Tetovë, 15. 10. 2015: Gati të gjithë popujt e botës gjatë historisë janë përballur me situata të rënda politike, shoqërore, ekonomike, sociale, kulturore, ekzistenciale, si dhe me probleme të identitetit dhe qenies së tyre. Disa prej tyre, në periudha më të gjata ose më të shkurta kohore janë dergjur në robëri ose nën kthetrat e kolonializmit, por vetëm disa prej tyre kanë arritur me sukses t’i tejkalojnë situatat e tilla, ndërsa të tjerët vazhdojnë edhe sot t’i vuajnë pasojat nga e kaluara dhe të dergjen në pritje të rrethanave më të mira dhe të shpëtimtarit të tyre.
Nga shumë libra dhe shtypin e kohës, relacione diplomatike, dokumente arkivore dhe dëshmi të shkruara në të gjitha gjuhët e botës, si dhe nga memoaret e personaliteteve që kanë lënë gjurmë në periudha të caktuara, mund të mësojmë se si kanë rrjedhur ngjarjet, cilat kanë qenë peripecitë dhe rruga e mundimshme për ta siguruar ekzistencën dhe qenien e tyre, për ta pushtuar lirinë dhe mbrojtur identitetin e kërcënuar. Nga i gjithë ai mal me libra dhe gazeta, shkrime, dëshmi dhe kujtesë e trashëguar brez pas brezi, dokumente arkivore dhe kronika, askush nuk mund të has në ndonjë testament të shkruar, formulë ose model se cila është rruga e fitimit të lirisë, sigurimit të progresit, ruajtjes së identitetit dhe qenies kombëtare.
Që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme, rrethanat u kanë diktuar secilit popull ta kërkojnë rrugën e vet të shpëtimit, disa me shumë sakrifica e të tjerë me pak, ndërsa vetëm ata që nuk janë përpjekur, janë gjunjëzuar dhe përkulur përpara fatkeqësive, pushtimit, okupimit dhe robërisë, janë asimiluar ose zhdukur nga faqja e dheut. Këtë na e mëson historia, mësuesja e madhe e jetës, por askënd nuk e mëson se cila është rruga, përkushtimi dhe sakrifica për fitimin e lirisë. Këtë rrugë të shenjtë në periudha të ndryshme secili popull e ka siguruar përmes sakrificash dhe betejash titanike. Dhe as këtu nuk ka përfunduar historia e tyre, por kanë vazhduar edhe më tej ta ruajnë dhe mbrojnë lirinë e fituar dhe qenien e vet nga rreziqet e reja, armiqtë tjerë dhe kërcënimet e mëpastajshme.
Gadishulli Ilirik është i stërmbushur me histori, më tepër se çdo vend tjetër i botës, në të cilin luftërat dhe pushtimet kanë lënë gjurmë të pashlyera nga gjaku i popujve autoktonë, dhuna dhe terrori i pushtuesve të sulur nga të katër anët për pushtimin e kësaj kërthize të botës, jo për sigurimin e mirëqenies së tyre, por për dominim mbi të tjerët, duke u shkaktuar fatkeqësi sistematike nga pushtimi i egër, robëria e gjatë dhe e mundimshme.
Asnjë popull nuk do të kishte mundur ta mbrojë më heroikisht qenien e vet, siç e mbrojtën shqiptarët ndër shekuj, në luftë të përhershme me fqinjët grabitqarë dhe pushtuesit e ardhur nga thellësitë e kontinenteve të tjera. Të mundur në fushën e betejës nga shqiptarët, të zmbrapsur nga qëndresa titanike, pathyeshmëria dhe mospërkulja, pushtuesit e trojeve shqiptare shpikën forma dhe metoda të reja, me pabesi, tradhti dhe intriga për thyerjen e tyre, ndër vite e shekuj. Sa hordhi barbare kaluan në këto tërthore, sa pushtues mbollën zjarr e hekur mbi këto troje, sa vuajtje e fatkeqësi u sollën shqiptarëve, por prapëseprapë ky popull qëndroi stoikisht përballë këtyre furtunave që i sollën vitet, shekujt dhe mijëvjeçarët. Disa shekuj me radhë ky popull u përball në beteja e luftëra me Perandoritë e fuqishme të kohës, si ajo Romake, Bizantine dhe Osmane, por nuk u gjunjëzua; i përjetoi luftërat dhe tmerret mes popujve të këtij gadishulli, me ndërhyrje edhe të fuqive të mëdha ushtarake nga jashtë, dhe nuk u përkul; u përgjak në dy luftërat e mëdha botërore dhe prapë nuk i ligështua; dhe së fundi kalojë edhe nëpër ferrin e diktaturës komuniste, por prapë nuk u dorëzua. Këtë histori të dhimbshme na e mësoi edhe historia, librat dhe kujtesa e popullit përmes vajtjesh e mundimesh, por nuk na e mësuan, se si duhet ta duam njëri-tjetrin, t’i nderojmë prijësit tanë dhe ata që sakrifikuan për të sotmen dhe të ardhmen.
Edhe pas gjithë kësaj, nuk e mësuam përrallën, si ujku e lyen këmbën e tij të përgjakur me miell dhe i mashtron kecat naivë; kur daja bëhet derr e djalli vëlla; kur intrigat na kacavirren në qafë e kur na buzëqesh me dashamirësi engjëlli që sjell dritë e fat në jetën tonë. Këtë duhet ta mësojmë vetë në rrugën e gjatë në kërkim të lirisë, përmes shpresave dhe zhgënjimeve.
Asnjë popull sa ne nuk ka përjetuar vuajtje më të mëdha në kapërcyell të shekullit që lamë pas dhe shekullit të ri; asnjë popull nuk është mashtruar më keq se ne, nga prijësit e vet dhe diplomacia ndërkombëtare, që ta rrënojnë të kaluarën tonë, ta nxinë të sotmen dhe ta pamundësojnë ardhmen mes popujve të qytetëruar dhe të lumtur të botës; asnjë popull nuk është më i pashpresë dhe i zhgënjyer si ne për dështimet e të sotmes.
Janë pak popuj në botë, me një gjuhë e një gjak, një tradite e kulturë, të kenë kaq ndasi mes vete: administrative, politike, fetare, krahinore, fisnore dhe klanore. Të ndarë, coptuar dhe shkapërderdhur në shumë shtete dhe gjithandej nëpër botë, populli ynë kurrë nuk ka pësuar kaq dështime siç përjeton sot; kurrë nuk ka qenë më i nënshtrua ndaj të tjerëve seç është sot; kurrë nuk ka qenë më e rrezikuar nga kulturimi, alimilimi dhe zhbërja e qenies kombëtare në përplasje mes civilizimeve gllabëruese dhe politikave hegjemoniste; më i mashtruar nga prijësit politikë dhe fetarë që çirren ditë e natë për përfitime në kurriz të këtij populli, i cili mezi e ka siguruar shtetin e vet në gjysmën e territorit etnik, nga dredhitë e fqinjëve shovinistë dhe djajve të mëdhenj të Evropës.
Kosova e dergjur ndër vite nën robërinë serbe, mezi e ka siguruar një shteg për dalje në dritën e lirisë, përmes luftës së pandalur, por ende dergjet nën shtypjen dhe zullumin e politikanëve mashtrues, të korruptuar dhe shitur për interesa të huaja.
Fati i Çamërisë mbeti i përjetësuar vetëm në këngë dhe vargje, i humbur në hartat e strategjive globale, ndërsa elitat tona politik dhe intelektuale e kujtojnë Çamërinë vetëm si ngushëllim të qindra mijë çamëve të shkapërderdhur anekënd botës.
Miliona arbëreshë, arvanitas, shqiptarë të besimit ortodoksë në Maqedoni dhe vëllezër të tjerë të gjakut tonë, ende nuk e ndjejnë prehrin e ngrohtë të Mëmëdheut, i cili duhet t’i merr në gji dhe t’i mëkojë me atdhedashuri, t’i frymëzojë dhe bekojë si bijtë e vet.
Qindra mijë shqiptarë në Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe gjithandej në pjesët e shkëputura të trungut etnik, secili mundohet në ta sigurojë lirinë dhe të ardhmen e vet, me luftë dhe përpjekje të pafundme, për një ditë të shumëpritur, që të jenë bashkë me vëllezërit e vet të një gjuhe dhe një gjaku, jo vetëm nga kjo dëshirë e ky qëllim, por edhe kërcënimi nga regjimet pushtuese që ua ka nxirë jetën brez pas brezi.
Maqedonia shqiptare, si pjesë e madhe e atdheut, nga antika e hershme e deri në ditët e sotme dergjet në mëshirën e fatit, duke shërbyer si monedhë për kusuritje në lojërat e mëdha strategjike, ekonomike, politike dhe diplomatike, mes Evropës dhe Azisë. As në dekadën e dytë të shekullit të ri nuk duket një zgjidhje e drejtë për këtë popull, i cili vazhdon të përjetojë tmerre si në periudhat e mëhershme të robërisë nga të huajt. Ende në sytë e botës, shqiptarët e këtushëm janë argatë në shtëpinë e vet, shfrytëzohen dhe torturohen, vriten dhe sakatohen, persekutohen dhe burgosen si të mos ishin qenie njerëzore, të mos ishin pjesë e qytetërimit demokratik, vlerave humane që promovon sot Evropa e lirë dhe e bashkuar.
Mes kurtheve të ngritura me mjeshtëri nga qarqet shoviniste të fqinjëve, me ndihmën edhe të liderëve partiakë shqiptarë, të papërgjegjshëm dhe argatë naivë të pazareve të huaja, bashkëkombësit e vet, të plaçkitur dhe mashtruar, të vrarë dhe masakruar, të burgosur dhe torturuar si mos më keq nga falangat e sigurimit të shtetit, të cilat ushtrojë dhunë dhe terror mbi qenien shqiptare të këtushme. Qytetarët e frikësuar nga ekspeditat ndëshkuese, me pretekste të rreme ose të përgatitura nga vetë organet e shtetit, kanë filluar të shpërngulen në masë nga trojet e veta etnike në Maqedoni.
Edhe përkundër formimit të shumë partive politike, pjesëmarrëse në pushtetin e proklamuar si demokratik, me shpresë se do t’i realizojnë të drejtat e ligjshme të kësaj popullate, edhe përkundër organizimit të vazhdueshëm të protestave, demonstratave dhe kryengritjes së armatosur të vitit 2001, ata nuk shohin asnjë perspektivë për të ardhmen në këtë shtet.
Gjatë këtij viti ka filluar një valë e re e pakënaqësisë e theksuar ndër shqiptarët e Maqedoni, të cilët kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre të grumbulluara ndër vite, të cilat nuk i përkasin thjeshtë sferës së lirive dhe të drejtave të njeriut, por janë probleme serioze për mbijetesën dhe ruajtjen e qenies kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.
Nëse ky popull nuk ka pasur fatin të lind dhe krijojë një lider vizionar, i cili do të dinte t’i prijë këtij populli në rrugën e lirisë dhe sigurimin e të drejtave të ligjshme, atëherë këtë duhet ta bëjë inteligjencia përparimtare me forca të përbashkëta, rinia dhe shtresat e varfra e të pakënaqura të popullit, duke u përballur me sfidat e reja, për sigurimin e një jete më të denjë, në paqe dhe siguri, ndërsa koha do ta krijojë edhe liderin e ri të shumëpritur nga shqiptarët, mes përpjekjeve për liri dhe barazi të plotë të shqiptarëve në këtë shtet dhe Evropën e lirë e të bashkuar.