Pashtriku.org, 19. 03. 2013 – Çka mund të thuhet për demonstratat e pranverës së vitit ´81? Së pari, ato janë vazhdimësi e Lëvizjes sonë Kombëtare, që filloj të konsolidohet sërish atëherë kur u pa se përfundimisht gjysma e trojeve tona mbetën prap nën kthetrat e pushtuesve sllavë. Përveç se vazhdimësi ato përbëjnë kthesën më të madhe deri në fillimin e luftës së armatosur kundër Sebisë. Ato i rrënuan përgjithmonë të gjitha urat midis Kosovës dhe Serbisë. Ato parullën antishqiptare të “bashkim’vëllazërimit” e palosën në arkivol dhe e përcollën për në Beograd përgjithmonë. Ato e ndërkomtarizuan çështjen shqiptare në Evropë e më gjerë në kuptimin e plotë të fjalës.
Duke e pasur parasyshë këtë auditorium dhe synimin tim që edhe kjo fjalë rasti për demonstratat e vitit 81 të jetë pjesë e respektit për të, në vend të një pasqyrimi rutinor të asaj panorame të zhvillinit të tyre, u përcaktova që t`u çasem disa çështjeve, rreth të cilave është zhvilluar një diskutim, respektivisht janë shprehur mendime të ndryshme gjatë kësaj periudhe.
– Prill 1981 –
Duke filluar me emërtesat, sepse edhe ato shprehin segmente të përmbajtjes, madje ndonjëherë më shumë se kaç. Ne, shqiptarët, ngjarjet e atij viti ndonjëherë i kemi quajtur edhe kryengritje, përmasë që ato në fakt nuk e kishin. Ndërkaç, pushtuesi ato i pakëzoi hiq më pak se kundërrevolucion, kërkesën që Kosova të ketë statusin e republikës e kualifikuan si armiqësore, prandaj edhe protagonistët e atyre ngjarjeve ishin armiqë. Kjo ju dukej pak, prandaj më vonë na quajtën irredentistë e seperatistë. Tashti, çfarë ka të qëndrueshme në këtë ylber emërtesash, duke u mbështetur në shpjegimin shkencor që u është bërë këtyre termave?
Ngjarjet e vitit `81 nuk ishin kundërrevolucion, e dinin edhe ata që e lansuan; por ishte alibia që u hapte shtek për t´u vërsulur mbi Kosovën në të gjitha format dhe me të gjitha mjetet gjoja për t´ia këputur të gjitha fijet atij kundërrevolucioni, duke filluar me denimet drakoniane që iu shqiptuan bartësve të atyre ngjarjeve dhe për t´i arsyetuar reprezaljet policore dhe ushtarake që i ushtruan atë vit mbi rininë dhe mbi popullin shiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera etnike.
A kishin ngjarjet nuanca irredentizmi?
Po, synonim që trojet tona t´i nxjerrnim nga këthetrat e pushtuesit sërb, përmes konstituimit të Kosovës Republikë që si kërkesë politike u shpreh në ato demonstrata gjithëpopullore. Dhe kur panë se me atë etiketë tërthorazi na jipkan të drejtë, e tërhoqen dhe na quajtën siç e thashë më lartë seperatistë, meqë kërkesat tona në këtë rast për Republikën e Kosovës nuk kishin kurrëfarë baze për shkëputje as historike, as juridike prandaj as politike.
A kishte bazë pohimi i Beogradit se Republika e Kososovës me të drejtën për shkëputje, siç e kishte në letër, pra në Kushtetutë, çdo njësi federale do ta shfrytëzonte atë në rastin e volitshem dhe do t´i bashkohej Shqipërisë?
Po, edhe ajo synohej dhe do të synohet edhe tani ndonëse jemi shtet i pavarur por atje s´kemi arritur ende.
A kishin fakte?
Po, me ndonjë përjashtim të rrallë, të gjitha organizatat ilegale që nga´45’sta në programet e tyre e kishin të shkruar se qëllimi i parë dhe i fundit ishte çlirimi i trojve tona dhe bashkimi me shtetin amë.
A kishim të drejtë në këtë rrugëtim?
Po, si çdo komb edhe shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë në trojet e veta të bashkuar në një shtet të vetëm.
A vepruam drejtë?
Po, sepse siç e kanë thënë studiuesit, çdo lëvizje që i fsheh synimet e veta është e destinuar të dështoj.
Udhëheqja e atëhershme e Kosovës, deshi apo nuk deshi dikush, e pranoj verdiktin e Beogradit për demonstratat e Kosovës. E thashë kështu për të bërë një parantezë të shkurtër por jo të panjohur. Siç dihet, kërkesa për Kosovën Republikë u shtrua nga institucionet legale të Kosovës në verën e ´68’tës. Por, kur Monarku u tha jo, ato u ndalën. Atëherë stafetën e mori Lëvizja Ilegale dhe e ngritit me 27 Nëntor, datë kjo që i pati pararendëset ashtu edhe pasardhëset aso vjeshte, anë e kënd Kosovës dhe përtej saj në trojet tona etnike. Edhe sikur ta kishin në tavolinë, ndoshta dikush do ta shtynte. Të tillët e kanë një emër të përbashkët. Po, atyre që do t´u shkonte për zemër Republika pse nuk e mbështetën popullin aso Pranvere; nuk qenë në gjendje të sakrifikojnë, në rrafshin politik pa dyshim, e për më tej pikëpyetjet nuk mund të mënjanohen. Nuk mund të mënjanohen sepse këtë e dëshmon rasti i Ukshin Hotit, i cili ishte i vetmi që nga dy llogoret – i politikës dhe i intelegjencisë – e mbrojti kërkesën për Republikën e Kosovës. Ç´është e vërteta, siç dihet disa nga llogorja e dytë arritën që të heshtin dhe, edhe për këtë heshtje paguan një farë çmimi.
Siç do të shihet më poshtë Beogradi e akuzoi udhëheqjen politike të Kosovës si bashkë fajtore për demonstratat e asaj pranvere, sepse nuk paska qenë vigjilente dhe s´ia ka ndalur turrin nacionalizmit shqiptar. Ndoshta është akuzuar se edhe e ka mbështetur. Se nuk do të realizohej synimi edhe sikur të rebelohej udhëheqja politike e Kosovës dëshmon rrugëtimi ynë i mëvonshëm drejt lirisë. Thënë më shkurt dhe më qartë se pa luftën e armatosur frytet do të mungonin siç na munguan deri në marsin e ´98’tës ku në Prekaz me Epopenë e UÇK’së e hapëm faqen e re e të lavdishme të historisë sonë, por para së gjithash të ardhmes sonë. Megjithatë, edhe po të donim nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë ai gjunjëzim dhe në ato përmasa i udhëheqjes politike të Kosovës. Ajo Pranverë kërkoi që në emër të kauzës kombëtare t´i përgjigjeshin kohës dhe rrethanave nga të dyja llogoret e cekura më sipër. T´i prinin ose ta ndiçnin atë që i doli zot asaj pranvere. Pa asnjë dyshim Kosova nuk do të pësonte më shumë se ç´pësoi. Duke e mbyllur këtë segment mund të thuhet se sikur edhe për aspektet e tjera shkenca jonë historiografike ka ende punë për të bërë.
Çështja tjetër e nxehtë me thonjëza e pa to ishte se kush ia kurdisi atë bombë Jugosllavisë?
Beogradi heshti në ditët e para, heshti deri atëherë kur Shqipëria e mbështeti haptas kërkesën për Kosovën Republikë si të drejtë, meqë vetë populli e kërkonte atë zgjidhje politike; i mori nën mbrojtje demonstruesit, e denoi dhunën e paskurpullt që pushtuesi e ushtroi aso pranvere në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Beogradi mënjëherë e drejtoi gishtin nga Tirana, e cila ia ktheu mbrapsht me ashpërsi se ajo nuk kishte dorë aspak në ato që kishin ndodhur në Kosovë. Ndërkaq, ia përsëriti se nuk do të pushoj së mbrojturi për asnjë çast të drejtat e gjysmës së kombit që jetonte në trojet e veta. Kjo që u tha nuk mund të kapërcehet pa e demonstruar së paku me katër – pesë rreshta: “Ne e kemi thënë dhe po e themi se do të interesohemi për vëllezërit tanë shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre në Jugosllavi, do t´i mbrojmë ata siç i kemi mbrojtur kur u bëhen padrejtësi dhe ligësi”. Qëndrime të tilla politike, madje edhe më të ashpëra janë shprehur gjatë asaj pranvere, por edhe para e pas saj dhe janë të njohura për opinionin që ështëi interesuar të di këtët të vërtetë.
Ndër klithmat rreth asaj se kush mund të qëndronte pas demonstratave ishte edhe ajo se ato mund t´i ketë organizuar edhe shërbimi sekret serb e jugosllav me qëllim që ta hapin shtekun për t´iu vërsulur Kosovës. Ishte kjo akuza më fyese, më denigruese dhe më apsurde që i bëhej një populli të tërë. Demonstratat i organizoi populli shqiptar. Prologu i tyre u takon studentëve, ndërkaq të tjerat që morën karakter gjithëpopullor i organizuan pjesëmarrësit – arsimtarët, nxënësit, punëtorët, fshatarë e qytetarë, pra të gjitha shtresat. Ndërkaq, pjesëtarët e organizatave ilegale kanë pasur rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm, meqë për atë që ndodhi kishin punuar me vite dhe më në fund i dolën në ballë. Por duhet thënë se nuk mungojnë prova se edhe nga ata që në fakt nuk ishin të organizuar dëshmuan guxim aso përmasash që mund t´u merret lakmi. Pa pjesëmarrjen e tyre, pra të masës anonime demonstratat nuk do ti kishin ato përmasa çfarë i patën. Demonstratat e vitit´81 ishin fryt i ngritjes i vetëdijës kombëtare të studentëve, nxënësve, punëtorëve – i tërë popullit shqiptar.
U frymëzuan nga e kaluara jonë heroike, u frymëzuan nga shtresa e cila vendosi vazhdimisht të sakrifikohej për çështjen kombëtare, ishin ata që dergjeshin nëpër burgjet e Jugosllavisë pushtuese. Në ngritjen e kësaj vetëdije ndikoi në përmasa mjaft të mëdha veprimtaria në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës që u zhvillua midis Kosovës dhe Shqipërisë në vitet e ´70 – jeta. Sa për ilustrim më duhet t´i citoj katër – pesë rreshta: “Pra, të mos e përsëris, në Kosovë kanë importuar profesorë nga Tirana, të cilët kanë bërë thyerje historike në Prishtinë. Unë e di se kjo që po ndodh në Kosovë nuk është vetëm veprimtari antijugosllave, por ky është edhe akt antishtetëror dhe këtë duhet ta ndalojmë me urgjencë”. Këto janë vetëm disa nga shqetësimet që Titoja ia prezentoi udhëheqjes më të lartë politike dhe ushtarake të vendit në takimin e Karagjorgjevës në fund të vitit ´79’tës në pjesën ku trajtohej gjendja në Kosovë.
Çështja tjetër që dua ta prek sa më shkurt është mendimi i shprehur se demonstratat paskan qenë të parakohshme. Kjo pikëpamje nuk gjenë mbështetje në fakte, ato, përkundrazi, argumentojnë të kundërtën. Megjithëse nuk janë të karakterit përcaktues se kështu është vepruar gjithmonë po theksoj se ne shqiptarët për shkak se kemi qenë nën kthetrat e pushtuesve në radhë të parë e pastaj edhe për shkak të huqeve tona, rrallë kemi arritur ta hedhim hapin me kohën, pra kryesisht jemi të vonuar. Së dyti, gjithë çka që është e parakohshme është e destinuar të përfundoj pa fryte.
Ishin të tilla demonstratat e vitit ´81?
Në asnjë mënyrë, siç do të shihet më poshtë, gjithashtu me sa më pak rreshta. Ndërkaq, me dërdëllitjet se ato ishin edhe të dëmshme për Kosovën, e kthyen pas për dekada të tëra, se atë që u kërkua do ta realizonin për mes institucionëve, meqë ishin mjaft afër cakut e të tjera, se ishin të tilla, pra dërdëllitje fanatikësh pa formim Politik kombëtar e dëshmoi vet koha, prandaj nuk ia vlenë të merret askush me to.
Ju sollëm rreth e qark përmendores dhe tani jemi përballë saj.
Çka mund të thuhet për demonstratat e pranverës së vitit ´81?
Së pari, ato janë vazhdimësi e Lëvizjes sonë Kombëtare, që filloj të konsolidohet sërish atëherë kur u pa se përfundimisht gjysma e trojeve tona mbetën prap nën kthetrat e pushtuesve sllavë. Përveç se vazhdimësi ato përbëjnë kthesën më të madhe deri në fillimin e luftës së armatosur kundër Sebisë. Ato i rrënuan përgjithmonë të gjitha urat midis Kosovës dhe Serbisë. Ato parullën antishqiptare të “bashkim’ vëllazërimit” e palosën në arkivol dhe e përcollën për në Beograd përgjithmonë. Ato e ndërkomtarizuan çështjen shqiptare në Evropë e më gjerë në kuptimin e plotë të fjalës. Këto janë vetëm pak fakte që dëshmojnë se demonstratat e vitit ´81 nuk ishin të parakohshme, përkundrazi ishin pararendëse, udhërrefyese madje gurrë frymzimi për të ardhmen.
Duke e përfunduar nuk mundem pa u përulur, si gjithmonë, para të rënëve për lirinë e vendit!