ARSIM SEJDIU: NË SHËRBIM TË KUJT JANË MEDIET TONA?!

Prishtinë, 03. 10. 2014: Siç dihet përgjithësisht mediet apo thënë më qartë mjetet e informimit të të gjitha llojeve, detyrë parësore e kanë informimin, për të vazhduar pastaj me edukimin, me argëtimin, me formimin e opinioneve të drejta dhe pozitive nga të gjitha rrafshet, respektivisht fushat e jetës së njeriut. Pra, misioni i tyre duhet të jetë human, dhe t`i shërbejë nevojave të njeriut. Mediet janë një ushqim shumë i rëndësishëm mendor dhe shpirtëror të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë dhe tërthorazi në shëndetin mendor të një bashkësie të caktuar dhe më gjerë. Sikur ushqimi i mirë dhe i shëndetshëm që e mbanë trupin të shëndoshë, ashtu edhe mediet do duhej të mbanit mendjen respektivisht shëndetin mendor të shëndetshëm, duke ofruar programe cilësore. Kosova dhe jo vetëm Kosova, por përgjithësisht shqiptarët kanë numër të madh të mjeteve të informimit si të shkruara, foljore ashtu edhe vizive. Pra shqiptarët në këtë shekull janë në një situatë kur mund të thonë me plotë gojën se, sa i përket kësaj fushe të jetës janë në një shkallë zhvillimi të barabartë me shtetet më të zhvilluara.
Por, nëse hyjmë më thellë dhe analizojmë apo shoshisim në brendi këto medie atëherë mund të themi se nuk jemi në krye të listës por diku nga fundi për të mos thënë në fund. v
Pse?
Do të mundohem që të prek disa nga to pa pretenduar t`i them të gjitha dhe të kem të drejtë. Ky do të jetë një këndvështrim imi, duke qenë se edhe unë sikur pothuaj të gjithë shqiptarët kalojmë një kohë të gjatë duke lexuar gazeta, dhe sidomos duke shikuar televizionet tona të shumta.
Meqë e thamë me të drejtë se qëllimi parësor i medieve është informimi, atëherë pa marrë asnjë gazetë apo televizion shembull konkret, do të flasë në mënyrë të përgjithësuar duke pasur parasyshë mendimin tim, se cilido medium më shumë a cilido më pak janë të futur në të njëjtin thes dhe të gjitha i fryjnë të njëtit zjarr, por nga drejtime të ndryshme. Imagjinoni sikur jeni rreth një zjarri dhe të gjithë i fryni atij, pra, të gjithë fryni në një pikë por nga kënde të ndryshme. Kështu janë mediet tona.
Duke mos pretenduar se po ia qëlloj, unë mendoj se ka disa lloje lexuesish psh., ka lexues të cilët një gazetë të caktuar e marrin për informata apo shkrime të caktuara, psh., ka lexues që një gazetë të caktuar mund ta marrin për këshilla mjekësore, ka lexues që merr gazetën e caktuar për argëtim etj. Dhe këta lexues janë më pak të rrezikuar nga dëmtimi i shëndetit mendor.

Po filloj nga detyra parësore, të cilën e thash më lartë, e medieve në përgjithësi, për të cilat edhe e kanë filluar, shumë kohë më parë, misionin e tyre, pra, informimin.
Nëse marrim mediet e shkruara, ato, cila më shumë a cila më pak, në faqe të parë qesin titujt kryesor që përfshihen në brendi të gazetës duke garuar mes veti se cila do të lancojë titull më bombastik, për një ngjarje të caktuar, me qëllim të joshjes së lexuesit për ta blerë atë. Në shumë raste titulli i një shkrimi nuk ka të bëjë asgjë me informatën brenda shkrimit. Madje kur lexuesi e lexon brendinë e shkrimit nuk e gjenë fare informatën e dhënë në titull. E tërë kjo bëhet për përfitime materiale pa e menduar se mungesa e informatës e irriton lexuesin e dëmton shëndetin e tij mendor dhe lexuesi i ngritur intelektualisht nuk do ta blejë atë gazetë. Por, lexuesit të cilët janë me shumicë, dhe, që janë të rrezikuar, janë lexuesit të cilët janë të bindur se gazeta nuk lancon të pavërteta dhe ata i besojnë asaj verbërisht. Meqë gazetat janë private, për fat të keq ato u shërbejnë pik së pari interesave të ngushta të pronarëve apo mbështetësve të tyre material, duke harruar kështu Qëllimin, respektivisht Misionin për të cilin vërtetë do duhej të ekzistonin. Shohim sot, çdo ditë, gazeta që në krye të tyre qesin tituj bombastik kundër një grupi a institucioni vetëm pse ai grup a institucion nuk u pëlqen, apo u ka mohuar a shkelur ndonjë interes personal. Reklamojnë veten apo pjesëtarët e klanit si yje pa qenë të tillë, rrahin në një vend si ajo pika e ujit që shpon gurin. Përdorin faqet kryesore të gazetave të tyre për t`i shfaqur idetë e tyre jo për interes të përgjithshëm por për interese të ngushta personale, klanore apo grupore, duke mos e pasur asnjëherë për bazë interesin e përgjithshëm. Krijojnë opinione të rreme, të pavërteta duke përsëritur gënjeshtrën e cila nga lexuesi i zakonshëm pastaj do të gëlltitet si e vërtetë, sepse lexuesi i zakonshëm nuk mund ta besojë se gazetat gënjejnë, seps ai është i bindur se gazeta nuk guxon të gënjejë.
Një gazetë për intersa të caktuar, po sigurisht jo për interesa të përgjithshme, çdo ditë në faqe të parë akuzon komunën e Isa Mustafës madje edhe sot pasi ai nuk është më kryetar, akuzon gjykatat, jo pse nuk duhet akuzuar, por, ajo gazetë akuzon për shkak të interesave të ngushta e jo për shkak të interesit të përgjithshëm. Një gazetë tjetër ditore akuzon këdo që është në pushtet dhe simulon e i jep hapësirë kujtdo që është kundër, krejt kjo për intersa të ngushta klanore a grupore, duke hedhur baltë edhe në vlera, vetëm që ta pastroj vetën nga llumi në të cilin është futur prej se ka lindur. Madje bën edhe dallim mes qytetarëve dhe fshatarëve, duke i konsideruar qytetarët të menqur dhe ndërtues të shtetit e fshatarët të padijshëm dhe që kanë uzurpuar dhunshëm shtetin dhe po e shkatërrojnë ate. Jo se nuk ka vend për ta akuzuar shtetin dhe udhëheqjen e tij por, se gjuha që përdoret nuk është për të mirën e përgjithshme por është gjuhë që helmon lexuesin dhe shëndetin mendor të tij. Sepse ajo gazetë priret nga shpirtngushtësia, nga nostalgji të kohërave të shkuara.
Një gazet tjetër përkrah me çdo shkrim të tij pushtetin dhe sulmon këdo që mendon ndryshe, duke keqpërdorur vlerat universale të popullit tonë, duke keqpërdorur luftën e UÇK-së, duke shfrytëzuar heronjtë, jo për interes të përgjithshëm, për ngritje të moralit shoqëror, për kultivim të mirëfilltë të vlerave, por për interesa të ngushta klanore a grupore. Një gazetë tjetër partiake me qëndrimet e veta, me injorancën e vet tek një pjesë e popullatës ka arritur të vë në dyshim çdo vlerë të mirëfilltë të kombit duke bastarduar të vërtetat me të pavërteta, duke promovuar “vlera” të dyshimta, pa mbështetje në fakte, duke u bazuar gjithnjë në theshethëme.
Gjuha e shkruar, respektivisht standardi gjuhësor, në këto gazeta ia vlenë shumë për t`u dëshiruar. Krejt kjo për arsye se gazetarët e këtyre medieve janë të dobët, jo vetëm për fushat për të cilat shkruajnë por ata shërbehen me më së shumti 100 -150 fjalë për të shkruar një artikull. Atyre u mungon kultura e leximit dhe me këtë u mungon edhe pasuria apo leksiku i fjalëve, të cilat janë 40 000 vetëm në Fjalorin e fundit të viteve `70-ta. Me atë leksik të varfër ata nuk mund të shkruajnë një artikull të pasur e të kuptueshëm drejt, por një shkrim të varfër e me mundësi keqkuptimi nga lexuesi, duke e lënë edhe atë të varfër në leksikun e tij. Të mos flasim këtu për barbarizmat që janë të panumërt dhe tek ne përdoren “për modë” duke vrarë ngadalë gjuhën shqipe.
Nëse kalojmë tek mediat vizive apo thënë më troq tek televizionet tona, të cilat jo vetëm tek ne, por kudo, kanë fuqi më të madhe se të gjitha armët e botës bashkë. Këtu gjendja është edhe më e keqe e më e rëndë. Shumë rrallë mund të dëgjosh një këngë, veç atyre me motiv patriotik, të cilat mund t`i shikosh dhe shijosh me tërë familjen, krejt kjo për shkak të spoteve që s`kanë të bëjnë as me tekstin, as me porosinë por vetëm me qëllimin e grupeve të caktuara, të cilave u intereson vetëm përfitimi material. Këto spote nuk kanë dallim aspak prej skenave erotike, të cilat mund t`i shohim në kanale të caktuara televizive. Kjo krijon pastaj një situatë kur njeriu i zakonshëm turbullohet dhe nuk e di më çka është mirë e çka është keq, çka është vlerë dhe çka antivlerë! Kur një fëmijë shikon ato skena ai patjetër se do të mundohet t`i imitojë ato. Vishet fëmija ynë sikur striptizetë, vallëzon sikur në haremin e Ali Babës dhe të gjithë familjarët e pranishëm i duartrokasin. Fëmija ynë i lumtur do ta vazhdojë atë rrugë sepse ashtu po u dashka, sepse ashtu qenka mirë. Sepse ashtu qenkan vlerat e mirëfillta. Njësoj është edhe me serialet e panumërta pothuaj në të gjitha televizionet. Të gjitha kanë një qëllim promovimin e antivlerave, shpëlarjen e trurit të njeriut duke krijuar njeriun i cili nuk ka më kut të vlerave, të njeriut i cili nuk është në gjendje ta ndajë të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta. Kur ndodhë, edhepse shumë rrallë, të ketë edhe ndonjë program me vlera të mirëfillta, atëherë ai transmetohet në orët e vona kur shikueshmëria është e vogël.
Mblidhen panele të ndryshme në të gjitha televizonet, organizohen debate për tema nga më të ndryshmet, ku varësisht prej interesave grupore edhe thirren mysafirët, që me opinionet e tyre t`i shërbejnë klanit apo grupit të caktuar duke mos e pasur asnjëherë parasyshë që atë medium mund ta shikojnë miliona sy. Që misioni i debateve të tilla duhet të jetë kthjellja e dilemave të opnionit e jo mjegullimi i tyre, duke prodhuar pothuaj gjithnjë dëshpërim dhe duke prodhuar idenë e ikjes nga e drejta për të vërtetën, për të mjegulluar vetëdijen shoqërore të mirëfilltë, me qëllim që populli asnjëherë të mos ketë qartësi për probleme të përbashkëta por të jetojë në mjegull dhe me dyshime, se vetëm ashtu oligarkët mund të jetojnë dhe të jenë aty ku duan. Gjatë jetës sime më ka rënë shpesh ta dëgjoj thënien: ”Si mund të jetojë i pasuri nëse nuk ka të marrë ?!”.
Sa i përket informimit, televizionet dallojnë pak nga gazetat. Ka televizione që në plan të parë qesin të gjitha të këqijat, të rëndat që kanë ndodhur në vend dhe mbjellin dëshpërim. Ka televizione, që japin programe vetëm në vijën e qeverisë duke u dhënë pak hapësirë mendimeve ndryshe. Ka televizione që bëjnë të kundërtën. Ka televizione që promovojnë një të folme ndryshe. Një të folme të cilën e njeh vetëm themeluesi dhe disa injorantë rreth tij. Të cilët gjuhën e kanë mësuar në rrugë dhe nuk e kanë mësuar as në shkollë e as në familje. Madje edhe këtë e flasin dhimbshëm keq. Ka televizione që kanë punësuar një ekip që në dukje të parë joshë me dukjen, me qëndrimin por kur fillon të flasë të vije tug. Shumicën e fjalëve i thotë keq, i shtrembëron nga mendjemadhësia, i humbë ngjyrimin shqip, duke i dhën theks të huaj, siç bën dhe presidentja jonë që flet shqip edhe ashtu me leksik të dobët por me theks amerikan. Dalin, marrin turr dhe shtyhen se cili prej tyre do t`ia ndërroj emrin lagjeve e vendbanimeve si” “Arbëria” me një toponim sllav, ”Dragodan”, fshatin “Shkabaj” me “Orlloviq”, “Kodra e Trimave” me “Vranjevc”. Del një gazetar në një televizion tonin dhe thotë: ”lagjja e Ajvalisë” e nuk i thotë si është vërtetë “fshati Hajvali”. Thotë një fjali e cila mbyllet pa mendim të përfunduar. Udhëheqë program dhe flirton me parashikuesen e motit.
Kjo, pra është një pjesë e vogël e asaj që ne shohim dhe prekim çdo ditë të lume në jetën tonë të përditshme. Dhe kjo duhet marrë fund përndryshe na mori lumi.
– Autori është profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura