(Prishtinë, 16. 07. 2012) – Përjashtimi i deputetit Emin Gërbeshi nga Aleanca Kosovare e Re (AKR) një ditë pasi kundërshtoi haptazi ministren Mimoza Kusari-Lila dhe bojkotimi i seancës nga deputetët e PDK-së, i urdhëruar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mënyrë që të mos votohej mocioni për shkarkimin e ministres Kusari-Lila, ka hapur dyshime të shumta rreth përfshirjes së mundshme të zyrtarëve të lartë në pushtet në çështjen “Sharrcem”.
Fillimisht me largimin e Gërbeshit nga partia vetëm pse kërkoi interpelancë nga Kusari-Lila, shpalosi mentalitetin antidemokratik të Aleancës Kosova e Re (AKR). Nga ana tjetër, mungesa e deputetëve të PDK-së edhe pse kishin dhënë fillimisht përkrahjen për mocion, bën më dije se vendimi për çimenton e importuar është çështje e madhe, në të cilën mund të jetë i përfshirë një rreth i ngushtë në pushtet.
Për dallim nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila e luan lojën me taktikë të mençur, AKR-ja është degraduar me të madhe me vendimin e ashpër që bëri duke larguar nga radhët e saj një anëtar deputet, që vetëm kërkoi sqarime nga ministrja Kusari-Lila. Largimi i Gërbeshit është argument i mjaftueshëm që tregon për fuqinë e kësaj ministre por në të njëjtën kohë na bën të ditur sistemin totalitar brenda partisë AKR.
Mimoza Kusari Lila.
……………………………………….
Ky vendim i cili natyrisht se është mbështetur nga kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli, të bën të mendosh se deri ku janë në gjendje të shkojnë nëse Mimozës “i prishet tymi”. Ky vendim i ndërmarrë me kaq shpejtësi nën arsyetimin se “Gërbeshi paska shkelur statutin e partisë”, i cili vetëm ka shfrytëzuar të drejtën themelore të një deputeti në kuadër të grupit parlamentar për të kërkuar interpelancë nga Kusari- Lila, nuk është asgjë tjetër pos diktaturë e pastër.
Në arsyetimin e AKR-së thuhet se,” Gërbeshi është përjashtuar nga AKR-ja për mosrespektim të qëndrimeve të grupit parlamentar, ofendimeve dhe shpifjeve publike dhe të vazhdueshme ndaj kolegëve”. Nëse paska bërë shpifje të vazhdueshme pse u përjashtua pikërisht tani kur ai kundërshtoi politikat e Kusari-Lila për Sharrcemin?.
Në arsyetim të AKR-së thuhet se Gërbeshi nuk paska respektuar qëndrimet e Grupit parlamentar të AKR-së, kur me të njëjtin qëndrim një ditë më herët ka folur edhe Myzejene Selmani, ajo ka treguar se ky grup parlamentar ka kërkuar një ditë përpara mbajtës së seancës së Kuvendit të Kosovës sqarime nga Kusari-Lila për vendimin e saj.
Gërbeshi vetëm mori guximin që të reagojë për interesat publike, kundër interesave të një kompanie private në pronësi të grekëve, pa hezituar ta kundërshtojë haptazi ministren Kusari-Lila. Kështu që si rezultat pësoi me largim nga partia, praktikë kjo e njohur e sistemeve komuniste, totalitare, derisa Kusari-Lila del përpara votuesve të saj e promovon vlerat demokratike. Ky vendim është rezultat e ambicieve të kombinuara me frustrim i cili u jep sinjal deputetëve të tjerë se nuk guxojnë ta hapin gojën përndryshe do të ndëshkohen keq.
Një shteg tjetër në këtë çështje hapet, sa është çështje e madhe “Sharrcemi”. Shumë pyetje për t’u bërë, pse ndodhi shkarkimi vetëm pse kishte të bënte reagime kundër një biznesi? Çka po fshihet pas gjithë kësaj zhurme? Ky është shembull tipik reagimeve të atyre që janë të përfshirë në dyshime ndaj së cilëve ngrihen akuzua publike. Kur janë në gjendje që të shkarkojnë vetëm pse shpreh mendim ndryshe ndaj dikujt më të madh në pushtet, atëherë çfarë mund të pritet nëse iu merr vesh një skandal.
………………………………..
Shtojcë e pashtriku.org
Votimi i mocionit për shfuqizimin e vendimit të ministres së Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës Mimoza Kusari-Lila për rritjen e tarifës së çimentos me 35 për qind ka dështuar për të dytën ditë radhazi, për mungesë të kuorumit në Parlament. Mungesa e shumicës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës ka ndikuar që Kuvendi të dështojë në sigurimin e kuorumit…
……………………………………..