ABDULLA MEHMETI: UNIVERSITETI I TETOVËS ËSHTË THEMELUAR MË 4 QERSHOR, JO MË 17 DHJETOR 1994 (I)

Tetovë, 11. 01. 2015 – Pas ngritjes së iniciativës nga Bashkësia Kulturore Shqiptare për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, siç është quajtur në fillim Universiteti i Tetovës, janë zhvilluar një serë aktivitetesh, gjatë vitit 1993 dhe gjysmën e parë të vitit 1994, si dhe janë miratuar e publikuar disa dokumente, si:
1. Konkluzionet e kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare për hapjen Universitetit Shqiptar në Maqedoni (dokumenti nr. 0301-4/1, i datës 20.01.1994);
2. Platforma për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (dokument i përgatitur në dhjetor të vitit 1993 dhe i miratuar nga Kryesia e BKSH-së, me Vendim për zbatimin e Platformës, nr. 0201-7/1, i datës 1.02.1994);
3. Komunikata për iniciativën e Bashkësisë Kulturore Shqiptare për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, e datës 24.02.1994, e botuar më 2 mars 1994, në ,,Flaka e vëllazërimit”, Shkup dhe ,,Rilindja”, Tiranë;

4. Lista e kuadrove të mundshëm për angazhim në procesin mësimor-shkencor në Universitetin e Tetovës;
5. Dokumente dhe shkrime nga organizimi i mbledhjeve dhe takimeve të shumta me përfaqësues të subjekteve politike dhe jopolitike, drejtues të institucioneve, punonjës shkencorë, profesorë universitetesh, intelektualë, biznesmenë, dashamirë të arsimit dhe veprimtarë të tjerë.
Më 4 qershor 1994, në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare u mbajt Kuvendi për themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (nga ky Kuvend u vendos që të emërohet Universiteti i Tetovës, sipas selisë së tij). Ky kuvend është mbajtur sipas të gjitha rregullave dhe standardeve: 1) me ftesa për pjesëmarrësit, 2) kërkesë zyrtare drejtuar Këshillit ekzekutiv të Komunës së Tetovës për sigurimin e sallës solemne për mbajtjen e këtij Kuvendi, 3) njoftim për mjetet e informimit dhe shpallje publike për mbajtjen e tij, 4) rend dite, 5) kryesi pune për udhëheqjen e punimeve të tij, 6) materiale të nevojshme për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit, 7) listat me propozime për zgjedhjen e anëtarëve të organeve të përkohshme, 8) propozim-vendimi për themelimin e Universitetit, 9) propozim-vendimet për themelimin e fakulteteve, 10) propozim-vendime për organet e Universitetit,11) lista e përgatitur për nënshkrimin e Deklaratës për themelimin e Universitetit, si dhe janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e një tubimi të këtij niveli me karakter të rëndësishëm kombëtar. Për punimet e Kuvendit është mbajtur procesverbal.

Pamje nga Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës, 4 qershor 1994

Pas zgjedhjes dhe emërimit të kryesisë së punës dhe miratimit të rendit të ditës është paraqitur fjalë rasti nga organizatori, kryetari i BKSH-së, Abdulla Mehmeti, si dhe është paraqitur referat për rëndësinë e hapjes së Universitetit, nga Prof. dr. Fadil Sulejmani, në marrëveshje paraprake me organizatorin, të cilin e lexoi paraprakisht në mbledhjen e Këshillit organizues të këtij Kuvendi, e cila u mbajt përpara fillimit të punimeve të Kuvendit, në hapësirat e Kuvendit komunal të Tetovës.
Në Kuvend kanë marrë pjesë me diskutime mbi 30 pjesëmarrës, të cilët unanimisht e kanë përkrahur iniciativën për themelimin e Universitetit dhe kanë dhënë disa propozime të dobishme për mbarëvajtjen e punimeve të këtij Kuvendi dhe punën e mëtejme të këtij institucioni të arsimit sipëror në gjuhën shqipe. Ndër propozimet e diskutuesve kanë qenë me interes, propozimi i Prof. dr. Agim Vincës, që nëse shkohet në emërtim konkret, ky Universitet ta mbajë emrin e ideologut të Rilindjes sonë kombëtare, Sami Frashëri; propozimi i Prof. dr. Agni Dikës, që të shqyrtohet edhe mundësia e regjistrimit të Universitetit si institucion privat, nëse haset në vështirësi të pakapërcyeshme në organet e pushtetit në Maqedoni; propozimi i Mr. Halim Purellku, që ky universitet të ketë themelues nominal, tre kuvendet e komunave me shumicë shqiptare, i Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, sipas modelit për themelimin e Universitetit të Manastirit, të cilin e kanë themeluar tre kuvendet komunale, i Manastirit, Prilepit dhe Ohrit. Në këtë frymë u zhvilluan disa diskutime të cilat hapën debat më të gjerë se, a ka kompetenca ky Kuvend të sjell vendim për themelimin e tij, dhe shtruan dilema te pjesëmarrësit dhe paqartësi te gazetarët e pranishëm gjatë përgatitjes së raporteve të tyre për punimet e këtij Kuvendi. Organizatori kishte qëndrime të prera, të shpallet themelimi i Universitetit atë ditë, të silleshin vendimet për zgjedhjen e organeve të tij dhe përmes një deklarate të njoftohej opinioni i brendshëm dhe i jashtëm se themelimi i Universitetit me mësim në gjuhën shqipe, me seli në Tetovë, nga dita e sotme ishte akt i kryer. Më në fund dominoi arsyeja dhe gazetarët megjithatë raportuan në mënyrë korrekte, me disa lëshime të natyrës teknike, të cilat në esencë nuk e dëmtonin idenë themelore, siç shihet nga shkrimet në gazetat ,,Rilindja” dhe ,,Flaka e vëllazërimit”.
Kuvendi, pas një debati të frytshëm dhe konstruktiv, solli Vendim për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe 7 (shtatë) fakulteteve të tij, i zgjodhi organet e përkohshme të Universitetit, me propozim të organizatorit, Kryesinë e Universitetit, prej 3 anëtarësh dhe Këshillin e Universitetit, prej 18 anëtarësh, prej të cilëve nga 3 (tre) anëtarë për Komisionet e secilit fakultetet: Fakultetin Filozofik, Fakultetin Filologjik, Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Arteve dhe Fakultetin Teologjik.
Për shkak të mungesës së kuadrit adekuat u emërua një komision i përbashkët për Fakultetin Juridik dhe Fakultetin Ekonomik, sepse në Maqedoni, deri në vitin 1994, nga radhët e kuadrove shqiptare kishte vetëm një doktor të shkencave ekonomike (Beqir Zhuta) dhe një doktor të shkencave juridike (Gëzime Starova), të cilët për shkak të angazhimeve të tyre në institucionet shtetërore dhe publike të Republikës së Maqedonisë nuk ishin të gatshëm të angazhohen në Universitetin e Tetovës. Prandaj, në këtë komision kemi qenë të detyruar të emërojmë kuadro joadekuatë, sipas normave ligjore të atëhershme, me thirrje të magjistrave të shkencave.
U diskutua edhe për hapjen e Fakultetit Pedagogjik, por kjo çështje mbeti të shqyrtohet më vonë, pas marrjes së pëlqimit nga Komisioni amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, me seli në Shkup, nëse shpreh gatishmëri kjo iniciativë t’i bashkëngjitet ose jo Universitetit të Tetovës në të ardhmen.
Në shumë shkrime të mëvonshme, deklarata, intervista dhe paraqitje të tjera në mediume, duke pasur parasysh hapësirën e kufizuar në mjetet e informimit në gjuhën shqipe, censurën politike dhe mungesën e informacioneve të nevojshme nga personat kompetentë, janë bërë edhe lëshime të natyrave të ndryshme, nga gazetarët dhe nga vetë përfaqësuesit e organeve të përkohshme të Universitetit, me apo pa qëllim, të cilat nuk kanë qenë të plota, të sakta dhe nuk e kanë paraqitur realitetin në lidhje me themelimin e Universitetit të Tetovës dhe aktivitetet e mëvonshme për fillimin e punës së tij. Informacione dhe të dhëna të pasakta, për iniciativën dhe themelimin e Universitetit të Tetovës janë publikuar edhe nga vetë drejtuesit e Universiteti, nga fakti se Prof. dr. Fadil Sulejmani, i njohur më vonë si ,,udhëheqës historik” dhe ,,themelues” i Universitetit të Tetovës, është inkuadruar disa muaj më vonë në iniciativën për hapjen e Universitetit, përkatësisht nga data 14 maj 1994 (këtë e dëshmon vetë Prof. dr. Fadil Sulejmani në shumë publikime, deklarata dhe intervista). Ai i është bashkëngjitur kësaj iniciative së paku gjashtë muaj më vonë, pasi kjo iniciativë nga Bashkësia Kulturore Shqiptare për themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, përkatësisht Universitetit të Tetovës, ishte bërë publike dhe në lidhje me këtë iniciativë ishin miratuar dhe publikuar një serë dokumentesh, disa muaj para se të inkuadrohej Prof. dr. Fadil Sulejmanit në këtë iniciativë.
Për këtë arsye dhe arsye të tjera subjektive dhe objektive, edhe sot publikohen informacione dhe të dhëna të pasakta për datat, shkrime për ngjarje dhe aktivitete të cilat nuk bazohen në fakte dhe dokumente, nuk përcillen me dëshmi përkatëse dhe si të tilla nuk i kontribuojnë jetëshkrimit, historisë së vërtetë të themelimit, ngritjes dhe rritës së Universitetit të Tetovës. Prandaj, përmes këtij shkrimi, me dokumente, fakte dhe dëshmi autentike, e paraqes të vërtetën më të plotë dhe më të saktë në lidhje me aktivitetet dhe datat e rëndësishme, sidomos për themelimin dhe zhvillimet e mëvonshme për fillimin e punës së Universitetit të Tetovës, sot Universiteti Shtetëror i Tetovës.
Data 4 qershor 1994 është data e themelimit të Universitetit të Tetovës
Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës, i mbajtur në sallën solemne të Kuvendit komunal të Tetovës, më 4 qershor 1994, ka sjellë Vendim për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe të 7 (shtatë) fakulteteve të tij (Shih, foto nr. 1 dhe 2).

Kuvendi për themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni – Hapet Universiteti në Tetovë, Ismail Arsllani, Rilindja, Tiranë, 4 qershor 1994.

Nga Kuvendi për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni – Në vjeshtë – me Universitet në gjuhën shqipe, Enver Shala, Flaka e vëllazërimit, Shkup, 6 qershor 1994.

Në fillim të punimeve të këtij Kuvendi u miratua rendi i ditës dhe u zgjodh Kryesia e punës, në përbërje prej 5 (pesë) anëtarëve, edhe atë:
KRYESIA E PUNËS SË KUVENDIT THEMELUES TË UNIVERSITETIT
1. Abdulla Mehmeti, kryetar i BKSH-së, organizator
2. Prof. dr. Ali Vishko, anëtar
3. Prof. dr. Fadil Sulejmani, kryesues
4. Prof. dr. Murtezan Ismaili, anëtar
5. Mr. Ruzhdi Lata, anëtar
Përveç Vendimit për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe vendimeve për themelimin e 7 (shtatë) fakulteteve të tij, Kuvendi solli Vendim për emërimin e Kryesisë së Universitetit, prej 3 (tre) anëtarësh, edhe atë:
KRYESIA E UNIVERSITETIT
1. Prof. dr. Fadil Sulejmani
2. Prof. dr. Murtezan Ismaili
3. Prof. dr. Agni Dika
Kryesia u zgjodh me aklamacion, ndërsa me propozim të organizatorit kjo kryesi u emërua si organ kolektiv, duke pasur parasysh mes tjerash edhe rrethanat e punës në të ardhmen.
Kuvendi zgjodhi dhe emëroi edhe Këshillin themelues të Universitetit, prej 18 (tetëmbëdhjetë) anëtarësh, në përbërje të së cilit u zgjidhën edhe nga 3 (tre) anëtarë të Komisioneve për 7 (shtatë) fakultetet në kuadër të Universitetit, edhe atë:
KËSHILLI I UNIVERSITETIT
I. Fakulteti Filologjik
1. Prof. dr. Mahmud Hysa
2. Prof. dr. Rahmi Tuda (Mr. Ismail Ahmedi)
3. Mr. Nexhibe Palloshi
II. Fakulteti Filozofik
4. Prof. dr. Masar Kodra
5. Prof. dr. Avzi Mustafa
6. Prof. dr. Ali Vishko (Dr. Gjylimsere Kasapi)
III. Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik
7. Mr. Musli Halimi
8. Mr. Abdulla Aliu
9. Mr. Petrit Pollozhani
IV. Fakulteti i Shkencave Matematike–Natyrore
10. Prof. dr. Bedri Kamberi
11. Prof. dr. Murat Murati
12. Mr. Nexhmedin Beadini
V. Fakulteti i Arteve
13. Adem Kastrati, piktor akademik
14. Miftar Memeti, piktor akademik
15. Zijadin Ismaili, pedagog i muzikës
VI. Fakulteti Teologjik – i Studimeve Islame
16. Prof. dr. Feti Mediu
17. Mr. Bari Aliu
18. Ef. Sulejman Rexhepi
Se nga organizatori ishin ndërmarrë paraprakisht të gjitha aktivitetet e nevojshme për themelimin e Universitetit dhe se ishin përgatitur të gjitha propozimet për emërimin e anëtarëve dhe zgjedhjen e organeve të Universitetit, përveç dokumenteve të tjera e dëshmon edhe skica në dorëshkrim me propozime për anëtarët e Kryesisë së Universitetit dhe të Këshillit të Universitetit, të cilat me pak ndryshime u miratuan nga Kuvendi. (Shih, foto nr. 3. Skica e propozimeve për anëtarë të Kryesisë së Universitetit dhe Këshillit për themelimin e Universitetit, dorëshkrim i Abdulla Mehmetit. Dokumenti origjinal ruhet në Arkivin e BKSH-së).

Skica me propozimet e organizatorit për anëtarët e Kryesisë së Universitetit dhe Këshillit për themelimin e Universitetit
Në Kuvend u bisedua edhe për mundësinë e përfshirjes së Fakultetit Pedagogjik në kuadër të Universitetit të Tetovës. Edhe pse u propozua Komisioni i këtij fakulteti, në përbërje: 1. Prof. dr. Tahir Zajazi, 2. Prof. dr. Abdirauf Pruthi dhe 3. Mr. Rrahim Ganiu, kjo çështje u la të vendoset më vonë, pas marrjes së pëlqimit nga Komisioni amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, me seli në Shkup. Ky pëlqim u dha më vonë, në mbledhjen e Këshillit të Universitetit, e organizuar në Kuvendin komunal të Gostivarit, më 1 tetor 1994.
Në fund të punimeve të tij, Kuvendi e miratoi edhe Deklaratë për themelimin e Universitetit të Tetovës, të cilën e nënshkruan 116 pjesëmarrës (delegatë) të këtij Kuvendi (Shih, foto nr. 4).
Në mbledhjen e parë (konstituive) të Këshillit të Universitetit, e cila u mbajt po këtë ditë, pas përfundimit të punimeve të Kuvendit, Prof. dr. Bedri Kamberi u zgjodh koordinator i këtij Këshilli.
Korrespodenti i gazetës ,,Flaka e vëllazërimit”, pjesëmarrës në këtë Kuvend, në raportin e tij mes tjerash shkruan: ,,Pasi që njëzëri u votua për vendimin që të themelohet Universiteti në gjuhën shqipe në Maqedoni, të pranishmit aprovuan Deklaratën, ku pos tjerash thuhet: Me këtë deklaratë e njoftojmë opinionin se Kuvendi i intelektualëve shqiptarë të rangut universitar morri vendim për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni.” (Enver Shala, Në vjeshtë – me Universitet në gjuhën shqipe, Flaka e vëllazërimit, 6 qershor 1994, f. 1-3.

Nga Kuvendi për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni-Në vjeshtë me Universitet në gjuhën shqipe, Enver Shala, Flaka e vëllazërimit, Shkup, 6 qershor 1994, f. 3.
Nga ky Kuvend u miratua qëndrimi që ,,Kuvendet komunale, i Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, si dhe përfaqësuesit shqiptarë në Parlamentin dhe Qeverinë e Republikë së Maqedonisë të angazhohen për legalizimin e këtij Universiteti.” (Shih, Ismail Arsllani, Hapet Universiteti në Tetovë, Rilindja, Tiranë, 4 qershor 1994.)
Data 17 dhjetor 1994 është data e hapjes solemne të Universitetit të Tetovës, jo data e themelimit të tij
Shënimi i datës 17 dhjetor 1994, si datë e themelimit të Universitetit të Tetovës është stisje, shpikje, sajesë e disa drejtuesve të mëparshëm të Universitetit, partive politike shqiptare dhe e disa qarqeve intelektuale, të cilat ia shkurtojnë historinë e jetës së këtij Universiteti për plot 6 (gjashtë) muaj. Vetëm përvjetorin e parë të themelimit, Universiteti i Tetovës e ka shënuar më 4 qershor 1995.
Më 17 dhjetor 1994 ka qenë e planifikuar të bëhet Hapja solemne e Universitetit, siç shihet nga ky Program i publikuar në vazhdim dhe nga Ftesa për pjesëmarrësit në këtë solemnitet, në organizim të Këshillit të Universitetit. Teksti i plotë i Ftesës është:
,,FTESË
Ju dhe zonja Juaj ftoheni të merrni pjesë në hapjen solemne të Universitetit të Tetovës.
Pallati i kulturës, ora 12:00, Tetovë 17. 12.1994.
Këshilli për themelimin e Universitetit të Tetovës” (Shih, foto nr. 5).

Ftesa për hapjen solemne të Universitetit të Tetovës, 17 dhjetor 1994.

Këshilli i Universitetit, bashkë me ftesën pjesëmarrësve ua kishte dërguar edhe Programin e hapjes solemne të Universitetit, në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht (Shih, foto nr. 6), në të cilin ishin paraparë këto pika programore:
1. Ekzekutimi i himnit kombëtar – kori i gjimnazit të Tetovës, nën dirigjimin e Arifhikmet Xhemailit
2. Fjala e hapjes solemne të Universitetit të Tetovës – Enver Zenku (kryetar i Komunës së Gostivarit)
3. Ekspoze për punën e Këshillit për themelimin e Universitetit të Tetovës – Mr. Sami Ibrahimi
4. ,,Paskalia” komponim për violinë dhe violë – Georg Fridrih Hendel – ekzekutojnë Sihana Badivuku dhe Blerim Grubi
5. Shpallja e aktit të themelimit të Universitetit të Tetovës – Dr. Fadil Sulejmani
6. Himni universitar ,,Gaudeamus” – kori i gjimnazit të Tetovës nën dirigjimin e Arifhikmet Xhemailit
7. Fjala e mbylljes së solemnitetit – Enver Zenku


Programi i hapjes solemne të Universitetit të Tetovës, 17.12.1994.

Nga përmbajtja e Programit, shihet se në vend të Kryetarit të Komunës së Tetovës, si qytet kryesor, vendlindje dhe seli e Universitetit, fjalën kryesore ishte planifikuar ta kishte kryetari i Komunës së Gostivarit, ndërsa ekspozenë për punën e Këshillit duhej ta mbante Mr. Sami Ibrahimi, i cili nuk ka qenë anëtar i këtij Këshilli. Për këto çështje është dashur të kërkohen sqarime nga organizatorët e këtij manifestimi, i cili ishte paraparë të organizohet dhe nuk u organizua.
Deri më 17 dhjetor 1994, Universiteti ka pasur vendim për themelimin e tij, i ka pasur organet e veta të përkohshme, Kryesinë e Universitetit dhe Këshillin e Universitetit. Universiteti i Tetovës, deri më 17 dhjetor 1994 po ashtu e ka pasur edhe emblemën e Universitetit (Shih, foto nr. 7), dhe Elaboratin për arsyeshmërinë shoqërore dhe ekonomike të këtij institucioni (Shih, foto nr. 8). I ka pasur aktet normative të Universitetit dhe fakulteteve, planet dhe programet mësimore dhe i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e punës së tij.

Emblema e Universitetit të Tetovës (realizimi artistik nga piktori akademik Miftar Mehmeti). Elaborati për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë.

Më 14 tetor 1994, Kryesia e Universitetit dhe Këshilli themelues i Universitetit kanë parashtruar kërkesë për regjistrim (legalizim) drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë për Arsim dhe Kulturë Fizike të Republikës së Maqedonisë, si dhe i ka bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit akademik 1994/95. Qëndrimet e Qeverisë në lidhje me këtë çështje u sollën zyrtarisht në mbledhjen e saj të mbajtur më 12 dhjetor 1994, me qëndrimin se: ,,Kërkesa nuk është në pajtim as me Kushtetutën e as me Ligjin ekzistues të Arsimit të orientuar”, duke vazhduar më tej se, Qeveria ,,do t’i ndërmerr të gjitha masat ligjore që ka në dispozicion që t’i suspendojë këto aktivitete jashtëligjore” (Shih, Daut Dauti, Qëndrime të pamatura qeveritare antiuniversitare, Flaka e vëllazërimit, 18.12.1994, Shkup).
Më 14 dhjetor janë demoluar nga policia zyrat (Rektorati i përkohshëm) e Universitetit (Shih, foto nr. 9) dhe është rrënuar objekti i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, objekt i përshtatur i Bashkësisë lokale në Reçicë të Vogël, për nevojat e këtij Universiteti. (Shih, foto nr. 10).

Objekti i zyrave të Universitetit të Tetovës (Rektorati i parë), Rr. Gjorçe Petrov, nr. 68.

Pamje nga aksioni brutal i policisë gjatë rrënimit të objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, në Reçicë të Vogël (Shih poshtëshënimin e fotografisë: Pushteti sllavomaqedonas rrënon objektet dhe djeg orenditë e Universitetit të Tetovës).

Në këto rrethana u mbajt mbledhja e Kryesisë së Universitetit, e kryesuar nga: Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prof. dr. Agni Dika dhe Prof. dr. Murtezan Ismaili, me përfaqësuesit e disa asociacioneve politike dhe jopolitike shqiptare. Mbledhja u mbajt në shtëpinë e Bari Ganiut në Reçicë të Vogël, më 15 dhjetor 1994. (Shih, foto nr. 11). Punimet e kësaj mbledhje janë xhiruar nga TV Art, Tetovë, përkatësisht pronari i saj, Artan Skenderi dhe redaktori Muharem Idrizi, ndërsa fotografitë i ka realizuar Fotostudio ,,Daci”, përkatësisht pronari i saj, Xhemil Daci.

Mbledhja e Kryesisë së Universitetit me përfaqësuesit e disa subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare gjatë nënshkrimit të Listës në mbështetje të Vendimit për fillimin e punës së Universitetit, më 15 dhjetor 1994, në shtëpinë e Bari Ganiut, Reçicë e Vogël, Tetovë.
Në fotografi, nga e majta: Zeqir Kadriu (PDP), Arben Rusi (SHH ,,Hëna e Re”), Nevzat Halili (PPD-PUP), Dr. Agni Dika, Dr. Fadil Sulejmani, Dr. Murtezan Ismaili, Iljaz Halimi (PDP), Arbën Xhaferi (PPD), Milaim Fejziu (FDMLDNJ), Muqereme Rusi (LGSH), Xhevat Halili (PDP), Vahit Kamberi (PPD-PUP), Qemal Halili (PPD-PUP).

(VIJON…)

* * *

PJESA E DYTË:
ABDULLA MEHMETI: UNIVERSITETI I TETOVËS ËSHTË THEMELUAR MË 4 QERSHOR, JO MË 17 DHJETOR 1994 (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3457

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura