ADIL FETAHU: DIKTATORI QË HAPË FRONTE, E MBYLLË PORTA!

Pashtriku.org, 17. 05. 2015 – Adil Fetahu këtë analizë e ka botuar më 16 maj 1998 në gazetën e përditshme “Bujku”. Analizën po e botojmë me qëllim për ta sjellë në kujtesë kohën kur lufta kundër regjimit serb në Kosovë po merrte përmasa dhe në këtë luftë një kontribut të pamohueshëm kishin dhënë edhe shumë intelektualë, të cilët parashikonin fundin e pashmangshëm të kryekriminelit të Ballkanit, Milosheviq.
***

Regjimi aktual serb është ngritur dhe është mbajtur në saje të okupimit të Kosovës. -Hapja e frontit të luftës së armatosur në Kosovë, dhe e luftës propaganduese kundër udhëheqjes aktuale të Malit të Zi, janë në funksion të ruajtjes së frymës së hegjemonizmit, të tërheqjes së vëmendjes nga problemet jetike dhe nga kriza që i ka krijuar vetë, dhe të ruajtjes së pozitave në pushtet. – Regjimit i nevojiten konflikte të reja, për t’i harruar këto probleme dhe për t’i ikur përgjegjësisë për dështimet e mëparshme.
Sintagma e përsëritur dhe manipuluar aq shumë nga qarqe të ndryshme nacionaliste serbe gjatë kohës së ekzistimit të ish-RSFJ-së, për “Serbinë e dobët, e Jugosllavinë e fortë” (dhe anasjelltas), u tregua se ishte reale. Sepse, kur Serbia u forcua, u hegjemonizua dhe dominoi mbi federatën jugosllave, arriti ta shkatërrojë atë. Të ngarkuar me ideologji hegjemoniste, për të dominuar mbi tërë Jugosllavinë dhe mbi të gjithë popujt e saj, establishmenti serb nuk pranoi konfederalizimin që i propozuan, veçse hapi fronte të luftës agresive, së pari në Slloveni, e më pastaj në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Vrasjet, shkatërrimet dhe krimet që ka kryer “ushtria popullore jugosllave” dhe hordhitë çetnike paramilitare serbe në ato luftime, janë më të egrat që janë bërë pas Luftës së Dytë Botërore. Për gjykimin e atyre krimeve, u desh të formohej gjyq i posaçëm ndërkombëtar – Tribunali i Hagës.

Kur komuniteti ndërkombëtar kërcënohej me intervenim, për të ndalë luftën dhe krimet e soldateskës serbe, udhëheqësit e atëhershëm dhe të tashëm deklaronin se “asnjë këmbë e ushtarit të huaj nuk guxon të shkelë në tokën jugosllave”. Dihet pastaj se kush dhe si e ndali dhe e përfundoi luftën në Kroaci dhe në Bosnje-Hercegovinë. Me gjithë rrahagjoksin për mospërzierjën në punët e brendshme, iu desh të mbyllen në Qendrën Ushtarake në Dejton, derisa e nënshkruan marrëveshjen për ndërprerjen e luftës dhe ndërtimin e paqes.
“Fitoret” e luftës – shkatërrimi i shtetit të RSFJ-së
Fitoret e luftës që zhvilloi ushtria jugosllave ishin: shkatërrimi i shtetit të RSFJ-së, në të cilin jetonin të bashkuar të gjithë serbët, të privilegjuar në të gjitha segmentet; tash disa dhjetra mijëra serbë të vrarë e më shumë të plagosur; më se gjysmë milioni refugjatë të ikur në Serbi; sanksionet dhe izolimi ndërkombëtar që ekonominë ia ktheu në nivelin e viteve të gjashtëdhjeta; listën e gjatë të kriminelëve të cilët po i kërkon Tribunali i Hagës.
Procesin e tranzicionit dhe demokratizimit të shoqërive të ish-vendeve socialiste, integrimet në organizmat ndërkombëtare Jugosllavia e Zhablakut as që i filloi. Sanksionet ekonomike e të tjera, mbyllja e dyerve për investime të hueja dhe privatizim, shkaktuan varfërimin total të popullsisë, ashtu që u krijuan dy shtresa sociale: shtresa e të varfërve e cila përbënë më se 90% të popullsisë, dhe shtresa e profiterëve, matrapazëve e parazitëve të afërt me oligarkinë shtetërore, që përbën më pak se 10%. Kështu është zhdukur plotësisht shtresa e mesme, e cila është stabilizatori i çdo shoqërie.
Me qëllim që ta trashëgojë vazhdimësinë shtetërore-juridike dhe trashëgiminë pasurore-ekonomike, Serbia dhe Mali Zi e formuan federatën asimetrike, të vetëquajtur Jugosllavi. Kjo farë Jugosllavie, me sipërfaqe më të vogël, por me probleme më të mëdha për të gjithë ata që rrojnë brenda dhe rreth saj, është një kreaturë me imazhin ndër më të keq në botë, e pa pranuar nga asnjë organizatë apo institucion ndërkombëtar. Këtë Jugosllavi nuk e lidhë me botën asnjë konventë a kontratë ndërkombëtare, përpos atyre të sanksioneve të shqiptuara nga organizmat ndërkombëtare. Shikuar nga aspekti juridik, këtë (Jugosllavi) nuk do të duhej ta pranonin as qytetarët e vet. Sepse, Kushtetutën e Zhablakut e kanë miratuar delegatët e legjislaturës së vjetër, të cilët i përkisnin një partie politike (LKJ-së), dhe se delegatët e delegacionet e atij Kuvendi që e miratuan atë kushtetutë, nuk ishin komplet siç e përcaktonte kushtetuta e cila asokohe ishte në fuqi. Kreatura e konstruktuar kështu, shpejt e shpejt, u bë një shtet partiak, antiligjor, në të cilin sundon një ohlokraci (njerëz të këqij), ku nuk sundon ligji, por njerëzit të cilët e kanë rrëmbyer pushtetin duke u valavitur rrugëve, me dhunë e mashtrime.
Trumbetimi propagandues për “Jugosllavinë e tretë” si shtet juridik dhe demokratik, është një hipokrizi, që nuk ka lidhje me realitetin. Sepse, në asnjë segment nuk i plotëson standardet e një shteti demokratik. Zatën, thuhet se formula për ndërtimin e shtetit demokratik është: gjashtë muaj për bërjen e kushtetutës, gjashtë vjet për ndërtimin e institucioneve, dhe gjashtëdhjetë vjet për krijimin e shoqërisë demokratike. Mirëpo, një popull me potencial destruktiv, siç është populli serb, me vetitë më të këqija: pa harmoni mes vete, që i urren të gjithë të tjerët, i vrazhdë, lakmitar, agresiv, i pabesë, jo i sinqertë, servil, narcisoid joreal, që jeton me mite,- duket se nuk ka gjasa të ndërtojë shtet demokratik as për një periudhë edhe më të gjatë. Prandaj, janë të kota pretendimet e faktorëve ndërkombëtarë të cilët presin demokratizimin e Serbisë, për t’u përfshirë në proceset integruese evropiane. Pas gjithë asaj që ka ndodhur në ish-Jugosllavi, e me potencialin e këtillë destruktiv në Jugosllavinë e tashme, askush nuk mund të jetë i sigurt se këtu do të mbretërojë paqe e qëndrueshme. Të paktën, jo pa u bërë bashkimi i kombit shqiptar, si faktor paqe dhe ekuilibri në Ballkan.
Referendumi për refuzimin e dialogut
Përcaktimi i shqiptarëve të Kosovës, që në mënyrë paqësore të ndahen nga Serbia dhe Jugosllavia e këtillë, e ta formojnë një shoqëri demokratike, është punë sizifi, karshi potencialit negativ të Serbisë. Sepse, krahas vetive të këqija të përmendura më lart, që e karakterizojnë shoqërinë e sotme në Serbi, veçmas njerëzit e regjimit, si dhe dështimet e deritashme në realizimin e projekteve serbomëdha, e shtyjnë udhëheqjen serbe të bëjë përpjekjet e fundit për ta ruajtur pushtetin që ka. Zatën, ky regjim edhe është ngritur dhe është mbajtur në saje të okupimit të Kosovës. Hapja e fronit të luftës së armatosur në Kosovë, dhe e luftës propaganduese kundër udhëheqjes aktuale të Malit të zi, janë në funksion të ruajtjes së frymës së hegjemonizmit, të tërheqjes së vëmendjes nga problemet jetike dhe krizat që i ka krijuar vetë, dhe të ruajtjes së pozitave në pushtet. Regjimit i nevojitën konflikte të reja, për t’i harruar këto probleme dhe për t’i ikur përgjegjësisë për dështimet e mëparshme. Dhe, siç shihet, këtë qëllim e ka arritur përkohësisht. Sepse, jo vetëm establishmenti i regjimit, veçse edhe të gjitha forcat e tjera politike dhe qarqet e tjera me kryeneçësi refuzojnë dialogun e pakusht dhe ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë për zgjidhjen paqësore të statusit politik dhe kushtetues-juridik të Kosovës. Në këtë kontekst u mbajt edhe referendumi në Serbi, për mospranimin e palës së tretë si ndërmjetësuese në negociatat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Vetë inicimi, mënyra dhe shpejtësia e shpalljes dhe e mbajtjes së referendumit, fushata agresive mediale që u zhvillua para dhe pas referendumit, janë pasqyra më e qartë e marrisë dhe paranojës kolektive kundër mendjes së shëndoshë. Referendumi fillim e mbarim ishte manipulim me ndjenjat nacionaliste të popullit, duke përhapur optimizëm të rrejshëm. Përkrahja stereotipe e deklaruar nga qytetarët e porositur, shprehte një politikë jotolerante, militante dhe ekskluziviteti. Edhe atmosfera e festimit “të rezultateve” të referendumit ishte në funksion të ngritjes së rëndësisë së tij, nga fiksioni – në realitet, në çka nuk besojnë as vetë kreatorët e tij. Sepse, sado që ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë në negociatat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës e konsiderojnë si presion, prapseprap janë të vetëdijshëm se nuk kanë çare pa e pranuar palën e tretë. Me gjithë verbërinë nacionaliste, nuk janë aq naivë sa të mos e dinë se edhe në një familje, kur acarohen raportet, intervenohet nga jashtë, qoftë nga shërbimi për punë sociale, apo nga gjykata, për t’i ndarë dhe vendosur se kujt çka i takon.
Të dyja palët janë të vetëdijshme, se sado të zgjatë kontesti, sido që të zhvillohen ngjarjet, më në fund duhet të ulën në tavolinën e bisedimeve. Agresioni i tashëm ushtarako-policor, masakrat, krimet dhe represioni që po bëjnë Serbia dhe RFJ në Kosovë, janë pjesë e strategjisë për të fituar pozicione më të forta dhe qëllime tjera para se të nisin negociatat. Këto veprime po ndërmerrën edhe me tolerimin e faktorit të jashtëm, i cili më tepër është i përqendruar në lokalizimin e konfliktit, se sa në zgjidhjen e çështjes.
Pala jugosllave gjithsesi do të detyrohet të pranojë, jo vetëm dialogun me palën kosovare, në çka e obligojnë vendimet e Grupit të Kontaktit, të Këshillit të Evropës, të NATO-s e të faktorëve tjerë relevantë ndërkombëtarë. Refuzimet kategorike të ndërmjetësve nga jashtë, referendumi dhe ekskluzivitetet e tilla janë receptura të provuara të politikës jugosllave, por ato nuk i kanë “pi ujë”, sepse në fund janë detyruar t’i pranojnë e madje edhe t’i ftojnë vetë dhe t’i lusin për ndërmjetësim. Për zgjidhjen e çështjes së Bosnjës u detyruan të shkojnë në Dejton, ku u mbajtën “në karantinë” derisa e nënshkruan marrëveshjen. Vetë e thirrën Felipe Gonzalesin për t’ua vërtetuar vjedhjen e votave në zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë (1996). Bile, në atë kontest të zgjedhjeve, i poshtroi organet e pushtetit, pasi që paraprakisht të gjitha instancat gjyqësore e kishin vërtetuar se zgjedhjet “ishin të rregullta”, kurse më vonë misioni i Gonzalesit e vërtetoi të kundërtën, dhe u desh të miratohet “lex specialis” për t’i pranuar ato zgjedhje sipas raportit të faktorit të jashtëm.
Dialogu (trialogu) mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse palët i qasen me urti, tolerancë dhe realizëm
Pala shqiptare me kohë është përcaktuar për dialog konstruktiv e pa kushte, me pjesëmarrjen e palës së tretë si garantuese, për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, sipas të drejtës së vetëvendosjes së popullit të Kosovës. Insistimi për praninë e palës së tretë, si intermediatore dhe garantuese, përpos që është praktikë e rëndomtë në kontestet e tilla ndërkombëtare, ka edhe arsye të tjera. Palës jugosllave nuk mund t’i besohet se do ta respektojë e zbatojë marrëveshjen eventuale që do të arrihej, pa qenë e detyruar nga pala e tretë, e cila do të ishte garantuese. Prandaj, pala shqiptare kërkon që ajo palë e tretë dhe garantuese të jenë ShBA-të, si e vetja forcë reale së cilës mund t’i besohet realizimi i marrëveshjes.
Ndonëse akoma nuk kanë filluar negociatat, dhe nuk është e sigurt se do të fillojnë së shpejti, tash për tash pozicionet e palës shqiptare dhe asaj serbe (jugosllave) janë diametralisht të kundërta. Derisa pala shqiptare me plot të drejtë insiston në pavarësi, pala serbe (jugosllave) negociatat i kushtëzon me kornizat e kushtetutës së Republikës së Serbisë. Me këso kushtëzimesh, pala shqiptare s’ka se çka të bisedojë.
Sado i komplikuar të paraqitet kontesti, në qoftë se abstrahohet argumenti i forcës, po dominon forca e argumenteve, problemi i Kosovës është shumë i thjeshtë për t’u zgjidhur, dhe vetëm duhet urti, drejtësi, tolerancë dhe realizëm në qasje. Kërkesa e Kosovës për pavarësi, përpos bazës që e ka në të drejtën etnike dhe të drejtën e vetëvendosjes, ka edhe bazën kushtetuese-juridike në Kushtetutën e ish-RSFJ-së. Sipas asaj kushtetute, Kosova ishte njësi konstituive e Federatës jugosllave, dhe pasi që ajo Federatë u shpërbë në pjesët e saj konstituive, të cilat u bënë shtete të pavarura, edhe Kosova ka të drejtë të jetë shtet i pavarur.
Pala shqiptare e ka caktuar Grupin Këshillëdhënës dhe ekipin për negociata, dhe pret që edhe pala jugosllave ta caktojë ekipin e saj negocues, dhe ta pranojë intermediatorin e caktuar nga Grupi i Kontaktit. Farsën e bisedave të përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, të cilët vijnë në Prishtinë e bisedojnë me do maxhupë (si Luan Koka,etj.), mbajnë konferenca për gazetarë dhe kthehen prej nga kanë ardhur, askush nuk ua pranon si serioze, as si zëvendësim për negociata të njëmendëta. Sepse, sipas qëndrimit të subjekteve politike të Kosovës dhe vendimeve të Grupit të Kontaktit, negociatat duhet të zhvillohen midis Kosovës e RFJ-së, me pjesëmarrjen e palës së tretë si ndërmjetësues. Emërimi i Vlladan Kutleshiqit si përfaqësues special i kryetarit të RFJ-së, në kuadër të delegacionit të Qeverisë së Serbisë për negociata me palën shqiptare, nuk ia ngritë nivelin e delegacionit të palës tjetër. Prandaj, pala shqiptare nuk duhet ta pranojë një truk të tillë të Millosheviqit. Sepse, negociatat midis shteteve të ndryshme për konteste politike e statusore, nuk janë çështje kurtoazie, që të mbulohen me njëfar emisari të kryetarit të shtetit. Caktimi i delegacionit për negociata të tilla është në kompetencë të Qeverisë së RFJ-së, prandaj negociatat mund të bëhen vetëm me delegacion kompetent. (“Bujku”, 16 maj 1998)

– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura