BESNIK IMERI: PAIONIA E RE (II)

Vlorë, 3 gusht 2020:
PATRAI
Patrai (Patraoy). Mbreti i Paionisë ilire nga fisi ilir i Paionëve që sundoi në vitet 340-315 para erës së re. Gjatë sundimit të tij, mbretëria e Paionisë zinte hapësira të gjera dhe shtrihej në lindje deri në qytetin e lashtë Serdika, sot qyteti Sofje në Bullgari, ndërsa nga perëndimi kufizohej përafërsisht me hapësirën mbi liqenin e Ohrit, nga veriu shtrihej deri në Dardaninë Jugore, ndërsa pjesa jugore e Paionisë shkonte deri në qytetin e lashtë Heraklea, sot Bitola (Manastiri) në Maqedoni. Mbreti Patrai preu rreth 40 monedha prej argjendi të një cilësie të lartë, ku në njërën anë paraqitet portreti i Apolonit dhe në anën tjetër një luftëtar mbi kalë që ka mundur armikun, ndërsa disa syresh kanë figurën e një derri të egër.

AUDOLEONI
(315-286 para erës së re)

Audoleoni (Audoleontoy, 315-286 para erës së re). Mbret i Paionisë. Pas vdekjes së Aleksandrit të Maqedonisë, Paionia u bë përsëri e pavarur. Kasandri i cili kërkonte të bëhej Mbret i Maqedonisë, siguroi kufirin e tij verior duke ndihmuar Audoleonin në një marrëveshje mbrojtjeje. Ky bashkëpunim ishte në dobi të Paionëve, pasi Audoleoni siguroi një aleancë të fuqishme. Ndërkohë, Audoleoni vazhdoi të forconte lidhjet me fqinjët e tij të Ilirisë, gjë që shprehet qartë dhe me martesën e vajzës së tij me Pirron e Epirit. Pas vdekjes së Audoleonit, në fronin e Paionisë erdhi Aristoni dhe më pas Drypioni. Monedhat e shumta dhe prej argjendi të prera nga Audoleoni tregojnë për nivelin e fuqizimit të mbretërisë ilire të Paionëve në shekullin e katërt para erës së re.
Vetëm pas nënshtrimit të plotë nga ana e Lismakut (mbret maqedonas) nuk bëhet më fjalë për mbretër paionë. Me riorganizimin administartiv të perandorisë e në kohën e Dioklecianit, Paioniasë bashku me Pelagoninë formonin një krahinë të veçantë të quajtur Maqedonia II ose Salutaris…
Autori i këtij shkrimi, zbuloi nëpërmjet internetit në muze dhe arshiva të huaja disa dhjetëra monedha ilire, të njohura pak, ose aspak të njohura, dhe midis tyre më se 100 copë monedha dhe të gjitha prej argjendi, të prera nga mbretërit e Paionisë. Këto janë edhe disa nga monedhat më të hershme të botës ilire (shek. IV, III para Kr.). Kështu Mbreti Likeu me rreth 40 prerje dhe të gjitha prej argjendi, Mbreti Patrai me rreth 35 prerje prej argjendi, si dhe Mbreti Audoleon, me rreth 30 monedha të ndryshme dhe të gjitha prej argjendi. Në një monedhë paioniane paraqitet figura e Mbretit Ariston, që ishte vëllai i Mbretit Patrai, i cili luftoi në krye të 1.000 trupave ilire përkrah Aleksandrit të Madh në fushatat e tij drejt lindjes….

Ilustrimi © Pashtriku.org

Paionia përbëhej nga disa nënfise: Aestraei, Agrianes, Derrones, Doberes, Laiaious, Odomantians, Paioplai, Siriopaiones…” 1
Paionët, me këtë shtrirje kaq të madhe, hynin tek popujt e mëdhenj si Dardanët, Autariatët, Panonët, Liburnët etj, të cilët, shumë nga autorët antikë i veçonin nga Ilirët. Por, sot, ata i quajnë një popull ilir, ndërkohë që nuk kanë qënë popull ilir, por pellazg, dhe, ashtu si epirotët kanë kaluar nga emërtimi pellazg-paionë, në emathianë dhe misianë, dhe, në mesjetë, nën emërin arbëror dhe pastaj shqiptarë.
Nëpërmjet ndonjë informate indirekte të autorëve të lashtësisë mësojmë se paionët nuk konsideroheshin ilirë, madje kur përmendeshin veçoheshin prej ilirëve. Kjo informatë na vjen prej arkeologut Neritan Ceka: “Në “Filipiket”e famshme të tij, Demosteni u thoshte athinasve se, përsa i përket paionëve, ilirëve dhe të gjithë fqinjëve të Filipit…Oratori i shquar sigurisht e kishte fjalën për një aleancë të lidhur që më 356 p.e.s, kur Diodori (XVI, 22, 3) na njofton se tre mbretër: të Thrakisë, Paionisë dhe Ilirisë ishin bashkuar për të sulmuar Filipin…dekreti i ekspozuar në Athinë përmbante emrat e mbretit Ketripor të Thrakisë, Lyppeiosit të Paionisë dhe Grabos së Ilirisë” 2
Nga kjo referencë del qartë se si Demosteni, ashtu edhe Diodori i dallojnë dhe ndajnë qartë ilirët nga paionët, mbretëritë e tyre dhe vetë mbretërit, duke i emërtuar mbreti i Ilirisë dhe mbreti i Paionisë. Pasi fare mirë mund të thoshin mbreti i ilirisë dhe paionisë ilire, ose mbretërit ilirë. Por ata i ndajnë qartë.
Gjithashtu një e dhënë e ngjashme na vjen nga Zhan Klod Faveiriali, i cili thotë: “…Me ardhjen në pushtet të Filipit të II (v.359), punët e Maqedonisë morën një drejtim tjetër. I dërguar peng në Tebë nga Pelopida, Filipi i shpëtoi mbikqyrjes së rojeve të tij, dhe u aratis në Maqedoni. Paraardhsi i tij, Perdika, kishte humbur jetën në një betejë kundër Bardhylit plak, mbretit të Ilirisë. Filipi nisi hakmarrjen për vdekjen e tij, dhe i caktoi një tribut Agit, mbretit të Peonve.” 3
Pra, këtu kemi një dallim shumë të qartë midis mbretit të Ilirisë dhe mbretit të Paionisë: Bardhylit plak, mbretit të Ilirisë dhe Agit, mbretit të Peonve. Pra, rrjedhimisht, dhe, duam apo nuk duam ne, paionët nuk ishin ilirë.
Madje meqënëse jemi këtu, ka një rrethanë të dyshimtë, e cila megjithëse është prekur nga historianët dhe arkeologët, nuk është sqaruar: Megjithëse flitet për ilirinë si një e tërë, ajo na shfaqet dhe zhduket në territore të ndryshme dhe me mbretër të ndryshëm. Njëherë tek enkelejtë, pastaj tek lihnidët, pastaj tek dasaretët, më tej tek parthinët, ardianët dhe më në fund tek labeatët. Atëhere ka qënë një territor unik, por i sunduar nga mbretër të ndryshëm të fiseve të ndryshme; apo, asnjëherë nuk ka qënë një territor unik, por mbretëri të ndryshme, kuptohet ilire, që në sajë të fuqisë së tyre kanë dalë në krye në periudha të ndryshme.
Qënien e tyre pellazge e tregon me mjaft fakte dhe të dhëna Dhimitër Pilika: “…nën ndikimin e shqiponjës dodonase, mbreti i paionëve Patrau (shek.IV. p.e.s) preu monedha me emblemën e shqiponjës…Hyjnizimi parahelen, pellazg, i diellit-yll kqyret, numizmatikisht gjatë mbretërimit të Lykeut në Paioni… Paionët, adhuruest të Zeusit pellazg të Dodonës, e kanë përkujtuar atë, aspak rastësisht, në monedhë-prerjet e tyre…Mbreti Paion, Dropioni, pat prerë monedha me simbolin pellazg të rrufesë…bija e Zeusit, Artemisi, e cila respektohet në Paioni, në relieve, rrasa votive,etj…”.4
Herodoti flet për adhurimin e Paionëve për Artemisën, të cilët dhuratat për Artemisën i çonin në tempullin e saj në Delos: “…gratë thrakase dhe peone i bëjnë fli Artemidës Mbretëreshë. Ato gjithmonë ofrimet i mbështjellin me kashtë gruri…”5
Të gjitha këto që përmendëm më lart i nxjerrin saktësisht Paionët një popull pellazg që nderonte Zeusin, përdornin në monedha simbolet zeusiane si shqiponja, rrufeja, diellin; por edhe vetë Zeusin pellazg etj; si dhe adhuronin bijën e Zeusit, perëndeshën e pyjeve dhe të gjuetisë, por edhe të burimeve dhe ujrave: Artemisën. Artemisa shoqërohej nga nimfat, të cilat ishin hyjneshat e ujrave. Kuptohet që territori paionian kishte pyje të shumta, burime dhe ujra të mjafta, prandaj edhe Artemisa adhurohej veçanërisht. Nëqoftëse do të kundërshtohej ky mendim, më e pakta që mund të bëhej do të ishte të tregohej një perëndi paione ilire e pyjeve dhe e ujrave.
Tjetër argument fuqiplotë për origjinën pellazgjike të paionëve të lashtë vjen nga numizmatika. Mbretërit paionë, sikur të ishin grekë të vërtetë presin monedha edhe me Zeusin, Athinanë, Apollonin, madje edhe me Herakliun!! Paionia dhe paionët, të cilët studjuesit tanë i quajnë, pa një pa dy, ilirë; dhe sot shqiptarët e Maqedonisë i quajnë me origjinë ilire! Atëhere po të ishin ilirë paionët dhe mbretërit e tyre, si Likeu, pse duhej të adhuronin Zeusin, Apollonin, apo dhe Herakliun?!!! Paionët e lashtë, aq shumë e donin dhe adhuronin këtë hero “grek”, sa edhe një qyteti të tyre i vendosën emrin Heraklea!! Sepse, besoj, se nuk do të guxojë njëri që të thotë, se për këtë paionët i detyruan grekët!!! Madje, me këtë dashuri ata infektuan edhe dardanët, të cilët një kalajë në afërsi të Nishit i vendosën emrin Herkula, pra e fortë dhe e papushtueshme si Herkuli (vëllai latin i Herakliut). Gjithashtu, autorët që mohojnë origjinën pellazgjike dhe mbrojnë ilirësinë e paionëve, pra edhe të shqiptarëve të sotëm që jetojnë nën Maqedoninë e Veriut, duhet të na gjejnë këtu adhurimin në lashtësi të perëndive ilire si Medauri, apo Redoni! Nuk gjenden gjëkundi. Pse? Sepse nuk janë adhuruar. E vërteta është e thjesht si drita e diellit.
Atëhere çfarë emri t’i vendosim kësaj? Detyrimisht, atë që i kanë vendosur të parët tanë, pellazgjike, të cilët për hir të së vërtetës, nuk vuajnë nga këto komplekse inferioriteti, prej të cilave vuajmë ne sot dhe që na kanë sëmurur rëndë. Të lashtët tanë e dinin shumë më mirë se sa akademikët tanë sot, origjinën pellazgjike të këtyre perëndive, prandaj edhe i adhuronin, pasi ato ishin perënditë që kishin adhuruar edhe prindërit dhe gjyshërit e tyre.
Pra, rrjedhimisht dhe saktësisht, ata nuk mund t’i quajmë ilirë. Ndërkohë, që ata vetë veten e tyre asnjëherë nuk e kanë quajtur ilirë, por Peonë, Maqedonë, Emathiane, Misianë, Arbër dhe Shqiptarë.
Ka edhe një të dhënë interesante të Homerit tek “Odisea” ku flitet për një qytetërim peonas, pasi mjekët e Paionisë ishin mjekët më të shquar të botës së atëhershme. Ketë fakt e tregon Helena gjatë vizitës që u bëri në Spartë Telemaku, në kohën që Menelau dhe Helena ishin kthyer nga Lufta e Trojës: “Balsamin çudibërës ia kishte falur helenës Polidamna nga Egjipti, gruaja e Tonit…Atje gjen mjekët më të ditur t’botës nga gjaku i atij Peonit.” 6 Ky është një fakt më shumë në të mirë të tezës së origjinës pellazgjike të Paionëve, pasi dihet dhe njihet qytetërimi pellazgjik si një qytetërim i një shkalle sipërore.
Interesant është këtu fakti se paionët kishin si simbol hyjnizues – “Diellin-Yll”, simbol të cilin e mori populli vëlla me ta, maqedonët, dhe e bënë simbol të shtetit. Fyromi i djeshëm dhe Maqedonia e Veriut sot, në mënyrën më qesharake dhe komike, ka marrë për simbol të shtetit të tyre, flamurin e Filipit dhe të birit të tij, Aleksandrit; ndërkohë si popull sllav, duhet të kërkojnë simbolet e tyre aziatike. Dihet, ata që nuk kanë histori dhe as heronj, kërkojnë t’i shpikin ose t’i marrin nga fqinjët ata.
Ajo që i vendos Paionët në rradhën e parë të popujve pellazgë është edhe adhurimi si perëndi i lumenjve. Nëqoftëse tek Thesprotët adhuroheshin si të tillë Akelou dhe Akeroni, tek Paionët adhurohej Aksi (Vardari i sotëm). Homeri tek Iliada e përshkruan këtë fakt, ku Asterop Pelagonidi ishte i biri i Aksit, i cili ishte perëndi:
“…Akil hyjnori vringëlloi heshtën e u hodh mbi Asterop Pelagonidin për t’i bërë kobin…Ishte Pelagoni i biri i Aksit rrjedhagjërë, e lumi me Peribenë, me vajzën më të madhe të Akesamenit, bëri shtrat sëbashku…ia pret kreshniku biri i Pelagonit: o Akil shpirtmadh, ty fisi im Ò«’të duhet? Jam nga Peonia e largët dhe pjellore, dhe prijës i burrave shtizorë peonas. Fisi im rrjedh nga Aksi kulmagjeri, që është më i bukuri ndër lumenj të botës; ai e bëri burrin, Pelagon shtizorin, e prej atij më thanë se linda unë. Tani për luftë shtërngohu o Akil Kreshniku…”.7
Studiusja Eva Brinja tregon se Pirrua i Epirit, kur i vdiq gruaja e parë, Antigona; ai u martua me vajzën e mbretit Paion-Audoleonit.8 Kjo vërteton se në periudhën e Pirros së Epirit, fillim shek. i III p.e.s, Paionia vazhdonte të ishte mbretëri dhe kishte mbret Audoleonin.
Kuptohet, që në shek. IV p.e.s me fuqizimin e shtetit maqedon me Filipin e II dhe Aleksandrin e III, mbretërit paionë dhe Paionia, ranë nën sundimin maqedon. Këtë fakt na e tregon edhe Zhan Klod Faveirial: “…Me ardhjen në pushtet të Filipit të II (v.359),punët e Maqedonisë morën një drejtim tjetër. I dërguar peng në Tebë nga Pelopida, Filipi i shëptoi mbikqyrjes së rojeve të tij, dhe u aratis në Maqedoni. Paraardhsi i tij, Perdika, kishte humbur jetën në një betejë kundër Bardhylit plak, mbretit të Ilirisë. Filipi nisi hakmarrjen për vdekjen e tij, dhe i caktoi një tribut Agit, mbretit të Peonve.” 9 Dyndjet kelte apo gale deri në vitin 280 p.e.s dobësuan mjaf shtetin maqedon dhe atë të paionëve, ndërkohë që dardanët u forcuan duke pushtuar edhe territoret e këtyre të fundit.
Lidhur me këtë fakt Aleksandër Stipçeviç flet për largimin nga skena e historisë së peonëve: “…Roli politik dhe ushtarak i dardanëve filloi të rritej vetëm pasi invadimi i keltëve dobësoi shtetin e maqedonve dhe të fqinjëve të tyre, peonëve. Duke shfrytëzuar dobësinë e tyre, dardanët zgjeruan shtetin e tyre në rajonin e Peonisë, e cila zhduket definitivisht nga skena e historisë…”.10
Por, nëqoftëse Paionia nuk përmendet më si mbretëri në shekullin e II p.e.s. paionët si popull nuk u zhdukën, as nën sundimin dardan, por as nën sundimin romak, bizantin dhe osman. Ata janë aty, sot e kësaj dite, me ato zakone dhe me atë gjuhë që kanë folur këtu e trimijë vjet më parë.
Por duhet thënë, për hir të saktësisë, se pjesa veriore e sotme e Maqedonisë, që banohet nga shqiptarët, i nxjerr ata me origjinë dardane dhe pjesa poshtë tyre, paione. Pasi në lashtësi, Shkupi dhe rrethinat e tij janë banuar historikisht nga dardanët. Por kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi të dy palët sot janë shqiptarë, ashtu siç kanë qënë pellazgë në prehistori të tyre.

VIJON …
__________________
Referenca:
1 Pasho Baku, “Mbretër Ilirë – 2400 vjet më parë në Maqedoninë e Sotme”, Gazeta “SHQIP”, dt.07 Nëntor 2009.
2 Neritan Ceka, “ Ilirët”,Bot.ILAR-2001, f, 73
3 Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,Përkth.Frë.Gent Ulqini, f.55
4 Dhimitër Pilika, “Pellazgët, Origjina Jonë e Mohuar”, f, 71, 91, 177, 198, 250
5 Herodoti, Historitë, L.IV. 33. F, 240
6 Homeri, Odiseja, Bot.Onufri-2006, Përkth.Gr.v.Pashko Gjeçi, K.IV, v.254-260, f.64
7 Homeri, Iliada, Bot.shqip-1979, përkthim Gjon Shllaku, K.XXI, v. (174-177), (190-197) f, 373
8 Eva Brinja, “Antikiteti”, Bot.ILAR, TIRANË-2005, f. 258
9 Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,Përkth.Frë.Gent Ulqini, f.55
10 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 46

***
BESNIK IMERI: PAIONIA E RE (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10336

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura