Durrës, 08. 10. 2013 – Filloi edhe këtë herë viti i ri akademik në universitetet e Rep.së Shqipërisë. U vunë në dukje problemet, u bënë kërkesat, u dhanë premtimet. Mund të shtrohen e të numërohen edhe 150 probleme të tjerë, por problem kryesor mbetet po ai:
– Sa dhe si di të shkruajë studenti?
– A i dallon në të shkruar A-në nga O-ja, E-në nga Ë-ja dhe nga C-ja, G-në nga Q-ja? Apo i shkruan njësoj, si A-në, si O-në; si E-në, Ë-në edhe C-në; si G-në edhe Q-në; si H-në edhe B-në?
– Si lexon studenti?
– A lexon rrjedhshëm apo duke belbëzuar?
– Ç’kulturë ka marrë studenti nga leximet?
– Dmth, sa erudit është studenti ynë?
– Si e sa e zotëron studenti matematikën?
– Sa e njeh studenti fizikën?
– Sa i njeh: kiminë, biologjinë?
– A e ka shprehi marrjen me sport apo di vetëm të pijë kafe dhe duhan?
– A ka mësuar gjë nga lënda e gjeografisë studenti?
– A e njeh gjeografinë, po them?!
A e njeh historinë studenti ynë, kombëtaren dhe botëroren?
– Sa edhe deri në çfarë shkalle i zotëron gjuhët e huaja? Jo: Sa vjet gjuhë të huaj ka bërë, por sa i zotëron?
– A i zotëron elementët më të domosdoshëm të informatikës studenti?
– Sa dhe cilët programe të kompjuterit zotëron studenti?
– Cilat janë shprehitë e punës të studentit?
– A di të konspektojë studenti?
– A di t’i përdorë skedat?
– A di të përdorë fjalorët?
– A di të sillet studenti me pedagogët?
– Cila është edukata qytetare e studentit?
– Sa i formuar është studenti në lëmin e etikës?
– A karakterizohet studenti nga humanizmi, apo është “i papërcaktueshëm”, pra, i paformuar?
– A është studenti elokuent, apo s’di t’i lidhë 2 fjalë bashkë?
Pedagogët ankohen: Kështu po na vijnë nga shkollat e mesme! Janë jashtzakonisht të prapambetur!
Shtetërisht, më mirë të themi: amatorisht, po bëhen përpjekje për t’i vënë provimet e maturës në shërbim të arsimit të lartë. Vonë! Shumë vonë është, të kujtohemi për shkollën e lartë, kur nxënësi ka bredhur kot nga klasa në klasë për 12 vjet rresht! Vit pas viti po bëhen kërkime në këtë fushë, e them edhe njëherë: amatoreske, diletanteske dhe burokratike. Rezultatet po tregojnë që maturantët tanë po hyjnë tmerrsisht të papërgatitur në provimet e maturës. Madje, ata po vijnë në maturë edhe pa edukatën përkatëse. Aq pa edukatë po tregohen, sa ka dalë tashmë problemi i kopjimevet më i rëndësishëm se ai i njohurivet dhe po kërkohet ndihma e policisë, që nxënësit të mos na kopjojnë.
Maturës po ia çon të papërgatitur nxënësin viti paraardhës. Vitit II po ia çon të papërgatitur nxënësin viti I.
Aq skandaloze është kjo e vërtetë, sa, me shqetësim alarmues po pyesim:
– Ç’ka bërë ky studenti ynë në 12 vjetët e shkollimit?
– Me se është marrë ky njeri për 12 vjet?
Dhe, kur shohim çfarë ka bërë studenti ynë për 12 vjet, dmth që s’ka bërë asgjë, vetëdijen tonë e kaplon alarmi:
– Po në 12 vjetët që vijnë, ç’rendiment pune do të ketë ky njeri?!
Duke medituar kështu, i ndodhur para këtij realiteti më shumë se indinjues, alarmi sa vjen e shtohet:
– Sa mësues e arsimtarë janë paguar për ta prurë këtë njeri në dyert e universitetit?!
– Sa drejtorë shkollash?!
– Sa roje shkollash?!
– Sa meremetues?!
– Sa dritë elektrike?!
– Sa mjete mësimi?!
– Sa laboratorë?!
– Sa kabinete?!
– Sa biblioteka?!
– Sa tekste shkollorë, që na i grisin për 3 ditë?!
– Sa tavolina?!
– Sa karrike, një pjesë e të cilavet ky i ka thyer?!
– Sa dyer e dritare?!
– Sa shkumës?!
– Sa drejtorë drejtorish?!
– Sa formatorë?!
– Sa metodistë?!
– Sa inspektorë?!
– Sa policë te dera e shkollës?!
– Sa mikrobusë e sa naftë për mikrobusët?!
– Sa i ka kushtuar shtetit për të mbërritur deri këtu ky njeri i paformuar?
– Sa sakrifica sfilitëse e rraskapitëse ka bërë familja, për ta sjellë këtë njeri deri në dyert e këtij universiteti?
– Këtë njeri, i cili nuk di as çorapet t’i lajë vetë dhe që nuk di të rregullojë as krevatin ku fle?
– Këtë njeri, që del në rrugë i pispillosur, por që dhoma e gjumit i qelbet nga këmbët e palara?!
Gjimnazit ia sjell nxënësit, me nivel të ulët në të gjitha pikëpamjet, klasa IX. Klasës IX ia bie klasa VIII. Klasës VIII i jep klasa VII një tufë kalamajsh injorantë, me vetëm 10% apo 3%, apo edhe 12% të atillësh që mund të pranohen. Klasës VII ia ka prurë nxënësit klasa VI, të atillë që nuk dinë as tabelën e shumëzimit, nuk dinë as ç’është folja, as ç’është emri dhe që s’dinë të gjejnë as kryefjalën e kallëzuesin, në një kohë kur e djegin apo e kalbin gjithë kohën me ca lodra plot zhurmë në kompjuter.
Në Kohën e Zogut, kallëzonin gjyshërit, me 4 klasë shkollë njerëzit bëheshin intelektualë të mirëfilltë.
E unë kam punuar një çerek shekulli si mësues në 8-vjeçare e në shkollë të mesme. Kam qenë gjithë jetën kërkues i mënyravet për ta dhënë mësimin sa më mirë dhe për t’i edukuar nxënësit të bëhen njerëz të mirë. I kam dëshmitarë qindra ish-nxënësit e mi.
Por konkluzioni im dhe bindja shumëvjeçare ka qenë dhe mbetet kjo: Në shkollën, dikur 8-vjeçare e tash 9-vjeçare, kalimin nga klasa në klasë duhet ta vendosë, jo mësuesi që e mëson nxënësin, por mësuesi që do ta mësojë atë vitin që vjen.
Kjo metodë pune, këtë herë jo metodë me nxënësin, por me mësuesin, do të quhej: METODA E MARRJES SË NXËNËSVET NË DORËZIM. Vetëkuptohet që vënia në zbatim e një të këtillë metode pune me mësuesit, kërkon OPERACIONE RRËNJËSORË në fushën e arsimit. Kërkon OPERACIONE RRËNJËSORË, por, e them me bindje, se është e vetmja mënyrë! Mënyrë tjetër nuk ka, në kushtet e kohës sonë, as këtu, as në botë! Vetëm kur t’ia çojmë universitetit studentët të saktë, mund të presim që edhe universiteti të na japë specialistë, por edhe qytetarë, të cilësisë së lartë.