BEQIR ELSHANI: PARALELIZËM JO I DREJTË RRETH REGJIMIT, 1994

Suedi, 16 Maj 2020: I robëruari dhe pushtuesi në fjalorin e terminologjisë sociologjike është shumë i qartë, ku shpjegohet se serbomalazezomaqedonët janë pushtues, kurse shqiptarët janë të robëruar. Në shkencën e historiografisë ndërkombëtare shqiptarët kurrë nuk kanë qenë pushtues, por janë viktimë e diplomacisë pushtuese, ku fqinjët tanë në kurriz të vendit tonë krijohen dhe rriten si shtete nën ombrellën ruse, pastaj diplomacia evropiane dhe ndërkombëtare do të kujdeset edhe më shumë për Serbinë ekspansioniste.
Duke lexuar të përditshmen e Organit të Partisë Socialiste “Zëri i Popullit”, hetohen shkrime që bien në kundërshtim me realitetin tonë kombëtar. Kjo gazetë mundohet të bëjë bujë me shkrime të jashtëzakonshme. Shkrimet e sinqerta i lexoj me interesim, mirëpo kjo nuk ngjan vazhdimisht, duket sikur gazeta mundohet të imitojë organet informative opozitare që janë normale për vendet në Evropën Perëndimore. Për gjysmën e popullit të robëruar shqiptar ka vetëm një rrugë, dhe ky është çlirimi i të gjitha trojeve shqiptare dhe bashkim të natyrshëm kombëtar me shtetin amë Shqipërinë. Kjo zgjidhje e bashkimit kombëtar pritet të bëhet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që alternativat tjera të gjunjëzimit i plandosë përtokë, sepse duke brohoritur për demokracinë, ia nxjerrë sytë kombëtares. Serbia mund të ketë demokraci sa deti, megjithatë vazhdon të mbetet pushtuese e Kosovës dhe ndjekëse barbare e popullit shqiptar.
Shkas i këtij shkrimi është artikulli i botuar “Fatos Nano dhe Ukshin Hoti” në “Zëri i Popullit” më 27.09.1994 në të cilën shtypi bën paralelizëm për burgosjen e dy shqiptarëve, të dy kryetarë partish dhe të dy në burg dhe vazhdon: – “Kryetarin e Partisë socialiste të Shqipërisë e ka burgosur regjimi demokratik i Berishës. – Kryetarin e Partisë së Unitetit Kombëtar të Kosovës e ka burgosur regjimi i Millosheviqit”.

Nëse regjimi i Sali Berishës e ka burgosur Fatos Nanon si kundërshtar politik, ka të bëj vetëm me individin ose opozitën shqiptare. Përkundrazi regjimi i Sllobodan Millosheviqit nuk e ka burgosur Ukshin Hotin si individ dhe si opozitë, por vetëm si veprimtar i çështjes kombëtare që lufton për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serbosllav. Pikërisht Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar (UNIKOMBt, cilën e udhëhiqte Ukshin Hoti, në programin e saj kishte çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Prandaj dallimi në mes fjalës demokraci dhe liri është i madh. Po të kishte demokraci në Serbi, ajo nuk do të mbante tokat e pushtuara shqiptare, do të thotë nuk do të burgoste lirinë e popullit shqiptar që është mbi faktorin demokraci, prandaj kryengritësit shqiptarë të Kosovës burgosen nga kolonizatori serb, sepse kërkojnë çlirim nga prangat shekullore serbe dhe bashkim me shtetin amë, e cila pa të drejtë në vitin 1913 është shkëputur nga trungu i Shqipërisë Etnike. Përkundrazi në Shqipëri burgosen njerëzit përparimtarë, sepse ata kërkojnë të drejta demokratike në pushtet, dhe jo liri kombëtare, meqë lirinë e keni në mesin tuaj, kështu do të thoshte kryetrimi ynë – Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Prandaj derisa Partia Socialiste lufton për lirimin e kryetarit të tyre, Fatos Nanos, dhe fitoren për të marrë pushtetin në vend të Partisë Demokratike, UNIKOMB-i lufton jo për të rrëzuar pushtetin e Millosheviqit, por për ta bërë zyrtare Republikën e Kosovës dhe sipas parimit të vetëvendosjes së popujve Kosova të bashkohet me shtetin amë – Shqipërinë. Me të drejtë mund të thuhet se Ukshin Hoti përfaqëson mbarë popullin shqiptar të Kosovës për liri dhe bashkim kombëtar, i cili mu për këtë synim mbahet në burgun e Dubravës. Prandaj shqiptarët e burgosur nuk kërkojnë demokraci, siç vepronin në ish-shtetet socialiste, por çlirimin e Kosovës nga kolonizatori serbosllav.
Kundërshtarë të tillë politik si Fatos Nano ndaj S. Berishës diktator, S. Millosheviqi ka mjaft në Serbi, mirëpo atyre nuk u rrezikohet as jeta, as populli. Prandaj derisa partitë politike në Shqipëri grinden për pushtet, Kosova i bashkon armiqtë tanë serbosllavë. Jo vetëm gazetarët, por mbarë Shqipëria londineze duhet kuptuar dallimin në mes shqiptarit dhe serbit të burgosur. Mbase gazeta është orvatur që për skaj intelektualit dhe veprimtarit të burgosur – Ukshin Hotit, të ndjeshmojë opinionin ndërkombëtar për burgosjen e kryetarit të PS, Fatos Nano. Ngjashëm veproi edhe kryetari, Sali Berisha, i cili shkon aq larg, sa që ish të burgosurin politik, Pjetër Arbnorin, e krahason me qëndresën ndërkombëtare, Nelson Mendela, i cili ka qenë i dënuar me burg të përjetshëm për çlirimin e popullit jugoafrikan nga aparteidi. Autoriteti i Mendelës ka vërshuar në të gjitha bibliotekat e botës me libra të botuara në gjuhët e ndryshme: si avokat jugoafrikan, politikan dhe organizator i lëvizjes nacionale për paqe, për pikëmbështetjen e së cilës vitin e kaluar fitoi çmimin Nobel për paqe. Prandaj, gazeta e Partisë Socialiste të Shqipërisë bie në kundërshtim, jo vetëm me shqiptarët e Kosovës që luftojnë për çlirim kombëtar nga pushtuesi serb, por edhe me boshnjakët, me hungarezët, me sanxhakasit, sepse kryeqendra epokës vrastare është Beogradi, atje ku qëndron sulltani Millosheviqi. Ky kriminel, që gazeta shqiptare e quan regjim, sipas fjalorit të diplomacisë shqiptare quhet xhelat! Duket qartë që me shprehjen regjim, gazeta i ka bërë një nder udhëheqësit serb, S. Millosheviqi. Derisa shtetet e Evropës e cilësojnë si kryefashist, përkundrazi “Zëri i Popullit” bën paralele në mes të diktatorit Berisha dhe kriminelit Millosheviq. Prandaj paralelizmi i dy kryetarëve shqiptarë opozitarë të burgosur në dy regjimet e S. Berishës dhe S. Millosheviqit nuk është aspak i drejtë, por një krahasim që shkon në shërbim të politikës serbofashiste.
Me pak fjalë, Pjetër Arbnori në vitin 1961 u dënua me burg të përjetshëm për themelimin e grupit Socialdemokrat, gjë që në at kohë ishte e ndaluar, prandaj kurrsesi nuk mund të barazohet me cilindo kryengritës të Kosovës që luftonte për çlirimin e Kosovës nga kolonizimi serb. Lufta kundër kolonizimit dhe lufta kundër pushtetit në atdhe kanë ndryshime shumë të madha, e para sepse po rrezikohet populli dhe vendi, e dyta sepse kërkon ndryshime në pushtetin vendor dhe jo çlirimin e Shqipërisë, e cila është punë kryer qysh në vitin 1945 nga pushtuesit italian dhe gjerman.
Nuk do mend se këto janë pretendimet e S. Berishës që mundohet të përfitojë mbështetjen ndërkombëtare të miqve të tij. Mbarë populli shqiptar e di që ish i burgosuri politik, Pjetër Arbnori, nuk e ka as një të katërtën e autoritetit të Mendeles, meqë i vetmi Mendela i Europës, nuk është askush tjetër pos kolosi i shquar i lëvizjes kombëtare – Adem Demaçi. Në anën tjetër, në kohën kur Pjetër Arbnori ka qenë i burgosur me burg të përjetshëm për themelimin e grupit Socialdemokrat në vitin 1961 që binte në kundërshtim me politikën e sistemit socialist të Shqipërisë, Adem Demaçi nuk ka qenë i burgosur kundër sistemit socialist të Jugosllavisë Federative, por është burgosur për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Burgosja e Demaçit 30 vjet të kujton burgosjen e Prometheut nga Zeusi. Pastaj erdhi Herkuli i fuqishëm dhe ia shpëtoi jetën Prometheut. Tani ishte vonë që Zeusi të hakmerrej, zjarri i Prometheut kishte marrë dhen. Derisa i pari është dënuar për ndryshimin e sistemit politik në shtetin kombëtar shqiptar, i dyti është dënuar për çlirimin e popullit shqiptar në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Më në fund, sistemi shoqëror nuk kishte rëndësi për gjysmën e popullit të robëruar shqiptar, me rëndësi ishte si të çlirohemi nga Jugosllavia kolonialiste pa marrë parasysh sistemin e saj shtetëror. Jo vetëm kaq, sepse derisa disidentit jugosllav, Vllado Dapçeviq, në regjimin e J. B. Titos është burgosur si internacionalist për të drejtat e populli shqiptar në ish-Jugosllavi, Pjetër Arbnori është burgosur për themelimin e grupit Socialdemokrat në vitin 1961. Tekembramja qëndresa e pjesëmarrësit në LNÇJ dhe revolucionarit malazez, Vllado Dapçeviq, i cili burgoset kundër imperializmit revizionisto-borgjez të Jugosllavisë (për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në kohën e Josip Broz Titos) ia kalon shumë herë disidentit shqiptar, Pjetër Arbnorit. Edhe Jovan Veselinov ka qenë në burg me Adem Demaçin, megjithatë burgosjet e tyre ndryshonin me Demaçin dhe me bashkëkombësit e burgosur për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sepse kroatët veç e kishin shtetin në kuadër të RFSJ-së. Shpeshherë në shtypin kombëtar dhe ndërkombëtar flitet për adoptimin e fëmijëve nga prindërit nostalgjikë, mirëpo të adoptosh një popull të tërë është vështirë, dhe ky ishte kreshniku ynë, Adem Demaçi, që me burgosjen e tij revolucionare e adoptoi mbarë popullin shqiptar, nuk lejoi që shqiptarët të shkonin prapa Tito jugosllavit.
Prandaj gazetarët dhe qeveritarët gabojnë kur protagonistët e burgosur të Tiranës i krahasojnë me protagonistët ndërkombëtarë ndërmjet Demaçit, dhe Arbnorit si dhe ndërmjet Hotit dhe Nanos. Ky krahasim i pavend e ka burimin qysh në shkurt të vitit 1989, kur minatorët e paformuar të Memaliajt në Shqipëri solidarizoheshin me minatorët e Stantërgut në Kosovë, që bënin grevë për mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës. Pra minatorët e Shqipërisë nuk ishin të aftë të kuptonin problemet e tyre lokale që kishin të bënin rreth ngritjes së rrogave të tyre, kundrejt minatorëve të Kosovës që luftonin për jetë, a vdekje – për mbrojtjen e Kushtetutës së 1974, ngjashëm siç vepronin edhe një grup serbësh, të cilët për të nëpërkëmbur kërkesat e drejta të minatorëve shqiptarë në Trepçë, u ngujuan në minierë. Dallimi mes grevës për përmirësimin e standardit dhe grevës për liri kombëtare është i madh, prandaj kujdes kur shkruani për atdhetarët trima të Kosovës që luftojnë për liri dhe bashkimin e tokave shqiptare, kundrejt opozitarëve shqiptarë që luftojnë për pushtet. Po kështu, grevë për përmirësimin e standardit kanë bërë edhe punëtorët e fabrikave në Serbi, por që ndryshonte me grevën e punëtorëve të Kosovës që kërkonin lirimin e fabrikave dhe institucioneve të tyre, të cilët ishin larguar me dhunë me anën e forcave të armatosura policore serbe.
Suedi, 1994
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura