një shtet torzo, “e lirë e e mosvarme”. Pale, pastaj, periudha pas saj. Drita që zbardh të gjitha ngjarjet është aq e fortë, sa që herë-herë është e padurueshme.

Toka dhe populli ynë u copëtuan pamëshirë nga të huajt dhe kështu mbetëm gjithmonë objekt plaçkitjeje e tkurrjeje!

………………………………………………………

Toka dhe populli ynë u copëtuan pamëshirë nga të huajt. Ne si popull i pazot (jo i pazoti) ramë pre e atyre që kishte kush t’u dilte zot. Faji i dalëzotësve të këtyre fqinjve tanë grabitçarë është evident dhe i pamohueshëm, ndërkohë që fajësia e grabitçarëve është relative. Në kohë turbullirash, grabit kush çka mundet. Natyrisht, më të fortët e më të pafytyrët marrin pjesën më të madhe të plaçkës. Fakti pse ne mbetëm objekt plaçkitjeje është i ditur. S’do të merremi me atë se a patëm apo nuk patëm faj pse gjysma e tokave dhe e popullit tonë mbetën ende të pushtuara edhe për më se një shekull. 
Pas pavarësisë së Kosovës, vazhdojnë të mbetën të pushtuara ende shumë troje shqiptare. Të supozojmë se as për këtë nuk kemi faj. Sepse edhe na vjen më lehtë që fajin gjithmonë t’ua hedhim të tjerëve. Morali i një sjelljeje të tillë, ndërkohë që fajin nuk e kërkojmë më parë të vetja, është i diskutueshëm…
Ajo që dhemb e duhet ta diskutojmë, është sjellja jonë me këto copa shtetesh, të ngjizura nga shumë gjak e përpjekje shekullore të brezave, mbi të cilat kemi ‘sovranitet’ e për të cilat pyetemi ne. Është e dhimbshme të kujtosh papërgjegjësinë e atyre që drejtuan e drejtojnë këto krijesa në formë shtetesh. Është pak a shumë e falshme sjellja e drejtuesve të shtetit të parë, të sapokrijuar, shqiptar, të cilët edhe mund të amnistohen nga faji për shkak se terri pesëshekullor u kishte errësuar mendjen dhe, sikur dikush që nga errësira e thellë del në dritë të fortë, edhe këta ndeshnin kokën sa andej sa këndej duke mos gjetur rrugën kah të orientoheshin.
Po si të arsyetohet sjellja arrogante, primitive e drejtuesve të shtetit komunist shqiptar gjatë pesë dekadave – në dritë?
Ata kishin ndryrë vetvetën në geto. Po të ishte dryri nga jashtë, atë edhe mund ta shkyçte dikush, por kur ndryn vetën… Dhe, në këtë geto, pa i parë kush, masakronin një popull të tërë dhe më në fund edhe njëri-tjetrin.
Për çka ndodhte e gjithë kjo?
Për të ruajtur privilegjet që u jepte pushteti. Për asgjë tjetër!
Po këto pushtetet ‘e reja’ andej e këndej kufirit si sillen?
Ndoshta vrasin më pak. Papërgjegjësia, makutëria, babëzia janë po ato që i karakterizonin të parët, në mos më të mëdha. Sigurisht më të mëdha. Në atë kohë mund të flitej për një jetë luksoze të pushtetarëve krahasuar me njerëzit e thjeshtë, por jo për miliona të fituar kundër ligjit dhe jetë luksoze, tanimë jo krahasuar vetëm me njerëzit e thjeshtë, por edhe me milionerët europianë. Motivi është po ai: të ruhen me çdo kusht privilegjet. Sado që e kanë gojën plot atdhetari, demokraci, shtetndërtim, integrime europiane… askush nuk u beson më. Të gjithë janë të bindur se askush prej tyre nuk ngryset as gdhihet me dertin e qytetarëve as të shtetit, por me merakun se si të zaptojnë edhe diçka që ka mbetur. Me një fjalë, si të vjedhin e të poshtërojnë deri në mjerim këtë popull, edhe ashtu të mjerë. Për këtë kanë dhënë prova të mjaftueshme tashmë.
Ky mallkim, ky kob po godet shumicën e madhe, jo pakicën abuzuese.
Pse?
A mos kemi bërë faje kolektive për t’u ndëshkuar kështu?
Besoj se jo.
Të tjerë, që i kemi në fqinjësi të afërt, kanë bërë, në sy të botës, mjaft faje të tilla, por, çuditërisht, i kanë punët shumë më mirë se ne. Ballkani është fundi i Europës, e ne në fund të Ballkanit. Dmth në fund të fundit!
Pse?
Jemi të prirur t’u referohemi emrave të mëdhenj të historisë, si tanët, që nga Leka i Madh, Pirroja e të tjerë me radhë deri në historinë tonë më të re. Pastaj atyre të kulturës e të humanizmit që nga Homeri, Kadare, të cilin smira shqiptare e lufton më fort se gjithë armiqtë bashkë; Nëna Tereze, për të cilën ka admirin e gjithë bota e qytetëruar veç shqiptarëve… Pastaj kodeve tona morale si besa, nderi, burrëria, përmes përvetësimit të akteve individuale si virtyte kolektive. Dhe, përvetësimi e admirimi i këtyre virtyteve me të drejtë mund të quhet si një bekim, në saje të të cilit kemi arritur, të patretur, deri këtu. Por, po të ndodhnin akte të kundërta, edhe nga individë, a do të pranoheshin si tonat? Në se të parat pranohen, duhet të pranohen edhe të dytat. Në se të parat janë bekim, të dytat janë, patjetër, mallkim.
Besa, fat a fatalitet
Që në fëmini jemi njohur me aktin e pashëmbullt të respektimit të besës, që ka ndodhur ndoshta shekuj më parë: Dikush vret një njeri. Në panik e sipër, futet në një shtëpi. Ndjekësit e gjejnë dhe tregojnë se ky ka vrarë një mashkull të pokësaj shtëpie. Besa nuk lejon që ai të preket, edhepse ka vrarë ndoshta djalin e vetëm të kësaj shtëpie! Në këtë rast vrasësi dhe i vrari ishin shqiptarë. Flitet për një rast tjetër, tragjikisht të kundërt, i ndodhur në kohë të vona: Një polic malazez (apo serb, krejt njësoj) vret dy eprorë të tij serbë, me grada të larta. Sebepi: prona e një shqiptari të cilën ky e kishte marrë në mbrojtje. I ndodhur në situatën që ose ta vriste vetën, ose të dorëzohej që ta vrisnin të vetët, zgjodhi një rrugë të tretë: vendos t’i dorëzohet BESËS shqiptare. Kishte dëgjuar një histori të ndodhur njëqind vjet më parë: Në luftë, një malazez vret një shqiptar. Plagoset edhe vetë. Në ikje e sipër hyn në një shtëpi, pa e ditur se ku ka hyrë. Ndjekësit e gjejnë dhe ia kërkojnë të zonjës së shtëpisë që t’ua dorëzojë sepse ai sapo kishte vrarë të birin e saj. Kjo, jo vetëm që nuk e dorëzon, por ia lidh plagët dhe e përcjell deri në sinorët e krahinës…
Ky polici ishte i bindur se ishte në një situatë shumë më të favorshëm se bashkëkombësi i tij një shekull më parë. Në fund të fundit, ky, për hesap të vet, u kishte kryer një punë të madhe shqiptarëve. Punë të cilën ata nuk e bënin dot. Dhe nuk ishte dalluar për sjellje të këqija ndaj shqiptarëve gjatë gjithë shërbimit të tij si polic në qytezë. As në kohë lufte. Dhe …
Nderi, burrnia
Midis mburrjesh të shumta, nderi dhe burrnia, janë motivet për të cilat ‘japim jetën si me le’. Janë të panumërta rastet kur vetëm për një fjalë goje, e cila edhe terthorazi ka mundur ta lëndonte nderin, sedrën e burrninë e shqiptarit, të shkojë gjaku rrëke. Në oda burrash tregohet një ndodhi: Një shtegtar, ndoshta cub, has një grua që po merrte ujë në krua. I lyp ujë dhe ajo i jep. Ky e puth. Ajo tregon në shtëpi. Dalin e e vrasin shtegtarin dhe i çojnë fjalë shtëpisë së tij: A po na përgjigjesh që na e more f’tyrën? Këta nuk përgjigjen duke menduar se ‘fytyra’ u la me gjakun e derdhur të mashkullit të tyre. Dalin e e vrasin edhe një tjetër duke ua përsëritur të njëjtën pyetje: A po përgjigjesh që na e more f’tyrën?! Kështu, u bënë nëntë gjaqe! Bijnë fiset ndërmjet dhe pasi e pleqërojnë punën hollë e hollë, të vrarët i lënë gjakhumbur! ‘Fytyra nuk lahet me asgjë!’
Sa fytyra na është marrë nga të huaj, në mënyra brutale, por edhe nga ‘tanët’ në mënyra më të sofistikuara…
Sa gratë, motrat a bijat tona i kemi soditur nga maja e malit duke na i marrë serbët, për të bërë çfarë të duan me to?! Edhe për këtë turp, urtia e popullit ka gjetur dërman: Zori nuk t’korit! Dhe, vërtet ashtu është. Por turpi ndodh pastaj: Kur ‘trimat’ bëjnë gropë gjoksin duke e rrahur për të rrëfyer heroizmat që paskan bërë, ndërkohë që të gjithë këta rrahagjoksë kanë parë skena të tilla, bizare, pa qenë të zotët të ndërmarrin asgjë. Është vetëm një përjashtim: Adem Jashari. Ai ishte betuar se për të gjallë të tij nuk do të ndodhte që milici serb të hynte e të urdhëronte: gratë këndej, burrat andej! Ai zgjodhi rrugën që dihet, të tjerë zgjodhën rrugë të tjera. Nuk është e drejtë që edhe këta të tjerët të akuzohen për mosmartirizim, por neverit kapardisja e tyre.

………………………………………………………..

Heronj dhe tradhtarë
Kufiri në mes të atdhetarisë dhe tradhtisë është bërë aq relativ sa nuk është çudi që një ditë të ngrysesh atdhetar e të nesërmën të gdhihesh tradhtar.
Jo, ti je i njëjti që ishe një ditë më parë, por ata që i japin vetës të drejtë ta vendosin këtë kufi ku të duan, e kanë lëvizur atë natën dhe ti, papritmas, ke mbetur në anën tjetër të ‘kufirit’.
Në fillim të luftës së fundit ndodhi një tragjedi. Dikush u zuri pritë para dyerve të dikujt tjetër policëve serbë. I vrau disa nga ta. U plagos rëndë edhe vetë nga njëri polic që kishte shpëtuar. U fut në ato dyer, para të cilave kishte zënë pritë dhe pas pak vdes. Familjarët e kësaj shtëpie e fshehin. Polici tregon dyert prej nga i ishin vrarë shokët. Dhjetë meshkujt e kësaj shtëpie të ndodhur në shtëpi, vritën një nga një gjatë një nate të tërë, me torturë të tmerrshme dhe nuk e tregojnë njeriun e strehuar (besa). Ata që kanë mbetur nga kjo familje, përveç dhimbjes së madhe për meshkujt e humbur i ekspozohen shikimit të vëngërt, dashakeq, të rojave të këtij kufiri, duke u quajtur madje edhe tradhtarë… Ndërkohë që tjetri, i strehuari, është hero.
Gjatë luftës, në një rrethim u ndodh edhe një intelektual, pinjoll i një familjeje me traditë atdhetare, i cili kishte vendosur të mos ndahej nga familja. I propozuan të largohej sepse ishte në sy. Kishte qenë i burgosur politik, më vonë i angazhuar në përgatitjen e luftës, për ç’gjë kërkohej nga policia. Kësaj i kishin thënë se ai ndodhej jashtë, në Gjermani. Ditën kritike, një maskë, përmes së cilës shquheshin dy sy gurkali, mbase të njohur, i thërret “profesor!” Një bashkëvendës i tij, po ashtu profesor, i cili edhe ai kishte vendosur të mos ndahej nga familja, kthen kokën i trembur. Jo, jo, i thonë, ai tjetri. ”Ti duhet të ishe në Gjermani”, i thonë. E marrin, e ndajnë nga familja dhe, disa hapa më tej, e pushkatojnë! Rojet vigjilente të ‘kufirit’ nuk kanë lejuar kurrsesi që ai të kalojë në taborrin e dëshmorëve! Sado që shkolla e fshatit mban emrin e tij, me këmbënguljen e fshatit, i cili e kishte njohur mirë birin e tij.
Përulja mjerane para heronjve fiktivë
Populli ynë ka shumë heronj. Ndoshta për këtë shkak ka pasur aq pak liri(!?). U jemi përkulur me pietet. Dhe u përkulemi. Dhe bëjmë mirë që iu përkulemi të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë tonë. Po edhe ndonjë të gjalli që nuk ka derdhur gjak, po ka bërë punë heroike për të ardhmen tonë, nuk do të gabonim po t’i përkuleshim. Mirënjohja është shenjë civilizimi.
Por morali i përkuljes para heronjve të vërtetë dhe i përuljes para atyre fiktivë ndryshon. Përulemi para shumë gjeneralësh betejash virtuale, ndërkohë që heronjtë e vërtetë të betejave reale, ose nuk jetojnë më dhe përkujtohen nëpër përvjetorë, ose jetojnë të pavërejtur e të panderuar, në mesin tonë. Gjithë ata luftëtarë anonimë, të cilët si trofe lufte bartin paterica e vrragë në trup e në shpirt, sot jetojnë në skamje e pa respekt. Dhe ka rrezik të shkilen nga xhipat e ish komandantëve të tyre, të cilët edhe për një gëvishje gëzojnë, me gjithë familjet e tyre, të gjitha beneficionet që ‘ua lejon’ ligji, si invalidë të rëndë apo veteranë lufte. Ndërkohë që gratë, të cilat bartën një pjesë të dhimbshme të barrës së luftës; fëmijët e asaj kohe – që tashmë nuk janë fëmijë; pleqtë – në se ka mbetur ndonjë nga ajo kohë, paguajnë sot për së dyti taksën e lartë për gjithë atë sakrificë nga e cila, në vend se të ndëshkohen me skamje e përbuzje, do të duhej të fitonin diçka edhe ata.
Këto duhet të jenë disa nga shkaqet e mallkimit që po na ndjek.
– Autori është ekonomist i diplomuar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura