Suedi, 24 Qershor 2019: Për lutjen e zyrtarit të lartë turk, i cili kërkon që uraganet të shkaktojnë sa më shumë dëme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dua të shtoj që amerikanët të kujdesen për mbrojtjen e vendit dhe të bëhen të vetëdijshëm për pasojat natyrale, dhe aspak të mos kenë frikë nga lutjet dogmatike të diplomatit turk apo cilitdo tjetër. Po të ishte sipas lutjeve fetare, priftërinjtë dhe hoxhët më të zëshëm në botë, zotin do ta merrnin me vete në objektet e tyre fetare të mëdha dhe porsi robot do ta drejtonin sipas bindjeve të tyre. Mirëpo zoti nuk vepron sipas tekave dhe kërkesave individuale, të mëdhenj, a të vegjël qofshin, përndryshe do ta shkatërronte botën. Prandaj nëse dikush me anën e lutjeve ia dëshiron fatkeqësinë vendit tjetër, mund t´i kthehet pikërisht atij që lutet. Një gjë dihet, zjarri i shkaktuar në male nuk i djeg vetëm lisat e thatë, por edhe të njomë, prandaj merren masa për shuarjen e zjarrit. Shkencërisht dihet që kontinenti amerikan është sa i pasur aq edhe me pasoja atmosferike, të cilin e mbulojnë stuhi të ndryshme atmosferike, siç janë uragani tajfuni, orkani, cikloni etj., që këtij vendi i sjellë pasoja të mëdha si në popull, ashtu edhe në fushën ekonomike. Vërtet Amerikën e mbulojnë fatkeqësitë e ndryshme klimaterike, mirëpo as Europa me Azinë nuk janë pa pasoja natyrore, sidomos me dridhjet seizmologjike. Sipas fjalës së urtë latine “Hanibal ante portas”, atëherë edhe Europa Jugore me Azinë janë pranë tërmeteve që shkatërrojnë qytete. Jo vetëm zyrtari turk, por mbarë besimtarët e Turqisë po të luten ditenatë, kurrën e kurrës nuk u plotësohet dëshira apo kërkesa për shkatërrimin e një vendi nga të reshurat atmosferike. Tekembramja, ajo që i ndodh sot Amerikës, mund t’i ndodh cilitdo vend në botë. Megjithatë, populli i arsimuar nuk duhet të ketë frikë as të besojë në dogmat fetare, sidomos ato të skajshme.
Sa i përket gruas amerikane, e cila thotë se lutjet e zyrtarit turk bien në vesh të shurdhër, shtoj se fatkeqësitë qoftë të vogla, qoftë të mëdha mund t’i shkaktojë vetëm mungesa e arsyes, përndryshe prej zotit asgjë nuk ndodh, toka dhe gjithësia i ka ligjet e veta natyrore. Njerizimi mund ta mbrojë planetin me anën e arsyes, duke zvogëluar dëmet natyrore të shkaktuar prej karbondioksidit, sa për lutjet asnjë ndryshim në botë nuk ndodh. Një gjë dihet, sa më shumë që njeriu pret prej zotit, aq më i prapambetur mbetet, për shkak se shkenca dialektike shkon përpara, ndërsa dogmatikët mbesin prapa. Sa i përket këshillës së gruas se nuk mund ta mendojë që dikush të lutet që një tjetër komb të përjetojë tragjedi, lutje të tilla, siç thuhet të mbrapshta, ka dhe do të ketë me mijëra, mirëpo të gjitha i shkelë koha. Prandaj populli le të punojë me arsye e të jetojë, pavarësisht kushteve atmosferike, dhe lutjeve dogmatike për shkatërrimin e botës. Të lutet njeriu për dëmtimin e shtetit tjetër, është sikur njeriu të lutet që asteroidi prej qiellit të bie në polin e veriut, kur dihet, që pasojat janë të mëdha në mbarë rruzullin tokësor. Prandaj dështakët le të vazhdojnë të luten, të gjitha do t’i vrasë vetëm arsyeja e shëndoshë.
Dukuri të ngjashme manifestojnë edhe shovinistët serbë për djegien e Katedrales “Notre Dam” nga zjarri në Paris të Francës. Fill pas fatkeqësisë serbët nuk reshtin së lëvduari me tabloidet e tyre skizofrene, të cilët djegien e katedrales 850-vjeçare e quajnë dënim hyjnor si ndëshkim prej zotit. Me të drejtë ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, tabloidet serbe i quajti mendje të sëmura. Kështu veproi edhe atentatori me prejardhje serbe,Mihajlo Mihajloviq, i cili në shtator të vitit 2003 për inat të Kosovës në qendër të Stokholmit e vrau ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ana Lind. Siç dihet, katedralja ka mbetur ikonë e artit dhe letërsisë, qysh prej themelimit të saj, prandaj rëndësia e saj është jo vetëm si katedrale, por për shkak se arkitektura e saj ka konstruktin gotik në mesjetën e hershme franceze. Sido që të jetë, francezët katedralen do ta rindërtojnë, të cilët në arkivat e tyre kanë ruajtur çdo gram dhe milimetër të Notre Damit, mirëpo koha po tregon që Serbia e sëmurë nga lakmia për pushtimin e tokave shqiptare nuk po shërohet. Nëse sipas serbëve zjarri në “Notre Dam” është ndëshkim prej zotit, atëherë duhet pritur se çka do të ndodhë, jo me kishat ortodokse në Serbi, që botërisht i urrejnë popujt tjerë, por me mbarë Serbinë, që një kohë të gjatë është marrë me masakrimin popullit shqiptar, boshnjak dhe kroat. Konkretisht, nëse zoti nuk e dënon Serbinë kriminale, atëherë nuk e dënon asnjë vend dhe popull në botë. Prandaj dikush gëzohet, siç janë serbët, dikush tronditet, siç është arsyeja e shëndoshë.
Në anën tjetër, katastrofa në reaktorin bërthamor në Çernobil (gjendet në veri të Kievës, kryeqytet i Ukrainës), i cili shpërtheu para tri dekadash, mirëpo përkundër izolimit me betonarme, qytetarët ukrainasë ende janë duke i përjetuar pasojat nga rrezatimi radioaktiv që depërton mbi shtresën sado të madhe të betonit. Kjo do të thotë se viktimë janë të gjithë banorët, që pa fajin e tyre banojnë afër ish-qendrës bërthamore të ndërtuar në kohën e Bashkimit Sovjetik. Prandaj katastrofa e Çernobilit është më e madhe se djegia e katedrales Notre Dam dhe se orkani e tajfuni në Amerikë.
Fanatizmi në Teksas të Amerikës
Në tetor të vitit 2015 në shkollën e pavarur në qarkun e Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës arsimtari bëri një aktivitet mësimor, prej nxënësve në klasën e shtatë kërkoi të përgjigjeshin në testin nëse ka apo nuk ka Zot. Fill pas kësaj teme një nxënëse 13-vjeçare, quhet Jordan, arsimtarin e akuzoi kinse e ka detyruar të mohojë ekzistencën e zotit. Siç flitet, arsimtari nxënësve u kishte shpërndarë anketat rreth deklarimit për ekzistencën e Zotit. Nxënësja tregon se arsimtari kërkoi që klasa të shkruante që zoti është mit. Megjithatë Qarku shkollor i Teksasit e mbështeti arsimtarin për testimin e drejtë të nxënësve, të cilët deklaruan se nxënësit e kanë keqkuptuar pyetjen. Drejtori kishte deklaruar se shënimet janë bërë për të ndihmuar nxënësit që të mendojnë në mënyrë kritike, pavarësisht besimit të tyre. Duket qartë që “guximi” i nxënëses 13-vjeçare për mbështetjen biblike, ka fituar përkrahjen e banorëve konservatorë të vendit. Kështu besimtarët po bëhen të ndjeshëm, prandaj kërkuan largimin e arsimtarit prej detyrës. Gabimi i arsimtarit ishte se duhej të kishte kujdes për shkak të mjedisit konservator, të cilët e keqkuptojnë çështjen. Për fat të keq, qytetarët konservatorë kishin shkuar edhe më larg, kërkuan largimin e arsimtarit prej procesit mësimor. Megjithatë qarku i shkollës e mbrojti arsimtarin parimor, për të cilën thanë se nuk ka argumente që zoti ekziston. Për habi banorët konservatorë të Teksasit krenoheshin me bindjen e nxënëses, të cilën e quajtën teksase të fortë. Kështu 13-vjeçarja tërhoqi simpatinë te masa amerikane, të cilët e nderojnë për mbrojtjen e ekzistimit të zotit. Më gëzon fakti që Teksasi gjendet në Amerikën e emancipuar dhe jo në ndonjë vend aziatik, përndryshe arsimtari mund ta pësonte edhe më keq. Në këto raste prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos i nxitin fëmijët e tyre të bëhen fanatikë ndaj fesë, por të rriten dhe të edukohen në mënyrë të pavarur. Fëmijët nuk duhet të rriten me frikën e zotit, por duhet të rriten dhe të edukohen dhe të bëhen të pavarur.
Vajtim në adresë të gabuar
Ndryshe në Shqipëri që sot tregohen fetarë, ndërkohë pa arsye e akuzojnë Kohën e lavdishme të Enver Hoxhës për zbatimin e ateizmit shkencor, që ka lënë gjurmë për zhvillimin dhe përparimin e çështjes kombëtare pa dallime fetare, por edhe pa dogmatizmin fetar. Sot në Europën Perëndimore nuk shpëton film artistik pa u përmendur fjala “ateist”. Bie fjala, nëse në ndonjë grup bie në sy ndonjë simbol fetar apo flitet për besimin në zot, atëherë dikush do të thotë se nuk i intereson çështja fetare. Kështu ndodh edhe në revista dhe libra të letërsisë bashkëkohore në botë. Nëse bota italiane në mesjetë ka dhënë dijetarë të lavdishëm, të përjetshëm, po aq edhe të fuqishëm, siç janë Nikolla Koperniku, Girolamo Savonarola, Galileo Galilei, Gjordano Bruno etj., që me forcën gjigante e përmbysën sistemin e errët mesjetar të inkuizicionit, prandaj pse edhe sot të mos ketë një rini të madhe e të fuqishme ndërkombëtare që lirisht të deklarohet ateiste. Nëse jemi në demokraci për të drejtën e përcaktimit të besimit fetar, duhet të jemi në demokraci edhe për pengimin e përhapjes së skajshme të propagandës ndërfetare në vend, me anën e shtypjes së fletushkave dhe botimit të librave të shumtë fetare në vend të atyre shkencore dhe artistike. Në vend të ndërtimit të kishave e xhamive të shumtë, që ndërtohen me emocione, domethënë me anën e garës fetare, të ndërtohen shkolla, biblioteka dhe qendra rekreacioni, për nevoja të rinisë shqiptare. Këtu e ka vendin këshilla e mendimtarit tonë, Jani Vreto, se vendi ynë ka nevojë për dituri, jo për fe.
Fill pas kaplimit në zjarr të kishës “Notre Dam” në Paris, menjëherë u aktivizuan edhe nostalgjikët e xhamive myslimane dhe kishave katolike të mesjetës shqiptare. Një gjë duhet pasur parasysh, se në kohën kur Skënderbeu ka luftuar për mbrojtjen e atdheut nga perandoria turke, Franca është marrë me zhvillimin e vendit, si dhe me kolonizimin e vendeve tjera. Pikërisht në mesjetë, në kohën kur Shqipëria luftonte kundër hordhive turke, Franca ka pasur vende të kolonizuara. Prandaj besimtarët nuk duhet të merren me krahasimin e kishës së Vaut të Dejës, të kohës së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që u shkatërrua në kohën e Enver Hoxhës. Më kot vajtojnë fetarët për shkatërrimin e institucioneve fetare në kohën e komunizmit, sepse sistemet shoqërore e politike shkojnë e vijnë, mirëpo populli mbetet. Prandaj fetarët në Shqipëri le të mbledhin ndihmë solidare për rindërtimin e kishës së Skënderbeut porsi francezët për rindërtimin e kishës “Notre Dam”. Kur janë ndërtuar me dhjetëra xhamia si në kohën e mesjetës turke, mund të ndërtohet edhe kisha e Vaut të Dejës. Një gjë duhet të kemi parasysh se trashëgimtar i vetëm i Skënderbeut doli burrështetasi i fundit – Enver Hoxha, i cili nga një vend i prapambetur feudal dhe analfabet e zhvilloi dhe e arsimoi popullin. Në kohën kur mbarë Europa ishte mbushur me universitete, Universiteti i Tiranës nuk u themelua në kohën e “mbretit” Ahmet Zogu, por pas çlirimit të vendit nga pushtuesi italian e gjerman. Prandaj, fill pas çlirimit të Shqipërisë, detyrë parësore ka qenë zhvillimi i vendit, elektrifikimi dhe arsimimi i popullit. Të kemi parasysh se ndërtesa e Monumentit të Lidhjes Shqiptare në Prizren disa herë me radhë është rrënuar me themel nga fashizmi serbosllav, megjithatë monumenti i lavdishëm historik, në të cilin në qershor të vitit 1878 u mblodhën burrat e mëdhenj të Shqipërisë Etnike, për çlirimin e vendit nga perandoria turke, u rindërtua dhe u bë më i fortë, më i qëndrueshëm dhe më i lavdishëm për mbarë popullin shqiptar. Duhet pasur parasysh, se monumentin historik të Lidhjes Shqiptare në Prizren nuk e bëjnë të fortë vetëm themelet me gur graniti, por qëndresa luftarake e popullit shqiptar që lufton për liri dhe bashkim kombëtar. – Suedi, 19.06.2019
Postime të Lidhura
Skënder Sadri KAPITI: Xhudistja kosovare e detyroi Kinën të njohë simbolet e Shtetit të Kosovës
Durrës, 12 dhjetor 2019: Të lumtë Distria! Na bëre krenar çdo shqiptar, pasi sot triumfuat jo vetëm Ju…
Beqir Elshani: Agamemnoni i vonuar mitologjik
Suedi, 1 korrik 2020: Babai ka të drejtë të ankohet dhe të kërkojë ndërhyrjen e organeve policore për…
Skënder Sadri KAPITI: Kush janë pro minishengenit në Shqipëri
Durrës, 30 dhjetor 2019: Refuzimi total politiko-publik i shqiptarëve të Kosovës që iu bë të ashtuquajturit minishengen erdhi…
MR.ARDIAN RAMADANI: FIGURA POLITIKE E IBRAHIM RUGOVËS, NË KONTEKSTIN HISTORIK (I)
(Janar 2012) – Gati se çdo komb dhe çdo shtet modern duhet të bëjë vlerësimin, rivlerësimin dhe vendosjen…