Prishtinë, 25. 10. 2015: Më 21 tetor 2015, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, dorëzoi Kallëzimin Penal kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se me arrestimin e tij (më 12 tetor 2015) kanë kryer veprën penale Privimi i kundërligjshëm i lirisë nga Neni 196 par. 1 lidhur me par. 3, si dhe veprën penale të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar nga Neni 422 paragrafi 1 lidhur me nënparagrafin 2.2 dhe 2.5 të KPK-së; apo vepër tjetër penale e cila ndiqet zyrtarisht nga Prokurori i Shtetit.
Në vazhdim ju sjellim Kallëzimin Penal të Albin Kurtit i cili ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore dhe në Prokurorinë e Shtetit, si dhe provat që i janë bashkëngjitur këtij Kallëzimi penal:
***
Për: Prokurorinë Themelore – Departamenti i Përgjithshëm – Prishtinë
Drejtuar: Kryeprokurorit Z. Imer Beka
CC: Prokurorinë e Shtetit – Republika e Kosovës, Prishtinë
Drejtuar: Kyreprokurorit Z. Aleksander Lumezi
Nga: Albin Kurti i lindur më 24.03.1975 në Prishtinë, nr. personal 1500572457, deputet i Lëvizjes
VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Në bazë të nenit 79 paragrafi 1 në lidhje me nenin 80 paragrafi 1 të Kodit te Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), në cilësinë e të dëmtuarit, paraqes këtë:
K A LL Ë Z I M P E N A L
1. Kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës (në vazhdim PK) të cilët Prokuroria gjatë hetimeve do t’i identifikojë si zyrtarë të PK-së,
SEPSE
Me datë 12 tetor 2015, rreth orës 21:05, në afërsi të Prishtinës, është ndalur vetura e markës “Passat” me targa 01•917-HG. Në këtë veturë gjindesha unë, Albin Kurti, Deputet i Kuvendit të Kosovës, z. Boiken Abazi, Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Veton Dragusha, aktivist i Sekretariatit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe z. Glauk Konjufca, Deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Atë natë (12 tetor 2015) ne jemi ndalur nga zyrtarët e PK-së në afërsi të Prishtinës, të cilët na kanë nxjerrë në mënyrë të dhunshme nga automjeti, na kanë vendosur në pranga, dhe, më tej, në pranga, më kanë arrestuar në mënyrë të kundërligjshme, në formë rrëmbimi, pa urdhër arrest të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar se me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale Privimi i kundërligjshëm i lirisë nga Neni 196 par. 1 lidhur me par. 3, në kryerje të veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar nga Neni 422 paragrafi 1 lidhur me nënparagrafin 2.2 dhe 2.5 të KPK-së; apo vepër tjetër penale e cila ndiqet zyrtarisht nga Prokurori i Shtetit.
Arsyetim:
Më 12. 10. 2015 unë Albin Kurti së bashku me tre zyrtarët e lartpërmendur të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në dispozitiv të këtij Kallëzimi Penal po të njëjtën ditë kemi kaluar në mënyrë të rregullt Pikën Kufitare të Hanit të Elezit rreth orës 20:00 (data 12 tetor 2015), ku kemi paraqitur dokumentet tona të identifikimit dhe nga zyrtarët e Pikës Kufitare nuk na është komunikuar asgjë në lidhje me ndonjë parregullsi apo në lidhje me mundësinë që ndonjëri prej nesh të ishte në kërkim nga Policia e Kosovës. Përkundrazi, zyrtarët e Pikës Doganore të Hanit të Elezit kanë qenë tejet të rregullt dhe të sjellshëm gjatë momentit të verifikimit të dokumenteve tona dhe të kalimit tonë në këtë Pikë Kufitare.
Vetura me të cilën ne udhëtonim u ndal nga zyrtarët e PK-së rreth orës 21:05 të datës 12 tetor 2015, në rrethrrotullimin që gjendet në hyrje të Prishtinës, respektivisht pranë vendbanimit të Çagllavicës. Me të ndalur kemi vërejtur se nuk bëhej fjalë për një ndalesë rutinore të policisë, sepse aty ishin të pranishëm rreth 15 (pesëmbëdhjetë) zyrtarë të PK-së që iu afruan veturës tonë. Zyrtarët e PK-së, pa u prezantuar fare dhe pa i shpjeguar qartësisht arsyet e ndaljes sonë, e kanë kërkuar dhe ne ua kemi dhënë dokumentacionin e automjetit. Njëkohësisht, ata kanë kërkuar që unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës, të dal nga vetura. Zyrtarët e Policisë kanë hapur të katër dyert e veturës me të cilën ne udhëtonim dhe ma kanë komunikuar se duhet te me arrestojnë. Unë kam kërkuar sqarimin dhe arsyet e ndalesës dhe të arrestimit tim që ata donin ta bënin, si dhe kam kërkuar që të më paraqitet një dokument me shkrim. Zyrtari i PK-së i cili komunikonte me mua, nuk i tregoi arsyet e ndalimit dhe të arrestimit tim dhe nuk tregoi asnjë dokument me shkrim, por vazhdimisht pretendoi se ka udhër për arrestimin tim.
Si qytetar i Republikës së Kosovës dhe duke pasur parasysh funksionin publik të cilin unë e mbaj si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe mbi statusin që gëzoj në funksion të deputetit edhe imunitetin përkatës funksional nga ndjekja penale dhe paditja civile, vazhdimisht kam insistuar që të më tregohen paraprakisht arsyet e ndalimit dhe arrestimit si dhe titullin (urdhërin) mbi bazën e të cilit vepronin zyrtarët e PK-së. Mirëpo, me gjithë insistimin tim dhe të zyrtarëve të tjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të na treguar arsyet e ndalimit dhe dokumentin e urdhërarrestit, zyrtari policor ka refuzuar, duke u shprehur edhe si në vijim: “Unë po të tregoj se është urdhri për me të arrestu, vjen poshtë dhe e sheh letrën!”. Kjo përgjigje e zyrtarit të PK-së erdhi pas insistimit tim si i dëmtuar se mënyra se si po sillen zyrtarët e PK-së, pa e sqaruar arsyen e ndaljes dhe arrestimit, është trajtim kriminal ndaj një deputeti. Kjo pjesë e bisedës është transmetuar edhe në mediet elektronike, ku materiali i njëjtë do t’i prezantohet Prokurorisë në cilësi të provës materiale. Vetëm në fund, para ndërhyrjes me forcë, ky zyrtar i policisë i cili komunikonte me ne, u prezantua me emrin Bekim Klinaku.
PROVË:
Incizimi në CD-1 të video materialit të publikuar në medie
Dëshmitarët:
Glauk Konjufca, me vendbanim të përkohshëm në adresën: Bulevardi ‘Bill Klinton’, L-4, B1 në Prishtinë Boiken Abazi me vendbanim të përkohshëm në adresën: Rr. ‘Eduard Lir’, Prishtinë, dhe Veton Dragusha me vendbanim të përkohshëm në adresën: Fshati Prugoc, Lagja nr.5, Prishtinë
Unë kam insistuar që të më jipet apo tregohet urdhërarresti dhe që të shpjegohen arsyet e ndalimit, por zyrtari i policisë nuk e bëri këtë gjë dhe u shpreh më tej si në vijim: “Unë i marr urdhërat dhe i zbatoj urdhërat, me këtë rrogë e mbaj familjen”. Me një deklarim të tillë zyrtari i PK-së nuk merr parasysh detyrimin e tij ligjor që gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, para së gjithash, duhet të ketë parasysh detyrimin e tij ligjor përball ushtrimit të funksionit të zyrtarit të policisë.
Pas kësaj bisede me zyrtarin policor, i cili nuk i kumtoi arsyet e ndalimit dhe të arrestimit, afërsisht 15 zyrtarë të PK-së të cilët ishin prezentë kanë filluar që të më nxjerrin mua nga vetura dhe të gjithë të tjerët që ishim të pranishëm në veturë: Deputetin z. Glauk Konjufca, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Boiken Abazin dhe z. Veton Dragushën.
Më tej, që të gjithëve përveç meje, u janë hequr prangat dhe janë liruar, ndërsa mua, zyrtarët e PK-së me pranga më kanë futur me dhunë në veturë të Policisë dhe më kanë dërguar në Stacionin Qendra në Prishtinë.
Është e qartë se zyrtarët e PK-së kanë vepruar në bazë të urdhrave politik e jo në bazë të dispozitave ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale me qenë se ata e kanë ditur dhe unë i kam njoftuar për identitetin tim, kështu që, në mënyrë të rrejshme dhe për ta arritur qëllimin e privimit të lirisë sime kanë deklaruar rrejshëm se kinse kanë urdhërarrest nga Prokuroria Themelore në Prishtinë edhe pse tashmë publikisht dihet se Prokuroria asnjëherë nuk ka lëshuar një urdhrarrest të tillë. Këtë e ka konfirmuar edhe Kryeprokurori i Prishtinës, z.Imer Beka, më 14 tetor 2015, në portalin kallxo.com.
Është e qartë se në rastin konkret kemi të bëjmë me vepra penale të cilat ndiqen zyrtarisht nga Prokurori i Shtetit. Po ashtu, është e qartë se nuk kemi të bëjmë me mosdije të zyrtarëve të PK-së por me privim të qëllimshëm dhe të kundërligjshëm të lirisë sime duke e keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar të cilin zyrtarët e PK-së e kanë në bazë të ligjit. Arrestimi im ka ndodhur pa urdhërarrest të Prokurorisë dhe paraqet shkelje elementare të të drejtave të njeriut.
Me qenë se zyrtarët e PK-së e kanë ditur se nuk kanë urdhër me shkrim nga Prokurori për të më arrestuar atëherë arrestimi im mund të konsiderohet se ka qenë një kidnapim i llojit të veçantë dhe për këtë arsye i propozoj Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të identifikojë zyrtarët e Policisë së Kosovës të cilët natën e arrestimit tim duket se kanë qenë të udhëhequr nga zyrtari policor i prezantuar si Fadil Gashi ndërsa me emrat e tyre më vonë më janë prezantuar edhe hetuesit policor Agron Haziri, Ali Aruqaj dhe Artan Isufi.
Duke e ditur se veprat penale për të cilat ushtrohet ky kallëzim penal janë vepra penale që ndiqen zyrtarisht nga Prokurori i Shtetit dhe duke e ditur se tanimë janë fakte të njohura se arrestimi im ka qenë pa urdhërarrest të Prokurorit të Shtetit (pardje, më 19.10.2015, për këtë është deklaruar edhe Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, në emsionin televiziv ‘Puls’ të KTV-së se arrestimi im ka qenë shkelje elementare e të drejtave të njeriut) atëherë ekziston dyshimi i bazuar se zyrtarë të Policisë së Kosovës që do të identifikohen fare lehtë nga Prokuroria kanë kryer veprën penale për të cilat ushtrohet ky kallzim penal.
PROVË:
Deklarimi i Kryeprokurorit të Prishtinës, z. Imer Beka, për kallxo.com
Deklarimi i Avokatit të Popullit, z. Hilmi Jashari, botuar në portalin koha.net
Andaj, kërkoj nga Prokurori i Shtetit, respektivisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, të nxjerrë aktvendim mbi zhvillimin e hetimeve kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës që do të identifikohen si të involvuar në kryerjen e veprave penale për të cilat paraqitet ky kallëzim penal apo veprave të tjera penale të cilat ndiqen zyrtarisht nga prokurori i shtetit dhe që pas përfundimit të hetimeve të ngritet aktakuzë penale kundër tyre.
Për çdo informatë shtesë ju mund të më kontaktoni në [email protected] dhe në numrin e telefonit 044 859 234.
Prishtinë, 21.10.2015
Albin Kurti
Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës