Vlorë, 4 qershor 2020: (Shkatërrimi i së shkuarës është ndoshta krimi më i madh ndër të gjithë krimet. Ago Agaj “Lufta e Vlorës”)
Më 5 qershor, mbushen 100 vjet nga fillimi i një Epopeje të lavdishme të Luftës së Vlorës, Epope që pati jehonë në të gjithë Europën Plakë që kishte dalë e përgjakur nga Lufta e Madhe me vetveten. Vlonjatët dhe Labëria kishin gati 500 vjet që nuk kishin bërë një bëmë kaq të madhe. Para gati 500 vjetësh Labëria (Arbëria) kishte bërë një bëmë e tillë. Ishte moti 1431 kur Gjergj Arianiti (Golemi) në sajë të mbështetjes tek Labëria kishte korrur një sukses të jashtëzakonshëm kundër hordhisë osmane. Edhe atëhere Europa Plakë e trembur nga egërsia dhe fuqia e osmanëve dhe selxukëve dridhej dhe i kishte hyrë frika në palcë. Jehona e fitoreve të Gjergj Arianitit, edhe sot pas 500 vjetësh, ndihet në Europë. Labëria ishte e para krahinë në Ballkan që u tha ndal turqve osmanë. Ata kishin fituar kudo: Kishin vënë nën thundër Sërbinë në Fushën e Mëllenjave në motin 1389; Kishin mposhtur Balshajt (1385), Topiajt, Muzakajt, Zenebishët, Kastriotët etj princa shqiptarë; Kishin vënë nën thundër Greqinë, Bullgarinë. Por në Labëri ju tha: Ndalu beg se ka hendek.
Kjo është Vlora, e cila pas 500 vjetësh hyri prapë në histori. Këtë epope e shpreh në vargje patrioti, Kapedan Nase Beni nga Vunoi i Himarës, pjesëmarrës i kësaj lufte:
Evropa shkruajnë e thonë
Ç’është kështu si dëgjojmë?
Bënet-ë dyfek në Vlorë!
Shqiptarët po lëftojnë
Me një mbret 40 milionë.
Po me se lëftojnë vallë?
Me sëpatë dhe me hanxharë,
Dyfekët lidhur me gjalmë,
Fishekët në xhep i mbajnë.
Ç’paskan pjellë ato nëna,
Paskan pjell’ e bërë drëra,
Lëftojn’ e s’u tundet këmba.
Digjen si qiri në këmbë,
E hanë barutin me dhëmbë.1
Ngjarjet e mëdha historike janë si malet, sa më shumë që u largohesh aq më madhështorë duken. Por, ata që vijnë më pas, asnjëherë nuk dinë ato fakte pikante, ngjarje, ndodhi, episode që e bien këtë ngjarje historike të gjallë para nesh deri në ditët e sotme, dhe, këto i dinë bashkëkohësit e këtyre ngjarjeve të mëdha. Prandaj për këtë epope po drejtohemi Ago Agajt, i cili në këtë luftë ka qënë pjesëmarrës, djalë i ri, ndërkohë që i ati, Shero Emini, ishte me funsionetë rëndësishme në drejtimin e kësaj lufte. Ja se çfarë na thotë Ago në librin e vet “Lufta e Vlorës”:
“…Lufta e Vlorës është dhe mbetet e pashoqe, e pakrahasueshme dhe me të drejtë u quajt një vetvrasje…vendimi i Londrës, që e shkëputi Vlorën nga Shqipëria (dhe ja dha Italisë)…Por fatkeqësitë nuk kishin të sosur me kaq, sepse Italia dhe Greqia paskëshin bërë edhe një marrëveshje tjetër të fshehtë, Tittoni-Venizellos…sipas kësaj marrëveshje Greqia do të merrte Himarën, të dy Kurveleshët, Gjirokastrën, Përmetin, ndërsa Italia merrte Tepelenën dhe Vlorën (me gjithë interlandin)…Kjo marrëveshje, iu duk vlonjatit si një dënim i dytë edhe më i fortë nga ai i Paktit të Londrës…tani i mbetej, veçse me fuqinë më të fundit, me flijimin e vetes, për të shpëtuar të paktën nderin, emrin dhe për t’u hakmarrë…”2
Ashtu si në kohën e lashtë, të parët e tyre, Kaonë, edhe në këtë kohë, labërit, mbështetur në kodet e lashta dhanë kushtrimin: “Të gjithë pleqësitë dhe parësia e fshatrave të mblidhen në mal të Tragjasit, te burimi, në sheshe të Barçallasë”. Lajmi misterioz, prurësit misteriozë dhe dërguesit po ashtu, ndërsa zbatimi si një sahat i mirë.
Më shumë natën se ditën shihje togje kalorësish, që i drejtoheshin këtij mali nga të gjitha anët si në një sulm të përqëndruar kundër një fortese dhe në kohën e caktuar (28 maj 1920) u mbushën malet e brinjat me qindra kalorës…Qe një mbledhje trimash të vendosur, seriozë dhe fjalëpaktë, se deri atëhere fjala e matur qe gjithnjë e shkurtër, çmohej shumë prej atyre burrave, që se njihnin propagandën dhe demagogjinë…Ishin burra të veprimit e jo të fjalëve të shumta. Përveç kësaj ishte shkaku dhe qëllimi i mbledhjes, aq i rëndë dhe tragjik…Gjithë parësia, njerëz të gjakut dhe mendësisë së popullit që prinin, e mbledhur në një Këshill të Madh të shtruare të unjgjur përdhe në një rreth të gjërë pa dallim, parapëlqim e dukje, këshill ku në të gjithësecili, duke e çmuar veten plot katërqind, shfaqi lirisht dhe pa droje mendimin e tij. Këtu shihej struktura mijëravjeçare e Labërisë (Kaonisë së Lashtë), e ngritur mbi zotësinë, trimërinë, mënçurinë dhe barazinë…
…Kjo mbledhje qe një shëmbull pjekurie e dinjiteti dhe gjithsecili tregoi se ishte mësuar me rregullat e një kuvendi, fliste me ngadalë dhe shquar, paanësisht, me gjak të ftohtë, pa e ngritur zërin më tepër se ç’duhet për t’u dëgjuar prej të gjithëve dhe pa fyer dhe përbuzur njeri. Shumë parlamente në botë mund të merrnin shëmbull prej këtij Parlamenti të Labërisë ndër malet e Barçallasë…Në përfundim u dha ky vendim:
“Kundërshtim armikut me armë dhe gjer në shuarje e shfarosje të njërës palë, nëqoftëse nuk do të lironte vetë e me të mirë vendin e zaptuar pa asnjë të drejtë.”3
Historia njeh dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, njeh dymbëdhjetë trimëritë e Irakliut, njeh dymbëdhjetë apostujt e Jezusit të Nazaretit; Por historia nuk kishte njohur dymbëdhjetë burra të Labërisë, të cilët u mblodhën dhe vendosen: O do të vdesim, o do të rrojmë, por vetëm në liri. Ky ishte Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare me burra “katërqind drehem”, më burra si shkëmbi, ashtu siç thotë kënga labe “si këmbë mali”, Duro Shaska, Mehmed Alemi, Hamid Selmani, Osman Nuri, Murat Tërbaçi, Qazim Koculi, etj, të cilët ju drejtuan gjeneralit Italian në Vlorë, Piaçentinit, me një ultimatum, ku midis të tjerash, në atë copë kartë thuheshin fjalët lapidare:
“…Na e dimë se një populli vogël si populli Shqiptar, nuk mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe, siç është Italia; por qeveria italiane sado e fortë që të jetë, nuk mundet kurrë t’e ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë që të vdesë për idealin e tij të lirisë…”4
Vetë ky mesazh i përcjellë ndër breza mbetet i pavdekshëm. Pastaj vazhdon Agua, në atë kartë, vjen një frazë që të rrëqeth mishtë, një frazë me shpirt e frymë antike, klasike; “Dikur, mijëra vjet më përpara, në Termopile, u tha: “Lëshoni armët se ne jemi aq të shumtë sa shigjetat tona do t’u zënë diellin”, dhe përgjigja e thjeshtë dhe krenare qe: “Aq më mirë se do të luftojmë në hije”…Kështu flasin përfaqësonjësit e zgjedhur të një populli të lirë, flasin agallarët e fundit të Labërisë, flasin ata që e përfunduan me nder dhe lavdi historinë e luftimeve shekullore të asaj klase për lirinë e vendit.5
Përgjigja negative e gjeneral Piançetinit pati vetëm një koment nga ana e Hamid Selman Dukatit: “Paçin neve dhe veten në qafë në këtë dhe në atë jetë.” 6Një përgjigje sa burrërore, po aq dhe njerëzore.
Por megjithëse kanë kaluar 100 vjet nga kjo epope e fundit, asnjë qeveri shqiptare nuk u ka shprehur mirënjohjen e plotë dhe të merituar labërve dhe vlonjatëve për këtë epope. Qeveritë e Ahmet Zogollit pothuajse nuk bënë asgjë dhe nuk kishin si të bënin, pasi Ahmet Zogolli kishte alergji nga vlonjatët dhe Labëria, mbase, edhe sepse Vlora u ngrit në vitin 1924 dhe e përzuri ne Jugosllavi duke mbeshtetur Nolin.
Para viteve 90-të qeveritë e kohës ngritën një lapidar dhe një bazoreliev tek “Qafa e Koçiut”, atje ku nuk shpie rruga njeri. Por, për hir të së vërtetës, atëhere u respektua Lufta e Vlorës dhe luftëtarët e saj, ku një pjesë të të cilëve që kishin bërë emër në këtë Luftë të Madhe, si Selam Musa Salaria, Sali Murat Vranishti, Sado Koshena, Kanan Maze, Zigur Lelo, të cilëve ju dha titulli më i lartë “Hero i Popullit”. Madje në Tepelenë u ngrit edhe një shtatore e bukur e Selam Musait, të cilës sot i bën hije hajduti i Beshishtit. Gjithashtu u bë edhe një film i shkëlqyer “Guna përmbi tela”, me një kolonë zanore të jashtëzakonshme dhe madhështore të një biri të Vlorës dhe Labërisë. Por këto ishin shumë pak. Ata heronj legjendarë meritonin më shumë vëmëndje dhe më shumë vlerësim, pavarësisht se ata nuk luftuan që t’i kujtojmë ne sot, pasi ata luftuan për Shqiperinë dhe për Vlorën.
Gjithashtu, para viteve 90-të u lanë në hije drejtuesit e kësaj Luftë, të cilët, pavarësisht se nuk ishin në rreshtat e parë dhe nuk dhanë jetën për Shqipërinë, kanë merita të mëdha. Ata janë: Komandanti i kësaj Lufte Ahmet Lepenica; drejtuesi politik i saj, Osmën Haxhiu; Shero Emini, si dhe Qazim Koculi, Duro Shaska, Mehmed Alemi, Hamid Selmani, etj figura të larta të kësaj epopeje.
Por edhe ajo që u bë nuk ishte e plotë. Brenda në qytetin e Vlorës pothuajse asgjë, asnjë përmendore, asnjë shtatore, asnjë grup skulpturor ose monument të madh, të paktën për ata që ishin heronjtë e kësaj Lufte. Thonë që sot janë jashtë mode shtatoret, bustet dhe monumentet. Po Europa perse i mban, perse nuk i prish? Pse në Vlorë nuk duhet të ketë të tilla; kur të tilla ka me shumicë, madje edhe në Shqipëri: Në Tiranë, madje edhe per persona, që nuk kanë ato kontribute; Në Korcë; Në Pogradec, madje per dy artiste, që kanë shtatoret e tyre, të cilët e meritojnë plotësisht; Në Elbasan ka, edhe këtu për persona që e meritojnë plotësisht; madje ka edhe Lushnja. Po Vlora përse nuk ka?!!! Përse Vlora është kthyer në një “humbëtirë” nga pikëpamja e memorjes historike, nëpërmjet objekteve që e mbajnë gjallë këtë memorie.
A nuk e meriton një shtatore Selami me “çika që e kapi topin nga grika” (ashtu si në Shkodër, duhet të kenë nga një të tillë Mic Sokoli dhe Oso Kuka), ku skulptorët të trajtojnë këtë akt të madh epik. Por Selam Musai luftoi edhe kundër andarteve grekë për të mbrojtur Jugun e Shqipërisë. Po legjendari Sali Vranishti (që sa roi i punoi gishti),që ndihmoi Ismail Qemalin për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë, pas shpalljes së pavarësisë; që luftoi kundër andartëve grekë, që luftoi kundër dumbabistëve, që mori pjesë në Revolucionin Demokratik Borgjez të Qershorit 1924. Ç’farë duhet të bënte akoma më shumë Sali Murati o vlonjatë, që ju t’i ngrinit një shtatore në Vlorë?!!! Po Zigur Lelo, po Kanan Maze (Kanan mbete pa gojë, Shqipëria le të rojë). Po Mehmet Selim Mallkeqi, i cili “pa i bër syri tërr”, në mes të ushtrisë italiane në qytetin e Vlorës i dorëzoi gjeneralit Italian, Piaçentinit, Ultimatumin. Ky “marothonomak” i Luftës së Vlorës, nuk e meriton një shtatore, madje majë kalit dori të Hamid Selmanit.
Lufta e Vlorës në vitin 1920 përcaktoi fatin e Shqipërisë. Me këtë luftë, pas 500 vjetësh Vlora hyri përsëri me dinjitet në histori. Por, kjo histori legjendare, nuk duket gjëkundi në qytetin e Vlorës. Asnjë shenjë nga kjo Luftë e Madhe. Një njeri, që nuk e njeh historinë e Shqipërisë dhe të Vlorës, kur vjen në këtë qytet, me përjashtim të muzeve dhe Monumentit të Pavarësisë, nuk e merr vesh kurrë se këtu është bërë një Luftë e Madhe; e cila për shqiptarët, nga rëndësia dhe vlerat e saj, nga guximi, trimëria, pabarazia e forcave në luftë dhe lavdia e fitores, ka për shoqe vetëm betejën e Maratonës të grekëve të lashtë.
Ku është memorja historike për këtë luftë legjendare? Ka ca shenja të tilla si: Lapidari dhe bazoreliefi në “Qafën e Koçiut”, Monumenti madhështor i Drashovicës në formën e një harku triumfi (i cili është për dy luftëra, pra edhe për Luftën Nacional- Çlirimtare), busti Sali Muratit në Vranisht, busti i Selam Musait në Tepelenë, mund të ketë edhe ndonjë bust tjetër; por që të gjithë në periferi të qytetit të Vlorës, fshatrave dhe maleve të krahinës së Labërisë dhe asnjë shenjë, asnjë gjurmë brenda qytetit të Vlorës. Duket sikur vlonjatët nuk duan ta kujtojnë më këtë luftë, duan t’a harojnë atë, apo më saktë nuk duan që t’ua kujtosh më.
Që të mos dukem sikur flas në hava, hedhim një sy nga Europa. Në të gjitha qytetet, qytezat, parqet e vendeve perëndimore janë të mbushura me shtatore, grupe skulpturore, monumente, buste; perandorë, mbretër, princër, kontër dhe dukë, hipur majë kalit, të cilët, ndoshta, si veprën më të madhe të tyre kanë pasur vrasjen e kafshëve të egra në gjueti, por shtatoret e tyre majë kalit qëndrojnë krenare dhe turistët, me dhjetra milionë, i shikojnë si të shushatur këta farë trimash. Kjo më kujton një shkrim të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, i cili tregon kështjella dhe fortesa të ngritura në vendet e ndryshme të Europës, që nën muret tyre nuk ishte bërë asnjë betejë dhe nga ato mure nuk ka lëvizur asnjë gur, apo tullë, që nga koha e ndërtimit të tyre. Ndërkohë që kalatë tona, thotë Ismail Kadare, janë shkatërruar, rrënuar, me mure të rrëzuar, dhe, vende, vende, edhe të rrafshuar deri në themele, nga luftrat dhe betejat e kryera ndër to në shekuj si rezultat i luftrave heroike që kanë zhvilluar shqiptarët.
Pas viteve 90-të, asnjë qeveri nuk e kujtoi dhe nuk e zuri në gojë Luftën e Vlorës. Por as qeveria e tanishme. Madje, qofsha i gabuar, as kryetari i qeverisë nuk ka për të ardhur në këtë datë të lavdishme jubilare. Dhe s’ka si të vijë, pasi gjithë veprimtaria e këtij personi është kundër ideve, frymës dhe lavdisë së Luftës së Vlorës. Madje ai ka shpërfillur dhe hedhur në honin e haresës edhe një epope tjetër të lavdishme, Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare. Ai e ka shpallur veten kundër tyre, kundër historisë së shqiptarëve, kundër kulturës së shqiptarëve, kundër çdo gjëje që u kujton shqiptarëve se kush janë dhe nga vijnë; por edhe kundër mirëqënies, jetës, shëndetit dhe ekzistencës së shqiptarëve si komb (Vaksinat dhe platformat 5G që ai ka marrë porosi të zbatojë, janë mjete shfarorëse të shqiptarëve).
Thuhet se me rastin 100 vjetorit të kësaj Lufte do të bëhen takime dhe mbledhje përkujtimore në Vlorë, Barçalla, ku u mor vendimi për Luftën; dhe në Beun, ku u grumbulluan forcat e armatosura të Labërisë. Madje edhe një konferencë, apo simpozium shkencor, nga muaji gusht. Por këto janë shumë pak. Këto janë të domosdoshme, por nuk janë të mjaftueshme, pasi me mbarimin e tyre harohet çdo gjë. Populli ka një fjalë të urtë: “Fjalët i merr era”. Këto aktivitete janë si zjarri i kashtës, që bën flakë për momentin, por që mbaron shpejt dhe harohet fare si zjarr. Pra janë veprimtari, sa për të kaluar rradhën.
Për këtë duhet të ngrihet një Panteon Madhështor ku të qëndrojnë me dinjitet heronjtë legjendarë të kësaj luftë, duke filluar me Sali Vranishtin, Selam Musai, Duro Shaska, Osmën Nuri (Haxhiu), Mehmed Alemi, Hamid Selmani, Qazim Koculi, Kanan Maze, Ali Beqiri, Shero Emini, Zigur Lelo, Sado Koshenën, këtë Bubulinë të Labërisë, dhe deri tek më i fundit. Ata heronj, që ka 100 vjet që nuk kanë një shtatore në qytet, madje as një bust që t’i kujtojë njeri. Fëmijët në Vlorë mund të shijojnë “Lungo-Mare” dhe shëtitore “Vlorë-Skelë”, mund të kujtojnë edhe “Rrugën e Çifutëve” dhe me siguri do të ndihen qytetarë europianë. Por ata, fatkeqësisht, do të harojnë që janë qytetarë vlonjatë dhe stërnipër të atyre gjigandëve të atdhetarizmës si Sali Murati (Vranishti), Selam Musa (Salaria), etj; të cilët ashtu si Prometheu dhe Herkuli, heronjtë e lashtësisë, i vunë gjoksin luftës dhe kokën e tyre e vunë në këmbët e Shqipërisë.
Përse qeveria dhe bashkia e Vlorës nuk ngritën një Muze Kombëtar të Luftës së Vlorës? Përse?!!! Sidomos këtë vit që ndodhemi në jubileun e lavdishëm, të 100 vjetorit të kësaj epopeje legjendare të pashëmbullt në histori. Ku labërit, togje togje, çeta çeta (ashtu si tremijë vjet më parë, luftëtarët legjendarë të Luftës së Trojës shkuan në një përballje gjigandësh, që në kohët moderne quhen Luftëra Botërore) shkuan në luftë kundër një pushtuesi modern, një gjigandi përbindësh lufte me topa, mjete të blinduara, avionë dhe anije lufte, i koracuar me hekur dhe beton; ndërsa ata të paarmatosur si duhet, por me një shpirt të madh patriotik.
Ja se si i kujton këta heronj një pjësëmarrës i kësaj Lufte, Ago Agaj: “…veshja e zezë hajduçe e tyre, leshrat e gjata deri në supe, mjekrat gjer në krahëror, stolitë dhe armët e shumta të hedhura përsipër i tmeronin ushtarët e huaj…”7 Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare përbëhej nga 12 luanë (kujtojmë numrin e shenjtë pellazgë-12). Para njëqind vjetësh të parët tanë, megjithëse të pashkolluar, por e dinin nga të parët e tyre, se numri dymbëdhjetë është i shenjtë. Njihnin historinë dhe betejën e Termopileve. Nuk mund të fitohej kjo Luftë, nëqoftëse në udheheqjen e saj nuk ishin dymbëdhjetë krerë, ashtu si etruskët që mbanin numrin dymbëdhjetë të qyteteve të tyre në Kampania, kur edhe kur u shkatërohej ndonjeri prej tyre prej armiqve, ata e ringrinin, qoftë dhe ne vend tjetër, që numri i tyre të mbetej dymbëdhjetë. Prandaj edhe kjo Luftë ishte e Shenjtë, Hyjnore.
Kjo luftë edhe një herë të kujton heronjtë mitologjikë pellazgë si Jazoni, Belerofonti dhe Herakliu që luftuan kundër përbindashve gjigandë si Dragoi, Kimera, Cerberi dhe Hidra e Lernës me 100 kokë. Dhe ashtu si heronjtë mitologjikë pellazgë edhe labërit fituan mbi këtë bishë të stërmadhe dhe shpëtuan Shqipërinë, e cila në planet e Fuqive të Mëdha, disa muaj më parë, ishte vendosur të zhdukej nga faqja e dheut. Dhe ne sot të mos i kujtojmë me nderin dhe respektin e duhur. Turp. Njëmijë herë turp. Rëntë mallkimi më i rëndë për ne, nipërit dhe stërnipërit e tyre.
“Ëndrra ime…Në Beun mendoja një shtyllë të madhe prej graniti me emrat e dymbëdhjetë anëtarëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe vulën e tij. Në Barçalla, një e tillë me vulat e gjashtëdhjetëe ca fshtrave që vulosën në atë mbledhje.” 8
Si kujtohen ata? As me këngë dhe me valle. As me një takim përkujtimor sa për të kaluar rradhën. Ata kujtohen duke u ngritur një Panteon Madhështor këtyre heronjve legjendarë, heronj që nuk kanë për të ardhur më në historinë e Vlorës. Harojeni. Duke u ngritur shtatore të mëdha, ashtu siç ishin edhe vetë ata, në rrugët dhe sheshet kryesore të Vlorës. Duke ngritur një grup të madh skulpturor, ashtu siç është ai, i Monumentit të Pavarësisë në Vlorë. Ishte Lufta e Fundit e Madhe që Vlora dhe Labëria, Paria dhe Fisnikëria e Vlorës dhe e Labërisë e bënë. Dhe u ndanë me nder dhe lavdi. Në ka Luftë që Vlonjatët dhe Labëria mund të krenohen është Lufta e Vlorës, pasi Luftën Nacional-Çlirimtare e bëri e gjithë Shqipëria, ndërsa këtë luftë e bënë ata dhe vetëm ata. Dhe hynë në Histori.
Epilog. “Frutet e Luftës së Vlorës mund të përmblidhen në pak fjalë: Shpëtimi i Vlorës, Shpëtimi i Shqipërisë së Jugut nga skllavëria e huaj, nga zhdukja dhe së fundi i mbarë Atdheut tonë, Shqipërisë…Gjaku i dëshmorëve u transformua në liri, pavarësi dhe sigurim i ekzistencës së shtetit shqiptar ,mirë e keq, gjersa të vijë dita e bashkimit me Kosovën dhe atëhere çdo rrezik copëtimi e pushtimi do të zhduket përgjithnjë, se gjokset e shumëmilionë shqiptarëve të lidhur me mallet tona të larta,që nisin me Alpete veriut, çajnë mespërmes vendin gjer në Jug, do të jenë të pathyeshëm, ngado që t’ju vijë armiku.
Ai që do të realizojë këtë bashkim, do të kurorëzojë themelet e hedhura në Vlorë më 1912 e në 1920. Ai do të jetë burri i madh i historisë së re shqiptare.”9
Vlorë, më 4 qershor 2020
__________
Referencat:
1 Albert Habazaj,“Lufta e Vlorës – Historia në epikën historike”,Bot.Neraida,Tiranë-2016,f,173
2 Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962,Bot.TOENA,Tiranë-2002,f.9,113
3 Ago Agaj,“Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962,B.TOENA,Tiranë-2002,f.139-141
4 Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962,Bot.TOENA,Tiranë-2002,f.160
5 Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962,Bot.TOENA,Tiranë-2002,f.162-163
6 Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962,Bot.TOENA,Tiranë-2002,f.162
7 Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962,Bot.TOENA,Tiranë-2002,f,116
8 Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962,Bot.TOENA,Tiranë-2002,f.367
9 Ago Agaj, “Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962,Bot.TOENA,Tiranë-2002,f.306