AZIS GJERGJI: DINASTIA E ZOGOLLËVE

(Pashtriku.org, 20. 07. 2012) – Komisioni Shtetёror i Festës së 100 vjetorit të shpalljes dhe nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë nga përfaqësuesit e të gjitha trevave shqiptare në Kuvendin historik të Vlorës, më 28 Nëntor 1912, ka marrë edhe detyrën për përgatitjen e Varrezës Mbretnore dhe sjelljen e eshtrave të Mbretit Zogu I. Varreza do tё pёrgatitet me shpenzimet e shtetit tё ri demokratik tё Shqipёrisё. Me kёtё rast, nisur edhe nga shprehja popullore: “Paret e shtetit si ujёt e detit”, supozojmё se kompleksi i Varrezave Mbretnore Zogu do të ngrihet sa më dinjitoz dhe sa më përfaqësues për atë familje të madhe. Studiuesi Eqrem bej Vlora shkruan në kujtimet e tij se Zogollët ishin një familje e njohur aristokrate qysh prej katër shekujsh si derë bajraktarësh dhe, prej tre shekujsh, si kajmekamë të trashëguar (mëkëmbës vendorë të sanxhakbeut të Ohrit).

Ahmet Zogu, Mbret i Shqiptarëve 1928 – 1939

…………………………………….

Gurin e parë të themelit të dinastisë Zogolli në Burgajet e ka vënë një malësor i krishterë me emrin Zog, i mbiquajtur nga pasardhësit e tij i Madh. Zogu kishte ardhur në krahinën e shkretuar të Matit në fund të shekullit XV, duke e ngritur strehën e familjes së tij në vendbanimin e boshatisur Varosh Vig, që shtrihej poshtë gërmadhave të kalasë së famshme të Stelushit, e njohur edhe me emrin e Skënderbeut. Kalaja e Stelushit ishte ngritur mbi një fortifikim të vjetër ilir në rrugën lindore që ngjitet nga lugina e Drinit në Qafëmurrë dhe zbret në atë të Matit. Në kohën kur Zogu i Madh shkeli në Mat, në të gjitha trojet e shqiptarëve ishte vendosur sistemi feudal ushtarak i timare-ve, ziamete-ve e hass-eve, të cilët u ishin dhënë në shfrytëzim, kundrejt detyrimeve ushtarake, spahinjve, subashëve e sanxhakbejlerëve vendas e të huaj. Vetë Mbreti Zog ia ka treguar rrënjët e dinastisë së tij ambasadorit amerikan nё Shqipёri, Herman Bernstein, në vitin 1933:
“Në pjesën e fundit të shekullit XV themeluesi i shtëpisë së Zogut erdhi në krahinën e Shqipërisë Veriore të Matit… Në kohën kur Zogu i parë erdhi në Mat… njerëzit kishin rënë përsëri nën sundimin e Sulltanit, vetëm prisnin dikë që t’i udhëhiqte në rrebelim. Kështu, kur Zogu ngriti flamurin e tij kundër guvernatorit turk, Gazi Bej, luftëtarët e paduruar të malit u ngritën me të.”
Në vazhdim të rrëfimit bërë adjutantit të tij, Hysen Selmanit, Ahmet Zogu thotë: Pas shumë luftimesh, Zogu zbriti në Burgajet të Matit, ku dogji dhe shkatërroi familjen e Ballaban Pashës dhe vrau guvernatorin osman Gazi Begun… Ishte në këtë kohë që familja, deri tani katolike, u shndërruan në myslimane, dhe si kompensim për këtë osmanët e njohën atë si sundimtar të trashëgueshëm të krahinës.” 1)

Xhelal pashë Zogolli, gjyshi i Ahmet Zogut

……………………………….

Duke përshkruar gjendjen ekonomike të krahinës së Matit, studiuesi Eqrem bej Vlora shkruan: “Popullsia, si dhe vetë Zogu ishte e besimit katolik, shumë luftarake dhe e varfër dhe jetonte kryesisht falë inkursioneve grabitëse mbi zonat e pasura të bregdetit.” “Eshtё e vёrtetё se “banditizmi”, i dalluar prej vjedhjes së rëndomtë, vlerësohej nga shumë njerëz si një profesion i nderuar,” shkruan historiani Xhozef Suajër (Joseph Swire). Duke u konvertuar familjarisht në mysliman, Zogu i Madh shmangu pagesёn e taksës së ispenxhës (që jepej nga meshkujt e besimit të krishterë mbi 25 vjeç); mori nga administrata osmane toka të buta mbi luginën e lumit Mat dhe hodhi themelet e sarajeve të dinastisë myslimane Zogolli në një nga kodrat më piktoreske të Burgajetit. Kështu edhe vendi i parë në varrezёn mbretnore Zogu i takon pikërisht Zogut të Madh, eshtrat e të cilit gjenden në grykën e Peladhisë së Dibrës, në afërsi të Bulqizës.2)
Pasardhësi i tij, i quajtur Ymer aga Zogolli, mori emrin e të atit për mbiemër nё variantin turqisht (Zog + olli/turq. ogllu =i biri i Zogut) dhe do të ndryshonte mënyrën e jetesës, duke përfituar nga privilegjet e siguruara si “vëlla mysliman” me administratorët osmanë të Dibrës e Ohrit, si dhe nga të dhjetat e taksa të tjera që mblidhte nga çifçinjtë e tij. Aq tinzar dhe diplomat ishte Ymer agë Zogolli, sa edhe pas 400 vjetësh në Mat, siç dëshmon vetё Mbreti Zog, përdorej shprehja: “Të vrafsha me pushkën e Ymer Agës!” Varri i tij gjendet lehtë, pasi ngrihet në Zogaj të Lisit të Matit.
Pinjolli tjetër i Zogollëve, i quajtur Zogu i Vogël, ishte aq i njohur dhe i respektuar për trimëritë e tij në zonat fushore të Shqipërisë së Mesme, sa ftohej vazhdimisht prej bashkëpuntorëve për të luftuar “për liri”, sipas Mbretit Zog, ndërsa sipas diplomatit italian Pietro Quaroni, “për të sulmuar karvanet që shkonin nga Durrësi në Selanik”. Nё rastin e mbramё tё jetёs sё tij, Zogu i Vogël duket se ka marrё “një thirrje të dëshpëruar” nga një bej apo aga i Shqipёrisё sё Mesme. “Nga notimet e Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve” (Tiranë 2008) mёsohet se ngjarja ka ndodhur në vitin 1614: “Zogu mbërriti në Rrogozhinë, pasi rregulloi forcat dhe administratën, kur po bëhej gati të nisej për në Mat, vjen lajmi se trupat e reja otomane (po) marshojnë grykës së Shkumbinit në drejtim të Peqinit. Ky lajm e detyroi Zogun të ndalet dhe të forcojë radhët. Pas katër ditësh u ndeshën në lartësitë e Peqinit, ku luftimet ishin shumë të përgjakshme nga të dyja palët.” Për më tej, siç i rrëfen ambasadorit Bernstein, “… gjatë tërheqjes, Zogu ishte i plagosur për vdekje dhe u varros në Tiranë.” 3) Zogu i Vogël e ka varrin buzë Lanës së Tiranës, pranë ish-lagjes Pisha”. Në varrezat e Zogollëve duhet të përkujtohet me njё pllakё mermeri edhe Ahmet bej Zogolli I, siç e përmënd edhe gjenealogjia e familjes mbretnore. Në kronikat osmane të viteve 1631/32 gjendet një përshkrim i gjallë mbi një inkursion të kalorësve të armatosur matjanë në Shijak e Durrës, të udhëhequr nga një i quajtur Zogoll. Pas plaçkitjes së tregut të Shijakut, ata u nisën drejt qytetit bregdetar të Durrësit, por qenë ndalur përpara mureve të larta të qytetit. Sulltan Murati II u dha urdhër sanxhakbejlerëve të Elbasanit, Ohrit e Shkodrës që të sulmonin me ushtritë e tyre krahinën e Matit dhe ta zinin “tradhtarin Zogoll, gjallë a vdekur”. Kronikat e janarit 1633 njoftojnë se Zogolli u kap dhe, së bashku me dy fajtorë të tjerë, iu prenë kokat në sheshin e Kështjellës së Ohrit. 4)
Gjithsesi, njeriu që ka ndikuar në ambicjen e Ahmet bej Zogollit për t’u shpallur “Mbret i Shqiptarëve” është gjyshi i tij, Xhelal pashë Zogolli, pretendenti i parë i dinastisë së Zogollëve për t’u bërë “Mbret i Shqipërisë”.5) Emri i Xhelal Pashë Zogollit përmëndet së pari në vitin 1852, kur Princi Danilo i Malit të Zi e hodhi ushtrinë malazeze në sulm kundër postblloqeve kufitare të ushtrisë osmane dhe sulltan Abdyl Mexhiti mobilizoi shumë rezervistë e vullnetarë myslimanë shqiptarë në mbrojtje të “atdheut të përbashkët”. Thirrjes së sulltanit iu përgjigjën një varg krerësh vendorë shqiptarë, ndër ta edhe Xhelal bej Zogolli me 1 500 matjanë. Megjithëse trupat e pricipatës rrebele u sulmuan nga ftronti shqiptar dhe fronti i Hercegovinës, malazezët dolën të padëmtuar nga lufta. Në mbrojtje të tyre u ngritën Fuqitë e Mëdha Europiane, në mënyrë të veçantë, Perandoria Ruse. 6)
Dështimi i trupave osmane në frontin malazez, tregoi se Perandoria Osmane nuk ishin më në gjendje t’i mbronin zotërimet e saj në Europën Juglindore. Një vit më pas, fitoret e ushtrisë së Perandorisë së Rusisë mbi ato osmane në Luftën e Krimesë (1853–1856) do t’i vinte në lëvizje politikanët e principatave serbe e malazeze të nënshkruanin marrëveshjet e para diplomatike me përfaqësuesit e Mbretërisë së Greqisë për dëbimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani dhe ndarjen midis tyre të territoreve të fituara. 7) Për shkak të synimeve shoviniste, politikanët e principatave serbe e malazeze apo të mbretërisë greke asnjëherë nuk do t’i përgjigjeshin, qoftë edhe formalisht, kërkesave të vazhdueshme të Komiteteve Kombëtare Shqiptare dhe përfaqësuesve të autorizuar prej tyre për bashkëpunim luftarak ndërballkanik kundër pushtuesve të përbashkët osmanë. Përkundrazi, ata do të kërkonin lidhje individuale me pashallarë, bejlerë, agallarë apo bajraktarë shqiptarë që donin të realizonin ambicjet e tyre personale. Tashmë është dokumentuar se një ndër këta individë të lidhur me kanalet e fshehta diplomatike të mbretërisë serbe ka qenë edhe Xhelal pashë Zogolli.

Xhemal Pashë Zogolli, djali i dytë i Xhelal pashë Zogolli – babai i Ahmet Zogut.

………………………………………

Lidhjet e para të Xhelal pashë Zogollit janë vërtetuar me letrën e tij dërguar princit Mihajllo Obrenoviq të Serbisë në pranverë të vitit 1866, me anën e njëfarë Naum Sido nga Reka e Dibrës. Sipas një raporti konfidencial që konsullit serb në Stamboll, Jovan Ristiq, dërguar eprorëve të tij në Beograd, Xhelal pashë Zogolli pretendonte se ishte pasardhës i Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe premtonte të ngrinte në këmbë 15.000 luftëtarë shqiptarë në rast të një lufte të ardhshme kundërosmane. Në fund të dhjetorit 1866, kur Xhelal pashë Zogolli ishte emëruar nga Porta e Lartë në postet e kajmekamit dhe të komandantit të rezervistëve në Hercegovinë, konsulli Jovan Ristiq u raportoi eprorëve të tij nga Mostari se Xhelal pashë Zogolli ishte zotuar t’i jepte çdo ndihmë Serbisë në Hercegovinë dhe në Shqipëri, me kusht që pas fitores së luftës të njihej prej tyre si “Mbret i Shqipërisë”. 8)
Po ashtu, Ristiq shton në informacionin e tij faktin se “përfaqësuesi rus i kishte dhënë pashait në fjalë 1000 lira nga të hollat e veta”. Por lidhjet e Xhelal pashë Zogollit me shërbimin e fshehtë rus e serb u zbuluan nga sulltani dhe Xhelal Pasha u detyrua të arratisej. Në një nga gjashtë letrat e ruajtura në arkivin e Serbisë në Beograd, shkruar më 16 shkurt 1869 dhe dërguar Ilija Garashaninit, ndër të tjera, Xhelal pashë Zogolli i thotë: “Unë jam duke pritur vetëm urdhrat tuaja dhe për mua është detyra e parë dhe e shenjtë që t’u nënshtrohem.” Më 5 mars 1869, pas kryerjes së të gjitha formaliteteve që i kërkoi shërbimi i fshehtë serb, Xhelal pashë Zogolli, i pajisur me pasaportë me emrin Stanko Ivanov dhe i shoqëruar nga ndihmësi i tij me emrin Avram, u nis për në Zyrih të Zvicrës. Rroga e “Stanko Ivanovit” ishte 120 dukatë në muaj, por ajo nuk i mbulonte shpenzimet e tij. “Ivanovi” do t’i dërgonte MPJ të Ser-bisë 5 letra rresht, ku kërkonte me këmbëngulje një shtesë të re të rrogës.9)

Sadije Zogu – Toptani, e ëma e Ahmet Zogut:
Sadije Zogu – Toptani, lindi në Tiranë më 28 gusht 1876. Ajo ishte bijë e njërës nga familjet më të fuqishme të Shqipërisë Qendrore, Toptanët e Tiranës. U martua me Xhemal Pashë Zogun në vitin 1891 dhe nga kjo martesë i lindën 7 fëmijë. Mbreti i mëvonshëm i shqiptarëve, Ahmet Zogu, ishte fëmija i tretë dhe lindi më 8 tetor të vitit 1895. Nëna Mbretëreshë Sadije vdiq në Durrës më 25 nëntor të vitit 1934. Ceremonia e varrimit në nderim të Saj u zhvillua më 26 nëntor 1934 në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.

……………………………………..

Shtatë muaj më pas, “Stanko Ivanov” duket se ka udhëtuar deri në Shën Petërsburg, ku është takuar edhe me Car Aleksandrin III të Rusisë. Në lidhje me këtë takim, në rrëfimin e nipi i tij Mbreti Zog përpara ambasadorit Bernstein, thotë: “Ai udhëtoi deri në Rusi, ku u pranua nga Cari, pas një pritjeje prej shtatë muajsh. Rusia kishte atëherë një ndikim të madh në punët e Turqisë dhe Cari i premtoi se do ta përdorte ndikimin e tij te Sulltani në favor të Zogut. Kështu që Xhelal Pasha u kthye në Stamboll, ku mori një dekret që e emëronte atë guvernator të gjithë Shqipërisë dhe Epirit. Por në ditën që dekreti u firmos, ai u helmua nga turqit.”10)
Varri i Xhelal pashë Zogollit mund tё sillet lehtё nё Tiranё, pasi gjendet në “Haxhi Badem Uskunda” (Haji Badem Uskanda) të Stambollit. S’ka asnjё dyshim se varreza mbretnore Zogu do tё ishte e mangёt pa varrin e babait tё Mbretit Zog, Xhemal pashë Zogollit. Varri і tij gjendet nё Burgajet. Xhemal pashë Zogolli përmendet në raportet e konsujve europianë si një ndër figurat kryesore të rreth 300 pjesëmarrësve në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare në Dibër të Madhe (20-23 tetor 1880). Shumica e pjesëmarrësve ishin nga vilajeti i Manastirit dhe i Kosovës, pasi krahinat e vilajeteve të Shkodrës e Janinës i kishin mbajtur më parë kuvendet e tyre. Çështja e parë kishte të bënte me rrezikun serioz të përfshirjes së qytetit shqiptar të Ulqinit në shtetin e ri të pavarur të Malit të Zi. Xhemal pashë Zogolli ishte i gatshëm të nisej në krye të trupave rezerviste e vullnetare të kazasë së Matit në mbrojtje të Ulqinit, nëse miratohej nga sulltani, por Abdyl Hamidi II urdhëroi dorëzimin e Ulqinit shqiptar në duart e Princ Nikollës së Malit të Zi.
Çështja e dytë kishte të bënte me formimin e një qeverie të përkohshme shqiptare, e referuar nga Abdyl bej Frashëri në emër të pjesëmarrësve të krahinave shqiptare të vilajetit të Janinës në Kuvendin e Gjirokastrës (23 korrik 1880). Ajo u përkrah nga përfaqësuesit radikalë me Haxhi Ymer Prizrenin e Sulejman Vokshin në krye, por u hodh poshtë me shumicë votash nga konservatorët dhe të ekuilibruarit, ku hynte edhe Xhemal pashë Zogolli. Për çështjen e tretë, hartimin e një rezolute të përbashkët mbi përmbledhjen e vilajeteve të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës në një njësi të vetme autonome, delegatët shprehën mendime divergjente. Kështu Kuvendi i Dibrës i dërgoi Portës së Lartë dhe Sulltanit dy rezoluta: e para e nënshkruar nga pakica (120 vetë), e përbërë nga përfaqësuesit radikalë dhe disa të moderuar si Ali pashë Gucia, Iljaz pashë Çoku (Dibra), Esat pashë Tetova etj., kërkonte me këmbëngulje krijimin e vilajetit autonom; e dyta, e nënshkruar nga shumica (150 vetë), e udhëhequr nga Sadik pashë Hoxholli, Hasan pashë Tetova, Abdullah pashë Doshishti, Xhemal pashë Zogolli etj., u lutej dy institucioneve të larta te Perandorisë Osmane të organizonin “Elajetin e Shqipërisë”, pa i shkrirë vilajetet ekzistuese. Përjashto 25-30 pjesëmarrësit konservatorë, të cilët nuk e firmosën asnjerën nga rezolutat; përçarja e 270 delegatëve të tjerë në Kuvendin e Dibrës u dhanë të kuptonin Sulltanit dhe Portës së Lartë se shqiptarët nuk kishin për t’u bërë kurrë në një mëndje për shëputjen e trojeve të tyre nga Perandoria Osmane dhe as që e vunë ujët në zjarr për të marrë parasysh ndonjërën prej tyre. 11)

Princi Xhelal Bej Zogu 1881-1944 , vëllai i Ahmet Zogut.

…………………………………….

Në vitet pas Lidhjes së Prizrenit e deri sa vdiq nga një ftohje e rendë në mushkri, Xhemal pashë Zogolli do t’i zgjidhte problemet e kazasë së Matit, duke ruajtur të njëjtin qëndrim si në Kuvendin e Dibrës: nga njera anë zbatonte me përpikmëri urdhërat e mytesarifit (prefektit) të Dibrës apo valiut të Manastirit; nga ana tjetër strehonte dhe përkrahte veprimtarët e njohur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si Dervish Himën (Ibrahim Naxhiun), Ibrahim Temon, Hamdi Ohrin, Said Islam Najdenin (Hoxhë Voglin) etj.12)
Varri i Xhemal pashë Zogollit ndodhet në Burgajet, ndërsa varri i djalit të tij me gruan e parë, Princit Xhelal Zogut (i lindur në Burgajet 14 maj 1881 dhe vdekur në Stamboll më 26 shkurt 1944) gjendet në Ferikoy Mezarligi të Stambollit. Për martesën e dytë Xhemal pasha iu drejtua Emin bej Toptanit, njërit nga krerët e klanit të njohur me emrin Toptanët e Pishës, pjesë e familjes së vjetër e të madhe feudale Toptani të Tiranës. Me martesën e Xhemal pashës me Sadije Toptanin i përgjigjej rangut të krushqive që Zogollët kishin bërë dhe do të bënin me bejlerët Alltunë të Kavajës, Biçaçinjtë e Elbasanit, Çokët (Dibra), Hoxhollët e Doshishtët e Dibrës, Kryeziu të Gjakovës, bejlerët e Peqinit, të Delvinës dhe djalin e Sulltan Hamitit II.13)
Data e lindjes se Sadije Toptanit (më pas Nana Mbretneshë) asht më 28 gusht 1876 dhe vdekja e saj më 25 nëntor 1934. Në gjenealogjinë e familjes Zogu e hartuar nga Kristofer Bajers (Christopher Buyers, 2009), Sadija figuron e martuar me Xhemal pashën në vitin 1887, pra 11 vjeçe, ndërsa në gjenealogjinë e hartuar nga Dr. Patrice Najbor dhe e publikuar në Paris më 2008, ajo rezulton e martuar në vitin 1891. Viti më i saktë duket se është dhënë nga Najbori, mirëpo në gjenealogjinë e tij është shënuar po ashtu se vajza e parë e çiftit Xhemal e Sadije Zogollit, Adilja është e datëlindjes 1890. Edhe në një fotografi të Mbretit Zog me motrat e tij e hedhur në internet nga familja mbretërore “Zogu”, e titulluar “Royal Family – Albanians in Exile”, ështё shkruar se Princesha Adile Doshishti ka lindur rreth vitit 1890. Po ashtu, mbi gurin e varrit të saj në “Thiais Cemetery” afër Parisit, gjendet mbishkrimi i gdhendur: “Princesse Adile Zogu Husseinagolli Doshishti,1890-1966”. Sipas kalkulimeve të fundit të gjenealogjistit Bajers, vajza e parë e Nanës Mbretneshë ka lindur më 9 prill 1890. Duhet patur parasysh se mbishkrimi mbi varrin e Adiles është bërë me rastin e vdekjes së saj në vitin 1966 edhe pse, sipas të dhënave zyrtare të dërguara nga oborri mbretëror i Shqipërisë në qendrën e dokumentacionit të mbretërive të Europës dhe të publikuara në “Almanc de Gotha” të viteve 1929 dhe 1933, Princesha Adile figuron e datëlindjes 25 shkurt 1894.14)
Në Almanc de Gotha (1929 dhe 1933) data e lindjes sё motrës së dytë tё Mbretit Zog, Princeshë Nafije Kryeziut, është regjistruar se ka lindur mё 12 shtator 1900, ndërkohë kur Geraldina Zogu dëshmon se ajo ishte më e madhe në moshë se Mbreti Zog, që dihet botërisht se është i datëlindjes 8 tetor 1895. Ndoshta viti i lindjes së Princeshës Nafije duhet të jetë më i saktë viti 1893, siç është shënuar edhe në foton familjare të hedhur në internet, ku thuhet se ka vdekur në Kajro të Egjyptit nё vitin 1955. Motra e tretë, Princeshë Sanija ёshtё regjistruar në Almanak de Gotha 1929 e datëlindjes 1903, ndërsa në Almanak 1933 e datëlindjes 1908; mirёpo viti i saktë i lindjes së saj duhet të jetë 1897 dhe i vdekjes më 1967, siç shkruhet në foton familjare të internetit dhe në pllakën e varrit në “Thiais Cemetery”, afer Parisit. Motra e katërt, Princesha Myzejen, në Almanak 1929 është e regjistruar e datëlindjes 1905, në Almanak 1933 e vitit 1909, por data e saktë duhet të jetë 1900 dhe e vdekjes më 1969, siç shkruhet në foton familjare dhe tek pllaka e varrit në “Thiais Cemetery”. Motra e pestë, Princeshë Ruhija, në Almanak 1929 është regjistruar e datëlindjes 1906, në Almanak 1933 e datëlindjes 1910, megjithatё viti më i saktë duhet të jetë ai i shënuar në foton familjare, 1902 dhe data e vdekjes 1948, siç shkruhet mbi gurin e varrit të saj në Kajo të Egjyptit. Së fundi, motra e gjashtë, Princesha Maxhide është e regjistruar në Almanak 1929 e datëlindjes 1907, në Almanak 1933 e vitit 1911, ndërsa në foton familjare e datëlindjes 1904. Ajo ka vdekur në Kanë të Francës në vitin 1969 dhe është varrosur në “Thiais Cemetery”, Paris.15)
Vetvetiu lind pyetja: “Pse і ёshtё dashur Mbretit Zog tё mashtrojё Europёn mbi datёlindjet e gjashtë motrave tё tij?” Pёrgjigja ёshtё shumё e thjeshtё: “Pёr tё mundёsuar mundësuar martesat e motrave vejusha, tё ndara apo beqare me djem të familjeve mbretërore europiane, aziatike apo afrikane, në një kohë kur rinia e tyre kishte perënduar. Por pёr tё bёrё tё besueshme moshat e fallcifikuara tё motrave tё tij, Mbreti Zog është detyruar të shtyjë edhe datën e vdekjes së babait të tij. Konkretisht, në përgjigjet që i ka dhënë pyetjeve të historianit Xhozef Suire (Joseph Swire) para se të shpallej mbret ka deklaruar se ka qenë 9 vjeç kur i ati ka vdekur, pra më 1904; kurse sipas Geraldina Zogut, bashkëshorti i saj ka qenë 6 vjeç kur i ka vdekur i ati, pra nё vitin 1901. Në intervistën dhënë ambasadorit Bernstein më 1933, në pjesën e parë Mbreti Zog pohon se i ati ka vdekur në vitin 1908, ndërsa në pjesën e dytë përmënd vitin 1903. Po ashtu, sipas dokumenteve tё derguar nga Mbreti Zognё qendrën e informacionit të mbretërive europiane, në Almanak de Gotha 1929, i ati figuron i vdekur në vitin 1908, ndërsa katër vjet më pas, në Almanak 1933, Xhemal pashë Zogolli është regjistruar і vdekur në vitin 1911(?!). Historiani Xheizën Toms (Jason Tomes) llogarit një dhjetëveçar të errët ku nuk merret vesh se kur ka vdekur babai i Mbretit Zog dhe, për më keq, ai thekson faktin se Zogu nuk e sqaroi kurrë se kur i ati e la jetim. Kështu Mbreti Zog u dha udhë me vetëdije hartimit të përrallave fantastike e legjendave folklorike, të cilat kanë arritur të depërtojnë edhe në studimet serioze tё historianit amerikan Bernd J. Fischer mbi jetën e tij. Vetёm me botimin “Nga notimet e Zogut I Mbretit tё Shqiptarёve” (Tiranё, 2008), data e vdekjes sё Xhemal Pashё Zogollit mё nё fund ёshtё shёnuar tetor 1904; datё, tё cilёn gjenealogu Kristofer Bajer (Christopher Buyers) e saktёson “pёrpara 11 tetorit 1904 (Rajab 1322 AH), nё moshёn 44 vjeç.” 16)
Kompleksi і varrezёs mbretnore do tё ngrihet pёrballё Varrezave tё Dёshmorёve, nё pyllin nё tё djathtë të Rrugës së Elbasanit (e Djathta, gjithmonё djathtas), ku prehen eshtrat e Nanës së Parë Mbretneshë, Sadije Zogut. Ështё krejt e natyrshme qё pranё saj tё sillen edhe eshtrat e Xhemal pashё Zogollit nga Burgajeti; tё eshtrave tё Nanës së Dytë Mbretneshë, Geraldina Zogut; djalit të saj Mbretit Leka Zogu І dhe tё Nanës së Tretë Mbretneshë, Suzana Zogut. Gjithsesi, deri nё fund tё vitit jubilar tё shpalljes sё Pavarёsisё sё Shqipёrisё, ka kohё tё kёrkohen dhe tё sillen edhe eshtrat e Princёrve Hysein e Salih Doshishti, Princeshave Teri e Danush Doshishti, si dhe tё Esat (Tati) Kryeziut. Në ballë të kompleksit të Varrezave Mbretërore besojmё se do të ngrihet njё përmendore e Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve, shtypësit të Demokracisë Liberale në vitet 1920-24 në Shqipëri; organizatorit të vrasjeve të udhëheqësve demokratë: Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Zija Dibra, Dom Gjon Gazuli, Ibrahim Arapi etj., si dhe të ndjekësit këmba-këmbës të qindra veprimtarëve demokratë brenda e jashtë Shqipërisë.
Me ndihmёn e Mbretёrive tё Jugosllavisё dhe Italisё fashiste, Ahmet Zogu stabilizoi pushtetin e vet personal, duke përmbledhur të gjitha pushtetet në duart e tij. Nё vitet 1925-1939, i shpallur President dhe Mbret nga deputetёt marioneta proqeveritarё, Ahmet Zogu firmosi me fashistët italianë traktatet skllavëruese për popullin shqiptar dhe, ditёn e pushtimit fashist tё Shqipёrisё, mё 7 prill 1939, mblodhi pjestarёt e Familjes Mbretnore, shёrbёtorёt e tij dhe arkat me florinj tё Bankёs Kombёtare, duke e mbajtur vrapin 20 mijё kilometra larg nё Hotel Ritz tё Londrёs. Nёse do perifrazojmё thёnien lapidare tё poetit filozof mantovas, Virgjil, se “Finis coronat opus” (Fundi kurorёzon veprёn), themi me plot gojё se, duke iu shmangur rezistencёs antifashiste nё grykat dhe malet e Shqipёrisё, Mbreti Zog e tradhtoi popullin e atdheun e tij, duke shkelur hapur edhe betimin e vet të bërë mbi Bibël e Kuran, se “do ta mbronte Lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë deri edhe me jetën e tij”! E pra, pёr paradoks, pёr çudinё e çudirave, nё vitin e 100-tё tё shpalljes sё Shqipёrisё sё Pavarur, qeveritarёt e sotёm do ta pёrurojnё kompleksin e varrezёs sё Mbretit Zog, pёrgjegjёsit kryesor tё humbjes sё asaj pavarёsie, pikёrisht pёrballё Varrezave tё Dёshmorёve tё Kombit, tё cilët e lanё me gjak çdo pёllёmbё tё kёtij vendi, qё ta gёzojmё edhe ne sot Shqipёrinё e Lirё e tё Pavarur.
Shënimet
1) Eqrem bej Vlora, Kujtime…vep. e perm., f. 451; Selami Pulaha, Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV, botim i Universitetit të Tiranës, dhe Institutit të Historisë, Defteri i Matit, Hasset (timaret) e Mirluait) në vilajetin e Matit, f. 326-42, 346-36; H. Bernstein, Ahmet Zogu… f.1; H. Selmani, Nga notimet e Zogut…, f. 14.
2) Eqrem bej Vlora, Kujtime…f. 451; J. Swire, Shqipëria:Ngritja e një mbretërie, f. 45; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 11; J. Tomes, King Zog of Albania…, p. 9.
3) www.oborrimbreterorshqiptar.al/historia e familjes; H. Bernstein, Ahmet Zogu… kapitulli i parë i intervistës; Pietro Quaroni, Valixhja diplomatike, Tiranë: Albinform, 1993, f. 101; H. Selmani, Nga notimet e Zogut…, f. 15.
4) www. albanianroyalcourt.al/genealogical tree; www.royalark.net/Albania/Zogu.htm; H. Selmani, Nga notimet…, f. 15-16; Eqrem bej Vlora, Kujtime 1885–1925, vep. e përm., f. 452 (Shih arkivat e sarajit të vjetër: Ruznamedshiler Defteri-viti 1041/42-Stamboll Më tej: Endxhumemi Tarih Komisioni neshrijati. Viti 1909/10, Stamboll; Bernd J. Fischer, Mbreti Zog…, f. 12 (sipas Ekrem Bey Vlora, Lebenserinnerungen Band II, Munchen ; Oldenbourg, Verlag, 1973, p. 131.)
5) www.albanur.eu/Historia e popullit shqiptar, kreu IV, Pashallëqet e mëdha, 1. Anarkia feudale, Lufta e parise vendase per pushtet; H. Selmani, Nga notimet…, f. 14; Ramiz Fiçorri, Mati, Tiranë, Dardania, 1998, f. 108; Sadulla Brestovci, Qëndrimi i Serbisë ndaj shqiptarëve dhe lëvizjes së tyre kombëtare të viteve 1862–1868, revista “Gjurmime albanologjike”, Seria e shkencave historike, nr. 6, 1976, Prishtinë, 1977, f. 13-33. Disa momente të marrëdhënieve shqiptaro–serbe–malazeze 1856–1862, revista “Gjurmime albanologjike”, Seria e shkencave historike, 1974–1975, IV–V, Prishtinë 1977, f. 105–106.
6) Historia e popullit shqiptar, vëllimi II, Akademia e Shkencave (Instituti i Historisë), Tiranë, 2002, f. 109–12; Sadullah Brestovci, Disa momente të marrëdhënieve shqiptaro–serbe–malazeze 1856–1862, revista “Gjurmime albanologjike”, Seria e shkencave historike, 1974–1975, IV–V, Prishtinë 1977, f. 105–106; Marenglen Verli, Kosova në fokusin e historisë, vëllimi i parë, Tiranë: Botimpex, 2002, f. 27–36; K. Dako, Ahmet Zogu…, f. 11.
7) Shkëlzen Raça, Marrëdhëniet shqiptaro–greke 1829–1881, Prishtinë, 1990, f. 91 (M. Th. Laskari, To Anatolikon Zitima, 1800–1923, t. I, Thessaloniqi, 1948, f. 218;) S. Th. Laskari, Dhiplomatiqi istoria, f. 119; S. Markezini, Politiqi istoria tia Neoteras Elladhos, 1828–1964, t. II, en Athines 1966, f. 58; G. Jakshiq, V. Vukoviq, Spoljna politika Srbije za vlade Kneza Mihaila (Prvi balkanski save), Beograd 1963, f. 78, 80; V. Stojaçeviq, Lidhjet miqësore shqiptaro–serbe në shekullin XX, revista “Përparimi”, Prishtinë, 1956, nr. 3–4, f. 205).
8) Sadulla Brestovci, Qëndrimi i Serbisë ndaj shqiptarëve dhe lëvizjes së tyre kombëtare të viteve 1862-1868, revista “Gjurmime albano-logjike”, Seria e shkencave historike, nr. 6, 1976, Prishtinë, 1977, f. 13, 15–16, 25–26, 33 (Arkivi i Serbisë, F. Ilija Garashanin, br. 1580–1581, str. 35, Beograd 15 maja; Pera, 9 juna dhe 29 XII 1866; G. Jakshiq, V. Vukoviq, Spoljna politika Srbije za vlade Kneza Mihaila (Prvi balkanski save), Beograd, 1963, f. 243, 339, 341 etj.); S. Brestovci, Marrëdhëniet shqiptaro–serbo–malazeze (1830–1878), Prishtinë, 1983, f. 147, 170, 181, 185; Historia e popullit shqiptar, vëllimi II,.vep. e perm., f. 111.
9) S. Brestovci, Qëndrimi i Serbisë ndaj shqiptarëve dhe lëvizjes së tyre kombëtare…, vep. e përm., f. 33 dhe Marrëdhëniet shqiptaro–serbo–malazeze (1830-1878), vep. e përm., f. 190-1.
10) H. Bernstein, Ahmet Zogu… f.2. Po ashtu: Herman Bernstein, Hugh G. Grant, Dy diplomatë amerikanë për Mbretin Zog, Tiranë: Dardania, 1994, f. 13.
11) Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë: Toena, 1997, f. 332-37 (Lippich, HHSTA/PA, raport nr. 130, Shkodër, 9 nëntor 1880, Blunt, (LSHP/dok. anglisht), Selanik, 5 nëntor 1880, 1 dhjetor 1880, Lippich, raport nr. 39, Shkodër, 20 nëntor 1880, AKTE/RKSH, 119); Haki Stërmilli, Dibra në prag të historisë, Tiranë, 1940, dorëshkrim në Arkivin e Institutit të Historisë, Tiranë, f. 44.
12) H. Selmani, Nga notimet e Zogut…, f. 17-19; J. Dedet, Geraldina…, f. 152; www.vizionidibranislam.jido.com/Dervish Hima, Ibrahim Temo, Hamdi Ohri, Said Najdeni(Hoxhe Vogli).
13) www.royalark.net/Albania/Zogu.htm.; www. albanianroyalcourt.al/genealogical tree; H. Selmani, Nga notimet…, f. 19-20; An Online Gotha-the file of Paul Theroff; dcodriscoll.pbworks.com/Zogu.
14) www.royalark.net/Albania/zogu.htm; www. albanianroyalcourt.al/genealogical tree, sipas: Dr. Patrice Najbor, Historie de ‘Albanie et de sa Maison Royale 1443-2007, tomes 5; J. Dedet, Geraldina…, f. 151; Almanac de Gotha ( 1933), Hugh Montgomery-Massingberd, editor, Burke’s Royal Families of the World, Volume 1: Europe & Latin America (London, U.K.: Burke’s Peerage Ltd, 1977), page 7; thePeerage.com/person 13205.
15) Almanac de Gotha ( 1929, 1933), thePeerage.com/name index 3049; J. Dedet, Geraldina…, f. 139; J. Tomes, King Zog of Albania…, p. 140-41.
16) www.royalark.net/Albania/zogu.htm/H. E. Jamal (Xhemal) Pasha Zogolli, p.3; J. Swire, Shqipëria, ngritja e një mbretërie, f. 181; J. Tomes, King Zog of Albania…, p. 14; J. Dedet, Geraldina…, f. 152; B. Fischer, Mbreti Zog… f. 14-16, Diktatorët e Ballkanit,,f. 24; H. Selmani, Nga notimet…, f. 19.

………………………………………

PASHTRIKU.ORG: MATERIALE FILMIKE

———————–

Dokumentar: Festimi i 10 vjetorit të monarkisë (1938)

………………………………..

Mbreti Zog: Ardhja dhe ikja e tij

…………………………………………..

Pushtimi italian i Shqipërisë, 7 prill 1939, pj.1/2

……………………………………..

………………………………………………

Sali Berisha: Mbreti Ahmet Zogu, Biri i Madh i Kombit! Burrel, 2009.

______________________________

FOTOT DHE MATERIALET FILMIKE I PËRZGJODHI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura