Tiranë, 22. 03. 2014 – Para disa ditësh më takuan disa miq të vjetër nga Shtyllasi i Fierit, ish të dënuar e të persekutuar për të më shprehur një shqetësim që kishin në lidhje me pronat e tyre. Shtyllasi është një fshat internimi i ngritur në vitet e “arta” të diktaturës, ku fillimisht shërbeu si kamp pune për kanalin vaditës Vjosë-Levan-Fier dhe pasi mbaroi kanali kjo “vepër e ndritur e Partisë” të burgosurit politik i çuan për të ndërtuar vepra të tjera, ndërsa në Shtyllas sollën familje të internuara nga të gjitha krahinat e vendit. Shtyllasi mbetet gjithmonë një mozaik dhimbjesh e krahinash për të gjithë Shqipërinë që nga Veriu e deri në Jug. Të gjitha ato familje patën fatin e keq të internimit si Ndreajt, Xherahët, Gjutajt, Mirakajt, Bazellët, Mihalët, Pëllumbet, Kapa etj., iu nënshtruan një trajtimi çnjerëzor që nga puna e detyruar, banimi në kushte skandaloze si dhe survejimit të rreptë të sigurimit të shtetit. Shumë banorë të këtij fshati nga familje të internuara përfunduan në burgje dhe arrati.
***
Në 1991’in, me ardhjen e demokracisë shumë banorë të tij u larguan prej andej dhe Shtyllasi dalëngadalë u kthye për ta, në një kujtim të frikshëm të së kaluarës së tyre tragjike. Nga ligji famëkeq 7501, familjet e tyre të internuara ne këtë fshat, fituan tokë si gjithë të tjerët, atë tokë që për vite me radhë e kishin vaditur me gjakun, djersën dhe lotët e tyre… Ata kishin hapur toka të reja duke mbjellë plantacione të tëra me vreshta e ullinj. Në një pjesë të tokave të tyre kalon By Pass-i Levan-Fier. Dhe kuptohet për tokën e zënë paguhet një çmim i caktuar nga Qeveria. Ky çmim nuk është unik, Levani popullor nga “agallarët” e rinj të ardhur nga zonat e Jugut, e ka çmimin për m2 1600 lekë, Shtyllasi 299m2 lekë, Pojani 868m2 lekë, diferencë e madhe për të njëjtën tokë.
Fatmir Lamaj – gjatë grevës së urisë (tetor 2012)
Ç’është ky diferencim kaq i madh?…
E po, Levani, i kuadrove të Partisë dhe Pojani i lidhur ngushtë me Partinë ndërsa Shtyllasi qëndër internimi. Miqtë e mi më treguan të dokumentuara të gjitha përçapjet e tyre dëshpëruese që kanë bërë deri më sot për ta ndrequr këtë “gabim” që Qeveria Demokratike e “PD” paska bërë ndoshta “pa dashje“…por deri më sot asnjë përgjigje shpresëdhënëse. E njëjta tokë, në të njejtin vend, përkundrazi ajo e Shtyllasit duhet të kishte vlerë më të lartë se ajo e Levanit dhe e Pojanit se është tokë pjellore, ndërsa çmimi i vlerësimit i ndryshëm, shumë i ndryshëm. E kjo është mëse e kuptueshme, se të persekutuarit duhet të mbeten gjithmonë të persekutuar, ndërsa të privilegjuarit e djeshëm duhet të jenë përjetësisht të privilegjuar.
O e keqe, sa thellë janë rrënjët e tua!
Tragjikomedia e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar nuk ka mbaruar akoma. Ajo vazhdon të luhet ethshëm mbi kurrizin e një populli të tërë dhe veçanërisht shtresës së persekutuarve, të burgosurve dhe të shpronësuarve. Pushtetarët e derisotëm, një pjesë e të cilëve janë hajdutë e kriminelë, dallkaukë e batakçinj që u pasuruan “habitshëm” duke kullotur azadë te livadhet e pafundme të pasurive të këtij vendi, duke i grabitur, rrëmbyer, dhuruar nga partitë apo blerë me çmime qesharake. Në rastin e Shtyllasit është e pranishme dhe një aferë korruptive ku 2 pjesë aneësore të rrugës nga 25 mijë m2 do t’i marrë një pronar anonim italian për të ndërtuar 2 parkingje gjigand të vulosur nga qeveria e Berishës… Dhe fshatarëve u është thënë se kjo është vendosur, ndaj ju duhet vetëm, të heshtni, të pranoni pa bërë zë grabitjen që iu bën pushteti.
A ka drejtësi në këtë vend?
Jo!…
Ajo ka kohë që ka vdekur duke e zëvëndësuar frikshëm nga një padrejtësi e deklaruar, e cila zbatimin e ligjit e ka kthyer në interesa materiale e korruptive duke i dhënë atij përmasa të llahtarshme të një abuzimi të tejskajshëm. Moszbatimi i tij po gërryen çdo ditë e më shumë të ardhmen e këtij vendi, duke e shndërruar atë në një humnerë ku dergjen ëndrrat e shqiptarëve për drejtësi e ligj. Është e natyrshme që çdo qeveri në fillimet e veta, lë hapësira zhgënjimi për zgjedhësit e saj, por këto hapësira duhet të zvogëlohen dalëngadalë nëpërmjet një qeverisje të mirë, për të mos krijuar defiçite elektorale, të pamundëshme për t’u përballur në të ardhmen.
Zoti Rama,
ky popull kërkon drejtësinë e munguar deri më sot. Drejtësia shqiptare aktualisht është një pemë në kalbëzim të plotë ku asnjë lloj krasitje nuk i kthen dot mundësinë e ripërtëritjes… E pema e kalbur e do sëpatën në rrënjë, thotë Viktor Hygoi, shkrimtari i famshëm francez. Tek shtrati i të sëmurit për vdekje nuk vlejnë fjalët ngushëlluese të doktorit por bisturia për t’i bërë operacion plagëve të tij vdekjeprurëse. Çdo operacion ka dhimbjen e tij, por është i domosdoshëm për vazhdimësinë e jetës. E ky vend e kjo shoqëri nuk duhet të vdesë nga kjo plagë e trashëguar prej tranzicionit të tejzgjatur, i projektuar dhe zbatuar djallëzisht për të qënë i tillë.
Zoti Rama!
Unë bashkë me një grup bashkëvuajtësish kemi bërë një bisedë të gjatë tek zyra Juaj kur ishit ende Kryetar Bashkie… Dhe midis të tjerash në fjalën time për rreth gjysëm ore, Ju thashë:
“Është detyra Juaj të hapni tregun politik në Shqipëri, dhe mos e lini këtë shtresë skllave në prangat e Berishës”. Ju na dëgjuat qetësisht dhe pas disa kohësh e futët çështjen tonë në programin Tuaj. Ne erdhëm në atë takim pas grevës së urisë së 2009’ës, për kërkesat tona të drejta, si çështjen e dëmshpërblimit, strehimit etj., me besimin e plotë që ju do të vini në krye të qeverisjes së këtij vendi dhe do të ishit njeriu i ndryshimit… Dhe ende besojmë se ju do të bëheni i tillë. Nga ai grup bashkëvuajtuësish prej katër vetash, njëri ka vdekur, Liço Çala, tjetri azilant në Suedi, tjetri shumë i avancuar në moshë dhe gati në prag vdekjeje ndërsa unë, pjesmarrës i grevës së 2009-ës dhe 2012-ës, ende gjallë e i pa punë aktualisht. Çdo e keqe e ngritur në sistem kurrë nuk mund të rrëzohet me retorikë dhe me fjalë, por vetëm duke i shkatërruar strukturat mbi të cilat ajo është ngritur.
Përse ndodh kështu?
Çdo ligj sado i përsosur që të jetë kur deformohet në zbatueshmërinë e tij, e humbet nocionin e tij si i tillë. Ligji 7501, (ky antiligj vrasës) në të gjithë territorin e vendit u zbatua në diferenca të mëdha, që nga Tropoja, Kukësi, Dibra etj., dmth në pjesën veriore, ku pothuajse çdo person ka marrë pronat e veta deri në Vlorë e Sarandë ku pronarët e vërtetë nuk kanë tokë as për varr. Shkalla e abuzimit, e spekullimit në këtë Ligj është shumë e lartë dhe, vetëm për këtë ky antiligj duhet riparë të paktën për t’i dhënë një dimension korrekt zbatueshmërisë së tij. Ju jeni duke bërë reforma administrative. Gjë shumë e mirë. Por aty është rasti të rregulloni kufijtë e deformuar të fshatrave nga diktatura, ku vetëm në Vlorë ku ju Jeni i zgjedhur deputet ka shumë gjëra për t’u rregulluar si fshatrave Mavrovë, Kropisht, Treblovë, Kocul etj., u janë marrë pjesë të tëra dhe ju janë dhënë fshatrave të tjerë si kompensim për orekset e kuadrove të kohës së atëhershme. Ligji antimafia duket sikur po bëhet për të mbrojtur kupolën e saj, se në veprimtarinë e mafies tentakulat e saj, zgjaten lart jo poshtë, aty ku janë karrocierët e berberët, këpucarët dhe lypsarët.
Zoti Rama!
Keni shumë punë për të bërë. Zoti të dhëntë mundësinë dhe fuqinë të dalësh faqebardhë në luftë me të keqen, e cila sot ka kapluar gjithë vendin si Boa që kap prehën e vet, dhe si e vret, fillon ta gëlltisë dalëngadalë. Sot pothuajse çdo kryetar Bashkie merr pjesën e vet tek lejet e ndërtimit etj., pothuajse çdo kryetar komune është kthyer në një bej që mjafton të marrë një herë mandatin e beut nga sulltani shtet apo nga partitë në mënyrë “demokratike”, gjen plot marifete për ta rimarrë atë dhe 3-4 herë duke shitur toka, prona e duke abuzuar me fondet e dhëna pothuajse çdo gjykatës, prokuror e doktor gjen hapësira i pashqetësuar për të fituar abuzitivisht duke e varfëruar çdo ditë e më shumë këtë popull të shumvuajtur.
O Zot, pak drejtësi që të vdesim të qetë!
======================
Kronologjia, 31 dite në grevë urie (tetor 2012)
Ekskluzive/Lirak Bejko: Vazhdoni grevën por mos u digjni!
Jeta në burg e Lirak Bejkos…