BESIM CENGU: KUR TRIUMFON VIRTYTI (Ese)

Tiranë, 6 shkurt 2018:
NJË “INCIDENT” I PARËNDËSISHËM
Tiranë, 6 shkurt 2018: Kishte më shumë se dhjetë minuta që ka filluar mësimi, ndërsa te porta kryesore e shkollës një prind me një letër të vogël të mbështjellë në dorë ma bën me shenjë të afrohem. Diç donte të më thoshte ndaj bëra përpara drejt tij. Pasi u përshëndetëm
më kërkoi që të futej te klasa e vajzës së vet për t’i dhënë një sanduiç se kishte harruar t’ia jepte në shtëpi.
– Jo, – i thashë. Mësimi ka filluar dhe nuk mund të prishim orën e mësimit në klasë. – Ja dërgojmë ne, – shtova.
Prindi, të cilin s’më kishte rastisur ta takoja më parë, këmbënguli me të tijën, por unë s’i lëshova pe.
Më hodhi një vështrim kërcënues dhe pasi heshti një copë herë mu drejtua:
– Kush je ti, more, – më kthehet me brrutalitet. A ke për të dalë jashtë ndonjëherë? Ke për të parë ti, se çfarë do të bëj. Këtu po të pres, deri në mbrëmje, veç mos dalsh – mu hakërrye ai. U bëre ti… Mos kujton se jeni zoti i këtij vendi etj, etj, – vazhdonte në të tijën. Ku e mori e ku e la.
Unë e vështrova në heshtje, buzëqesha i heshtur dhe u futa në zyrë.

– Besim Cengu –

MUNDJA E VESIT
Punët e ditës mësimore kishin hedhur prapa krahëve “zënkën” me prindin. Ika në shtëpi pa më shkuar mendja fare te “kërcënimi” i tij.
Të nesërmen kishim një veprimtari artistike. Do të jepnim një koncert në “amfiteatrin” e shkollës në kuadrin e një veprimtarie të kthyer në traditë nga nxënësit. Ishte festivali i valleve popullore. U ulëm në rradhën e parë për të ndjekur performancën e nxënësve që shkëlqenin nga koloriti shumëngjyrësh i kostumeve popullore të gjithë krahinave shqiptare nga skaji në skaj.
Ndërkohë më bëri përshtypje një vajzë e vogël si flutur diku në klasën e dytë apo të tretë, tepër simpatike, e veshur me kostum popullor të Tiranës që kërcente si një zog si parapërgatitje. Ngjante si një hyjneshë e vogël.
Përfitova nga kjo pauzë e parafillimit të veprimtarisë dhe e ftova që të bëja një foto me të. Vajza e vogël fluturoi nga gëzimi. Do të kishte një kujtim me drejtorin e shkollës! U gëzua shumë vogëlushja bukuroshe, por u gëzua njësoj si ajo edhe mami i vet.
– E di se e kujt është kjo nxënëse? – më tha mësuesja e muzikës që e kisha në krah.
– Jo i thashë.
– Është vajza e atij prindit që bëri fjalë me ju dje te dera e shkollës.
Buzëqesha dhe më erdhi mirë që rastësia e solli të ndodhte kështu.
Atë ditë aktiviteti pasqyrohet në faqen e shkollës dhe fotoja me vajzën e vogël zinte vendin në krye të veprimtarisë.
Të nesërmen si çdo ditë në mëngjes pres nxënësit në oborr si gjithnjë. Shoh që vijë vajza e vogël mes dy prindërve të vet drejt meje. Disa metra larg hapi krahët dhe vrapoi për të më përqafuar, ndërsa babai dhe nëna e saj më vështronin të buzëqeshur me dashamirësi.
U përshëndeta ngrohtë me ta ndërsa babai kërkonte të më thoshte diçka, por nuk e lashë duke lënë të kuptohej se nuk kishte ndodhur asgjë. E falenderova për paraqitjen prej artisteje të fëmijës dhe e ftova për një kafe.
Prej asaj here ne jemi miq. Miq dhe bashkëpunëtorë në edukimin e të njëjtit fëmijë.
Nga kjo sjellje u fitua diçka më e madhe se çdo gjë tjetër…U fitua dashuria e mirëkuptimi, paqa e mirësjellja. Ngadhënjeu virtyti mbi veset. E mira mbi të keqen, mbi dhunën e urrejtjen, keqkuptimin e intolerance…
NJË PARALELIZËM QË KURRË NUK DOJA TA BËJA
Dy politikanë para disa ditësh, në mes të rrugës së populluar me plot njerëz, ditën me diell, u zunë në rrugë me një qytetar të zakonshëm. Si në një rrugë të Bombejit në Indi, ku zënka të tilla rrugaqësh janë krejt të zakonshme.
Kjo ngjarje ishte shokuese vërtet.
Nuk gjykoj aspak se si veproi qytetari. Ai është në të drejtën e tij, gjithësesi. Se ne nuk e dijmë se në ç’stad civil është, apo ç’shkallë arsimi, si i ka punët e përditshme a si e ka shëndetin. I lodhur fizikisht nga robtimi i ditës për të nxjerrë bukën e përditshme (falna sot) për fëmijët, i ngarkuar psikologjikisht me një grumbull problemesh të vënë mbi supet e tij stivë, ndoshta i pastrehë, ai mund të flasë si të dojë.
Por dënoj pa mëshirë veprimin krejt të padinjitetshëm e adoloshent të gjasme dy politikanëve që (kanë mbajtur) apo mbajnë vulën e deputetit të këtij parlamenti apo të administratës së lartë shtetërore.
Larg o Zot, t’i besosh pushtet nesër këtij sekretari partie që pretendon të marrë pushtetin (e tmerrshme çfarë mbiemri mban (Kat(d)i(l)li), apo të një nënkryetari bashkie të deridjeshëm në Tiranë që nuk gëzon kurrëfarë respekti prej askujt.
Ky veprim i pacipë e i paprincip është për ibret të zotit, për nder.
Shumë kollaj dy trutharët mund të vijonin rrugën pa i dhënë përgjigje dhe pa i kushtuar asnjë rëndësi banorit të rastësishëm që kërkon të shkarkohet diku, dhe, kurgjë kurrkujt, si i thonë.
Por duket mirëfilli se akti i tyre është në fakt shprehje e koncetruar e nervozizmit kolektiv që mbart grupimi i tyre politik. Filozofi Zigmund Froid e shpjegon këtë veprim si një “gulfim” apo convulsion subkoshient që buron nga “skutat më të errëta shtazarake” kur analizon “sëmundjet kolektive” në shoqëritë njerëzore.
Para rreth 20 vjetësh një publicist i huaj më drejtoi një pyetje:
– Si është e mundur që në vendin tuaj një njeri i thjeshtë, kudo në popull, jep mendime dhe bën veprime më të pjekura se politikanët që keni zgjedhur në krye?”.
Unë, si i humbamendur, në vend të përgjigjes rrudha supet… 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SPORTI …

Bislim Aliu, ishte njëri nga sportistët dhe intelektualët më të suksesshëm të Llapit Bislim Aliu Aliu i përket…