ABDULLA MEHMETI: KORNIZA E RE LIGJORE PËR USHT’në, NJË HAP PARA, DHJETË HAPA PRAPA!

Tetovë, 02. 02. 2916: (Implikimet negative ndaj arsimit universitar në gjuhën shqipe, në optikën e ndryshimeve të reja ligjore) – Me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, ,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 226/2015, e datës 25.12.2015, në nenin 2, alineja 2, thuhet: ,,Në alinenë 10, lidhëza ,,dhe” në fund të fjalisë zëvendësohet me presje. Alineja 11 fshihet”.
Sipas Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës ,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 81/08, të datës 7.07.2008, alineja 11 e nenit 1 të këtij Ligji, ka këtë përmbajtje: ,,- Fakulteti i Shkencave të Zbatuara”.
Sipas nenit 7 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, nr. 226/2015, të datës 25.12.2015: ,,Ky ligj hyn në fuqi në ditën e ardhshme nga dita e botimit të tij në ,,Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”. Domethënë, që nga data 26 dhjetor 2015, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i Universitetit Shtetëror të Tetovës fshihet nga lista e fakulteteve të këtij Universiteti.
Sipas nenit 5, të po këtij Ligji: ,,Programet studimore ekzistuese për ndërtimtari, arkitekturë, mekatronikë, inxhinieri e transportit, gjeodezi dhe gjeoinformatikë dhe inxhinieri ekonomike nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara të Universitetit në Tetovë, deri në fillimin e zbatimit të dispozitave të nenit 2 paragrafi 3 të këtij ligji, do të vazhdojnë të realizohen deri në fillim të vitit akademik 2019/2020.
Studentët e gjendur në programet studimore për ndërtimtari, arkitekturë, mekatronikë, inxhinieri të transportit-komunikacionit, gjeodezi dhe gjeoinformatikë dhe inxhinieri ekonomike nga Fakulteti i Shkencave Aplikative të Universitetit në Tetovë, me ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do ta vazhdojnë arsimimin e tyre në Universitetin në Tetovë, sipas programit studimor sipas të cilit i kanë filluar studimet, më së voni deri në fillim të vitit akademik 2019/2020.

Studentët nga paragrafi 2 i këtij neni, që nuk do ta mbarojnë arsimimin e tyre në afatin nga paragrafi 2 i këtij neni, mund ta përfundojnë arsimimin e tyre në Universitetin ,,Nënë Tereza” në Shkup, ose në institucion tjetër të arsimit të lartë në programin studimor përkatës të akredituar.”
Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, si fakultet i veçantë në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, është akredituar dhe ka filluar me punë në vitin akademik 2008/2009, në bazë të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, ,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 81/08, e datës 7.07.2008.
Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, si njësi e veçantë organizative në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, është akredituar si vazhdimësi e Qendrës për Studime Politeknike, e cila ka funksionuar si shkollë e lartë profesionale në kuadër të këtij Universiteti, në bazë të nenit 1, alineja 6, të Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, ,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 8, e datës 23.02.2004.
Pas miratimit të Ligjit të ri, nr. 226, të datës 25.12.2015, me të cilin Universitetit Shtetëror të Tetovës, përveçse i ndryshohet emri, nga USHT në Universiteti në Tetovë, me çka i relativizohet edhe statusi shtetëror i tij, i ndërpritet puna Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, njëri nga fakultetet më atraktiv dhe me perspektivë për përgatitjen e kuadrove shqiptarë nga fusha e shkencave teknike dhe teknologjike, si kudër tepër i nevojshëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rajonit.
Ndërprerja e punës së këtij fakulteti dhe transferimi i 6 programeve studimore të tij në Universitetin ,,Nënë Tereza” në Shkup, i cili ende është në formim e sipër, paraqet shkelje të rëndë të së drejtës për arsimim në gjuhën amtare, shkelje të Kushtetutës së RM, autonomisë së Universitetit, të garantuar me nenin 46, dhe shkeljen e procedurës së paraparë ligjore për ndërprerjen e punës së një njësie organizative të universitetit, fakulteti ose programi studimor, sipas Ligjit për arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë, neni 40 i këtij ligji.
Përveç reagimeve publike dhe kundërshtimeve në lidhje me këto shkelje ndaj Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe arsimit universitar në gjuhën shqipe, priten edhe disa iniciativa drejtuar Gjykatës Kushtetuese të vendit, për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, me sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, nr. 226, të datës 25.12.2015.
Asnjë individ ose subjekt shqiptar nuk është deklaruar se është kundër hapjes së Universitetit ,,Nëna Terezë” në Shkup, por, që në fillim janë shfaqur kundërthënie në paraqitjet e tyre publike, mes ministrit të Arsimit dhe Shkencës, i cili këtë Universitet e paraqet si institucion kombëtar të shqiptarëve, si dhe Qeverisë së Maqedonisë, e cila të njëjtin e paraqet si universitet ndërkombëtar teknik, në të cilin do të studiohet në gjuhën maqedonase, angleze dhe shqipe.
Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i Universitetit Shtetëror të Tetovës, është zënë në befasi me këto ndryshime dhe plotësime të Ligjit, të cilat janë miratuar me procedurë të shpejtë, edhe atë, gjatë festave të fundvitit, kur të gjithë të punësuarit e këtij fakulteti dhe të Universitetit kanë qenë në pushim kolektiv. Prandaj, mësimdhënësit, bashkëpunëtorët, të punësuarit në shërbimin administrativ profesional dhe studentët e këtij fakulteti kanë shprehur dyshime të bazuara se bëhet fjalë për lojë politike të qëllimshme, e cila është në dëm të këtij Fakulteti, Universitetit dhe arsimit të lartë në gjuhën shqipe në përgjithësi.
Në bazë të këtyre të dhënave dhe sipas mendimit të njohësve të rrethanave politike dhe ekspertëve për çështje të arsimit, mund të përfundojmë se:
1. Ndërprerja e punës së Fakultetit të Shkencave të Zbatuara në USHT, me arsyetimin se ekzistimi i dy e më tepër programeve studimore, të njëjta ose të ngjashme, në disa universitete nuk është në dobi të arsimit të lartë, në rastin konkret, në USHT dhe në Universitetin ,,Nënë Tereza” në Shkup, konsiderojmë se është mendim i papjekur, tendencioz, joparimor dhe nuk korrespondon me realitetin dhe gjendjen faktike në universitetet tjera në Republikën e Maqedonisë. Faktet flasin se në shumë universitete publike, si dhe ato private, në të cilët mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, ekzistojnë me dhjetëra raste të fakulteteve dhe programeve studimore të njëjta dhe të ngjashme në këto universitete, në shkencat e ekonomisë, drejtësisë, filozofisë, filologjisë, shkencat teknike, shkencat e mjekësisë, fakultete dhe akademi të arteve, etj., me tendencë të rritjes së numrit të tyre edhe në kuadër të universiteteve të hapura para pak vitesh dhe në universitetet e reja, të cilat janë në formim e sipër.
2. Në rastin më të mirë, nëse subjekti politik shqiptar, i cili është aktualisht në qeveri, si dhe përfaqësuesit shqiptarë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, do t’ia donin të mirën arsimit shqip dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës, do të duhej së paku të kujdeseshin për mbrojtjen e autonomisë së këtij Universiteti, duke i respektuar të gjitha procedurat e parapara ligjore për sjelljen e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, që të mos krijohet presedan në të ardhmen edhe për shkelje të tjera, me të cilat do të dëmtohej ky Universitet dhe arsimi i lartë në gjuhën shqipe. Me këtë, ata do të duhej të kujdeseshin edhe për respektimin e Ligjit për arsimin e lartë, respektimin e vlerave fundamentale, siç është parimi i barazisë në sistemit arsimor të Republikës së Maqedonisë, si dhe respektimi i trendëve bashkëkohorë të arsimit të lartë, në nivel evropian dhe ndërkombëtar.
3. Nëse do të respektoheshin rregullat ligjore dhe parimet e lartpërmendura, nga faktorët e lartpërmendur, do të silleshin vendime dhe arriheshin rezultate të tjera të dobishme në interes të arsimit shqip dhe të Universitetit Shtetëror të Tetovës, me avancimin e statusit të programeve studimore ekzistuese të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, në nivel të Fakulteteve, së paku të disa programeve studimore ekzistuese. Kështu do të kishim fakultete të reja, si: Fakulteti i Ndërtimtarisë, Fakulteti i Arkitekturës, Fakulteti i Mekatronikës, Fakulteti i Gjeodezisë dhe Gjeoinformatikës, Fakulteti i Inxhinierisë Ekonomike dhe Fakulteti i Inxhinierisë së Komunikacionit dhe Transportit, në kuadër të USHT, dhe jo të mbyllen këto programe studimore dhe të transferohen në një universitet tjetër, i cili është në formim e sipër!
4. Udhëheqësit politik dhe ekspertët vizionarë dhe qëllimmirë ndaj arsimit shqip, po ashtu, do të duhej t’i akreditonin studimet e ciklit të tretë – studimet e doktoratës, në kuadër të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara në USHT, si në disa fakultete të tjera, të cilat janë akredituar dhe kanë filluar me punë në vitin akademik 2015/2016. Kjo do të ishte rruga normale e ngritjes së cilësisë në arsimin e lartë, me të cilën do të plotësohej edhe kriteri kryesor për përgatitjen e kuadrove cilësorë në fushën e shkencave teknike, tepër të nevojshëm për ekonominë e vendit, si dhe do të përgatitej kuadër të ri për nevojat e zhvillimit të mëtejmë të këtij fakulteti dhe fakulteteve të tjera me mësim në gjuhën shqipe.
Në këtë fazë të zhvillimi dhe ngritjes së këtij fakulteti, janë të akredituara vetëm studimet e ciklit të parë – studimet themelore deridiplomike, dhe ato të ciklit të dytë – studimet e magjistraturës. Me akreditimin e ciklit të tretë – studimet e doktoratës, në këtë fakultet do të kompletoheshin studimet universitare dhe pasuniversitare, në përputhje me sistemin arsimor të vendit dhe sistemin arsimor të BE-së.
Për secilin nga tri ciklet e studimeve nevojitet kohë e gjatë, punë e mundimshme dhe kuadër i nevojshëm mësimdhënësish dhe bashkëpunëtorësh, të cilët mezi i ka siguruar dhe ngritur ky Universitet me vite të tëra. Tani, kjo punë dhe ky përkushtim për kompletimin e studimeve dhe ngritjen e kuadrit të nevojshëm mësimdhënës, për shumë vite me radhë, do të rezultojë me kthim prapa, për së paku 10 vjet, deri në përfundimin e gjeneratës së parë të studentëve në shkencat përkatëse në programet studimore dhe fakultetet e Universitetit ,,Nëna Terezë” në Shkup, për të arritur më vonë në studimet e ciklit të dytë – studimet e magjistraturës dhe ciklin e tretë – studimet e doktoraturës, të cilat në USHT janë në fazën përfundimtare të kompletimit të tyre. Në procedurë të rregullt, programeve studimore dhe fakulteteve të universitetit të ri do t’u duhej së paku 10 vjet për të arritur në këtë nivel që e ka sot Fakulteti i Shkencave të Zbatuara në USHT.
Veprimet e këtilla të papërgjegjshme e dëmtojnë universitetin dhe arsimin kombëtar, prandaj, është koha e fundit t’i themi ndal kësaj logjike të mbrapshtë: një hap para, dhjetë hapa prapa!
* * *
Në vazhdim e publikojmë tekstin e plotë të Ligjit:
LIGJ PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT PËR THEMELIMIN E UNIVERSITETIT SHTETËROR NË TETOVË
(,,Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, nr. 226, e datës 25 dhjetor 2015)
Neni 1
Në Ligjin për themelimin e Universitetit Shtetëror në Tetovë (,,Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë”, numër 8/2004 dhe 81/2008, titulli i Ligjit ndryshohet si vijon: ,,Ligji për themelimin e Universitetit në Tetovë”.
Neni 2
Në nenin 1, fjalët ,,Universitet Shtetëror” zëvendësohen me fjalën ,,Universitet”.
Në alinenë 10, lidhëza ,,dhe” në fund të fjalisë zëvendësohet me presje.
Alineja 11 shlyhet.
Pas alinesë 10 shtohen dy aline të reja, si vijojnë: ,,-Fakulteti Pedagogjik dhe -Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë.”
Neni 3
Përgatitjet për fillim me punë të fakulteteve nga neni 2 paragrafi 4 të këtij ligji do t’i realizojë komisioni amë.
Anëtarët e komisionit amë i emëron Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me propozim të ministrit për punët e arsimit të lartë, më së voni në fat prej 15 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Fakultetet nga neni 2 paragrafi 4 të këtij ligji fillojnë me punë menjëherë pas marrjes së aktvendimit për fillim me punë, nga ministria kompetente për punët e arsimit të lartë.
Neni 4
Programet studimor ekzistuese për mësim klasor dhe parashkollor në Fakultetin Filozofik të Universitetit Shtetëror në Tetovë, do të vazhdojnë të realizohen në kuadër të veprimtarisë së arsimit të lartë të Fakultetit Pedagogjik të Universitetit në Tetovë.
Studentët e gjendur në programet studimore për mësim klasor dhe mësim parashkollor në Fakultetin Filozofik të Universitetit Shtetëror në Tetovë, do ta vazhdojnë arsimimin e tyre në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit në Tetovë, sipas programit studimor sipas të cilit i kanë filluar studimet.
Neni 5
Programet studimore ekzistuese për ndërtimtari, arkitekturë, mekatronikë, inxhinieri të transportit, gjeodezi dhe gjeoinformatikë dhe inxhinieri ekonomike nga Fakulteti i Shkencave Aplikative të Universitetit në Tetovë, deri në fillimin e zbatimit të dispozitave të nenit 2 paragrafi 3 të këtij ligji, do të vazhdojnë të realizohen deri në fillim të vitit akademik 2019/2020.
Studentët e gjendur në programet studimore për ndërtimtari, arkitekturë, mekatronikë, inxhinieri të transportit-komunikacionit, gjeodezi dhe gjeoinformtaikë dhe inxhinieri ekonomike nga Fakulteti i Shkencave Aplikative të Universitetit në Tetovë, me ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do ta vazhdojnë arsimimin e tyre në Universitetin në Tetovë, sipas programit studimor sipas të cilit i kanë filluar studimet, më së voni deri në fillim të vitit akademik 2019/2020.
Studentët nga paragrafi 2 i këtij neni, që nuk do ta mbarojnë arsimimin e tyre në afatin nga paragrafi 2 i këtij neni, mund ta përfundojnë arsimimin e tyre në Universitetin ,,Nënë Tereza” në Shkup, ose në institucion tjetër të arsimit të lartë në programin studimor përkatës të akredituar.
Neni 6
Dispozitat e nenit 2 paragrafi 3 të këtij ligji do të fillojnë të zbatohen nga viti akademik 2019/2020.
Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi në ditën e ardhshme nga dita e botimit të tij në ,,Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.

(Përkthim autentik i ligjit nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe, A.M.)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura