BEN ANDONI: POLITIKANËT TANË NUK KANË LIDHJE ME REALITETIN!

Tiranë, 27. 07. 2015 – Zonjës Jahjaga nuk është se i ka bërë shumë përshtypje kur e kanë ndërprerë në një emision televiziv të ZDF-së. Ajo ka vazhduar të thotë atë që ndjente e mendonte, pa konceptuar fare se ajo që i kërkohej ishte ndryshe dhe fare e thjeshtë: pse ikin sot kosovarët?! Mbase nuk do të ishte temë për të shkruar, po të mos kujtosh se të gjithë liderët shqiptarë janë oratorë të zellshëm, por asnjëherë konkretë. Kjo e bënte Berishën të djersiste para BBC-së, ashtu si njësoj Rama, që përgjigjej me “do të”, në të njëjtin emision te “Hard Talk”.

JAHJAGA “BOMBARDON” ZDF-n 24.07.2015

Por, mjafton t’u shikosh gjestikulacionet pa zë në ekranin e Tv-së, kur shprehen për gjithçka e do të bindesh, se nuk kanë fare lidhje me realitetin. Ndërsa, kryeministri shqiptar Rama, fliste pafund për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe pse nuk na hapet dera evropiane, kancelarja gjermane i përgjigjej fare shkurt: po ju ende ikni!!! Më keq shkonte me paraardhësin e tij: zoti Berisha jo vetëm që nuk kishte pauza, por i kishte kthyer ministrat e tij në mbledhjet e mesjavës, në të shushatur prej monologjeve t’veta.
Është për t’u habitur sesa shpejt e lënë kinse modestinë e fillimit zyrtarët tanë dhe sesi menjëherë janë protagonistë të Tv-ve, pa kuptuar se janë bërë bezdisës. Jo për gjë tjetër, por për shkakun e thjeshtë se nuk kanë një përgjigje për zhvillimet e këqija të vendit, nivelin e papunësisë, eksodin e me radhë. Dhe, sigurisht, që nuk mund të kesh përgjigje kur je në ekranin e televizorit gjithë ditën si protagonist në retorikë.
Mbase do të ishin pak më të pëlqyeshëm, veç masës së servilave, që i miklojnë, ta braktisnin retorikën dhe t’i futeshin eksperiencës në terren, duke na lënë të qetë me konferencat dhe vendet ku vetëm japin direktiva. Është fare e thjeshtë, mjafton të flasin më pak dhe të punojnë pa u dukur. Kjo e fundit nuk të lë të flasësh kot, si i ndodhi zonjës Jahjaga dhe dikur Berishës, që i ndërpret dhe një gazetar… i zakonshëm prej retorikës boshe.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura