BEJTUSH ISUFI: SHTETI DHE PARTIA!

Prishtinë, 25 shtator 2017: Kur do ti ndajmë ato që nuk mund të bashkohen dhe kur do të pushojmë që t`i ndajmë ato që nuk mund të ndahen ?
Pra, ku fillon njëra e përfundon tjetra, ku janë kufijtë e atdheut e ku « mezhdat » e partisë ?
…Që nga vitet 70, lexonim titujt e përkthyer nga anglishtja « a ka jetë në kozmos » ndërsa më vonë «a ka jetë në Mars», por te ne pyetja e vërtetë e ditëve tona është a ka jetë jashtë partisë politike?
Do të përcjellim tani zgjedhjet lokale në Kosovë dhe si zakonisht do të shohim si përkulet shteti për ti bërë «temena» partive, në vend se partitë të fitonin përkrahjen e qytetarëve duke respektuar shtetin.
A nuk ishim ngopur me pushtetin e partisë-shtet për mëse gjysëm shekulli!? Dhe a nuk e kuptuam se nuk kishim as shtet, as liri, e madje as parti ? Prej nga sot kjo “dashuri” kaq e madhe ndaj partive politike dhe prej nga kaq shumë indiferencë ndaj qytetarisë, lirisë e dinjitetit? A jemi ende atje ku ishim dje dhe po vazhdojmë rrugës së vjetër, të cilën po e shajmë me fjalë, por po e ndejkim me vepra.

Si mund të ngatrrojmë atë që nuk mund të ngatrrohet, atdheun e përjetshëm dhe partinë e përkohshme, interesin e përjetshëm me interesin e ditës, jetën me një ditë të vetme?! Nuk kam udhëtuar shumë, por kudo kur jam gjendur jasht vendit askush nuk më pyeti se cilës parti i takoj, por prej cilit vend je? Sa herë janë krijuar dhe sa herë janë shuar partitë?
Në ushtri, polici, në fakultet, në administratë, në biznes, në familje nuk jemi « pronë » e partisë, jemi qytetarë, shtetas, bashkatdhetarë dhe familjar, partia e ka vendin në tubime para dhe pas elektorale dhe për ditën e zgjedhjeve, ashtu si edhe futbolli luhet në fushën e lojës e jo në autostradë. Por ne po e bëjmë të kundërtën, po e shesim sigurinë, dinjitetin, fuqinë dhe unitetin e qytetarëve dhe popullit tonë për “vota” partiake, aq sa duket se dikujt partia i është bërë kishë e xhami, që do të thotë po duam “ta ndalim demin duke e mbajtur atë për bishti”…
Detyrimi juridik dhe moral dhe edukata qytetare e atdhetare e secilit që flet dhe vepron në emër të institucioneve publike është që të mos e rrënojnë shtetin për ta “ndihmuar” partinë, sepse kështu nuk ndihmojmë as partinë as shtetin, por i rrënojnë të dyja, rrënojmë vetveten dhe të ardhmen tonë, por përkundrazi të zbatojnë ligjin dhe të bindin secilin se shteti është i secilit, pullazi ynë i përbashkët, e jo një “ngastër” e uzurpuar e kësaj apo asaj partie, apo klani.
Nuk ndërtohen as shteti, as shoqëra e hapur, as nuk krijohen vlerat tjera të një shoqërie të përparuar me vendosjen e një vule apo me një lëvizje lapsi, kjo është një rrugë shumë e gjatë, së cilës po ecin popujt më të zhvilluar, prandaj andej do të duhej të na shpiejnë edhe këmbët tona.., sepse kemi të bëjmë me një rrugë një kahëshe.
Nuk ka si të mos na dhemb koka kur relativizojmë e minimizojmë aspektet jetike të shoqërisë, ndërsa ngrisim në qiell sjelljet klienteliste. Po të ngrinim pak kokën e të shihnim botën për reth nesh, e pastaj të shihnin veten në sy, do të kuptonim dhe zgjidhnim rrugën e drejtë, apo lexonim sakt busollën dhe nuk do ti huqnim katër drejtimet e botës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura