ARTAN LAME: NDËRTONJËSI I MADH – SALI BERISHA

(Tiranë, 13. 04. 2012) – Lajm nga Vlora. Ballkoni i shtëpisë së Pavarësisë rrezikon të shembet, sepse është kalbur i tëri. Edhe shkallët e brendshme duhen ribërë, se s’mbajnë. Një marangoz i vetëm, nga ata që ka ngado qosheve të rrugëve, po t’i thuhet, edhe me paratë e veta mund ta bëjë aq gjë. Por jo shteti shqiptar. Që ne duam edhe t’i festojmë 100 vjetët.
     SHQIPNI TAVOLINASH
     Ali Pasha i Tepelenës ka hyrë në histori me shumë epitete, por ndër ta një që ia ngjiti populli që në të gjallë, ishte “Ali Pasha i kalave”, siç e quan atë edhe një këngë popullore e kohës së vet. Ja vunë kështu, se pashai e shkoi jetën duke ndërtuar, kala e ujësjellës, kulla rrugë e ura, çezma, saraje e pallate. Shumë syresh nuk i mbijetuan dot kazmës e qysqisë së vetë shqiptarëve, shumë të tjera po bëjmë ç’është e mundur t’i rrënojmë edhe tani që po flasim, por pashai bëri aq shumë sa, sado të përpiqemi, nuk i prishim dot të tëra.
     Sali Berisha, radhën e parë në pushtet, nuk kish as këllqe e as kohë të ngrinte e të ndërtonte. I hyri pushtetit me parimin e “kuotës 0” që i la fshatrat deri edhe pa kopshte e shkolla dhe i doli me shembjen e piramidave që vetë i ngriti e vetë e zunë brenda. Herën e dytë, thamë se vuri mend e do ndërtonte xheç. Dhe vërtet, premtimet ndërtimtare të Saliut të dytë qenë se ç’qenë, aq sa zuri t’i besonte edhe vetë e t’i hynte goxha në qejf kjo puna e të ndërtuarit. Ose më mirë, jo e të ndërtuarit, por e të premtuarit për të ndërtuar.

Saliu i premtimeve të mëdha!

_____________________________________

     Sa kish zënë zyrën e Kryeministrisë, kur bëri premtimin e parë, atë për të ndërtuar një Ministri të Jashtme të Re, në godinën e vjetër të hotel “Dajtit”, ndërsa Ministrinë e Jashtme ekzistuese do ta bënte Ministri të Brendshme. I vetmi rezultat i këtij premtimi, ishte shkatërrimi dhe plaçkitja barbare e hotel “Dajtit”, të cilit sot i kanë mbetur vetëm muret.
     Pastaj tha se do ndërtonte Bibliotekën e re Kombëtare, pasi nuk mundej që kultura shqiptare të rrinte ngucur në bodrumet e Pallatit të Kulturës, ku e kishte futur Enver Hoxha. Në fakt, ky premtim është i lidhur me një zinxhir premtimesh që ende nuk u ka dalë fundi. Sepse pasi urdhëroi që të fillonte projekti për këtë punë, duke përshtatur për këtë qëllim Piramidën, pas ca muajsh mbajti një tjetër fjalim me një tjetër premtim. Tha se nuk mund të lejojmë që artistët shqiptarë të performojnë në godinën shkatarraqe të teatrit ekzistues dhe se do të ndërtonte Teatrin e Ri Kombëtar. U ndërprenë projektet e reja për shndërrimin e Piramidës në Bibliotekën e Re dhe filloi projekti i ri për ta shndërruar në Teatrin e Ri. Për këtë edhe u pagua projekti nga fillimi, madje u harxhuan edhe nja 3 a 4 milionë euro, sepse filluan realisht punimet për ta ndërtuar teatrin.
     Pastaj papritur e ndërpreu edhe këtë dhe tha se 100-vjetori i Pavarësisë duhej ta gjente Shqipërinë me Parlament të Ri. Për këtë ishte bërë edhe një konkurs dhe kishte vendosur se ku do ndërtohej, por Berisha e ktheu të gjithën së prapi dhe vendosi të ndërtohej Parlamenti te Piramida. Këtë premtim nuk po e tjerr më hollë, se të gjithë e kanë ende të freskët sesi u ngrit e gjithë njerëzia t’i mbushte mendjen e s’ia mbushi dot.
     Pastaj tha se do ndërtonte Monumentin e Azem Hajdarit, heroit të demokracisë, në mes të parkut “Rinia”. Asokohe në Tiranë kryetar bashkie ishte ende Edi Rama dhe bënte beli që atje tej që Berisha s’bëhej vonë për Azemin, por për të hapur sherr e debat. Sherri e debati u hap, por për ndonjë arsye enigmatike, vetë Saliu e la në mes të rrugës këtë projekt e s’e zuri më në gojë.
     Pastaj papritur e zuri malli për të përndjekurit politikë dhe deklaroi se do ndërtonte Obeliskun e të Përndjekurve në sheshin përpara Piramidës. Askush nuk e kuptonte dot pse kësaj radhe thoshte “obelisk” e jo “monument”, por kjo enigmë na mbeti ngulur në kokë, sepse pa kaluar shumë kohë e la mënjanë obeliskun dhe tha se do ndërtonte Muzeun e të Përndjekurve në Burgun e Spaçit. Prapë filloi të bëhej projekti, i cili më pas edhe ky u braktis, ndërsa nga Burgu i Spaçit sot nuk kanë mbetur veçse ca mure të shkulura dhe rrënoja godinash.
     Pastaj tha se në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës do të ndërtojmë Muzeun e Nënë Terezës, nënës së të varfërve. U bë projekti dhe vendosi ta ngrejë në vendin më të marrë të mundshëm, brenda kolonadës së Muzeut Arkeologjik. I thamë se s’bëhet atje, se është monument kulture, se nuk ka kuptim të ndërtosh muzeun e nënës së të varfërve në mes të një godine të stilit fashist, por aha, s’qe gjë. Muzeu, për fatin e mirë të Nënës, të monumentit dhe tonin bashkë, natyrisht që nuk u ngrit, por u mjaftua me projektin e radhës prej kartoni.
     Pastaj u kujtua për kalamaqërit dhe tha se Bashkia ia kishte varur fare artistëve të cirkut, ndaj do ndërtonte një godinë dinjitoze për Cirkun e Tiranës. Cirku, si institucion, nga Bashkia kaloi në vartësi të Ministrisë, por tenda e rrjepur kohës së Komandantit mbeti po ajo. Për godinë të re as që u bë më fjalë.
     Pastaj iu rikthye sërish temës së 100-vjetorit, por në linjë sportive kësaj radhe. Tha se 100-vjetori i shtetit shqiptar do të na gjejë me Stadiumin e Ri Kombëtar të ndërtuar. I thamë prapë se nuk mund të prishte Stadiumin që ishte, pasi qe monument kulture, se nuk kishte vend aty për të ndërtuar një më të madh, se duhej ngritur një stadium i ri nga themelet, se kishte nevojë qyteti edhe për një stadium tjetër, e plot argumente të tjera. Por sa më shumë i flisnim ne, aq më shumë ngulte këmbë ai. U bë një projekt i ri prej kartoni, u shpall me bujë dhe …, kaq. Edhe stadiumi i ri u harrua, edhe kështu shpëtoi stadiumi-monument.
     Pastaj iu rikthye projektit të Parlamentit të Ri. Megjithëse kishte bërë një konkurs të ri për këtë punë dhe kishte shpallur një fitues, tha se nuk i pëlqente fituesi A, ndaj do bënte projektin B. Pastaj, pas tre muajsh tha se ia kishte futur kot dhe nuk do bëhej projekti B, por do rikthehemi te varianti A. Kësaj radhe pakkush e mori seriozisht, se dukej që ishte thjesht lodër dhe inaugurime në tavolinë me projekte kartoni.
     Pastaj tha se do të ndërtojmë monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë në Tiranë. Nisi projektin, bëri edhe konkursin, miratoi edhe ca kartonë, por edhe kjo me ç’duket do lihet me kaq, se nuk bëhet monumenti në 3 muaj. E bukura e këtij monumentit prej kartoni, është se u bë konkursi pa thënë se ku do vendoset monumenti dhe, nga pikëpamja arkitekturore, ky mund të jetë rast unikal në botë.
     Pastaj e zuri një tjetër sëmundje, ajo e premtimeve për shembje. Tha se do e shembte nga themelet Piramidën. Pastaj tha se do e shembte nga themelet Pallatin e Kulturës. Pastaj tha se do shembte nga themelet Muzeun Historik Kombëtar. Të gjitha premtime për shembje nga themelet. Tani ka ca ditë që s’po thotë gjë. Të rijmë e të presim. Ndërkaq, të ngeshmit mund t’i nxjerrin këngë, si ajo e Ali pashait që i thamë “Aliu i kalave”, ndërsa këtij mund t’i thonë “Saliu i kartonëve”.
     Lajm nga Vlora. Ballkoni i shtëpisë së Pavarësisë rrezikon të shembet, sepse është kalbur i tëri. Edhe shkallët e brendshme duhen ribërë, se s’mbajnë. Një marangoz i vetëm, nga ata që ka ngado qosheve të rrugëve, po t’i thuhet, edhe me paratë e veta mund ta bëjë aq gjë. Por jo shteti shqiptar. Që ne duam edhe t’i festojmë 100 vjetët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura