ARCH. YLBER VOKSHI: TRAJTIMI I HAPËSIRAVE PUBLIKE NË KOSOVË

Prishtinë, më 27. 02. 2014 – Hapësirat publike urbane dhe rurale janë hapësira të qyteteve dhe fshatrave tona, janë të ndërlidhura me hapësirat fizike dhe jetën e përditshme. Ato janë të shumë qëllimshme, hapësira të arritshme të cilat janë të dallueshme, këto hapësira kontribuojnë në formulimin tonë të identitetit urban rural. Ato janë hapësirat e përvojës së përditshme të jetuarit, ku njerëzit punojnë, udhëtojnë, pushojnë, dhe ndërveprojnë, si për shembull, rrugët e këmbësoreve dhe biciklistëve,sheshet e vendbanimeve, parqet, bibliotekat, aeroportet etj. Në princip uzurpimet e hapësirave publike urbane dhe rurale janë në kundërshtim me normat dhe standardet Hapësinore dhe Urbanistike ndërkombëtare.
Në procesin e rindërtimit në Kosovë pos shkatërrimeve të mëdha gjatë luftës 1998 – 1999, ka pasur shumë anomali teknike dhe urbanistike, të cilat disi janë toleruar për një kohë të shkurtër në emër të një qëllimi madhor.
Po si janë trajtuar hapësirat publike këto pesëmbëdhjetë vite?
Një fenomen, i cili për momentin nuk është aktual në Kosovë, është dehumanizimi i hapësirave publike, dhe tendencat e shoqërive të zhvilluara për t’i kthye ato në relacione normale. Kemi studime të shumta që po trajtojnë anën humane, urbanistike, arkitektonike, sociale, psikologjike, filozofike, për me avancuar këtë problematikë. Kemi raste të shumta ku janë krijuar vendtubime të jashtme (kafe – bare) edhe në hapësirat ekzistuese të gjelbëruara (parqe), natyrisht me shërbime të domosdoshme përcjellëse për këto raste.

Ndoshta pa vetëdije, duke i kopjuar modelet perëndimore, në qytetet tona e posaçërisht në Prishtinë po vërehen tendenca që hapësirat publike të rregulluara si janë terrasat e lokaleve hoteliere të “shkrihen” në një me lëvizjet e caktuara për këmbësor, që në aspektin e humanizimit të hapësirave publike është pozitive dhe duhet përkrahur si “trend” i ri.
Aspekti tjetër është edhe ofrimi i shërbimeve të ndryshme në këto hapësira, assesi nuk duhet larguar këto shërbime të cilat i bëjnë ma atraktive dhe ma humane këto hapësira. Me zgjidhje urbanistike profesionale duhet caktuar numrin, vendet, llojet e tyre kurse me konkurse lokale duhej të zgjedhën format adekuate arkitektonike (dizajni urban) për vendbanimet e ndryshme në Kosovë, kjo është praktikë normale në tërë botën e civilizuar.
Rast për tu përshëndetur është rruga këmbësore “Nëna Tereza” në Prishtinë, Çarshia e Madhe e Gjakovës, ku është arritur në mënyrën ma të mirë të bëhet sinkronizimi i funksioneve hoteliere, zejtare dhe të lëvizjes së këmbësorëve në një pjesë të saj pa komunikacion, që duhet vlerësuar. Raste të ngjashme kemi edhe në disa qytete në Shqipëri, rruga e këmbësorëve në Shkodër, “pedenalja” në qendër të qytetit të vjetër funksionon me vite, ku kjo dukuri e humanizimit të hapësirës publike është normale, dhe është treguar e suksesshme.
Ishim dëshmitarë të veprimit të përgjegjësve komunal në Prishtinë, me largimin e herë pas hershme të shitësve ambulant nga bulevardi qendror i kryeqytetit, kjo u tregua e pa suksesshme. Duhet pranuar realitetin e ri, duhet respektuar ata shitës që me ofrimin e shërbimeve të tyre vetëm begatojnë hapësirën publike aty. Nga aspekti urban duhet lejuar funksionimin e tyre me disa kushte paraprake dhe reale si është dizajni arkitektonik dhe urban i celulave – pulteve shitëse, caktimi i saktë i lokacioneve në përputhje me kërkesat dhe kriteret urbane për të mos penguar lëvizjen e banorëve, caktimi i llojeve të shërbimeve që do të dalin nga një studim apo projekt detal urban. Kjo metodë e punës preferohet edhe për vendbanimet e tjera në Kosovë.
Si duket edhe vendimmarrësit në kryeqytet për këtë kohë sado të shkurtë që janë në pushtet, kanë filluar të binden se në trajtimin e hapësirave publike duhet ndryshuar diçka pozitivisht. Nuk duhet pasur mendësi të para pesëdhjetë viteve, këto hapësira duhet trajtuar ndryshe me kërkesat e gjeneratave të reja të shekullit XXI. Dukurit “shqetësuese” për banorët që jetojnë në ato hapësira janë çështje teknike që kanë zgjidhje, përderisa menaxhohen si duhet nga Komuna.
Ideja për mbylljen e rrugëve për qasjen e automjeteve jo rezidente në qendrën e vjetër të qytetit do të duhej përkrahur, si është rasti me rrugën “Rexhep Luci” e cila me kthyerjen e saj në rrugë këmbësore (pedonale), vetëm kishte mundësuar kthimin e qetësisë që banorët e asaj rruge po e kërkojnë që shumë vite.
Me një studim profesional urbanistik dhe intervenime të vogla urbane, do të mundësohej qasja në parkingje dhe garazhet ekzistuese të vetë banorëve rezident në këtë zonë. Furnizimi me orar të caktuar i lokaleve, e çka është ma e rëndësishme kontroll rigoroz dhe permanent i funksionimit të atyre lokaleve hoteliere si pika potenciale të zhurmës, duhej të ishin qenësore për Komunën.
Në këtë mënyrë do të zhdukej komunikacioni në ketë rrugë “qorre” si shkaktari ma i madh i zhurmës dhe ndotjes së mjedisit dhe “konflikteve” të përditshme në këtë rrugë, për fat të mirë pa pasoja fatale. Do të fitohej një funksion i ri urban me ndërlidhje me pjesën lindore të qytetit me rrugën këmbësore “Nëna Tereza”, kështu do të ishte mirë të mendohet edhe për rrugët tjera që gravitojnë qendrën e qytetit.
E dimë, jemi të vetëdijshëm se trajtimit të këtyre hapësirave aspak nuk iu është përkushtuar ndonjë vëmendje e duhur, ashtu si e kërkojnë kërkesat e kohës dhe të gjeneratave të reja. Pushtetarët ma shumë kanë qenë të angazhuar se si me i keqpërdor këto hapësira se sa me i humanizuar ato dhe me i bërë sa ma të afërta për banorët. Ka pasur disa tentime sporadike individuale por ato janë të pa mjaftueshme. Nuk jemi ne ata të gjykojmë fajtorët e të kaluarës, koha do të tregon atë.
Ka mundësi të shumta që me pak mjete materiale, me intervenime të vogla urbane, me angazhimin e të gjithë atyre që e kanë detyrë dhe përgjegjësi, jeta urbane në kryeqytet dhe në vendbanimet tjera në Kosovë të begatohet të fitoi kualitete të reja, të avancuara drejt një jete normale të banorëve të saj.
Arch. Ylber Vokshi Ylli – arkitekt i pavarur
Kontakti: [email protected]
Prishtinë, më 27. 02. 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura