Gjenevë, 24. 11. 2104 – Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, i përkrahur nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës dhe në bashkëveprim me Shoqatat dhe Klubet tjera të këtij kantoni ka organizuar përvjetorin e 102 të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Kjo kremte që ndër shqiptar njihet edhe si dita e Flamurit Kombëtar ka përbashkuar pa dallim feje e ideologjie të gjithë mërgimtarët e Gjenevës, dhe të qyteteve të Francës që shtrihen përreth këtij regjioni. Ky manifestim i një rëndësie të veçantë si rëndom ka filluar me intonimin e himnit nacional. Pastaj fjala i është dhënë Z. Thierry Apotheleoz, Kryetar i Bashkisë së Vernier, të Gjenevës, i cili është ndjerë i nderuar që ka qenë në mesin e komunitetit shqiptar. Ai fillimisht ka potencuar që ka krijuar përvoja pozitive me këtë komunitet të cilin e konsideron si njërin ndër komunitetet me të vyeshme dhe më të integruara në Kantonin e Gjenevës dhe më gjer. Po ashtu tubimin e ka përshëndetur edhe Z.Guillaume Barazzone këshilltar administrativ i qytetit të Gjenevës, i cili gjithashtu ka thënë se pjesëmarrja në një manifestim si ky për të është diçka e veçantë dhe do t’i mbetet gjatë në kujtesë. Njëkohësisht ai ka porositur që pavarësisht natyralizimit të shqiptarëve këto vlera të mirëfillta trashëgimi nga vendi i origjinës duhet të ruhen dhe duhet të përcillen ndër breza. Z.Barazzone theksoi që shumëllojshmëria e kulturave është një pasuri që e bënë Gjenevën të veçantë nga qytetet tjera.
Pastaj në emër të Ministrisë së Diasporës ka përshëndetur Prof.dr. Muhamet Shatri, i cili tha: “ Ju jeni djemtë dhe vajzat tona që gjithë andej po tregoheni të denjë duke krijuar vlera dhe duke mos harruar për as një moment trojet shqiptare dhe gjakun tuaj puro shqiptar”. Ndërkaq Ambasadori Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Bernë Z. Naim Malaj diskutimin e tij e përqendroi me mirënjohjen drejtuar shtetit të Zvicrës,i cili në ditët më kritike u ka dalë në ndihmë shqiptarëve duke ndarë gjithçka me ta. Me theks të veçantë Z. Malaj përshëndeti angazhimin maksimal të autoriteteve të këtij vendi të cilat janë ndër të parat që njohën Pavarësinë e Kosovës dhe që vlerësuan që Kosova meriton mëvetësi dhe njohje ndërkombëtare nga të gjitha vendet e botës. Në fund të fjalës së tij Ambasadori Malaj tha:” miqësinë shqiptaro-zvicerane po e bëjnë të përjetshme edhe futbollistët shqiptaro-zviceranë si: Shaqiri, Xhaka, Xhemaili, Mehmedi, Behrami dhe Kasami të cilët po shkëlqejnë në kombëtaren e Zvicrës”.
Këtë tubim e ka përshëndetur edhe Zonja Redoni përfaqësuese e Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër,duke thënë: ”pavarësisht vendndodhjes së shqiptarëve kjo ditë është një ditë e bekuar për të gjithë,sepse shënon themelet e shtetit shqiptar,i cili shtet u krijua me shumë sakrificë e gjak. Mandej ajo vazhdoi duke thënë që Shqipëria si shtet Amë i të gjithë shqiptarëve u rrit dhe u fuqizua edhe me krijimin e shtetit të ri të Kosovës. Këto dy vende së bashku po ecin me vendosmëri drejt integrimeve evropiane. Këtë më së miri e dëshmon edhe nata e sotme ku së bashku me ne janë edhe miqtë tanë zviceranë”. Më vonë në podium është shfaqur edhe Kryetari i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës Z. Ali .Sh. Mehmeti, i cili në emër të këtij Komuniteti u ka ndarë mirënjohje studentëve shqiptarë të porsa diplomuar në Fakultetet e ndryshme të Universitetit me famë të Gjenevës.
Këtë jubile e bëri akoma dhe më madhështor prania e Dr.Rifat Haxhijat, i cili në afatin e marsit të sivjetmë mbrojti disertacionin e doktoratës nga fusha e sociologjisë në Universitetin e Gjenevës dhe ajo e Dr. Kushtrim Rekes ,i cili po në këtë Universitet muajin e kaluar u doktorua në lëmin e shkencave të ekonomisë. Z.Reka aktualisht është ligjërues në Fakultetin e Menaxhmentit dhe të Ekonomisë në Gjenevë. Vërtetë lista me pesëmbëdhjetë emrat e të diplomuarve brenda këtij viti në shkallën Master të Universitetit të Gjenevës, s’është vetëm sukses individual por është mburrje dhe arritje kolektive e të gjithë shqiptarëve. Pas shpërndarjes së mirënjohjeve në skenë është prezantuar Ansambli i këngëve dhe i valleve “GEZUAR” nga Gjeneva. Ky Ansambël tashmë me traditë nën përkujdesjen e koreografit të mirënjohur Xhemaili Berisha, dhe të producentit Nexhmedin Ilazi, ka luajtur disa valle të bukura të trevave tona.
Drin Fadil Avdiu – nxënës i shkollës shqipe në Kantonin e Gjenevës.
Të rinjtë e të rejat e këtij Ansambli me paraqitjen e tyre kudo po krijojnë atmosferë festive. Këta të rinj edhe pse të lindur e të arsimuar në Zvicër me lojën e tyre të mrekullueshme po argëtojnë dhe po kënaqin jo vetëm shqiptarët por edhe vendoret. Profilizimin dhe mjeshtrin në të vallëzuar ditë më parë ky grup e ka dëshmuar edhe në Prishtinë, duke marrë pjesë në shënimin e pesëdhjetë vjetorit të Ansamblit shtetëror të këngëve dhe të valleve “SHOTA” të Republikës së Kosovës. Në festimin e ditës së Flamurit po ashtu mbresëlënëse me vallëzimet e tyre u treguan edhe grupet tjera muzikore nga Aarau, Berna, Lozana dhe St. Julien i Francës.
Ato nga repertori i tyre i pasur interpretuan këngë kushtuar figurave më të ndritura të popullit shqiptar,duke filluar nga periudha e SKENDERBEUT e deri te heroi emblemë i ditëve tona ADEM JASHARI. Pikë tjetër e ndritshme e këtij programi ishin dhe recitimet me plot sharmë e përsosmëri të nxënësve të mësimit plotësues nga shkolla shqipe e Bernit dhe ajo e Gjenevës.
Ata me gjuhën e tyre të pastër deklamuan pjesë të shkëputura nga krijimtaria e rilindëseve tanë. Në anën tjetër sikur herëve tjera edhe kësaj radhe Zonja Afërdita Krasniqi me zërin e saj të çiltër para auditorit solli Homerin shqiptar At Gjergj Fishta, duke prezantuar nëpërmjet recitimeve opusin e tij krijues, për çfarë nga publiku mori duartrokitje të gjata. Njëkohshëm Zonja Krasniqi e udhëhoqi edhe programin e këtij manifestimi festiv. Fare në fund grupi i të rinjve “Rinia Kontakt” nga Gjeneva i dëfreu deri në orët e vona të natës kryesisht të rinjtë.
Vlen të theksohet që në këtë natë të hareshme së bashku me shqiptarët festuan edhe shumë të rinj e të reja të komuniteteve tjera të Gjenevës. Këtë festë e përshkoi organizimi i mirë që e pati si ndihmesë edhe përkrahjen materiale të dhënë nga Agjencia e fluturimeve “KOSOVAFLY” në Gjenevë me pronar Memetali Arifi.