BEHXHET SHALA – BAJGORA: RRETH FLAMUJVE DHE INTERESIT TË PËRBASHKUAR…!

Prishtinë, 27. 11. 2015: (Dita e shqiptarëve dhe flamuri i Tinës) – Te çdo popull që e konsideron veten popull dhe që dinjitetin kombëtar dhe shtetëror e vë mbi çdo interes personal , flamuri është pikënisja , pikësynimi , gjakimi për sakrificë deri në vetflijim, inspirim për përballim të vuajtjeve , vend i shenjtë ku bëhet betimi , garanci për mbajtje të besës , frymëzim për të rinjtë dhe udhërrëfim drejt një të ardhmeje të ëndërruar. Çfarë kuptimi ka lufta kur mungon flamuri dhe kurrë nuk do e fitoni betejën nëse nuk e mbroni flamurin . Çfarë kuptimi ka paqja nëse nuk vendoset në bazë të vullnetit të shprehur për simbole kombëtare dhe shtetërore ?! Edhe me rastin e tragjedive më të mëdha , flamuri nuk hiqet nga shtiza por lëshohet në gjysmë shtizë , jo si shenjë dorëzimi por si shenjë respekti që i bënë shteti dhe populli atyre që e kanë pësuar dhe familjeve të tyre. Çdo aktivitet shtetëror në planin kombëtar dhe ndërkombëtar fillon me intonimin e himnit dhe ngritjen e flamurit apo përshëndetje duke qëndruar gatitu para tij. Çdo aktivitet sportiv në planin ndërkombëtar nuk imagjinohet pa flamur. Përjashtim janë rastet e shteteve që nuk pranohen ndërkombëtarisht apo janë imitim (karikaturë) e shteteve. Edhe në shtëpinë e botës, në Kombe të Bashkuara flamujt janë të radhitur sikur edhe në selinë e BE-së. Janë dëshmi e ekzistencës së një shteti apo, mosprania e flamujve e tyre është dëshmi se ai shtet nuk ekziston. Fatosat e mësojnë himnin e flamurit dhe , ende pa shkuar në shkollë bëjnë përpjekje ta vizatojnë ate.

Te shqiptarët Dita e Flamurit është 28 Nëntori kur Ismail Qemali e ngriti flamurin dhe e shpalli pavarësinë e atdheut të gjithë shqiptarëve, Pavarësinë e Shqipërisë. Tash shqiptarët e kishin një shenjë identifikimi kombëtar e ai ishte flamuri kuq e zi dhe një adresë të përjetshme të lindjes , jetës dhe amshimit e ajo ishte Shqipëria të cilën e masakruan duke ia hequr gjymtyrët dhe një pjesë të madhe të trupit . E kemi flamurin më të bukur dhe më domethënës në botë për të cilin u sakrifikuan mija e mija atdhetarë dhe me të cilin u bë edhe lufta e fundit për çlirimin e Kosovës e udhëhequr nga Ushtria e Lavdishme Çlirimtare. Aq shumë sakrifica për flamurin kombëtar nga i cili aq lehtësisht u hoq dorë nga arrivistët dhe karrieristët e kontrabanduar në politikanë dhe tregtarë flamujsh. Në Kosovë tash po përdoren dy flamuj , kosovarët po identifikohen me flamurin e Tinës që është i disejnuar në atë mënyrë që nuk ngjallë fare emocione e lëre më respekt dhe shqiptarët e mbetur komunitet pakicë po e përdorin flamurin kombëtar me të cilin janë identifikuar të parët e tyre , identifikohen sot e mbase edhe më shumë do të identifikohen në të ardhmën . Ardhmëria është e flamurit kuq e zi ndërsa flamuri i Tinës është imponim i dhunshëm para të cilit qëndrojmë gatitu , jo për ta nderuar ate por se jemi frikacakë apo e kemi ndonjë interes. Jemi konformistë të pashembullt. Dikur “nderonim“ flamurin e Jugosllavisë dhe të Serbisë sepse ndryshe do të shkoje në fllad shumëvjeçar apo edhe do të mbyteshe me dru. Tash, nuk të mbysin me dru por ta mbysin ardhmërinë . Flamuri , ose trashëgohet, ose imponohet. Shumicës në Kosovë u është imponuar në mënyrën më të paskrupullt dhe më të poshtër gjë që nuk ka ndodhur me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjën, Kroacinë dhe Slloveninë . Kosova ka flamur me disenjim nga të brendshmet e një diktatoreje dhe një himn që nuk vlen as pesë para. As flamuri e as himni nuk kanë të bëjnë asgjë me qiellin, nënqiellin apo tokën e Kosovës dhe shumicës absolute të qytetarëve të saj (së paku 92 % ishin ose janë shqiptarë). Në asnjë vend të botës nuk ka kaluar aq lehtë “përzgjedhja“ dhe “përcaktimi“ për simbolet kombëtare dhe shtetërore sikur në Kosovë sikur që në asnjë vend në botë nuk ka pasur kësi dhunimi me rastin e vendosjes për simbole kombëtare dhe shtetërore . Në Serbi përdorimi i flamurit kombëtar të shqiptarëve thuaja se është vepër penale sikur që edhe në Mal të Zi dënohesh me 1000 euro në rast se e merr guximin ta vendosësh flamurin kombëtar . Në Maqedoni preferohet që flamuri kombëtar të përdoret i bashkëdyzuar me flamurin e shovinistit dhe mashtruesit Zaev ndërsa serbët e Kosovës e përdorin flamurin e Serbisë si flamur shtetëror duke e dhunuar edhe flamurin e lodhtë të Tinës ku e kanë edhe një yll të multietnicitetit sepse e duan ate me katër s cirilike . Autoritetet kosovare , jo që nuk kanë guxim të kërkojnë zbatimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare dhe shtetërore por , kokulur hyjnë në godinat institucionale ku është i vendosur vetëm flamuri i Serbisë. Kam dëgjuar se bënë përjashtim zëvendësi i ministrit nga Republika Srpska në qeverinë e Kosovës , Barjam Gecaj i cili nuk e shkel flamurin e Tinës . Flitet se pogllavicës së komunës së Kllokotit i cili pati thënë se nuk i ka 5 euro për ta blerë flamurin e Tinës të kontrabanduar si flamur i Kosovës , në dorë ia ka numëruar 5 euro e 50 cent mirëpo , përsëri flamuri me katër s cirilike është aty . Investim i dështuar i Barjamit sikur që kanë qenë të dështuara të gjitha angazhimet e tij politike deri më tani , nga koha e qetësuesit të dhunshëm të deputetëve të Kosovës deri te zbatuesi konkret i formimit të entitetit politik dhe etnik të serbëve sikur edhe hartuesi i kufinjve të rinj midis Goran Rakiqit dhe Agim Bahtirit, kuptohet në dëm të Agimit! Hvala ti brate Barjame ( faleminderit vëlla Barjam ).
Dita e shqiptarëve dhe 28 Nëntori
Shqiptarët e mbetur në Kosovë e paskan një ditë të tyre , 28 Nëntorin ndërsa 364 ditë të tjera të vitit mund të deklarohen si të duan, kinezë, aborixhinë, siamezë, nepalezë , mongolezë etj.,etj. Mjeranët nuk patën guxim që 28 Nëntorin ta fusin në kalendarin e festave kombëtare dhe shtetërore por e kanë shpikur Ditën e Shqiptarëve në ndërkohë që nuk kanë lënë festë pa e futur në këtë kalendar. Madje, e kanë futur si festë Ditën e Ev(u)ropës kur ajo na trajton si zhgjebanikun më të madh duke na izoluar në karantenën e quajtur Kosovë dhe ku, pa viza , tash për tash mund të udhëtojmë vetëm në Shqipëri pasi ta kalojmë kontrollin e dyfishtë policorë dhe doganorë në kohën kur kërkohet heqja e kufinjve, në Mal të Zi në kohën e sezonës turistike dhe në Maqedoni. Serbia na konsideron pjesë të saj mirëpo , falë mashtrueses Zezditë, na zbrazë xhepat mirë e mirë në kufirin administrativ. Deri më tani , festat një ditore apo përkujtimet njëditore, kanë qenë për kategori apo individë të veçantë e jo për popuj apo komunitete pakicë. Kjo festë në formën si na është imponuar është një mashtrim ordinerë dhe si e tillë as që duhet të festohet. Realiteti është se shqiptarët janë shqiptarë 365 ditë në vit sikur që të tillë janë serbët, romët, turqit, boshnjakët, romët , ashkalinjt etj. Për ofertën puro politike dhe bastarde për kombin kosovar as që dua të diskutoj sepse komb të tillë nuk ka mësa kishte edhe komb jugosllav në kohën e kriminelit Tito. Aq sa mbijetoi kombi jugosllav , aq do të mbijetojë edhe kombi kosovar.

Shfrytëzoj rastin që me rastin e Festës së Flamurit Kombëtar të përkujtoj ata që luftuan, u burgosën, u mbytën nën torturë apo ranë në fushën e nderit për lirinë që disa po e nëpërkëmbin, nuk po e konsiderojnë si liri apo e kanë keqpërdorur skajshmërisht duke e zhvatur popullin e që u shndërruan në horra të zakonshëm! Lavdi e përjetshme për ata që e shpallën Pavarësinë e Shqipërisë, për ideologun dhe luftëtarin e përjetshëm Hasan Prishtinës, për Azem dhe Shotë Galicën, Shaban Polluzhën, Marie Shllakun dhe Gjon Serreçin, Jahja Fushën dhe Shaban Shalën, Fazli Grajçevcin dhe Xheladin Rekaliun , Rexhep malën dhe Nuhi Berishën, Fahri Fazliun dhe Afrim Zhitinë, Bahri Fazliun dhe Luan Haradinajn Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin , Hafir Shalën dhe Xhavit Hazirin, Ahmet Haxhiut – Bacës Ahmet i cili nuk luftoi dhe vdiq për “republikën e Kosovës “ e as për flamurin e Tinës por për bashkimin e trojeve shqiptare dhe flamurin kombëtar , për të gjithë heronjtë dhe martirët e kombit, për të gjithë ushtarët e së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës që luftuan dhe nuk u koritën dhe për të dy frymëzuesit , arkitektët dhe komandantët e përpjekjeve për liri dhe çlirim të shqiptarëve, Komandantit Ushatarak, të Madhit dhe të Pavdekshmit Adem Jasharit dhe Komandantit Politik të shqiptarëve dhe popujve të robëruar që i dha kuptim vuajtjeve , burgosjeve, torturave, luftës dhe rënieve në fushën e nderit, njeriut i cili nuk mund të përsëritet kurrë më në historinë e shqiptarëve, Shqiponjës së Flamurit Kombëtar që do të jetojë aq sa do të jetojë populli shqiptar, BACA ADEM DEMAÇI!
Ndërkaq këtyre të pozitës dhe opozitës që ende shohin ëndërra jugosllave, e thithin oksigjenin e Beogradit , mendojnë serbisht dhe belbëzojnë shqip , që i ndërrojnë bindjet dhe flamujt sipas interesit të çastit, ju shpreh ngushëllime të sinqerta për vdekjen e mundësisë për reciklimin Jugosllavisë dhe Serbisë në Kosovë sikur edhe për abortimin e idesë për kombin kosovar. Mbetën edhe pa njërin e ideologëve të cilit i shërbyen një kohë të gjatë apo që, me veprimet e tyre antikombëtare po e kthejnë atë kohë. Vdiq Veliu i cili tërë jetën i shërbeu një flamuri që ne nuk e donim dhe i cili na futi në burgje të gjata , ndërkaq që mund të varroset me flamurin e Tinës dhe me Gardë FSK në ndërkohë që edhe flamuri Kombëtar është aty. Merreni me mend sa u devalvua flamuri kombëtar dhe statusi i heroit! Edhe një herë për të gjithë jugonostalgjikët dhe karrieristët me shumë fytyra të sotit , ngushëllime të sinqerta.
Të gjithë shqiptarëve ju uroj Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë , 28 Nëntorin , Ditën e Rilindjes dhe Ditën e Bekuar për të gjithë shqiptarët !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

TRIUMFI I KOMBIT

“TRIUMFI I KOMBIT”, KAPITULLI: ”DETYRA JONË, KONSOLIDIMI I PAVARËSISË DHE DEMOKRACISË QË PËRSHPEJTOJNË BASHKIMIN E KOMBIT (V.  2014)…